ZBULOHET NJË LIBËR SHQIP PARA BUZUKUT ?


         Nisin verifikimet. Sipas albanologëve austriakë, bëhet fjalë për një dokument që mund të hedhë dritë për shkrimin më të hershëm të gjuhës shqipe

         Janë përsëri ata, austriakët, të dashuruarit e përjetshëm me shqipen, që këtë radhë na befasojnë me një tjetër zbulim. Bëhet fjalë për një dokument që mund të hedhë dritë për shkrimin më të hershëm të gjuhës shqipe. Profesorët Stefan Schumacher Joachim Matzinger nga Akademia e Shkencave Austriake kanë arritur të zbulojnë një dokument që mendohet t'i përkasë shekullit të XIV, ku shkruhet një shqipe me gërma latine.

Studimi ka si qëllim zbulimin e ndikimit të gjuhës shqipe në të gjithë gjuhët e rajonit, por edhe në gjuhët e vdekura. Dy profesorët në studimin e tyre kanë arritur në përfundimin se një pjesë e gjuhëve si latinisht, gjermanisht dhe thuajse pjesa më e madhe e gjuhëve të Ballkanit, kanë elementë të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Fakti se një pjesë e foljeve kryesore të shqipes gjenden në këto gjuhë, e vërteton më së miri këtë gjë. Dy profesorët kanë paraqitur fletën e një libri të Biblës që dokumenton gjuhën shqipe të shkruar në fillim të shekullit të XVI. Nëse do të vërtetohet origjinaliteti i këtij dokumenti, atëherë kemi të bëjmë me një libër më të hershëm se "Meshari" i cili daton në mes të shekullit të XVI. 


ZBULIMI


         Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një zbulim të mirëfilltë shkencor apo jo. Dokumenti që publikohet në web-in zyrtar të Akademisë së Shkencave të Austrisë pretendon se bëhet fjalë për shqipe të shkruar rreth shekullit XIV. Përcaktimi më i saktë i datës do të shërbente për të vërtetuar nëse "Meshari" i Gjon Buzukut është i pari libër i shkuar në shqip apo më në fund gjuhësia ka arritur të gjejë dokumente të tjerë që e vërtetojnë këtë gjë. Në foto jepet fleta e një libri fetar, i shkruar në italisht dhe në shqip.


"Scala I. Ligierata VI. Si e krijoi εot8ne Adamne et Evene. Të paretë tanë print", që kuptohet. "Ligjërta e VI. Si e krijoi Zoti Adamin dhe Evën, prindërit tanë të parë".


NË GJURMËT E JOKLIT

 
         Dy profesorët austriakë kanë përdorur materialet dhe dokumentet e themeluesit të shkencës së Albanologjisë, Norber Jokl. Jokl ka lindur në 25 shkurt 1887 dhe është vrarë nga nazistët në maj 1942. Edhe pse me një formim juridik, Jokl iu përkushtua gjuhësisë dhe kryesisht studioi gjuhët indo-evropiane, gjuhët sllave dhe gjuhët romane. Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar gjuhës shqipe. Në moshën 30-vjeçare mësoi gjuhën shqipe. Është autor i librave "Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes" dhe "Kërkime gjuhësore - kulturore historike nga fusha e shqipes".


DOKUMENTET E HERSHME TË SHQIPES


         Deri më sot tre cilësohen si dokumentet më të hershme të shqipes. Edhe pse gjithë gjuhëtarët pranojnë se shqipja duhet të jetë shkruar shumë kohë më parë, dokumenti i parë që e dëshmon këtë është "Formula e pagëzimit", e shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit, Pal Ëngjelli, gjatë një vizite në dioqezën e Matit në 8 nëntor 1462. Dokumenti i dytë është fjalori i Von Harfit, i vitit 1497. Dokumenti që përmban një numër fjalësh dhe shprehjesh që i duheshin udhëtarit gjerman gjatë kalimit të tij në Shqipëri në Durrës dhe në Ulqin. Të së njëjtës rëndësi, gjuhëtarët rendisin dhe "Perikopeja e Ungjillit të Pashkës". Një dokument i shkruar në greqisht, që mendohet se i përket shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument përbëhet nga 2 pjesë të vogla Bible në gjuhën shqipe, që u gjetën në një dorëshkrim greqisht të shekullit XIV. Por si dokumenti më i rëndësishëm deri më sot mbahet "Meshari" i Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën shqipe. "Meshari" i përket vitit 1555. Por të gjithë studiuesit janë të një mendimi kur flasin për dokumentet më të hershme. Këtë e dëshmon dhe Arqipeshkvi francez i Tivarit me emrin Brokard, që ka udhëtuar në Shqipëri. Në një relacion latinisht të vitit 1332, ai shkruan: "Sado që shqiptarët kanë një gjuhë fare të ndryshme nga gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjën latine". Një gjë mund të thuhet me siguri: Nëse dokumentet shqipe ekzistojnë, zbulimin e tyre mbetet ta presim gjithmonë nga të huajt.

 

SHQIPJA E VJETËR: NDIKIM I GJALLË I NJË GJUHE TË VDEKUR?

 

         Historia e Adamit dhe Evës (majtas italisht, djathtas shqip) një nga materialet e studimit në projekt. Shqipja e vjetër ka ushtruar një ndikim të madh ndaj gjuhëve ballkanike. Kjo është teza kryesore e një projekti të dy linguistëve vjenezë, që po financohet nga Fondi austriak për Shkencën.

 

         "Kërkojmë shitës me njohuri të gjuhës serbe, hungareze, rumune dhe gjermane!" - një afishe e zakonshme kjo në qytetin Vërshac të Vojvodinës në Serbi, në vitet 30-të të shekullit të kaluar. Asokohe njohja e gjuhëve të ndryshme ishte parakusht mbijetese. Linguisti vjenez Shtefan Shumaher (Stefan Schumacher) e sjell këtë si shembull për të treguar, se komunikimi gjuhësor mes fqinjëve në Ballkan, në kohërat e mëparshme ka qenë shumë i gjallë.


         "Ne mendojmë se rrethana të ngjashme kanë sunduar edhe në të gjithë Ballkanin, pra që njerëzit kanë përdorur më shumë se një gjuhë brenda një dite për të komunikuar me të tjerët" - thotë Shumaher në një intervistë me Deutsche Wellen. Për të mësuar më shumë se si shqipja ka ndikuar ndaj gjuhëve tjera të Ballkanit doktori i shkencave linguistike ka filluar në vitin 2006 një studim tre vjeçar për shqipen e vjetër, së bashku me kolegun e tij, albanologun Joachim Matzinger.

          "Joachim Matzinger dhe unë jemi marrë me shqipen prej shumë kohësh. Shumë shpejt kuptuam se kushdo që merret me këtë i bazon gjykimet për shqipen dhe historinë e saj tek gjuha e sotme moderne. Ne e dinim se qysh nga shekulli i 16-të e këtej ekziston një korpus i madh letrar, i cili duhet studiuar me themel" - thotë Shumaher më tej.


         Si bazë për këtë studim, shërbejnë kryesisht, shkrimet e shekullit të 15 dhe 16, studimi i të cilave në periudhën e komunizmit nuk arriti të bëhej i plotë, edhe për faktin se ato kishin përmbajtje fetare. Shumaher ka analizuar deri tani afro 60 për qind të Pjetër Bogdanit, ndërsa Matzinger po merret me Budin. Bartja e ndikimeve gjuhësore mendohet të ketë ndodhur përmes barinjve shtegtarë si dhe përmes latinishtes.



NDIKIMI I SHQIPES I KONSIDERUESHËM


         Qysh tani ata kanë vënë re, se shqipja e vjetër, e cila mendohet të jetë të paktën 2500 vjeçare, ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhëve ballkanike.

 

         "Kjo vihet re qartë tek rumanishtja, e cila është shumë më ndryshe nga gjuhët e tjera romane dhe megjithatë ka disa veçori që janë tipike edhe për shqipen e sotme. Kështu për shembull që nyja bashkangjitet në fund të foljes, ndërkohë që të gjitha gjuhët e tjera romane e vënë atë në fillim” - sqaron Shumaher.


         Bardhyl Demiraj, profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut, ka qenë referenti i parë i projektit dhe është i gëzuar që ky projekt po mbështetet edhe nga Fondi për Shkencën, institucioni qendror i Austrisë për financimin e studimeve bazë.

         "Shtefan Shumaher është një indoeuropianist i njohur, por ndërkohë po bën emër edhe në albanologji si edhe në disa fusha të tjera të shkencave historike e gjuhësore. Ai është një njohës shumë i mirë edhe i gjuhëve rrënoja të Evropës Qendrore dhe në veri të Ballkanit. Ndërkohë që Matzinger është më i ri, është një albanolog i mirëfilltë, i cili ka botuar mbi 25 artikuj" - vlerëson Profesor Demiraj.

         Studiuesit po përdorin jo vetëm një bazë të re materiale, por edhe metodat më të reja të indoevropianistikës, vlerëson Demiraj. Një rezultat i këtij projekti pritet të jetë një fjalor me foljet e shqipes së vjetër. Dy studiuesit austriakë pritet të japin një ndihmesë të çmuar në studimet albanologjike, duke i qendruar kështu besnikë traditës austriake në këtë lëmi, gurin e parë të së cilës e vuri po në Vjenë, profesor Norbert Jokl, rreth 100 vjet më parë.


Anila Shuka : DW

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!