Pasi RAMUSH HARADINAJ ka treguar se si e kishte marrë nga SHIK-u  objektin ku sot është selia qendrore e AAK-së, LATIF GASHI, ish-drejtori i përgjithshëm i SHIK-ut, jep versionin tjetër. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për ultimatum e rrëmbim, por për marrëveshje mes bashkëluftëtarësh. Gashi thotë se Ramushi bën gabim të madh kur e identifikon veten me kërcënime dhe grupe të dhunshme.


SI E „RRËMBYEN“ SELIN E VET NË PRISHTINË  AAK-ja


Shkruar nga Jeton Musliu më 26.12.2008 Gazeta „EXPRESS“

 


Komandant Latif Gashi – Lata - i pari nga e djathta
Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i vendit dhe aktualisht kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në intervistë për gazetën EXPRESS, të enjten është shprehur se për të marrë selinë kryesore ku tash është vendosur partia e tij në qendër të Prishtinës, Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) i ka dhënë ultimatum që brenda natës t’ia lëshojë objektin.

“U kam dhënë ultimatum të dalin të nesërmen në orën 6 të mëngjesit. Atë ndërtesë nuk ma ka dhënë askush. Ata (SHIK-u) kanë qenë aty. Kam shkuar në mbrëmje dhe u kam thënë që nesër, në 6 në mëngjes, po s’i nxorët gjërat jashtë, nuk ua qet mirë”, është shprehur Haradinaj për gazetën EXPRESS.

Por, LATIF GASHI, dikur drejtor i përgjithshëm i SHIK-ut, këtë deklarim e quan të pavërtetë dhe në të njëjtën kohë jep një shpjegim tërësisht tjetër. Kjo, sipas tij, është e vërteta e vetme e këtij rrëfimi, duke shtuar se shpjegimi i Ramushit në intervistën dhënë Expressit është një kërcënim që ai i paska bërë SHIK-ut. Sipas Gashit, i cili aktualisht është këshilltar i ministrit të FSK-së, Fehmi Mujota, Ramushi “bën një gabim të madh kur e identifikon veten me kërcënime dhe grupe të dhunshme”.

Gashi tregon për Express se pas çlirimit të Prishtinës, në objektin e ish-Entit të Gjeodezisë, ishte vendosur Policia Ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte zgjedhur të jetë selia e Degës së SHIK-ut për Prishtinë.

         “Rreth dhjetë ditë pas çlirimit, jemi vendosur në atë objekt. Aty kemi qëndruar deri në kohën kur ka filluar të funksionojë Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut”, fillon Latif Gashi, rrëfimin e tij për këtë çështje.

Sipas tij, në katin e parë funksiononte Policia Ushtarake, ndërkohë që në katin e dytë fillimisht ishte vendosur SHIK-u i Zonës Operative të Llapit, e më vonë Dega e SHIK-ut për Prishtinën.

“Në momentin kur Ramush Haradinaj ka vendosur të formojë parti politike, fillimisht e ka thirrur në telefon Rrustem Mustafën-Remin, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së”. Me këtë telefonatë, sipas Gashit, Ramush Haradinaj i ka kërkuar Rrustem Mustafës nëse ka ndonjë kat apo zyrë në ndërtesën e ish-Gjeodezisë, për të vendosur selinë e partisë së tij.

         Rrustem Mustafa i ka thënë se përgjegjës për ato zyra është Latif Gashi, pra unë, Muhamet Latifi dhe Xhevdet Maçastena”, citon Gashi fjalët që ish-Komandant Remi ia ka thënë në telefon, Ramush Haradinajt. Sipas Gashit, pas kësaj përgjigjeje, Ramush Haradinaj ka gjetur numrin e telefonit dhe e ka thirrur në telefon atë (Latif Gashin) duke e pyetur se ku ndodhet dhe “nëse ka mundësi të pimë një kafe”.

         “I kam thënë se je i mirëseardhur dhe kemi lënë takim në zyrën time, në selinë qendrore të SHIK-ut që ndodhej pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Ai ka ardhur dhe rojat e kanë përcjellë deri te zyra ime”, kujton Latif Gashi, momentet para atij takimi.

“Në zyrë kemi pirë nga një uiski. Kemi biseduar si bashkëluftëtarë. Ramushi më ka shpjeguar se ka krijuar parti politike, se si ka problem me shtrirje dhe konsolidim të partisë etj. Në fund më ka kërkuar që mundësisht t’ia gjejmë ndonjë zyrë ku do ta vendoste selinë e partisë së tij”, kujton Gashi, momentet e takimit me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

“I kam thënë se jam i treti në SHIK dhe doemos duhet konsultuar me shefin që ishte Kadri Veseli dhe zv.shefin, Hilmi Reçica. E kam lënë Ramushin në zyrën time dhe kam shkuar te Kadri Veseli. Bisedova me shefat dhe ata ishin të mendimit për t’i ndihmuar”.

Ai kujton se në fillim ishte vendosur që Ramush Haradinajt t’i lëshohet kati i parë në objektin ku edhe sot ndodhet selia qendrore e AAK-së, me mundësi që më vonë t’i lëshohet edhe kati i dytë, por pasi t’i gjendet vendi Degës së SHIK-ut për Prishtinë.

“Ka pritur vetëm në zyrën time. U ktheva dhe i tregova Ramushit për këtë vendim. Ai m’u lut ta shoqërojë deri tek objekti. Kemi dalë bashkë nga zyra ime dhe me veturën time kemi shkuar deri tek objekti ku sot ndodhet selia e AAK-së”, rrëfen ish-drejtori i përgjithshëm i SHIK-ut Latif Gashi.

Më tej Latif Gashi shpjegon se në ndërtesën e ish-Gjeodezisë, atë dhe Ramush Haradinajn i kanë pritur njerëzit që në atë kohë kanë qenë udhëheqës të Policisë Ushtarake dhe Degës së SHIK-ut për Prishtinë.

“Aty kanë qenë Muhamet Latifi, Xhevdet Maçastena dhe Shaban Muja. Shokët i njoftova se është vendim i shefit dhe zv.shefit për t’i ndihmuar Ramush Haradinajt, duke marrë parasysh kontributin e familjes së tij në luftë”, pohon Gashi për gazetën EXPRESS.

Sipas tij, personat e pranishëm nuk e pritën mirë këtë vendim, por ishte urdhër që duhej të zbatohej, pavarësisht se në sy të Ramush Haradinajt, askush nga të pranishmit nuk kishte kundërshtuar.

“Atyre u duhej gjetur zyra të tjera që ndoshta duhej të punonin në kushte edhe më të vështira. Pastaj bashkë me Ramushin vizituam tërë objektin, edhe katin e dytë. Pastaj u vendos AAK-ja në një pjesë të ndërtesës, vetë Ramushi dhe të tjerët nga partia e tij. Për 3 apo 4 muaj njerëzit e AAK-së dhe SHIK-ut kanë ngrënë bashkë në kuzhinën e Degës së SHIK-ut të Prishtinës, derisa më vonë vetë AAK-ja e adapton një kuzhinë, ku me mirëpritje edhe njerëzit tanë (SHIK-u) kanë ngrënë bukë”.

“Pas rreth një viti, atëherë kur AAK-ja u shtri në terren, Ramushi i ka paraqitur SHIK-ut kërkesë tjeter që t’ia lëshojë edhe katin e dytë. Për këtë kanë biseduar disa herë me Shaban Mujën dhe Xhevdet Maçastenën, të cilët janë konsultuar me nivel më të lartë, duke vendosur që prapë t’i ndihmojnë Ramushit. Më vonë, atij i është lëshuar edhe kati i dytë i ndërtesës”, shpjegon Latif Gashi.

         Në këtë rast, ish-drejtori i përgjithshëm i SHIK-ut thotë se është tjetër çështje nëse Ramush Haradinaj është mirënjohës ose jo për ndihmë, por, sipas tij, “kjo është e vërteta rreth këtij objekti”.

“Këtë që e thotë sot, nuk e ka thënë në atë kohë, sepse atëherë është sjellë shumë mirë, ka qene kërkues, se përndryshe pa të keq, partia e tij nuk do të ishte në atë ndërtesë ku ndodhet tash. Në atë kohë ka ardhur me tjetër fjalor e me të tjera sjellje”, shpjegon Latif Gashi, ish-drejtor i përgjithshëm i SHIK-ut historinë që, sipas tij, është e vërteta e vetme në lidhje me mënyrën se si Ramush Haradinaj sot e ka objektin e ish-Gjeodezisë si seli të partisë së tij, AAK-së, duke pohuar se edhe publikisht në TV ose privatisht do t’ia dëshmonte.

Gashi nuk ka dashur të komentojë në lidhje me akuzat e ngritura më herët nga Haradinaj kundër SHIK-ut, organizatë kjo që tani që nga qershori i këtij viti publikisht ka pushuar aktivitetin e vet. Sipas tij, nuk është koha për të harxhuar energji për akuza të tilla, duke marrë parasysh momentin e tanishëm dhe se kjo nuk i ndihmon stabilitetit politik dhe qytetar të vendit, por, sipas Gashit, as vetë Haradinajt.

“Nëse Haradinaj në denoncimet e veta ka fakte, më së miri është këto t’ua ofrojë organeve kompetente në të mirë të qytetarëve dhe për interesa pushteti mos të manipulojë me lojën e viktimës në një moment, e denoncuesit në një moment tjetër dhe së fundmi dhe të dhunshmit, si tani. Gjuha e dhunës, denoncimit dhe kërcënimit nga një politikan që pretendon pushtetin, mbjell vetëm frikë dhe pasiguri te qytetari. Të gjithë kanë përgjegjësi ta ruajnë dhe ndërtojnë shtetin”, ka përfunduar Gashi.

Komandant Latif Gashi – Lata - i pari nga majta në Selin e Shtabit të UÇK-së Zona Operative e Llapit në Llapashticë  

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!