“PA DORËZA” – Flet për “Epokën e re” Jakup Krasniqi sekretar i përgjithshëm i PDK-së
                                                                                                                                   

Jakup Krasniqi
- Tym në LDK-në
- LDK po e zëvendëson kohën e komunizmit dhe të Millosheviqit
-Krasniqi nuk ka parë fraksione në PDK, por thotë se Dega e PDK-së në Drenas dhe Asambleja Komunale janë përgjegjëse për dorëheqjet në Drenas
- Me çdo kusht po u imponohet qytetarëve që të jenë anëtarë të LDK-së nëse dëshirojnë që ta kenë një vend pune, apo ndonjë post të rëndësishëm
 
 
Intervistoi: Burim Etemaj
 
        Prishtinë, 22 gusht 2006 – Ka pushuar disa ditë në Mal të Robit, në Shqipëri, ku i ka freskuar energjitë ‘opozitare’, por as atje s’ka qenë aq i qetë nga telefonatat e gazetarëve. Është bërë tym në LDK-në, sidomos pas letrës së famshme. Menjëherë pas pushimit ka kërkuar në interpelancë kryeministrin Agim Çekun. Vazhdon ta akuzojë qeverinë për shkelje të ligjeve, ndërkaq në veçanti e akuzon LDK-në se po e riinstalon sistemin e komunizmit dhe të Millosheviqit, duke i diferencuar qytetarët...
        I mohon rreptësisht fraksionet brenda PDK-së, por nuk heziton ta fajësojë Degën e PDK-së në Drenas, për dorëheqjen e kryetarit dhe të kryeshefit, të vëllait, Avdylit.
        I respektueshëm në parti, ku shumica e thërrasin “Baca Jakup”. Thotë se punon dhe beson fuqishëm për pavarësinë e Kosovës. Flet Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i PDK-së
 
EPOKA E RE: A keni qenë për pushime verore në ndonjë vend?
 
Krasniqi: Po.
 
EPOKA E RE: Ku?
 
Krasniqi: Në Shqipëri
 
EPOKA E RE: Jeni mbushur me energji të reja për të luajtur një rol më aktiv opozitar?
 
Krasniqi: Po, edhe pse roli i opozitës në këto momente është mjaft i vështirë, por shpresojmë se muaji shtator do të sjellë lëvizje të reja sa i përket rolit të opozitës, pikërisht në Kuvend.
 
PDK nuk ka ngritur akuza, ka afruar dëshmi për shkeljet që janë bërë
 
EPOKA E RE: Ku i shihni vështirësitë për ta luajtur tamam rolin e opozitës?
Krasniqi: Po në radhë të parë ne si opozitë kemi vështirësi që t’i shpalosim të gjitha thyerjet e ligjeve dhe punët e liga që janë duke bërë institucionet e Kosovës.
 
EPOKA E RE: A keni menduar për të gjetur rrugë të reja që t’i shpalosni këto thyerje ligjesh?
 
Krasniqi: Po, ne do ta vazhdojmë punën në Kuvend, ku edhe kemi kërkuar një interpelancë nga kryeministri Agim Çeku, në lidhje me letrën e Kryesisë së LDK-së, në mënyrë që ai të na sqarojë pozicionin e tij.
 
EPOKA E RE: Po ndonjë hap tjetër do të ndërmarrë PDK-ja si parti opozitare?
 
Krasniqi: Po, po... do të vazhdojmë të ngrehim zërin kundër shkeljeve të ligjit, që janë duke bërë njerëzit institucional. Jemi të befasuar për të keq me shkeljen e ligjit të shërbyesve civil, ku ka pasur një diferencim të madh politik... po ashtu në masë të theksuar është shkelur edhe ligji i menaxhimit të financave publike, ligji antikorrupsion, si dhe ligjet tjera...
 
LDK-ja në një formë po e zëvendëson kohën e komunizmit si dhe të Millosheviqit
 
EPOKA E RE: Nëse mbahet interpelanca, do të tregoheni më të matur apo do të vazhdoni të hidhni akuza jo shumë të matura në adresë të kryeministrit Çeku?
 
Krasniqi: Ka ndodhur që të ketë në ndonjë rast gjëra të pakëndshme... por ne nuk kemi ngritur akuza as për kryeministrin e as për qeverinë. Ne kemi afruar dëshmi për shkeljet që janë bërë.
 
EPOKA E RE: Kur e keni ftuar kryeministrin në interpelancë për çështjen e letrës, a e ka pasur PDK një kopje të kësaj letre, apo e ka siguruar nga gazetat?
 
Krasniqi: Letra është botuar në gazeta... po nuk ia vlen...
 
EPOKA E RE: Po, para se të botohet në gazeta nuk e keni pasur?
 
Krasniqi: Jo, sepse PDK-së nuk i është dërguar zyrtarisht ajo letër.
 
Besoj dhe punoj për shtetin e pavarur të Kosovës
 
EPOKA E RE: Dhe cilat janë vërejtjet kryesore të PDK-së për këtë letër?
 
Krasniqi: Pika e parë e letrës tregon qartë se LDK-ja, në një formë po e zëvendëson kohën e komunizmit, si dhe të Millosheviqit, ku tërë jetën politike ta kontrollojnë njerëzit e saj duke i diferencuar dhe përjashtuar qytetarët tjerë. Me një fjalë po shkelet ligji... dhe nuk po respektohet profesionalizmi, por me çdo kusht po u imponohet qytetarëve që të jenë anëtarë të LDK-së nëse dëshirojnë që ta kenë një vend pune, apo ndonjë post të rëndësishëm. Po ashtu, edhe për pikën e pestë do të kërkojmë sqarime nga kryeministri Çeku.
Shihet qartë se pozita ka qenë e paaftë për të udhëhequr procesin politik, dhe duke qenë e paaftë ajo në një mënyrë e ka kyçur edhe opozitën, e cila mendon se në këtë çështje ka qenë promotor i proceseve politike, duke luajtur një rol të dorës së parë. Por, tani kur po shihet fundi i procesit politik të definimit të statusit të Kosovës, që PDK-ja shpreson se do të jetë i favorshëm për të ardhmen e gjithë qytetarëve, LDK-ja kërkon që ta përvetësojë këtë proces që nuk është i tyre dhe që nuk e meritojnë, sepse nuk ia kanë bërë hyzmetin sa duhet... mirëpo, zhvillimet politike kanë shkuar deri aty sa pozita e ka të vështirë të përfitojë nga kjo çështje, sepse edhe njëherë po them se edhe ndërkombëtarët që kanë qenë të kyçur në këtë proces e kanë parë rolin konstruktiv të opozitës.
 
EPOKA E RE: Jeni i kënaqur me rolin e opozitës që është duke e luajtur në lidhje me definimin e statusit politik të Kosovës?
 
Krasniqi: Po. Unë jam i kënaqur, sepse në fund të fundit nuk ka interes më madhor për qytetarët e Kosovës sesa përcaktimi i statusit politik, sepse me këtë hapen shumë perspektiva, si ekonomike ashtu edhe të sferave të tjera...
 
Nuk ka fraksione në PDK
 
EPOKA E RE: Mos jeni i kënaqur paksa herët... apo ju besoni se Kosova do të jetë e pavarur?
 
Krasniqi: Unë besoj dhe punoj për shtetin e pavarur të Kosovës. Unë besoj që bashkësia ndërkombëtare, pas gjithë këtyre investimeve që i ka bërë, nuk do të punojë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës, i cili vullnet është pavarësia. Po ashtu jam i bindur se Kosova edhe në të ardhmen do të këtë një monitorim ndërkombëtar, por besoj fuqishëm se Kosova do të jetë e pavarur.
 
EPOKA E RE: A po tregoheni lojal si opozitë, karshi faktorit ndërkombëtar?
 
Krasniqi: Nuk mendoj se opozita po tregohet lojale, edhe pse këtu nuk po flas për krejt opozitën, se ka pjesë të opozitës që është treguar lojale... por mendoj se PDK-ja e ka mbajtur një vijë të qartë sa i përket koalicionit LDK-AAK, në njërën anë, kurse në anën tjetër ndoshta partneriteti që kemi dëshiruar dhe po dëshirojmë ta ndjekim me faktorin ndërkombëtar, mund të keqkuptohet nga dikush.
 
EPOKA E RE: Cila është gjendja reale sot në PDK?
 
Krasniqi: PDK-ja është mjaft e konsoliduar, këtu fjalë nuk ka... edhe pse në disa raste duket se e ka të zhvilluar shumë mendimin ndryshe... ne jemi përpjekur t’i kultivojmë edhe idetë e kundërta në kuadër të PDK-së, edhe pse në ndonjë rast ndoshta nuk ka pasur mirëkuptim, por jemi përpjekur dhe do të vazhdojmë të përpiqemi që secili politikan, brenda PDK-së, ta ketë qëndrimin e vet për ngjarjet në Kosovë, edhe pse kjo mënyrë e zhvillimit të demokracisë së brendshme në parti, krahasuar me nivelin politik të Kosovës, shpesh herë nuk kuptohet, dhe shpesh interpretohet gabimisht si një luftë e brendshme politike. Mendoj se kjo nuk qëndron. PDK-ja do të vazhdojë t’i kultivojë mendimet dhe idetë e kundërta në shërbim të proceseve politike që janë në zhvillim brendapërbrenda PDK-së dhe në përgjithësi në vend.
 
        Në PDK ka më së paku autokraci
 
        EPOKA E RE: Megjithatë ka kohë që flitet për fraksione në kuadër të PDK-së...?
       
Krasniqi: Fraksione nuk ka. Edhe pse, edhe unë dëgjoj se flitet në qarqe të ndryshme vendore e ndërkombëtare, “jo fraksioni i atij” apo “fraksioni i këtij”, por unë po ju them me bindje të plotë, si sekretar i përgjithshëm i partisë, i takojë vetëm një fraksioni – atij të PDK-së, ku edhe përpiqem dhe angazhohem me mish e shpirt që ta mbrojë politikën programore të PDK-së.
 
EPOKA E RE: Por, jo të gjithë në PDK janë duke e ndjekur shembullin tuaj...?
 
        Krasniqi: Unë nuk mund të flas për të tjerët, por një gjë është e vërtetë, se unë nuk kam vërejtur deri më tani se në kuadër të PDK-së ka tendenca për të larguar dikë nga udhëheqja dhe për ta sjellë dikë tjetër... gjithë koncentrimin e ideve në kuadër të PDK-së e shoh si një mundësi të mirë për ta zhvilluar demokracinë në parti dhe nga andej te institucionet e Kosovës.
 
        EPOKA E RE: Fraksionet i mohuat..., po autokraci a ka në PDK?
 
        Krasniqi: Po shiko, në organizimin demokratik të papërvojë nuk mund të thuhet se nuk ka autokraci, por mendoj se në PDK ka më së paku autokraci.
 
Bajram Rexhepi, nuk ka qenë e as nuk është i shantazhuar...
 
EPOKA E RE: Keni raporte të mira me ish kryeministrin Bajram Rexhepi?
 
Krasniqi: Kam një komunikim normal me ish kryeministrin Rexhepi.
 
EPOKA E RE: Në Kosovë sikur është bërë modë që kryeministrat dhe ish kryeministrat të shantazhohen nga partitë e tyre, si qëndron puna me ish kryeministrin Bajram Rexhepi?
 
Krasniqi: Jo, Bajram Rexhepi, nuk ka qenë e as nuk është i shantazhuar... siç është sot i shantazhuar nga AAK-ja, Bajram Kosumi e kryeministri Agim Çeku. Sa herë që PDK-ja ka pasur nevojë t’i thotë diçka këtë e kemi bërë në kryesi të partisë. Dhe, po ashtu nuk duhet harruar se në kohën kur Rexhepi ka qenë kryeministër është punuar shumë më shumë sesa tash, ka qenë një konsolidim që i është bërë administratës publike, pa diferencime dhe shantazhime. Në të gjitha raportet auditiveve që janë bërë kemi parë parregullsi të shumta, çka nuk mund të thuhet se janë bërë në Qeverinë Rexhepi. Ndoshta edhe ne në atë kohë kemi pasur gabime, por gabimet tona ndoshta kanë ardhur në mungesë të traditës qeverisëse, por një gjë e di se administrata publike ka qenë shumë herë më e përgatitur sesa është tash në Qeverinë Çeku.
 
Kam qenë objekt i hetimeve si ish ministër...
 
EPOKA E RE: A keni informacione nëse ndonjë ish ministër i PDK-së, është hetuar apo është duke u hetuar nga prokuroria për korrupsion apo...?
 
Krasniqi: Asnjë dokument publikisht nuk ka dalë si dëshmi që ka pasur parregullsi. Është bërë përpjekje nga Ministria e Shërbimeve Publike për të ngritur një aktpadi ndaj meje për kohën kur unë kam qenë ministër, dhe për këtë rast prokuroria e ka kryer detyrën e vet dhe tash do të ishte mirë që t’i kthejë përgjigje MSHP-së, Qeverisë si dhe Kuvendit, sepse në fund të fundit unë jam deputet dhe Kuvendi duhet të njoftohet me një padi të padrejtë që është bërë nga një segment i qeverisë.
 
EPOKA E RE: Po ju a keni marrë përgjigje nga prokuroria...?
 
Krasniqi: Jo, por jam duke e pritur.
 
EPOKA E RE: Keni qenë objekt i hetimeve?
 
Krasniqi: Policia kanë qenë te unë, ku më kanë njoftuar në hollësi në lidhje me procesin hetimor dhe tash jam duke pritur përgjigje...
 
EPOKA E RE: U është kërkuar të jepni ndonjë deklaratë në hetuesi apo si...?
 
Krasniqi: Jo, vetëm kanë qenë dhe më kanë njoftuar për hetimet.
 
EPOKA E RE: Dhe besoni se keni dalë faqebardhë...?
 
Krasniqi: Po, besoj plotësisht se jam i pastër si loti.
 
EPOKA E RE: Dhe cili do të jetë hapi juaj i ardhëm në lidhje me këtë hetim të nxitur nga MSHP?
 
Krasniqi: Jam duke menduar për mundësitë ligjorë që të kërkoj dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës.
 
Në shoqatat e dala nga lufta janë disa individë që më së paku i kontribuojnë kategorive të dala nga lufta çlirimtare
 
EPOKA E RE: Z. Krasniqi, si erdhi deri të dorëheqja e vëllait tuaj nga posti i kryeshefit në Komunën e Drenasit?
 
Krasniqi: Ishte një kërkesë e shoqatave të dala nga lufta, që kanë menduar se dikush ua ka bërë të padrejtë, edhe pse mundësitë e komunave për t’i ndihmuar diçka më shumë këto kategori janë të kufizuara. Thjesht, mendoj se kërkesa e shoqatave të luftës ka qenë në adresë të gabuar..., megjithatë duke dashur të tregojmë se ne (familja Krasniqi) nuk e kemi interes vetëm pushtetin, pas dorëheqjes së kryetarit dhe nënkryetarit i Kuvendit Komunal të Drenasit, kam kërkuar edhe nga vëllai, Abdyli, që të japë dorëheqje. Dhe mendoj se ai e ka kryer një obligim edhe pse ka qenë i zgjedhur me konkurs. Dorëheqja e tij do të ishte e drejtë të kërkohej nëse ai do të dështonte, por unë e di se vetëm vitin e kaluar e ka fituar një të drejtë prej 100 mijë eurove, si rezultat i administrimit të mirë të komunës, por si duket dikë e ka penguar kjo, qoftë edhe në shoqatat e dala nga lufta çlirimtare, ku janë disa individë që më së paku i kontribuojnë kategorive të dala nga lufta.
 
EPOKA E RE: Është folur shumë se politikanë të caktuar të PDK-së, nga qendra nëPrishtinë janë përzier në Drenas?
 
Krasniqi: Nuk kam informacione... mund të ndodhin edhe gjëra të tilla, por një gjë e di se PDK-ja dhe qytetarët e Drenasit janë goditur nga ajo praktikë, që në fund të fundit nuk çon askund.
 
Nuk ka qenë e lehtë t’i them vëllait të japë dorëheqje...
 
EPOKA E RE: Punës së ndërmjetësimit i keni hyrë pasi ka qenë në pyetje vëllai i juaj..?
 
Krasniqi: Kam ndërhyrë për shkak të obligimit tim që kam në parti, por edhe për shkak se nuk kam dashur që as unë e as vëllai im të jemi objekt i thashethënmave... sepse ka pasur fjalë që unë kam ndikuar që të zgjidhet në detyrën e kryeshefit, gjë që nuk është aspak e vërtetë, dhe, në fund të fundit, kam ndërhyrë sepse dëshiroj që jo vetëm në Drenas, por kudo në PDK të këtë një komunikim normal, një komunikim që nuk shkon nga diferencimi, por nga afrimi i njerëzve.
 
EPOKA E RE: Sa ka qenë e vështirë t’ i thoni vëllait, largohu...?
 
Krasniqi: Nuk ka qenë lehtë , sepse ai tashmë e ka krijuar personalitetin e vet si drejtues, nuk ka qenë lehtë as për faktin se nuk i është afruar asnjë mundësi tjetër për të pasur një vend të ri të punës. Për mua ka qenë obligim që t’i them, sepse ne e duam vendin dhe popullin dhe nuk dëshirojmë të jemi të konfrontuar me asnjë njeri e as me shoqatat e dala nga lufta.
 
Në Drenas do të zhvillohet “luftë” për postin e kryeshefit
 
EPOKA E RE: A keni informacione se çka është duke ndodhur tash në Kuvendin Komunal të Drenasit?
 
Krasniqi: Tash aty, sigurisht se do të zhvillohet një “luftë” se kush do të merr pozitën e kryeshefit, megjithatë unë jam skeptik se do të vijë ndonjë person me autoritet që do të vazhdojë punën ku e ka lënë kryetari dhe kryeshefi, por edhe dega e PDK-së dhe asambleja komunale e Drenasit le të marrin tash përgjegjësinë për gjendjen e krijuar.
 
        EPOKA E RE: I konsideroni përgjegjës degën e PDK-së dhe asamblenë komunale?
 
Krasniqi: Po, unë mendoj se edhe dega e PDK-së edhe Asambleja komunale janë përgjegjëse për dorëheqjet që janë pranuar në atë formë, sidomos për dorëheqjen e kryetarit komunal (Gani Syla), për të cilin mendoj se ka qenë një njeri i urtë dhe mbi të gjitha ka qenë një organizator i mirë.
  
     
Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!