DY FOTOGRAFI TË RRALLA TË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE – KORÇË 1899

 

KRISTO SULIDHI ishte ai që me guxim të pashoq për kohën, kur ndiqej e kërcënohej me jetë, me aparatin e tij të sapo blerë në krah, fiksoi në celuloid dy momente që historia jonë do t‘i mbajë mend shumë gjatë në analet e saj, dy momente për të cilat historiografia jonë duhet t‘i thotë "FALEMINDERIT" mjeshtrit SULIDHI

 

Në vitin1899, mes shumë fotokronikash, ai kreu dy fotografi me vlerë të rrallë kombëtare:

 

- MËSONJËTOREN E PARË SHQIPE TË DJEMVE me drejtor Nuçi Naçin, nxënësit si dhe mësuesit Thanas Nona e Kristo Vodica.

 

Përveç kësaj, po këtë vit, ai fotografoi edhe SHKOLLËN E PARË SHQIPE TË VASHAVE, ku dallohen mësuesja Poliksena Luarasi dhe mësuesi patriot Thanas Sina.

Vlen të përmendim këtu se fotografia e MËSONJËTORES SË PARË SHQIPE TË DJEMVE është e vetmja që kemi të trashëguar deri më sot për këtë shkollë. Nëse shihet me vëmendje kjo fotografi, në krye të saj duket figura e Sulltan Abdyl Hamitit dhe fjalët e shkruara në shqip "Mësonjëtore Shqipe ndë Korçë 1899".  Ndërsa në të djathtë të kësaj tabele shohim të pikturuar një djalë me rroba të kohës, i cili përfaqëson në mënyrë figurative nxënësit e kësaj shkolle. Pikërisht kjo pikturë ka për autor Kristo Sulidhin. Është interesant fakti që ky detaj është fiksuar në këtë fotografi dhe falë saj, ne sot shohim një punim në pikturë të Kristos. Nga të parët që kanë dhënë lajmin se kjo foto (pra pamja e MËSONJËTORES SË DJEMVE) është me autor Sulidhin, është patrioti dhe studiuesi  ILO MITKË QAFËZEZI, i cili, në veprën e tij "Dhaskal Gjoka", të botuar më 1936,shkruan se "vetëm fotografinë e këtij viti shkollor të Mësonjëtores muntmë të zbulojmë, tek plaku fotograf e nacionalist i vjetër z. Kristo Sulidhi i Korçës..." ("Dhaskal Gjoka" - Ilo Mitkë Qafëzezi. Korçë,1936, faqe 155).

Origjinali i kësaj fotografie ka një përbërje të veçantë, sepse në shtresat e saj, materiali që përbën këtë letër fotografike, është i pajisur me një lloj plastike të veçantë, material ky që e ka sjellë foton deri në ditët tona pak të dëmtuar.

Veprimtarinë e tij patriotike, Kristo Sulidhi e vazhdoi edhe me më shumë vrull. Për arsye se ai punonte pa pushim në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar, u çkishërua nga kisha greke. Si i tillë, ai s‘mund të shkelte në kishë. Kur i vdiq i biri, kisha nuk e lejoi ta varrosë atë në oborrin e kishës e as në varrezat e qytetit, si dhe nuk lejoi të zhvillojë ceremoninë mortore për nder të të ndjerit. Por këto nuk e mposhtën karakterin e "plakut nacionalist". Ai vazhdonte të shpërndante libra në gjuhën shqipe, botime për shkollat, si dhe tekste të tjera që botoheshin në kolonitë e ndryshme të shqiptarëve nëpër botë. Nga dokumentet që disponojmë, mësojmë se "Kristo P. Shuli është persekutuar, është burgosur dhe i është sekuestruar pasuri para vitit 1912, sepse ka punuar me veprimtari patriotike".

Veterani i shquar, mbrojtësi i çështjes kombëtare, ai që bashkëpunoi me mjaft atdhetarë brenda e jashtë atdheut,"plaku nacionalist" Kristo Sulidhi vdiq në maj të vitit 1938. Në qytetin e Korçës iu organizua dhe iu zhvillua një ceremoni madhështore varrimi. Në arkivolin e tij, të punuar me shqiponjë, u shpalos flamuri kombëtar, në shenjë respekti ndaj veprës së tij të pavdekshme. U dekorua me rastin e 80-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me urdhrin "Për veprimtari patriotike të klasit III".

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!