Parathënje e përkthyesit

 

SAMI FRASHËRI DHE ENCIKLOPEDA HISTORIKE-GJEOGRAFIKE (KÂMÛS AL-A'LÂM )

 

      Dijetari i madh dhe ideologu i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Sami Frashëri, u lind në katundin Frashër të Shqipërisë në qershor të vitit 1850. Mësimet e para Samiu i nxuri në Frashër nga muderrizi Mahmut Efendi Tetova. Në moshën nëntëvjeçare i vdiq i ati, e dy vjet më vonë, pra më 1861 edhe e ëma. Të mbetur kështu, pa prindër, për të dhe për tërë familjen (gjithsej ishin gjashtë vëllezër dhe dy motra), sipas traditës shqiptare, duhej të kujdesej vëllai më i madh, Abdyli. Meqë Frashëri, vend malor, Abdyli nuk shihte ndonjë perspektivë të madhe aty, prandaj, për t'ua mundësuar shkollimin vëllezërve të tij, më të vegjël dhe për të krijuar kushte më të mira, vendosi të transferojë familjen në Janinë, kryeqytet i vilajetit të atëhershëm. 


      Posa u vendosën në Janinë në vitin 1861, Samiu, krahas mësimit të turqishtes, arabishtes dhe persishtes te muderrizi Jakup Efendiu, bashkë me të vëllanë, Naimin, u regjistrua në gjimnazin e njohur Zosimea, të cilin e mbaroi para kohe; për shtatë vjet në vend për tetë sa ishte  paraparë, gjë që tregon forcën intelektuale të tij. E mbaroi më 1868 që e dëshmon edhe diploma e cila mban datën e 14 korrikut të këtij viti , e jo më 1871, siç e marrin disa. Samiu këtu kishte mësuar edhe njohuri të reja: greqishten e vjetër dhe të renë, frengjishten, italishten, latinishten, pastaj, gjeografinë, historinë, matematikën, kozmografinë, historinë e natyrës dhe anatominë. 

 
      I pajisur kështu me një kulturë të Lindjes, nga njëra anë, dhe të Perëndimit, nga ana tjetër, tre vjet pas mbarimit të gjimnazit, shkoi në Stamboll, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, ku do të vazhdojë  punën e tij krijuese plot 33 vjet, deri në vdekje, në qershor të vitit 1904. Kur erdhi në Stamboll Samiu nuk i kishte më shumë se 21 vjet; i ri për nga mosha, por i pjekur dhe i ngritur për nga dituria, pa u menduar shumë, ia nisi punës për të botuar pas një viti veprën e tij të parë dhe njëherësh romanin e parë në letërsinë turke "Taa½½uk-i Talat ve Fitnat” .

 
      Sami Frashëri shkroi shumë, mbi 60 vepra: shqip, turqisht, arabisht, persisht, disa prej tyre me shumë vëllime . Pastaj, revistat “Aile” (Familja) dhe “Hafta”  (Java), revistat më serioze të kohës, ishin kryekëput të tijat, po edhe në gazetat e tjera të kohës artikujt e Samiut zinin vendin kryesor. 

 
      Veprimtaria e Samiut është e shumanëshme, vëllimore, por ç'është më e rëndësishme, cilësore, origjinale dhe gjithnjë aktuale. Veprat e tij në gjuhën shqipe, pa pretendim se do t'i përmendim të gjitha, në krahasim me veprat që i shkroi në gjuhën turke, janë të pakta, mirëpo këtu Samiu i preku çështjet më të ndieshme, më të domosdoshme dhe më me interes për popullin shqiptar: hartoi alfabetin shqip, shkroi gramatikën shqipe, siç e quan ai, “Shkronjëtore e gjuhësë shqip” , që kishte rëndësi jo vetëm shkencore, por edhe më gjerë. Pastaj shkroi veprën, ose më mirë të themi kryeveprën e veprave shqip “Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet” ? Sa i kthjelltë, çfarë force intelektuale dhe sa largpamës ka qenë Samiu, pa dyshim, mund të shihet në këtë vepër, ku para njëqind e sa vjetësh i shtron pikëpamjet e veta për një shtet të fortë, demokratik dhe të organizuar shqiptar.

 
      Ndërkaq, në veprën në gjuhën turke Samiu, thuajse nuk la fushë të shkencës pa e shkelur, në shumë prej tyre ishte edhe pioner. Shkroi vepra letrare, filologjike, linguistike, dialektologjike, islamologjike, didaktike, leksikologjike etj . Sa për kuriozitet po i përmendim vetëm veprat nga fusha e leksikologjisë, ku hartoi fjalorët: Frengjisht-turqisht  me afër 50 mijë fjalë; Turqisht-frengjisht  me afër 35 mijë fjalë; Arabisht-turqisht ; Fjalori i gjuhës turke  me 1575 faqe, me afër 45 mijë fjalë, i punuar me një metodologji bashkëkohore; jep etimologjinë e fjalëve, llojin e fjalëve (emër, mbiemër, folje etj.), kuptimet e fjalëve sipas rëndësisë së tyre (1,2,3 etj.), frazeologjizmat, kuptimet figurative, përdor shenjat diakritike për shkronjat arabe - osmane, të cilat në gjuhën turke kanë mundësi të lexohen në disa mënyra, i vokalizon fjalët që kanë mundësi të lexohen në mënyra të ndryshme etj. Ky është fjalor normativ i gjuhës së atëhershme turke dhe do të shërbejë si bazë për shumë fjalorë të mëvonshëm. Në këtë fushë Samiu fitoi famë të madhe. Megjithatë, vepra e cila e bëri Samiun shkencëtar në suaza ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shty të shëtisë bibliotekat e shumta të kohës dhe të gjurmojë edhe librat të cilët i kishte mbuluar pluhuri; vepra e cila e kishte lodhur më së shumti, pa dyshim është: 

KÂMÛS AL-A'LÂM 


      Kjo është vepra më vëllimore dhe më e rëndësishme e Samiut. Është e shkruar në gjuhën turke të asaj kohe, d.m.th. me alfabet arab, në gjashtë vëllime me gjithsej 4830 faqe. Është enciklopedi historike-gjeografike. Këtu Samiu e shënon titullin edhe në gjuhën frenge DICTIONNAIRE UNIVERSEL D'HISTOIRE ET DE GEOGRAPHIE, kurse emrin e vet e shënon të plotë Ch. Samy-Bey Fraschery (Sh. Sami Bej Frashëri). 

 
      Kâmûs al-a'lâmi botohet brenda viteve 1889 - 1898; vëllimi i parë dhe vëllimi i dytë botohen në të njëjtin vit, kurse vëllimet e tjera në çdo dy vjet, përveç vëllimit të katërt që botohet tre vjet pas të tretit. Kjo tregon për vështirësitë që kishte hasur Samiu pas vëllimit të dytë që do të shohim edhe nga vetë parathënia e tij. 


      Vëllimi i parë hapet me fjalën e botuesit Mihran, pastaj pason parathënia, siç e quan Samiu Ifade-i Meram (tregimi i qëllimit) prej tetë faqe e gjysmë të shkruar nga vetë Samiu. Në paragrafin e parë të kësaj parathënie, përkundër dëshirës së vet, sepse e urrente nga zemra , e lëvdon Sulltan Hamitin, pastaj flet për rëndësinë e dy shkencave: historisë dhe gjeografisë për të vazhduar pastaj për veprat historike dhe gjeografike, që kishin shkruar dijetarët e parë islamë; për vështirësitë që i kishin dalë gjatë klasifikimit dhe zgjedhjes së lëndës si dhe për arsyet që e kishin shty të shkruajë një vepër të këtillë. Këto ishin disa nga çështjet që i shtron Samiu në parathënien e Kâmûs al-a'lâm-it, prandaj në vazhdim do të ndalemi te kjo parathënie. 

 
      “Çdo shkencë dhe disiplinë shkencore e ka shijen e vet... Historia dhe gjeografia, thotë Samiu, janë nga shkencat më tërheqëse. Në të vërtetë njeriu ka dëshirë të dijë për gjendjen e planeteve të largëta, e si të mos ketë dëshirë të dijë për rrethanat e rruzullit tokësor në të cilin jeton? Pastaj, ka apo nuk ka gjallesa në Jupiter, në Saturn, nëse ka, gjithnjë mendon se çfarë gjallesash janë; pastaj, si të mos e di gjendjen e gjyshërve, stërgjyshërve të vet dhe popujve të ndryshëm që jetojnë në planetin e tokës. Ja pra, këto dy gjëra, e para mësohet me gjeografi, kurse e dyta me histori”.

 
      Për të treguar se historia dhe gjeografia janë dy shkenca të pandashme, që nuk mund të jenë funksionale njëra pa tjetrën, Samiu thotë: “Gjeografia dhe historia janë binjake. Personi që dëshiron të dijë njërën, është i shtrënguar të mësojë edhe tjetrën. Çfarë rezultatesh do të arrijë ai që mëson për ngjarjet, e që nuk di për të kaluarën e atyre vendeve ku janë zhvilluar ato ngjarje! Prandaj, gjeografia është e nevojshme për historinë dhe anasjelltas, bile është një degë, vazhdon Samiu, ku të dyja bashkohen, e ajo është “gjeografia historike”. Nëse e lexojmë tani, thotë Samiu, gjeografinë që e ka shkruar Straboni para 1900 vjetësh, për shumicën e vendeve që i përshkruan ai, do të mendojmë se lexojmë gjeografinë e një planeti tjetër. Kur i shohim hartat e tij, krahasuar me ato që janë sot, do të hapet diskutimi, sepse, as ndarjet nuk janë ato të tanishmet, as emrat e vendeve, as qytetet e kasabatë, as popujt janë ata që kanë qenë në ato vende. Vendi ku ka qenë një qytet i madh e që ka qenë qendër civilizimi, sot është i zbrazët, e në vende ku nuk ka pasur shenja gjallërie, sot shohim qytete të mëdha. Këto ndërrime janë të pranishme gjithnjë, prandaj, thotë Samiu, gjeografia nuk është shkencë e qëndrueshme. Gjeografia e cila është shkruar para dhjetë vjetësh, tani pjesërisht kalon në gjeografi historike”. 

 
      Sipas Samiut, “Historia është kohë, gjeografia është vend, kurse lidhja që ka koha me vendin është e qartë. Koha është gjithmonë po ajo kohë, edhe vendi, përveç disa ndryshimeve që ndodhin në mënyrë shumë të ngadalshme që i takojnë gjeologjisë, është po ai vend, por ndryshojnë njerëzit dhe gjërat që i krijojnë ata. Për të mësuar gjendjen e tanishme dhe të kaluar të njerëzve që janë e që kanë qenë në rruzullin tokësor, mund t'u drejtohemi vetëm shkencave të historisë dhe të gjeografisë, thotë Samiu. Këto rrethana, nga aspekti kohor i mësojmë nga historia, nga aspekti i vendit i mësojmë nga gjeografia, e nga aspekti i përbashkët, i kohës dhe i vendit, nga gjeografia historike. 


      Në vazhdim Samiu bën dallimin e gjeografisë historike nga gjeografia matematikore dhe natyrore, duke thënë se njëra merret me matematikë (me numra) e tjetra me gjeologji, për të thënë më poshtë se “historia dhe gjeografia janë dy shkenca shumë të gjera, saqë, për të mësuar çdo anë të këtij rruzulli tokësor të vogël që nuk mund të shihet nga planeti i Jupiterit pa dyrbi, jeta e njeriut është e shkurtër”.

 
      Më poshtë bën edhe dallimin në mes historisë dhe gjeografisë: “Historia është më e gjerë se gjeografia, sepse në histori, thotë Samiu, kundërthëniet janë më të shumta. Një pjesë e historisë është rrenë e thjeshtë e cila me kalimin e kohës dhe me përsëritjen e përhershme merret si e vërtetë. Historia është zaptuar nga ana e popujve të ndryshëm. Sa më shumë që ndryshojnë burimet e saj, po aq ndryshon edhe interpretimi. Ngjarjet i ndryshojnë herë me qëllim e herë duke gabuar, ashtu që vështirë është që në mesin e tyre të gjendet ajo që është e vërtetë”. Këtu merr si shembull historinë e Iranit të lashtë, duke thënë se “ka dallime në mes historisë evropiane që e kanë marrë nga grekët dhe historisë lindore që interpretohet nga Firdevsi. Këto dy histori janë shumë kontradiktore, sigurisht njëra prej tyre është e gabueshme, por si të bindemi se tjetra është e vërtetë?” - pyet Samiu. Samiu këtu përpiqet t'u sugjerojë historianëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe më objektivë: “Është detyrë e atyre që merren me histori që të mos marrin gjithnji si të vërtetë atë që shkruhet në libër pa i analizuar ngjarjet, pa i verifikuar burimet...” 

 
      Se sa literaturë të gjerë ka përdorur Samiu për hartimin e Kâmûs al-a'lâmit dhe sa i ka njohur veprat e dijetarëve islamë , sidomos ato arabe, mund të shihet në vazhdim: “Dijetarët e parë islamë janë marrë shumë me këto dy shkenca dhe kanë shkruar shumë libra. Përveç librave të përgjithshëm historikë të historianëve, p.sh. Mes'udit, Ibni Ethirit, Ibni Haldunit, Ibni Xhuzit, Dhehbit, Makrizit, Ajnit, të cilët i përshkruajnë ngjarjet gjerë e gjatë, ka edhe libra të veçantë historikë për çdo vend, për çdo shtet, madje për çdo qytet e kasaba. Hatib Bagdadi, thotë Samiu, ka shkruar vetëm historinë e Bagdadit në mbi 50 vëllime të mëdha, kurse Ibni Asakiri, për historinë e Damaskut ka shkruar plot 57 vëllime... Nga fusha e historisë, dijetarët e parë islamë kanë shkruar edhe vepra biografike për sahabet (shokët e Muhammedit a.s.); për halifët, fakihët, muhad-dithinët, poetët, mjekët, kurratë, mufessirët, vezirët, pra për të gjithë personalitetet që kanë luajtur ndonjë rol në shoqëri. Të gjitha biografitë e tyre janë shkruar në mënyrë të gjithanshme, gjerësisht... Ndonëse një pjesë e madhe e tyre janë zhdukur dhe nuk gjendet, sot edhe ajo që gjendet, thotë Samiu, vështirë mund të shfrytëzohet, sepse është shkruar shumë gjerësisht. 

 
      Dijetarët e parë islamë kanë shkruar shumë libra edhe nga fusha e gjeografisë, si p.sh. Astrahiu, Ibni Hukali, Mukadesi, Bekriu, Biruniu, Idrisi, etj. Këtu Samiu përmend edhe autorët që kanë shkruar udhëpërshkrime, siç janë Ibni Betuta dhe Ibni Xhubejri.

 
      Arabët, thotë Samiu, janë të parët që veprat e tyre gjeografike dhe historike i kanë shkruar sipas rendit alfabetik. 


      Në vazhdim Samiu flet për përparësitë dhe të metat e këtyre veprave. Të metat e tyre i shihte në atë se janë shkruar shumë gjerësisht dhe shumë vështirë mund të shfrytëzoheshin, saqë kur t'i interesojë dikujt të dijë për biografinë e një personaliteti, ose për ndonjë vend, shtet, qytet, kasaba, mal, lumë etj. duhet të shfletojë tërë ato vëllime derisa të arrijë te ajo që e kërkon dhe që i intereson, thotë Samiu. Pastaj, edhe një herë, me një sy kritik, ndalet te veprat biografike të personaliteteve të kategorive të ndryshme shoqërore për të thënë më poshtë se duhet hartuar një fjalor historik të mirëfilltë, duke marrë si shembull një vepër të Ibni Halikanit. Pokështu flet edhe për veprat gjeografike, duke e zënë ngoje më poshtë veprën e Jakut Hameviut “Mu'xhem el-buldân” , për të cilën thotë se “ndonëse është shkruar pak gjerë, sepse flet gjerësisht për gjëra të dorës së dytë, meriton të quhet fjalor gjeografik. Zotëri Vustenfildi, dijetar dhe orientalist gjerman, këtë vepër të famshme, kohëve të fundit  e botoi në Lajpcig (Laipsig) dhe me këtë i bëri një shërbim të madh shkencës arabe, thotë Samiu. 

 
      Me gjithë vërejtjet, Samiu e çmon kontributin e dijetarëve të parë islamë, e në këtë rast nuk lë pa kritikuar turqit të cilët atëbotë edhe ato pak vepra që i kishin shkruar dhe që i kishin përkthyer, i kishin lënë pa botuar. Këtu shihet se Samiu, përveç veprave të botuara historike-gjeografike, ka qenë në dijeni të plotë edhe për ato vepra që nuk ishin botuar.

 
      Duke i njohur mirë veprat historike-gjeografike arabe, nga njëra anë dhe veprat e këtilla evropiane, nga ana tjetër, Samiu bën një krahasim në mes tyre, duke thënë: “Ndonëse arabëve u takon merita e hartimit të veprave të mëdha të kësaj natyre, popujt evropianë që janë mësuar nga arabët, i kanë tejkaluar në metodologji”. 

 
      Arsyet që e kishin shty Samiun të shkruajë Kâmûs al-a'lâmin i gjejmë në vazhdim të parathënies: “Ka dallime të mëdha në mes botës islame dhe asaj perëndimore. Fjalorët gjeografikë e historikë në gjuhët evropiane bëjnë fjalë gjërësisht për personalitetet dhe vendet e tyre, kurse për personalitetet dhe vendet islamike shkruajnë shkurtimisht. Përkthimi nga këto gjuhë nuk i plotëson nevojat tona. Për të përgatitur një fjalor historik e gjeografik për nevojat tona, duhet mbledhur vepra të tilla, të shkruara si në gjuhët evropiane ashtu edhe në gjuhët islamike, me qëllim që të bëhet një zgjedhje nga të gjitha. Sikurse evropianët që u kanë dhënë më shumë rëndësi çështjeve që u interesojnë atyre e që i kanë lënë në rend të dytë ato që na interesojnë neve, natyrisht, edhe ne do të kujdesemi më shumë për personalitetet dhe vendet islamike e osmane dhe do t'i trajtojmë në shkallë të dytë ato të tyre”. 

      Nga pjesa vijuese e parathënies kuptojmë se gjatë hartimit të Kâmûs al-a'lâm-it puna më e vështirë i kishte dalë Samiut  gjatë zgjedhjes së lëndës: çfarë lënde duhet të përfshihet në të, çka duhet marrë nga ai mal veprash historike-gjeografike arabe, cilët personalitete duhet të hyjnë në të, sa vend duhet t'i jepet çdo njësie, me një fjalë, “të përfshihet materiali që do të ishte për interesat tona”, thotë Samiu. “Të shkruash për personalitetet dhe ngjarjet historike të kohës së Perandorisë Osmane është një punë e vështirë, vazhdon Samiu, sepse, vështirë mund të nxjerrësh dhe të gjesh atë që e  kërkon nga disa libra historikë dhe të gjesh histori të rregulluara të kësaj kohe. Për Anadollin dhe Rumelinë është vështirë të gjendet një hartë ose një gjeografi e plotë në gjuhën tonë, por edhe shkrimet që janë në gjuhët evropiane e që lidhen me ne nuk mund të jenë mbështetje e fortë”. Për këta vende Samiu thotë se kishte shfrytëzuar salnamet (kalendarët vjetorë) dhe dokumente të tjera zyrtare të kohës. 

      Ideja dhe dëshira për të shkruar Kâmûs al-a'lâm-in, Samiut i kishte lindur qysh herët, por për shkak të vështirësive dhe pamundësisë e kishte lënë anash këtë punë. Më në fund fitoi dëshira mbi pamundësinë, thotë Samiu, dhe me lutjen e botuesit Mihran, ia fillova kësaj pune, dhe nga njëra anë shkruaja, nga ana tjetër botoja”. Kështu, për një vjet i botoi dy vëllimet e para. “Meqë fillimi i çdo pune është më i vështirë, thotë Samiu, për nja dy vjet do t'i shkruaj edhe do t'i botoj edhe vëllimet e tjera, kështu do ta plotësoj tërë veprën”. Mirëpo këtu ishte mashtruar, sepse mu Kâmûs al-a'lâmi, për hartimin e të cilit, siç do të thoshte Samiu, kishte qëndruar në mesin e qindra librave, kishte shëtitur bibliotekat e shumta dhe kishte shfrytëzuar librat e lënë në pluhur dhe të ngrënë nga krimbat, ia kishte marrë plot 11-12 vjet të jetës. 
      Pas parathënies, Samiu në një faqe jep shpjegime për hartimin e kësaj enciklopedie historike-gjeografike. Ja disa nga ato: 


- Emrat që janë marrë nga gjuhët e huaja, për t'u lexuar dhe për t'u shkruar drejt, janë shkruar edhe me shkronja latine, po edhe emrat arabë, turk dhe persianë jo fort të njohur dhe të ditur, janë vokalizuar për t'i ikur luhatshmërisë dhe dyshimit të leximit të tyre. 


- Shumica e emrave që janë marrë nga gjuha greke janë shkruar edhe me shkrimin grek.

 
- Radhitja e lëndës është bërë sipas alfabetit, ashtu si është i njohur personaliteti ose vendi, e në kllapa janë dhënë ato shpjegime që janë të dorës së dytë, d.m.th. sipas emrit, mbiemrit, pseudonimit etj. Kur personaliteti ose vendi është i njohur me dy emra, atëherë shënohet njëri i cili të udhëzon te tjetri. 

 
- Te biografitë dhe te ngjarjet islame përdoret data sipas hixhretit, kurse te të tjerat përdoret data sipas kalendarit miladi; në të shumtën e rasteve për të larguar dyshimin, theksohet se për cilën datë është fjala: hixhri ose miladi. 
- Shpjegimin e terminologjisë historike dhe gjeografike, inshae All-llahu Teala (nëse do Zoti xh.sh.) do ta përfshijmë në “Kamus al-funun” që e kam në projektin tim, thotë Samiu, sepse përveç emrave të përveçëm, që janë në “Kâmûs al-a'lâm” nuk e shohim të arsyeshme të fusim tjetër gjë. 

 
      Në fund të vëllimit të gjashtë Samiu shkruan se tash, pasi punova 11 vjet rresht punë të vazhdueshme dhe intensive, e mbarova Kâmûs al-a'lâm-in. Mirëpo, duke pasur parasysh punën individuale, lëndën e tij kaq të gjërë dhe që është shkruar dhe tubuar aq me vështirësi, është jashtë çdo mundësie që në të të mos haset ndonjë gabim ose mangësi (lëshim), prandaj, vazhdon Samiu, ajo që ka mbetur pa u përfshirë këtu, e kam në plan ta plotësoj me një vëllim vazhdues . Pastaj, vazhdon Samiu, edhe nga lexuesi i sinqertë i Kâmûs al-a'lâm-it pres ndonjë sugjerim dhe vërejtje, të cilit do t'i falënderohem. 

 
      Sami Frashëri në Enciklopedinë e tij të famshme shkruan për vendet anekënd botës; shkruan artikuj të përgjithshëm gjeografikë e historikë për Evropën, Ballkanin, Turqinë, Amerikën, Azinë, Afrikën, Arabinë, Zelandën, e në mënyrë të veçantë për vendet, shtetet, qytetet, detet, liqenet, malet, popujt etj. të këtyre vendeve; pastaj për perandori, dinasti, mbretëri të ndryshme; për personalitete të shquara të kategorive të ndryshme shoqërore deri në kohën e tij: sulltanë, mbretër, sadriazemë, vezirë, shejhulislamë, imamë, papaj, historianë, gjeografë, mjekë, filozofë etj. Shkruan p.sh. për Ebu Hanifen. Shafiun, Malikiun, Hambeliun, Ibni Sinanë (i njohur në Evropë si Avicena), Buharinë, Muslimin, Ibni Ruzhdin (Averoes), Farabiun (Alfarebos), Ibni Betutën, Evlija Çelebiun. Franc Bopin, Balzakun, Paskalin, Didëronë, Strabonin, Aristotelin etj. 

 
      Po për Shqipërinë dhe shqiptarët? Kur është fjala për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra për vendin dhe popullin e vet, tash, pasi e kemi nxjerrë tërë lëndën, mund të themi me plot gojën se Samiu i kishte dhënë vetes liri të shkruajë pak më gjerë; të shkruajë gjëra që, me siguri, nuk mund t'i gjejmë në enciklopedi të tjera. Në Artikullin Arnautlluk (Shqipëria) në mënyrë të përgjithshme shkruan për tërë territoret e Shqipërisë, kufijtë e saj, qytetet, kasabatë, malet, fushat, liqenet, lumenjt etj. për të prezentuar pastaj veç e veç, qytetet, kasabatë, malet etj. të saj me të gjitha karakteristikat e tyre: gjeografike, historike, demografike, bukuritë natyrore etj. Ndërsa, në artikullin Arnaud (Shqiptarët) flet për lashtësinë e popullit shqiptar, për trimërinë, krenarinë, moralin, sinqeritetin, zgjuarsinë e tij; për besnikërinë e femrës shqiptare, por, njëkohësisht, duke ia dashur të mirën këtij populli thekson edhe disa dobësi të kahmotshme që duhet mënjanuar. Nuk do të ndalemi më gjatë te ky artikull për arsye se lexuesi do të ketë mundësi ta lexojë në tërësi në gjuhën shqipe. (shih këtu artikullin: Shqiptarët).

 
      Sami Frashëri në Kâmûs al-a'lâm-in e tij ka dhënë shënime bio-grafike edhe për shumë personalitete nga mbarë trojet shqiptare, nga: Elbasani, Korça, Shkodra, Tetova, Prishtina, Prizreni, Peja, Ohri, Manastiri, Shkupi, Ulqini Gjirokastra, Janina etj., shumica e të cilëve për lexuesit shqiptarë, mjerisht, kishin mbetur të panjohur sa duhet. Prandaj, e pamë të udhës që këtë lëndë ta nxjerrim, ta përkthejmë dhe kështu t'ia ofrojmë edhe lexuesit tonë, duke e përgatitur si vepër të veçantë. Përmes kësaj vepre lexuesi shqiptar do të dijë për meritat, rolin dhe aftësitë e bashkëkombësve të tij, respektivisht për shkallën e kulturës kombëtare shqiptare. Në këtë vepër lexuesi shqiptar do të lexojë për Hoxhë Tahsinin, Skenderbeun, Abdyl Frashërin, Ali Pashë Tepelenën, Bushatlinjtë, Dora d'Istrian (Elena Gjikën); përmes kësaj vepre do të dijë se sa kryeministra shqiptarë ka pasur në Perandorinë Osmane dhe kush janë ata; do të dijë se kush ka qenë p.sh. Aqif Mehmed Pashë Tetova; çfarë roli kanë luajtur Qyprilinjtë; kush ka qenë Gjiritli Mustafa Nail Pasha; sa historian i famshëm ka qenë Lutfi Pasha; do të dijë për Mirahor Iliaz beun, stërgjysh (nga nëna) i Sami Frashërit dhe themelues i qytetit të Korçës; do të lexojë për Nesibin; do të mësojë për Sinan Pashën, pushtuesin e Jemenit, i cili ka qenë pesë herë kryeministër (sadriazem) i Perandorisë dhe pesë herë kryekomandant ushtarak; për Mehmed Ali Pashën, reformator i Egjiptit, për Seid Pashën, sipas të cilit e mer emrin qyteti Port Said. Do të mësojë për një varg poetësh shqiptarë të shekullit 15-16; Fevrin, Suzin, Mesihin e Prishtinës, Jahja bej Dukagjinin, Dukagjin-zade Ahmed beun, Muidin ejt. 
Pra, nga sa shihet, Samiu në Enciklopedinë e tij historike-gjeografike, të shkruar në gjuhën turke, ka përfshi një material të gjerë historik e gjeografik për trojet etnike shqiptare si dhe një listë të gjatë të personaliteteve të shquara shqiptare që nga kohët e lashta e deri në kohën e tij që, siç thotë Zija Xholi “...mund të  quhet Enciklopedia e botës historike dhe gjeografike shqiptare brenda Enciklopedisë së përgjithshme”.

 
      Këtu shpesh shtrohet një pyetje; pse Samiu, si shqiptar, e shkroi Kâmûs al-a'lâmin, kryeveprën e tij, në gjuhën turke. Kësaj pyetjeje. me siguri, më së miri do t'i përgjigjej vetë ai. Megjithatë, mund të themi se kjo nuk duhet ta brengosë askënd, përkundrazi, sepse, Samiu me mendjehollësi i kishte menduar gjërat qysh më parë. Me këtë ai para njëqind vjetësh deshi ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, deshi t'i tregojë botës, pikërisht në kohën e shthurjes së Perandorisë Osmane, se cilat ishin territoret e Shqipërisë; të njoftojë opinionin botëror me argumente të forta e shkencore për lashtësinë e popullit shqiptar; se shqiptarët janë të zotët dhe se kanë aftësi të qeverisin të pavarur etj. 

 
      Kâmûs al-a'lâm, kjo vepër madhështore, të cilën Sami Frashëri e shkroi në kohën e pjekurisë së tij shkencore, sipas vlerësimeve të shkencëtarëve, me cilësinë dhe saktësinë faktografike do të vazhdojë të mbetet edhe më tutje vepër shumë e nevojshme për historiografinë përgjithësisht, e për shumëçka burim i dorës së parë, kurse autori i saj, Sami Frashëri, shkencëtar në suaza ndërkombëtare. 

 
Shënime rreth përgatitjes së veprës: 

 
- Lëndën e kësaj vepre e kemi radhitur sipas rendit alfabetik, përveç artikullit “Shqiptarët”, të cilin, duke e konsideruar si njësi të përgjithshme, por që duhet të zë vend këtu, e kemi vënë në fillim.

 
- Për arsye sqarimi e plotësimi, jemi përpjekur të japim edhe shënime plotësuese. Këto shënime mund t'i vërejë vetë lexuesi. 

 
- Sami Frashëri këtu i shënon vetëm vitet sipas hixhretit. Për arsye sqarimi ne i shënojmë edhe vitet që janë në përdorim te ne. Numri i parë tregon vitin sipas hixhretit.

 
- Terminologjinë historike të përdorur në këtë vepër e shpjegojmë në fund të veprës në formë të fjalorit. Për shpjegimin e kësaj terminologjie jemi mbështetur në: Evlija ^elebi, Putopis, Sarajevo, 1979, fq. 588-667 (përgatitur nga Hazim Shabanoviqi); ¼. Sami (Sami Frashëri), Kamus-i Türki, Istambul, 1978 (ribotim); Joseph von Hammer, Historija turskog (Osmanskog) carstva 1-3, Zagreb, 1979 (në gjermanisht për herë të parë është botuar më 1836 në katër vëllime); Nerkez Smailagi}, Leksikon Islama, Sarajevo, 1990 etj. 

 

Mehdi Polisi -  Prishtinë, qershor 1992.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!