Titulli i origjinalit: 
Ch. Samy-Bey Fraschery 
KÂMÛS AL-A'LÂM  

 

SAMI FRASHËRI

 

PERSONALITETET SHQIPTARE

ENCIKLOPEDIN HISTORIKE-GJEOGRAFIKE (KÂMÛS AL-A'LÂM)

 

 

Zgjodhi, përktheu

dhe shpjegoi:

Mehdi Polisi

LOGOS-A 
Shkup 1994 , Biblioteka H i s t o r i a 
Recensorë: Feti Mehdiu , Bahri Aliu 


   

      SHQIPTARËT

 

      Janë një komb që banon në anën perëndimore të Gadishullit Ballkanik d.m.th. të Rumelisë së Shtetit Osman. Fjala “arnaut” rrjedh nga fjala greke “arvanit”. E kemi sqaruar se edhe kjo fjalë është marrë nga fjala “arban” të cilën e përdorin shqiptarët. (për “arban” dhe “arbanija” flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut) . 

 
      Ky komb banon në Gadishullin Ballkanik që nga kohët shumë të hershme që nuk ka mundur ta shënojë historia. Kjo është dëshmuar shumë herë. Ndonëse ka qenë në raporte me Greqinë e vjetër dhe me Romën, gjithmonë ka jetuar i ndarë nga ata. Mirëpo, duke e prezentuar të përzier me kombe dhe popuj të tjerë dhe, meqë asnjëherë nuk është shikuar si i bashkuar dhe se ka gjuhën e tij kombëtare, deri më tash (lexo në kohën e S. Frashërit - M.P.) ka mbetur në një gjendje të panjohur. Ndonjëri nga historianët evropianë mendon se ky popull, tash vonë, ka ardhur nga Alabana e Kaukazit, d.m.th. nga Dagistani; ndonjëri thotë se rrjedhin nga sllavët, kurse ndonjë del e thotë se shqiptarët janë një popull që ka mbetur  në një gjendje të egër e që rrjedh nga grekët. Çdonjëri prej tyre, pa dyshim, është larg të vërtetës. Edhe disa historianë tanë kanë supozuar se shqiptarët janë një fis arab që ka ardhur nga Arabia. Ç'është e vërteta, të gjithë këta e kanë ditur që në gjuhën e tyre ka ngjashmëri me greqishten e vjetër, latinishten dhe sllavishten ose që ka fjalë të përziera, por kanë menduar se këto fjalë janë marrë nga ato gjuhë. Më në fund, kur disa studiues të mirëfilltë evropianë u thelluan në studimin e gjuhës shqipe, kuptuan se në çfarë raporti qëndron kjo gjuhë me gjuhën e vjetër greke si dhe me gjuhët: latine, sllave, gotike. persiane dhe sanskrite. Duke marrë në shqyrtim esencën e gjuhës shqipe dhe, duke studiuar hollësisht edhe historinë e tyre, kuptuan rrënjën dhe prejardhjen e popullit shqiptar, prej nga ka ardhur dhe çka u bë me të. Kjo çështje që kishte mbetur me shekuj në një gjendje enigmatike dhe të paqartë, tani është zgjidhur në tërësi dhe është vërtetuar se kombi shqiptar është njëri nga degët më të lashta të kombeve të Azisë dhe të Evropës të quajtur “Aria”. 


      Nëse i jepet rëndësi çështjes së fjalëve shqipe që janë në lidhje dhe të ngjashme me gjuhën e vjetër greke, gjuhën latine, sllave dhe gjer-mane, pastaj me të gjitha gjuhët e vjetra evropiane të cilat rrjedhin nga këto gjuhë, në njërën anë, dhe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite nga ana tjetër, diskutimi këtu do të zgjasë shumë dhe për lexuesin tanë, meqë do të flitet për dy çështje abstrakte (të panjohura), do të shkaktojë mërzi dhe lodhje. Mund të themi që, po të bëjmë një fjalor etimologjik të fjalëve të gjuhës shqipe, do të mbesin shumë pak fjalë që nuk do të kenë raporte dhe ngjashmëri me një ose me disa gjuhë që i numëruam këtu. Mirëpo, nuk mund të konstatohet në mënyrë bindëse se këto fjalë janë marrë nga ndonjë gjuhë tjetër, sepse, shihet qartë se ka shumë fjalë, format rrënjore të të cilave janë në gjuhën shqipe, dallohen nga format rrënjore të fjalëve të gjuhës së vjetër greke dhe latine. Edhe ky është një argument që provon se gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha e vjetër greke dhe ajo latine, prandaj edhe populli shqiptar është më i vjetri. Ngjashmëritë dhe lidhjet që kanë disa fjalë shqipe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite më shumë se të gjitha gjuhët e tjera ariane të Evropës, tregojnë se gjuha shqipe nuk është e një dege me gjuhët latine, greke e sllave, porse është një degë e drejtpërdrejtë e gjuhëve të vjetra ariane dhe se ky popull kryesisht ka ardhur nga Azia Qendrore në Evropë, ashtu si popujt e lashtë të tjerë arianë. 


      Popujt që janë në Evropë, në kohë shumë të lashta, sipas argumenteve më bindëse, duke u këputur nga anët e Belhit dhe Heratit të Azisë Qendrore, grupe-grupe kanë migruar drejt Perëndimit; një pjesë prej tyre në Maverai Nehri  dhe në Rusi, një pjesë në Iran dhe në Anadoll, dhe një pjesë në Kaukaz dhe në brigjet e Detit të Zi, pastaj janë shpërndarë në të gjitha pjesët e Evropës. Këto migrime, ndërkaq, nuk kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të gjata kohore. Është e ditur se populli kelt, i cili ishte i shpërndarë në Evropën Perëndimore, është nga të parët që ka ardhur. Ja pra, edhe shqiptarët është e mundshme të kenë ardhur në ato kohë, d.m.th. ose pak para, ose pak pas tyre. Zaten, ngjashmëritë e gjuhëve si dhe disa ngjashmëri të tjera specifike tregojnë qartë se këta dy popuj kanë ardhur njëkohësisht, ose njëri pas tjetrit. Keltët u vendosën në perëndim, kurse shqiptarët në lindje të Evropës. Ndërkaq, shumë më vonë, në veri të Evropës erdhën e u vendosën totonët dhe sllavët. Në atë kohë shqiptarët quheshin “pellasxh” ose “pellazg”. Sipas një varianti, ky emër rrjedh prej fjalës shqipe “plak” (ar., turq. ihtijar dhe kadim) që, sipas historianëve, u jepej atyre që ishin të vjetër, Sido që të jetë, ky komb në atë kohë ka qenë i përhapur në të gjitha anët e Gadishullit Ballkanik dhe në anët perëndimore të Anadollit. 


      Helenët të cilët erdhën më vonë, ua nxorën nga dora pellazgëve Morenë dhe një pjesë të Greqisë, prandaj një pjesë e madhe e pellazgëve, për të kompensuar këtë, kaluan në Itali dhe ka mundësi që, duke u përzier me popullin që gjetën aty ose që kishte ardhur më vonë, të kenë formuar popullin latin. Edhe nga Greqia pellazgët nuk u tërhoqën krejtësisht, por mbetën grupe-grupe në male dhe në krahinat e Etolisë dhe Akarnanisë; shumë prej tyre u përzien me helenët dhe u asimiluan. 

 
      Pellazgët, d.m.th. shqiptarët e lashtë, sipas asaj që do të shihet në vazhdim, ishin të ndarë në katër degë:

 
1. Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë së Vjetër deri në pikën më në veri të gjirit të Adriatikut, d.m.th. në Shqipërinë e tanishme , në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci.

 
2. Maqedonasit (e lashtë - M.P.); banonin në pjesën e Maqedonisë që shtrihet nga mali Pindos dhe Sharr e deri në malin Rodop, lumin Karasu  dhe Detin Egje, d.m.th. në anën e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Serezit.

 
3. Trakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë, Bullgari e, mbase, deri në anën e djathtë të lumit Danub. 


4. Frigiasit (frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët nga Bregdeti i Anadollit deri në Ankara dhe Sivas. 

 
      Katër popujt që i numëruam, është argumentuar bindshëm se janë degë të popullit pellazg. Vetëm se shumë më të afërt, si në gjuhë, si në veti dhe zakone, ishin ilirët me maqedonasit, në njërën anë, dhe trakasit  me frigasit, në anën tjetër. Veçanërisht gjuha e ilirëve me gjuhën e maqedonasve ishte si një gjuhë e vetme. Afërsia e këtyre katër popujve ishte aq e fortë saqë kur të gjithë mbretërit dhe heronjtë grekë ishin tubuar për ta sulmuar mbretin trojan që konsiderohej nga frigiasit, historikisht është vërtetuar se shumë nga Maqedonia e lashtë dhe Trakia u kishin shkuar në ndihmë trojanëve kundër grekëve. Disa emra që ruhen në histori nga gjuha e popullsisë së lashtë maqedonase, frigiase dhe trakase, shihet se kanë ngjashmëri me fjalët e gjuhës shqipe që përdoren sot. Veçanërisht Herodoti, babai i historisë, shpjegon atë lidhje, duke thënë se në gjuhën frigiase bukës i thonë “buks”. Kështu, kur hiqet s-ja e cila është një prapashtesë greke, që është shtuar nga vetë Herodoti, shihet qartë se është fjalë shqipe “bukë” (turq. ekmek) që përdoret edhe tani në gjuhën shqipe. Edhe Straboi që ka jetuar në  shekullin e parë të erës sonë, duke treguar qartë se ilirët dhe maqedonasit (e lashtë - M.P.) janë një popull i vetëm dhe se flasin me të njëjtën gjuhë, thoshte: “Banorët e Epirit, të Maqedonisë dhe të Ilirisë flasin me një gjuhë, i presin flokët (qethen) në të njëjtën mënyrë si dhe zakonet dhe vetitë (moralin) i kanë të njëjta”. Pastaj, në një vend tjetër thotë: “Këta udhëhiqen nga këshillat pleqërorë që i quajnë “plagonija”, plakut i thonë “plajis”, kurse plakës “plaje”. Kështu, fjalët “plakonja” dhe “plak” siç përdoren tani në gjuhën shqipe me këto kuptime, malësia shqiptare që i ka ruajtur zakonet e vjetra, mosmarrëveshjet që ndodhin në mes tyre, sot i rregullojnë përmes këshillave pleqërorë që i quajnë “plakonja” (pleqni - M.P.). 

  
      Sikurse u tha me një mendim të prerë se katër popujt që u përmendën më lart rrjedhin nga pellazgët, poashtu, pa fije dyshimi, është konstatuar se ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Janë ruajtur (regjistruar) me saktësi ngjarjet që kanë rrjedhë qe dy mijë vjet, kurse në këtë kohë nuk mbahet në kujtesë se një popull ka ardhur nga jashtë dhe është vendosur në trojet e shqiptarëve (në Shqipëri). Përveç kësaj, marrë në përgjithësi, ka edhe më shumë fakte e argumente që provojnë se pellazgët e vjetër dhe shqiptarët e tashëm janë të një race dhe kanë gjuhë të njëjtë. Sidomos, historianët e vjetër grekë tregojnë se feja dhe besimet e grekëve të vjetër dhe të romakëve janë marrë nga pellazgët e vjetër. Edhe emrat e perëndive romake e greke, sikurse është treguar qartë, janë të pellazgëve, pra, të shqiptarëve të vjetër.

 
      Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia dhe, duke menduar se nuk do të mendohet se kam dashur t'i zmadhoj gjërat, meqenëse vetë i takoj racës shqiptare, mund të them se populli shqiptar dikur ka qenë një popull i madh që shtrihej nga Trieshta deri në Sivas, pra në dy territore të mëdha: në Evropë dhe në Azi. Mirëpo, duke qenë në mes popujve dhe shteteve të mëdha të Iranit, Greqisë, Romës etj., dhe, duke rënë në dorë të pushtuesve të ndryshëm, pellazgët u asimiluan dhe u zhdukën në Anadollinë e atëhershëm, pastaj, duke u tërhequr edhe nga Trakija dhe nga anët juglindore të Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, d.m.th. nga Bosnja dhe Hercegovina dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të cilët sulmuan vazhdimisht, janë ngjeshur në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë dhe në pjesën perëndimore të Ilirisë, d.m.th. në Shqipërinë e sotme (lexo: në kohën e Samiut - M.P.). 

 
      Shqiptarët nuk i kanë ndryshuar zakonet dhe vetitë që i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe pellazgëve. Gjithnjë kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë. Edhe në mes veti kanë jetuar të ndarë në fise të vogla dhe të hasmuar njëri me tjetrin. Po t'i shikojmë të dhënat historike të Strabonit, vërejmë se - thotë Samiu - mënyra e jetesës së tyre që ka qenë në ato kohëra,  vazhdon edhe sot në Malësinë e Dibrës dhe të Shkodrës. Për këtë arsye, duke mos qenë të bashkuar, nuk kanë mundur të formojnë një shtet ose të shkruajnë gjuhën e tyre kombëtare ose të krijojnë një letërsi kombëtare. Edhe njerëzit e mëdhenj (të ditur) që ka pasur ky popull, kanë qenë të detyruar të mësojnë në ndonjë gjuhë tjetër dhe me atë gjuhë kanë qenë të shtrënguar të gjenden në punët shtetërore. Në këtë mënyrë kanë mundur shumë pak të shërbejnë në ngritjen dhe famën e popullit  që i kanë takuar. Të jetuarit në këtë mënyrë, ka ruajtur në gjendje të vjetër si gjuhën, si zakonet vetitë e tyre dhe ka qenë shkak në mospërpjekjet e tyre për ndryshime.

 
      Shqiptarët prej kohësh ishin të ndarë në fise-fise dhe, meqë janë udhëhequr nga kryetarët e tyre dhe nga këshillat pleqërorë, nuk është dokumentuar historia e tyre. Sikurse është e ditur, kishin formuar tri shtete; njëri ishte në Shkodër, tjetri në Epir, d.m.th. në territoret e Janinës dhe, i treti në një qytet të vjetër Pella i cili ishte në afërsi të Jenixhe-i Vardarit  të Maqedonisë. Ky i treti është i njohur si shtet i Maqedonisë, historia e të cilit është dokumentuar plotësisht (për Maqedoninë flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut). Ky shtet u bë i njohur me ngjarjet shumë të mëdha që mund t'u thuhet madje të jashtëzakonshme, si p.sh. pushtimi i menjëhershëm i shumë vendeve të botës që nuk ishin të njohura dhe të ditura në atë kohë e deri në Indi nga ana e Aleksandrit (Lekës) të Madh (turq. Iskender Zülkarnejn) i biri Filipit. Vetëm se për shkak të rrethanave të njëjta që u përshkruan për shqiptarët, edhe Leka i Madh ka mësuar në gjuhën greke. Megjithëse, ashtu siç ishin maqedonas të gjithë ushtarët që merrnin pjesë në pushtime, po ashtu, edhe ai vetë ishte maqedonas për nga origjina dhe gjuha. Madje, edhe pse është e ditur se ai nuk i ka dashur grekët, i ka konsideruar popull të madh. Mbreti më i njohur i mbretërisë së Epirit ishte Pirroja, i cili dy herë i kishte mundur romakët. Edhe pse kishte ngadhënjyer dhe ishte zgjëruar deri në Greqi dhe Egjipt, dhe, edhe pse kishte ambicie të pushtojë edhe më tepër, kur vdiq, la pas vetes diçka më tepër se pasuria që kishte gjetur nga babai i tij. Edhe nga mbretërit e Ilirisë që kishin fituar famë më të madhe, ishte mbretëresha Teuta dhe mbreti Genci i Parë (Gjençoja) = kështu e përdor Samiu në: “Shqipëria çka qenë...” - M.P.). 

 
      Shqiptarët, të cilët së bashku me Lekën e Madh kishin pushtuar botën, nuk pranuan t'u nënshtrohen lehtë romakëve. Ata u bënë atyre një qëndresë të vendosur, saqë Paol Emili, pasi i mundi me forcat e tij të mëdha, për hakmarrje i rrënoi 85 qytete të tyre dhe disa qindra mija njerëz i zuri peng dhe ashtu të lidhur me pranga i dërgoi në Romë. Ja, që nga ajo kohë filloi fatkeqësia e këtij populli. Nga njëra anë u gjendën nën romakët, nga ana tjetër, për të mos u marrë nëpër këmbë nga avarët, hunët dhe popuj të tjerë gjakpirës, shkatërrimtarë dhe të egër, të cilët kohëve të fundit u vërsulën dhe sulmuan nga anët veriore, shqiptarët u tërhoqën në vende malore dhe të sigurta, duke qenë të detyruar të lëshojnë vendet pjellore dhe të rrafshta, kurse një pjesë, duke braktisur në tërësi atdheun e tyre, u detyruan të ikin në Greqi, More, në ishujt e Greqisë deri në anët qendrore dhe në ujdhesën Marmara. Kështu, një pjesë e shqiptarëve, afër gjysma e kombit, mbeti në Greqi dhe në More, përgjithësisht, në ujdhesat greke dhe në Marmara që nga ajo kohë. Ndërkaq, ata që mbetën në Shqipëri u tërhoqën në vende të sigurta natyrore. Meqë gjithnjë jetonin me armë në dorë, ndiqnin rrugën e mbretërve romakë dhe bizantinë. Në të vërtetë, këta udhëhiqeshin në mënyrë të pavarur nga kryetarët e vet, sikurse në të kaluarën dhe këta kryetarë dalëngadalë merrnin gradën e princit ose mbretit. (...) Edhe disa qytete dhe kala që ishin në brigjet e Adriatikut, kaluan në duart e venedikasve.

 
      Ja pra, në këtë gjendje ishin shqiptarët kur në pjesën e Rumelisë shkeli këmba e sulltanëve Osmanë dhe luftëtarëve muslimanë. Sado që disa prej princave deridiku rezistuan, shumë prej tyre, duke parë forcën dhe potencialin ushtarak, u dorëzuan pa luftë, prandaj gati të gjithë princat ende mbetën në vendet e tyre. Këta kishin disa privilegje dhe të drejta në Shtetin Osman. Mirëpo, më pastaj Skënderbeu i mblodhi të gjithë këta princa, të cilët vetë e njohën atë për prijës dhe komandant të tyre. Duke qenë një njeri jashtëzakonisht trim, i aftë dhe me përvojë luftarake, Papa dhe mbretërit e tjerë të krishterë të Evropës, me qëllim që ta prëdorin si mbrojtës, atë e trimëronin dhe e stimulonin të luftojë kundër turqve osmanlinj. Ndonëse i premtonin se do t'i shkonin prapa dhe se do t'i ndihmonin, këtë nuk e bënë kurrë. Skënderbeu hyri në luftë me Osmanlinjtë. Luftoi 40 vjet rresht . Duke u bazuar në pozitën strategjike natyrore të vendit dhe, duke besuar në premtimet e Papës dhe të mbretërve evropianë, ndonëse e shihte se ata dëshirojnë ta përdorin si një mjet, të futet në zjarr, bëri që Shqipëria të gjendet në zjarr e flakë plot gjysmë shekulli. Pastaj, me vdekjen e Skënderbeut, tërë Shqipëria ra në duart e pushtetit Osman. Edhe gjatë asaj kohe disa qindra-mija shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri dhe Siqeli të Italisë, e një pjesë prej tyre u shpërdanë nëpër Venedik, Gjenevë, Marsej, bile edhe në Spanjë. Vetëm se ata që u vendosën në Kalabri dhe Siqeli, meqë formuan fshatra të pastra shqiptare, kanë ruajtur deri më tash gjuhën racën dhe fenë e tyre, numri i të cilëve arrin përafërsisht 250 mijë (dyqind e pesëdhjetë mijë). 


      Kështu, pasi shqiptarët hynë nën administratën osmane, të gjithë bejlerët dhe njerëzit autoritativë menjëherë e pranuan fenë e drejtë islame. Pas pranimit të Fesë islame nga ana e tyre, gradualisht edhe të tjerët filluan ta pranojnë, kështu, për një kohë të shkurtër 2/3 e popullit shqiptar u bënë muslimanë, kurse 1/3 që mbetën u ndanë, gjysma në ortodoksë dhe gjysma në katolikë. Shqiptarët që nuk iu bindën shtetit romak dhe bizantin dhe që deri diku nuk e dëgjuan Lekën e Madh, i cili ishte bashkëkombës i tyre, u bënë të përbashkët me osmanlinjtë, kaluan në ngritjen dhe famën e Shtetit Osman, u bënë shumë dashamirës dhe nidhmës në zgjërimin e pushtimeve osmane dhe islame. Deri në kohën e formimit të ushtrisë së rregullt e të organizuar të gjithë shqiptarët ishin pjestarë të ushtrisë së armatosur të përhershme të shtetit. Kur urdhëronin këta, ashtu të armatosur, ishin të gatshëm të shkonin deri në shkretëtirat e Sudanit. Edhe shteti (Osman), duke i çmuar lartë shërbimet dhe miqësinë e tyre, ua besonte pozitat më të larta shtetërore. Shqiptarët morën pozita të larta në shtetin Osman; vetëm pashallarë, të cilët u bënë sadriazema (kryeministra) ishin 25, madje, në mesin e tyre kishte të tillë që në kohën e Sulltan Selimit të parë dhe Sulltan Sulejmanit, arritën të bëhen sadriazema nga pesë herë. Sinan Pasha, i cili me flamurin osman arriti në Jemen e Amman dhe në Açin e Sumatra, vende këto të panjohura deri në atë kohë, e shpëtoi Shtetin Osman nga shkatërrimet më të mëdha, pastaj, Qypërli Mehmed Pasha me fëmijët dhe nipërit e tij, me ndihmën e Zotit, patën sukses të ngadhënjejnë në rrethimin e Vjenës dhe Shtetit Osman t'ia kthejnë përsëri renomenë e mëparshme, pastaj, Ferhad Pasha e të tjerët, ishin personalitete të këtij populli trim dhe të sinqertë (të popullit shqiptar - M.P.). 

 
      Shqiptarët në përgjithësi janë shtatlartë, ashtgjerë dhe me nerva të forta dhe veçanërisht dallohen me kokën e tyre të madhe dhe ballin e lartë, gjë që vërteton zgjuarsinë e madhe natyrore të tyre. Me të vërtetë fëmijët shqiptarë që dërgohen për të mësuar dhe për t'u edukuar, ndonëse kanë mësuar në gjuhë të huaja, është parë që për një kohë shumë të shkurtër kanë përparuar. Kombi shqiptar ka dhënë njerëz të mëdhenj, si p.sh. Ali Efendi Gjakovën dhe Hoxha Tahsinin, të cilët vdiqën tash vonë, pastaj edhe shumë shqiptarë që u dalluan me zgjuarsinë dhe dituritë e tyre të cilët ishin të barabartë me ata të Universitetit të Athinës dhe Romës. Janë dëshmuar edhe aftësitë e shqiptarëve të krishterë të Greqisë dhe të Italisë. Kapedanët, kryetarët dhe shumë e shumë të tjerë të cilët në mënyrë vetëmohuese morën pjesë në revolucionin për pavarësinë e Greqisë, prej të cilëve më të dalluarit; Boçari, Xhavella, Kanari, Bollgarisi, Bubulina, ishin shqiptarë. Sikurse këta, edhe shumë prej atyre që ia zbardhën fytyrën dhe i ndihmuan Garibaldit në bashkimin nacional italian ishin shqiptarë të Italisë. Pra, ashtu sikurse janë, kryesisht, shqiptarë ata që ende udhëheqin Greqinë, e sidomos ata që e kanë drejtuar flotën e tyre, poashtu edhe nga shqiptarët që janë në Itali ka shumë njerëz të ditur, të vyeshëm, poetë, shkrimtarë etj. Nga ky popull arritën të bëhen edhe papë, siç është Klemani i njëmbëdhjetë. Mendoj që mjafton të përmendet se nga ky komb është zotëri Krispi, i cili e udhëheq diplomacinë e Italisë edhe në ditët e sotme. 

 
      Shqiptarët nga stërgjyshërit e tyre i kanë ruajtur doket dhe moralin, nderin dhe krenarinë, kanë ruajtur edhe çështjen e mbajtjes së premtimit që e quajnë “besa”. Ata janë të gatshëm gjithnjë të japin jetën e tyre për mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të ruajtur fjalën e tyre të dhënë. Vetëm se për pak gjë dhe për çështje shumë të parëndësishme bien në mosmarrëveshje. Janë seriozë dhe të sinqertë, nuk duan shaka të tepruara, tallje dhe fjalë të parëndësishme. Ecin shumë shpejt dhe lehtë. Kanë lëvizje elegente dhe qëndrim krenar. Gratë shqiptare janë shumë të bukura dhe shtatgjate, sidomos janë të bollshme dhe pak me fytyrë burrërore. Në çështje të moralit janë shumë të vendosura, të ashpra. Vajza ose gruaja, e cila, sado pak del jashtë moralit, pamëshirshëm dënohet nga më të afërmit. Gratë shqiptare janë shumë punëtore dhe të denja. Në shtëpi kanë pavarësi të plotë, kurse burrat konsiderohen si musafirë. Meqë i kushtojnë shumë rëndësi çështjes së prejardhjes së familjes (sojit), të gjithë, për t'i dhënë vajzat e veta, duke kërkuar dikë të të njëjtit rang, shpeshëherë i japin larg. Nuk e kanë zakon t'u japin vajzave të tyre pjesë nga pasuria e trashëguar, madje teshat e nusërisë bëhen nga ana e burrit . Edhe pse bindjet fetare i kanë shumë të forta, më shumë i kushtojnë rëndësi punës dhe nuk kanë fanatizëm. Janë të ruajtura dhe të pranishme edhe sot disa zakone dhe rite të mbetura nga feja e vjetër, qoftë te muslimanët, qoftë te ortodoksët. Në mes njerëzve që u takojnë feve të ndryshme ka një dashuri dhe mirëkuptim të plotë. 
Edhe pse për nga gjuha ndahen në dy degë-në gegë dhe toskë, nuk bëjnë dallime, por të gjithë krenohen me emrin shqiptar. Gegët janë të vendosur në pjesën veriore të Shqipërisë, kurse toskët në pjesën jugore të saj. Lumi i Shkumbinit që kalon pranë Elbasanit është  si vijë dalluese e tyre. Dialektet e gegërishtes dhe të toskërishtes dallohen në mes tyre vetëm në të shqiptuar, në theks dhe në disa shprehje, kurse në thelb, gjuha është e njëjtë, prandaj shumë mirë e kuptojnë njëri-tjetrin. Në këtë gjuhë ekzistojnë disa libra në prozë dhe poezi me tematikë fetare katolike të shkruara para 400-500 vjetësh; poashtu ekzistojnë disa këngë popullore të ruajtura që nga shekulli XV. Dallimet e tyre nga gjuha e sotme qëndrojnë vetëm në atë se janë përdorur në atë kohë; tash në vend të tyre muslimanët përdorin disa fjalë e shprehje arabe, kurse të krishterët disa fjalë e shprehje greke. Edhe pas pranimit të Islamit në Shqipëri kemi shumë poetë e shkrimtarë. Ata kanë thurur divane, poema, me tema të ndryshme nga lëmi fetar: këshilla, ligjërata fetare (vaize), pastaj mevludin për Muhammedin a.s., për tragjedinë e Qerbelasë etj. Të gjitha këtyreve mund t'u thuhet, zakonisht, një letërsi. Mirëpo, meqë muslimanët kanë shkruar me alfabet arab, ortodoksët me alfabet grek dhe katolikët me alfabet latin dhe, meqë veprat e tyre janë të mbushura me fjalë dhe shprehje të huaja dhe, meqë ndjekin shembullin e letërsisë të popujve të huaj, letërsia kombëtare shqiptare nuk ka mundur të zë vendin e saj të meritueshëm. Veprat e shkruara para 4-5 shekujve ose që, së paku, kanë mbetur prej asaj kohe e të përmbledhura më vonë, kanë mundur të zënë këtë vend. Ortodoksët, të krishterët toskë, ishin duke u greqizuar, sepse, që atëherë, vazhdimisht punonin dhe mësonin sipas shkencës greke. Edhe insti-tucionet greke ndihmuan në këtë dhe, sado që te një pjesë arritën deri diku të ndikojnë të harrojnë gjuhën e tyre amtare, këta botuan libra mësimorë me alfabet shqip që i kanë sistemuar më vonë. Në Toskëri janë hapur disa shkolla të posaçme për të mësuar shqip, gjë që edhe këta kanë ndikuar në ruajtjen e kombit. Pas nxitjeve dhe stimulimeve kundër tyre, vazhdimisht filluan ta urrejnë dhe të largohen nga Greqia. Kështu, në kohën e Sulltan Abdylmexhidit të Dytë edhe shqiptarëve, iu bë e mundshme të shkruajnë gjuhën dhe letërsinë e tyre, filluan të përparojnë.

 
      Shqiptarët që janë në shtetin Osman janë rreth 2 milionë, prej tyre 2/3 janë të besimit islam. Edhe shqiptarët që janë në Greqi dhe në Itali janë mbi 500 mijë. Shqiptarët, zaten, meqë janë të vendosur më tepër në vendet malore dhe në vendet jopjellore, vendet e tyre nuk mund t'i furnizojnë me gjëra ushqimore, prandaj shumica prej tyre merren me zanate dhe tregti. Duke marrë rrugën e kurbetit në çdo anë të shtetit Osman, pastaj duke shërbyer me rrogë në ushtrinë osmane dhe në xhandarmëri, shkojnë deri në Egjipt, Sudan e bile edhe në Jemen. Duke qenë larg grave të tyre, duke u martuar, sipas zakonit të tyre, vonë, e disa duke u martuar jashtë vendit të tyre, duke u shpërngulur e duke marrë pjesë vazhdimisht nëpër luftëra bëri që numri i tyre të mos jetë i madh. 

      Nga të parët që e kanë bërë të njohur në Evropë kombin shqiptar, origjinën dhe gjuhën e tyre, kanë qenë dr. Hahni, i cili një kohë të gjatë ka qëndruar në Janinë e në Shkodër si konsull i Austrisë; linguisti i famshëm Bopi, Dora d'Istria, e cila është vetë shqiptare dhe rrjedh nga Gjikajt që kanë sunduar si princa në Rumani, pastaj shqiptarët e Italisë Dorsa, zotëri Krispi, Kamarda, De Rada e të tjerë,  të cilët kanë shkruar shumë vepra në gjuhët gjermane dhe italiane, përkitazi me shqiptarët .

   

ABAZ PASHA 

 

      Është valiu i tretë i dinastisë së Mehmed Ali Pashës në Egjipt. Është djali i Tosunit të Mehmed Aliut. Lindi në vitin 1220/1805 .Pas vdekjes së mixhës së tij, Ibrahim Pashës në vitin 1255/1848 dhe tërheqjes së gjyshit, Mehmed Aliut, në Stamboll, këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, iu dha fermani i Valiut. Kështu, pasi qeverisi territoret e Egjiptit pesë vjet, deri në vitin 1270/1853, në këtë vit papritmas vdiq. Këtë e trashëgoi mixha i tij Seid Pasha. Ishte njeri i shëndoshë . 

 

      ABDYL BEU (FRASHËRI)  (Abdullah Hysni beu i biri i Halid beut) 


      Është vëllai i madh i autorit të ngratë  i njohur dhe i quajtur frashërli. Lindi në kohën e ardhjes së lartmadhërisë së tij Sulltan Abdylmexhidit në fron, d.m.th. në vitin 1255/1839 në katundin Frashër (i cili është qendër e nahisë së Dangëllisë  në kazanë e Përmetit, që i takon sanxhakut të Gjirokastrës së vilajetit të Janinës). Që kur  i kishte 14 vjet u gjend në kufirin e Greqisë me ushtrinë ndihmëse së bashku me babain e vet. Aty kohën e qetësisë dhe të lirë e kalonte duke mësuar. Kur i kishte 18 vjet, i vdiq i ati dhe kështu ai mbeti mbikëqyrës i familjes shumanëtarëshe. Për shkak të mbajtjes së familjes, ishte i shtrënguar të punojë në Drejtorinë për mbledhjen e tatimit (xhelepit), në Sekretariatin për mbrojtjen sociale dhe në detyra të tjera. Pas dy vitesh, kur i vdiq edhe e ëma , për ta mundësuar shkollimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, lëshoi vendlindjen dhe u transferua në Janinë. Këtu, përveç që merrej me punët e tij zyrtare, si dhe me kujdesin dhe furnizimin e familjes, në kohën e mbrëmjes, së bashku me vëllezërit e tij në formë bisede e konsultative, mësonte dhe ushtronte gjuhët: arabe, persiane, frënge dhe greke si dhe veprat letrare. Pasi vëllezërit e tij e mbaruan shkollimin, ai në moshën 35 vjeçare u martua. Meqë u ballafaqua në disa tentime dhe kërcënime nga ana e Greqisë lidhur me çështjen e ndërrimit të kufirit grek (në dëm të Shqipërisë - M.P.), së bashku me disa personalitete tjera të Janinës, duke marrë leje, u kthye në vendlindje. Që nga ajo kohë nuk mbeti pa shpenzuar pasurinë dhe fuqinë kundër aneksimit të anëve të Janinës dhe të Prevezës Greqisë. Në këtë çështje tregoi një kujdes dhe një vullnet të jashtëzakonshëm. Për këtë qëllim ai shpenzoi edhe pasurinë prej disa mija lirash që sa e sa vite i kishte mbledhur me mundim dhe me punë. Argumentonte se anët e Janinës dhe të Prevezës kurrë nuk i kanë takuar dhe nuk kanë qenë të lidhura me Greqinë. Duke shëtitur nëpër kabinetet e shteteve të mëdha, së bashku me Mehmet Ali bej Vrionin (pastaj pasha), arriti që në këtë çështje të tregojë të vërtetën. Në saje të përpjekjeve dhe zgjuarsisë së tij, duke kundërshtuar vendimin e Kongresit të Berlinit për çështjen e ndërrimit të kufirit të Greqisë, anët e Janinës dhe të Prevezës mbetën në kuadër të shtetit Osman. Po ashtu, meqë kundërshtonte edhe qëndrimet dhe pretendimet e Serbisë dhe të Malit të Zi ndaj Shqipërisë, inkuadrohet në “Komitetin e Lidhjes” që ishte formuar në Prizren. Atëherë ra në një gjendje të vështirë, sepse duke u komentuar mbrapsht qëllimet e tij të vërteta dhe patriotike nga ana e disa qëllimkëqinjëve (Nga ana e atyre që nuk ia duan të mirën as vetes), tre vjet qëndroi i burgosur në kalanë e Prizrenit dhe në kohën prej afër dy vjetësh, së bashku me familjen e tij qëndroi në Ballëkesir dhe në Bandërma . Më 1303/1885, duke kërkuar falje te sulltani, vjen në Stamboll. Pas një kohe u caktua anëtar në Këshillin e sigurimit të qytetit (Stambollit - M.P.). Por, nga mundimet dhe torturat e vazhdueshme në burgun e Prizrenit dhe nga sëmundjet e tjera e pastaj edhe nga brengat e mërzitë, e kaploi sëmundja e parakohshme e pleqërisë. Pasi katër vjet e kaloi kohën si rob i shtratit, më 1310/1892 vdiq dhe i ndjeri tash është në varrezat e Merdiven-köz-it. 

      Ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm, ishte i durueshëm dhe i mësuar në mundimet dhe torturat trupore; ishte trim i madh; ishte i prirur dhe i gatshëm të bëjë të mira të llojllojshme; ishte bamirës dhe shpirtgjerë; ishte bujar dhe fisnik; ishte një njeri që më shumë e donte rehatinë për të tjerët sesa për vete. Madje edhe vdekja e tij ishte madhështore ashtu sikurse edhe jeta, sepse dha shpirt duke folur dhe duke thënë fjalë burrërore dhe këshilla të arsyeshme, me vend. Ky përshkrim imi nuk është shkak, motiv i ndjenjave vëllazërore, por shpresoj se ata që e njohin më për së afërmi do të pohojnë se janë të vërteta. La trashëgimtarë të mirë një djalë  dhe një vajzë të vogël, të cilët i la nën kujdesin tim (të Samiut - M.P.) . 

 

 AHMED PASHA 

 

      Është nga vezirët i cili u përparua në gradën e kryeministrit (sadriazem) në kohën e Kanuni Sulltan Sulejmanit . Është shqiptar, poashtu. Nga oborri i Sulltanit doli me gradën kapuxhi-bashë , e më pastaj u bë aga i jeniçerëve dhe bejlerbe i Rumelisë. U bë dhëndërr i sadriazemit (kryeministrit) Rrustem Pasha. Sado që u dërgua serdar (komandant ushtarak) në anët e Rumelisë, nuk u paraqit dot në këtë shërbim. Në vitin 987/1579 u avancua në gradën e sadriazemit, por, pas gjashtë muajsh në këtë post, vdiq nga një sëmundje e rëndë. Sado që ishte shumë pasanik, nuk ishte i respektuar nga masa. Ishte një njeri i pa marrur vesh dhe i panjerëzishëm; kishte shprehi të hidhërohej vend e pa vend . 

  

      AHMED RIFAT PASHA 

 

      Është djali i Ibrahim Pashës (nipi i Mehmed Ali Pashës - M.P.). Lindi në Egjipt në vitin 1241/1825. Mori pjesë në luftërat e Sirisë bashkë me babain e vet, mirëpo për të vazhduar studimet, u dërgua në Paris në akademinë ushtarake. Kur i vdiq i ati, u kthye për në Egjipt. Partia e cila ishte kundër Abaz Pashës , që ishte në krye të qeverisë, duke pasur për qëllim ta ndihmojë vendin nga ajo që kishte mësuar, këtë deshti ta vë në krye të detyrës. Edhe pse ai nuk u përzie në këtë punë, kur pa se ngjalli dyshimin te Abaz Pasha, më 1267/1850 vjen në Stamboll me ç'rast Abdylmexhidi e pat nderuar me gradën gjeneral (ferik). Pas tre vjetësh kthehet në Egjipt për t'u bërë vali i Egjiptit te Seid Pasha. Qe emëruar anëtar i Mexhlisit (Këshillit) e pastaj, anëtar i Riasetit (Kryesisë). Pas Seid Pashës iu caktuan pozita të larta në vilajet, mirëpo, duke qenë në këto pozita, më 1273/1856 me rastin e fundosjes së një vagoni në lumin Nil, në të cilin ndodhej edhe ky, u mbyt. 

 

      AJAZ PASHA 

 

      Ishte nga burrat e kohës së Javuz Sulltan Selimit. Në pozita të larta shtetërore (sadriazem) arriti në kohën e Sulltan Sulejmanit. Është shqiptar. Nga oborri mbretëror doli me gradën aga, e pastaj u bë aga i jeniçerëve (komandant i jeniçerëve). Në ekspeditën e Egjiptit, përveç që tregoi trimëri dhe shkathtësi, pati sukses edhe në dhënien e disa propozimeve të dobishme, prandaj, fitoi simpati dhe dashuri te padishahu i sipërpërmendur. Pasi erdhi në fron Sulltan Sulejmani, u bë bejlerbe i Anadollit. Pas kryengritjes së çerkezit Xhanberdi Gazaliut dhe vrasjes së tij, u emërua edhe vali në vilajetin e Sirisë (Shamit). Në pushtetin e Rodosit ishte bashkë me padishahun e tij. Këtu tregoi dhe pati rezultate shumë të mëdha. Mirëpo, ndërkohë ra në sy të keq te padishahu. Sado që u avancua në grada dhe sado që u burgos, së shpejti u fal dhe iu kthye grada dhe detyra e nëpunësisë. Mori pjesë në ekspeditën e Moldavisë , pastaj edhe në rrethinën e Korfuzit bashkë me Hajredin Pashë Barbarosën. Meqë tregoi rezultate dhe shërbime të shkëlqyeshme, më 942/1535, ndonëse ishte veziri i dytë (me gradë), bëhet kryeministër (sadriazem) në vend të Ibrahim Pashës. Ashtu siç ishte i suksesshëm në udhëheqjen e punëve shtetërore me drejtësi të plotë në postin e kryeministrit që i zgjati katër vjet, poshtu ishte i njohur për të mos nënçmuar dhe për të mos fyer askënd. Më 946/1539, pas një sëmundje që i paraqitet duke qenë në postin e kryeministrit, vdiq. Nuk ka ndonjë të metë në jetën e tij, përveç se ka qenë feminist i madh. Kur vdiq i kishte më se 20 fëmijë . Nuk mund të tregohet saktësisht se cila ishte vendlindja e tij në Shqipëri. Sipas disa fakteve historike, thuhet se vëllezërit e tij dijetarë kanë jetuar në Vlorë  dhe është e sigurt se ka prejardhje nga ato anë . 

       

      AJAZ PASHA 

 

      Edhe ky është shqiptar. Është vëllai i kryeministrit, Sinan Pashës, i njohur si pushtues i Jemenit. Gjatë kohës së Sulltan Sulejmanit u caktua bejlerbe i Erzurumit. Për shkak se ia mundësoi dhe ia lehtësoi ikjen për në Iran Shehzade Bajazit Han-it, i cili shpalli kryengritje në Anadoll, më 966/1558 në Erzurum u dënua me vdekje nga ana e Sulltan Selimit të Dytë. Djali i tij Mustafa Pasha gjendej në luftën e Vllahisë  me mixhën e tij Sinan Pashën . 

   

      ALEMDAR OSE BAJRAKTAR MUSTAFA PASHA 

 

Eshtë nga vezirët që kaloi në postin e sadriazemit në fillim të ardhjes në fron të Sulltan Mahmut Hanit II. Është nga Rushçuku dhe sipas një varianti është shqiptar. Në kohën  e Sulltan Mustafa Hanit, tuboi një grup ushtarësh për të marrë pjesë në ekspeditën ushtake kundër Rusisë. Meqë e mbante flamurin (bajrakun) në këtë ekspeditë, u bë i njohur me emrin alemdar ose bajrakdar. Më pastaj, në dredhi të Pasbanogllit , i ndihmoi Tersnikli-zades, ajan i Rushçukut dhe me ndërmjetësimin e tij u emërua anëtar në Këshillin e Rezgredit  dhe u shpërblye me gradën kapuxhi-bashë. Më vonë, kur u vra Tersnikli-zade, ajanët e atyre anëve dhe ithtarët e të përmendurit e panë të arsyeshme (u pajtuan) që Bajraktar Mustafai të kalojë në Këshillin e Rushçukut në vend të tij. Zaten, që atëherë vetë u bë i njohur me trimëri dhe guxim, kurse me tregtinë e gjedhave dhe me punimin e tokës u bë pasanik i madh. Meqë ishte bujar, fisnik dhe zemërgjerë, fitoi famë të madhe në tërë territorin e Rumelisë. Fuqia e forca e tij si dhe armiqtë shtetërorë ishin bërë preokupim i tij. Duke qenë ithtar i sektës bektashiane, fitoi simpatinë e jeniçerëve. Mirëpo, kur Sulltan Selim Hani III u përpoq të bëjë reforma ushtarake, grupi rebelues i jeniçerëve më nuk e përfillnin këtë, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sepse e gjetën në disa marrëveshje dhe korrespondenca të fshehta (me Sulltan Selimin III - M.P.). 
Më vonë, kur filloi lufta e Rusisë, u bind personalisht se ushtria e jeniçerëve (Yeniçeri oca¤¢) erdhi  në një gjendje që më nuk do të mund të ketë sukses në punë. Për këto shkaqe si dhe për shkak të lëvizjes që dikur e bëri kundër përpjekjeve për reformimin e detyrave ushtarake, ai u pendua . Në luftën e përmendur në brigjet e Danubit qëndroi kundër armikut me një trimëri të madhe dhe për shërbimet e mira u shpërblye. Në vitin 1221/1806 u shpërblye me grada të vezirit: me daulle, me flamur dhe me gunë të padishahut... Mirëpo, mosrregullësia e janiçerëve dhe intrigantët e tij i shkaktonin humbje, prandaj, Bajraktar ose Alemdar Mustafa Pasha, për ta shpëtuar nga një gjendje kaotike dhe të rrezikshme ardhshmërinë e shtetit (Osman - M.P.), bisedoi me ushtrinë e jeniçerëve për reformimin dhe qëllimin e Sulltan Selimit III; ua bëri me dije se nuk ka rrugëdalje, veçse të bëhen reforma në ushtri. Duke u konsultuar për këtë çështje edhe me disa burra shtetesh, me ushtrinë e Rumelisë arriti në Edrene dhe propozoi që prej aty të nxjerrë sanxhak-sherifin. Me të hyrë në Stamboll, Sullan Mahmud Hani II hipi në fron dhe, posa erdhi ky në fron, këtij ia besoi detyrën e kryeministrit (sadriazem) . 

 

      ALI PASHË TEPELENA  

 

Ishte vali dhe derebeg në Janinë plot 33 vjet në kohën e Sulltan Selim Hanit III, Sulltan Mustafa Hanit IV dhe Sulltan Mahmud Hanit II. Ishte një vezir i cili me veprimet e tij të jashtëzakonshme, me vrazhdësinë dhe pamëshirshmërinë e tij fitoi famë të lartë. Lindi në vitin 1145/1732 në kasabanë e Tepelenës  në Shqipëri. Gjyshi i tij, Ali Pasha, fitoi gradën mir-miran. Kur në luftën e Korfuzit e sulmoi kalanë, tregoi një trimëri dhe guxim të madh, por u vra. I la pas vetes tre djem. Të mëdhenjtë e lanë pa trashëgimi Veli beun, babain e këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, prandaj, Veli beu ishte i shtrënguar të merret me vjedhje. Pasi u pasurua dhe u përforcua në këtë mënyrë, me shokët e tij u kthye në Tepelenë. Vëllezërit e tij i dogji në shtëpitë e tyre. Për këtë shkak bejlerët e Tepelenës morën qëndrim të prerë që këtë ta bojkotojnë dhe ta dëbojnë nga krahina e tyre. Më pastaj Veli beu vdiq. I kishte dy gra; me të parën kishte një djalë, kurse me të dytën një djalë dhe një vajzë. Bashkëshortja e dytë me emrin Hanko, nga Konica , ishte një grua trime, energjike dhe e ashpër. Ajo për t'iu revanshuar bejlerëve të Tepelenës bëri marrëveshje me ish-shokët e ngushtë të bashkëshortit, kurse fëmijën e saj, Aliun, që nga vegjëlia e mësonte për hakmarrje dhe që të jetë sa më i ashpër ndaj tyre. Në mes bejlerëve të kasabasë së Kardhiqit, e cila i takonte Gjirokastrës dhe familjes së Ali Pashës prej kohësh kishte hasmëri. Meqë kardhiqasit për Hankon, nënën e Aliut dhe për motrën e saj, Shaensanë, kishin hetuar disa sjellje jo të mira dhe prishje të moralit. Hankoja, kur ishte duke vdekur, e kapi Aliun për jake dhe e këshilloi (e porositi) që të hakmerret ndaj kardhiqasve.

 
      Duke vazhduar rrugën e prindërve të vet, Aliu bëri një pasuri të madhe dhe, pasi i mbushi 20 vjet u martua me Emine Hanëmin,  vajzën e Kapllan Pashës së Delvinës, i cili ishte vali i Gjirokastrës . Atë kohë, për t'i zhdukur bandat plaçkitëse që ishin përhapur dhe që krijonin shqetësime në ato anë, u urdhërua Kurt Pasha, vali i Beratit, i cili e pa të udhës ta përvetësojë Ali beun. E mori pranë vetes dhe e shpërblente. Edhe pse i pat premtuar se do t'ia japë vajzën, më vonë u tërhoq nga fjala e dhënë. Kështu, meqë e bëri dhëndërr Ibrahim Pashë Vlorën, Ali beu u nda nga ky  dhe përsëri, duke mbledhur një grup shokësh, i futi nën qeverisjen e vet, me forcë, krahinat e Gjirokastrës, Përmetit dhe Konicës. Dhe, atëherë iu dha fermani i lartë për ta vrarë Kapllan Pashën e Delvinës, i cili i ishte nënshtruar Gadap Pashës. E vrau pashain e sipërpërmendur i cili njëherit ishte vjehërr i tij. Në ndërkohë u hap fronti i Austrisë dhe Rusisë. Ali beu mblodhi një numër të madh ushtarësh shqiptarë dhe shkoi në luftë. Meqë tregoi trimëri dhe guxim të madh në fushëbetejë dhe, meqë pati rezultate të mëdha, u emërua mutesarrif në mutesarrifllëkun e Terhallës me gradën mir-miran. 


      Ali Pasha kur u bë mutesarrif i Terhallës, bëri përpjekje që nën qeverisjen e vet ta fusë edhe Janinën. Në fund, në vitin 1203/1788 posa u caktua me detyrë të vezirit në vilajetin e Janinës, Ali Pasha në njërën anë u përpoq të hakmerret ndaj armiqve të vjetër dhe t'i zgjerojë kufijtë e në anën tjetër, vendet që janë nën qeverisjen e tij t'i izolojë nga njerëzit dhe kryetarët me autoritet, të cilët do të mund t'ia ndryshonin punët dhe planet e tij. Ia drejtoi ushtrinë Ibrahim Pashës i cili kishte kaluar në vend të Kurt Pashës, vetë atë e zuri rob dhe e mbajti në një qeli të errët të kalasë derisa vdiq, kurse vajzat e tij i mori me forcë dhe i martoi me djemt e vet, me Muhtarin (në gjuhën shqipe shqiptohet Myftar - M.P.) dhe Veliun. Ibrahim Pasha i sipërpërmendur, duke qenë një personalitet shumë i sinqertë, i ndershëm dhe i moralshëm, i lutej atij (Ali Pashës - M.P.) për shpëtimin e tërë popullit, mirëpo ai, përkundrazi, edhe më tepër i shtonte torturat e të mjerëve sa që kur nga Porta e Lartë shkoi urdhëri i prerë që Ibrahim Pasha të qeverisë në vilajetin e Beratit, Aliu, sipas një versioni, e vrau atë të ngratë me dorën e vet, por raportoi se ai ka vdekur nga një vdekje e zakonshme. Kështu i zgjeroi kufijtë nga ato anë deri në Elbasan dhe Dibër, të cilët i vuri nën kontrollin e vet. Poashtu, nën qeverisjen e tij, përveç krahinave të Jenishehrit, Terhallës, Moresë dhe Agribozit i futi edhe krahinat e Greqisë. Fëmijët e vet, Myftarin me gradën mir-miran, kurse Veliun me gradën e vezirit i patë emëruar në mytesarrifllëkun e Terhallës. 


      Kasabatë e Pargës dhe Pervezës, nga Republika e Venedikut kishin rënë nën qeverisjen e Francës. Ali Pasha ua mori Pervezën me luftë francezëve. Ndërkaq, Parga, pas rënies, së Napoleonit kishte rënë nën qeverisjen e Anglisë. Prandaj, këtë e mori nga anglezët. 


      Ndonëse Ali Pasha ishet një njeri i pashkolluar, ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo, ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi. Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër i shtoheshin edhe hilet. Duke burgosur njerëz në mënyrë djallëzore, e duke përdorur intrigat, shumë prej tyre i zhdukte e shumë herë i shtinte të vrasë vëllai vëllanë me dorën e vet që pastaj edhe këtë ta dënojë me vdekje sipas rregullës “krye për krye”. Ngjarja e Kardhiqit, që u përmend më lart, është një shembull tipik i intrigave dhe tiranisë së Ali Pashës. 


      Kudo që në Shqipëri do të kishte ndonjë familje me autoritet dhe me ndonjë ndikim, po qe se nuk i shkonte për shtati Ali Pashës, ai, një numër të anëtarëve të saj haptas ose msheftas i zhdukte ose i largonte prej aty. Ndërkaq, një grup prej tyre me propozimin e tyre, natyrisht për të shpëtuar jetën dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre ishin të shtrënguar t'i lënë shtëpitë e tyre dhe të ikin. I shpërndante nëpër vise të tjera të botës. Të varfërit assesi nuk mundnin të çonin krye nga punët angari. Vajzat dhe gratë e bukura i fajësonte duke konsideruar se shkaktojnë fatkeqësi, prandaj ato ishin të detyruara të fshihen. Meqë vetë ishte injorant, gjithnjë vepronte për shkatërrimin e diturive, edhe pse deri në atë kohë në Shqipëri populli me vetorganizim i mbante dijetarët dhe hoxhallarët. Bëri që të qiten në harresë fetë. Punët administrative i lë në duart e një grupi intrigantësh grekë. Edhe defterët, korrespondencat administrative si dhe shkresat e instancave më të larta shkruheshin me një gjuhë të rëndë greke që mund ta kuptonte vetëm ai. Shkurt, përveç ushqimit që e realizonte për çdo ditë, shkaktonte që në mes shqiptarëve të rritet dhe të përhapet padijenia, varfëria dhe amoraliteti. Nuk frikohej nga grekët, meqë edhe këta ishin vegël dhe pjesëmarrës në intrigat e tij; me fanatizmin e tij ndaj këtyre sillej në mënyrë të butë, e veçanërisht kur humbi besimin nga shqiptarët; për të vepruar kundër tyre armatosi një grup kapetanësh grekë. Këta pastaj, ato armë i përdorën për pavarësinë e Greqisë. 


      Ali Pasha duke qenë tepër lakmues dhe i etshëm për pozita e rriti forcën dhe ashpërsinë e qeverisjes aq sa mundi dhe kështu deshi të vazhdojë deri në fund të jetës së tij. 


      Mirëpo, më në fund, zullumet e shpeshta u reflektuan te Porta e Lartë. Edhe Pasho beu nga Janina, i cili ishte larguar dhe kishte kërkuar mbështetje (përkrahje) në Stamboll si i pakënaqur nga ai, përmes Halet efendiut të njohur kishte shpjeguar për qëllimin e pavarësisë së Ali Pashës. Në të vërtetë, për këtë u shqetësua Gadap Pasha. Sado që ishte shpallur urdhëresë mbretërore për largimin e thesarit shtetëror nga vilajeti i Janinës, Ali Pasha i cili e mbikqyrte atë thesar (pasuri) në vilajetin në të cilin qeveriste, paraqiti disa mënyra të mbrojtjes dhe disa arsyetime që nuk do të mund të bartet nga Janina. Këto kundërshtime si dhe mendimet e tij të shpjeguara më lart përforcojnë shkakun e pavarësisë. Prandaj, më 1235/1819 iu drejtua ushtria nën komandën e Hurshid Pashës. Bejlerët e Shqipërisë, zaten pjesa dërrmuese e tyre, të pakënaqur nga ai dhe, meqë nuk ndiheshin të sigurt i lëshuan radhët e tij dhe, meqë iu bashkuan Hurshid Pashës, Ali Pasha me një grup të vogël njerëzish (më besnikët) u mbyll në kala. Pasi bëri ballë një kohë, doli nga kalaja me qëllim që të dërgohet i gjallë te Porta e Lartë. Duke shkuar, në një manastir që ndodhej në një ishull të vogël të liqenit (të Janinës - M.P.), njerëzit që u dërguan nga ana e Hurshid Pashës i përdorën armët, të cilëve, në të njëjtën mënyrë iu përgjigj edhe ky. Me këtë rast, duke u goditur me plumba nga disa anë, vdiq. Ia prenë kokën dhe së bashku me kokat e tre djemve dhe një nipi ia dërguan në Stamboll. I varrosën jashtë Silivrikapisë. Trupin ia varrosën në kala të Janinës përballë një pallati (saraji) që u dogj, i cili deri vonë ishte konak i pushtetit. Ka një tyrbe të përsosur. 
Nga nipërit e Ali Pashë Tepelenës, Myftar Pasha-zade Mahmud beu një kohë të gjatë shëtiste nëpër Stamboll si prapagandor i njohur i veshur me veshje të sektës melamite; Veli Pasha-zade Selim Pasha u gjend muhafiz në muhafizllëkun e Beogradit dhe në detyra të tjera të larta, ndërsa vëllai i tij Ismail Pasha ka shërbyer në disa vilajete . 

 

      AMUXHA-ZADE HYSEJN PASHA  

 

Është nga vezirët e Perandorisë osmane që mori gradën e krye-ministrit (sadriazem) në kohën e Sullan Mustafa Hanit të Dytë. Është  pra, djali i mixhës së Qyprili-zade Fazil Ahmed Pashës, i cili ishte sadriazem pas Qyprili Mehmed Pashës. Për këtë arsye njihet me këtë ofiq . Edhe pse jetonte mirë kur ishte në pozita të larta shtetërore (sadriazem) mixha dhe djali i mixhës së tij dhe, edhe pse jetonte në kushte ideale në ditët e Maktul Mustafa Pashës , pas disfatës së Vienës  që ndodhi më 1095/1683 i ra autoriteti dhe, duke u caktuar në ejaletin e Zevrit dhe në  muhafezllëkun e Çardakut, qe larguar. Në vitin 1100/1688, duke u shpërblyer me gradën e vezirit, u caktua muhafiz në muhafezllëkun e Seddulbahrit dhe më 1102/1690, pasi qe caktuar kajmekam në Asitane, më 1105/1693 u internua në Sed-dulbahër. Më 1106/1694 duke marrë gradën e kapedanit (Kapudan), tregoi guxim dhe shërbim të mirë në pushtimin e Sakëzit. Pasi një kohë u përpoq lart t'i kthejë rregullin dhe paqën siujdhesës së përmendur më lart, për të dytën herë bëhet kajmekam i Asitanes dhe komandant i ekspeditës; poashtu iu besua detyra muhafiz i Beogradit. Më 1109/1697, kur u tërhoq për në Edrene, ishte në pozitë të lartë (sadriazem). Sido që të jetë, edhe pse i kishe filluar bisedimet për marrëveshje paqësore përmes delegatit anglez, të cilat, meqë nuk dhanë rezultate, tuboi dhe përgatiti ushtarët në Vefire dhe qe kthyer në Beograd. Pastaj, pasi nënshkruan marrëveshjen kthehet në Stamboll . Pas shërbimit të tij 5 vjeçar në postin e sadriazemit me mençuri e me drejtësi të plotë, për shkak të sëmundjes së rëndë që e kapi, më 1114/1702 kërkoi të lirohet nga detyra. U pensionua dhe, duke jetuar në çiflikun në afërsi të Silivrit, po në këtë vit vdiq. Kufomën ia patën dërguar në Stamboll. E varrosën në tyrben (mauzoleun) e posaçëm që e kishin përatitur afër Dar-ul-Hadithit të ndërtuar në lagjen e saraçëve. Edhe pse ishte një ministër i drejtë dhe i mençur, meqë ishte i dhënë pas dëfrimeve dhe kënaqësive, punët kryesore i pat lënë në duart e ministrit të punëve të jashtme, Rami efendiut . 

 

      AQIF MEHMED PASHA  

 

Ishte nga vezirët eminentë të Perandorisë Osmane. Rrjedh nga një familje e shquar tetovare, e cila është një familje e vjetër dhe e njohur në Shqipëri. Stërgjyshi i tij Rexhep Pasha kishte prejardhje lumjane, i cili një kohë shërbeu si vali në Selanik. U vra në frontin e Iranit, në kohën e Sulltan Ahmed Hanit. Edhe babai, Rexhep Pasha-zade Velijudin Hilmi beu  në ndërkohë u vra në More . Familja e tij ka afërsi me familjen e Pejës . 

      Aqif Mehmed Pasha lindi në kasabanë e Tetovës  në vitin 1238/1822. Pas vdekjes së t'et, shkoi te mixha i vet Ali Hifzi Pasha, i cili ishte vali i Shkupit. Aty u edukua dhe u shkollua. Pas kryengritjeve që u paraqitën në Shqipëri në fund të kohës së Sulltan Mahmud Hanit II, mixhallarët e tij Abdurrahmanin, Hifziun dhe Hasanin, me gjithë familje i detyruan të shpërngulen nga aty (nga Tetova dhe Shkupi - M.P.) dhe për disa vite i vendosën në vende të ndryshme të Anadollit. Mirëpo, disa vjet pas ardhjes së Sulltan Abdulmexhidit në fron, i solli në Stamboll. Në vitin 1265/1848 , me kënaqësi të madhe, me titullin haxhegjan, e emëruan sekretar në Kabinetin ministror. Pastaj, qe shpërblyer me gradën vezir i tretë dhe me një pjesë xhevahiri (gur i çmueshëm). Më pastaj, në luftën e Malit të Zi, bashkë me serdar Ekrem Omer Pashën, tregoi trimëri dhe aftësi të jashtëzakonshme. Kështu, aftësia dhe talenti i tij i jashtëzakonshëm shkencor, nga njëra anë dhe ai politik, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen dhe kujdesin e Reshid Pashës. Në vitin 1269/1852  përsëri me gradën mirmiran, emërohet mytesarrif në ejaletin e Shkupit, e pastaj bejlerbe i Rumelisë. Në vitin 1275/1858 , me gradën e vezirit emërohet vali i Bosnjës. Që nga kjo kohë shërbeu si veli në disa ejalete e pastaj vilajete: në vilajetin e Danubit , Edrenesë, Bagdadit, Konjës, Vanit, Xhezair Bahri Sefidit , nga një herë; në vilajetin e Prizrenit dhe Janinës, nga dy herë; në vilajetin e Selanikut dhe Bosnjës, nga tri herë. Në kohën e Sulltan Abdulaziz Hanit hyri në Kabinetin ministror për çështje të drejtësisë. Ndërkaq, në kohën e sulltanatit të Abdulhamidit dy herë u zgjodh kryetar në Këshillin e Lartë shtetëror. Në vitet e fundit të jetës, duke qenë në-punës në vilajetin e Xhezairi Bahri Sefidit, kërkoi të lirohet nga obligimet dhe detyrat. Një kohë pas kthyerjes në Stamboll, më 1311/1893, në moshën 73 vjeçare vdiq. U varros në oborrin e tyrbes (mauzoleut) së Fatih Sulltan Mehmed Hanit.

      Aqif Mehmed Pasha ishte njohës i shkëlqyeshëm i letërsive orientale. Ashtu siç kishte aftësi të jashtëzakonshme për të thurur poezi dhe për të shkruar shkrime të ndryshme në të tri gjuhët orientale (turke, arabe, persiane - M.P.), dinte të flasë bukur gjuhën amtare (gjuhën shqipe - M.P.) dhe gjuhën greke, po ashtu kishte aftësi të shkruajë edhe në gjuhën frënge. 

      Ishte personaltiet që shquhej për sjellje të mirë e moral, për fisnikëri e bujari, për drejtësi e trimëri, e njëkohësisht kishte afinitet për letërsi. 

      Nga djali i tij i madh, Salih Rashid beu , i cili, poashtu, ishte nga letrarët e talentuar të kohës dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit, ka informacione se ai (Aqif Mehmed Pasha - M.P.) ka lënë disa vepra të ruajtura që kanë të bëjnë me letërsi. Këto dy tri bejte të nxjerrura nga një gazel i njohur i tij, janë dëshmi që tregojnë për aftësitë e tij letrare në gjuhën persiane . 

      

      ARABAXHI ALI PASHA  

 

      Është nga vezirët që arriti postin e sadriazemit në kohën e Sulltan Ahmed Han-it të Dytë. Ishte nga Ohri. Në fillim ishte i angazhuar si imam dhe kadi në disa krahina. Ishte i njohur si Ali Hoxha, mirëpo, më vonë, duke ndryshuar veshjen (qëndrimet), hyri në shërbim të Koxha Halil Pashës.  Duke qenë anëtar në ministrinë e Ibrahim Pashës në Edrene, i bashkangjitet Qyprili-zade Mustafa Pashës, i cili ishte muhafiz në Baba-Dag, ku më vonë u bë ket-huda. Në ministrinë e të sipërpërmendurit mbeti një kohë të konsiderueshme në këtë funksion. Më 1101/1689 arriti të bëhet aga i bektashive; më 1102/1690 u bë kajmekam i oborrit të sulltanit; më 1103/1691, me dëshminë (dokumentin) e Qyprili-zade Mustafa Pashës, kaloi në postin e vezirit të madh (sadriazem). Pasi që në këtë funksion qëndroi gjashtë muaj, për shkak të veprimeve jo të mira, u dëbua për në Rodos. Pas një viti në siujdhesën e sipërpërmendur, u dënua me vdekje. Meqë në kohën e tij si vezir i madh u bë adet që njerëzit që i dëbonin t'i çojnë me karrocë (turq. araba), këtij iu dha ofiqi arabaxhi . 
   

      ARSLLAN PASHA  

 

      Ishte nga vezirët e kohës së Sullan Mehmed Hanit III. Meqë ishte nga rrethina e Janinës, në vitin 1190/1776  u bë vali i Janinës. Deri në vitin 1203/1788 kur Ali Pashë Tepelena emërohet vali i Janinës, vilajeti i Janinës ekskluzivisht qeverisej me gjeneratën e tij. Në anën veri-lindore të kalasë së Janinës, në një vend më të lartë, të dukshëm dhe shumë të bukur që dilte në liqe, Arsllan Pasha ndërtoi një xhami ideale, të përsosur, e cila është e njohur me emrin Xhamia e Arsllan Pashës (=turq. Arslan Pasha Camii). Në afërsi të xhamisë kishte disa medrese dhe një falëtore (tempull) të sektit nakshibendi. Aty gjenden varret, që në ato anë u thonë  të shenjta, të shejhave të këtij tempulli; të shejh Ali efendiut dhe pasardhësve të tij, shejh Jusufit dhe shejh Abidin efendiut si dhe tyrbja e shejh Sulejmanit nga Leskoviku, i cili është poet shqiptar. Para pushtimit, në vend të kësaj xhamie kishte një manastir me emrin “Aj Jani” ashtu që sipas kësaj edhe qytetit të Janinës i është dhënë emri Janja ose thënë më drejt Janina. Bejlerët e qytetit të Janinës janë pasardhës të këtij Arsllan Pashës. Në mes pasardhësve që qeverisnin në Janinë ishin edhe disa personalitete të tjera të quajtur Arsllan Pasha dhe Arsllan beg . 

   

      AZMI  

 

      Nga poetët e Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit  janë dy personalitete me këtë pseudonim:  I pari (Mustafa -) është prishtinas. Është vëllai i vogël i Luhit dhe Nuhit. Vëllai i tij Nuhiu u bë reis-ul-kuttabi (sekretar gjeneral) në sanxhakun e Shehzade Sulltan Mehmed bin Murat hanit III , kurse ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, u bë matbah katibi (shef kuzhine). Kur vdiq Shehzadea i lartpërmendur, ky u pensionua dhe deri sa vdiq jetoi i kënaqur dhe i lumtur . 

 

      BAJAZIT PASHA  

 

      Ishte nga njerëzit e besueshëm të Jëlldërëm Sulltan Bajazit Hanit. Është shqiptar. Kur padishahu i lartpërmendur u zu rob në luftën me Timurlengun, Bajazit Pasha u interesua ta shpëtojë nga dora e tatarëve Shehzade Çelebi Sulltan Mehmedin (djali i Jëlldërëm Sulltan Bajazitit - M.P.) që gjendej në internim dhe që ende ishte në moshën 15 vjeçare. Këtë e bëri me shumë vështirësi dhe mundime, sipas një interpretimi, vishej si lypës. Shehzaden gjithnjë e merrte pas vetes dhe shëndoshë e mirë e solli në kalanë e Amasijes. Kështu e pat shpëtuar prej rrezikut. Lartëmadhëria e tij Sulltan Mehmed Hani e çmoi sinqeritetin dhe besnikërinë, e tij, prandaj, duke e nderuar me gradën e vezirit, gjatë kohës së sulltanatit të vet e mori dhe e angazhoi si këshilltar të lartë. Gjithnjë e mbante pranë vetes. Sado që Izmirogllu Xhunejdi më parë i kishte premtuar se do të ia jepte vajzën këtij, nuk ia dha, por ia dha një shqiptari tjetër që quhej Abdullah, prandaj, Bajazit Pasha, i hidhëruar në këtë, në luftën që e bëri me Izmirogllu Xhunejdin, e zuri rob Abdullahun e sipërpërmendur dhe në shenjë hakmarrjeje, e tredhi. Edhe në një luftë që e bëri kundër Karamanogllit, doli ngadhnjyes. Padishahut i patë bërë shumë shërbime. Kur padishahu ishte i angazhuar me disa pushtime në anët e Selanikut, në anët e Ajdënit, një person me emrin Borklyxhe Mustafa organizoi kryengritje duke thirrë në ndihmë edhe të krishterët . Bajazit Pasha dhe Shehzade Sulltan Murat Hani u angazhuan në largimin dhe zhdukjen e të përmendurit. Edhe këtë herë patën sukses, ashtu që Borklyxhe Mustafain dhe bashkëmen-dimtarët e tij i eliminuan. Në vitin 824/1421, me vdekjen e Sulltan Mehmedit në Edrene, Bajazit Pasha në marrëveshje me sadriazem Ibrahim Pashën, e sollën Murat Hanin nga Amasja në Brusë dhe derisa hypi në fron ky (Sulltan Murati - M.P.), ia dolën ta mbajnë të fshehur vdekjen e tij. E paralajmëruan për rreziqet që mund t'i ndodhnin atij (Sulltan Muratit - M.P,) . 

      Edhe Hydavendigjari  e nderoi dhe e respektoi Bajazit Pashën. E emëroi serdar (kryekomandant) kundër Dyzme Mustafait , i cili u paraqit në anët e Selanikut në vitin 825/1421. Në luftën që ndodhi në lumin Sazli (Sazli-dere) në afërsi të Edrenes ushtria e tij u kthye në anën e e Dyzme Mustafait. Në këtë luftë u mund dhe u zu rob; iu dorëzua Xhynejdit i cili kaloi në pushtet, e ky, për të marrë hakun e dhëndrrit të tij, e vrau atë (Bajazit Pashën - M.P.). Në këtë luftë mori pjesë edhe vëllai i Bajazitit, Hamzai. Pasi edhe këtë e zunë rob, e liruan më pastaj. Më vonë ky, gjatë shërbimeve që i bëri në shtet, fjala është për shtetin (Osman - M.P.), gjeti rastin dhe e vrau Xhu-nej-din dhe kështu e mori hakun e vëllait . 

 

      BALLABAN BEU  

 

      Është nga personalitet e kohës së Ebu-l-Feth Sulltan Mehmed Hanit. Ishte me origjinë shqiptare. Si fëmijë u zu rob. U edukua në pallatet e Sulltanit. E pranoi fenë e respektuar islame. Ishte ndër më të parët që u hodh në sulm me rastin e pushtimit të Stambollit. Prandaj, i ra në sy për të mirë padishahut. Në vitin 870/1465 u dërgua në Shqipëri me 15 mijë kalorës dhe me 3 mijë ushtarë këmbësorë kundër Skënderbeut. Fitoi në betejën në afërsi të Dibrës. E zuri rob Mojsiun, njërin nga shokët më të guximshëm të Skënderbeut dhe gjashtë persona të tjerë nga krerët e tij. Pasi i dërgoi në Stamboll, u tërhoq në Ohër. E dërgoi në ndihmë një shqiptar me emrin Jakup. Derisa e pushtonin Beratin, Skënderbeu nuk u la kohë për konsolidim, por menjëherë i shtypi dhe i theu forcat e tij dhe Jakupin e vrau. Për këtë shkak Sulltani ia mësyu personalisht dhe me një fuqi të madhe. Pasi e rrethoi një kohë bukur të gjatë Krujën (d.m.th, Akça Hisarin) që ishte qendër e Skënderbeut, u kthye, kurse rrethimin e Krujës ia besoi Ballabanit. 

      Skënderbeu një natë doli nga kalaja dhe e kapi vëllanë e tij Junus beun dhe djalin e tij Hazar beun, të cilët i erdhën në ndihmë Ballabanit, Kur nga pjesa e sipërme e kalasë ia tregoi të lidhur, Ballabani nuk mundi të durojë dhe u vërsul në kala. Në këtë sulm u qëllua dhe vdiq . 

 

      BOGDANI  

 

      Ishte ipeshkv i katolikëve në Shqipëri para katër qind vjetësh . Ka shkruar një libër të madh në gjuhën shqipe në të cilin shtjellon çështje fetare dhe një poemë përkitazi me fjalime dhe këshilla. Këto dy libra së bashku me veprat e një ipeshkvi tjetër me emrin Budi , meqë janë shkruar me një gjuhë shumë të pastër dhe letrare, mund të numërohen dhe të konsiderohen si bazë letrare e gjuhë së përmendur. Disa herë janë botuar në Romë . 

   

      BUSHATLINJTË  

 

      Është një familje e cila, duke trashëguar njëri tjetrin, ka qeverisur vilajetin e Shkodrës, pjesën më të madhe të Gegërisë, që nga vitet e para të shekullit të dymbëdhjetë e deri në vitet e para të shekullit të trembëdhjetë sipas hixhretit , d.m.th. rreth njëqind vjet . Theme-luesi i kësaj dinastie Mehmed Pasha , ishte nga bejlerët e fshatit Bushat. U shpërngul për në Shkodër. Me aftësitë dhe dredhitë e tij fitoi autoritet të madh. I shtiu në dorë (i përfitoi) të gjithë valitë e Shkodrës dhe në fund ia arriti që t'i shtijë ata ta njohin atë për vali. Pasi u bë vali, armiqtë dhe shokët e tij, që në një mënyrë do të bëheshin rivalë të tij, i eliminoi dhe kështu fitoi fuqi të madhe. Gjatë luftës së Rusisë në ishullin e Moresë, nga ana e Portës së Lartë kundër bejlerëve të Toskërisë, të cilët ishin të padëgjueshëm në disa veprime të tyre, u dërgua Mustafa Pasha, djali i madh i Mehmed Pashës. Mirëpo, meqë edhe ushtria e tij veproi në mënyrë të njëjtë, këtë e mbytën me helm. Atëbotë vdiq edhe Mehmed Pasha. Tani vali i Shkodrës bëhet Mahmud Pasha, djali i dytë i tij (i Mehmed Pashës - M.P.) i njohur me emrin Kara Mahmud Pasha . Ishte trim i madh, i kujdesshëm dhe i aftë. Sado që i bëri shërbime të mëdha Shtetit Osman në More dhe në Mal të Zi, e pastaj, edhe në disa vende me të cilat kishte marrëdhënie shtetërore, siç ishin Republika e Venedikut dhe Austria, iu shmang. Meqë me kokë të vetë hyri në Mal të Zi dhe e sulmoi këtë vend disa herë dhe, meqë nuk u pajtua me urdhërat dhe rekomandimet që iu dhanë nga ana e Portës së Lartë, për ta bindur këtë, u dërgua një ushtri. Mirëpo, meqë ngadhnjente, edhe më tutje vazhdonte t'i realizojë qëndrimet e veta. Për kërkesën e tij për pavarësi nxitej edhe nga ana e Austrisë dhe Venedikut. Këto qëllime u kuptuan nga ana e Portës së Lartë, prandaj, kundër tij u dërgua një ushtri nën komandën e Ali Pashë Tepelenës dhe pashallarëve të tjerë. Edhe pse u rrethua në Shkodër, nga qëndrimet dhe sjellejt e tyre korrekte, pati dobi (shfrytëzoi) dhe, kështu, përsëri shpëtoi. Dy shtetet e përmendura e përshëndetën dhe e uruan për këtë  fitore dhe njëkohësisht e nxitin edhe më tutje. Mirëpo, duke kuptuar më vonë se qëllimet e këtyre shteteve shkonin në dëm të popullatës muslimane,  i likuidoi delegatët që i dërgoi së fundi Austria. Letrat dhe dhuratat e veta ia patë dërguar Portës së Lartë. U thye në njërin nga sulmet që deshi ta nënshtrojë Malin e Zi. U vra në fushëbetejë. Vëllai i tij Ahmed Pasha, i cili ishte pas tij, u kap nga ana e komandantëve të Rumelisë gjatë kësaj kryengritjeje dhe, meqë u dënua me vdekje, vali i Shkodrës u bë vëllai i tij i vogël, Ibrahim Pasha. Ky personalitet, duke treguar besnikëri dhe dëgjueshmëri të plotë në kryerjen e punëve të Shtetit Osman, i bëri shërbime të mëdha shtetit në zhdukjen dhe shpartallimin e kryengritësve dhe disa bandave plaçkitëse. Meqë nuk la fëmijë kur vdiq, vali i Shkodrës u bë Mustafa Pasha, djali i Kara Mahmud Pashës. Edhe ky, duke kërkuar pavarësi, shkonte hapave të babait të vet. Për këtë. nxitej nga ana e Rusisë përmes Milloshit të Serbisë. Në këtë kohë filloi lufta ruso-turke. Nga thyerja dhe angazhimi i Shtetit Osman në këtë luftë përfitoi dhe shkoi përpara deri në Sofje dhe Pllovdiv . Gjatë udhëtimit rrënoi gjithçka. Për shkak të sistemit të ri (Nizam-i Xhedid) , Mustafa Pasha ishte i pakënaqur, por të pakënaqur ishin edhe bejlerët e tjerë, prandaj iu përgjigjën thirrjes së tij. Këtë herë, ndërkaq, marrja dhe ekzekutimi i Ali Pashë Tepelenës e shqetësoi, prandaj u hutua dhe u trondit. Përsëri, duke iu nënshtruar nxitjeve, me 30-40 mijë shqiptarë shkoi deri në Prilep, mirëpo, veziri i madh Reshid Pasha që gjendej në Manastir i ktheu bejlerët shqiptarë në anën e Shtetit Perandorak. Me një pjesë të ushtrisë së rregullt dhe me ushtarët toskë, menjëherë e theu ushtrinë e Mustafa Pashës. Pasi humbi betejën, Mustafa Pasha iku në Shkodër. Edhe pse u mbyll në kështjellë (kala) më në fund qe i shtrënguar të dorëzohet. U dërgua në Stamboll dhe u fal nga ana e Sulltan Mahmudit. I caktoi një rrogë dhe e emëroi vali në Ajdën dhe në disa viljate të tjera. Shërbeu në Shtetin Osman deri sa vdqi. Hasan Pasha i cili tani (lexo në kohën e Sami Frashërit - M.P.) është vali i Halepit dhe Riza beu që është anëtar  i Këshillit shtetëror janë të këtij personi (Mustafa Pashës - M.P.) . 

 

      DAUT PASHA  

 

      Është nga vezirët që arriti në ministri në kohën e Sulltan Bajazit Hanit II. Është me origjinë shqiptare. Kur ishte fëmijë u zu rob. Pas pranimit të rrugë së drejtë (pas pranimit të fesë islame - M.P.) dhe, për shkak të talentit të tij të lindur, duke marrë gradë pas grade, në kohën e sulltanatit të Ebul-Fet'h Sulltan Mehmed Hanit II u bë bejlerbe i Rumelisë. U gjend në disa shërbime (detyra) të rëndësishme, si p.sh. me rastin e rrethimit të Shkodrës. Në vitin 888/1483, në kohën e Sulltan Bajazit Hanit,  duke qenë bejlberbe i Anadollit, kaloi në postin e vezirit të madh pas Ishak Pashës dhe kështu 14 vjet me sukses i udhëhoqi punët e rëndësishme të shtetit Osman. E drejtoi ushtrinë kundër Karamanit dhe pati sukses në shuarjen e kryengritjes që u paraqit atje. Në vitin 902/1496 u largua dhe u tërhoq të jetojë në qetësi në Dimotikë , duke marrë një pension të plotë dhe të mjaftueshëm. Pas dy vitesh aty vdiq. Kufomën ia dërguan në Stamboll. E varrosën në tyrben e posaçme para mihrabit të xhamisë që ishte ndërtuar për të. Ishte një vezir i cili i donte dijetarët, fetar i madh dhe intelegjent. Në Stamboll, në lagjen e pagëzuar me emër të tij ka ndërtuar xhami sherif, medrese, mekteb, çeshme dhe imaret-hane. Kësi lloj të mirash materiale ka lënë edhe në disa vende të tjera. Edhe fushës jashtë Stambollit, ku dikur fillonin aksionet e ushtrisë osmane  për në drejtim të Rumelisë, i është dhënë emri i tij, madje edhe kazerma që gjendet sot (lexo në kohën e Samiut - M.P.) në vendin e përmendur e mban emrin e tij . 

  

      DORA D'ISTRIA   (Elena Gjika) 


      Ishte një zonjë shumë e zgjuar për shkencë dhe arsim dhe shumë e njohur me studime shkencore. Rrjedh nga familja Gjika e cila ishte një familje princash në Vllahi-në Rumani. Emri i vërtetë i saj është Elena Gjika. Në shkrimet e veta nënshkruhej me pseudonimin, pra, Dora d'Istria. Është fëmija i vëllait të Aleksandër Gjikës, princ i Vllahisë, vajza e Mihal Gjikës. Lindi në Bukuresht  në vitin 1829. Pasi i mbaroi mësimet universitare, një kohë bukur të gjatë shëtiti nëpër Gjermani, Zvicër, Itali, Belgjikë dhe në vende të tjera të Evropës dhe, duke qëndruar më gjatë në disa vende, pati mundësi t'i zgjerojë dituritë e veta. Përveç gjuhëve të vjetra: greqishtes së vjetër dhe latinishtes, i mësoi edhe të gjitha gjuhët e reja të Evropës. Që nga mosha pesëmbëdhjetëvjeçare, në gjuhën gjermane e përktheu poemën e njohur “Iliada” të Homerit. Ka shkruar edhe një varg broshurash teatrale. Aq sa ishte e mirë dhe e bukur, po aq ishte e dijshme dhe e mençme. Në vitin 1849 u martua me Kolçof Masoliskin, një nga princat e Rusisë, mirëpo, dëshira e flaktë që e kishte për hulumtime shkencore dhe letrare e shqetësonin të jetojë nën sundimin e një burri, prandaj, pa kaluar shumë kohë, u nda prej tij. Përsëri ia mësyu botës. Më në fund vendosi të jetojë në Firencë. Ka shkruar, për shembull, një vepër shumë të çmueshme në dy vëllime, me titull “¼arkda Kad¢nlar”  (Gratë në Lindje); një libër tjetër të rëndësishëm me titull “Kad¢nlar Hakk¢nda bir Kad¢n¢n Mutalaati” (Mendimet dhe studimet e një gruaje për gratë) si dhe shumë shkrime të tjera, shumicën e të cilave i ka shkruar në gjuhën frënge dhe në gjuhën italiane. Çdonjëri prej këtyre shkrimeve janë dëshmi e vërtetë për të arriturat e saj shkencore. Ka shkruar shumë artikuj të fortë shkencorë dhe letrarë në revistat e kohës që dilnin në Itali dhe Francë; më së shumti i botonte në revistën e njohur shkencore dhe letrare Revue des deux mondes. 

      Duke mos harruar se familja Gjika është një familje shqiptare, ajo botoi shumë artikuj përkitazi për gjendjen, karakterin, moralin dhe krenarinë e popullit shqiptar. Është pranuar anëtare e akademisë nga ana e shumë akademive, madje, edhe pse disa akademi nuk i pranonin gratë, për këtë, biografia e së cilës po shkruhet këtu, duke bërë përjashtim, i prishën principet dhe rregullat e tyre. Ajo thirrej edhe nga shoqatat shkencore që formoheshin madje edhe në Amerikë. Vdiq në vitin 1890 në Firencë. Kishte talent e shkathtësi edhe në pikturë . 

  

      DUKAGJIN - ZADE AHMED BEU  

 

      Është nga poetët e shekullit të dhjetë. Edhe ky është nga trashëgimtarët e princave të Dukagjinit. Edhe pse kishte një zeamet (timar të madh) të vlefshëm, qe i shtrënguar të tërhiqet në vetmi në një teqe të lënë pas dore. Ka shkruar poezi  me tematikë për varfërinë, skamjen dhe tesavvufin . 

 

      DUKAGJIN - ZADE MEHMED PASHA  

 

      Është nga vezirët e kohës së Sulltan Selim Hanit dhe të kohës së Sulltan Sulejman Ligjëdhënësit (turq. Kanuni Sulltan Sulejman.) Është më i mbrami djalë nga princat e Dukagjinit. Ishte nga ata që më së shumti i shërbeu Sulltan Selimit. Ishte dhëndri i padishahut të lartpërmendur (Sulltan Selimit - M.P.) Pas një kohe shërbeu si vali në Halep , e më pastaj në Egjipt. Në vitin 962/1554 u largua dhe u kthye në Stamboll, ku pas një kohe vdiq . 

   

      DUKAGJIN - ZADE OSMAN EFENDIU  

 

      Është nga ulematë (dijetarët) e kohës së Sulltan Muratit III. Është djali i Dukagjin- zade Mehmed Pashës. Më 1009/1600 ishte kadi i Stambollit. Me çështjen e kadilerëve u mor dy vjet. I mblodhi dhe i shkroi biografitë e kadilerëve të Stambollit me një rend alfabetik, ndërkaq në emër të padishahut të lartpërmendur pat shkruar një libër me titull “Ez-har-i Xhemail” (Lulet e bukura). Vdiq, si duket, pas vitit 1012/1603 .

 
      FERHAT PASHA  

 

      Është nga vezirët (ministrat) që në kohën e Sulltan Mehmed Hanit III dy herë kaloi në postin e kryeministrit (sadriazemit). Është me origjinë shqiptare. Ka mësuar dhe është edukuar në oborrin mbretëror (Harem-i Hymajun). Pasi nga aty doli me gradën kapuxhi-bashë, në kohën e Sulltan Murat Han-it III së pari u bë mirahor e pastaj aga i jeniçerëve; më pastaj vali i Rumelisë. Me gradën vezir i katërt, hyri në kategorinë e vezirëve. Në ekspeditën ushtarake të Iranit që u hap në vitin 986/1578 shkoi si serdar (kryekomandant). Arriti të bëhet i famshëm për sukseset e tij. Duke lidhur marrëveshje dhe duke marrë me vete si peng djalin e vëllait të Shahut që ishte mirza (titull ushtarak në Iran) shumë i guximshëm, u kthye. Pas largimit të Sinan Pashës , më 999/1590 për të dytën herë u bë vezir i dytë dhe iu besua detyra e lartë shtetërore dhe me përgjegjësi (myhyri i sadrizaemit). Pasi i udhëhoqi punët shtetërore 8 muaj, e shkarkuan dhe e kthyen në detyrën e mëparshme. Në vitin 1003/1594, me ardhjen e Sulltan Mehmed Hanit III në fron, për të dytën herë bëhet vezir i madh (sadriazëm). Pastaj, kur u hap fronti i Vllahisë , ndërtoi urën mbi Danub. Në kohën kur ia filloi luftës, pa farë shkaku iku, duke mos pritur zëvendësimin. Erdhi në çiflikun e tij që e kishte në afërsi të Stambollit dhe aty u mëshef. Pas një kohe të shkurtër e paraqitën dhe e burgosën në Jedikule . e dënuan me vdekje dhe e varrosën në lagjen “Ebu Ejup Ensari”, Zoti e mëshiroftë! Si kryeministër (sadriazem) shërbeu, herën e parë 8, e herën e dytë 6 muaj, d.m.th. gjithsej 14 muaj. Ishte një personalitet trim, i drejtë dhe i fuqishëm, sidomos është i çmueshëm rezultati dhe shërbimi që e bëri në luftën e Iranit. Rivaliteti i Sinan Pashës ndaj tij, i cili ishte bashkëkombës i tij, i shkaktoi fatkeqësi dhe dëm . 

  
 

      FEVRI   (Mevlana Ahmed bin Abdullah) 


      Ishte nga poetët e shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është me origjinë shqiptare. Kur ishte fëmijë ishte i krishterë, mirëpo, kur ra në duart e gazive (luftëtarë për përhapjen e fesë islame) dhe ashtu, duke rënë dorë në dorë, me talentin e tij natyror mësonte diturinë islame. Muhidin Arabiu , Zoti e mëshiroftë, kishte parë ëndërr që këtë (Fevriun - M.P.) e kishte borxh ta mësojë, prandaj e pati mësuar dhe udhëzuar drejt në fenë islame. Pasi i përvetësoi dituritë islame, u bë muderris dhe dha mësim në disa medrese. Pat shkuar edhe në ekspeditën e Nahxhevanit bashkë me Sulltan Sulejmanin. Në fund u bë myfti i Shamit (Damaskut), ku më 978/1570 vdiq. Shkruante poezi dhe krijime të tjera letrare. Merrej edhe me probleme shkencore. Ka shkruar librin “Dyrer Gyrer” (Margaritarët e shkëlqyeshëm) me komente e shpjegime në margjina të tij si dhe libra të tjerë mësimorë, poashtu me shpjegime. Ka shkruar poezi të bukura në të tri gjuhët islame . Ky është një personalitet që ka mbledhur dhe radhitur divanin e Kanuni Sulltan Sulejmanit. Ka lënë një divan (përmbledhje poezish) në gjuhën turke-osmane. Ja një bejt nga poezia e tij: 

 
Të vdekurit i lanë kujtimet nga kjo botë 

 Janë shtri në shpinë dhe janë përgatitur . 

 

      GEDIK AHMET PASHA  

 

      Ishte nga vezirët e njohur të Perandorisë Osmane. Ishte trim i jashtëzakonshëm, guximtar, i mençur dhe i aftë . Në kohën e sulltanatit të Ebu-l-Fet'h Sulltan Mehmet Hanit shërbeu katër vjet në postin e kryeministrit (sadriazem). Ishte i sektit bektashian në oxha-kun (korpusin) e jeniçerëve. Meqë ishte shumë trim, së pari arriti gradën e bejlerbeut, e pastaj, të vezirit të madh. Fitoi simpatinë dhe dashurinë e Padishahut të vet. Në shumë luftëra ishte serdar (komandant suprem). Plotësisht i mundi dhe i shkatërroi kryengritësit e Karamanit. Ashtu si i pushtoi Silifken dhe Ermanikinë, poashtu u dallua me trimëri dhe aftësi edhe në ekspeditën ushtarake në Trabzon (Trapezunt). Në vitin 878/1473 u ngrit në gradën sadriazem (kryeministër) dhe, duke qenë në këtë post, me 300 anije dhe me flotën doli në Detin e Zi. E pushtoi dhe e nënshtroi Kaffanë që kishte rënë në duar e gjenovasve (italisht Genova - M.P.) si dhe Menku-hisarin dhe tërë bregdetin Azof  deri në kufirin e Çerkistanit. Kështu, pati sukses të madh t'i zgjërojë kufijtë e Perandorisë Osmane në ato anë. Në vitin 882/1477 u emërua serdar për ta nënshtruar Iskenderinë e Shqipërisë (d.m.th. Shkodrën) . Sado që i paraqiti disa vërejtje rreth mospranimit të kësaj detyre, Padishahu për ato vërejtje që i paraqiti ai nuk deshi të dëgjojë dot, por në mënyrë kategorike i hodhi poshtë dhe këtë (Gedik Ahmet Pashën - M.P.) menjëherë e hoqi nga posti i vezirit të madh dhe e burgosi në kalanë e Bogaz - kessit (d.m.th. në Anadoll-hisar) . Mirëpo më vonë, duke e kuptuar Padishahu të vërtetën se pse nuk u pajtua ta pushtojë në atë moment kalanë e Shkodrës , me ndërmjetësimin e Hersek-zade Ahmed Pashës, e nxori nga burgu. Shërbeu me pagë plotësuese (arpallëk) në pushtimin e Vlorës. Në Vlorë, pastaj, u përgatit për sulme të mëtejme të kalave dhe qyteteve . Në vitin 886/1481 për t'ia uruar ardhjen në fron Sulltan Bajazitit II erdhi në Stamboll. Doli fitues kundër princit Xhem . Sado që tregoi trimëri në luftërat që i bëri, e tepronte paksa në mënyrën e përdorimit të diktaturës dhe, meqë e kalonte kufirin, e zemëroi padishahun, i cili e ekzekutoi në Edrene, në hamam . Gedik Ahmed Pasha ka lënë disa hajrate, kurse në Stamboll ndërtoi një hamam. Mëhalla (Gedik Pasha) mban emrin e tij . 

   

      GJIRITLI MUSTAFA NAILI PASHA  

 

      Është nga sadriazemët (kryeministrat) e kohës së Sulltan Abdylmexhid Hanit. Lindi në fshatin Bojanë që ndodhet në kazanë dhe sanxhakun e Korçës të vilajetit të Manastirit në Shqipëri. Rrjedh nga një familje e vjetër vezirësh. Meqë një kohë të gjatë qëndroi në vilajetin e Kretës , u bë i njohur me pseudonimin Gjiritli. Bashkë me Ismail Beun, baba i tij, iu bashkua Plasali Tahir Pashës  të cilin e kishte dajë. Ia mësyen Egjiptit me ushtri me qëllim që t'i përzënë francezët nga Egjipti. Tahir Pasha pasi që u bë vali, vdiq aty. Vëllai i tij Hasan Pasha u bë komandant (serkerde) me gradën mirmiran në kohën e valiut të ndjerë Mehmed Ali Pashës. Edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, pat mbetur  me të. Shkoi në Hixhaz bashkë me ushtrinë egjiptiane  e cila u drejtua nga ana e Mehmed Aliut për të kundërshtuar vehabitët. 
Meqë tregoi trimëri në luftërat të cilat zgjatën 5 vjet, arriti të marrë gradën serkerde (komandant). Për të shuar kryengritjen që u paraqit në Kretë dhe, për të kthyer paqë e qetësi këtu, në vitin 1237/1821 Hasan Pasha i lartpërmendur u urdhërua që me ushtrinë egjiptiane të shkojë në Kretë me të cilin shkoi edhe ky (Mustafa Naili Pasha - M.P.). Pa kaluar shumë kohë Hasan Pasha vdiq. Komandimi iu besua këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, i cili mbante gradën mirmiran. Atëherë, si shpërblim për shërbimet që i bëri në More me ushtrinë egjiptase të Ibrahim Pashës, kur iu besua Mehmed Ali Pashës së sipërpërmendur qeverisja e ishullit të Kretës, këtij biografia e të cilit shkruhet këtu, iu vazhdua detyra si vali. Pati sukses në zhdukjen dhe shtypjen e bandave plaçkitëse si dhe në vendosjen e barazisë dhe bashkëjetesës në mes popullit musliman dhe të krishterë. 

      Pasi që u muar me udhëheqjen e punëve shtetërore si në atë egjiptase dhe si, pastaj, drejpërdrejtë në atë të Shtetit Osman, hap pas hapi, plot tridhjetë vjet, shumë mirë qeverisi ishullin e Kretës. Pat arritur të marë poste në ministri, të fitojë dekorata dhe shpërblime  të tjera. Më 1265/1848 e shuajti shpejt dhe plotësisht një kryengritje që përsëri shpërtheu në Kretë. Meqë pati sukses në vënien e rendit dhe qetësisë, për suksesin e jashtëzakonshëm, qe graduar edhe me gradën ministër (vezir). Më 1267/1850 u ndërrua nga detyra. Erdhi në Stamboll, ku u caktua anëtar i Këshillit të Lartë për çështje të drejtësisë (Mexhlis-i Vâlâ-i Ahkâm-i Adlije), e pastaj edhe anëtar i Kryesisë supreme (Rijasetit). Qe shpërblyer me dekorata: Mexhidijen e dytë e pastaj edhe me Mexhidijen e parë . Më 1269/1852 ishte emëruar kryeministër (sadriazem). Pasi shërbeu në këtë post 1 vjet e 26 ditë, më 1270/1853 u ndërrua nga ky post dhe u caktua të punojë në Këshillin e posaçëm të ministrave (Mexhlis-i Hass-i Vukela). Ndërsa në vitin 1273/1856 për të dytën herë bëhet kryeministër (sadriazem), por, pas afër tre muaj në këtë pozitë, përsëri u ndërrua. U tërhoq anash që të pushojë, por përsëri, po atë vit, u angazhua të punojë në Këshillin e Lartë shtetëror (Mexhalisi-i Alije). Më 1278/1861 në kohën e Sulltan Abdulazizit u shpërblye edhe me dekoratën e parë të Shtetit Osman. Më 1289/1872 në moshën 76 vjeçare  ndërroi jetë. Është varrosur në oborrin e xhamisë Fatih. Shumë mirë i ka ditur gjuhët: turke, arabe, greke dhe shqipe. Ka qenë i njohur edhe për bujari, respekt dhe paqëdashësi . 

 

      HALIL PASHA  

 

      Është nga vezirët i cili kaloi në funksione të larta në ministri në kohën e Sulltan Ahmed Hanit III. Është me origjinë shqiptare, elbasanas. Kur vëllai i tij Sinan aga u bë bostanxhi-bashë, erdhën në Janinë dhe pastaj bashkë me Kallajli Mehmed Pashën shkuan në Bagdad. Kur u kthye, duke marrë gradë pas grade, u bë bostanxhi-bashë në oxhakun (korpusin) e jeniçerëve. Shërbimet e tij pranoheshin te padishahu, pastaj, duke u aftësua edhe më tepër, më 1128/1715 me gradën mir-i miran u dërgua të shërbejë në ejaletin e Erzurumit. Ishte koha e ekspeditës së Austrisë. U urdhërua ta renovojë kalanë e Nishit. Meqë tregoi sukses të mirë në këtë çështje, sado që u dërgua me detyrë në ejaletin e Dijar-Bekrit, për shkak të nevojës qe transferuar në Pashallëkun e Beogradit. Në atë kohë u vra sadriazemi Ali Pasha. Duke e parë të nevojshme të emërohet serdar një personalitet i meritueshëm, për shkak të famës që e fitoi në oborrin mbretëror, në muajin ramazan  të vitit të përmendur, iu besua myhyri i ministrisë (detyra e kryeministrit). Po në atë vit, në muajin zulhixhxhe  u kthye në garnizonin dimëror në Edrene. Pasi u nderua nga padishahu, në muajin rexhep  të vitit 1129/1716, me ushtrinë osmane shkoi në frontin e Beogradit, por nuk pati sukses në këtë luftë. Kur u kthye në Nish, u largua nga ministria dhe, sado që u emërua në ejaletin e Selanikut, e kapi një dyshim, prandaj iku dhe u mshef. Pasi qëndroi një vjet në ilegalitet, për shkak se u mërzit në jetën ushtarake, u tërhoq dhe u emërua në muhafezllëkun e Bogaz-hisarit. Gjatë kohës në ilegalitet e kishte pranuar ket-huda Abdi Haskiun i cili e kishte fshehur. Më 1140/1727, pra pas një pauze, duke iu kthyer grada e vezirit u emërua në muhafezllëkun e Agribozit, e pastaj në atë të Kandijes dhe Hanijes dhe përsëri në atë të Kandijes dhe aty u tërhoq nga aktiviteti. Shërbeu në ministri afër 13 muaj. ishte modest, jomendjemadh dhe shumë fetar . 

 

      HAMZA BEU  

 

      Ishte nga burrat më të zgjedhur të Sulltan Murat Hanit II. Është vëllai i shqiptarit, Bajazit Pashës, i cili ishte shok besnik në internim i Çelebi Sulltan Mehmed Hanit. Edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, ka qenë në shërbim të tre pashallarëve, d.m.th. në shërbim të Çelebi Sulltan Mehmedit, të Sulltan Muratit II dhe Ebu-l-Fet'h Sulltan Mehmedit II. Në kohën e Çelebi Sulltan Mehmedit ishte komandant i Labiskisë dhe i pengonte venedikasit të dalin aty. Bënte edhe shërbime të tjera. Në kohën  e Sulltan Muratit II, ishte bashkë me vëllain e tij, Bajazit Pashën e lartpërmendur, i cili veproi kundër Dyzme Mustafait. Në humbjen që e patën te lumi Sazli, që të dy u zunë rob dhe ky i dyti (Bajazit Pasha - M. P.) iu dorëzua për hakmarrje Izmiroglli Xhynejdit, i cili gjendej në vend të vezirit të Dyzme Mustafait. Bajazit Pashën e vranë, kurse Hamza beun e patën lëshuar. Që atëherë tërhoqi simpatinë dhe dashurinë e padishahut, Sulltan Murat Hanit II. Kur u urdhërua për zhdukjen dhe likuidimin e Xhynejdit, i cili përsëri organizoi kryengritje në Izmir, për një kohë shumë të shkurtër e kreu këtë detyrë në favor të vet . E vrau Xhynejdin, ndihmësit dhe të afërmit e tij, ndërkaq, kokat e prera të tyre i dërgoi në Edrene. U caktua të shërbejë në sanxhakun e Galipolit në kohën e Sulltan Mehmedit II. U vu në krye të detyrës për t'i pushtuar ujdhesat me ndihmën e flotës, mirëpo, meqë flota osmane ende nuk ishte në rangun e flotës së Venedikut, këtë herë nuk pati aq sukses. U kthye në Edrene dhe iu nënshtrua padishahut. Padishahu, duke i respektuar shërbimet që ia bëri babait të tij, e fali dhe e dërgoi në detyrë të re, në sanxhakun e Antalisë. Pastaj, u urdhërua të shpëtojë kalanë e kojunëve që kishte rënë në duart e Uzun Hasanit . Në këtë betejë doli fitimtar. Përsëri tërhoqi vëmendjen e padishahut, i cili e bëri bejlerbe të Rumelisë. Pastaj u urdhërua ta eliminojë Is'hak beun, beg i Karamanit. Këtë e mundi plotësisht dhe e detyroi të ikë. Pas kësaj, meqë nuk haset emri i tij në historinë osmane, merret vesh se nuk ka jetuar edhe shumë kohë. Ka një xhami (camii sherif - xhami e ndershme) shumë të bukur në Brusë si dhe medrese e bibiliotekë. Edhe pse ishte trim i jashtëzakonshëm, në histori përmendet se ishte, për nga natyra, një personalitet shumë i qetë dhe i butë. 

    

      HAMZA BEU  

 

      Është djali i vëllait të shqiptarit të njohur, Skënderbeut. Kur i ati i tij ishte i ri, bashkë me një vëlla tjetër dhe me Skënderbeun, duke u marrë peng nga ana e Sulltan Muratit II, qe edukuar në oborrin e Sulltanit dhe pat pranuar Fenë islame. Edhe Hamzai u rrit në këtë rreth. Pas kësaj mixha i tij - Skënderbeu, kur iku për në Shqipëri, e shoqëroi edhe ky. Në luftat që i fitoi Skënderbeu në kohën e Sulltan Muratit II, i pat ndihmuar shumë edhe Hamzai i guximshëm dhe trim. Mirëpo, më pastaj, në kohën e Sulltan Mehmet Hanit II, Hamzai u nda nga Skënderbeu. Meqë iu premtua të bëhet beg i Shqipërisë, pranoi të punojë në shtet (Osman - M.P.) kundër Skënderbeut. Ai bashkë me Yrnysbeg-zade Isa beun, duke qenë në krye të 40 mijë kalorësve  osmanë, hyri në Shqipëri. Sado që në fillim e detyruan Skënderbeun të tërhiqet në qytetin e Lezhës, i cili gjendej në duart e venedikasve, më pastaj Skënderbeu në saje të aftësisë dhe shkathtësisë që e kishte, doli fitues. Në luftën që u zhvillua në mes tyre, u vra Isa beu , ndërsa Hamzai u zu rob. Edhe pse padishahu i ofroi shpërblim, Skënderbeu nuk u pajtua në fillim që ta dorëzojë nipin e tij, ndonëse në atë rast bënë një marrëveshje mashtruese për dorëzimin e Hamzait. I pat premtuar që kur të arrijë në Stamboll do të marrë bashkëshorten dhe fëmijët dhe do të kthehet. Edhe Skënderbeu e pranoi këtë propozim. Dhe, pak kohë pasi u dorëzua, Hamzai vdiq. Kështu premtimin që ia dha mixhës së tij, nuk mundi ta realizojë. Në historinë evropiane në vend Hamza përdoret gabimisht Ameza . 

   

      HASAN PASHA   (Princ i Egjiptit) 


      Është vëllai i Teufik Pashës i cili është ende (lexo në kohën e Sami Frashërit - M.P.) hidiv i Egjiptit dhe është djali i tretë i ish-hidivit, Ismail Pashës. Pasi i mbaroi studimet në Egjipt dhe në Evropë dhe pasi i studioi shkencat ushtarake dhe gjuhët evropiane, u kthye në Egjipt dhe hyri të punojë në ushtri. Në luftën kundër Abisinisë  tregoi trimëri, aftësi dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Mori pjesë edhe në luftën e fundit kundër Rusisë si dhe, me ushtrinë egjiptiane, u gjend në anët e Varnës, ku tregoi sukses të madh. Kur u larguan prindërit e tij nga Egjipti, edhe ky së bashku me ta shkoi në Evropë. Pas një kohe erdhi në Stamboll. Për shkak të karakterit të tij të butë dhe moralit të shkëlqyeshëm, e kur t'u shtohet këtyre edhe zgjuarsia dhe njohuritë, tërhoqi vëmendjen dhe kujdesin e Sulltanit. U bë shumë i dashur te ai, madje e nderoi me gradën Javer-i Ekrem (gjeneral-agjutant). Meqë arriti një gradë aq të lartë, pranoi shumë dekorata si nga shteti Osman ashtu edhe nga shtetet e huaja. Mirëpo, ende pa i mbushur të 35-tat, në vitin 1306/1888 vdiq në Stamboll. Trupin ia dërguan në Egjipt. E varrosën pranë gjyshërve dhe stërgjyshërve të vet . 

  

HOXHA HASAN TAHSINI  

 

      Është nga ulematë (shkencëtarët) e periudhës së fundit të Perandorisë Osmane. Ishte i pajisur me njohuri të shkencave natyrore-matematikore dhe tradicionale (teologjike); i njihte për mrekulli gjuhët lindore dhe perëndimore, përmes të cilave u thellua në shkencat e reja (shkencat ekzakte). Është shqiptar. Lindi në një fshat të Kazasë së Filatit në anët e Çamërisë. meqë babai i tij ishte me detyrë të kadiut, ky (Hoxha Hasan Tahsini - M.P.) fëmijërinë e kaloi pranë tij. Mësimet e para i mori nga i ati. Pastaj shkoi në Stamboll dhe shfrytëzoi rastin të hyjë në medrese. Pasi u diplomua aty, reformatori i madh i Turqisë Mustafa Rashid Pasha zgjodhi një grup studentësh më të zgjuar, në mesin të cilëve edhe Tahsinin, që t'i dërgojë në Paris, me qëllim që t'i mësojnë gjuhët dhe t'i studiojnë shkencat e tjera. Pasi mësoi një kohë shkencat e reja, shërbeu si imam për anëtarët dhe diplomatët e ambasadës turke në Paris. Kështu pati mundësi t'i zgjerojë edhe më tepër dituritë shkencore, sidomos u interesua për shkencat natyrore: kimi, fizikë, astronomi, gjeologji dhe shkenca të tjera. Pas një kohe u kthye në Stamboll. Në këtë vit u hap Universiteti dhe rektor i parë i Universitetit të posahapur u zgjodh Hoxha Hasan Tahsini, i cili i mbulonte shumë lëndë nga shkencat natyrore. Mirëpo, për shkak të ligjëratave që i mbante hasi në moskënaqësi te qarqet konservative turke, prandaj u largua nga Universiteti. Pas kësaj, pra pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që e kishte arritur, pushteti ia kishte caktuar një pension të vogël. Më vonë e mori një vend, një medrese të vogël të papërdorshme (të lënë shkretë) në Stamboll dhe ia filloi të mbajë kurse private. Ndërkaq, kohën e lirë e kalonte duke u thelluar në studimin dhe leximin e veprave artistike dhe në librat e shumta që i kishte pasë përgatitur. Nuk ishte i martuar, prandaj, në jetë, përveç shkencës, nuk ishte i angazhuar me asgjë tjetër. Në vitin 1297/1879, në moshën 70 vjeçare vdiq nga turbekulozi. U varros në varrezat e Erenköz­it. Ka lënë pas vetes një varg përkthimesh të veprave shkencore, disa shkrime për shkencat filozofike si dhe një varg poezish, ndonëse deri më tash asnjë nuk u interesua t'i mbledhë e t'i botojë . Ndonëse në të të folur kishte shprehje të larta, poezitë dhe veprat i shkroi me një gjuhë të lehtë dhe letrare . 


   

      IBRAHIM PASHA  

 

      Është personaliteti i dytë i dinastisë që në mënyrë të mrekullueshme ka qeverisur në territoret e Egjiptit. Ishte bashkëpunëtori dhe ndihmësi i Mehmed Ali Pashës, reformator i Egjiptit në themelimin dhe në formimin e dinastisë së përmendur. Është djali i madh i Mehmed Ali Pashës, kurse sipas një varianti, është djali i Tosun beut, mixhës së tij (mixhës së Mehmed Aliut - M.P.), por se u muar nga ana e Mehmed Aliut si fëmijë i përvetësuar. Babai i Mehmed Aliut së bashku me vëllain e vet, Tosun beun, për shkak të ngatërresave që i patën, u detyruan të shpërngulen nga Shqipëria për në Kavallë. Në kohën kur u shpërngulën, Mehmed Aliu ishte i vogël, kurse Ibrahimi pat lindur në Kavallë në vitin 1204/1789. Si i vogël, së bashku me babain e vet shkuan për në Egjipt. Ndonëse ende ishte në moshën 16 vjeçare, babai e angazhoi që të kthejë qetësinë, rregullin dhe t'i bindë beduinët në anët jugore të territorit të Egjiptit. E drejtoi ushtrinë në ato anë dhe pati sukses në këtë çështje. Më vonë, duke qeverisur në ato anë, u angazhua t'i qetësojë dhe t'i largojë vehabitët, detyrë kjo që iu besua Mehmed Ali Pashës. Ndërsa, me rastin e vdekjes së Mehmed Ali Pash - zade Tosun Pashës (= Tosun Pasha, djali i Mehmed Ali Pashës - M.P.), i cili ishte në cilësi të valiut të Xhiddes që gjendet në Gadishullin Arabik, Ibrahim Pasha, me gradë të vezirit, u bë vali i Xhiddes. Edhe detyra për t'i qetësuar vehabitët i ishte besuar personalisht këtij. Ibrahim Pasha e shumëfishoi ushtrinë e tij dhe pas një rregullimi dhe sistematizimi të mrekullueshëm të saj, në luftën që ndodhi në Vadi-i Kasim, e mundi Abdullah bin Saudin i cili ishte kryetar i vehabive, vrau edhe shumë nga kryetarët dhe të afërmit e tij, prandaj, vehabitët qenë të detyruar të tërhiqen në Deraje që ishte qendër e tyre. Mirëpo, duke e rrethuar edhe Derajen, e nënshtruan atë në fund të vitit 1233/1817. Kështu, e kapën dhe e burgosën Adbullahun e sipërpërmendur, fëmijët e Abdulvehabit dhe prijësa të tjerë të vehabive të Arabisë. Pasi i siguroi vendet e shenjta , kur u kthye për në Egjipt, mori urdhrin nga Mehmed Ali Pasha që t'i zgjërojë kufijtë në drejtim të Nubës dhe Sudanit. E pushtoi Sinarinë dhe Kerdfanin bashkë me rrethinat e tyre. Kështu, mjaft shumë i zgjëroi kufijtë e Egjiptit. Pasi u kthye vetë në Egjipt, vëllai i tij Ismail Pasha në Sudan u dogj nga sudanezët kur iu dha zjarri rezidencës ku ai rrinte. Në atë kohë ndodhi kryengritja e Moresë. Meqë nga dita në ditë zgjërohej vilajeti i Moresë, Ibrahim Pashës iu besua detyra që me ushtrinë egjiptiane dhe osmane të angazhohet në shuarjen e krye-ngritjes. Nga Egjipti për në More shkoi me një ushtri të organizuar dhe të fortë dhe me flotën ushtarake. Në fillim u përpoq që në mënyrë të qetë dhe pa përdorur forcën t'i qetësojë dhe t'i nënshtrojë krye-ngritësit, mirëpo, pasi hasi në kundërshtimin dhe rezistencën e fortë të tyre; e përdori forcën dhe fuqinë e vet ushtarake, ashtu që për një kohë shumë të shkurtër nuk la farë gjurme të kryengritjes. Ai e shuajti edhe kryengritjen që u paraqit në Kretë, mirëpo, Anglia, Franca dhe Rusia, duke u marrë veshë ndërmjet tyre, dërguan flotën e tyre dhe e shkatërruan flotën egjiptiane dhe osmane që gjendej në vendin e quajtur Navarin. Kështu, e detyruan Ibrahim Pashën të kthehet në Egjipt. Këtë herë Mehmed Ali Pasha ishte i angazhuar në përforcimin dhe rregullimin e punëve ushtarake, i cili me përpjekjet e veta si dhe me ndihmën e të birit, Ibrahimit, për një kohë shumë të shkurtër, përsëri e ndërtoi dhe e përsosi më tepër atë (flotën) dhe rregullimin ushtarak. Duke i parë shërbimet dhe rezultatet shumë të mëdha shtetërore të deritashme të Mehmed Ali Pashës  dhe të Ibrahim Pashës, nga njëra anë, si dhe përpjekjet për zgjërimin, forcimin dhe rregullimin e fuqive tokësore dhe detare, nga ana tjetër, Husrev Pasha (Vali i Egjiptit - M.P.) ia përshkroi dhe ia tregoi këto përpjekje Sulltan Mahmudit, por, natyrisht, duke u mbështetur në qëllime të tjera dhe duke u dhënë karakter tjetër. Për ta siguruar  ardhmërinë dhe pozitën e Mehmed Ali Pashës, Ibrahimi, kërkoi që personalisht ta udhëheqë edhe pjesën e Sirisë . Pasi mori leje për këtë, duke marrë si shkak një ndryshim që ndodhi me Abdullah Pashën, vali i Akkasë, Ibrahim Pasha në vitin 1247/1831 e rrethoi Akkanë dhe e nënshtroi Gazën, Jafën dhe Hajfanë. Me urdhrin që e mori nga babai i tij, ia mësyu ta pushtojë tërë Sirinë. Duke u fajësua nga ana e Shtetit (Osman - M.P.) për grushtshtet, Perandoria Osmane dërgoi ushtri kundër tij, mirëpo, ajo nuk ishte në nivelin që e kërkonin rrethanat ushtarake të shtetit, meqë kryengritja greke dhe ngjarjet e tjera të vazhdueshme si dhe vështirësitë ekonomike dhe luftarake i kishin sjellë shtetit (Osman - M.P.) prapambeturi. Ibrahim  Pasha në vitin 1248/1832 triumfoi ndaj ushtrisë së Hysejn Pashës në Siri (Damaskun e Sirisë). Pasi e pushtoi dhe e nënshtroi Damaskun (Shamin) e pushtoi edhe Halepin. Duke e mundur edhe dy herë të tjera Hysejn Pashën, kur hyri në pjesën e Anadollit, kundër tij u dërgua ushtria me 20000 (njëzet mijë) ushtarë nën komandën e Reshid Pashës. Mirëpo, në një luftë të madhe dhe të rreptë që u zhvillua në fushën e Konjës dhe me zënien e Reshid Pashës rob, Ibrahim Pasha shkoi përpara deri në Kutahije, ndonëse me intervenimin e shteteve evropiane u detyrua të ndalet aty. Me marrëveshjen e Kutahisë që u lidh në muajin Zulhixhe (ar. dhu-l-hixhxhe - sipas kalendarit hënor është muaji i dymbëdhjetë i vitit - M.P.) të vitit 1248/1832 territori i Sirisë dhe vilajeti i Adanës iu patën lënë Egjiptit, prandaj vilajeti i Sirisë dhe ai i Adanës iu besuan Ibrahim Pashës. Pas gjashtë vitesh përsëri filloi lufta në mes tyre dhe, edhe pse Ibrahim Pasha e fitoi luftën në Nezip, ndërhynë fuqitë evropiane. Flota angleze e vuri në nishan Akkanë dhe Bejrutin dhe, meqë filloi t'i kërcënohej rreziku edhe Aleksandrisë, Ibrahim Pasha, nën këtë presion, Sirinë dhe Adanën përsëri i la nën administratën e Shtetit Osman dhe u detyrua të tërhiqet në Egjipt. Këtë herë vendosi që Mehmed Ali Pashës t'i bëhet zëvendës, vetëm se, meqë iu shkatërrua shëndeti nga mundimet  e ekspeditave të ndërmarra, për të kërkuar shërim, shkoi nëpër Evropë. Shëtiti Italinë, Francën dhe Anglinë. Sidomos në Paris në mënyrë të mrekullueshme u prit nga ana e Lui Filipit. Kur u kthye në Egjipt, babai i tij, meqë ishte dëbosuar dhe kishte rënë në gjendje shumë të keqe shëndetësore, në vitin 1265/1848 shkoi në Stamboll. Sado që zyrtarisht iu besua të kalojë në detyrën e valiut të Egjiptit, pas kthyerjes në Egjipt, disa muaj para vdekjes së babait të tij, vdiq. 

      Ibrahim Pasha konsiderohet nga njerëzit më të mëdhenj të botës, si strateg lufte dhe udhëheqës ushtarak nga ana teorike. Ai për së tepërmi i ndihmoi babait të vet, Mehmed Aliut në ekspeditat e tij. Ishte shumë i kujdesshëm në komandimin e ushtrisë. Në këtë çështje u tregua shumë i ashpër jo vetëm për të tjerët, por edhe për vete. Në ekspeditat ushtarake nuk dallohej nga ushtarët e rëndomtë në haje e në pije, në flejtje dhe në çuarje nga gjumi, madje në rreziqet më të mëdha nuk tërhiqej (me qëllim që të shpëtojë vetë e të tjerët të pësojnë). Ishte trim i pashoq, guximtar dhe i vendosur. Shkathtësinë dhe potencialin udhëheqës dhe komandues të shtetit e dëshmoi në Siri. Nuk e dëshironte salltanetin (komoditetin). Tërë kujdesin ia kushtonte punëve të shtetit e sidomos zhvillimit të bujqësisë. Shkurt, ishte një ministër trim, i drejtë, i mençur, i sinqertë. I kishte tre djem. Ahmed Pasha, i cili ishte djali më i madh i tij, pasi mori gradën e ministrit u mbyt në ujë. I dyti ishte Ismail Pasha, ish-hidiv kurse i treti ishte Mustafa Fazil Pasha, i cili vdiq në Stamboll. Ishte nga ministrat kryesorë të Perandorisë Osmane . 

  

IBRAHIM PASHË VLORA  

 

      Është nga familja e vezirëve të kasabasë së Vlorës të Shqipërisë. Ishte dhëndërr i vezirit, Kurt Pashës, mytesarrif i Vlorës. Pas vdekjes së Kurt Pashës, qe bërë mytesarrif i Vlorës me gradën vezir. Ali Pashë Tepelena ishte bylykbash i Kurt Pashës, i cili, për disa shërbime që i bëri trimërisht dhe në mënyrë të guximshme, si shpërblim ia kishte premtuar vajzën atij (Ali Pashë Tepelenës - M.P.), mirëpo, më pastaj e ndërroi mendimin. Meqë e bëri dhëndërr Ibrahim Pashë Vlorën, Ali Pasha shfaqi një armiqësi të rreptë ndaj Ibrahim Pashës. Pasi që ky ishte vali i Janinës, Ali Pashë Tepelena, prandaj edhe deshi të hakmerret ndaj tij edhe ta fusë nën kontrollin e vet sanxhakun e Vlorës, e pastaj ta nënshtrojë tërë Toskërinë. Kështu priste rastin e volitshëm për ta zhdukur Ibrahim Pashën. Në të njëjtën kohë Ibrahimit ia pat marrë tri vajzat: të madhen për djalin e dytë, Veliun, të dytën për djalin e madh, Myftarin (ar. Muhtar) dhe të tretën për djalin e motrës, Ademin. Omer Pashë Vrioni, i cili në vitin 1223/1808 u nda në Egjipt nga Mehmed Ali Pasha, cili ishte kthyer në vendlindjen e tij, ende pa shkuar në Egjipt ishte përzënë nga Berati, gjegjësisht nga Ibrahim Pashë Vlora, biografia e të cilit po shkruhet  këtu. Posa ai (Omer Pashë Vrioni - M.P.) u përgatit për hakmarrje, edhe Ali Pasha, për t'iu kundërvënë Ibrahim Pashës, pati dobi nga ai disponim i tij, prandaj, atë e dërgoi në Berat. Ibrahim Pasha nuk mund t'i thyejë ata që, me shtyrjen dhe nxitjen e Omer Pashë Vrionit, ishin ngritur kundër tij, prandaj u mbyll në kalanë e Beratit që ishte qendër livaje (krahine). Tepelanasi  e shpëtoi prej aty me pretekst se ka afërsi familjare me anë martese dhe e solli në venlindjen e tij, në Vlorë, ndërsa Omer Pashës ia pat besuar ta udhëheqë Beratin. Mirëpo, duke mos mundur t'u bëjë ballë intrigave të Ali Pashë Tepelenës si dhe veprimeve kundërshtuese të Omer Pashës edhe në Vlorë, Ibrahim Pasha ishte i shtrënguar të ikë në nahijen e Dukatit. 

      Tepelenasi, duke marrë si shkak këtë, Ibrahim Pashën, përsëri, me motiv mbrojtës e kapi dhe e solli në Janinë, por, nga ana tjetër, propozoi që sanxhaku i Vlorës t'i besohet djalit të tij Veliut, i cili qe ndërruar nga detyra mytesarrif i Moresë. Për këtë nuk u dha pëlqimi nga Porta e Lartë. Për çka u nxor një dekret i hollësishëm mbretëror nga Sulltan Mahmudi II. Sado që u dërgua edhe një nëpunës për të vërtetuar gjendjen faktike, Tepelenasi vazhdoi ashtu si më parë. Madje, ndonëse ekzistonte disponimi që Ibrahim Pasha të emërohej në ndonjë mytesarrifllëk në Anadoll, Ali Pasha, kohë pas kohe, edhe më tepër i shtonte torturat ndaj tij. Bashkë me të birin, Sylejamnin, i mbylli në një qeli të errët dhe të thellë të kalasë së Janinës. Edhe gruan që ia kishte premtuar atij (Ali Pashë Tepelenës - M.P.) Kurt Pasha në fillim e pat marrë dhe e pat vënë nën kurorën e vet. I mjeri Ibrahim Pasha, gruaja dhe vajzat e tij, ndonëse ndodheshin në një begati në sarajet (pallatet) e Ali Pashës, ai vetë dhe djali i tij mbetën në qeli me vite të tëra derisa vdiqën, pa e parë dritën kurrë. Për shkak të tragjedisë shumë të tmerrshme, Ibrahim Pashë Vlora e kaloi jetën e pleqërisë në gjendje të mjerueshme . 

 

ILHAMI PASHA  

 

Ishte djali i valiut të Egjiptit, Abas Pashës, dhe stërnip i të ndjerit Mehmed Ali Pasha. Ilhami Pasha u martua me vajzën e Sulltan Adbulmexhid Hanit, Minire Sulltanen. Kjo lidhje familjare me anë të martesës edhe më tepër ia rriti nderin dhe respektin. Një kohë jetoi në Stamboll. U emërua anëtar i Këshillit të Lartë shtetëror, (Mexhlis-i 'ala) mirëpo, në vitin 1277/1860, ende pa i mbushur 25 vjet, vdiq . 

  

      IS-HAK ÇELEBIU  

 

Është nga ulematë dhe poetët e kohës së Sulltan Selimit dhe të Sulltan Sulejmanit. Ishte nga Shkupi. Ndonëse babai i tij ishte punues dhe shitës shpatash, ky kishte dëshirë të madhe për të mësuar. Meqë posedonte kapacitet të jashtëzakonshëm të zgjuarsisë, për një kohë shumë të shkurtër u bë i dalluar dhe ekspert, prandaj shërbeu si muderriz në Edrene, Shkup, Brusë, Iznik. Në vitin 933/1526 ligjëroi në Darulhadith në Edrene. Në vitin 937/1530 arriti të fitojë një nga titujt  shkencorë. Në vitin 942/1535 u bë kadi i Shamit, e në vitin 949/1542 vdiq.

      Kur Sulltan Selimi ishte në pushtimin e Arabisë, meqë u hidhërua në shahanet e botuara, kërkoi disa persona të dijshëm dhe të mirë për inkurajim (gjallërim). Njëri nga ata tre persona që u zgjodhën në këtë punë ishte edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu. Mirëpo, për shkak se e tepruan në shaka (tallje), nuk fituan disponimin dhe simpatinë e padishahut të përmendur, i cili kishte prirje për seriozitet. Sado që Is'hak Çelebiu në çastet e para ishte i disponuar për shaka dhe i gatshëm për argëtim e dëfrim, pastaj pendohej. Poezitë e tij janë të bukura . 

  

ISMAIL PASHA  

 

      Është i biri i Veliut të Ali Pashë Tepelenës. Kur Ali Pashë Tepelena u shpall fermanli, djali i tij Veliu ishte emëruar mytesarrif i Jenishehrit . Meqë ndoqi rrugën e të atit, menjëherë u dënua me vdekje. Ky, biografia e të cilit shkruhet këtu, bashkë me vëllaun, Mahmudin dhe me një vëlla tjetër , meqë ishin të vegjël, u falën dhe u dërguan në Stamboll. Shërbeu mirë në shtet dhe, duke marrë grada të njëpasnjëshme, arriti të marrë edhe gradën e vezirit. Ishte vali, por kreu edhe detyra të tjera të rëndësishme në disa vilajete. Vdiq në fund të periudhës së sulltanatit të Sulltan Abdylazizit. Mahmud beu, pra i vëllai i tij ishte nga propaganduesit e njohur. I patën vdekur një motër me emrin Fatime dhe një djalë me emrin Asif . 


  

JAHJA BEJ DUGAGJINI  

 

      Është nga më të famshmit poetë të Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është shqiptar. Hyri në oxhakun (korpusin) e jeniçerëve, pastaj, duke kaluar të punojë në qendrën e vakufeve si udhëheqës i pasurisë së tyre, qe i shtrënguar të kënaqej me një zeamet (timar i madh). Ishte i shpatës (luftëtar) dhe i penës (shkrimtar). Po aq ishte edhe personalitet i moralshëm dhe modest (jo tamahqar, kënaqej edhe me pak); vdiq në vendlindjen e vet në vitin 990/1582 . Kishte shkruar pesë poemat me titull: “Genxhine-i Raz” (Arka e fshehur), “Shah u Geda” (Shahu dhe lypësi), “Gylshen-i Envar” (Trëndafilishtja e shëndritshme), “Jusuf u Zeliha”, (Jusufi dhe Zylejhaja) dhe “Usulname” (Libri i parimeve), të cilat i përmblodhi në një përmbledhje që quhet Hamse  (pesëlibrësh). Kishte shkruar edhe një divan me kaside me gazele (përmbledhje poezish) . Në mesin e poezive të tij hasen disa fjalë të bukura. Ja një bejt nga poezitë e tij me një përkthim të lirë: 

 
Për ta gjuajtur pasurinë e parë duhet të jesh i kujdesshëm

E mbi anije bëhet (kurdiset) rrjeta hallka-hallka . 


  

      JEMISHXHI HASAN PASHA  

 

      Është nga vezirët që në kohën e Sulltan Mehmed Hanit III, u emërua sadriazem (kryeministër). Është me origjinë shqiptare. Në vitin 985/1577 hyri në kategorinë e zylyfliballtaxhive (klasë e posaçme në oborrin mbretëror); pastaj qe bërë: çashnegir-bashë, ket-huda i kapuxhive dhe dy herë aga i jeniçerëve. Më vonë u emërua vali i Shervanit me gradën e vezirit. Pas një kohe, me gradën vezir i katërt u tërhoq në Stamboll. Punoi në shtypjen dhe përmirësimin e monedhës. Këtij iu besuan edhe detyra të tjera të rëndësishme, kështu në vitin 1009/1600 emërohet kajmekam, kurse më 1010/1601 sadriazem. Atëbotë ishte kohë lufte. E mori urdhrin të shkojë personalisht në Hungari, mirëpo, duke shfrytëzuar stinën e dimrit si shkak, mundi të prolongojë shkuarjen për në verë, pra, shkoi atje gjatë stinës së verës. Me shumë vështirësi e ktheu Beogradin që kishte rënë në duart e dushmanit (armikut). Meqë tregoi paaftësi, armiku mori guximin dhe ia rrethoi qytetet. Këtë herë në kryeqendër u paraqitën mosmarrëveshje, shpejtoi të kthehet. Në këtë rast e shpëtoi jetën duke iu mbështetur grupit bektashian. I ndryshoi pozitat e dijetarëve (ulemave) dhe funksionarëve të tjerë. Meqë ata ishin të pakënaqur me disa propozime si dhe me paaftësinë e tij, pasi qëndroi si sadriazem një kohë prej 2 vjet e 1 muaj, u largua. Meqë i shtypi dhe i maltretoi jeniçerët, me qëllim që të kthehet në ministri, më 1012/1603 u dënua me vdekje. U varros në Yskydar . 

 

      KARA AHMED PASHA  

 

      Është nga vezirët e Perandorësi Osmane. Në kohën e Kanuni Sulltan Sulejmanit dy vjet ishte në postin e kryeministrit (sadriazem). Është shqiptar. Nga oborri mbretëror doli me gradën aga, e pastaj u bë aga i jeniçerëve (jeniçeri a¤as¢) dhe bejlerbe i Rumelisë. Në kohën e Kanuni Sulltan Sulejman Hanit u përparua në gradën e vezirit. Në kufirin e Iranit, e shkatërroi ushtrinë e shahut Tahmasib dhe kështu doli fitimtar. Të njëjtën gjë e bëri edhe në luftën e Temishvarit. Më 960/1552, duke u përparua në gradën e vezirit të madh, i nënshtroi kurdët. Mirëpo, në vitin 962/1554, për shkak të disa intrigave u dënua me vdekje . Ishte një vezir fetar, i drejtë dhe i mençur. Në Topkapi është një xhami-sherif e cila është ndërtuar pas vdekjes së tij, natyrisht me propozimin e tij . 

  

      KARA MUSTAFA PASHA  

 

      Është nga vezirët (ministrat) i cili në kohën e Sulltan Murat Hanit IV dhe të Sulltan Ibrahim Hanit arriti në postin e kryeministrit. Është me origjinë shqiptare. Si i vogël shkoi në Stamboll dhe aty iu bashkangjit Kara Hasan agës i cili ishte nga agallarët me autoritet të korpusit të jeniçerëve. Kur u rrit hyri në sektin e bektashian. Me shkathtësinë e jashtëzakonshme që e kishte në gjuajtje (me shigjetë), fitoi gradën çorbaxhi (epror i një njësie të ushtrisë së jeniçerëve) dhe sekban-bashë. Në ekspeditën e Revanit  bëhet nga i jeniçerëve (komandant suprem i jeniçerëve). Duke i nënshtruar kryeneçët e këtyre anëve dhe duke i dhënë korpusit një rregullsi dhe një organi-zim shumë të mirë, me fjalë të tjera, duke shërbyer mbi mundësitë e veta, kur kthehet në Stamboll, më 1045/1635 emërohet kupudan - derja (admiral). Duke dënuar dhe duke u paraqitur shumë i ashpër ndaj atyre që çonin krye edhe në ushtrinë detare, i pat përmirësuar punët e marinës. Kur forcohet ushtarakisht, shkon në frontin e Bagdadit dhe me gradën e kajmekamit bëhet më i lartë. Kur humbi jetën Tajar Mehmed Pasha, më 1048/1638 caktohet sadriazem në vend të tij. Kur mbaroi lufta, u kthye, mirëpo, për të lidhur marrëveshje me shahun e Iranit, ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, qëndroi në Bagdad, e që më 1049/1639 do të kthehet në Stamboll. Mu në këtë vit, në fron vjen Sulltan Ibrahim Hani. Kara Mustafa Pasha edhe më tutje mbetet në postin e kryeministrit (sadriazemit). Pasi fitoi ndaj disa njerëzve të mëdhenj (me pozita të larta), që shkatrronin punët e shtetit dhe që silleshin me azgënllëk në varfërimin e shtetit, dhe pasi e vuri në baza të shëndosha vlerën e monedhës, dukshëm e përmirësoi ekonominë e shtetit. Bëri regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë që gjendej nën Perandorinë Osmane dhe u caktoi tatim. Edhe pse ai tatim ishte në një masë të vogël, simbolik, magazinat shtetërore i shpëtoi nga një gjendje kaotike, jostabile. Në këtë mënyrë i solli shtetit një pasuri të madhe. Edhe pse ngadhnjeu ndaj një grupi njerëzish të degjeneruar, të prishur, që pengonin reformat e këtilla dhe, edhe pse u bë i fuqishëm të udhëheqë ashtu siç dëshironte, nuk mundi  të fitojë në intrigat dhe dredhitë e një fallxhori që u paraqit me emrin Xhinxhi Hoxha. Duke rënë nën kurthet e tij, pas qëndrimit si kryeministër në kohëzgjatje prej 5 vjet e tre muaj, u dënua me vdekje. E varrosën në oborrin e medresesë së ndërtuar në Parmak Kapi. Për shkak të shkathtësisë që e kishte në gjuajtje u bë i njohur me emrin Kemankesh Mustafa Pasha (gjuajtës i shigjetës). Të huajt, edhe Maktul Mustafa Pashën nga Merzifunia e njohin me emrin Kara Mustafa Pasha . 

 

      KLEMANI  

 

      Me këtë emër ishin katërmbëdhjetë papë:  I njëmbëdhjeti ishte me origjinë shqiptare. Rridhte nga një familje e njohur shqiptare Albani e cila emigroi në Itali pas vdekjes së Skenderbeut. Emri i vërtetë i tij është Xhuvan Françesko Albani. Në vitin 1700 u emërua papë. Vdiq në vitin 1721.  Ia mbajti anën Luigjit të Katërmbëdhjetë në rastin e trashëgimisë së Spanjës dhe një kohë të gjatë veproi kundër mbretit të Siqelisë, Viktor Amedeit . 

 

      KYÇYK AHMED PASHA  

 

      Ishte nga vezirët  e kohës së Sulltan Murat Hanit të katërt. Pasi ishte vali i Sivasit, Shamit, dhe Kutahijes, u angazhua në likuidimin e Iljaz Pashës i cili ishte ngritur në kryengritje në Anadoll. Meqë ngadhnjeu, u shpërblye dhe në vitin 1042/1632 u kthye vali i Shamit. Edhe aty, duke i shtypur kryengritësit, ia doli të kthejë rendin dhe qetësinë. Në luftën e Iranit Padishahu e tërhoqi në Erevan e pastaj e emëroi muhafiz në Mosul. Aty u sëmur. U vra në një luftë që e bëri kundër shahut të Iranit në vitin 1046/1636.

        

      LUHIU  

 

      Është nga poetët e Periudhës Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. është prishtinas. Merrej me tesavvuf (misticizëm). Një kohë të gjatë u gjend në shërbim të Merkez efendiut . 

  

      LUTFI PASHA  

 

      Është nga vezirët që kaloi në postin e sadriazemit (kryeministër) në kohën e Sulltan Sulejman Ligjëdhënësit. Është me origjinë shqiptare . U edukua në oborrin e Sulltanit. Prej aty, duke dalë me gradën aga, u caktua të punojë nëpër disa krahina. Bashkë me Barbaros Hajredin Pashën u gjend kryekomandant (serasker) në ekspeditën ushtarake në krahinat e Pojes të cilat gjenden në jug të Italisë dhe në Siujdhesën e Korfuzit. Në të kthyer nga kjo ekspeditë, pasi që, pa nevojë dhe pa arsye, pak kohë ra në një mjerim (fatkeqësi), u bë vezir i tretë e pastaj vezir i dytë. U martua me motrën e Sullan Sulejman Hanit. Kjo lidhje familjare me anë të martesës, ia patë rritur famën dhe respektin. Më 944/1537, pas Ajas Pashës , emërohet sadriazem. Tre vjet i udhëhoqi punët e shtetit, pastaj, meqë urdhëroi të dënohet një femër e pamoralshme me dëmtimin e organeve të shumimit, për shkak të këtyre sjelljeve të ashpra që ishin në kundërshtim me traditën dhe sjelljen e përgjithshme, hasi në reagimin dhe qortimin e ashpër të sulltanit dhe motrës së tij, që ishte bashkëshorte e tij. Duke replikuar ashpër dhe me guxim dhe, meqë u shkurorëzua nga e lartpërmendura e larguan nga detyra. Shkoi në Dimitikë  dhe në vitin 950/1543 aty vdiq. 

      Në mënyrë të shkëlqyeshme zotëronte letërsinë arabe, shkencën e fikhut, hadithit dhe shkencat e tjera  fetare islame, madje ka qenë njohës i mirë i shkencave filozofike. Ka shkruar disa libra me shpjegime arabe dhe turke, nga më të njohurat janë: një libër me titull “Asaf-name”  (Libri i vezirëve) që ka të bëjë me sjelljen dhe edukatën e vezirëve si dhe një histori osmane deri në kohën e tij . Vepra që kanë të bëjnë me filozofinë: “Tuhfetu at-Talibin” (Përvoja e hulumtuesve). “Kitab el-esile ve el-exhvibe” (Libri i pyetjeve dhe i përgjigjjeve), “Tanbih al-gafilina ve te kid al-kasilin” (Këshillimi i të pakujdesshëmve dhe bindja e përtacëve); vepra përkitazi me shkencën e hadithit: “Kitab el-kunuzi fi letaifi arr-rrumuzi” (Libri i thesarëve mbi simbolet e bukura), “Zubdetu al-masaili fi al-i'tikadati we al-ibadati” (Çështje të zgjedhura mbi besimin dhe lutjet) e të tjera . Shkurt, ndonëse ishte një vezir i dijshëm dhe i mençur, ishte kryelartë dhe i ashpër. Gjatë kohës së tij në postin e sadriazemit bëri që disa zakone të vejtra t'i vendosë në baza të reja. Ka lënë pas vetes edhe pasuri materiale (hajrate) . 

 

      MARKO BOÇARI  (Marko Botzaris) 

 

      Ishte nga veprimtarët kryesorë të revolucionit që ndihmoi në pavarësinë e Greqisë.

      Lindi në vitin 1789 në rrethinën e Sulit në Shqipëri. Është me origjinë shqiptare. Duke qenë nga njerëzit (bashkëpunëtorët) e ALi Pashë Tepelenës, pas vdekjes së të përmendurit, bashkë me shokët e vet, u ngrit në kryengritje. Në vitin 1823 në vendin e quajtur Misolongj, u rrethua nga ushtria Osmane. Në sulmin e tij me 240 veta, u plagos. Të nesërmen vdiq . 

 

      MEHMED ALI PASHA 

 

      Në saje të transformimit të administratës së mbarë Egjiptit dhe në saje të organizimit të mirë për përmirësimin e reformave të ndër-marra, Mehmed Ali Pasha   është personalitet që hapi shtigje të re-ja në zhvillimin dhe në civilizimin e vendeve të përmendura, ashtu që gjenerata e sotme (lexo në kohën e Sami Frashërit - M.P.), duke e trashëguar atë, vazhdon valillëkun dhe hidivllëkun në vendet e Egjiptit . Lindi në një fshat të rrethit të Korçës në Shqipëri në vitin 1183/1769. Ende kur ishte fëmijë, babai i tij, për shkaqe të ndryshme e lëshoi vendlindjen dhe së bashku me familjen u shpërngul për në Kavallë. Mehmed Aliu u rrit aty. Merrej me tregti të duhanit gjatë kësaj kohe. Veç kësaj, ai posedonte edhe talent ushtarak dhe luftarak që ishte një talent dhe karakter natyror i tij. Në kohën kur regjistrohej dhe tubohej ushtri për ta shpëtuar Egjiptin nga një gjendje kaotike që e kishte përfshirë pas pushtimit të Francës, edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, mblodhi një numër të konsiderueshëm të ushtarëve shqiptarë  dhe ia mësyu asaj ane. Pat hyrë në koalicion me Hasan Pashën nag Pojana që ishte komandant i ushtarëve shqiptarë të Egjiptit. Në disa luftëra që ndodhën, e sidomos në luftën e Ebu Kirit, tregoi një trimëri të jashtëzakonshme me ç'rast fitoi nder, respekt, dhe simpati  të madhe. Në mosmarrëveshjet që u paraqitën në mes Husrev Pashës, i cili ishte vali i Egjiptit me ushtrinë shqiptare dhe memalikët e Egjiptit, ky (Mehmed Ali Pasha - M.P.) patë fituar një vend të rëndësishëm, ashtu që gradualisht u bë udhëheqës i ushtrisë shqiptare që gjendej në Egjipt. Këtë fuqi filloi ta përdorte ashtu si dëshironte. Husrev Pasha, duke mos mundur të fitojë në këtë mosmarrëveshje (zënkë), u dobësua. Kur udhëheqja e Egjiptit ishte në një gjendje të çrregulluar dhe me shumë ngatërresa, Mehmed Aliu e mori ushtrinë në dorë, kurse Husrev Pashën e detyroi të tërhiqet nga punët kryesore. Pasi që mori në dorë udhëheqjen e vendit dhe pasi që me lehtësi ktheu qetësinë e plotë në vend, cilësia e tij u paraqit te Porta e Lartë. Për kthyerjen dhe vendosjen e rregullit, disiplinës dhe qetësisë në vendet e Egjiptit, Porta e Lartë nuk mundi të gjejë rrugë dhe zgjidhje më të mirë se të emërojë Mehmed Aliun vali të Egjiptit. Kështu, kur Mehmed Aliu në vitin 1215/1800 u emërua zyrtarisht vezir i vilajetit të Egjiptit, pikësëpari në rivendosjen e besimit dhe të qetësisë e kuptoi se është e domosdoshme t'i qetësojë  memalikët që u thonin jeniçerë të Egjiptit. Pasi pati sukses në këtë çështje, si hap të parë mori nisiativën që në të gjitha territoret islame të konsolidojë ushtrinë. Kështu nga njëra anë, me fuqinë që e arriti si dhe me ndihmën e fëmijëve të tij Ibrahim Pashës dhe Ismail Pashës, i zgjeroi territoret nga ana jugore e Egjiptit, në drejtim të Nubes dhe Sudanit,  e nga ana tjetër, përmes shkollave që i themeloi për shkencat ushtarake dhe mjekësore si dhe përmes asociacioneve të përkthimeve u botuan dhe u përhapën njohuri të reja. Njerëzit e aftë dhe dijetarët me njohuri shkencore dhe industriale që i mori nga Evropa,dhanë mund të jashtëzakonshëm në zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë, gjë që për një kohë shumë të shkurtër e gjallëroi Luginën e Nilit dhe vendet më të pazhvilluara të Egjiptit dhe shtoi mbjelljen e llojllojshme të prodhimeve bujqësore: oriz, pambuk, panxharsheqer dhe njëkohësisht hapi shumë fabrika. Disa mija njerëz i rritën të ardhurat e tyre në një shkallë që nuk do të mund të shpresohej, pagat e të cilëve deri në atë kohë nuk do të mjaftonin vetëm për të paguar ushtarët dhe eprorët e tyre. Kështu, shtetin e Egjiptit e solli në gjendjen e një shteti të madh me tokë të punueshme, pjellore. Në atë kohë vehabitët ishin shtrirë në shumë vende të Gadishullit arabik. Meqë prej tyre ishin rrezikuar edhe vendet e Hixhazit, pas urdhrit që e mori nga Porta e Lartë, e drejtoi ushtrinë nga ato anë, ku pastaj vetë u kthye, por aty si zëvendës e la djalin e vet Ibrahimin, i cili, duke u përpjekur gjashtë vjet rresht, e theu forcën dhe e shkatërroi organizatën e tyre, mirëpo, gjithnjë frigohej nga ata. Edhe në revolucionin e Greqisë, Ibrahim Pashën e dërgoi me ushtrinë egjiptiane në More. Aty u detyrua të qëndrojë tre vjet me qëllim që të kthejë qetësinë dhe të shuajë kryengritjen. Me rastin e një havarie iu pat djegur flota. 

      Pas këtyre rezultateve, nga ana e shtetit iu dha të qeverisë  edhe Siujdhesën e Kretës. Më në fund Porta e Lartë ia vërtetoi dhe ia pranoi të qenët trashëgimtar në gjeneratën (dinastinë) e vilajetit të Egjiptit të Mehmed Ali Pashës. 

      Duke filluar nga ajo kohë ishte i angazhaur t'i udhëheqë mirë të gjitha vendet e Egjiptit dhe ato që i pushtoi në drejtim të Sudanit. Pat sukses në shumë reforma dhe në zhvillimin e vendit. Në vitin 1264/1847 u sëmur rëndë, kurse autorizimi për vali, me ferman iu drejtua djalit të tij, Ibrahim Pashës. Pas një sëmundje të rëndë dyvjeçare. më 1266/1849 vdiq në Aleksandri. 

      Mehmed Aliu ishte një njeri shumë i mençur; mund të konsiderohej njeri i pashkollë, sepse edhe atë pak shkollë që e kishte, e kishte bërë pas moshës 45 vjeçare. Ai e çmonte civilizimin e ri dhe përparimin. Pasi e mori fuqinë në duart e veta, për një kohë shumë të shkurtër i nxori në shesh gjërat e dobishme dhe jo të dobishme, dhe kështu ia doli që një shteti, në mënyrë të pashembullt, deri atëherë, t'ia sjellë civilizimin dhe përparimin. Tyrbja (mauzoleu) i tij gjendet në Kajro, e punuar në mënyrë të përsosur, kurse në Aleksandri është përmendorja e tij e bronztë .

  

MEHMED PASHA 

 

      Është nga vezirët që kaloi në pozita të larta shtetërore (kryeministër) në kohën e Sulltan Murat Hanit IV. Është me origjinë shqiptare. Duke qenë në shërbim të Haxhi Mustafa agës, aga  i Stambollit, fitoi simpatinë e tij. Meqë u dëshmua shumë i sjellshëm u bë mirahor, e pastaj vali. Më vonë mori pozita të larta, u bë vezir i madh (sadriazem) në vend të Rexhep Pashës. Duke qenë një personaltiet i mençur, i matur dhe shumë aktiv dhe, meqë i mposhti dhe i nënshtroi shkatërruesit, plaçkitësit e ushtrisë që shkaktonin dëme në rregu-llimin shtetëror dhe në çështjen e pasurisë, vuri sistem dhe rregull në shtet. Kështu pati sukses në vendosjen e paqes dhe sigurisë në çdo anë. Më 1043/1633 vendosi të ndërmarrë një ekspeditë ushtarake në Lindje me ç'rast, me ushtrinë osmane shkoi e u vendos në kazermat e Halepit.Aty, meqë u përgatit mirë për ekspedita më të rëndësishme, ia mësyu Erzurumit. Për sukseset që i arriti, fitoi grada të larta te padishahu i tij i përmendur më lart, i cili personalisht mori pjesë në luftë. Kështu, duke parë sukseset dhe shërbimet e  mira gjatë pushtimeve që ndodhën, vazhdoi si nëpunës edhe  në shumë ejalete të Rumelisë. Para se të kthehej te padishahu, së pari deshi të sigurojë çështjen e kufijve, prandaj mbeti në kazermat e Amidit. Më 1045/1635 shahu i Iranit përsëri tentoi në prishjen dhe ndërrimin e kufijve. Këtë herë, meqë Irani kishte numër të madh ushtarësh, Mehmet Pasha nuk mundi të ngadhnjejë, prandaj i dëshpruar pa masë, u detyrua të kthehet në kazermat e Amidit. për këtë dështim, më 1046/1636 qe larguar nga puna dhe qe kthyer në Stamboll. Pas qëndrimit të tij në burg nja dy muaj e gjysmë, padishahu e fali dhe e caktoi me detyrë në mbrojtjen e kufirit të Bodinit, kurse më 1049/1639 u kthye në Stamboll me detyrë të kajmekamit. Po në këtë vit, me dredhinë e silahdarit të pashait, u fajësua se gjoja ka marrë pjesë në korrupcionin e vojvodallëkut të Vllahisë , me ç'rast burgoset në Jedikule dhe dënohet me vdekje. 
Ishte një vezir i mençur dhe i aftë. Në postin e kryeministrit (sadriazem) ishte afër pesë vjet. Kur vdiq ishte në moshën pesëdhjetë vjeçare . 

 

      MEMISH PASHA 

 

      Është nga vezirët i cili kaloi në pozita të larta shtetërore në kohën e Sulltan Mahmud Hanit II. Është shqiptar. Duke qenë në shërbim të disa vezirëve, u aftësua deri diku edhe në të shkruar. Iu pat bashkuar Jusuf Zija Pashës i cili e ngriti në rangun e muderrizëve(haxhegjan). Pastaj qe bërë çaush-bashë. Në vitin 1223/1808, për shkak të rastit (mosmarrëveshjes) të Alemdar Mustafa Pashës, e kishte parë të domosdoshme t'i gjejë një njeri me aftësi mesatare në ministri. Sado që atij iu besua myhyri (vula) i ministrisë, pasi qëndroi në këtë vend pune vetëm 50 ditë, për shkak të paaftësisë u largua nga detyra dhe u degradua. Në vitin 1224/1809 aty vdiq . 
  

      MERRE HYSEJN PASHA 

 

      Është nga vezirët i cili dy herë zuri pozita të larta në ministri (sadriazem) në kohën e Sulltan Mustafa Hanit I. Është me origjinë shqiptare . Me të ardhur në Stamboll, u gjend në shërbime të ulëta (të parëndësishme), si p.sh. gjellëbërës. Qe bërë akshi-bashë i Saturxhi Mehmed Pashës, pastaj, spahi e çaush si dhe silahdar i rrugëve. Një kohë qe bërë agnam emini (njeri i besueshëm që vihet në krye të shërbimit tatimor të bagtive); kapuxhi-bashë, kapuxhiler-i ket-huda dhe mirahor i dytë. Më 1029/1619 u bë vali i Egjiptit; më 1030/1620, pas Daut Pashës, iu dha pëlqimi të bëhet sadriazem. Ishte i aftë për të kontribuar, por, pas 24 ditësh në krye të ministrisë (sadriazem), u largua, iku dhe u fsheh. Më 1032/1622 për të dytën herë zgjedhet sadriazem. Pasi qëndroi 7 muaj në këtë pozitë, përsëri u largua. Sado që prapë u fsheh, u gjet kur hypi në fron Sulltan Murati IV në vitin 1033/1623. U dënua me vdekje. 
      Për personat që do të burgoseshin dhe do të dënoheshin, njerëzve të vet zakonisht në gjuhën shqipe u thonin merre (turq. al¢n - lexo allën), prandaj, ky u bë i njohur me këtë ofiq . 

  

      MIMAR SINANI 

 

      Ishte njëri nga më të talentuarit dhe më të njohurit të mimarëve (arkitektëve që jetoi në Perandorinë Osmane . Xhamia Sulejmanije, e cila sot është vepër e përkryer dhe e jashtëzakonshme, është argument i mjaftueshëm që tregon aftësinë dhe talentin e tij në artin e arkitekturës. Në kohën e Sulltan Sulejman Ligjdhënësit u zgjodh sermimar (kryearkitekt). Përveç xhamisë së përmendur ka projektuar edhe rreth 400 (katërqind) xhami dhe ujësjellësa dhe shumë e shumë objekte të tjera. Në afërsi të Aga Kapisë me emrin e tij u pagëzua një xhami, një mekteb dhe një rrugë. Edhe mahalla (lagja) është e njohur me emrin e tij. Vdiq në vitin 996/1587, në moshën mbi njëqind vjeçare. Është varrosur në tyrben (mauzoleun) e posaçëm në oborrin e xhamisë .

    

MIRAHOR ILIAZ BEU 

 

      Është nga njerëzit e Ebu-l-Fet'h Sulltan Mehmed Hanit II dhe Sulltan Bajazitit. Është stërgjyshi i autorit të ngratë  nga nëna dhe themelues i qytetit të Korçës që gjendet në vilajetin e Manastirit. Iliaz beu ishte një trim i fshatit Petarjet të kazasë së Permetit të vilajetit të Janinës. Në ekspeditën e Sulltan Murat Hanit II, që ndodhi në territoret e Shqipërisë, u muar t'u shërbejë sulltanëve. Pranoi fenë e ndershme islame. Duke u stërvitur dhe, duke marrë gradë pas grade si në kohën e padishahut të lartpërmendur, si në kohën e Sulltan Mehmedit II, u përgatit për pushtimin e Stambollit. Në rrethinën e Jedi Kulës, me lejen e padishahut të tij, një kishë e pat kthyer në xhami, e cila tani është e njohur me emrin Xhamia e Mirahorit ose Xhamia e Kishës. Pranë saj gjendet edhe një teqe dervishësh. Ishte bërë edhe lala (këshilltar, edukator) i Sulltan Bajazit Hanit II. Kur erdhi në fron Sulltani i posapërmendur, qe bërë mirahor i parë. Pas një kohe u pensionua dhe iu dha pasuri (çiflik) në fshatin Pitarjet (që ishte vendlindje e tij) dhe në disa fshatra përreth. Kur u kthye në atdhe, e bleu dhe menjëherë e prishi një manastir të bukur i cili gjendej në brendi të çiflikut të tij dhe në vend të këtij manastiri e ndërtoi një xhami një imaret-han (kuzhinë publike humanitare) një medrese dhe disa ndërtesa të tjera. Kështu i vuri bazat e qytetit të Korçës. Pastaj, u gjend në vilajetin e Janinës dhe në detyra të tjera. Çifliqet i la vakuf, dhe i autorizoi fëmijët e vet meshkuj të udhëheqin në to. Vakufi i përmendur tash udhëhiqet nga bejlerët e Korçës, të cilët janë trashëgimtarë të tij. Nga dy fëmijët e tij, i madhi Ine beu (ka një xhami në rrethinën e Jeni Kapisë që lidhet me emrin e tij) u vra në frontin e Bagdadit, kurse tjetri u bë mytevelli i vakufit në Korçë. Mirahor Iliaz Beu konsiderohej si njeri i shenjtë. Ç'është e vërteta, për të tregohen gjëra të çuditshme. Gjoja se Sulltan Bajaziti kur e pensionoi atë, e urdhëroi të marrë një kafshë nga Has-ahuri, t'i hipë asaj dhe i premtoi se do t'i japë pasuri aq tokë sa do të mundet të sillet me të një kohë të caktuar. Ky e zgjodhi dhe e mori një mushkë të shpejtë. Kjo mushkë posa përfundoi të sjellurit nëpër vendet që dëshiroi mirahori, plasi dhe u shndërrua në gur, ndërsa nga brenda filloi t'i rrjedh shkumë. Edhe në rrethin e Korçës haset një gur si mushkë e shtrirë dhe rrjedh uji i bardhë si shkuma nga kërthiza. Legjenda që u përmend duhet të ketë lindur nga kjo ngjashmëri. Iliaz beu vdiq në vitin 917/1511 dhe tyrbja e tij gjendet pranë xhamisë në Korçë

 
  

      MUHTAR PASHA 

 

      Ishte nga vezirët (ministrat) në kohë e qeverisjes së Sulltan Mehmed Hanit II. Është i biri i Ali Pashë Tepelenës. Ishte mytesarrif në Athinë e cila gjendej nën qeverisjen e babait të tij. Babai i tij u shpall fermanli. Kur u rrethua në Janinë, bashkë me Veli Pashën i cili ishte mytesarrif në Terhallë dhe vëllezërit e tjerë, sado që kërkuan strehim nga shteti, pas vdekjes së Ali Pashës, edhe këtyre ua prenë kokat dhe i dërguan në Stamboll. Është varrosur jashtë Topkapisë . 

    

MUIDI 

 

Nga poetët e shekullit të dhjetë sipas hixhretit janë dy personalitete me këtë pseudonim:  I pari, nga këta, është nga Tetova. Babai i tij ishte muid-zade nga muderrizët e kohës së Sulltan Bajazit Hanit. Ky, biografia e të cilit shkruhet këtu, kishte shkruar shumë poezi. E ka lënë pas vetes edhe një “Hamse”. 

 

MURAT PASHA 

 

      Është nga vezirët i cili në kohën e Sulltan Mehmed Hanit IV dy herë kaloi në postin e kryeministrit. Është me origjinë shqiptare. E lëshoi vendlindjen dhe me të ardhur në Stamboll hyri në ushtrinë e jeniçerëve (Yeniçeri oca¤i), ku më pastaj duke marrë gradë pas grade, u bë çorbaxhi. Në ekspeditën ushtarake të Bagdadit u bë kul-kethuda (lexo: ket-huda) e pastaj sekban-bashë. Duke i parë sukseset dhe shërbimin e mirë të tij në pushtimin e Kretës, Sulltani i lartpërmendur e emëroi aga të jeniçerëve. Në vitin 1058/1649 u avancua në gradën e kryeministrit (sadriazem). U përpoq të përmirësojë korpusin e jeniçerëve të cilit i takonte, të nënshtrojë me forcë disa grupe të ushtarëve; të largojë disa  kryekomandantë (ser-amidan) të grupeve të përmendura, pastaj tentoi të kalojë në vend të Kara Çaushit i cili ishte aga i jeniçerëve. Mirëpo, pas të gjitha këtyre, duke kuptuar se nuk do të ketë forcë të rezistojë në këto që u përmendën, pas pesëmbëdhjetë muajsh si kryeministër (sadriazem), më 1060/1650, duke kërkuar falje, kërkoi të shkojë në ejaletin e Bodinit. Kërkesa e paraqitur e tij u pranua. Pasi qëndroi si vali i Bodinit tre vjet, pra, më 1063/1652 u largua nga puna dhe erdhi në Stamboll. Më pastaj, d.m.th. më 1064/1653 përsëri vjen në pozitë dhe emërohet kapedan i marinës (kapudan-i derya). Kur del në Detin e Bardhë me flotën ushtarake të shtetit Osman dhe, duke shpartalluar ushtrinë e Venedikut që e mbante gjirin e Bosforit, duke ngritur lart famën dhe fuqinë e shtetit, fitoi simpati dhe dashuri te sulltani i tij. Mirëpo, meqë organizoi grupe të jeniçerëve dhe ushtarë që të çohen kundër Ibshir Pashës i cili ishte kryeministër, mu për këtë shkak dënohet me burg. Më vonë, pra më 1065/1654, për të dytën herë kaloi në pozitën e kryeministrit. Pas tre muajsh në këto pozita të larta, përsëri, duke kërkuar falje, emërohet nëpunës në ejaletin e Damaskut. Duke shkuar në vendin e punës, vdes në Hamma. Ishte një vezir i mençur dhe i aftë.

 

      MUSA QAZIM PASHA 

 

      Është njëri nga poetët më të famshëm të periudhës së fundit osmane.Sidomos u shqua me elegjitë dhe satirat  etj. Lindi në vitin 1237/1821 në kasabanë e Konicës  në Shqipëri. Së bashku me babain e vet, Hysejn beun, shkoi në Stamboll. Pasi mbaroi shkollën dhe pasi u aftësua bukur mirë, vazhdoi të punojë në zyrën e Divan-i Hymajun-it (Këshill i lartë në Perandorinë Osmane që vepronte në pallatin e Sulltanit), pastaj në një zyrë të veçantë të tij dhe në zyrën e Sekretariatit financiar. Më pastaj me veprimtarinë e tij filloi karierë të veçantë ushtarake. Me talentin e tij të lindur për një kohë të shkur-tër arriti të punësohet në Sekretariatin që kishte të bëjë me livatë (kra-hinat), e pastaj në Sekretariatin ushtarak dhe kështu, gradualisht fitoi gradën e lartë ferikli (gjeneral). Oratoria e madhe e tij arriti efekte dhe ndikime të mëdha. Dashuria e madhe ndaj familjes së Hazreti Muhammedit e futi në tarikat (mbase në sektin shiit - M.P.), Një pjesë e rëndësishme e poezive të tij janë poezi panegjirike, elegji, ndërsa disa poezi të tij përmbajnë lutje, dua e të ngjashme. Ja disa vargje nga poezia e tij(të cilat po i japim në gjuhën shqipe me një përkthim të lirë): 

Dashuria e rrufeshme dhe deti i pafund të shqetësojnë 

 Një margaritar i çmueshëm u bë i dukshëm në kohën e tij 

Tha u dukën lulet e para që e ndryshojnë karakterin 

Në njërën është drita e Muhammedit në njërën drita e Aliut . 

 

      MUSTAFA PASHA 

 

      Në kohën e sulltanatit të Sulltan Javuz Selim Hanit dhe të Sulltan Sulejman Hanit arriti gradën vezir i dytë. Është shqiptar. U martua me motrën e Sulltan Sulejmanit. Kjo lidhje familjare me anë martese bëri që ky edhe më tepër të respektohet nga ana e Sulltanit. Ishte një vezir i mençur, i shkathët dhe shumë i guximshëm. Në luftërat me Hungarinë dhe në rrethimin e Rodosit bëri shërbime të mira. Më 928/1521 qe bërë vali i Egjiptit (Misirit). Kur mbërrini atje, mori pjesë në një kryengritje kundër ushtrisë së mbetur çerkeze. Luftoi kundër tyre. Përsëri e pushtoi territorin e Egjiptit. Pasi vendosi paqë dhe qetësi, pasi qëndroi si vali aty tetë muaj e gjysmë, erdhi në Stamboll. Në 935/1528, kur bëhet vezir i dytë, vdes. U varros në oborrin e xhamisë që e kishte ndërtuar në Gekboza . 

 

      MUSTAFA PASHA 

 

      Ishte nga kryeministrat (sadrazemët) e kohës së Sulltan Mustafa Hanit III. Ishte nga Manastiri. Në fillim ishte iç-mehter. Arriti pozita të larta shtetërore; u bë kapuxhi-bashë dhe më 1103/1691 aga i jeniçerëve, e më pastaj u emërua muhafiz në Baba-Dagi. Pa kaluar shumë kohë u avancua në gradë të vezirit. Së pari në Anadoll, e pastaj, më 1108/1696 u emërua serdar dhe vali në Dijarbekir. Për shkak të sjelljeve dhe qëndrimeve të tij të çuditshme e hidhëroi padishahun e tij, por me ndërmjetësimin e shejhul-islamit (myfti), Fejzullah efendiut, u dërgua në kufirin e Bosnjës dhe u përqëndrua në kalanë e Boçillit, ku do t'i mjaftonte grada e vezirit. Më 1109/1697 u fal dhe u kthye përsëri në detyrë të vezirit. Kështu qe caktuar vezir në ejaletin e Bosnjës, pas një viti në ejaletin e Rekka-së, e pastaj në atë të Bagdadit. Në vitin 1112/1700, duke qenë në gradën e serdarit, u çmua lart në punën që bëri në përmirësimin e shtratit të lumit Dijale në kohën e nënshtrimit të Basrës. Më 1113/1701 transferohet në ejaletin e Anadollit, ndërkaq në vitin 1114/1702 avancohet edhe në gradën e kryeministrit. Ishte i padijshëm (lexo: i pashkolluar - M.P.), këmbëngulës dhe në një mënyrë i çuditshëm. Duke e mërzitur popullin me qëndrimet dhe sjelljet e çuditshme, si p.sh. duke ua ndryshuar veshjen grave ose duke urdhëruar të rrihen me një mijë shkopinj për një gabim, katër muaj pas një veprimi të këtillë, në moshën pesëdhjetëvjeçare dënohet me vdekje. E merr dënimin e merituar .

NAMI 

 

      Nga poetët e Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë janë pesë personalitete me këtë pseudonim: I dyti nga këta është nga Shkupi. Ishte i njohur me emrin Bekli Memi . 

 

      NASUH-ZADE ALI PASHA 

 

      Është nga kapedanët e kohës së sulltanatit të Sulltan Mahmut Hanit II. Është ulqinak172a. Edhe pse ishte kapedan i Galeonit, u bë kapedan i Perandorisë Osmane. Ndonëse ishte muhafiz në muhafezllëkun e Ujrave të Ulqinit, me një pjesë të anijeve të marinës së Perandorisë Osmane, më 1237/1821 u bë kapedan-i derja (admiral) në vend të Deli Abdullah Pashës, dhe atëherë grekët që ishin në kryengritje, meqë e kishin rrethuar Sakëzin nga rruga detare nën komandën e Kanariut të famshëm, me flotën shkoi në ato anë. Në luftën që u zhvillua ndërmjet tyre, i detyroi grekët të tërhiqen. Sado që e çau rrethimin dhe barrikadën, këta gjatë natës u afruan fshehtas dhe ia dhanë zjarrin flotës së tij. Ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, u hodh në det dhe, pas një përpjekje, u mbyt në ujë. Sipas një varianti tjetër doli në breg, por e vranë disa gjakpirës dhe ia kishin hedhur trupin në det.Të nesërmen ia kishin gjetur kokën të prerë dhe ashtu e kishin varrosur. Në funksionin kryekapedan qëndroi 8 (tetë) muaj172b . 

    

      NEHARI 

 

Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Ishte nga Prizreni.

  
       NESIRI  (Tahir Dede) 

 

Është poet dhe baba i tarikatit (sektit) të bektashizmit. Është nga fshati Frashër në Shqipëri që është vendlindja e autorit të ngratë (Sami Frashërit - M.P.). Pasi shëtiti një kohë të gjatë nëpër vendet e Perandorisë dhe pasi i vizitoi vendet e shenjta (shkoi në haxhillëk) u kthye në katundin e lartpërmendur (në Frashër - M.P.) dhe themeloi një teqe të madhe dhe përparimtare . Vdiq në vitin 1250/1834. U varros në tyrben pranë teqes së tij. Përveç shumë poezive në gjuhën shqipe, Nesibi shkroi edhe shumë gazele (vjersha lirike) në gjuhën turke dhe në gjuhën persiane. Kur po kthehej në mëmëdhe, u ndal në kasabanë e Leskovikut. Kur shejhat e atyshëm i shtronin pyetje, ky aty për aty u përgjigjej me vjersha . 

  

      NUHI 

 

Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është prishtinas. Ishte në kabinetin e Sulltan Mehmedit, njëri nga shehzadet (princat, pasardhësit) e Sulltan Sulejman Ligjëdhënësit. Kur vdiq shehzadeja i lartëpërmendur, iu bashkua sekretarëve të Divan-i Hymajunit (Oborri i Sulltanit). Në ekspeditën e Vanit ishte në funksion të lartë në Oborrin e Sulltanit, mirëpo, vdiq . 

 

      OMER PASHE VRIONI 

 

Ishte nga fshati Vrion i kazasë dhe sanxhakut të Beratit në Shqipëri. Shkoi në Egjipt si ushtar dhe atje duke marrë grada njërën pas tjetrës, u gjend edhe në vilajetin e Egjiptit të Mehmed Ali Pashës, me gradën e mirmiranit. Mirëpo, pastaj, duke rënë në mosmarrveshje me pashën e sipërpërmendur, u kthye në Janinë dhe vihet në shërbim të Ali Pashë Tepelenës. Meqë Ali Pasha u shpall fermanli, e la edhe këtë dhe u bashkua me Hurshid Pashën i cili ishte dërguar mbi Ali Pashën. Më 1236/1821, pas Ali Pashës, bëhet vali i Janinës me gradë të vezirit. Në këtë detyrë qëndroi katër vjet. Fëmijët e tij, Hysejni dhe Karamani u bënë mytesarrif në Berat dhe në liva (krahina) të tjera. Bejlerët e Beratit të tashëm (lexo në kohën e Samiut - M.P.) janë nipërit dhe stërnipërit e këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu. 

 

      OHËRLI HASAN PASHA 

 

      Është nga vezirët që arriti në funksione të larta në ministri në kohën e Sulltan Osman Hanit II. Është djali i një spahiu nga Ohri . U rrit dhe u kalit në kopshtin e pallatit të Sulltanit. U bë bostanxhi-bashë, kurse në ekspeditën e Revanit aga i jeniçerëve e pastaj bejlerbe i Rumelisë. Kur u kthye në Stamboll, u shpërblye me gradën vezir i katërt. Në vitin 1030/1620 kaloi në postin e sadriazemit. Pas pesë muajsh në këtë post, u akuzua se nuk i doli në ndihmë Karakash Mehmed Pashës i cili u vra në luftën e Hotinit , prandaj u largua nga detyra. U vra në mosmarrëveshjen që u paraqit po në këtë vit. U varros në Beshiktash, afër tyrbes së Jahja efendiut. Në Ohër ka lënë pasuri materiale për qëllime bamirëse (hajrate) . 

 

      PATRONA HALIL 

 

Është shqiptar. Ishte nga eprorët e jeniçerëve të kohës së Sulltan Ahmet Hanit III. Në një lëvizje (kryengritje) që e organizoi , së bashku me disa bashkëmendimtarë të tij, u vra nga Halil Pehlivani, aga i jeniçerëve, dhe nga shokët e tij . 

 

      PLASALI ISMAIL PASHA 

 

Është një nga vezirët e një familje të lashtë vezirësh të fshatit Plasa që ndodhet në periferi të kasabasë së Korçës në Shqipëri. Gjatë kohës së sulltanatit të Sulltan Abdylmexhidit shumë herë ka qenë vali nëpër vilajete të ndryshme. Vdiq në fund të periudhës së Sulltan Abdylmexhidit. Familja e katundit Plasa është një familje shumë e vjetër derebejësh. Emri Plasa është fjalë shqipe që do të thotë “saraj” (pallat), prandaj, fshati, për shkak të sarajit (pallatit) të veçantë të kësaj familjeje është quajtur me këtë emër. Nga kjo familje rrjedhin një varg vezirësh. Gërmadhat e këtij saraji-pallati shihen edhe sot . (lexo: në kohën e Sami Frashërit - M.P.).

 

PRISHTINASI  MESIHI 

 

      Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është nga Prishtina. Ishte sekretar i oborrit mbretëror i vezirit Ali Pasha. Pas vdekjes së tij ishte i shtërnguar të kënaqet me një timar të vogël. Vdiq në vitin 918/1510 . 

Dallohej edhe në kaligrafi (bukurshkrim). Ja një bejt nga ky: 

Pamja dhe stolisja që bën thika e gdhendjes janë të çmueshme 

Ashtu siç është pamja e manastirit me statuja dhe ikone . 

 

      QEMAL BEU 

 

      Është nga letrarët e famshëm të Perandorisë Osmane. Në të vërtetë, mund të konsiderohet reformator i letërsisë turke dhe themelues i të shkruarit sipas metodës së re. Sado që Shinasiu është ai që para Qemalit e nisi këtë mënyrë të të shkruarit, Qemal beu më tepër e ka gjallëruar dhe ndriçuar këtë metodë të re. Shkrimet letrare sipas metodës së re që i kishte shkruar ishin arsye të çmohen dhe të botohen shpejt. Në këtë mënyrë Qemal Beu shërbeu shumë në përmirësimin e letërsisë turke dhe në përhapjen e një stili natyror dhe të lehtë të të shkruarit. 


      Qemal beu lindi në Stamboll në vitin 1250/1834 . I ati i tij ishte nga Jenishehri , kurse e ëma ishte nga kasabaja e Konicës  të Shqipërisë. Mësimet e para i përvetësoi në mektebet e kohës dhe, pastaj, pasi mësoi gjuhën dhe letërsinë arabe, persiane dhe frënge, një kohë vazhdoi të punojë në institucionet e Portës së Lartë, e pastaj nëpër shtëpitë botuese te posahapura. Me artikujt që i botonte, tërhiqte vemendjen dhe kujdesin e opinionit të përgjithshëm. Më vonë u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit (¼ura-yi Devlet). Pas kësaj u emërua mutesarrif i Sakëzit. Kur  Sakëzi u bë qendër vilajeti, ky u transferua në mutesarrifllëkun e Rodosit. Pastaj, përsëri u kthye në Sakëz. Në vitin 1305/1887 vdiq në ishullin e zënë ngoje nga ndezja e mushkërisë së bardhë. Tyrbja i është ndërtuar në mënyrë të përsosur nga padishahu i tij. Në poezitë dhe në shkrimet e tjera nënshkruhej me pseudonimin Namik . 
      Shkathtësia dhe aftësia më e madhe e tij shihet në artikujt politikë, në vargjet që kanë të bëjnë me çështjen ekonomike, sociale, e sidomos në poezitë e njohura dhe të fuqishme të tij. Kishte dëshirë të shkruajë vepra teatrale dhe tregime. Sado që shkroi disa broshura të tilla, nuk shihet ndonjë shkathtësi e veçantë në këto gjini letrare në krahasim me të tjerat. Janë të njohura veprat e tij në prozë dhe në poezi. Ishte shumë i popullarizuar . 

 

QYPRILI MEHMED PASHA 

 

      Është nga vezirët (ministrat) më të shquar të Perandorisë Osmane që arriti në pozitën e kryeministrit (sadriazem). Është me origjinë shqiptare. Lindi në njërin nga fshatrat e kazasë së Timuricës  të sanxhakut të Beratit. Pasi erdhi në Stamboll dhe pasi hyri në oborrin mbretëror, iu bashkua grupit të posaçëm të gjellëbërësve (Tabahin Hassa Zumresi). Pastaj qe larguar nga kjo organizatë. Duke iu bashkuar Husrev Pashës, dalëngadalë qe bërë haznedar (arkatar) i tij. Në kohën e sadriazemit, Kara Mustafa Pashës, arriti në gradën e mirahorit, e pastaj me dy tuga u emërua vali në ejaletin e Sirisë (Shamit), Kudsit dhe Tripolit. Në vitin 1061/1650 u bë anëtar i kubbe-i vezirit (Këshill i veçantë në pallatin e sulltanit në Perandorinë (Osmane), e pastaj u emërua sanxhak-be i sanxhakut të Qystendilit. Më vonë qe tërhequr në kasabanë e Qyprisë të cilën e kishte zgjedhur për vendbanim të tij. Ibshir Pasha, i cili kishte kaluar në postin e kryeministrit kur u kthye nga Halepi për në Stamboll bëri një lutje - peticion (arzuahal) dhe ia dorëzoi atij sipas të cilit ky (Qyprili Mehmed Pasha - M.P.) për të dytën herë u emërua vezir në ejaletin e Tripolit, mirëpo, para se të arrijë në vendin e punës, ndryshoi disponimi i Ibshir Pashës; e përzuri dhe e ktheu në Qypri. Megjithatë, sipas një lutje me shkrim (arzuhal) që rrodhi nga ai vend e që iu dorëzua Mehmed Pashës të dëgjueshëm (të qetë), më 1066/1655 kaloi në pozita të larta shtetërore dhe përsëri u caktua në ejaletin e Tripolit. Gjersa po përgatitte dhe po rregullonte radhët ushtarake, me rekomandimin e disa qëllimmirëve dhe njerëzve me autoritet të shtetit, iu besua detyra e lartë (sadriazem) . Me fillimin dhe nisjen e reformave themelore, vend të rëndësishëm i dha çështjes ekonomike, rregullimit ushtarak dhe drejtësisë. Kështu shtetit (Osman) ia pat kthyer fuqinë dhe forcën që e gëzonte më parë. Në vitin 1067/1656 i mori përsëri nga duart e armiqve Limnin dhe Bozxha Ada-në , dhe pas një viti e drejtoi ushtrinë për ta nënshtruar popullin e Erdelit i cili ishte bërë i padëgjueshëm. E pushtoi Janovën dhe më 1070/1659 e parë pushtuar kalanë e Varad-it. Më 1072/1661 u sëmur dhe pasi lëngoi nja dy tri muaj, duke i kaluar të tetëdhjetat, vdiq. Është varrosur në oborrin e bibliotekës së tij afër Çemberlitashit. Si sadriazem (kryeministër), në kohën e Sulltan Mehmed Hanit, shërbeu pesë vjet e tre muaj e dhjetë ditë. Rezultatet që i arriti në përforcimin dhe më ngritjen e çështjeve shtetërore në një shkallë më të lartë, janë argumente të qarta që tregojnë për fuqinë dhe mundësinë e tij të jashtëzakonshme. Disa historianë e kritikojnë rigorozitetin e tij që e tregoi gjatë dënimeve, ndonëse edhe ky, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat politike të asaj kohe, mund të falet . Sido që të jetë, për shkak të rezultateve dhe shërbimeve që i bëri në shtet, nuk lejohet të merret nëpër gojë. Në Stamboll, në afërsi të Çemberlitashit ka themeluar medresenë dhe bibliotekën. Edhe në Qypri ka lënë shumë monumente (hajrate) për qëllime bamirëse. Duke u bazuar në shërbimet e shkëlqyeshme të tij, posti i sadriazemit iu besua dhe iu dorëzua djalit të tij Fazil Ahmed Pashës. Në këtë  pozitë  të lartë erdhën edhe disa personalitete nga fëmijët dhe nipërit e tij . 

 

QYPRILI-ZADE  (Fazil Ahmet Pasha) 

 

      Është nga vezirët i cili në kohën e Sulltan Mehmed Hanit IV kaloi në postin e sadriazemit (kryeministër) . 


      Është djali dhe trashëgimtari i Qyprili Mehmed Pashës, biografia e të cilit u shkrua pak më parë. Lindi në kasabanë e Qyprisë në vitin 1045/1635. Edhe pse i përvetësoi mësimet fetare islame nga Kara Çelebi-zade Abdylaziz efendiu dhe nga dijetarët (ulematë) e tjerë të kohës dhe, edhe pse hyri në kategorinë e muderrizëve, ai kaloi në punët që kishin të bëjnë me çështjet e pushtetit. Kështu, më 1069/1658 me gradë të vezirit u emërua në Erzurum; më 1070/1659 u emërua në vilajetin e Sirisë; më 1071/1660 u kthye në Stamboll dhe u emërua në pozitën e lartë të kajmekamit, e kur u sëmur babai i tij, e zëvendësoi atë. Në 1072/1661 kur i vdiq babai, ndonëse ishte në moshën 27 vjeçare, kaloi në pozitën e kryeministrit. Pas një viti kaloi në kështjellat (kalatë) e Erdelit të austriakëve (d.m.th.në Transilvani). Duke shkuar në ato anë me ushtrinë osmane me gradë serasker (kryekomandant), pas një rrethimi prej 26 ditësh, më 1074/1663 e pushtoi kalanë e Ujvarës. Me këtë arriti një sukses të madh. Kur filloi stina e dimrit, u kthye në kazermat e Beogradit, ku u organizua mirë që në pranverë të ndërmarrë përsëri ndonjë ekspeditë tjetër. Mirëpo, duke u dërguar përfaqësues nga ana e Austrisë, u përkrah marrëveshja paqësore. Pas harmonizimit të qëndrimeve dhe marrëveshjes në dobi të Shtetit Osman, ai u kthye në Edrene. U bë shumë i respektuar dhe shumë i dashur te padishahu i vet. Në vitin 1077/1666 personalisht shkoi në Ujërat e Kretës që gjendej nën rrethimin e Osmanlinjve plot 24 vjet. Në vitin 1080/1669 ia doli t'i nxjerrë dhe t'i largojë plotësisht venedikasit nga siujdhesa dhe, kur e pushtoi tërë Kretën, u kthye  fitimtar në Edrene. Për këtë sukses të madh fitoi komplimente nga Sulltani dhe kështu u bë shumë i famshëm. Kur më 1083/1672 populli kozak që gjendej nën mbrojtjen e Perandorisë Osmane u sulmua nga mbreti i Polonisë , Sulltani i lartpërmendur personalisht ndërmori një ekspeditë me ushtrinë osmane me të cilën shkoi edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu. Në pushtimin e Kamenixhes tregoi guxim të jashtëzakonshëm. Mirëpo, kur e kapën disa sëmundje, më 1087/1676 kthehet në Edrene bashkë me ushtrinë. Nuk kishte fuqi të shkojë me të, prandaj, i përgatitën një përcjellje solemne dhe, duke shkuar pas saj dalngadalë, në afërsi të Xhisrerginesë , në çiflikun Kara-Biber, vdiq. Kufomën ia çuan në Stamboll. E varrosën pranë babait të tij. Vdiq në moshën 42 vjeçare . Në guxim, aftësi dhe shkathtësi  ishte i njëjtë si babai i vet. Dallohej më tepër edhe me dituri, bujari, urtësi, maturi. I urrente dhe nuk i kushtonte rëndësi përhapjes së gjërave jo të rëndësishme. Për të pasuruar edhe më tepër bibliotekën e t'et, grumbulloi një numër të madh librash me vlerë të lartë. Pastaj, ka lënë shumë pasuri të vlefshme (hajrate) si në Stamboll ashtu edhe në Qypri. Kishte edhe talent për poezi . Me rastin e pushtimit të Ujvarës në Hungari, e shkroi edhe këtë varg:

 
Allahu na ndihmoi, e pushtuam Ujvarën . 

 

QYPRILI-ZADE  (Mustafa Pasha) 

 

      Është nga kryeministrat (sadriazemët) e kohës së Sulltan Sulejmanit të Dytë dhe Sulltan Ahmet Hanit të Dytë.

      Është djali i Qyprili Mehmed Pashës dhe vëllai i vogël i Fazil Ahmed Pashës, biografia e të cilit u shkrua pak më parë. Lindi në vitin 1046/1637. Studioi shkencat fetare islame. Edhe pse në kohën e babait dhe vëllait të tij ishte i angazhuar thellësisht në studime, Merzifunli Mustafa Pasha , që ishte edukator dhe furnizues i dinastisë së tyre, në vitin 1091/1680, kur ishte në pozita të larta shtetërore (sadriazem), menjëherë e avancoi këtë, biografia e të cilit po shkruhet këtu, në gradën e vezirit. Dhe, në vitin 1095/1683 u caktua vezir në ejaletin e Nigbollit dhe Silistri kurse në Baba-Dagi (Mali Baba) u emërua serdar (kryekomandant ushtarak). Pastaj, u përzu dhe u dëbua. Më vonë u emërua muhafiz i Sakëzit dhe Seddulbahrit, kurse në vitin 1098/1686 me të ardhur në Stambolll qe emëruar kajmekam. Pas ardhjes në fron të Sulltan Sulejman Han-it II, me dredhinë e despotëve u dërgua në Seddulbahër ku qe bërë muhafiz i Kandijes e pastaj i Sakëzit. Në vitin 1101/1689 tërhiqet në Stamboll dhe i dorëzohet myhyri i sadriazemit për çështje të arsimit. Duke ia filluar punës me një seriozitet të madh dhe, pasi vendosi edhe më tepër rregullësi, drejtësi, urtësi, ushtrisë Osmane i dha më shumë fuqi, prandaj u nis për një ekspeditë ushtarake. Kërkoi t'i kthehen Piroti , Beogradi, Vidini, Nishi që kishin rënë në duart e armikut. Pasi vendosi dhe e siguroi mirë qeverisjen Osmane në ato vende, u kthye fitimtar. Kur arriti këtu, dolën të gjithë përnjëherë dhe i bënë pritje madhështore. U angazhua që në pranverë të ndërmarrë gjithsesi një ekspeditë tjetër. Gjatë kësaj kohe erdhi në fron Sulltan Ahmed Hani II. Ky, biografia e të cilit shkruhet këtu, përsëri mbeti në pozitën e kryeministrit. Në pranverën e vitit 1102/1690 me ushtrinë Osmane shkoi në Hungari. Luftoi kundër princit Lui. Sado që në këtë betejë ushtria e tij ngadhnjeu, ky (Qyprili-zade Mustafa Pasha - M.P.) humbi jetën në fushëbetejë duke u qëlluar me plumb. Kufomën ia dërguan në Stamboll. E varrosën pranë babait dhe vëllait. Si kryeministër (sadriazem), në kohën e Sulltan Sulejmanit të dytë dhe Sulltan Ahmedit të dyti, qëndroi rreth dy vjet e dy muaj. Kur u vra ishte në moshën 55 vjeçare. Ishte një personalitet krenar, guximtar, i dijshëm, i drejtë dhe musliman i mirë  mirëpo, për punët diplomatike nuk kishte ndonjë shkathtësi të veçantë . 
   

QYPRILI-ZADE  (Numan Pasha) 

 

      Është nga vezirët (ministrat) që kaloi në pozitën e sadriazemit në kohën e Sulltan Ahmed Hanit III. Ishte djali i Qyprilizade Mustafa Pashës, biografia e të cilit u shënua pak më parë. Lindi në Stamboll. Pasi i studioi  shkencat fetare islame, në vitin 1112/1700 në kohën e sadriazemit Amixha-zade Hysejn Pashës, i cili ishte djalë i mixhës së tij, ishte në kubbe-i vezir (Këshill i veçantë në pallatin e Sulltanit). Pastaj u caktua muhafiz dhe vali i Erzurumit, Anadollit, Egribozit, Kandijes dhe përsëri Egribozit. Pat lidhur miqësi (me anë martese - M.P.) me Sulltan Mustafa Hanin II. Më 1122/1710 me propozimin e bashkëshortes, transferohet në Stamboll dhe emërohet sadriazem në vend të Çarlili  Ali Pashës. Sado që ishte një personalitet i dijshëm, i sinqert dhe i drejtë, angazhimi i tij në shkencë, ibadet dhe në gjëra të tjera të rëndësishme kryesisht ishte i tërthortë. Meqë nuk ishte aq i interesuar për pozita, pas 63 ditësh u largua nga detyra. Më pastaj, mori pjesë si serasker (kryekomandant ushtarak) në Egriboz, në Hanije, në Kandije në Janinë dhe më 1126/1714 në Mal të Zi. U caktua në detyra të larta edhe në Bosnjë e Hercegovinë, pastaj: në Beograd, Ixhil, Qipro. Në vitin 1129/1716, kur dëgjoi se austriakët kishin për qëllim t'i sulmojnë kufijtë e shtetit Osman, ky (Numan Pasha - M.P.) menjëherë u përgatit kundër tyre. Duke u emëruar për të dytën herë në ejaletin e Bosnjës, me trimat e Bosnjës e shkatërroi ushtrinë e armikut dhe u mori (u konfiskoi) shumë armë, pasuri dhe shumë gjëra të tjera të vlefshme. Pas kësaj u shtuan luftërat në ejaletin e përmendur më lart. Për t'u qetësuar dhe për të pushuar, u shpërngul në muhafezllëkun e Kandijes dhe aty, më 1131/1718, vdiq. Edhe pse (kur vdiq) ende nuk i kishte mbushur të pesëdhjetat, ishte personalitet i formuar dhe i vyeshëm sikur të kishte një përvojë të gjatë . 
   

QYPRILI-ZADE  (Abdullah Pasha) 

 

      Është djali i Qyprili-zade Mustafa Pashës, biografia e të cilit u shkrua pak më parë. Ishte një personalitet i  dijshëm, shkrimtar, letrar dhe trim. Ishte serasker (kryekomandant) i ushtrisë Osmane në anët e Tibrizit, në frontin e Iranit që u hap kundër Nadirshahut në kohën e Sulltan Ahmed Hanit III. Gjatë kësaj ekspedite e pushtoi Tibrizin dhe me shahun e sipërpërmendur vendosi të bëjë marrëveshje. Më 1148/1735, përsëri u hap një front i fortë me iranianët. Në këtë luftë të rreptë që ndodhi, ky (Abdullah Pasha - M.P.) u vërsul si lua, por u vra në fushëbetejë. Babai i tij u vra në Hungari dhe djali i tij Abdurrahmani, gjithashtu u vra në Hamadan 9 vjet para tij.  Qyprili-zade Abdullah Pasha ka lënë një divan me poezi arabe, si duket, më vonë është botuar në Bejrut . 

 

SA'JI 

 

      Nga poetët e periudhës së hershme të Perandorisë Osmane janë dy personalitete me këtë pseudonim:  I pari nga këta është prizrenas. Pasi i përvetësoi dhe i zgjëroi dituritë e veta në kohën e Ebu-l-Fet'h Mehmed Hanit II, u tërhoq në një teqe të qetë në Prizren. Pastaj hartoi një vepër poetike (gazel) për Sulltan Bajazit Hanin i cili e thirri dhe e shpërbleu. Shkroi edhe një libër me titull “Ta'rifat” (Definicione). Ja një bejt nga ky poet:

 
Kur e përshkruaja bukurinë e fytyrës së tij në librin e trimave 

 Më bënte të qaj idhët dhe më shqetësonte . 

   

SEID PASHA 

 

      Ishte nga valitë e dalluar të vilajetit të Egjiptit. Është djali i të ndjerit Mehmed Ali Pashës. Lindi në vitin 1238/1822. Në vitin 1271/1854, pas Abaz Pashës, u bë vali i Egjiptit. Pasi që 9 vjet në mënyrë të mrekullueshme i udhëhoqi vendet e Egjiptit, në vitin 1280/1863 vdiq. Ishte njohës i mirë i gjuhëve evropiane. Kishte një edukatë të lartë. Pati sukses në shumë reforma dhe në zhvillimin e Egjiptit. Kontribuoi shumë në hapjen e Kanalit të Suezit. Në hyrje të Kanalit që gjendet në anën e Detit të Bardhë themeloi kasabanë që, sipas emrit të tij personal, quhet Port Seid . 

  

SEXHVEDI 

 

      Është nga poetët e Perandorisë Osmane të kohës së Sulltan Selim Hanit. Ishte nga Tetova (turq. Kallkandelen). Me përkrahjen e Piri Pashës ishte bërë sekretar i Oborrit të Sulltanit. Ja një pjesë nga poezitë e tij: 


Mos mendo se vaji i bilbilit, oj fytyrbukur do të më kuptojë mua 

 Në kopshtin e dashurisë sate ky vaj dhe kjo klithmë do të më kuptojë mua 

Në largimin tënd gjithnjë bëhem trim, oj perri (bukuroshe) 

 Ky sy le të ketë shumë lotë, lotët e shumtë do të më kuptojnë mua . 

  

SINANI  (Kadi) 

 

      Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Ishte manastirli (nga Manastiri). Shërbeu si kadi në Rumeli. Ka shkruar një poemë me titull “Jusufi dhe Zylejhaja” . 

 

SINAN PASHA 

 

      Është nga vezirët i cili në kohën e Sulltan Murat Hanit III dhe të Sulltan Mehmet Hanit III pesë herë kaloi në postin e kryeministrit (sadriazem). Është me origjinë shqiptare . Në kohën e Sulltan Sulejman Hanit doli nga oborri i sulltanit me gradën çashnegir. Më vonë u emërua sanxhak-be në Malata, Kostamuni, Gaza dhe në Tripoli, e pastaj vali në ejaletin e Erzurumit dhe të Halepit, kurse më 977/1569 në ejaletin e Egjiptit. E pushtoi Jemenin të cilin e futi nën perandorinë Osmane. Kur u kthye me këto rezultate të mëdha, u quajt gazi (pushtues, hero). Më 982/1574 në Detin e Bardhë u bë sipehsallar dhe i sulmoi Kalabrinë dhe Mesinen, pastaj e pushtoi kalanë Hallk al-Vadi, d.m.th. kalanë Golta. Më 988/1580 shkoi në Lindje me gradën ushtake serdar. Pas vdekjes së Ahmed Pashës , sado që u dërgua sadriazem në vend të tij, këtë herë meqë nuk pati sukses, më 990/1582 u degradua, por punoi si nëpunës në Malkara. Më 994/1585 u emërua vali i Shamit, kurse më 997/1588 pas largimit të Sijavush Pashës, për të dytën herë emërohet kryeministër (sadriazem). Mirëpo, pasi veproi në mënyrë të ashpër dy vjet, pra, më 999/1590 përjashtohet dhe dëbohet për Malkara. Për shkak të ngjarjeve që ndodhën më 1001/1592 ai përsëri, pra, për të tretën herë ftohet për sadriazem. Këtë herë i turret Hungarisë; e pushtoi dhe e nënshtroi Poletin. Gjatë këtij viti dimrin e kaloi në Beograd. Më 1002/1593 e pushtoi edhe kalanë e Janikut. Më 1003/1594, kur në fron vjen Sulltan Mehmed Hani III, SInan Pasha përsëri përjashtohet dhe prap shkon në Malkara, por, pas disa muajsh përsëri bëhet sadriazem në vend të Ferhad Pashës , pra, për të katërtën herë. Megjithëse ndërmori një ekspeditë ushtarake kundër Vllahisë (turq. Eflak) nuk hyri në luftë duke u frikësuar nga një lloj epidemie, prandaj u arratis. Mosuksesi dhe humbja këtu ishin shkak që Sinan Pasha, pas pesë muajsh si sadriazem të ndërrohet përsëri. Në vend të tij u emërua Lala Mehmet Pasha. Dhjetë ditë pas vdekjes së tij, Sinan Pasha përsëri, pra për herë të pestë bëhet sadriazem. Duke qenë në këtë pozitë Sinan Pasha, më 1004/1595, në moshën 90 vjeçare vdiq dhe u varros në tyrben në lagjen Sedefçeler të Stambollit. Pesë herë ka qenë sadriazem dhe pesë herë serdar, d.m.th. dhjetë herë ka qenë në pozita të larta shtetërore . 

 

SIRRI SELIM PASHA 

 

      Është nipi i Ali Pashë Tepelenës, pra djalë i Vali Pashës. Lindi në Janinë në vitin 1215/1800. Pas vdekjes së t'et erdhi në Stamboll. Pas një kohe të nëpunësisë si mytesarrif (mëkëmbës) dhe si vojvodë në Rumeli dhe në Anadoll, u emërua defterdar në Erzurum, e pastaj anëtar i Këshillit financiar (Mexhlis-i Muhasebe) dhe një kohë u emërua kajmekam i Ajvallëkut. Ndërkaq, në vitin 1263/1846 me gradën e vezirit u emërua në muhafezllëkun e Beogradit, ku pas një kohe të shkurtër vdiq . Kishte talent për të thurur poezi. Ja një bejt (dyvargësh) nga poezia e tij:

 
Brengat shpirtërore janë dhuratë e mërzisë dhe fatkeqësisë

Edhe krahërori është suvenir i mërzisë dhe fatkeqësisë . 

  

      SKENDERBEU 


      Emri origjinal i tij është Xhorxh ose Gjergj Kastrioti. Është i biri i Jan (Gjon - M.P.) Kastriotit i cili, në kohën e pushtimeve osmane në Rumeli, ishte princ në krahinën e Krujës, d.m.th. të Akça Hisarit në Shqipëri. Ka lindur më 1404, e sipas një varianti tjetër më 1414 pas erës së re. Kur Sulltan Murati II e kishte drejtuar forcën ushtarake kah Arnautllëku, babai i këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sado që i ishte nënshtruar atij, padishahu i sipërpërmendur, për të siguruar këtë nënshtrim, i pat marrë peng katër djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pat dërguar në Edrene. Skënderbeu ishte më i vogli. Meqë ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm fitoi simpatinë dhe dashurinë e padishahut i cili e quajti Skënder në gjasim me Lekën e Madh i cili i takonte të njëjtës racë me të. Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin II. Kur u rrit u emërua sanxhak-be në Serbi,  në Sham dhe në shumë vende të tjera dhe si i tillë shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane. Në luftërat që ndodhën pat treguar trimëri, guxim dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte aq i fortë dhe trim saqë kur dilte në dyluftim në praninë e padishahut të tij kundër shumë pehlivanëve që vinin nga vende të ndryshme për të provuar forcën dhe fuqinë e tyre, asnjëherë nuk humbte. Kur i vdiq babai, territori në krye të të cilit ishte ai, iu aneksua shtetit Osman ashtu që në Akça Hisar (Krujë) u dërgua një muhafiz, ndërkaq, Skënderbeu në atë kohë gjendej në ekspeditën ushtarake në Sham. Kur u kthye u njoftua se i kishin vdekur tre vëllezërit. Skënderbeu parashikonte që pas vdekjes së të atit, njëri nga vëllezërit e tij ose ai vetë të emërohej si princ i krahinës së trashëguar. Mosarritja e këtij qëllimi, në njërën anë, dhe vdekja e vëllezërve, nga ana tjetër, e hidhëroi, prandaj kërkonte rastin e volitshëm për të ikur. Kështu, kur më 1443 pas erës së re qe dërguar ushtria në luftën e Moravës, ky, me një numër të vogël shqiptarësh që ishin me të, iku. Pasi që e mashtroi muhafizin e Akça Hisarit (Krujës) dhe pasi e riktheu pronën e të atit, i thirri princat dhe krerët e tjerë të Arnautllëkut për besëlidhje dhe bashkim, të cilët e njohën atë për kryekomandant të tërë Arnautllëkut. Në saje të aftësive dhe shkathtësive të veta si dhe me ndihmën e pozitës strategjike të vendit, ai mundi t'i bëjë ballë për një kohë të gjatë ushtrisë së dërguar nga ana e shtetit Osman. Mbretërit e krishterë të Evropës, e sidomos Papa dhe mbreti i Hungarisë, duke konsideruar se Skënderbeu do të jetë një digë hekuri kundër Perandorisë Osmane, vazhdimisht e nxitnin atë. Sado që ata kishin bërë marrëveshje me të, nuk kishin guxim të aktivizoheshin kundër fuqisë Osmane dhe, pasi që e futën në zjarr Skënderbeun, bënin sehir (vështronin) nga larg. Sidoqoftë, Skënderbeu, me ndihmën e pozitës natyrore të vendit dhe në saje të një përgatitje të tij të posaçme luftarake, d.m.th. duke i zënë grykat, duke iu larguar luftës frontale, ka mundur t'i përballojë ushtrisë së madhe të drejtuar nga vetë Sulltan Murati II. Megjithëkëtë, si ushtria, si vendi i tij pësuan shumë. Sidomos u dëshpërua kur nipi i tij Hamzai dhe shoku i tij më trim, Mojsiu, i lëshuan radhët e tij dhe iu bashkuan ushtrisë osmane për të luftuar kundër tij. Mirëpo më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë. Sulltan Mehmet Hani II, poashtu, shumë herë pat dërguar ushtri kundër Skënderbeut dhe, më në fund Skënderbeu u detyrua të lidhë marrëveshje për paqje. Kjo marrëveshje u lidh më 1461. Skënderbeu gjatë kësaj kohe kaloi në Itali për t'i ndihmuar Ferdinandit I, mbretit të Napolit e të Siqelisë kundër sulmeve të mbretit të Francës Sharlit VII. Për fitoren që e arriti me këtë ndihmë, Ferdinandi, si shpërblim ia dha Skënderbeut titullin Duka i Shën Pjetrit. Kur u kthye nga kjo ekspeditë në vitin 1463, me nxitjen dhe imponimin e Papa Piut II, ai (Skënderbeu - M.P.) e prishi marrëveshjen dhe përsëri ia filloi luftës kundër Perandorisë Osmane. Këtë herë Sulltan Mehmeti II dërgoi një ushtri të madhe dhe, duke kuptuar Skënderbeu se nuk do të mund t'i bëjë ballë, edhe meqë u sëmur, për të kërkuar ndihmë nga venedikasit shkoi në kasabanë e Lezhës, ku më 1467 vdiq. Ndonëse u varros në Lezhë, meqë ishte përhapur fjala se eshtrat e tij të ruajnë nga të goditurit e armëve, u nxorrën copat e tyre dhe u varën në teshat e luftëtarëve. Ai pas vetes la një djalë në moshë të re, i cili bashkë me disa krerë iku për në Venedik dhe ende nuk dihet se ç'u bë me të. Menjëherë pas vdekjes së Skenderbeut u dorëzua Kruja dhe u pushtua i tërë Arnautllëku, duke rënë nën qeverisjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Historia e Skënderbeut është shkruar në gjuhën latine nga bashkëkohaniku dhe ithtari i tij i quajtur Barleti . 

 

      SUN'ULLAH EFENDIU  (Xhafer efendi-zade) 


      Është nga ulematë i cili katër herë mori gradën shejhulislam, në kohën e Sulltan Mhmed Hanit III dhe Sulltan Ahmed Hanit I. 

      Është djalë i Xhafer efendiut nga Shkupi i cili në kohën e Sulltan Sulejmanit Ligjëdhënësit ishte në pozita të larta shtetërore. Lindi në vitin 960/1552. Edhe pas kryerjes së shkollimit një kohë vazhdoi të mësojë edhe te Ebu s-Se'ud efendiu, kështuqë në pikëpamje arsimore islame dhe shkencore u ngrit mjaft shumë. Kështu, më 998/1589 u bë kadi në Brusë; më 999/1590 në Edrene; më 1000/1591 në Stamboll dhe po këtë vit edhe në Anadoll, ndërkaq, më 1001/1592 u bë kadiasker i Rumelisë. Më 1008/1599 u zgjodh shejhulislam në vend të Hoxha Sadudin Efendiut. Pasi e udhëhoqi seksionin e fetfasë 22 muaj e dhjetë ditë, u largua. Më 1011/1602 sado që për të dytën herë u bë shejhulislam, meqë nuk mundi t'ia dalë me Jemishxhi Hasan Pashën  i cili ishte sadriazem, pas 34 ditësh në këtë detyrë, kërkoi të lirohet. Pas ardhjes në fron të Sulltan Ahmed Hanit I, më 1013/1604 për herë të tretë bëhet shejhulislam. Edhe këtë herë, pasi e udhëhoqi seksionin e fetfasë 2 vjet e 3 muaj e 10 ditë, më 1015/1606 me intervenimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të kryeministrit (sadriazemit) Dervish Pashës, u largua dhe në vend të tij u caktua Ebu 1-Mejamin Mustafa efendiu. Mirëpo, pas katër muajsh u kthye përsëri dhe për të katërtën herë bëhet shejhulislam. Pasi qëndroi në këtë detyrë 1 vjet e 7 muaj e 1 javë, u largua nga detyra. Më 1020/1611 shkoi në haxhillëkun e nderuar, kurse më 1021/1612 vdiq. Ka lënë pas vetes disa vështrime, vërejtje dhe sqarime të tefsirit dhe të disa librave mësimore dhe disa hajrate . 

   

      SUZI 


      Është nga poetët e periudhës Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Ishte nga Prizreni . Një kohë shërbeu si kadi, pastaj hyri në shërbim të Mihalogllut. Shkroi një poemë për pushtimet e Mihalogllit

 

      SHEM'I 


      Nga poetët e vjetër të Perandorisë Osmane janë dy personalitete me këtë pseudonim: 

      I pari nga këta është prizrenas (prizrenli). Ishte mbrojtës, studiues dhe dashamir i madh i mutesavvufit (misticizmit), njëherit ishte poet i madh dhe njeri i pjekur. Një kohë vazhdoi të shërbejë te teqja e Shejh Vefa efendiut. Një natë i thirri shokët e vet duke u thënë se ka organizuar një tubim përkujtimor. Gjatë ziqrit dhe mukabeles u tërhoq në një skaj të teqes. Ndonëse mendoi të flejë, shpirtin ia bëri teslim Xhananit (epitet për All-llahun xh.sh. - M.P.). Poezitë e tij janë plot dashuri dhe fjalë të bukura. Mjafton të sjellim dy bejtet e para të një gazeli të njohur të tij:

 
Ai trupi im i argjendtë të turprohej të më mundojë mua

Ta mbërrij e ta lus që qefinin ta var në qafën time 

 Nëse bëhet këmishë xhenneti do ta heqi dhe ta grisi 

 Se në momentin e bashkimit këmisha ime do të më pengojë mua . 

 

      TALIB FAIK EFENDIU 


      Është nga ulematë  e periudhës së vonshme të Perandorsië Osmane. Shkollimin e kreu në Manastir dhe u bë shumë i famshëm. U bë ekspert i shkencave të fikhut, filozofisë islame dhe hadithit. Lindi në katundin Kanalli, tri orë larg Manastirit. Ky katund është i njohur me atë se qysh herët ka dhënë dijetarë të mëdhenj. Pasi vazhdoi të mësojë rregullisht te Mehmed efendiu i katundit të përmendur po në Manastir, mori dituri edhe nga Sulejman Farisi efendiu i cili ishte myfti në Manastir. Edhe ai vetë ishte i angazhuar t'i mësojë dhe t'i arsimojë ata që ishin më të vlefshëm dhe më të zgjuar. Për shkak të zgjuarsisë së tij të jashtëzakonshme dhe të specializimit letrar dhe shkencor të tij, u bë i njohur në vilajetin e Manastirit dhe në rrethinën e tij. Ishte shumë i informuar dhe solid në njohuritë e veta, i matur në punë dhe në sjellje dhe korrekt në çështjet profesionale dhe morale. Nga thëniet më të njohura të tij po shkëpusim këtë: “Të ushtruarit e trupit është veprim (lëvizje); zemra dhe shpirti mendojnë dhe kontrollojnë. Të dyja këto kur veprojnë në mënyrë të harmonishme, tregojnë vlerat dhe njoftimet e çmueshme krijuese të All-llahut xh.sh. Vdiq në vitin 1286/1869.

      Është babai i Fehmi efendiut , bashqatip i Divan-i Muhasebat-it (Komisioni i Kontrollit shtetëror) dhe letrar i njohur i shekullit tonë  (lexo: në kohën e Sami Frashërit - M.P.)

    

      TARHONXHI AHMED PASHA 

 
      Edhe ky është nga sadriazemët (kryeministrat) e kohës së Sulltan Mehmedit IV. Është nga nahija e Matit të Shqipërisë. Kur erdhi në Stamboll, hyri në oborrin mbretëror. Kur Musa aga u caktua silahdar në ejaletin e Egjiptit, edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, doli spahi. Pastaj, qe emëruar kethuda (lexo: ket-huda) te Musa aga, kurse më 1058/1648 te veziri i madh Hezar Pare Ahmed Pasha . Kur u dënua me vdekje Hezar Pare Ahmed Pasha, edhe ky u kërkua, mirëpo shpëtoi në saje të ndërmjetësimit të shejh-ul-islamit, Abdurrahim efendiut. Sado që u caktua vali në Dijarbekir, duke shty afatin e shkruarjes në atë anë, pati sukses ta ndërrojë nga vendi i punës valiun e Egjiptit. Pasi qeverisi një kohë në Egjipt, pas largimit nga puna, u burgos nga ana e Abdurrahman Pashës. Edhe kur erdhi në Stamboll u nënçmua shumë nga sadriazemi kurd Mehmed Pasha. U dëbua për në sanxhakun e Selanikut dhe, më 1062/1651, u tërhoq në Stamboll dhe u gradua me gradën kryeministër (sadriazem) . Ka qenë vezir i mençur dhe i aftë i cili patë ndërmarrë disa hapa në përmirësimin e gjendjes ekonomike. Për këto arsye, dhe për interesa të tyre personale disa njerëz qëllimkëqij, ia përgatitetën kurthin dhe më 1063/1652 e arrestuan dhe e vranë. Si kryeministër (sadriazem) shërbeu 9 muaj e gjysmë . 
   

TEUTA 

 
      Ishte mbretëresha e shtetit të lashtë të Ilirisë, kryeqytet i të cilit ishte Shkodra. Ishte bashkëshortja e Agronit. Pas vdekjes së tij, në vitin 231 para erës së re, e vazhdoi pushtetin. Meqë në vitin 230 i vrau përfaqësuesit e dërguar romakë, Joniosin dhe Koronkoniosin, hyri në luftë me romakët. Pas një lufte të gjatë pësoi humbje nga Paltonnios Albinosi dhe Folios Çentomalosi, prandaj u detyrua t'i paguajë Romës tatim (xhizje) .

 

VALIHI 

Me këtë pseudonim janë tre poetë të periudhës së Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit: 

I dyti nga këta ishte nga Shkupi. Një kohë shërbeu si muderriz në Edrene, e pastaj edhe si kadi i bektashizmit. Ja një bejt nga ky me një përkthim të lirë në gjuhën shqipe:

      Të keshë dashuri përveç dashurisë së Zotit është e tepërt   tërheqshmëria dhe dashuri ime vazhdon, All-llahu është dëshmitar.

 
      VASIF 

Me këtë pseudonim janë të njohur katër poetë:  I dyti nga këta (Enduruni Osman beu) është i biri i shqiptarit Halil Pasha. Pasi i plotësoi kushtet e pensionimit, u pensionua dhe në vitin 1240/1824 vdiq . 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!