“ABRAHAMI, BABA I TRI RELIGJIONEVE”

Yona Metzger, rabini kryesor Ashkenazi i Izraelit, flet me Spiegel Online për Abrahamin si babanë e të tri religjioneve monoteisitike; Islamit, Krishterimit dhe Judaizmit, dhe shpjegon se si kjo lidhje mund të jetë pikënisje për një dialog paqeje në mes këtyre feve.

SPIEGEL ONLINE: Rabin kryesor, hebraikët i referohen Abrahamit si “Ati ynë Abraham.” Sa vështirë është për juve të pranoni faktin se të krishterët dhe myslimanët gjithashtu e quajnë Abrahamin baba të tyre?

METZGER: Kjo nuk është aspak e vështirë. Kjo përshtatet shumë mirë me religjionin hebraik. Nëse shikojmë për së afërmi fjalën “Abraham”, zbulojmë se përbëhet prej fjalëve “baba i shumë kombeve.” Andaj nëse myslimanët e asociojnë veten me djalin e Abrahamit, Ismaelin, apo të krishterët e asociojnë veten me nipin e Abrahamit, Esaun, apo ne që e asociojmë veten me nipin e tij tjetër Jacobin, atëherë të tri fetë e mëdha monoteisitike kanë lindur nga ai.

 

SPIEGEL ONLINE: Cili është funksioni i Abrahamit në Bibël?

METZGER: Filozofi i madh hebraik, Mamonides e shpjegoi këtë gjë shumë mirë. Zoti krijoi objekte të ndryshme në qiell. Diellin, për shembull, apo hënën dhe yjet, këto të gjitha janë lartë përmbi ne. Kjo u kuptua të ketë domethënie se Zoti dëshironte që ne t’i respektojmë ato më shumë sesa gjërat të cilat janë krijuar në Tokë. Gradualisht gjërat shkuan gabimisht. Në vend se t’i lutemi direkt Zotit, njerëzit filluan t’u luten objekteve.

SPIEGEL ONLINE: Ata adhuruan idhuj.

METZGER: Kur erdhi Abrahami, ai e pa diellin duke lindur, duke perënduar dhe botën duke u rrotulluar përreth, dhe mendoi, kush po e shkakton lëvizjen e të gjitha këtyre? Duhet të jetë dikush përmbi të gjitha këto. Andaj në thelb ai po thoshte: “Keni mbetur në gjysmë. Ekziston dikush përmbi këtyre objekteve që po i adhuroni! Andaj pse të shkojmë te meshtarët? Të shkojmë drejtpërdrejt te mbreti.” Andaj ai nisi një rrugëtim që preku shumë njerëz. Së bashku me gruan e tij Sarah, ai udhëtoi prej një vendi në tjetrin dhe zhvilloi filozofinë e besimit në një Zot. Ngadalë, por sigurt, shumë njerëz u mblodhën rreth tij dhe sot shumica e popullatës së botës beson në një zot: Krishterimi, Islami, Judaizmi....

SPIEGEL ONLINE: ... 3.5 miliardë njerëz ...

METZGER: Ndoshta edhe më shumë. U takova me udhëheqësit e religjionit Hindu, për të cilët isha i sigurt se janë adhurues të idhujve, por udhëheqësit e tyre thanë se ata gjithashtu besojnë në Zot, vetëm se besojnë që Ai vepron nëpërmes idhujve. Dhe disa budistë thonë se Buda është vetëm një pikëpamje mbi botën e jo një besim fetar. Ne e shohim që shumica e botës në të vërtetë përcjell rrugën e Abrahamit.

SPIEGEL ONLINE: Por, ekziston ndjenja se hebraikët mendojnë që ata janë origjinali, ndërsa të krishterët dhe myslimanët janë vetëm “kopje.”

METZGER: Paj, prej perspektivës historike ishte kështu. Jezusi ishte një hebre. Më pas erdh Krishterimi në botë e pastaj Islami. Këta ishin hapat, historikisht, e jo e kundërta. Kur Jezusi ishte në Jerusalem, ai nuk ishte i afërt me ndonjë kishë apo meshë, kjo është e sigurt. Ai e dinte vetëm një gjë: Tempullin e Shenjtë. Pas kohës së tij, tjerat u zhvilluan nga dishepujt e tij.

SPIEGEL ONLINE: Por, të krishterët thonë se Abrahami besonte në Zot para se të bëhej synet dhe të bëhej hebre.

METZGER: Abrahami nuk kishte ndonjë rabin, nuk kishte mësues. Ai e mësoi ligjin nga Kishkeshat e tij, ashtu si themi në hebraishte, “nga dy veshkat e tij.” Kjo është si të thuash, ai mësoi nga vetvetja dhe nëpërmes vetes. Është interesante të ceket se Torah e quan Abrahamin një Ivri, “një hebre.”

SPIEGEL ONLINE: A është me rëndësi për juve nëse Abrahami ishte një person i vërtetë në histori? Historianët dhe arkeologët nuk kanë gjetur ndonjë dëshmi të qartë se Abrahami ka jetuar ndonjëherë.

METZGER: Unë besoj se Bibla përfaqëson plotësisht historinë e vërtetë të botës. Nëse historianët apo arkeologët gjejnë dëshmi, ne do të gëzohemi, por nuk kemi nevojë për to.

SPIEGEL ONLINE: Kur shikoni në perspektivën historike, shumë gjak është derdhur në emër të religjionit. Andaj si mund të drejtohet një dialog në mes religjioneve?

METZGER: Shikoni, Abrahami specifikisht ndihmon shumë kur është në fjalë dialogu dhe do ju jap një shembull. Një herë pata një takim me një udhëheqës të Iranit. Ai ishte njëri nga kryetarët e Ayatollahëve. Fillimisht ai nuk deshi të ma kapte dorën, por eventualisht unë u ktheva kah ai dhe e pyeta: “A beson se paraardhësi yt është Abrahami?”

SPIEGEL ONLINE: Ibrahimi, ashtu si e quajnë myslimanët në arabisht.

METZGER: Po. Ibrahimi. Dhe ai u përgjigj, “Po.” I thash se edhe unë besoja që babai im ishte Abrahami. Andaj e pyeta, “A beson se babai ynë do të ishte i kënaqur sot, atje lartë në qiell, duke parë se si njëri nga bijtë e vet e vret veten për të vrarë djalin tjetër të tij?” Ai nuk u përgjigj.

SPIEGEL ONLINE: Pra, Abrahami mund të shërbejë si mjet për dialog?

METZGER: Po. Edhe nëse ke një vëlla për të cilin mendon se nuk është njeri i mirë dhe mendon se bota duhet të jetë myslimane, mos vrit! Nëse dëshiron, fol, vëre në tavolinë dhe bëhu i kulturuar. Si çdo baba Abrahami do të dëshironte që fëmijët e tij të ulen në tavolinë, në vend se të vrasin njëri-tjetrin.

SPIEGEL ONLINE: A mund të jepni ndonjë shembull tjetër të dialogut?

METZGER: Gjatë një konference që ndodhi në Evropë, njëri nga krerët e oborreve myslimane në Jordani më thirri për kafe në lobin e hotelit. Ne ndenjën për afro gjysmë ore. Fillova t’i tregoja për disa nga problemet e mia; I tregova për familjen time, fëmijët, disa çështje me rabinët dhe kryerabinët që janë poshtë meje dhe për përgjegjësitë që i kam. Në fund ai u ngrit, më kapi dorën dhe tha: “Tani, pasi më tregove këto tregime dhe pasi të tregova tregimet e mia, nuk mund të të urrej.”

SPIEGEL ONLINE: A besoni që njerëzit religjiozë janë më të aftë të sjellin paqen në botë?

METZGER: Përfundimisht. Ëndrra ime është të krijohen Kombet e Bashkuara Fetare, njëjtë si Kombet e Bashkuara në New York. Diplomatët nuk patën sukses në sjelljen e paqes në botë. Ata kanë nevojë për ndihmë. Dhe kjo mund të vjen me anë të gjuhës fetare. Për shkak se një mysliman nuk e respekton dikë që është jo fetar; ai do të ketë respekt vetëm nëse je religjioz. Këto Kombe të Bashkuara Fetare gjithashtu do të përfshinin Hindusët dhe Budistët. Ne popujt religjiozë e flasim të njëjtën gjuhë.

(SPIEGEL ONLINE)

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!