„GJITHË ÇKA KISHTE TË SHENJËT SHQIPTARIA, KISHTE ZBRITUR NË SUPET E TIJA“

 

ADEM JASHARI – LAVDIA E KOSOVËS


Në përvjetorin e rënies së heroit të Kosovës dhe gjithë familjes së tij


Nga Akademik Rexhep Qosja


         Janë bërë dhjetë vjet (shkruar me 2008) që nga rënia e Adem Jasharit dhe e anëtarëve të tjerë të familjes Jasharaj. Janë bërë dhjetë vjet nga dita e kësaj bëme familjare të jashtëzakonshme, të pashembulltë jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në historinë evropiane. Janë bërë dhjetë vjet nga kjo rënie madhështore, që e ka tronditur shpirtin tonë, që e ka lëvizur historinë tonë të re dhe e ka përshpejtuar ardhmërinë tonë. Kur flitet për sakrificën e Adem Jasharit dhe të familjes së Jasharajve, njëkohësisht i kujtojmë me pietet të madh të gjithë dëshmorët e kombit; dhe i kujtojmë me pietet të gjithë ata që në mënyrat më të ndryshme jasnë sakrifikuar për Kosovën; dhe i kujtojmë me dhembje të madhe të gjithë ata të cilëve ende nuk u dihen varret. Përvjetorin e dhjetë të rënies së Adem Jasharit e të Jasharajve të tjerë e shënojmë pas një ngjarjeje të madhe për historinë tonë: e shënojmë vetëm tri javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kosova është bërë shtet i lirë, i pavarur dhe ndërkombëtarisht i njohur. Kompetencat që mbi mëvetësinë e saj do të kenë përfaqësuesit e OKB-së e, mandej, të Misionit të Bashkimit Evropian, janë të përkohshme dhe kur të kalojë koha e tyre, Kosova do të mund të quhet sovrane.


         Një padrejtësi e madhe, e filluar në Kongresin e Berlinit, më 1878, dhe e ngritur në shkallën e tragjedisë kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913, që është bërë shkaku i prapangeljes në zhvillimin e përgjithshëm, i varfërisë dhe i shumë dhembjeve e tragjedive gati njëshekullore në jetën e popullit shqiptar, në masë të madhe është ndrequr. Me përjashtim të Rusisë që po e vazhdon politikën e saj të padrejtë, tradicionale, ndaj popullit shqiptar, shtetet e mëdha evropiane, të cilat atëherë e kishin shkoqur Kosovën prej tërësisë së saj natyrore, gjeografike dhe demografike, më në fund e dëgjuan profetizimin e ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Eduard Grei, i cili në fund të Konferencës së Londrës, tha: “Morëm një vendim të padrejtë që herëdokurdo do të jetë e domosdoshme të rishqyrtohet”.


         Nuk ka dyshim se SHBA-të janë shteti që ushtroi ndikimin më të madh në ndryshimin e pozitës historike të Kosovës dhe, me të, të popullit shqiptar në tërësi: janë shteti i cili luajti rolin vendimtar në përcaktimin e statusit të Kosovës dhe në njohjen e saj ndërkombëtare. Le të thuhet se politika e SHBA-ve ndaj Kosovës dhe ndaj popullit shqiptar e shënoi historinë e re ballkanike dhe i përcaktoi ndjenjat tona ndaj tyre.


         Në shënimin e 10-vjetorit të rënies së Adem Jasharit dhe të anëtarëve të tjerë të familjes Jasharaj, nuk mund të mos theksohet se në fatin e Kosovës, rol të veçantë ka pasur shteti, të cilin shumë breza e kanë quajtur shteti amë – Shqipëria. Pa të, nuk do të mund të bëhej ashtu siç është bërë as lufta çlirimtare. Ajo e bëri atë që ishte e natyrshme, që ishte e ashmangshme: e bëri atë që e bën vëllai për vëllanë.

 
         Por, ç’të them për luftën e UÇK-së dhe për bëmën e Adem Jasharit dhe të familjes së Jasharajve? Do të them: ajo nuk është bëmë e zakonshme. Ajo është bëmë historike. Si e tillë ajo ka domethënie të madhe, me shtrirje të gjerë në hapësirën kombëtare dhe me shtrirje të gjatë në kohën kombëtare. E siç e dimë, shtrirje të tillë, të pakufizuar në kohë dhe të pakufizuar në hapësirë, kanë mitet. Kemi të bëjmë, pra, me një bëmë reale, që pashmangshëm merr kuptimin e bëmës për të gjitha kohët: është tepër e pazakonshme, tepër e jashtëzakonshme, tepër përshtypjelënëse në ndjenjat dhe në vetëdijen e njerëzve. Si e tillë ajo nuk mund të çmitizohet kurrë!


         Pse them kështu?


         Them kështu për arsye se Adem Jashari me vetëflijimin e tij, e të familjes së tij, të bërë në kushte të jashtëzakonshme dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, e tregoi atë që fati vetëm atij ia kishte paracaktuar që ta tregonte në një mënyrë aq dramatike: tregoi se populli shqiptar është popull historikisht i pjekur për të bërë sakrificat më të shtrenjta për liri.


         Në kushte të jashtëzakonshme, Adem Jashari gjykoi jashtëzakonshëm: në qoftë se popullit tim i duhet jeta ime unë do t’ia jap.


         Dhe, ia dha.


         Dhe shumë më shumë se kaq! Në kushte të jashtëzakonshme, Adem Jashari gjykoi edhe më jashtëzakonshëm: në qoftë se popullit tim i duhet jeta e familjes sime, unë do t’ia jap.


         Dhe, ia dha.


         Në këtë planet nuk do të duhej të kishte ushtri dhe polici që ka një kodeks moral, që do të hynte në luftë kundër një familjeje, por, ja, u gjet një ushtri dhe u gjet një polici që e bëri këtë krim të shumëfishuar! Dhe, ne, tani, mund të themi: me vendosmërinë e tij, me kodeksin e tij moral, me aktin vetëflijues, Adem Jashari e kaloi masën e njeriut të zakonshëm. Dhe, u bë i jashtëzakonshëm. Me vetëflijimin e tij e të familjes së tij, Adem Jashari ia tregoi botës fuqinë morale të popullit shqiptar; shpirtin çlirimtar të popullit shqiptar; vendosmërinë që do të ketë populli shqiptar në luftën për liri dhe pavarësi.


         Mënyra e vetëflijimit të Adem Jasharit dhe të familjes së tij u përcolli ashtu të huajve një mesazh shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, që i bëri të mendonin: populli me këso vendosmërie, me kësi morali, me kësi karakteri nuk mund të mbahet i pushtuar gjatë pavarësisht prej dhunës dhe pavarësisht prej krimeve që mund t’i bëjë pushtuesi.


         Dhe, ky mesazh, që bëma e Adem Jasharit dhe e Jasharajve të tjerë ua çoi të huajve, na bëri të mundshme ne, të gjallëve këtu, në Prishtinë, dhe kudo që mund të ishim tjetër, që t’u thoshim ndërkombëtarëve që vinin këtu, gjithnjë e më rrallë në verën e vitit 1998, dhe që po pritnin që ushtria dhe policia serbe të asgjësonin UÇK-në dhe të paqësonin Kosovën: mos kini iluzione! UÇK-ja nuk zhduket! Ajo është si feniksi: ajo ringjallet prej hirit të vet – se ajo është thelbi shpirtëror çlirimtar i popullit shqiptar.

  

         Dhe, ashtu ndodhi.


         Me vetëflijimin e tij dhe të familjes së tij, Adem Jashari në të vërtetë e dramatizoi gjendjen, e dramatizoi fatin e popullit shqiptar nën sundimin e regjimit serb deri në shkallën që shqetësoi pambarimisht shumë Evropën ,SHBA-të dhe ndërgjegjen e botës demokratike në përgjithësi. Nuk duhet mendje e veçantë për të parë, duhet vetëm moral intelektual për të thënë, se lufta e UÇK-së po bëhej dhe bëma mbinjerëzore e Adem Jasharit dhe e familjes Jasharaj ndodhi në çastet më vendimtare për lirinë e Kosovës: kur e ashtuquajtura rezistencë paqësore ishte bërë bashkëjetuese me dhunën ; kur inteligjencia në masë të madhe ishte larguar prej popullit; kur burokracia partiake gjithnjë e më dukshëm po i shtonte privilegjet e veta; kur retorika politike ishte kthyer në demagogji patriotike; domethënë: kur sasia e përmbajtjeve jo të shëndosha në politikën legale partiake ishte shtuar shumë.

 
         A ka nevojë të thuhet, tani, se lufta e UÇK-së dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe e Jasharajve të tjerë të rënë ia ktheu atdhetarizmit sinqeritetin, natyrësinë, burrërinë, nderin – ia ktheu virtytet pa të cilat atdhetarizmi shndërrohet në mjet përfitimesh. Nga shtjellimi i sipërthënë do të doja të nxirret përfundimi se vetëflijimi heroik për një ideal të përgjithshëm, siç është ideali i lirisë dhe i pavarësisë, nuk mund të shikohet vetëm si akt heroik: ai është njëkohësisht akt i flijimit për jetën e të tjerëve, është akt i humanizmit. Në qoftë se, prandaj,i shikojmë si të parëndomta, të jashtëzakonshme, domethënë i mitizojmë të bërat e shenjtorëve të ndryshëm, të cilët vetëm në raste të rralla e kanë çuar humanizmin e tyre deri në aktin e vetëflijimit, nuk më duken aspak të arsyeshme pohimet për rëndomtësimin e bëmës së Adem Jasharit dhe të Jasharajve të tjerë të rënë para dhjetë vjetësh.

 
         Se, po të pranonim konceptin për rëndomtësimin e aktit vetëflijues të Adem Jasharit‘ dhe të Jasharajve të tjerë, ne do të pajtoheshim me konceptin e ndërtuar mbi të pavërteta sipas të cilit liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt në radhë të parë i atyre që kishin iluzionin se kishin krijuar rend demokratik nën dhunën dhe krimet e regjimit të Millosheviqit e jo i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe i gjakut të dëshmorëve! Po të pajtoheshim me atë koncept të gënjeshtërtë, ne do të bëheshim mohues të të vërtetës historike e kjo domethënë pjesëmarrës në korrupsionin shkencor e politik që po bëhet publik jo vetëm në disa media kur shkruhet a flitet për procese, dukuri e ngjarje të çerekshekullit të fundit në Kosovë, e sidomos, prej vitit 1990 e deri sot. Po, ta përfundoj këtë fjalë. Ne, të moshuarit, që jemi pjekur në furtunat e viteve të shkuara, mund t’i quajmë fatlum të rinjtë, që do të gëzojnë frytet e 17 shkurtit 2008. Dua të besoj se ata do të jenë plotësisht të pavarur që të caktojnë vetë, drejt e ndershëm, e jo t’ua caktojnë të tjerë, të vërtetat e vlerat që do të çmojnë. Ne, të moshuarve, na bën të lumtur vetëdija se ata nuk do të përjetojnë sprovat, mundimet a tragjeditë që kemi përjetuar ne.


         Por, nuk do të duhej të harrohej se, megjithëse Kosova është bërë e pavarur, politika e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk ka ndryshuar: mbetet armiqësore.

 
         Nuk do të duhej, po ashtu, të harrohej se, megjithëse Kosova është bërë e pavarur, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur përfundimisht. Kur të zgjidhet përfundimisht kjo çështje e rëndë e Ballkanit, Kosova, të shpresojmë, do të mund ta përdorë lirisht, në pajtim me interesat historike të gjithë popullit shqiptar dhe në pajtim me idealin njëshekullor të gjithë brezave tonë, sovranitetin e saj – çka asaj sot nuk po i lejohet! Kjo kohë, besoj, nuk do të vonojë shumë.


         E ne, tani, s’do të duhej të harrojmë përgjegjësinë që të trajtohen si duhet ata që kanë bërë më së shumti për pavarësinë e Kosovës e, jo, siç po ngjet, që të privilegjohen e të shpërblehen shumë nga ata që jo vetëm se nuk kanë bërë asgjë për të po në të vërtetë e kanë bërë të kundërtën.


         Këto të vërteta kërkojnë të mendohet shumë për vetëdijen historike dhe morale të të rinjve tanë. Dua të besoj, prandaj, se vetëdija e tyre historike do të jetë e ndërtuar jo në propagandën partiake që, aq shpesh është ndërtuar mbi privilegje vetjake dhe grupore, për ç’shkak ka mohuar edhe luftën çlirimtare, po në moralin e përkushtimit të jashtëzakonshëm, idealist, ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të atyre që kanë menduar si të japin e si të flijojnë: të UÇK-së, të themeluesit dhe komandantit të saj, Adem Jasharit, të familjes – monument JASHARAJ dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për Kosovën.


         Këta janë çlirimtarët dhe këta janë lavdia e Kosovës.



 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!