MONOPOLIZIMI PARTIAK I AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

 

     (Pjesa e 3 dhe 4 e intervistës së Akademik Rexhep Qosjes në gazetën “INFOPRESS” – pjesa e 1 dhe e 2 nuk gjenden në edicionin e “INFOPRESS”-it të  publikuar në internet)

 

INFOPRESS: Kishte vërejtje të shumta rreth pranimit të fundit të anëtarëve të rinj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. U tha se Akademia është monopolizuar nga një klan. Çka po ndodhë në ASHAK?

 

QOSJA: Udhëheqja e LDK-së ka arritur ta monopolizojë dhe ta bëjë të partishme Akademinë disa vjet para Luftës çlirimtare. Në mënyrë të veçantë Seksioni i Gjuhës dhe i Letërsisë dhe seksioni i Shkencave Shoqërore janë bërë ekspozitura partiake të kësaj Partie, që, mandej, do ta partisojnë krejt Akademinë: edhe me administratën. Mos të harrojmë se edhe kryetari, edhe nënkryetari i LDK-së pak para luftës janë bërë anëtarë të Akademisë! Dhe, mandej, jo vetëm në dy seksionet e përmendura janë sjellë njerëzit e LDK-së, partizanët e saj, shpesh pa farë merite shkencore a artistike. Shpërfytyrimin më skandaloz Akademisë ia ka sjellë kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, i cili ishte kryetar i saj, madje, edhe mbasi e bëri punëdhënësi i tij kryetar të Kuvendit të Kosovës!

 

Oj Kosovë e mjera Kosovë!

 

 Seksioni i Gjuhës e i Letërsisë për tetë vjet ka pranuar vetëm një anëtar të ri! Si është e mundshme kjo? Pse iu mbyllen dyert e Akademisë sa e sa gjuhëtarëve, historianëve të letërsisë, shkrimtarëve? Akademia sot nuk është në gjendje me anëtarët e vet të ngrisë e të realizojë asnjë projekt shkencor nga fusha e gjuhësisë, nga fusha e historisë së letërsisë, nga fusha e historisë së arteve të tjera, nga fusha e kulturës. Me kë? Me dy gjuhëtarë të shkuar në moshë dhe me një gjuhëtar tjetër tashmë të burokratizuar? Me një historian të letërsisë! Me anëtarët e tjerë mund të shkruhen artikuj në gazeta, por jo të bëhen kërkime e studime shkencore. Nuk janë bërë as përpara! Hajde e mos të të shkojë mendja se në Seksionin e Gjuhës e të Letërsisë urrehen gjuhëtarët, historianët e letërsisë dhe shkrimtarët më të talentuar e më të merituar të Kosovës sot. Sikur të mos sundonte kjo patologji në Akademi, sot në Akademi do të ishin edhe Adem Demaçi, edhe Agim Vinca, edhe Ramiz Kelmendi, edhe Shefkije Islamaj, edhe Din Mehmeti, edhe Ymer Jaka, edhe Shefki Sejdiu, edhe Ruzhdi Ushaku, edhe Qemal Murati. Disa prej këtyre krijuesve sot janë krijues me shumë më tepër ndikim në jetën shkencore, letrare, arsimore e kulturore kombëtare në përgjithësi se kolegët e tyre anëtarë të Akademisë. Po të mos ishte shpërfytyruar siç është shpërfytyruar Akademia, në mënyrë të veçantë seksioni i saj i Gjuhës e i Letërsisë dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore, Akademia do të luante rolin që i takon shkencor, kulturor e shoqëror e s’do të kthehej në shtëpi të vogël private, që zgjedh anëtarë partizanët e vet partiak, kurse në Kryesi qe 15 vjet militantët e të njëjtit klan.

 

SI TË NGJALLET AKADEMIA?

 

INFOPRESS: Si mund të zhbllokohet Akademia dhe të nxirret nga pasiviteti, në mënyrë që të luajë rolin e saj në sferat që i takojnë?

 

QOSJA: Zgjedhjet e fundit për anëtarë të rinj në Akademi dhe zgjedhjet e para pak ditësh të Kryesisë së re të Akademisë tregojnë se klani që po e shpërdoron Akademinë për nevojat e veta është shumë i egër, ndihet i fortë dhe nuk lodhet për kritikat që i bëhen. Është rrethuar me shërbëtorë që vetmohueshëm luftojnë për të. Zgjedhjet e Kryesisë së re me atë përbërje janë provokim që i bëhet institucioneve të Kosovës, PDK-së, sidomos, dhe inteligjencisë kosovare. E ka parë ai klan se institucionet shtetërore të Kosovës kanë halle të tjera dhe nuk lodhen për degjenerimet e Akademisë dhe për privatizimin e bërë aty. Po të mos ishin kështu të painteresuara, këto institucione do të reagonin edhe ndaj pranimit në Akademi të kryetarit të Komunës së Prishtinës, që është një keqpërdorim i pozitës politike për realizim të interesave jopolitike dhe politike dhe ndaj korrupsionit të akademikëve në Kuvendin e Kosovës! Institucionet shtetërore të Kosovës duhet të mbrojnë interesat e Kosovës kur ato shkelen ashtu siç po shkelen sot në Akademinë e Shkencave e të Arteve – në zgjedhjet për anëtarë të rinj, në zgjedhjet e Kryesisë tani, në ribotimet që aty bëhen e në punë të tjera. Institucionet shtetërore të Kosovës do të duhej t’i mbrojnë interesat e Kosovës prej këtij lloji uzurpuesish të pandalur. Dhe, kjo do të duhej të bëhej jo me dhunën e Sali Berishës po me mjete të demokracisë.

Institucionet shtetërore të Kosovës duhet të mbrojnë interesat e gjithë Kosovës edhe kur është fjala për programet e historisë e të letërsisë në shkollat fillore e të mesme dhe të kërkojnë që prej tyre të mënjanohen gjithë ato deformime që në to kanë sjellë partishmëria, lokalizmi, nepotizmi, komercializmi, urrejtjet klanore e marrëzitë e tjera të ndryshme! Dhe kjo do të duhej të bëhej sa më parë.

 

POLEMIKAT RRETH SKËNDERBEUT

 

INFOPRESS: Disa libra të botuar sivjet e kanë hapur një debat , kryesisht në Tiranë, rreth figurës së Skënderbeut. Cili është opinioni juaj rreth këtij debati?

 

 Qosja: Ajo që bie në sy në këtë debat dhe që mua më bën posaçërisht përshtypje është reagimi i vrazhdë i disa krijuesve, shkencëtarë e letrarë, ndaj autorëve të atyre librave dhe ndaj bashkëmendimtarëve të tyre. Posaçërisht i egër ishte reagimi i shkrimtarit Ismail Kadare! Ai ishte gjykim i kohëve parahistorike, mitologjike, që në Evropë është komprometuar prej epokës së Renesancës. Reagimet e këtilla, të vrazhda ndaj mendimit ndryshe për Skënderbeun tregojnë se rrënjët e gjykimeve staliniste për shkencën (dhe për artin) në jetën tonë janë ende të thella. A ka gjë për çka nuk mund të mendohet ndryshe në këtë botë? Dhe, a ka kush, figurë historike a shenjtorë, për të cilët nuk mund të mendohet ndryshe? Në botë mund të mendohet ndryshe për Zotin, për Budën, për Krishtin, për Muhametin e te ne nuk mund të mendohet ndryshe për Skënderbeun? Absurd. Atdhetarizëm mëhalle! Dhe, këto reagime kundërshkencore, mund të jetë se e nxitën kryeministrin e Shqipërisë të tërheqë flamurin nga dokumentet e identitetit dhe të vërë Skënderbeun. Domethënë: identiteti ynë do të dëshmohet jo me flamurin siç ishte vendosur më parë po me Skënderbeun. Për Skënderbeun kam shkruar sa dhe si as nuk ka shkruar, as nuk do të arrijë kurrë të shkruajë Sali Berisha. Por e them: shumë më arsyeshëm se Skënderbeu dokumenteve të identitetit tonë do t’u rrinte flamuri kombëtar. Nuk di dokumente kombëtare të identitetit në Evropë – letërnjoftime dhe pasaporta, që stolisen me portrete të figurave të mëdha historike. Ato quhen dokumente të identitetit dhe në to, zakonisht, vihen simbole, të ndryshme, por jo portrete historike. Pse? Çdo njeri, çdo vetë, është identitet në vete, një, si e kanë quajtur grekët e vjetër, mikrokozmos. Edhe Skënderbeu është një identitet në vete, një mikrokozmos, që nuk do të duhej të gjendej në letërnjoftimet dhe pasaportat e identiteteve të tjera, të mikrokozmoseve të tjerë. Madje, edhe të ndonjë hajni, dhunuesi, prostitute, krimineli! Skënderbeu meriton shumë më tepër se sa të stolisen me të monedha, letërnjoftime e pasaporta. Po, nejse! Kështu na e heroizon identitetin kryeministri Sali Berisha pa pyetur as popull, as Kuvend! Kështu na e shkruan historinë politike dhe, duket, do të na e shkruajë edhe historinë e letërsisë Sali Berisha me këshilltarët e tij që këshilla për shkrimin e letërsisë dhe të historisë kanë dhënë edhe pra 25, 30, 35 e 40 vjetësh! Le t’i shkruajë! Po e lejojnë!

 

NDËRHYRJA E TOPIT

 

Nuk ka dyshim se vendosja e figurës së Skënderbeut në dokumentet e identitetit, mbasi më parë ishte arritur marrëveshja për vendosjen e flamurit, është fryt i polemikës që në lidhje me rolin historik të Skënderbeut në historinë e popullit shqiptar dhe të Ballkanit ka filluar pas botimit të romanit të Ben Blushit Të jetosh në ishull dhe që mori hov sidomos tani pas botimit të librit të historianit austriak, Oliver Jens Shmit, për Heroin tonë kombëtar. Sali Berisha, i cili të gjitha që i bën i bën për inat të dikujt, vendosi të tregojë se si i mbron partizanët e tij.

 

Në polemikën e tanishme në lidhje me Skënderbeun dhe në polemikën e mëparshme në lidhje me identitetin e shqiptarëve u inkuadrua më në fund edhe kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi. Dhe, u inkuadrua duke e propozuar, si kryetar i shtetit dhe “në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar” shkrimtarin Ismail Kadare për Çmimin Nobel. Ishte ky një inkuadrim i tij fatkeq në këto polemika. Mund të thuhet kështu për dy arsye. E para, pse në botën demokratike nuk është e zakonshme që kryetarët e shtetit të propozojnë këtë a atë vetje për farë çmimesh, aq më pak për farë çmimesh të quajtura letrare, shkencore, kulturore në përgjithësi. Kandidatët për çmime të tilla në botën demokratike i bëjnë vetje të ndryshme, shoqata, organizata joqeveritare, institucione kulturore e shkencore. Vetëm prijësit e diktaturave i kanë dhënë vetes të drejtë të propozojnë shërbëtorët e tyre letrarë, shkencorë e të tjerë për çmime siç është Çmimi Nobel. E dyta, ishte ky inkuadrim i tij fatkeq në këtë polemikë edhe pse u bë ashtu siç u bë: me të dhëna skajshmërisht polemizuese, duke e heshtur ideologjinë e krijimtarisë letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë, duke e heshtur veprimtarinë e tij politike. Shkurt: kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, i lejoi vetes që “në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar” të futet në vorbullën e intrigave që tani e shumë vjet tirren rreth Ismail Kadaresë, natyrisht me frymëzimin e tij dhe me pjesëmarrjen e tij në to! Më vjen keq pse kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi edhe si kryetar shteti i lejon vetes të bëhet zëdhënës i partishëm i Sali Berishës. Ata që ia shkruan këtë propozim, që e dëshmon një kulturë gjysmake shkrimi, në vend se ta ndihmojnë po e dëmtojnë kryetarin Bamir Topi!

 

Një letër e bazuar në pohime ashtu politike, polemizuese dhe të paqëndrueshme e kjo do të thotë lehtë të përgënjeshtrueshme nuk ka se si të mos e dëmtojë edhe vetë Ismail Kadarenë. Më vjen keq për të dy.

 

HISTORIA NUK FSHIHET

 

INFOPRESS: Para disa ditësh doli nga shtypi libri i publicistit, Piro Misha, me titullin Arratisja nga burgjet e historisë. Një kapitull i këtij libri është polemikë me ju. Çka mund të thoni për këtë vepër?

 

QOSJA: E kam lexuar librin që përmendni sado jo me laps në dorë. Kreu për mua në të vërtetë është artikulli dukshëm i zgjeruar, me të cilin Piro Misha është vënë në anën e Ismail Kadaresë në polemikën që ky, papritmas për mua, kishte filluar kundër meje në pranverë të vitit 2006 për çështje të identitetit. Piro Misha ia vë titullin kreut për mua, Keqkuptimet e prof. Rexhep Qosjes për identitetin e shqiptarëve! Ngushëllohem unë dhe le të ngushëllohen lexuesit pse identitetin e shqiptarëve po e kuptojka dhe po e mirëkuptojka Piro Misha, duke i shpëtuar ashtu prej keqkuptimeve të mia! As nuk është rasti këtu, në këtë intervistë, as nuk kam kohë, tani, të shpjegoj se si krejt e kupton dhe e mirëkupton identitetin e shqiptarëve Piro Misha. Disa fjalë, shkurt, megjithatë, duhet të thuhen.

 

Titulli i librit e dëshmon përpjekjen e Piro Mishës për të ikur prej, si e thotë, burgjeve të historisë. Unë, as nuk kam arsye, as nuk dua të ik prej historisë, prandaj as prej burgjeve të saj. Historinë përpiqem ta kuptoj dhe ta shpjegoj objektivisht, drejt, shkencërisht, ndershëm dhe vetëm ndershëm. E tillë siç ishte, me të mira e të këqija, me pushtime e pavarësi, me liri e me burgje, me fitore e me disfata, me gëzime e me vuajtje, me dhembje e me tragjedi, me fenë katolike, myslimane e ortodokse ajo është histori e imja, është përbërës i identitetit tim. Prej shkrimeve të Ismail Kadaresë dhe prej librit të Piro Mishës, Arratisja nga burgjet e historisë, shihet se ata do të donin të heqin prej identitetit tonë një pjesë të madhe, shumëshekullore, të historisë. Do të bëjnë shumë përpjekje dhe, si duket, nuk do t’ia dalin në skaj. Historia nuk fshihet dot, ajo është e tillë çfarë ishte. Ajo jeton në kujtesën tonë, qoftë edhe tragjikisht e përjetuar.

 

Në mënyrë të veçantë ata do të donin ta heqin prej historisë, e kjo do të thotë edhe prej identitetit shqiptar, përbërësin islamik i cili, si as përbërësit katolikë dhe ortodoks, nuk hiqet dot. Dhe, kjo përpjekje, shihet, i ka çuar në rrugë pa krye: i ka çuar në predikimin e pabarazisë fetare e në fyerje fetare, domethënë në racizëm fetar dhe në rrëgjimin e çështjes shqiptare në çështje të fesë! Dhe kështu janë gjetur në pozitat në të cilat, besoj, nuk do të donin ta imagjinonin veten. Pse them kështu? Atë ditë kur Ismail Kadare ka filluar ta predikojë dëshirën për kthimin e shqiptarëve në fenë e të parëve, dhe kur ka filluar të japë deklarata fyese për fenë myslimane, ndaj të cilave kanë reaguar me pezm shoqata të shqiptarëve myslimanë dhe shumë individë; dhe atë ditë kur Piro Misha me disa shokë të tij është nisur për Uashington për të shpjeguar se Shqipëria nuk është shtet i myslimanëve thuajse ambasada amerikane në Tiranë nuk di t’i shpjegojë Uashingtonit se shqiptarët janë edhe katolikë, edhe myslimanë, edhe ortodoksë; dhe atë ditë kur Ismail Kadare me partizanët e tij ka filluar të qortojë qeverinë e Shqipërisë për mbajtjen e marrëdhënieve me vende arabe dhe me vendet islamike ish-republika të Bashkimit Sovjetik, çështja shqiptare është rrëgjuar në çështje të shqiptarëve të fesë myslimane! Kush e njeh historinë e çështjes shqiptare në programet kombëtare serbe mund ta dijë se tani e 150 vjet të shkuara politikanë, ideologë dhe intelektualë serbomëdhenj nuk bëjnë gjë tjetër përpos se: Çështjen shqiptare ia paraqesin popullit të vet dhe Evropës si çështje të shqiptarëve të fesë myslimane. Jo shqiptarët në tërësi, po shqiptarët e fesë myslimane, si fe ajo joevropiane, janë rendprishësit, janë fatkeqësia e Ballkanit! Lexojini, përpos të tjerash, programet e Ivo Andriqit dhe të Vasa Çubrilloviqit për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare dhe do të bindeni për sa u tha më sipër. Jo rastësisht Mbretëria jugosllave do të bëjë në vitin 1938 Marrëveshje me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve myslimanë kryesisht  në Anadoll! Dhe, jo rastësisht, politikanë, ideologë, intelektualë serbë prej vitit 1981 e deri sot i përdorin shumë shpesh nocionet fundamentalistë dhe terroristë islamikë kur flasin për shqiptarët e Kosovës dhe për çështjen e Kosovës.

 

KONSTATIMET PROPAGANDISTIKE TË PIRO MISHËS

 

Ku na çojnë gjykimet e Piro Mishës dhe të frymëzuesit të tij, Ismail Kadaresë, mbi identitetin e shqiptarëve ashtu si e shpjegojnë ata? Na çojnë në përfundimin: politikanët, ideologët, intelektualët serbë nuk do të kenë më nevojë të lodhen që të bindin Evropën dhe botën Perëndimore në përgjithësi se shqiptarët e besimit mysliman me fenë e tyre janë prishësit e identitetin evropian, prandaj do të ishte mirë për Ballkanin dhe për Evropën që të asaj feje ata të mos jenë. Për ta shpëtuar Ballkanin dhe Evropën prej fesë së tyre myslimane tani e tutje, ndërkaq, do të bëjnë përpjekje vetë shqiptarët, në mënyrë të veçantë “evropeistët” e mëdhenj, siç janë Ismail Kadare dhe Piro Misha. Dhe këto përpjekje të tyre do të tregohen më të frytshme: e para, duke i ftuar shqiptarët e fesë myslimane që të kthehen në fenë e të parëve, në fenë e krishtere dhe, e dyta, duke ua nënçmuar fenë e tanishme – myslimane! Dhe, kështu, i pastruar prej përbërësve islamikë identiteti i shqiptarëve do të mund të quhej identitet i vërtetë, i pastër evropian!

 

Siç mund të shihet, konstatimet e Piro Mishës mbi identitetin shqiptar nuk kanë karakter shkencor. Për më tepër ato janë, në radhë të parë, konstatime propagandistike me synime politike, me të cilat tregohet prirja jonë për të ndërruar fytyrë sipas leverdisë. Për më tepër ato janë konstatime që e tregojnë mentalitetin e çirakut, i cili për çdo gjë që thotë dhe për çdo gjë që bën mendon se sa do t’i pëlqejë zotërisë!

 

I lë Piro Mishën dhe të mbrojturin e tij, Ismail Kadarenë, që të luftojnë me vetveten gjithnjë në përpjekje që të ikin prej burgjeve, si do të thoshin ata, të historisë myslimane. Dhe, i lë që të bëjnë përpjekje që të ikin prej burgjeve komuniste të cilave, me mendimet e tyre, dhe me shkrimet e tyre, dhe me servilizmin e tyre, u kanë shërbyer shumë! Dhe i lë ta rrëgjojnë çështjen shqiptare në çështje të fesë myslimane! Dhe i lë kështu të mendojnë si Ivo Andriqi dhe si Vasa Çubrilloviqi për fenë myslimane të shqiptarëve. E, unë do të vazhdoj të mendoj dhe, natyrisht, të shkruaj ndryshe prej tyre: identiteti shqiptar është një sistem përbërësish shpirtërorë, kulturorë, moralë, historikë, mitologjikë, zakonorë, psikologjikë e të tjerë me mbështetje edhe në fenë katolike, edhe në fenë myslimane, edhe në fenë ortodokse. Dhe, kjo e bën identitetin e tyre më të përbërë dhe, në pikëpamje kulturore, më të pasur. Dhe, jam i bindur se kështu, dhe vetëm kështu, duke nderuar e dashur të tri fetë e tyre, i shërbej mirëkuptimit dhe vëllazërisë midis shqiptarëve të të tri feve.

 

NOBELISTI

 

INFOPRESS: Çka mendoni për nobelistin e sivjetmë Zhan – Mari Gystav Le Klezio?

 

QOSJA: Prej prozave të tij që kam lexuar, prej sprovave dhe intervistave të tij shihet se është njeri i madh dhe shkrimtar i madh. E dëshmon për mrekulli pohimin e moralistit francez Laroshfuko: Vetëm të sinqertit mund të bëhen vërtet krijues të mëdhenj në art e në shkencë. E lexova fjalimin e tij të mbajtur më 7 dhjetor me rastin marrjes së Çmimit Nobel në Stokholm. Edhe me këtë rast e quajti të nevojshme ai që t’ua dhurojë vëmendjen e tij, përkushtimin e tij popujve të vegjël, të drejtave, kulturave dhe besimeve të tyre. Fisnikut evropian, që shkruan frëngjisht, edhe iu ka dhënë ky çmim për humanizmin universal, që përshkon veprën e tij me vlerë të lartë artistike. Duke e lexuar fjalimin e tij m’u kujtuan proletarët tanë të cilët kur e kur as barkun nuk kanë pasur ta ngopin mirë, por, megjithatë nuk ngurrojnë të nënçmojnë popuj, fe, kultura dhe qytetërime!

 

INFOPRESS: Çka po shkruani aktualisht?

 

QOSJA: Nuk mund të flas për veprën që ende nuk e kam kryer.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!