KREMTIMI I NJËVJETORIT TË PAVARËSISË NË AMBASADËN E KOSOVËS NË ZVICËR

 

Në një atmosferë të rrallë solemniteti Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër shënoi njëvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës në Hotel Bellevue në Bern. Ambasadori i Kosovës në Zvicër, zotëri NAIM MALAJ, në këtë solemnitet me një fjalë rasti bëri paraqitjen dinjitoze të shtetit të ri para mysafirëve të shumtë, midis të cilëve kishte personalitete të shquara politike-diplomatike e kulturore nga vendi mikpritës dhe nga vende të tjera, por pjesën më të madhe e përbënin veprimtarë e krijues të shumtë nga bota shqiptare e mërgimtarëve dhe mysafirë nga Kosova, Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare.

 

Ky hap i parë diplomatik i Kosovës u bë me një rast të rrallë – shënimin e njëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të cilin e presin hapa të tjerë në udhën e madhe që po merr shteti i bërë me sakrifica të mëdha shekullore.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

FJALA E AMBASADORIT NAIM MALAJ

 

Shkëlqesi,

 

Miq dhe kolegë të trupit diplomatik,

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Të nderuar mysafirë,

 

Është një nder i veçantë t’ju urojmë mirëseardhje të gjithë juve të pranishëm në Përvjetorin e Parë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Para një viti, në ditën historike të vendit tim, udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike të popullit të Kosovës shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Siç është deklaruar në Deklaratën e Pavarësisë, akti i pavarësisë “reflekton dëshirën e popullit tonë dhe është në konformitet të plotë me rekomandimet e të dërguarit  special të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës”.

 

Tani, do të doja të ndaja me ju disa opinione për të arriturat me të reja në Kosovë. Që nga shpallja e Pavarësisë, pesëdhjetë e katër vende nga e mbarë bota iu përgjigjën pozitivisht kërkesës sonë për njohje. Vendi ynë vazhdon të ketë nevojë për njohje të tjera, në mënyrë që të mund të luajë rolin e plotë në bashkësinë botërore të kombeve. Dua të përfitoj nga rasti të bej apel te të gjitha vendet që ende nuk e kanë njohur, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt.

 

Në vazhdën e kërkesës sonë për njohje të tjera, me angazhimin tonë ne vazhdojmë të konsolidojmë pavarësinë e vendit tonë, brenda dhe jashtë. Në aspektin e brendshëm, ne kemi adoptuar Kushtetutën e cila përfaqëson përkushtimin tonë në respektimin e të drejtave njerëzore dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, duke ofruar mbrojtje shumë të avancuar për pakicat minoritare.

 

Në nivelin ndërkombëtar, Kosova është shumë e përkushtuar për t’u bërë anëtare kontribuese e bashkësisë ndërkombëtare. Për të ndërkombëtarizuar kontributin tonë dhe përforcuar marrëdhëniet tona miqësore dhe bashkëpunimin me Shtetet e tjera, kemi vendosur dhjetë ambasadat e para të Republikës së Kosovës gjatë 2008. Ndërsa, në gjysmën e parë të 2009 do të vendosen edhe dymbëdhjetë ambasada të tjera në botë.

 

Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj, më lejoni të përmbyll këtë fjalim, duke shprehur falënderimin për të gjithë ju që na ndihmuat në procesin e gjatë për t’u bërë vend i lirë, i pavarur dhe sovran.

 

Faleminderit të gjithëve që na nderuat sot me prezencën tuaj.

 

 

Si e përjetoni këtë mbrëmje të shënimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës?

 

Murat Jashari

- Jam shumë i nderuar që marr pjesë në këtë manifestim, i ftuar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Zvicër. Po ashtu jam i nderuar që jam në Zvicër për dy arsye: së pari, që komuniteti ynë i ardhur këtu për vite të tëra ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe për zhvillimet në Kosovë, në radhë të parë duke sensibilizuar çështjen e Kosovës në Zvicër, pastaj sepse ata me djersën dhe mundin e tyre ndihmuan Kosovën, duke filluar me mbajtjen e arsimit në Kosovë dhe me ndihmat në gjendjen e rëndë me të cilën ballafaqohej populli ynë atje; së dyti, sepse Zvicra është njëri ndër vendet që në gjirin e vet mban më së shumti shqiptarë. Ky shtet, në ditët më të vështira hapi dyert për bashkatdhetarët tanë dhe ishte po ashtu njëri ndër shtetet e para evropiane që mori guximin diplomatik për të përkrahur pavarësinë e Kosovës. Është kënaqësi dhe një ndjenjë e veçantë që, duke i takuar një vendi që dha shumë dëshmorë, që përjetoi ditë të vështira dhe si pasardhës i tyre të përjetosh në shtetin e Zvicrës të hapet Ambasada e Kosovës. Besoj që kjo është një e arritur e madhe, por shpresoj që miqësia me popullin dhe qeverinë zvicerane të shkojë duke u ndërtuar sa më shumë, që asnjëherë të mos zbehet miqësia në mes të dy popujve. Më gëzoi fakti që sot, në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, bashkë me veprimtarë, bashkatdhetarët tanë ishin edhe ambasadorë të akredituar të vendeve të ndryshme të botës. Uroj që kjo miqësi të vazhdojë dhe që Kosova të ketë sa më shumë njohje, por uroj që edhe institucionet tona të mos harrojnë bashkatdhetarët tanë të cilët bënë shumë për këto ditë që i gëzojmë sot.

Kam marrë ftesë nga z. Malaj enkas për të qenë i pranishëm këtu, në këtë mbrëmje dhe në disa aktivitete të tjera që po mbahen nga mërgata e këtushme për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Mbrëmë ishim në Gjenevë, ku më bënë përshtypje shumë të mirë lidhjet emocionale dhe kulturore me popullin zviceran atje. Kam ndjerë si detyrim të vij në Zvicër që t`i them faleminderit këtij komuniteti, se pa përkrahjen e tij me siguri nuk do të ishte bërë as sakrifica diplomatike, por as ajo ushtarake, sepse ne pa përkrahjen e popullit nuk do të ishim kurrgjë...

 

 

Si e përjetoni këtë mbrëmje të shënimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës?

 

Mehmet Elezi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër

 

Pritja e sotme me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës është pritja më mbresëlënëse për mua në këta tre vjet që punoj në Zvicër si diplomat, sepse pavarësia e Kosovës është një ngjarje madhore sa për vetë Kosovën, po aq është ngjarje madhore për gjithë kombin shqiptar; është ngjarje për gjithë rajonin, sepse është një hap themeltar drejt paqes, stabilitetit dhe drejt vlerave demokratike. Kjo është një ngjarje madhore edhe për Evropën, do të thosha, sepse pavarësia e Kosovës është fitore e vlerave të lirisë, të demokracisë e të qytetërimit perëndimor, të cilave ne shqiptarët u kemi përkitur dhe u përkasim qysh në themelimin e tyre.

         Kosova e meritonte pavarësinë, sepse ka luftuar si pakkush, për të mos thënë ndoshta si askush, për lirinë e saj. Kosova e meritonte pavarësinë sepse në këtë luftë solli një kulturë të re demokratike që nuk ishte e njohur në Ballkan; solli kulturën gandiste, që quhet rezistencë paqësore. Dhe kur Kosova pa që kultura gandiste nuk po pinte ujë përpara nacionalizmave parakë të Milosheviqit dhe të gjithë atyre që e ndiqnin dhe e ndjekin në Beograd, atëherë u detyrua të kthehej drejt luftës së armatosur. Këtë luftë të armatosur Kosova nuk e bëri pa një mendim të qartë. Ajo u lidh në aleancë me aleatët tanë të natyrshëm, me NATO-n dhe me mbështetjen politike të Nju Jorku dhe të Brukselit.

         Kosova e meritonte dhe e meriton pavarësinë, sepse në programin e saj për të ardhmen nuk ka ndërtimin e një shteti nacionalist, por ka ndërtimin e një shteti të vërtetë të vlerave demokratike, ku të bashkëjetojnë të gjithë qytetarët të barabartë të një vendi që synim përfundimtar ka integrimin në institucionet euroatlantike si pjesë e Evropës dhe e vlerave të qytetërimit perëndimor.

 

Si e përjetoni këtë mbrëmje të shënimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës?

 

Stefan Enggist, etnolog zviceran

 

Ishte një moment emocional, të cilin e kam pritur me dekada, sa gati kisha humbur shpresat. Më ka lënë përshtypje të madhe modestia në fjalimin e Ambasadorit të Kosovës këtu, që kishte një përmbajtje integruese pa pompozitet nacionalist.

Nuk mund të flas në emër të Zvicrës, por si zviceran them se edhe Zvicra ka interesa të ndryshme nga kjo situatë që ekziston tash në Kosovën e pavarur, prandaj edhe përkrahja e saj si një vend demokrati është një gjë krejtësisht e natyrshme. Unë pres gjithnjë prej vendit tim që t`i përkrahë të gjithë popujt që duan të jetojnë të lirë e pavarur.

 

Si e përjetoni këtë mbrëmje të shënimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës?

 

Xhafer Shatri, veprimtar

 

Kjo është një ditë që shqiptarët e kanë pritur qe dy mijë vjet. Këtë ditë shqiptarët në Zvicër e kanë pritur që nga dita kur kanë ardhur këtu, që nga Çajupi dhe të tjerët pas tij. Mendoj që kjo ditë është një satisfaksion i madh i mërgimtarëve tanë, të cilët para kësaj ndërtese kanë kaluar me qindra herë nëpër borë e nëpër shi për të ngritur zërin për Kosovën. Kjo ditë ka ardhur edhe në saje të sakrificave të tyre.

 

Si e përjetoni këtë mbrëmje të shënimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës?

 

Hasan Malaj, veprimtar

 

Kjo është një ditë shumë e madhe për popullin shqiptar. Ky është kurorëzim i të gjitha vuajtjeve dhe përpjekjeve tona që nga 1912 kur kemi mbetur në robëri e deri sot. Të gjithë brezat kanë bërë përpjekje të pareshtura për t`u çliruar nga pushtuesit, mirëpo gjithherë nuk kanë pasur fat ta përjetojnë këtë që përjetojmë ne sot. Fati ynë më i madh është që kemi pritur ta shohim këtë ditë dhe të prekim me dorë realitetin e sotëm. Madje shpesh pyes se a përnjëmend e bëmë Republikën!? Ndonjëherë më duket si një ëndërr e bukur. Por ky është një realitet që na bën të lumtur...

 

Si e përjetoni këtë mbrëmje të shënimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës?

 

Bedri Ajeti Veprimtar

 

Është një emocion i veçantë që na bënë krenar. Jemi gjeneratë me fat të mirë, arritëm të kurorëzojmë një aspiratë dhe gjakim shekullor të popullit tonë për liri e për shtet sovran. Sot në kryeqytetin e shtetit mik Zviceran, me ceremoni të veçantë po ndajmë gëzimet me bashkëveprimtarët dhe me miqtë tanë Zviceran dhe me pjestar nga trupa diplomatike e shteteve mike në Bernë. Ky është viti i Parë i Pavarësisë së Kosovës që do të mbetet në kujtesën time si kujtimi më i mirë i jetës time. Urime Përvjetori i Pavarësisë.

 

Si e përjetoni këtë mbrëmje të shënimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës?

 

Shefqet Cakiqi (www.besiana.de)

 

Sapo i urova mikut tim Naim Mala për një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës i thash se kjo Ftesë për këtë ceremoni nga Ambasada e Kosovës për 1. vjetorin e Pavarësisë është Ftesa më e dashur dhe më mbresëlënëse për mua. Kam pasur ftesa e thirrje e pjesëmarrje për tubime, protesta e demonstrata të organizuara edhe këtu në Bernë, po kjo ceremoni e thirrur dhe organizuar nga Ambasada e shtetit tim, më mbushi me krenari e më duket se edhe ai mundi i mërgimtarëve  u bashkua me mundin dhe gjakun e dëshmorëve  dhe bëri dritë si dritat e neonit të kësaj mbrëmje kaq të bukur. Urime Përvjetori i Pavarësisë.   

 

 

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!