AMOS OZ: "FALEMINDERIT SHQIPËRISË QË U HAPI SHTËPINË HEBRENJVE"

Një intervistë për jetën, familjen, letërsinë. Përjetime personale. Marrëdhënia izraelito-palestineze, holokaustin dhe Shqipërinë që mirëpriti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shkrimtari izraelit, Amos Oz, vjen në një intervistë për emisionin "Shqip" në "Top Channel", dhënë gazetares Rudina Xhunga. Për Amos Oz, kandidat për çmimin "Nobel" për letërsinë, thotë se populli izraelit gjithmonë do ta kujtojë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë. Në muajin shkurt, shtëpia botuese "Skanderbeg Books" do të sjellë në shqip romanin e Oz, "RRËFENJË PËR DASHURINË DHE ERRËSIRËN"

RUDINA XHUNGA: Do të doja ta nisnim këtë intervistë me një përjetim shumë personal. Dje në orën një, qëndroja përpara shtëpisë suaj në pritje që ju të merrnit "NOBEL"-in. U mërzita që nuk e morët.

         AMOS OZ: Unë jo. Nuk jam zhgënjyer, pasi nuk kisha asnjë pretendim për të marrë çmimin, unë mendoj se ka në botë shumë shkrimtarë të shkëlqyer dhe mendoj, së unë i kam marrë të gjitha çmimet që më përkasin.

         RUDINA XHUNGA: E njihni shkrimtarin që mori "NOBEL"-in?

AMOS OZ: Nuk kam dëgjuar për të asnjëherë. Më vjen keq ta pranoj, madje më vjen turp që nuk kam dëgjuar asnjëherë për të, por kjo është e vërteta. Ndoshta ai mund të jetë një shkrimtar shumë i madh, por unë nuk kam dëgjuar për të, asnjëherë.

RUDINA XHUNGA: Qëndrova në Arad gjatë Ditës së Pendesës dhe ndërsa gjithë Izraeli agjëronte, më dha ushqim Sulejmani, një arab, i cili i kishte lexuar të gjithë librat tuaj. "E pëlqej Oz", më tha Sulejmani, sepse librat e tij nuk kanë luftë, kanë dashuri. Kishte të drejtë ai?

AMOS OZ: Jo, unë mendoj se në librat e mi ka dhe luftë, por edhe kur shkruaj për luftën, unë shkruaj për të pa urrejtje. Unë shkruaj me dashuri dhe mirëkuptim për të gjitha palët që marrin pjesë në luftë. Asnjëherë nuk e kam parë konfliktin midis izraelitëve dhe arabëve si një film west Hollivudi, si një betejë mes të mirëve dhe të këqijve. Gjithmonë e kam parë këtë konflikt si një tragjedi, si një luftë midis së drejtës dhe së drejtës.

RUDINA XHUNGA: Në fakt, Izraeli që unë kisha parë në BBC dhe CNN nuk i ngjan Izraelit që unë gjeta këtu…

AMOS OZ: Në Izraelin që shikojmë nëpër media, ndeshemi zakonisht ose me fetarë fanatikë, ose me ushtarë të dhunshëm, ose me ca intelektualë si puna ime që duan paqe dhe që kritikojnë qeverinë. Por nuk është kjo e gjitha. Izraeli që unë njoh është shteti ku 70% e popullsisë jeton në ultësirën buzëdetit dhe nuk janë fetarë. Të zhurmshëm, të dashur, me temperament të fortë, popull mesdhetar tipik. Bëjnë shumë zhurmë dhe debatojnë me njëri-tjetrin gjithë kohën. Është e pamundur të gjesh 2 izraelitë që të bien dakord mes tyre. Është edhe më e vështirë të gjesh një izraelit që bie dakord me veten, pasi secili prej tyre mbart në vetvete konflikt ndjenjash.

RUDINA XHUNGA: Megjithatë ka diell këtu, ka shumë diell.

AMOS OZ: Jemi shtet mesdhetar, ndodhemi buzë detit Mesdhe, në një tokë gjithë diell. Vera jonë është shumë e gjatë dhe dimri ynë është shumë i shkurtër. Nganjëherë mua më vjen keq për këtë.

RUDINA XHUNGA: Pse, çfarë i doni dimrit?

         AMOS OZ: Këtu ku unë jetoj, në shkretëtirën e Aradit kemi jo më shumë se 20 ditë shi në vit. Për mua kur ka ditë me shi është festë. Unë mund t‘i mbaj sytë të hapura plotësisht dhe nuk kam nevojë t‘i përpëlis prej dritës së fortë. Bota bëhet më e butë dhe më femërore kur bie shi.

RUDINA XHUNGA: Sa vjet keni që jetoni në këtë shtëpi në Arad?

AMOS OZ: Jetoj në Arad prej 22 vjetësh.

RUDINA XHUNGA: Çfarë ju mban në një qytezë pranë shkretëtirës, ku nuk bie shi?

AMOS OZ: Ne erdhëm këtu në vitin 1986, pasi atë vit, djali im 7-vjeçar, vuante prej astmës së rëndë dhe doktorët na këshilluan, që për t‘u shëruar, kishte nevojë për ajër të thatë shkretëtire. Tashmë kanë shkuar 22 vjet. Djali im u shërua dhe jeton në Tel Aviv, dhe prindërit e tij kanë qëndruar në Arad, pasi ata e duan këtë vend.
Unë e dua shumë shkretëtirën. Çdo mëngjes, shumë herët, në 5.30, dal dhe shëtis nëpër shkretëtirë, gjysmë ore, pak më pak, pak më shumë. Shkretëtira më ridimensionon përmasat, më mban në proporcion. Kur unë kthehem nga shëtitja në shkretëtirë dhe ndez radion, në qoftë se dëgjoj ndonjë politikan që përdor fjalët, përjetësisht ose përgjithnjë, ose kurrë, unë e di që gurët përjashta në shkretëtirë e përqeshin atë. Dhe kur unë ulem për të shkruar në 6 të mëngjesit, pas shëtitjes në shkretëtirë, idetë e mia janë pak më të qarta, pasi kam qenë në shkretëtirë.

RUDINA XHUNGA: Letërsia e mirë bëhet vetëm në Paris, New York, Londër, apo bëhet kudo qoftë shtëpia jote?

AMOS OZ: Letërsi e mirë mund të shkruhet në çdo vend, mund të shkruhet në Paris, në New York, në Londër, mund të shkruhet edhe në një fshat të vogël dhe të harruar, dhe mund të shkruhet edhe në shkretëtirë. Njeriu duhet të shkruajë për atë që njeh dhe që di. Kur vijnë tek unë shkrimtarë të rinj dhe pyesin; na jep një këshillë si të shkruajmë, çfarë të shkruajmë, unë gjithmonë u them diçka shumë të thjeshtë: shkruaj për atë që ti di, mos shkruaj për atë që nuk di.

         RUDINA XHUNGA: Po juve kush ju a dha këtë këshillë, kur ishit shkrimtar i ri? Qe dikush që ju bëri rrugë?

AMOS OZ: Unë e kam mësuar këtë gjë nga shkrimtarë të tjerë, e kam mësuar nga Çehovi, e kam mësuar nga Shaul Anderson Amerikani, e kam mësuar nga disa shkrimtarë. Por, në fakt, çdo shkrimtar i madh që unë e kam për zemër, shkruan për botën e tij dhe për atë që ka më të shtrenjtë. Dhe ka një mrekulli në këtë pjesë të literaturës, ka një mrekulli të madhe, sa më shumë që libri të jetë provincial, sa më shumë që të jetë lokal, aq më shumë ai bëhet universal.

RUDINA XHUNGA: Dua të ndaloj te Çehovi. Ju keni thënë dikur se shpresonit që konflikti mes Izraelit dhe Palestinës të mos i ngjante një tragjedie shekspiriane, por një tragjedie çehoviane. Por, në fakt, kujt i ngjau?

AMOS OZ: Ne sot, jemi në një fazë ku mund ta zgjidhim konfliktin midis izraelitëve dhe palestinezëve. Kur them që mund ta zgjidhim, unë nuk mendoj që mund ta zgjidhim nesër, apo pasnesër, por them që kemi arritur në atë pikë që pothuajse të gjithë izraelitët dhe pothuajse të gjithë palestinezët e dinë se cila është zgjidhja. A janë të kënaqur ata për këtë zgjidhje? Jo. Ata nuk janë të kënaqur. A do kërcejnë ata nëpër rrugë ditën kur kjo zgjidhje do realizohet? Jo, ata nuk do të kërcejnë nëpër rrugë. Por kemi arritur në atë pikë ku shumica e izraelitëve dhe e palestinezëve e dinë që në fund të fundit vendi do ndahet dhe do ketë dy shtete, Izraeli përkrah Palestinës. Kjo shtëpi do jetë e ndarë në 2 apartamente më të vogla.

RUDINA XHUNGA: Domethënë do të divorcoheni?

AMOS OZ: Po, unë flas për divorcim, po për divorcim ndryshe, pasi të dyja palët që divorcohen qëndrojnë në të njëjtën ndërtesë, dhe asnjëra nuk largohet nga ndërtesa. Dhe duhet të vendoset se kush do të marrë dhomën e parë të gjumit dhe kush do ta marrë dhomën e dytë të gjumit, dhe çfarë do bëhet me sallonin, e meqë shtëpia është shumë e vogël duhet të vendosin për rregulla specifike, për dushin dhe kuzhinën. Kjo është e vështirë dhe e parehatshme, por divorci është i domosdoshëm. Të dy këta popuj, palestinezët dhe izraelitët, pas 100 vjetësh lufte, urrejtje dhe tragjedie nuk mund të kthehen befas në një familje të lumtur, se ata nuk janë familje, dhe nuk janë një dhe nuk janë të lumtur. Ato janë dy familje të palumtura.

RUDINA XHUNGA: A është në fakt lufta mes Izraelit dhe Palestinës një luftë mes dy viktimash?

AMOS OZ: Mendoj se po, kjo është luftë midis dy kurbaneve të Evropës. Arabët kanë qenë viktima të Evropës nga imperializmi, kolonializmi, nga shfrytëzimi dhe përbuzja. Hebrenjtë kanë qenë viktima të Evropës nga përndjekjet, përbuzja dhe në fund nga gjenocidi të pangjashëm apo të pakrahasueshëm në Evropë. Të dy janë viktima të Evropës. Ka nga ata që mendojnë se dy viktima të të njëjtit sundues krijojnë midis tyre ndjenja solidariteti dhe madje marshojnë së bashku në drejtim të barrikadave, duke kënduar këngët e Bertolt Breht. Por, në realitet, disa nga konfliktet më të mëdha në botë janë ato konflikte midis dy viktimave të të njëjtit sundues. Dy fëmijë të të njëjtit baba të keq dhe të dhunshëm nuk e duan njëri-tjetrin. Secili prej tyre shikon te tjetri shëmbëlltyrën e babait. Ti je njësoj si ai. Jo, ti je njësoj si ai, - i thonë ata njëri-tjetrit. Dhe kjo është gjendja midis arabëve dhe izraelitëve. Arabët na shikojnë ne izraelitët si vazhdimësi të Evropës, që me modernizimin e saj, me veglat e saj, ka ardhur për të shfrytëzuar Lindjen dhe për ta zotëruar Lindjen. Ndërsa ne, nuk i shohim arabët, si viktima, siç ndihemi vetë. Ne shikojmë tek ata kozakët, pasardhësit e përndjekësve tanë nga e kaluara, apo nazistët që vrasin hebrenj për kënaqësinë e tyre. Ky është konflikt midis dy viktimave të të njëjtit sundues, ku secili prej tyre shikon te tjetri vazhdimësinë e sunduesit.

RUDINA XHUNGA: Është lajm i mirë që tani Kryeministrja është një grua, Livni? Do e ndihmojë ajo ndarjen që të jetë sa më pak e dhimbshme?

AMOS OZ: Unë mendoj se Livni e kupton nevojën për dy shtete, ajo madje e ka thënë këtë, jo ngaqë ajo është grua, por ngaqë është njeri i arsyeshëm. Por meqë e përmendët që Livni është grua, unë dua të them që jam shumë i lumtur që Izraeli, siç duket, do jetë shteti i parë në botë ku në krye të 3 institucioneve drejtuese ka tri gra. Pasi Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Izraelit është grua, dhe Kryetarja e Parlamentit është grua, dhe tani edhe Kryeministrja do të jetë grua.

         RUDINA XHUNGA: Pse çfarë kemi ne që ju nuk e keni?

AMOS OZ: Unë mendoj se Zoti sipas librit të zanafillës, krijoi në fillim burrin dhe pastaj gruan, kështu që ai mësoi kur krijoi gruan, nga gabimet që bëri kur krijoi burrin.

RUDINA XHUNGA: Tani do doja të flisnim pak për vendin nga unë vij, për Shqipërinë dhe Kosovën gjithashtu, sepse kur Kosova shpalli pavarësinë e saj unë kisha me vete librin tuaj, kur tregoni pavarësinë e Izraelit?

AMOS OZ: Unë nuk di mjaftueshëm për historinë dhe rrethanat e Kosovës, por në mënyrë instiktive, kur një popull shpall pavarësinë e tij, simpatia ime është me të. Kjo është e vërtetë për sa i përket izraelitëve, kjo është e vërtetë për palestinezët dhe kjo është e vërtetë edhe për kosovarët.

RUDINA XHUNGA: Po për historinë që lidh Shqipërinë me Izraelin, për kohën kur Holokausti na bashkoi dhe shqiptarët u hapën dyert izraelitëve?

AMOS OZ: Ne gjithmonë do ta kujtojmë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë.

 RUDINA XHUNGA: Faleminderit. Ju kujtohet ajo kohë dhe raporti që keni me atë kohë? E pyesni herë pas here veten, ç‘qe ajo urrejtje, pse ndodhi Holokausti?

AMOS OZ: Holokausti na shoqëron ne gjithë kohën, madje edhe nipërit e njerëzve që kanë përjetuar Holokaustin akoma i përjetojnë traumat, dhe akoma pyesin veten çfarë ndodhi, por asnjëri prej nesh nuk ka përgjigje, ka shumë përgjigje, por nuk ka një përgjigje të vetme. Ka një përgjigje që thotë: s‘duhet të jesh kurrë i dobët, ka një përgjigje tjetër që thotë: kurrë nuk duhet të jesh johuman dhe ka një përgjigje të tretë që thotë: duhet të kishim ardhur të gjithë në shtetin e Izraelit në kohën e duhur, dhe ka një përgjigje të katërt që thotë: që edhe në shtetin e Izraelit ka nga ata që duan të na shfarosin dhe ka përgjigje të pestë, të gjashtë dhe të shtatë. Pothuajse çdo izraelit ka një përgjigje të ndryshme.

RUDINA XHUNGA: Nëse do të kishit përballë Hitlerin, do të dëshironit t‘i bënit një pyetje? Cilën pyetje?

AMOS OZ: Unë nuk besoj se do kisha për çfarë ta pyesja, unë mendoj se ...unë mendoj se jo.

RUDINA XHUNGA: Flasim pak për librin tuaj "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën" që do të vijë për lexuesin shqiptar në shkurt, prej shtëpisë botuese "Skanderbeg Books". Mundem t‘ju rrëfej diçka personale? E dua shumë këtë libër, më shumë se çdo libër tjetër tuajin. E kam lexuar si dikur në adoleshencë "Harkun e Triumfit", me të njëjtin ankth mos mbaronte.

AMOS OZ: Faleminderit shumë për fjalët e ngrohta. Në qoftë se do më duhet të përgjigjem me një fjalë të vetme për çfarë bëjnë fjalë të gjithë librat e mi dhe jo vetëm ky libër, me një fjalë të vetme do të thosha: për familjet. Në qoftë se do të më jepni mundësinë e dy fjalëve, unë do të thosha: për familjet e palumtura. Dhe në qoftë se do më jepni më shumë se dy fjalë do të thosha: Duhet të lexoni librat e mi. Unë mendoj se familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksal në botë, më i çuditshmi në botë, më ekzotiku në botë, dhe më interesanti në botë. Në qoftë se do më jepnin mundësinë të zgjidhja midis dy dëshirash, mundësia e parë është të jem në satelitin e parë që do të shkojë për në Mars, dhe mundësia e dytë të kaloj një ditë të vetme dhe një natë të vetme në shtëpinë e cilësdo familjeje, nuk ka rëndësi se e kujt familjeje, si një mizë në mur, unë do të zgjidhja të isha miza dhe jo astronauti.

RUDINA XHUNGA: Por janë të vështira edhe pse interesante familjet për t‘i ngritur, për t‘i mbajtur, për t‘i dashur. Si i bëhet?

AMOS OZ: Në qoftë se unë do kisha formulën se çfarë duhet bërë nuk do të isha shkrimtar, por këshilltar për marrëdhëniet në familje. Nuk kam këshillë së çfarë duhet bërë përveçse ndoshta një sugjerim. Duhet imagjinatë, duhet imagjinatë në dashuri, duhet imagjinatë në të qenit prind, duhet imagjinatë për çdo marrëdhënie dhe lidhje njerëzore. Unë mendoj se imagjinata është dhe një dhunti shumë thelbësore. Në qoftë se ti arrin ta imagjinosh tjetrin, ti nuk e urren atë, në qoftë se ti arrin ta imagjinosh tjetrin, ti do dish edhe si të sillesh me të, në qoftë se ti e imagjinon tjetrin, ti do të kesh edhe jetë më interesante. Në qoftë se ti arrin ta imagjinosh tjetrin do të jesh edhe e dashur, e dashur më e mirë, por kjo i përket një interviste tjetër.

RUDINA XHUNGA: Ndërsa në këtë intervistë do të doja t‘ju pyesja për atë fjalën magjike që mban familjen, shtetin e të gjitha. Për fjalën që quhet kompromis.

AMOS OZ: Po, po, besoj shumë te kompromisi. E di që fjala kompromis tingëllon shumë negative në veshët e të rinjve idealistë. Ata mendojnë se kompromisi është diçka jo e drejtë, diçka oportuniste, jo e ndershme. Për mua fjala kompromis është sinonim i fjalës jetë, ku ka jetë ka kompromise. Dhe e kundërta e kompromisit nuk është idealizmi, nuk është integriteti. E kundërta e kompromisit është fanatizmi, është vdekja. Kur them kompromis, nuk them të heqësh dorë nga vetvetja, në të mirë të tjetrit dhe kur them kompromis, nuk them atë që ka thënë Krishti: tregoji faqen tjetër, atij që të qëllon. Kur them kompromis, them mundohu të takosh tjetrin në mes të rrugës. Që të arrish ta takosh tjetrin në mes të rrugës, ti duhet ta imagjinosh tjetrin. Këtë bëj gjithë kohës në profesionin tim. Ngrihem në mëngjes, shkoj dhe shëtis në shkretëtirë gjysmë ore, pi një gotë kafe, ulem pranë asaj tavoline dhe filloj e pyes veten: po sikur të isha ajo, po sikur unë të isha ai, çfarë do të mendoja, çfarë do të ndjeja, çfarë do të bëja, çfarë do të thosha. E bëj këtë gjë për orë të tëra gjatë ditës, si edhe kur kjo s‘ka lidhje me punën time e jetën time. Këtë gjë e bëj me kënaqësinë më të madhe. Kjo është dhe gjëja më interesante në botë, të takosh një njeri tjetër e të mundohesh të bësh vizitë në shpirtin e tij.

RUDINA XHUNGA: Faleminderit z. Oz. Unë po mësoj shumë prej jush në këtë intervistë. Sikundër mësova të risistemoj bibliotekën time kur ju lexova ju te "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën". Çfarë është biblioteka në jetën e një njeriu, çfarë janë librat në jetën e një njeriu?

AMOS OZ: Në radhë të parë librat për mua janë diçka shpirtërore, me vlerë që e prek, e ndjen, diçka erotike, sensuale. Librin para se ta lexoj, në radhë të parë e njoh duke e prekur me mollëzat e gishtërinjve. Më pëlqen ta prek librin, ta fërkoj atë, ta ndiej. Gjëja e dytë që bëj është ta nuhas. Çdo libër ka aromën e tij specifike: ka aromë libri të ri, aromë libri të vjetër dhe aromë libri prej këndej e aromë libri prej andej. Libri që ju më dërguat nga Shqipëria "Të njohësh një grua" kishte aromën e tij. Çdo libër ka aromën e tij. Vetëm pasi arrij ta njoh librin nga prekja me gishtërinjtë dhe nga aroma, filloj të shikoj ngjyrat e kopertinës, fotografinë që ndodhet në kopertinë, shkronjat e mandej, si një dashnor i ngadaltë e i duruar filloj e hyj ngadalë-ngadalë në libër, filloj ta lexoj atë. E di që ka shumë kurse në botë që të mësojnë të lexosh shpejt. Studentëve të mi gjithmonë u them që nga unë do të mësojnë gjithmonë si të lexojnë ngadalë. Do ju mësoj juve si të lexoni ngadalë, të lexoni një fjali dhe të ngrini sytë, të lexoni një paragraf e të mendoni pak, të lexoni dy faqe e të shkëputeni për pak kohë e të shkoni të shëtisni, të lexoni një kapitull e të shkoni të dëgjoni muzikë. Librat e mirë është mirë që t‘i lexoni ngadalë. Në përgjithësi kam mësuar nga jeta që të gjitha gjërat e mira në jetë është mirë që t‘i bësh ngadalë.

         RUDINA XHUNGA: Unë kështu kam bërë me librin tuaj. Jo vetëm e kam lexuar ngadalë, por e kam marrë me vete kudo ku shkoja.

AMOS OZ: Faleminderit.

RUDINA XHUNGA: Ju po flisnit për aromën e librave. Çfarë arome ka Çehovi?

AMOS OZ: Çehovi ka aromë prej dollapi të vjetër ilaçesh. Ai ka qenë doktor dhe gjithmonë nga librat e tij mua më vjen aroma e një farmacie të vjetër.

RUDINA XHUNGA: Po Remark, çfarë arome ka?

AMOS OZ: Ai ka një aromë krejtësisht tjetër, ai ka një aromë të largët prej baruti, të përzier së bashku me aromën e biskotave dhe kalvadosit.

RUDINA XHUNGA: Ju pyeta për aromën e shkrimtarëve që unë pëlqej. Cila është aroma e autorëve që ju pëlqeni?

AMOS OZ: Shkrimtarët që pëlqej? Në radhë të parë Çehovi është shkrimtari që e dua me dashuri të përjetshme, e dua shumë. Dua për shembull një shkrimtar italian, Lampeduzën, Giuseppe Tomasi di Lampedusa, që ka shkruar vetëm një libër të rëndësishëm, i cili quhet "Il Gattopardo". Më pëlqen shumë ky libër. Ai ka aromën e shtëpive të vjetra, të shtëpive të mëdha e të vjetra, të mobilieve të vjetra, të rrobave të vjetra, aromë dhomash të mbyllura që rrinë për një kohë të gjatë pa i hapur dritaret.

RUDINA XHUNGA: Po aroma e dashurisë, cila është? E dashurisë me D të madhe, asaj që vjen në formën e një gruaje në jetën e një njeriu, "një gruaje si xixëllonjë në errësirë, çfarë xixëllonje si gjenerator, çfarë gjeneratori si central elektrik", thoni ju në librin tuaj. Cila është aroma e kësaj dashurie?

AMOS OZ: Mendoj se ka shumë dashuri të ndryshme dhe çdo dashuri ka aromën e saj. Nuk ka një aromë për të gjitha dashuritë. Në memorien time kam dashuri që kanë aromë lulesh, si dhe dashuri që kanë aromë deti, por kam edhe dashuri që kanë aromë bari, aromë bari të sapokositur. Çdo dashuri ka aromën e saj.

         RUDINA XHUNGA: Si është aroma e dashurisë së parë, asaj me mësuesen?

AMOS OZ: Mësuese Zelda. Aroma e dashurisë sime me mësuesen time Zelda kishte aromën e librave. E desha atë nëpërmjet librave të saj dhe nëpërmjet tregimeve të saj. Por mund të them edhe si ka qenë ngjyra e kësaj dashurie të parë, ngjyra e kësaj dashurie ka qenë ngjyrë lejla e errët.

         RUDINA XHUNGA: Po aroma e një dashurie të pamundur?

         AMOS OZ: Aroma e një dashurie të pamundur… Përsëri ka shumë dashuri të pamundura, nuk ka vetëm një, ndonjëherë kanë aromën e kripës së lotëve, ndonjëherë aromën e djersës së grushteve të mbledhura, apo edhe aromën e flladit përpara errësirës.

         RUDINA XHUNGA: Dhe aroma e dashurisë për gruan, ajo që zgjat 50 vjet dhe vazhdon ende?

AMOS OZ: Kjo është një aromë shumë e mirë.

RUDINA XHUNGA: Kjo është aroma më e mirë?

AMOS OZ: Për mua po. Po.

RUDINA XHUNGA: Vazhdon gruaja të jetë lexuesja juaj e parë dhe njeriu që ju i besoni më shumë, apo thjesht ju pëlqen ta shkruani këtë?

AMOS OZ: Po, ajo është gjithmonë lexuesja ime e parë dhe gjithmonë besoj tek ajo. Qesh kur është për të qeshur dhe qan kur është për të qarë. Gjithmonë ma thotë kur libri nuk është i mirë.

RUDINA XHUNGA: Po ajo, shkruan vetë?

AMOS OZ: Jo, ajo është muzikante, i bie flautit.

RUDINA XHUNGA: Prandaj edhe në librat tuaj ka muzikë, melodi?

AMOS OZ: Jeta jonë është e mbushur me muzikë, kjo shtëpi është plot me muzikë. Kur gruaja ime nuk luan muzikë, atëherë gramafoni luan dhe ne dëgjojmë muzikë. Në këtë dhomë kemi dy altoparlantë të vegjël dhe kjo dhomë gjithnjë është e mbushur me muzikë.

         RUDINA XHUNGA: Por mbiemri juaj, mbiemri që ju i dhatë vetes në moshën 14-vjeçare nuk do të thotë muzikë, por fuqi. Oz në hebraisht do të thotë fuqi. Pse kishit nevojë për fuqi në atë kohë?

AMOS OZ: Kur isha 14 vjeç bëra kryengritje mbi botën e babait tim, desha të bëhesha ai që babai im nuk ishte dhe nuk desha të isha ai që babai im ishte. Babai ishte intelektual, ndërsa unë desha të isha bujk; ai ishte njeri me ide të djathta, ndërsa unë u bëra socialdemokrat; ai ishte qytetar nga Jerusalemi, unë u bëra kibucnik; ai ishte i shkurtër dhe unë vendosa të bëhesha i gjatë, vetëm se kjo nuk u realizua dot. Që atëherë ndryshova edhe mbiemrin tim nga Klauzer në Oz, dhe Oz do të thotë jo vetëm forcë, por edhe guxim. Kjo ishte ajo që më mungonte mua kur u largova nga shtëpia e shkova të jetoja në Kibuc në moshën 14-vjeçare.

RUDINA XHUNGA: Tani ju nuk keni më nevojë për fuqinë, edhe pse mbiemri është i juaji tashmë prej kohësh.

AMOS OZ: Ky mbiemër më kujton se nga kam ardhur.

RUDINA XHUNGA: Ju merr malli për prindërit tuaj? Ka diçka që do të donit ta bënit nëse do të ishit edhe një ditë bashkë të tre?

AMOS OZ: Në fakt, kur shkrova librin "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën", u përpoqa që me anë të këtij libri të ftoja të vdekurit për vizitë tek unë në shtëpi, për një gotë kafeje, t‘u bëja prindërve të mi njohjen me gruan dhe fëmijët, pasi ata nuk e kanë njohur njëri-tjetrin. Duke i ulur të gjithë rreth së njëjtës tavolinë, duke iu dhënë kafe e keks dhe duke folur me ta. Duke folur edhe për tema të cilat nuk kemi folur, kur ata ishin gjallë. Duke folur për gjëra, për të cilat asnjëherë nuk folëm dot. Dhe pas vizitës në shtëpinë time u thashë të vdekurve të mi: "Tani largohuni, mos qëndroni të banoni tek unë, ejani me raste, herë pas here, jeni të ftuar tek unë për vizitë, për një gotë kafeje". Mendoj se kjo është mënyra më e drejtë për t‘u sjellë me të vdekurit tanë, t‘i ftojmë ata herë pas here në shtëpi për një kafe, keks dhe bisedë e pastaj t‘i përcjellim.

RUDINA XHUNGA: Është diçka tjetër që më pëlqen shumë ta dëgjoj prej jush, dallimin mes një gruaje e një burri, si dallimi mes gjirit dhe thikës...

AMOS OZ: Po, këtë e kam shkruar te libri "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën". Kur linda, gratë më pritën dhe më morën në gjoksin e tyre, në qumështin e tyre, në ngrohtësinë e tyre, kurse burrat më pritën pranë hyrjes me thikë në dorë. Prandaj, deri më sot e kam pasur më të lehtë të jem në shoqëri grash se sa burrash.
Te burrat, te gjinia mashkullore, ka një përqindje më të madhe dhune se sa te gjinia femërore, si dhe një përqindje më të madhe pasigurie te gjinia mashkullore se sa te gjinia femërore, mbase sepse neve nuk na dhanë mundësinë që të lindim fëmijë.

RUDINA XHUNGA: Çfarë e bën një fëmijë të shëndetshëm, një shoqëri të shëndetshme?

AMOS OZ: Në radhë të parë për të qenë njeri i mirë në botë ti duhet ta dish që të duan ty, që dikush të do, që ka të paktën një njeri në botë që të dëshiron. Në qoftë se nuk ka në botë asnjë njeri që të dëshiron është shumë e vështirë që të jesh njeri i mirë. Një njeri duhet të të dëshirojë ty. Gjatë gjithë kohës që ne kemi baba dhe nënë është pak më e lehtë, por kur mbesim pa nënë e baba ajo varet nga ne nëse do të ketë një njeri që të na dojë. Varet nga ne në qoftë se fëmijët tanë do të na duan apo jo, varet nga ne në qoftë se bashkëshorti ose bashkëshortja jonë do të na dojë, varet nga ne në qoftë se komshinjtë tanë do të na duan apo jo.

RUDINA XHUNGA: Si ia bëtë ju, pasi ishit vetëm 14 vjeç? Si ia dolët?

AMOS OZ: Isha shumë i vetmuar, por kërkova dikë që të më donte mua dhe e gjeta.

RUDINA XHUNGA: Çfarë na bën që t‘i themi vetes që të vazhdojmë, edhe pse siç shkruan Kazanzaqis, "jeta është një anije që liman ka vetëm vdekjen". Si ia bën njeriu të vazhdojë pavarësisht?

AMOS OZ: Kjo varet në radhë të parë në mundësinë për të dashur, për të vlerësuar gjërat e vogla. Kjo fillon me mundësinë për të dashur njerëzit, vazhdon me mundësinë për të dashur dritën që ne shikojmë në mëngjes kur hapim sytë dhe vazhdon me mundësinë për të dashur kafenë që pimë në mëngjes e vazhdon me mundësinë për të dashur muzikën që dëgjojmë gjatë ditës. Në qoftë se ke vetëm këto gjëra, atëherë ke mjaftueshëm gjëra për të vazhduar dhe jetuar.

RUDINA XHUNGA: Po fama e suksesi a ta bëjnë jetën më të mirë?

AMOS OZ: Po, jetën time ato e bëjnë më të mirë. Kënaqem nga suksesi dhe kënaqem nga fama, por di që të mos jem i varur prej tyre. Dhe di që ato nuk vijnë tek unë në veçanti, por vijnë te një person që mban emrin tim. Ato i përkasin këtij personi dhe jo mua.

RUDINA XHUNGA: Çfarë do të bënit po të mos ishit shkrimtar?

AMOS OZ: Do të doja shumë të isha muzikant. Në qoftë se do të isha muzikant nuk do të bëhesha shkrimtar.

RUDINA XHUNGA: Me çfarë muzike do të donit që ta shoqëroja këtë intervistë?

AMOS OZ: Me violinçel.

RUDINA XHUNGA: Do ta bëj.

AMOS OZ: Faleminderit, faleminderit shumë.

RUDINA XHUNGA: Po pse?

AMOS OZ: I përshtatet bisedës sonë. Tingulli i violinçelit u përshtatet pyetjeve tuaja.

RUDINA XHUNGA: Në fund të kësaj interviste do të doja t‘i ftoja bashkëqytetarët e mi, t‘i ftoja shqiptarët që ta njihnin Izraelin. Pse duhet të vijnë ata këtu? Pse duhet ta njohin këtë vend, pse duhet ta duan këtë vend siç unë e desha?

AMOS OZ: Izraelitët dhe shqiptarët janë dy popuj shumë të vegjël dhe mendoj se nga të gjithë popujt që jetojnë buzë detit Mesdhe, ne jemi popujt më të vegjël. Nuk ka popuj më të vegjël se sa ne së bashku me Qipron. Dhe që të dyja palët kanë histori mjaft të përzier, histori vetmie. Jetojmë në një lagje që nuk është familja jonë, në një lagje që nuk është ambienti ynë natyral. Ju keni kaluar gjëra shumë të rënda, keni kaluar pushtim, poshtërim e shtypje, edhe ne kemi kaluar gjëra mjaft të rënda. Kemi mjaft arsye për të qenë miq dhe mendoj se rruga më e mirë për të qenë miq është të lexojmë librat e njëri-tjetrit. Unë lexoj përkthimet e librave të Ismail Kadaresë, kjo është ajo që njoh nga letërsia shqiptare, për fat të keq nuk njoh shkrimtarë të tjerë, pasi nuk janë përkthyer pothuajse, por ato që kam lexuar tek ai më kanë hapur një dritare për Shqipërinë dhe jam i lumtur që i kam lexuar librat e tij. Shpresoj që librat e mi do t‘u hapin lexuesve shqiptarë një dritare të ngjashme për Izraelin.

RUDINA XHUNGA: Faleminderit që po flasim për dritaret, ato siç duket na mbajnë në jetë. Faleminderit që i ftoni shqiptarët të vijnë në Izrael. Do të doja gjithashtu që kur "Rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën" të vijë në Shqipëri në shqip nga "Skënderbeg Books", të mund të vinit edhe ju bashkë me librin. Faleminderit Amos Oz për këtë intervistë.

 AMOS OZ: Faleminderit juve për pyetjet e mira dhe për fjalët e ngrohta që thatë për librin.
Toda, Toda rabah. Si i thonë në shqip faleminderit? Faleminderit shumë.

AMOS OZ KA LINDUR MË 1939-ËN NË JERUSALEM, SHKRIMTARI MË I NJOHUR IZRAELIT, AUTORITETI MORAL I PADISKUTUESHËM I IZRAELIT MODERN Kandidat për çmimin "Nobel" - Veprat e tij - Romane, novela, tregime

Majkëlli im

 Diku tjetër, ndoshta
Preke ujin, preke erën
Te vdekja
Kodra e avokatit të lig
Atje ku cakenjtë rënkojnë
Paqe perfekte
Kutia e zezë
Të njohësh një grua
Fima
Mos e quaj natë
I njëjti det
Një rrëfenjë për dashurinë dhe errësirën


Ese
Na ndihmoni të divorcohemi
Heshtja e parajsës
Historia fillon
Nën dritën e flakës
Leksione për vlerat njerëzore
Izraeli, Palestina dhe paqja
Shpatet e Libanit
Në tokën izraelite

Çmimet
"Otto-Brenner Prize" 1976
"Prix Femina Etranger" 1988
"Frankfurt Peace Prize" 1992
"Cross of the Knight of the legion d‘Honneur" 1997
"Israel Prize for literature" 1998
Çmimi "Asturias" Tetor 2008
Çmimi "Heinrich Hein" Dhjetor 2008

 

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!