KOMUNISTËT, TRADHTARËT DHE RROGËTARËT

 

Nga Behxhet Shala  Gazeta “EXPRESS

 

      Nëse, si kriter i dënimit të krimeve kundër komunizmit përdoret mbamendja historike apo Kuvendi i Pleqëve të Urtë dhe të Mençur i propozuar nga Arbër Xhaferit, në krye me Adem Demaçin, kjo do të jetë punë e Sizifit! Do të krijohej hapësirë për hakmarrje ndonëse Adem Demaçi nuk e pranon hakmarrjen si shpagim për vuajtje personale apo kombëtare!

 

LIGJI PËR NDRIÇIM APO LIGJI PËR LINÇIM

 

       Pas rënies së komunizmit, shumica e vendeve që vërtet ishin dhe u bënë të pavarura, i hapën dosjet duke e bërë publike rolin e ish udhëheqësve në krimet ndaj shtetasve të tyre. Në këtë mënyrë u bë një diferencim politik dhe institucional; duke pamundësuar riciklimin e atyre që ishin përgjegjës për krime që përsëri, tashmë të konvertuar në demokratë përpiqeshin të infiltroheshin në levat institucionale, demokracitë e reja dhe të brishta u distancuan nga e kaluara, pa shkaktuar thyerje të mëdha dhe ndryshime tektonike. E ruajtën shtetin dhe e morën pushtetin! Edhe Shqipëria, si shtet që ka kaluar afërsisht 50 vjet nën diktaturën jashtëzakonisht të ashpër të variantit më primitiv të mundshëm të komunizmit të tipit sllavo-stalinist i hyri këtij lustracioni, siç po i thonë. Së shpejti pritet dekretimi i këtij ligji , që në fakt paraqet një biletë hyrëse për kaos institucional dhe legalizim të hakmarrjeve, eliminimeve politike, etiketimeve, marrjes së pushtetit, sigurimin e imunitetit për krimet e që në emër të luftës ndaj krimeve komuniste e bëjnë ata që edhe vet, deri dje ishin pjesë e nomenklaturës komuniste. Të gjitha dosjet në Shqipëri kanë qenë në duart e atyre që kanë qenë në pushtet dhe skajshmërisht janë keqpërdorur. Dosjet kompromentuese janë eliminuar apo përshtatur rrethanave të reja ndërkaq që janë krijuar të gjitha mundësitë për fabrikimin e dosjeve të reja, dosjeve të demokracisë! Për këtë arsye procesi i ndriçimit, zbardhjes së krimeve të komunizmit në Shqipëri nuk do jetë i suksesshëm sepse qëllimi nuk është i sinqert, nuk është i mirë, është qëllim ekskluziv dhe diskriminues. Më shumë i përngjan luftës brenda llojit! Sepse në Shqipëri, gjatë kohës së diktaturës, komunisti më i Madh e ka hëngër-asgjësuar komunistin më të Vogël! Demokratët dhe nacionalistat i kanë vrarë dhe margjinalizuar gjatë dhe menjëhere pas përfundimit të luftës.


ETËRIT DHE BIJTË

 

      Deri sa në Shqipëri, krimet në kohën e komunizmit kishin karakter dhe përmbajtje ideologjike dhe politike, në Kosovë ishin etnike dhe politike. Etnike sepse shqiptarët keqtrajtoheshin, burgoseshin, dënoheshin dhe vriteshin për shkak të përkatësisë kombëtare, (etnike). Po a kishte komunistë në ish Jugosllavinë dhe kush ishin ata? Ku ishin në këtë mes  “komunistët” shqiptarë? Komunizmi në ish Jugosllavinë ishte fiktiv dhe shërbente si mjet për mbajtjen e pushtetit për një kategori individësh. Ai ishte manipulativ në kuptimin e krijimit të një ekulibri midis komunizmit sovjetik ( me satelitët ) dhe pjesës demokratike të botës. Ky ishte një nacional- shovinizëm i maskuar si komunizëm në fillim dhe socializëm vetqeverisës, më vonë! Të gjithë e dinë që krerët” komunistë” jugosllav punuan në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe në momentet vendimtare punuan për formimin e shteteve të tyre kombëtare. Po i përmend ;Kuçanin dhe Dërnovshekun në Slloveni. Tuxhmanin, Raçanin dhe Shuvarin në Kroaci. Izetbegoviqin, Durakoviqët dhe Bogiqeviqi në Bosnje, Gligorovi në Maqedoni, Gjukanoviqi në Mal të Zi dhe Milosheviqi me kompani në Serbi. Këta pra ishin komunistët që e shkatërruan Jugosllavinë dhe i formuan shtetet kombëtare demokratike. Po ku ishin “komunistët” shqiptarë në këto udhëkryqe të mëdha historike në të cilën gjendej Kosova? Çka bënë ata për Kosovën dhe popullin që i përkisnin? Askund dhe nuk bënë asgjë! Të gjitha përpjekjet i bënin për ta ruajtut atë copë pushtet që e kishin dhe për ta Kosova ishte karrika e tyre, privilegjet që i gëzonin dhe mirëqenia e familjeve të tyre. Ata, në të shumtën e rasteve nuk ishin as komunistë, as tradhëtarë por thjesht , rrogëtarë! Më thuani cili ishte ai komunist shqiptar i Kosovës që sakrifikoi diçka për Kosovën, prej vitit 19945 e deri në vitin 1998 kur edhe filloi lufta çlirimtare e UÇK-së ?! Në momentet vendimtare dhe historike dështuan sepse nuk përfaqësonin interesat e popullit, nuk ishin zgjedhur nga populli, ishin përzgjedhur nga ata që e mohonin dhe e dhunonin lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, me një fjalë ishin vija e parë në frontin kundër “ nacionalizmit” dhe “irredentizmit” shqiptar, si në aspektin e dënimit verbal ashtu edhe të ekzekutimit fizik. Tash mund t’i lajnë duart mirëpo luftëtarët e Shaban Polluzhës më shumë janë vrarë prej shqiptarëve se prej serbëve. Nuk mund të arsyetohen se nuk kanë qenë në dijeni për masakrën e Tivarit, Kullën e Sheremetit, masakrat në Llap, Gjilan etj. Nëse nuk kanë qenë inicues të këtyre masakrave atëhere kanë qenë mbështetës ngase nuk kanë ndërmarrë asgjë për t’i penguar kriminelët. Kjo listë është tepër e gjatë, madje mëkatet i përcjellin deri në ditët e sotit. Edhe sot sillen sikur të kishin bërë mire dhe njeriu kur i dëgjon këta ka dyshime pse është dashur të shkohet në burg ose, pse është sakrifikuar Adem Jashari, me familje ! Vërtetë çmendi, si sillen sot këto mbeturina! Nuk dua të përmendi emra mirëpo meqë në disa shkrime të mëparshme janë përfolur disa emra vetëm dua të them se nuk mund të barazohet fajësia e një krimineli si Ali Shukria psh. me ate të Rexhait Surroit i cili nuk ka qenë pjesë e marrjes së vendimeve me pasoja fatale për shqiptarët e Kosovës. Vendi dhe funksioni duhet të jetë përcaktues i fajësisë nëse hapen dosjet ndonjëherë për çka aspak nuk jam i sigurt. Nuk dua të bëhem avokat i Rexhai Surroit por nuk ka ndonjë argument bindës që do ta rradhiste Rexhain Surroin në mesin e kriminelëve! Mirëpo as t’i këndohen këngë kreshnike! Fadil Hoxhës edhe më pak! Definitivisht për këtë flas me një siguri të madhe.


CILAT DOSJE DUHEN TË HAPEN NË PËRPJEKJET DONKISHOTIANE

 

      Që në fillim dua të them se nuk jam për asnjë hakmarrje ndaj dëshmitarëve që kanë dëshmuar kundër meje në bazë të të cilave jam dënuar më 15 vite burg të rëndë dhe i kam vuajtur 9 vite. Unë ua kam falë dëshmitë e rrejshme ngase e di se kush, në të vërtetë më ka dënuar! Dhe pse jam dënuar! Më shumë se 35 dëshmitarë kanë dëshmuar kundër meje dhe grupit tim, që të gjithë shqiptarë. Asnjëherë nuk i kam bërë publik emrat e tyre dhe as qo do t’i bëjë ndonjëherë. Po flas për veten time ndonëse shumica e atyre që kanë pësuar edhe më shumë se unë nuk e kanë ndjenjën e hakmarrjes dhe kjo mund të na merret mbase si dobësi. Kemi qenë shumë të vetëdijshëm pse po e bëjmë sakrificën dhe vetëm jemi munduar ta kryejmë një obligim kombëtar dhe njerëzor. Me një fjalë, kemi qenë njerëz të fatit! Me vëllaun e atij që ma ka rrahur gruan time thuaja një vit në burgun e Mitrovicës, sot ulem dhe pi kafe, nuk jam në armiqësi me te ( jemi shumë tolerantë Berat, madje po keqpërdoret kjo tolerancë) ! Pra, kam arsye personale dhe familjare të mbaj një qëndrim radikal dhe hakmarrës por ku do të na çonte kjo! Në një luftë vëllavrasëse, shkatërrim familjesh, gërryerje zorrësh, nxjerrje sysh etj. Jo, faleminderit. Le të radikalizohet kush të dojë! Kjo është edhe arsyeja pse disa bij sot mundohen t’i mbrojnë etërit e tyre nga krimet që i kanë bërë. Fëmijët tanë, së paku nuk e kanë këtë bagazh të turpit për krimet e baballarëve të tyre!Megjithatë, për mua është jonormale që një prokuror, gjykatës hetues apo gjykatës që kanë shqiptuar dënime për “ krime” politike ende të ndajnë drejtësi, ende të jenë në poste përgjegjëse. Mos të flasë për operativca të UDB-së, KOS-it dhe shërbimeve tjera që me duart e tyre kanë mbytur nën torturë shumë patriot shqiptarë. Ata duhet të denoncohen botërisht. Duhet të denoncohen edhe oficerë shqiptarë, që kanë zhvilluar hetime ndaj ushtarëve shqiptarë në ish APJ –në pas të cilave janë dënuar me dënime shumëvjeçare apo janë kthyer të vrarë nga shërbimi ushtarak. Po ne po flasim për dosjet ndërkaq ato janë në Beograd. Beogradi mund t’i bëjë publike ato dosje në mënyrë shumë selektive, i mbron njerëzit e vet , shkakton huti dhe dyshime për ata që dëshiron t’i komprometojë! Në fund të fundit, UNMIK –ut dhe EULEX-it i duhen këta njerëz me dosje dhe nuk do ta lejojë dekonspirimin e tyre! Ende janë të përdorshëm! Po vrapojmë, si Muça pas daive! Nëse, si kriter i dënimit të krimeve kundër komunizmit përdoret mbamendja historike apo Kuvendi i Pleqëve të Urtë dhe të Mençur i Arbër Xhaferit, në krye me Adem Demaçin, kjo do të jetë punë e Sizifit! Do të krijohej hapësirë për hakmarrje ndonëse Adem Demaçi nuk e pranon hakmarrjen si shpagim për vuajtje personale apo kombëtare! Andaj, mos të merremi me punë për të cilat vendosin të gjithë, përveç neve!


NJË DYSHIM DHE NJË SYGJERIM, PËR PËRFUNDIM

 

      Mos vallë, kjo temë është kurdisur, në kohë të gabuar dhe në vend të gabuar dhe me qëllim të caktuar sipas modelit: “ kush ka nge, fut rruza në pe”. Mendoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka punë shumë më të rëndësishme se për diskutime të kota që nuk prodhojnë asnjë efekt. Deputetët e Kuvendit të Kosovës ( një numër i tyre gjithashtu është me dosje ) duhet të diskutojnë dhe miratojnë ligje për funksionalizimin e shtetit të Kosovës, sigurimin e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe miratimin e ligjeve që e përparojnë Kosovën, në të gjitha sferat. Këto janë qëllimet për çka kemi vuajtur dhe u japim përparësi dhe për çka jemi në gjendje t’i falim ata që janë bërë shkaktarë të vuajtjeve tona! Në fund të fundit, nëse me përpikëri zbatohet Ligji për Lustracion ( larje fytyre dhe mëkatesh por jo edhe lustracion i ndërgjegjes), shumica e Institucioneve të Kosovës, politike dhe jopolitike do të mbeteshin pa liderë të tyre, duke filluar nga presidenti i ndjerë. Për fillim!


(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së, ish i dënuar politik. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale)

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!