UNË JAM OPTIMIST PËR SHTETIN TUAJ - Fjalimi i Zëvendës Presidentit të SHBA’së, Joseph Biden, mbajtur në Kuvendin e Kosovës

 

 

Faleminderit shumë për privilegjin dhe mundësinë t'i adresohem Kuvendit të Kosovës, në një sfond kaq të bukur.

 

Ju uroj për punën e deritashme dhe ju falënderoj për mirëpritjen shumë, shumë gjeneroze.

Është privilegj të kthehem në vendin tuaj dhe, edhe pse jam disa muaj me vonesë, më lejoni t'ju uroj ditëlindjen në përvjetorin e pavarësisë.

 

Z. President, më lejoni t'ju falënderoj juve për njërin prej nderimeve më të mëdha në karrierën time, dhënien e Medaljes së Lirisë. E pranoj atë në emër të popullit amerikan. Unë nuk e meritoj atë, por vendi im vlerëson mirënjohjen tuaj për atë çfarë ne po mundoheshim të bënim.

 

Hedh shikimin dhe shoh fytyra me të cilat jam i familjarizuar. Them se kam pasur brengë për ditën që do të vijë kur unë do të qëndroj përpara një Kosove të lirë dhe të pandarë, dhe t'ju adresohem të gjithë juve. Keni bërë gjëra të mrekullueshme deri më tash.

 

E kam udhëtuar këtë rajon shpesh, si senator amerikan, por është udhëtimi im i parë si Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në dy ditët e kaluara, kam qenë në Bosnjë dhe në Serbi. Nënsekretari ynë i Shtetit, James Steinberg, sapo ka vizituar Maqedoninë dhe Malin e Zi. Qëllimi ynë është i hapur - të nënvizojmë përkushtimin e Administratës Obama-Biden për stabilitetin dhe progresin në Ballkan dhe për të riafirmuar se politika e SHBA'së është të kërkojmë një Evropë që është e plotë, e lirë dhe në paqe.

 

Rruga për pavarësinë e Kosovës ishte e vështirë dhe nuk kam nevojë t'ju tregoj se është fituar me shumë mund. Udhëtimi juaj përfshiu një fushatë brutale të luftimit, një fushatë të pastrimit etnik nga Slobodan Milosevic, dhe intervenimin e NATO's për të ndalur atë. Udhëtimi përfshiu gati një dekadë të administrimit nga Kombet e Bashkuara dhe një diplomacie të vendosur nga SHBA dhe partnerët tanë në Evropë që rezultoi me planin të cilin ju po e ndiqni sot.

 

Ne e dimë, sikurse ju, se detyra juaj është marramendëse. Ne, gjithashtu, besojmë se ju jeni plotësisht të gatshëm për këtë detyrë. Ju keni shumë miq dhe partnerë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të vendosur që t'ju shohin se po dilni të suksesshëm.

 

Pavarësia e Kosovës ka qenë dhe mbetet, në pikëpamjen time dhe të Administratës sime, opsioni i vetëm me gjasa suksesi për stabilitetin në rajon. Dhe, pavarësia juaj, sikurse kam thënë në shtetet të cilat i kam vizituar, është e pakthyeshme. Absolutisht e pakthyeshme.

 

Suksesi i Kosovës së pavarur është prioritet për Administratën tonë dhe vendin tim, dhe është një element vendimtar në politikën tonë të ndihmesës ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që më në fund dhe për herë të parë në gjithë historinë të jenë plotësisht të integruara në Evropë.

 

60 shtete, nga të gjitha pjesët e botës, tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ne jemi të lumtur që Arabia Saudite ka njohur Kosovën. Ne shpresojmë që shtetet tjera së shpejti do ta ndjekin atë. Ne po u bëjmë thirrje atyre që të bëjnë këtë.

 

Pranimi i freskët i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar është një dëshmi e vendosur e pranimit të realitetit të Kosovës së pavarur nga komuniteti ndërkombëtar. Ajo është e gatshme, ne jemi të gatshëm, që të gjithë jemi të gatshëm, t'ju mbështesim në ndërtimin e shtetit tuaj dhe vënien e tërë rajonit të Evropës Jug-Lindore në një themel stabil.

 

Në vitin tuaj të parë të pavarësisë, Presidenti dhe Kryeministri juaj, në pikëpamjen time, kanë treguar lidership kurajoz dhe shtetëror. I nderoj që të dy. Këtë e mendoj sinqerisht. Vendi im, sikurse edhe juaji në pikëpamjen time, u detyrohemi. Unë do të lavdëroj deputetët e Kuvendit, përfshirë ata të opozitës, për shërbimin tuaj. Që të gjithë ju luani një rol të vlershëm në procesin legjislativ, një komponent vendimtar për çdo demokraci të vërtetë. Duke qenë vetë një ligjbërës për 37 vjet, e vlerësoj sa të rëndësishëm jeni. Ju uroj të gjithëve për hapat e ndërmarrë deri më tash për të ndërtuar një demokraci shumetnike, në paqe me fqinjët. Keni nxjerrë shumë ligje, përfshirë 50 të obligueshme nga plani për statusin, keni ndërtuar rrugë, shkolla, keni ndërtuar Ministri të Qeverisë nga zeroja nga fillimi, keni ngritur agjenci që nuk ekzistonin më parë, ju keni qasur fqinjëve, keni përforcuar marrëdhëniet diplomatike në tërë botën dhe vazhdoni të bëni këtë. Gjithë këtë brenda një viti. Është e mrekullueshme. Suksesi juaj i vendosur i ka demonstruar botës se demokracia e Kosovës dhe pavarësia e saj janë një forcë për stabilitetin rajonal. Dhe se ju jeni këtu për të qëndruar. Por, ka ende shumë për të bërë. Njerëzit tuaj kanë shpresa të mëdha dhe pritje të mëdha nga ju, nga të gjithë ne.

 

Më duhet t'ju them se zemra m'u ngroh teksa vija nga zona e aterimit në qytet. Më dukeshin qindra, nëse jo mijëra, njerëz në rrugë duke më mirëpritur mua, një përfaqësues të Shteteve të Bashkuara.

 

Si një mik i Kosovës, si një përfaqësues i SHBA'së që ka investuar shumë për suksesin tuaj, më lejoni t'ju shpreh shpresat dhe pritjet tona sa i përket të ardhmes suaj.

 

Së pari, ne ju bëjmë thirrje, ju angazhojmë, që të vazhdoni të ndërtoni institucione të fuqishme që mishërohen dhe peshojnë në vlerat e Deklaratës suaj të Pavarësisë dhe Kushtetutën tuaj. Efektiviteti dhe transparenca e këtyre institucioneve do të jenë vendimtare për kredibilitetin e Qeverisë suaj në muajt dhe vitet e ardhshme.

 

Shtyni përpara zbatimin e plotë të Planit Ahtisaari, përfshirë masat që do t'u jepnin autoriteteve komunale dhe komuniteteve etnike më shumë kontroll të çështjeve lokale. Vazhdoni të ndërtoni në rekordin tuaj të zgjedhjeve të lira dhe fer.

 

Së dyti, sfidat ekonomike dhe financiare që po ballafaqojnë vendin tuaj, janë të ndjeshme. Këto kohë kërkojnë disiplinë fi skale dhe buxhetore, sikurse edhe kujdestari të vëmendshme ndaj ndihmës që jepet prej komunitetit ndërkombëtar. Për të ndërtuar një ekonomi që mund të garojë në shekullin 21, të gjitha kombet, përfshirë Kosovën, duhet të krijojnë një klimë mirëseardhëse dhe transparente biznesore që nxit investime si dhe krijon vende pune. Punë që të rinjve tuaj u duhet.

 

E treta, forcimi i sundimit të ligjit duhet të mbetet prioriteti juaj. Mos u dorëzoni nga orvatjet për të eliminuar korrupsionin dhe për të sfiduar krimin e organizuar - një problem për të gjitha shtetet e reja të sapolindura. Vazhdoni, vazhdoni të trajketoni dhe forconi drejtësinë tuaj, një shtyllë e çdo demokracie. Nxirrni dhe fuqizoni ligje efektive që do të ndihmojnë të lëvizin vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Qeveria juaj po mban zotimet e saj për të kooperuar ngushtë dhe plotësisht me misionin e sundimit të ligjit të BE’së. SHBA është krenare të marrë pjesë në EULEX që po punon për gjykata, dogana dhe struktura policore profesionale dhe shumetnike në Kosovë. EULEX”i ka reaguar me shpejtësi dhe me efektivitet për të ndalur dhunën dhe provokimet sikurse kemi parë në ditët e fundit në veri të Kosovës.

 

E katërta, si liderë të një kombi të lindur nga konflikti, sikurse ka qenë kombi im dhe është juaji, ju  keni një përgjegjësi të posaçme të tejkaloni trashëgiminë e ndarjes, hidhërimit, frikës dhe mosbesimit brenda vendit tuaj. Është thelbësore që shumica të mundohet t’i afrohet komunitetit serb, të ndërtojë dialog dhe të vendosë mbrojtje të forta për atë komunitet dhe për komunitetet tjera që nuk janë shumicë. Ju, gjithashtu, duhet të bëni çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për kthimin e serbëve të zhvendosur dhe anëtarëve të komuniteteve tjera në pronat dhe shtëpitë e tyre në tërë Kosovën. Është një kusht thelbësor, bazë, për një shoqëri të lirë dhe të hapur. Dhe, ne u bëjmë thirrje të mbroni trashëgiminë tuaj të pasur kulturore dhe në veçanti të garantoni lirinë e religjionit dhe ligjin shumë të rëndësishëm për Kishën Ortodokse Serbe për komunitetin serb të Kosovës. Sot, më vonë do të vizitoj Manastirin e Deçanit, një simbol të rëndësishëm të fuqisë së unitetit.

 

Ne duam që kjo frymë të triumfojë sikurse po ndodh në këtë moment në tërë vendin tuaj. Ne kemi shpresë, se kështu do të ndodhë, sepse është vendimtare, për pikëpamjen time, për njohjen tuaj të mëtejme dhe mbijetesën.

 

Kosova konfrontohet me shumë sfida. Por, ju nuk jeni vetëm. Miqtë tuaj në SHBA dhe në komunitetin ndërkombëtar janë të vendosur në suksesin tuaj.

 

Sikurse e dini, unë sapo erdha nga Beogradi. Unë u kam thënë liderëve serbë se mbështetja e SHBA’së për Kosovën e pavarur dhe sovrane mbetet e palëkundur. U kam bërë thirrje atyre të gjejmë mënyra të kooperojnë për të përmirësuar mirëqenien e të gjithë popullit të Kosovës. Kam diskutuar hapat që ata mund të ndërmarrin për të përforcuar bashkëpunimin e tyre me EULEX’in. U kam kërkuar të inkurajojnë serbët e Kosovës të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, në vend që të përkrahin strukturat paralele dhe të kenë një angazhim konstruktiv mes komuniteteve etnike të Kosovës. U kam bërë thirrje liderëve të Serbisë t’i japin fund embargos së tregtisë ndaj Kosovës. Dhe u kam thënë atyre se Kosova nuk mund të jetë e ndarë. Nuk mund të ndahet.

 

SHBA mbetet e përkushtuar nëpërmjet misionit KFOR të NATO’s që vazhdon të luajë një rol shumë të rëndësishëm në ndihmesën e sigurimit të paqes dhe stabilitetit. Gratë dhe burrat e shumë kombeve aleate që shërbejnë këtu në Kosovë, për mua meritojnë mirënjohje të fuqishme. Presidenti Obama dhe unë jemi shumë mirënjohës për punën e KFOR’it, dhe veçanërisht krenarë me komandën amerikane të brigadës shumëkombëshe. Nën mbikëqyrjen dhe trajnimin e NATO’s, Kosova po ndërton institucione të sigurisë, përfshirë ajo që është më e rëndësishmja - Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të arritur standardet e NATO’s, e hapur për të gjitha komunitetet. Do të vijë koha kur Kosova do të mund të kontribuojë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

 

BE po luan një rol të rëndësishëm, duke siguruar se e ardhmja e Kosovës është një demokraci shumetnike dhe përfundimisht të ardhmen e saj në Evropë.

 

Kështu që, unë i aplaudoj orvatjeve të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Z. Feith, dhe Zyrës së tij, për të ndihmuar që Kosova të kryejë përkushtimet e ndërmarra për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë. Dhe, përshëndes punën e Kombeve të Bashkuara gjatë dekadës së kaluar në ndihmesën e krijimit të institucioneve të Kosovës.

 

Me pavarësinë e Kosovës, tash Kombet e Bashkuara do të duhej të rikonfiguroheshin dhe të zvogëlojnë misionin e tyre ashtu siç është rekomanduar nga Sekretari i Përgjithshëm.

 

Si senator, kur herën e parë provova të sillja vëmendjen në këtë rajon, një diplomat të cilin unë nuk dua ta përmend, më paralajmëroi duke thënë: “Senator, mos ëndërro ëndrra”. Kur njerëzit u thoshin juve se një Kosovë e lirë dhe e pavarur nuk do të ndodhë kurrë, ju bëtë ashtu sikur bëra unë. Ju nuk dëgjuat. Ju, sikurse unë, vazhduat të ëndërronit ëndrra. Kështu bëri populli juaj. Si një zyrtar publik dhe si një politikan, unë mbetem optimist. Unë duhet të ëndërroj për t’u dhënë njerëzve vizion për një të ardhme më të mirë. Ju duhet të vazhdoni të ëndërroni për një komb të lirë, shumetnik dhe të fuqishëm dhe përfundimisht, për herë të parë në histori, drejt integrimit në BE.

 

Unë jam optimist për shtetin tuaj.

 

Shumë miqësisht, përkundër gjithë vështirësive që ekzistojnë, unë mbes optimist për rajonin. Mendoj se është një prej atyre momenteve në histori kur mund të jemi në gjendje të heqim qindra vite të armiqësive të kaluara dhe të lëvizim përpara në shekullin 21.

 

Unë besoj në orvatjen tuaj për të krijuar një shtet modern që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të vet për një të ardhme të përbashkët evropiane. Kjo është e ardhmja për të gjitha komunitetet në Kosovë. Kjo është e ardhmja e reflektuar në mijëra nënshkrime dhe një monumenti të shpresës dhe pritjes. Vetëm sa keni filluar. Kjo është një e ardhme e cila do të përcaktohet nga secili prej jush në këtë dhomë, sot, dhe në tërë Kosovën.

 

Fëmijët, nipat dhe stërnipat tuaj do të shikojnë tek ju njerëzit që bënë ndryshimin përfundimtar, pas shekuj ndarjesh.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Ndihuni krenarë me atë që keni arritur. Mbani durimin dhe ngulmin tuaj dhe insistoni të mos dorëzoheni nga ajo që kurrë nuk ka ekzistuar këtu më parë në plotëni - një demokraci e vërtetë shumetnike.

 

Përvishuni punës që ju pret përpara. Të jeni të bindur se do të keni me juve SHBA’në. Një Kosovë të lirë dhe të pavarur, në çdo hap, në çdo hap që ndërmerrni.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Edhe një herë, ju falënderoj për nderimin!

 

Jam krenar që jam i lidhur me ju dhe unë jam pa masë optimist për të ardhmen tuaj.

Faleminderit shumë!

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!