PUSHKATIMI I HEROIT

 

Viktimat e ish sistemit e kanë hak një shpagim moral, ku shoqëria, përmes Kuvendit të Kosovës, u thotë më zë të plotë se ata janë burgosur, rrahur e maltretuar, për qëllime fisnike

 

Nga Berat Buzhala Gazeta “EXPRESS”

 

Me 16 shkurt, bëhen 63 vjet qyshkur është pushkatuar Kajtaz Gashi, i biri i Ramadan Shabanit - të cilin populli e kujton si një nga pleqnarët më të besueshëm të asaj kohe, në Llapushë dhe më gjerë.

         Kajtazi është dënuar me pushkatim në procesin famëkeq të Prizrenit, vetë i pesti. Kryeprokuror i këtij ishte Ali Shukria, kurse Kryetar i Trupit Gjykues ishte shkrimtari Hivzi Sylejmani.

Këta djem janë dënuar pse ishin anëtarë të partisë Nacional Demokratike Shqiptare dhe se pas çlirimit nga okupimi fashist kishin insistuar në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në ketë parti, këshilltar ka qenë edhe një anglez, tregon nipi i Kajtaz Gashit, Mustafa.

Por, ngjarja është më e dhimbshme se kaq. Duke qenë familje shumë bujare, gjatë viteve të luftës, në shtëpinë e Kajtazit, disa herë ka ngrënë bukë edhe Fadil Hoxha dhe partizanët tjerë. Kurse, Kajtazi, me armatim dhe veshmbathje, ka ndihmuar shumë luftën e Shaban Polluzhës dhe forcave të tjera çlirimtare. Pra, po flasim për burra të rreshtuar drejt. Kundër nazifashizmit. Kjo u ka kushtuar udhëheqësve të kësaj partie. Ata janë arrestuar dhe pushkatuar. “Në proces e sipër, në burg, babagjyshin e ka vizituar Fadil Hoxha”, tregon nipi i Kajtazit, Mustafa, i cili posedon faksimilin e atij procesi. “I ka thënë: Kajtaz, deklaro që je i pashkollë dhe nuk ke ditë çka po ndodh, e unë do të ndikoj për lirimin tënd”.

 Por, në vend të pendimit, Kajtazi ka zgjedhur pushkatimin. “Jo Fadil, unë nuk kam fytyrë që të kthehem në rrethin tim, e t’u them se po rrina me Serbinë. Ju kena thanë popullit, se kur të kryhet lufta do të bashkohemi me Shqipërinë”, kështu tregon trashëgimtari biologjik i Kajtaz Gashit.

 Thuhet se Fadilit përmes grilave Kajtazi ia ka thënë edhe disa fjalë të tjera. Dhe, epilogu dihet. Bie komunizmi. Serbia djeg Kosovën në të katër anët. Këtu fillon lufta, që fitohet fal aleancës me NATO’n. Vdes Fadil Hoxha, Hero i Popullit, i shpallur s’e di prej kujt. Forcat e TMK’së, trashëgimtare të UÇK’së, i bëjnë nderime Hoxhës te varri.

Tash, unë pyes, pa emocione dhe pa cilësime: Kush është hero, e kush është tradhtar këtu? Nuk pranoj që kjo pikë të ndryshohet. Nëse nuk besoni se ngjarja që përshkrova më lartë është e vërtetë, ju inkurajoj të shkoni në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës, Shkolla Fillore “Kajtaz R. Gashi”, dhe t’i pyesni mësuesit se cili hero e vrau heroin e tyre te shkollës.

E lexova shkrimin/reagimin e Petrit Selimit - “Lehtësia e Papërballueshme e Akuzës”, ku me sulmon mua dhe Ilir Mirenën se po bëhemi prokurorë dhe gjyqtarë në rastin e debatit për periudhën e komunizmit në Kosovë.

 I hapa sytë sa grushti për të parë nëse në ketë shkrim mos rastësisht Petriti ka përmendur bile edhe prokurorët e vërtetë të asaj periudhe kohore. Ata prokurorët katilë dhe vrastarë. Për shembull, Ali Shukrinë e vitit 1945 dhe shefin e tij Fadil Hoxhën. Por, jo. Në asnjë paragraf, Petritit nuk i ka rrëshqitur dora që ta përmendë ndonjë emër dhe mbiemër të asaj periudhe kohore, që mund të ketë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur. Bile, bëhet cinik, në disa raste. Ja ç’thotë: “Tito, si diktator brutal deri në vdekje, shkatërronte rezistencën dhe opozitën politike ku e ka hasur, prej 8000 shqiptarëve në Drenicë, deri tek 20.000 sllovenët dhe kroatët në Bleiburg - prej studentëve të 1968 në Gjilan deri te MASPOK’u kroat”.

Sipas Petritit, ky njeriu i poshtër Tito, i paska vrarë e prerë edhe shqiptarët, por edhe kroatët, edhe sllovenët. Madje, në bazë të këtij citati, paska vrarë pakëz më shumë sllovenë e kroatë. Të gjorët sllavë ç’kanë hequr nga Brozi. Kur i shikon fatkeqësitë e kombeve të tjera, ne kombësia shqiptare u dashka të kënaqemi sa lehtë kaluam.

Kulmi është kur Petriti vajton burgosjen e Ukshin Hotit. Më ketë emër, dëshiron ta shpërlajë gjithë klasën politike të asaj kohe. Por, kush e futi në burg Ukshinin? Ku ishin baballarët tanë funksionarë dhe dinjitarë dhe plot sedër kur Ukshini u arrestua? Protestuan? As mendja nuk u ka shkuar.

Dhe, mandej autori, në shkrim e nxjerr revolen dhe për vdekje i qëllon argumentet e tij. Tregon se si dhe kush e ka shpallur Shqipërinë të pavarur në vitin 1913. Tregon se Ismail Qemajli, protagonisti kryesor i shpalljes, ka qenë punëtor i Perandorisë. Shumë bukur deri këtu. Por, nuk kuptoj ku është poenta e këtij argumenti. Ky shembull do të funksiononte për mrekulli, nëse me 17 shkurt të vitit të kaluar, deklaratën e pavarësisë do ta lexonte, hajde te themi, Azem Vllasi, të cilit stafetën e pavarësisë ia ka dorëzuar në dorë Mahmut Bakalli, e këtij Fadil Hoxha. Por, në lëvizjen tonë deri të pavarësia ka pasur një shkëputje, edhe ideologjike, edhe biologjike. Të tjerë njerëz dhe tjetër mentalitet e bënë shtetin e Kosovës. Sipas Fadil Hoxhës, i bie që shtetin e Kosovës ta ketë bërë “plehu i Kosovës”. Literalisht “plehu i Kosovës”, sepse në krye të institucionit që shpalli pavarësinë ishte i ulur Jakup Krasniqi, të cilin lideri komunist e ka kërcënuar në vitin 1981 me “bira e minit 300 grosh”. Të gjithë ju që mendoni të me reagoni në emrin e Jakup Krasniqit dhe lidhjeve të tij me figurën e diktatorit Enver Hoxha, po ju them të mos harxhoni shumë energji, sepse pajtohem plotësisht me ju. Por, ky rast është i ndarë.

Në asnjë moment, nuk e kuptoj Petritin, pse mundohet ta hedhë një jorgan të madh mbi ketë periudhë të përgjakshme kombëtare, duke i mbuluar me të edhe kriminelët, edhe viktimat. Pse mundohet që për shkak të disa emrave dhe mbiemrave që ai dhe unë i njohim dhe i respektojmë, ta fusë shtatë pashë nën tokë monstruozitetin që ka ndodhur në këto hapësira, duke na etiketuar me emrin e frikshëm të gazetarisë, Skënder Buçpapaj.

 
LOTËT E PIKËLLIMIT

 

Behxhet Shala është Drejtor i KMDLNJ’së. Ka qenë i burgosur në vitet ’80. Pasi ka lexuar debatin për komunizmin në Express, e pat një pyetje. “Këtyre të ish sistemit, a u bie ndërmend që të paktën të kërkojnë falje për arrestimet dhe burgosjet tona”. E unë them, se kështu si ka nisur, po bëhet përpjekje që këta të burgosurit e këtyre viteve të ndjehen të turpëruar për veprat e tyre.

 E di që nipërit dhe mbesat e nomenklaturës komuniste ndonjëherë qeshin me ish të burgosurit politikë. Qeshin me Behxhet Shalën, Berat Luzhën, Hydajet Hysenin, Bajram Kosumin, Ali Lajçin, e plot emra të tjerë të kësaj natyre. Ndonjëherë edhe unë qesh me mënyrën se si ata sillën sot. Ndonjëherë më dukën shumë të ngushtë. Aspak tolerantë. Jo shumë atraktivë. Aspak bashkëkohorë. Por, nuk qesh më të kaluarën e tyre të dhimbshme. Ma do mendja se asnjëri prej tyre nuk ka qenë i varur prej dëshirës për të qenë i burgosur, as i rrahur. Besoj që duhet të përkulemi para sakrificës së tyre. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të përkulemi edhe para sakrificës së Demaçit, edhe, hajde te themi, sakrificës së Fadil Hoxhës e Mahmut Bakalli. Kështu si po shkruajnë gardianët e periudhës së komunizmit, një ditë qëndrimin për gjysmë shekulli të Hoxhës në pushtet do ta interpretojnë si sakrificë të tij për ketë popull.

Unë u pendova pak që në shkrimin tim të parë strukturën komuniste shqiptare të viteve 1945 – 1989, i quajta llaskucë, mjeranë dhe shkruma. Nëse pendimi im ua thanë lotët të pikëlluarve, atëherë po vendos që tash Hoxhën, Shukrinë, Bakallin, Hamzën, Nimanin dhe të tjerët, t’i quaj burra të dinjitetshëm dhe me sedër. Por, edhe nëse lotët shkojnë rrëke-rrëke, nuk e kam ndërmend të heq dorë prej insistimit tim se këta persona mbajnë bashkëpërgjegjësi për krimet që kanë ndodhur 45 vjet me radhë në këto treva. Për ketë e sfidoj edhe Petritin, për shkrimet e të cilit kam jashtëzakonisht respekt, të përqendrohet direkt e në temë.

Nuk po kërkoj dënimin e askujt për veprat e kryera asokohe. Mirëpo, kërkoj një rishikim të historisë. Kërkoj që shkollat dhe rrugët tona të mos kenë në të njëjtën kohë edhe emra të viktimave, edhe të xhelatëve. Kërkoj që viktimat e ish sistemit e kanë hak një shpagim moral, ku shoqëria, përmes Kuvendit të Kosovës, u thotë më zë të plotë se ata janë burgosur, rrahur e maltretuar, për qëllime fisnike. Ata që mendojnë se po kërkoj që historia e Kosovës të shkruhet vetëm pas vitit 1999, e kanë krejtësisht gabim. Mendoj që historia e vendit tim fillon shumë para kësaj kohe. Por, ajo histori nuk ka qenë çdo herë e lavdishme.



P. S.

Kajtaz Gashi është pushkatuar në Taukbashqe, nga skuadrilja rome. Eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë, por besohet që gjenden aty diku, jo larg shtëpisë së Heroit të Titos.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!