U shënua 10 vjetori i Betejës së Tabeve të Llapashticës


LLAPASHTICA, BETEJË E RËNDËSISHME NË HISTORINË E LIRISË


     Në manifestimin për shënimin e kësaj beteje të lavdishme morën pjesë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi,  simboli i rezistencës, Adem Demaçi dhe Rrustem Mustafa-Remi ish-komandant i UÇK-së Zona Operative e Llapit

 

     Shkruan: Milazim KADRIU Gazeta “KOSOVA SOT

 

     Besianë, 24 dhjetor 2008


     Njëra nga betejat e lavdishme të UÇK-së, të ZOLL-it, ishte ajo e Tabeve të Llapashticës, në të cilën tërë Llapi përjetësoi lavdin e Tabeve. Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së, ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24  mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe, që mësyn pozicionet e UÇK-së. Humbjet e serbëve në këtë betejë ishin shumë të mëdha. Gjatë Betejës së Llapashticës, më 24 dhjetor 1998 nga radhët e UÇK-së ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorë : Isa Havolli, Ismet Derguti , Skender Zejnullahu, Miftar Zejnullahu, Lulzim Jashari, Bajram Murati, Avni Selmani , Fatmir Selmani , Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati.

     Në manifestimin kushtuar kësaj ngjarjeje morën pjesë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, Rrustem Mustafa-Remi, ish-komandant i UÇK-së Zona Operative e Llapit dhe shumë ish-ushtar dhe komandant të brigadave të  UÇK-së ZOLL-it.



DËSHMORËT DHANË MË TË SHTRENJTËN


     Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në këtë ditë të lirisë përkujtoi me pietet luftën e armatosur të UÇK-së, të gjithë trimat e Kosovës dhe gjithë vajzat e lirisë që sakrifikuan vetveten për të pas këtë ditë të sotme . “Është nder i veçantë për gjeneratat që rrojnë që ta çojnë në mënyrën më të mirë të mundshme në zhvillim dhe prosperim Kosovën, që është amanet i përbashkët sikur amaneti për lirinë e të gjithë atyre që dhanë jetën e vetë, që dhanë më të shtrenjtën’, tha Sejdiu.


Kryeministri Hashim Thaçi tha se për herë të parë po e shënojmë përvjetorin e parë të betejës së Llapashticës, një betejë prej më të rëndësishmeve në historikun për lirinë, për çlirimin e vendit tonë, për ndërtimin e shtetit tonë. “Po e kremtojmë këtë përvjetor për herë të parë në Kosovën tonë të pavarur, sovrane dhe demokratike. Ky është viti i Pavarësisë, i nxjerrjes së Kushtetutës të Republikës së Kosovës, Kushtetutës së parë të vullnetit të qytetarëve të vendit. Është viti që vulosi historinë e këtij vendi, hapi perspektivë edhe për integrime’, tha Thaçi.



DEMAÇI: PA GJAKUN TONË KOSOVA NUK ÇLIROHEJ


     Simboli i rezistencës, Adem Demaçi, tha se flet në emër të qytetarëve të thjeshtë të Kosovës. “Edhe te ne dhe jashtë e rreth Kosovës po flasin fjalë të ndryshme. Disa po thonë se na çliruan ata, na çliruan këta. Ne i falënderojmë krejt ata zotëri dhe ato shtete që kur e panë se e kemi sosur të vdesim për lirinë tonë, kur u bindën se jemi të gatshëm që të derdhim gjakun tonë, kur e panë se xhelati i Beogradit dhe kasapi i Ballkanit filloi të zhbinte një popull të tërë, nuk qëndruan duarkryq dhe erdhën e na ndihmuan”, tha simboli i rezistencës. Ai tha se pa vendosmërinë tonë, pa luftën tonë, pa gjakun tonë nuk do të mund të merrte frymë lirisht sot Kosova.

      Ndërsa, Rrustem Mustafa-Remi, ish-komandant i UÇK-së ZOLL-it, tha se pikërisht në këtë vend forcat e UÇK-së i kishin dhënë goditje të fuqishme forcave serbe që kishte bërë jehonë në gjithë botën. Kjo luftë e këtyre djemve e kishte bërë ushtrinë serbe të tërhiqej kokulur para të gjithë dëshmitarëve të kohës. Në fund të manifestimit, tek Tabet pjesëmarrësit vendosën kurora lulesh, ndërsa në fshatin Obrançë, në lagjen e Kastratëve, u zbulua Lapidari-Pllaka Përkujtimore për dëshmorët: Miftar e Skënder Zejnullahu, Ismet Dërguti dhe Lulëzim Jashari. Një akademi u mbajt edhe në kinosallën e qytetit.

      Në Betejën e Llapashticës u thye makineria ushtarake e Serbisë, për herë të parë në luftme u thye Ushtria e rregullt e Serbisë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!