EKSKLUZIVE: Flet për “Epokën e Re” Bujar Dugolli

 

AAK-ja NË RREZIK! Blerim Shala s’mund ta forcojë AAK-në

 

         Edhe z. Haradinajt i kam treguar se dy meshkuj dhe një femër janë bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës me vota të manipuluara...me ndihmën edhe të disa zyrtarëve të UNMIK-ut. Unë kam pritur që do të riparohen këto dëme, të ndalet propaganda e ulët ndaj meje dhe disa njerëzve të tjerë të AAK-së. Por çuditërisht janë heshtur, e heshtja të lë të nënkuptosh se ndoshta kjo paska pas ndodhur edhe me dijen e Haradinajt...

 

Nga Burim Etemaj Gazeta “Epokën e Re”

 

Prishtinë, 8 janar – 2009

 

Bujar Dugolli më në fund ka folur. Procesin zgjedhor në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka vlerësuar me notë të dobët.

         “Sipas mendimit tim kritik, mund të them se janë bërë disa përpjekje që të bëhen disa reforma funksionale, por është arritur shumë pak”, është shprehur Dugolli, i cili për herë të parë që nga koha kur me një grup shokësh nga Partia Parlamentare u shkrinë në AAK, nuk është pjesë e kryesisë së saj.

         Dugolli për herë të parë për medie ka folur edhe rreth aderimit në AAK të Blerim Shalës.

“Fillimisht dua ta qartësoj një gjë për opinion. Unë nuk kam asgjë kundër ardhjes së Blerim Shalës, ai është një publicist i mirë, një njeri i ditur në fushën e medieve dhe e çmoj si të tillë, por nuk mendoj se është një politikan i karrierës të cilin do ta kishin për lakmi ta kishin edhe subjektet e tjera politike”, ka theksuar Dugolli, duke shprehur bindjen se Shala nuk do të mund sjellë vota për AAK-në.

Bujar Dugolli ka paralajmëruar haptas se për shkak të politikës aktuale, AAK-ja mund të ndahet.

         “Unë dhe të tjerët, ne që jemi të pakënaqur, do të tentojmë që të funksionojë parimi mbi të cilin është themeluar AAK-ja. E, në rast se nuk funksion ai parim, normalisht se të gjitha strukturat parlamentare (PPK) dhe strukturat e tjera politike do ta rishikojnë pozicionin. Tash a do të ndahem apo do të formojmë parti të re politike, apo do të heshtim, për këtë do të diskutojmë më vonë. Por, si do që të jetë, mendoj se kjo gjendje nuk i sjell fitore AAK-së, dhe është shumë gabim që në këtë kohë të kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë”, është shprehur Dugolli.

Gjatë procesit zgjedhor në AAK ai ka thënë se është keqkuptuar shumëçka, madje edhe sistemi presidencial.

         “Sistemi presidencial nuk do të thotë që një person të bëjë çdo gjë në parti. Nuk duhet kryetari i partisë t’i drejtojë të gjitha institucionet: Kuvendin, Kryesinë, Këshillin Drejtues, sepse nuk është demokratike. Tekefundit as presidenti Bush nuk i udhëheq të gjitha institucionet në SHBA. Prandaj unë mendoj se ky eksperiment që është bërë në AAK duhet të korrigjohet për t’i dhënë shans demokracisë”, ka theksuar ai.

Dugolli ka treguar se disa herë nuk është pajtuar edhe me idetë politike të Ramush Haradinajt, madje as me atë që serbët të joshën me të holla për t’u integruar në shoqërinë kosovare.

         “Nuk integrohen serbët duke i dhënë të holla, duke i dhënë poste, duke i toleruar të bëjnë krime të ndryshme etj., prandaj unë nuk kam dashur që z. Haradinaj të ndjekë një politikë të tillë dhe e kam kundërshtuar”, ka thënë Dugolli.

 

*  *  *

REFORMAT MBETEN NË GJYSMË

 

EPOKA E RE: Z. Dugolli, si e vlerësoni procesin zgjedhor brenda AAK-së që u përmbyll në fund të vitit 2008?

 

Dugolli: Po ky është një proces që është dashur të ndodhë në vitin 2007, por s’është mbajtur për arsye që kanë ndodhur disa ngjarje. Ne, një grup politikanësh brenda AAK-së, kemi punuar për të hartuar një program politik dhe për të bërë disa reforma statutare, të cilat, fatkeqësisht, për mendimin tim, nuk kanë përfunduar siç duhet dhe siç ishte paraparë në fillim.

 

EPOKA E RE: Si i keni paraparë këto reforma në parti?

 

Dugolli: Kemi synuar që të jetë me të vërtetë një reformë politike, funksionale, e cila do të zhvillonte demokracinë e brendshme dhe do ta profilizonte partinë, sepse AAK-ja ende nuk ka profilizim të qartë.

 

EPOKA E RE: Ka ndonjë të arritur gjatë procesit zgjedhor në AAK?

 

Dugolli: Po unë tash nuk jam njeriu më i thirrur që mund të them se çka është arritur e çka jo...

 

EPOKA E RE: Ju mund ta shprehni mendimin tuaj?

 

Dugolli: Sipas mendimit tim kritik, mund të them se janë bërë disa përpjekje që të bëhen disa reforma funksionale, por është arritur shumë pak. Shumëkush reformat në parti i ka parë me kyçjen e njerëzve të ri dhe largimin e atyre të vjetërve, por unë mendoj se reformat kanë kuptim kur një parti politike e profilizon rrugën e vet politike, e qartëson programin politik dhe, normalisht, e modernizon statutin dhe aktet e tjera me qëllim që funksionimi i partisë të jetë më demokratik dhe bashkëkohor.

Fatkeqësisht këto nuk kanë ndodhur.

 

EPOKA E RE: Keni pritur që në AAK do të aderojnë personalitet të tjera përveç publicistit Blerim Shala?

 

Dugolli: Po sipas deklaratave të kryetarit Haradinaj dhe disa të tjerëve, kam menduar se në AAK do të vijnë edhe personalitete të tjera, qoftë nga shoqëria civile qoftë nga partitë e tjera.

 

EPOKA E RE: E dini arsyen pse ndodhi e kundërta?

 

Dugolli: Pse kjo nuk ka ndodhur, përgjigjen duhet ta japin ata që kanë proklamuar kështu në opinion. Unë vetëm mund të them se prurjet në AAK nuk kanë qenë të duhura.

 

EPOKA E RE: Nuk e konsideroni të duhur as marrjen e Blerim Shalës?

 

Dugolli: Fillimisht dua ta qartësoj një gjë për opinion. Unë nuk kam asgjë kundër ardhjes së Blerim Shalës, ai është një publicist i mirë, një njeri i ditur në fushën e medieve dhe e çmoj si të tillë, por nuk mendoj se është një politikan i karrierës të cilin do ta kishin për lakmi ta kishin edhe subjektet e tjera politike.

 

EPOKA E RE: Nuk besoni se Blerim Shala do të ndikojë në forcimin e AAK-së?

 

Dugolli: Blerim Shala në njëfarë mënyre ka qenë në AAK, kurse tash është bërë vetëm “de jyre” pjesë e saj. Unë mendoj se deklarimet, se me ardhjen e Blerim Shalës AAK-ja do të forcohet, nuk qëndrojnë.

 

NUK BESOJ SE BLERIM SHALA DO TË MUND TË SJELLË VOTA PËR AAK-NË

 

EPOKA E RE: Pse?

 

Dugolli: Blerim Shala është vetëm një individ, ai nuk ka ardhur në AAK me ndonjë grup të caktuar që mund ta forcojë AAK-në. Është një person që nuk duhet mohuar roli i tij, por nuk besoj se do të sjellë vota për AAK-në. Ndoshta do të mundohet të bëjë punë profesionale dhe politike për ta modernizuar veprimtarinë politike të AAK-së, por edhe në këtë fushë do ta ketë të vështirë, sepse unë jam njeri që e di se si funksion dhe çfarë qasje politike ka lidershipi i partisë.

Po ashtu, dua të them se ky subjekt politik këtë sukses që e ka arritur deri tash e ka ngaqë ka punuar i bashkuar.

 

EPOKA E RE: Dmth, sukseset ia atribuoni grupit e jo individëve brenda AKK-së?

 

Dugolli: Absolutisht. Kjo vërtetohet shumë lehtë nëse shikohet edhe lista e votave të zgjedhjeve të fundit nacionale. Dhe që të kemi përsëri suksese AAK-ja duhet të ofrojë njerëz që përputhen me konceptin e saj politik, dhe që kanë ndikim dhe imazh pozitiv në popull...e jo të ofrojë njerëz veç sa për të thënë: ja, kemi edhe ne disa të rinj.

 

EPOKA E RE: Mund të themi se brenda AAK-së është krijuar një “mish-mash”?

 

Dugolli: Fatkeqësisht për momentin po. Më herët e kemi pas sado-kudo një vijë të qartë politike, kurse tash është përzier shumë dhe kjo përzierje nuk beson se nxjerr diçka të mirë për AAK-në. Sepse në rast se kemi njerëz që vijnë në parti për një interes të caktuar, për ta marrë një pozicion të nënkryetarit apo anëtarit të kryesisë, mendoj se ky koncept nuk e zhvillon AAK-në. Njerëzit labilë qysh hyjnë edhe mund të dalin nga partia. Kjo formë e ka dëmtuar dhe do ta dëmtojë edhe më shumë strukturën e AAK-së. Te ne në parti sikur është krijuar një lloj përshtypje se çdokush mund të vijë edhe të bëhet kryeministër, nënkryetar apo anëtar kryesie, pa e derdhur asnjë pikë djerse për AAK-në, e cila në këtë proces të fundit zgjedhor ka ndodhur.

 

EPOKA E RE: Ndërsa të largohet një pjesë e politikanëve të hershëm që vijnë nga ish-Partia Parlamentare e Kosovës?

 

Dugolli: Tash për momentin ka veprime të tilla. Po tentohet që veprimtarët që e kanë themeluar AAK-në të lihen anash dhe të afrohen njerëz të “rinj” që nuk kanë asgjë të përbashkët me konceptin politik të themelimit të partisë, sepse mund të ndodhë që dikush ndoshta tenton ta ndërrojë ndoshta edhe atë koncept të tërin. Por, si do që të jetë, mendoj se këto veprime janë duke e dëmtuar AAK-në. AAK-ja gjendet në opozitë dhe të gjitha forcat e veta duhet t’i futë në veprim. Pse jo të marrë edhe njerëz të ri, unë nuk jam kundër kësaj ideje, por nuk jemi në atë fazën që të ndërrojmë ekipe kur ende jemi jashtë loje dhe aq më keq t’i ndërrojmë lojtarët apo të ofrojmë lojtarë që kanë dështuar në ekipet e veta.

 

RAMUSHI E DI...

 

EPOKA E RE: Z. Dugolli, për shumëkënd ka qenë befasi mospërfshirja juaj në Kryesinë e AAK-së?

 

Dugolli: Ndoshta edhe për mua ka qenë. Në rast se janë menduar reformat kështu nga kryetari i partisë apo kushdo tjetër, që ta sjellë Blerim Shalën dhe ta largojë nga strukturat drejtuese një themelues të partisë siç jam unë, mendoj se është gabim që do t’i kushtojë në radhë të parë vetë AAK-së më shumë sesa mua. Bile shumëkush më ka thënë: “Bujar, ata të kanë bërë një shërbim të mirë që nuk të kanë caktuar anëtar të kryesisë së partisë”.

 

EPOKA E RE: Dhe mendoni se vërtet ky është një shërbim i mirë ndaj jush?

 

Dugolli: Po, sepse duke e marrë parasysh se kush është për momentin në kryesi, nuk po i përfshij të gjithë, natyrisht se ka edhe njerëz të mirë aty, por ka edhe të atillë që nuk e meritojnë të jenë anëtarë të kryesisë as të degëve të AAK-së, e lëre më të jenë pjesë të Kryesisë së AAK-së. Thjesht, të qenit afër tyre nuk të bën nder. Kështu që, si do që të jetë, mendoj se kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, në rast se dëshiron me të vërtetë ta forcojë AAK-në, duhet të veprojë ndryshe nga si është duke vepruar. Rezultati në zgjedhjet e fundit është arritur falë punës së përbashkët, sepse dihet se Ramush Haradinaj ka qenë në Hagë, prandaj ne i kemi arritur ato rezultate, kuptohet, edhe me imazhin e Haradinajt, por tash nuk duhet të nënçmohet puna e askujt në AAK, po në rast se ndodh e kundërta, dështimi është i sigurt.

 

EPOKA E RE: Megjithatë puna juaj sikur është nënçmuar, për faktin se nuk jeni më pjesë e Kryesisë së AAK-së?

 

Dugolli: E gjithë opinioni e di se është zhvilluar një propagandë e fëlliqtë jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj disa themeluesve të AAK-së, vetëm pse e kemi një bagazh tonin politik, pse e kemi një koncept tonin politik.

 

EPOKA E RE: E keni fjalën për njerëzit që vijnë nga ish-Partia Parlamentare e Kosovës?

 

Dugolli: Po kjo propagandë është bërë edhe ndaj meje, edhe ndaj z. Bajram Kosumi edhe ndaj disa të tjerëve që në njëfarë mënyre janë themelues të AAK-së.

Të bëhet një propagandë e tillë, mendoj se nuk është fer. Të them të drejtën unë i kam pritur kritikat nga partia që tash është në pushtet (PDK), sepse ka qenë në opozitë dhe e ka pasur atë detyrë, por nuk kam pritur që shpifjet dhe propaganda e nivelit më të ulët të më vijnë nga disa njerëz të AAK-së dhe, fatkeqësisht, sot kryetari i partisë i ka graduar pikërisht të njëjtit njerëz.

 

EPOKA E RE: Keni diskutuar ndonjëherë me z. Haradinaj për këto probleme?        

 

Dugolli: Unë i kam bërë me dije edhe nëpër mbledhje të Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së AAK-së deformimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës. Edhe z. Haradinaj i kam treguar se dy meshkuj dhe një femër janë bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës me vota të manipuluara...me ndihmën edhe të disa zyrtarëve të UNMIK-ut. Unë kam prit që do të riparohen këto dëme, do të ndalet propaganda e ulët ndaj meje dhe disa njerëzve të tjerë të AAK-së, por çuditërisht janë heshtur e heshtja të lë të nënkuptosh se ndoshta kjo paska pas ndodhur edhe me dijen e Haradinajt...

 

NË AAK PO TENTOHET TË SHTYPET MENDIMI I LIRË

 

EPOKA E RE: Në rast se z. Haradinaj nuk i riparon gabimet për të cilat flisni, si do të veproni?

 

Dugolli: Jo vetëm unë, por edhe disa themelues dhe shumë anëtarë të tjerë jemi duke menduar shumë seriozisht çfarë të bëjmë. Nuk dëshiroj që fjalët e fundit t’i them tani.

 

EPOKA E RE: Përveç jush, brenda AAK-së ka dhe të tjerë të pakënaqur?

 

Dugolli: Po, ka shumë, por një pjesë nuk po ka guxim të flasë, një pjesë po pret momente të tjera ndoshta më të përshtatshme.

 

EPOKA E RE: Çfarë guximi duhet të ketë një politikan që ta flasë të vërtetën për AAK-në?

 

Dugolli: Duhet të ketë guxim intelektual, politik për t’i kundërshtuar veprimet që nuk janë të drejta, pavarësisht se a i pëlqen dikujt a jo. Ne jetojmë në pluralizëm dhe në sistem demokratik, prandaj duhet të flasim dhe të hapim debate për funksionimin e partive politike. Kështu që, mendoj se i kontribuojmë zhvillimit të demokracisë në vendin tonë.

 

EPOKA E RE: Në këtë gjendje ka ardhur AAK-ja saqë njerëzit nuk guxojnë t’i shprehin mendimet e lira?

 

Dugolli: Po shkohet në atë drejtim, që të shtypet mendimi i lirë. Unë kam pasur disa raste kur kam shprehur mendim ndryshe në parti, siç e kam shprehur mendimin ndryshe edhe gjatë procesit negociator për statusin politik të Kosovës në parti dhe në Qeverinë e Kosovës atëkohë. Po ashtu edhe tash po e shprehi mendimin ndryshe në lidhje me procesin zgjedhor në AAK. Nuk ka qenë e drejtë mënyra e delegimit të delegatëve në raport me degë. P.sh dega që e përfaqësoj unë i ka dërguar katër delegatë në Kuvend Zgjedhor të AAK-së, ndërsa Dega e AAK-së në Gjakovë 40, Dega e AAK-së në Pejë 40, Dega e AAK-së në Deçan 35, Dega e AAK-së në Gjilan 8. Pra, dmth këtu nuk ka përfaqësim të drejtë në mes degëve të AAK-së, prandaj nuk ka as zgjedhje demokratike. Dhe unë e kam kundërshtuar këtë përfaqësim sepse kemi të bëjmë me struktura të partisë e jo qeveritare lokale nëpër komuna.

Fitimi i zgjedhjeve nga AAK-ja në Pejë, Gjakovë e Deçan është një ndodhi shumë e mirë, por nuk do të thotë tash se më shumë se gjysma e strukturave të partisë duhet të jenë nga këto komuna, sepse partia nuk mund të ndërtohet mbi baza regjionale. Thjesht gjatë procesit zgjedhor në AAK është keqkuptuar shumëçka.

 

EPOKA E RE: Është keqkuptuar edhe sistemi presidencial?

 

Dugolli: Po. Sistemi presidencial nuk do të thotë që një person të bëjë çdo gjë në parti. Nuk duhet kryetari i partisë t’i drejtojë të gjitha institucionet, Kuvendin, Kryesinë, Këshillin Drejtues, sepse kjo nuk është aspak demokratike. Tekefundit as presidenti Bush nuk i udhëheq të gjitha institucionet në SHBA. Prandaj unë mendoj se ky eksperiment që është bërë në AAK duhet të korrigjohet për t’i dhënë shans demokracisë. Ky sistem i tanishëm nuk është sistem presidencial i vërtetë.

 

Haradinajn e kam kundërshtuar për idenë që serbët të integrohen me të holla

 

EPOKA E RE: Po çfarë nëse nuk korrigjohen?

 

Dugolli: Unë dhe të tjerët që jemi të pakënaqur do të tentojmë që të funksionojë parimi mbi të cilin është themeluar AAK-ja, në rast se nuk funksion ai parim, normalisht se të gjitha strukturat parlamentare dhe strukturat e tjera politike do ta rishikojnë pozicionin e vet.

 

EPOKA E RE: Do të ndaheni nga AAK-ja?

 

Dugolli: Tash a do të ndahemi, apo do të formojmë parti të re politike, apo do të heshtim, për këtë do të diskutojmë më vonë. Por, si do që të jetë, mendoj se kjo gjendje nuk i sjell fitore AAK-së dhe është shumë gabim që në këtë kohë të kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.

 

EPOKA E RE: Nuk besoni sikurse kryetari Haradinaj e disa të tjerë se për AAK-në në këtë kohë do të votonin mbi 20 për qind të qytetarëve?

 

Dugolli: Kisha pasur dëshirë, por nuk ka zhvillime të tilla, që partitë në Kosovë të rriten 100 për qind brenda një viti. Kjo nuk ka ndodhur me asnjë parti politike në vend. Nëse e shikojmë politikën e AAK-së në opozitë, shohim se pak dallon nga ajo e qeverisë.

AAK-ja ka dështuar për të krijuar një bllok opozitar në Kosovë.

Opozitë e vërtetë në Kosovë me plot kuptimin e fjalës është vetëm Lëvizja Vetëvendosje! Derisa AAK nuk tregon se është opozitë e vërtetë dhe në aspekte politike, duke mos mbetur peng i marrëveshjeve që nuk po zbatohen, nuk mund ta rritë fuqinë e vet politike e as elektoratin.

 

EPOKA E RE: Z. Dugolli, kemi dëgjuar se e keni kundërshtuar z. Haradinaj edhe për disa ide të tjera politike?

 

Dugolli: Po normalisht që e kam kundërshtuar z. Haradinaj kur kam menduar se nuk e ka mirë. Dhe mendoj se është në të mirë të partisë ta kundërshtojë liderin partiak kur ai nuk e ka mirë. Unë jo vetëm një herë, por në disa raste e kam kundërshtuar z. Haradinaj, dhe ndoshta dikush nga partizanët e AAK-së këtë kundërshtim e ka kuptuar se gjoja unë nuk po e dua z. Haradinaj, që është e kundërta. Bashkëpunëtorët e mirë nuk ia bëjnë rrafsh liderit kur ai nuk e ka mirë, por mundohen t’i ndihmojnë.

 

EPOKA E RE: Rreth cilave ide politike e keni kundërshtuar z. Haradinaj?

 

Dugolli: Kundërshtimi i fundit ka qenë rreth idesë për t’i integruar pakicat me anë të hollave. Këtu e kam këshilluar z. Haradinaj që mos ta përdorë këtë ide sepse është gabim. Nuk është nevoja që të ndiqet rruga e UNMIK-ut dhe të privilegjohet askush nga minoritet në Kosovë, e as ai serb. Nuk integrohen serbët duke u dhënë të holla, duke u dhënë poste, duke i toleruar të bëjnë krime të ndryshme etj., prandaj unë nuk kam dashur që z. Haradinaj të ndjekë një politikë të tillë dhe e kam kundërshtuar.

 

EPOKA E RE: Z. Dugolli, mos ju është mbushur mendja të bëheni pjesë e PDK-së apo e ndonjë partie tjetër politike?

 

Dugolli: Unë kam miq të mirë në PDK. Që nga koha që kam qenë pjesë e Qeverisë së Përkohshme kam ruajtur raporte të mira, por për momentin as nuk mu ka mbushur mendja e as nuk kam ndonjë ofertë nga PDK-ja. Unë për momentin jam anëtar i AAK-së dhe do të pres dhe një kohë se si do të rrjedhin gjërat në parti. Nuk do të marr veprim individual, sepse është një grup i caktuar brenda partisë që nuk është i kënaqur me rrjedhat politike.

 

EPOKA E RE: Dmth, në rast se largoheni nga AAK-ja, këtë do të bëni me shokë?

 

Dugolli: Normalisht se të gjithë ata shokë që kanë ardhur me mua dhe me disa miq të mi, në rast se do të largohemi, do të largohemi të gjithë nga AAK-ja. Prapë po them se për veprime të tilla është herët të flitet. Edhe unë e z. Kosumi dëshirojmë që edhe për një kohë t’i japim shans dialogut për ta tejkaluar këtë gjendje. Por, në rast se do të ndodhë e kundërta, atëherë nuk përjashtohet asnjë opsion.

 

 

Citat

 

PËR STRUKTURAT E AAK-SË NË DRENICË VENDOSI UNË ME BASHKËPUNËTORËT E MI

 

EPOKA E RE: Cila është e vërteta rreth Degës së AAK-së në Drenas?

 

Dugolli: Kam punuar shumë me bashkëpunëtorët e mi që të kam një strukturë të fuqishme të AAK-së në Drenas. Shumë bashkëpunëtorë të mi atje janë të pakënaqur me zhvillimet në AAK, siç jam edhe unë, dhe se a do të ketë struktura të AAK-së në Drenicë a jo, kjo varet nga ne dhe nga zhvillimet e mëtutjeshme.

Për këtë do të flasim herëve të tjera, sepse, konsideroj se, është temë e veçantë, por po e bëj të qartë se për atë degë do të vendosim më vonë unë dhe bashkëpunëtorët e mi atje.

 

 

citat

 

 

BLERIM SHALA NUK PËRGJIGJET!

 

Pasi që gjatë intervistës në pjesën e parë të botuar në numrin e kaluar të gazetës Bujar Dugolli e ka përmendur disa herë z. Blerim Shala, gazeta ka bërë përpjekje që të bisedojë me të për t’ia dhënë rastin për kundërpërgjigje, por z. Shala, sapo e ka kuptuar se është duke biseduar me një gazetar të “Epokës së Re”, e ka ndërprerë lidhjen telefonike. I njëjti gazetar nëpërmjet telefonit i ka dërguar mesazh (sms) z. Shala, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ai.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!