"DANJOLLËT JAN GJALLË"

 

Botuar në Revistën "REPUBLIKA" nr 2 në Lubjanë në vitin 1990 dhe ribotuar edhe në librin "Kosova meine Beschtimmung" (Kosova përcaktimi im) të botuar nga shoqata ACAT e Zvicrës dhe e Gjermanisë- botuar ne Bernë shtator 1999

 

Shkruan: Shefqet Cakiqi – Llapashtica

 

Këto ditë sa u reprizua drama "Vdekja më vjen prej syve të tillë " e Rexhep Qosjes e interpretuar nga Teatri Popullor i Prishtinës dhe e shfaqur para publikut artdashës, jo vetëm në Kosovë dhe Lubjanë po edhe nëpër disa qytete të Zvicrës, se ç`më ngjalli kujtime dhe asociacione të shumta dhe më shtyri të i shkruaj këta rreshta. Si tetëmbdhjet vjeçar kam pasur fatkeqësinë të përjetoj "ekstazën" e të burgosurit për "mëkate të mendimit" dhe të shprehjes së tij. Para më shumë se një vit pata rastin të shikoj premierën e kësaj drame. Pas shfaqjes u ndala dhe bisedova me aktorët: Avdushin (Hasanin) dhe Skenderin (Tafajn) të cilët luanin rolet kryesore. Pyetjen e parë që ma bënë ishte : "A i ngjau Danjolli ynë Danjollëve që merreshin me ju?" - Po ju thash - edhe shumë madje. Por ju sot sikur e varrosët Danjollin. Ju kisha bërë një korrigjim të karakterit regjisorial, nëse më lejohet. Danjollin ju kisha propozuar që në reprizat tuaja mos ta varrosni, të mbetet në skenë, se Danjollët janë ende gjallë dhe mjaft aktivë : natë e ditë vërtiten poshtë e lart. Unë po i shoh po i njoh dhe po i ndiej. (Danjolli një personazh i dramës "Vdekja më vjen prej syve të tillë" e Rexhep Qosjes që personifikon hetuesin e policisë komuniste serbe) -Po, po - më than - por sonte e kishim premierën dhe druanim se do të na e ndalonin shfaqjen.

 

Vërtet në reprizat tjera kudo që e pashë dramën, Danjollin e lan në skenë, aty vërtitej dhe vërtitej, ashtu si në përditshmërinë tonë.

 

E derisa shkrimtarët tanë të ulen dhe të shkruajnë romane e drama tjera për Danjollët e kësaj përditshmërie, unë s `munda të presë, s `munda të rri pa shkruar për Danjollët e gjallë me emër dhe mbiemër, për këta të skenës së jetës sonë. Nuk dua që gjithë ato përjetime t `i mbaj vetëm për vete. Le ta dinë të gjithë për "njerëzit" që punonin dhe punojnë në Policin politike që quhej Sigurimi Shtetëror (UDB). Veprime të cilat unë deri atëherë nuk kisha pas rast as të i shoh në filma e për të cilat ashtu zhveshur nuk kisha pasur rast as edhe të lexoj ! Pata "fatin" të njihem edhe personalisht me ta (Danjollët) ashtu si edhe shokët nëpër burgjet e Prishtinës, Mitrovicës, Gjilanit, Pejës, Prizrenit etj. Ata që kanë kaluar dhe përjetuar "ekstazën" e të burgosurve politik e dinë se vuajtjet dhe përjetimet më tragjike për ne ishin kur shihnim tjetrin duke vuajtur, kur dëgjonim britmat e shokëve në zyrat fqinje të hetimeve, kur përpiqeshim t`ua shëronim plagët dhe t `ua shuajmë dhembjet shokëve në dhomat e burgut me faculeta të lagura ! Këtu do të sjellim pak nga krejt ajo ç`kam parë e përjetuar dhe ç`kam dëgjuar kryesisht gjatë kohës sa isha në burgun e Gjilanit, jo se Danjollët me të cilët kisha "punë" gjatë hetuesisë në Prishtinë si : Jakup Hoti, Ujup Kamerolli, Qazim Llalloshi, Lorenc Selmani, Ahmet Delia, njëfarë Bashkimi, njëfarë Xhaferi etj. nuk ishin më të mirë se ata në Gjilan, por vuajtjet personale nuk më duken as të përafërta sa ato që pash te shokët në dhomën nr. 17 në burgun e Gjilanit. (Një pjesë e “punëtorëve” të Sigurimit Shtetëror gjatë marrjes në pyetje nuk tregonin identitetin e tyre, prezantoheshin me emra të rrejshëm)

 

         Shpesh herë kur më kujtohen, mushkëritë më mbesin pa oksigjen, marr frymë thellë dhe mendoj: po e gjithë ajo meriton hakmarrje. Por cila është ajo hakmarrje ? E para t `i bëjmë të njohur botërisht me emër dhe mbiemër, ashtu që t`i bëhet e ditur rrethit se në mesin tonë kemi të atillë (mos të i quaj njerëz) që turpërojnë gjininë njerëzore. (Sikur gomarët të i kuptonin dhe të dinin për veprime të tilla do ta përqeshnin gjininë njerëzore).

 

Ishte pranvera e vitit 1983. Isha në "banesën" e dhunshme dhomën numër 17. në burgun e Gjilanit. Dhoma është në bodrumin e burgut. Përballë dritares të veshur me grila të dyfishta dhe të mbyllur pothuajse krejtësisht me llamarinën është shëtitorja e Burgut. Ajrin që do të vinte nga ajo hapësirë, bashkë me diellin na e bllokonte ajo llamarinë e metaltë. Më tutje, afër murit të lartë të shëtitores është ndërtesa e UDB-së. "Komanir" Zijadini ato ditë ishte më i mobilizuar, ashtu si edhe "drugarët" tjerë. (Rojet e burgut nuk na lejonin të ju drejtohemi shqip gardian, jo thoshin, ne jemi Komanira).

Ndërtesa e UDB-së ishte përplot e mbushur me të arrestuar për bindje dhe veprime politike. Bëheshin përgatitjet e qelijave dhe dhomave ku do të i vendosnin. Momqilla i Kolloleqit, Millutin Arsiqi i Gjilanit dhe Selim Brosha tash kishin shumë "punë". Një pasdite, pas shumë britmash dëgjuam dy "jo, jo" - ja të thekshme dhe fill pas tyre krismën e xhamave të dritares dhe përplasjen edhe më të zhurmshme nga rënia prej katit të dytë. Pas një kohe mësuam se Sali Malën një të burgosur për veprimtari politike e kishin gjuajtur nga dritarja e zyrës së hetuesisë, por për fat kishte rënë në mbulojën e veturës së parkuar dhe kishte shpëtuar nga më e keqja, megjithëse kishte pasur thyerje dhe plagë të rënda. Ne të burgosurit aty për aty reaguam në mënyrën tonë të mundshme; me grevë urie. "Komanirat" dhe inspektorët na thoshin se vet ka kcyer nga dritarja. Çfarë ironie : ai vet paska ardhur prej Hogoshtit fshatit të tij, dhe s`paska gjetur vend për të u mbytur, por paska zgjedhur zyrën e Momqillës për të u vetmbytur !!! Dhe krejt kjo në regji të Selim Broshës dhe Ali Vllasit zyrtar të UDB-së. Edhe sot ata (Selimi, Momqilla e Alia ) sillen nëpër Gjilan e Kamenicë, përshëndeten me njerëz, u thonë "mirëdita", "tungjatjeta", buzëqeshin e rrinë me mendjen se gjithë ajo çka kanë bërë dhe bëjnë është harruar dhe e panjohur. Por o gjilanas, o kamenicas ! pa shikoni pak më gjatë në sy këta Danjoll dhe pa vështirësi do të vëreni se në sytë e tyre të turbullt fshihet ndërgjegjja e ndotur e tyre. Nuk e di a i zë sot gjumi, çfarë gjumi bëjnë ?!

Nga dhoma jonë filluan ta marrin në pyetje Sabri Sherifin nga Petroci i Kamenicës, punëtor i Fabrikës së Baterive në Gjilan. Sabriu kishte kaluar njëherë nëpër hetime, i ishte ngritur aktakuza dhe ishte dënuar me dy vjet burg të rëndë me neni 133 "për propagandë armiqësore" meqë paska shkruar një artikull politik dhe e paska shpërnda. Tash ndaj tij u hapën përsëri hetimet, përsëri nga e para. Jurispodenca e Gjilanit, jurispodenca e jugosllave është tamam si ligji i xhunglës. Kur do të dënon kur do të kthen prapë në hetime e të ri dënon varësisht prej tekeve të Selim Broshës dhe rojeve të tij të natës në sezonet e tyre të gjuetisë së "kundërrevolucionarëve".

Torturat filluan, apo më mirë të shprehem ato rifilluan. Çdo ditë e merrnin në pyetje, e mbanin deri vonë. Kur e kthenin në dhomë gardianët e mbanin për krahu. Këmbët ju ajën, duart, po ashtu dikur edhe koka !!! Trupi filloi t `i nxihej çdo ditë e më tepër nga gjakderdhjet e brendshme nën lëkurë ! Ne të burgosurit tjerë për çdo ditë deri sa gardianët e kthenin Sabriun, silleshim nëpër dhomë si të çmendur. Kur e kthenin dhe na e gjuanin në dhomë e shtrinim në dyshek i përgatitnim faculetat e lagura, peshqirët po edhe çorapët e leshta të lagura që të ia zbusnim dhembjet dhe plagët në kokë, këmbë e trup.

 Nganjëherë e pyesnim : "Sabri cili kësaj radhe ? " ai ngadalë i shqiptonte emrat e Ramadan Sermaxhës, Millutin Arsiqit, Momqillës, Daut Morinës, Sinan Rexhepit ..... Njëherë pasi e kishin sjellë pothuajse të dërmuar dhe pasi ia dhamë ndihmën tonë të përditshme na tregoi se gjatë kohës sa të tjerët e kanë rrahur Sinan Rexhepi i binte çiftelisë. Naim Salihu, atëherë më u drejtua dhe më tha :"Mbaj mend Shefqet se duhet t `ju tregojmë njerëzve se çfarë bishash mban kjo tokë, çka bëhet këtu me njerëz të pambrojtur dhe të lidhur në pranga."(Naim Salihu i dënuar për veprimtri politike me 6. vite burg. Sot refugjat politik në St. Galen të Zvicrës).

 Të gjitha vetmit ishin të mbushura me të rinj të arrestuar për shkak të bindjeve dhe veprimeve politike për pavarësinë e Kosovës. Mundoheshim të mbanim lidhje mes dhomave të burgut. Këto lidhje i mbanim me shumë vështërsi dhe rreziqe. Rrinim zgjuar deri vonë natën dhe përmes dritareve të mundë të merrnim vesh, të informoheshim se kush në cilën dhomë ishte dhe mundësisht diçka edhe të ju ndihmonim. Por aq sa rrinim ne zgjuar rrinin zgjuar edhe "kumanirat" Zijadini, Ahmeti i Zi dhe me besnikëri i zbatonin urdhrat e "drugarit" të tyre "komanir" Tasiqit të Shillovës. Të strukur korridoreve dhe qosheve të shëtitoreve përgjonin. Një informatë dhe koordinim i deklaratave të burgosurve të rinj mes veti kushtonte me vite burg ose shpëtim i ndonjë lidhje dhe njeriu të mos dekonspirohej dhe dënohej.

Nga dhoma 13. na erdhi një porosi për ta përcjellë në dhomën numër 11. Porosia ishte " I thuani Sadriut se ka rrjedhë dhe është zbuluar fakti se i ka marrë 15. numra të revistës "Zëri i Kosovës" dhe se ka përpiluar një artikull politik, trakt, dhe e ka shumëzuar në 50. kopje ". E njoftojmë dhomën 11. që ishte përmbi dhomën tonë. Me tre të rëna në tavan nga ana e dritares ishte shenja që ta lëshonin një pe të hollë ku e lidhnim letrën dhe e jepnim informatën. Në atë dhomë këtë punë e kryente Muhamet Ymeri (i burgosur për veprimtari politike me 3. 5 vjet burg të rëndë, sot refugjat politik në St . Galen të Zvicrës ), Profesor Zenun Gjocaj, Sali Biçkaj (i burgosur për veprimtari politike me 6. vjet burg të rëndë, sot refugjat politikë në Basel të Zvicrës) etj.

 Në shikim të parë gjëra shumë të thjeshta. Njeriu i painformuar do të thoshte : "Po çka ka të keqe dhe të dënueshme këtu ? Çka kanë poseduar, çfarë faktesh ka pasur UDB-ja për të arrestuar të rinj shqiptar ? Disa fletushka, ndonjë artikull politik ku viktima shpreh bindjet e tij politike.... a është ky far mëkati ?!! Por për Millutin Arsiqin, Momqillën e Kllokoqit dhe Selim Broshën këto ishin elemente të bollshme për të ju dhënë shkas që të shfryjnë epshet e tyre prej sadistësh mbi viktimat e tyre" kundërrevolucionare " ashtu që lista e kundërrevolucionarëve të bëhet sa më e gjatë, adekuat me dëshirën e politikanëve, kreut të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.

Një mbrëmje dera e dhomës u hap me rrapëllimë. "Komanir" Shabia dhe "komanir" Shyqa futën brenda një të ri, që e mbanin për krahu. I riu mbante në duar këpucët dhe mezi qëndronte në këmbë. Gardianët e shtynë nga ne në dhomë dhe po me zhurmë e mbyllën derën duke rrapëlluar çelësat dhe shulin plotësues që mbyllte derën. E ndihmuam dhe e vendosëm në një dyshek. I riu i porsaardhur ishte Sadri Ramabaja, student i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës. Sadriu siç na tregonte më vonë hetues kryesor kishte Millutin Arsiqin me shërbëtorët e tij Ali Vllasin dhe Daut Morinën. Sadriun e kishin hequr nga dhoma 11. ku ishte prof. Zenun Gjocaj me qëllim që në të njëjtën kohë ishte nën hetime edhe Sabri Sherifi dhe deri ta shihnin njëri tjetrin të torturuar do të thyheshin. Por ndodhi e kundërta, ata filluan të i jepnin zemër njëri tjetrit. Millutin Arsiqi kishte thënë "Ky mjaft ka qëndruar në dhomën me profesorin, atje do ta dërgojmë edhe ndonjë tjetër nga hetuesia. Le të shoh profesori se kemi dajak me bollëk për këta që i ka edukuar kështu ai dhe shokët e tij ", tregonte Sadriu plot mllef, duke mbaruar rrëfimin me dhembje : " më vinte keq, veçmas prej profesorit, kur e shihja si shqetësohej pasi na shihte të torturuar kështu." Në dhomën tonë kishim tash dy vetë që ishin nën hetime: Sabri Sherifin (i dënuar për veprimtari politike me 3. vjet burg, sot refugjat politik në Wintenthur të Zvicrës) dhe Sadri Ramabajën (i dënuar për veprimtari politike me 5. vjet burg, refugjat politik në Glarus të Zvicrës, tash është kthyer në vendlindje). Njërin e sillnin dhe tjetrin e merrnin, po nganjëherë i merrnin njëkohësisht që të dy dhe që të dy i torturonin në zyrat njërën pran tjetrës. Sadriu nuk mund të i mbathte këpucët e veta. Ia dhashë të mijat, këpucë ushtrie nr. 44 që edhe mua më binin paksa të mëdha. Edhe ato mezi i mbathte.

Gjatë ditës kishim 10. minuta qëndrim në ajër të pastër, në shëtitoren me shtegun katror të rrethuar me mur të lartë, e që e ndjeja si rreth të Ferrit të Dantes. Shokët e torturuar i mbanim për krahu. Lart në Karakoll me syçeltësi vështronte "komanir" Zijadini. Drejtori i burgut njëfarë Zharku një puro Serb si "rastësisht" kalon aty pari, ndalet na shikon dhe gjoja me habi dhe me ironi të hapur na drejtohet : " Sta vam je momci medjusobno se tucete ; takvi ste vi Albanci." (Çka keni djelmosha, a mes veti po rriheni; të tillë jeni ju shqiptarët). Gjatë kësaj kohe Zijadini i rrinte gatitu dhe sikur donte të i thoshte drejtorit Zhark "Izvolte, na vasem raspolozenje ! " (Urdhëroni në shërbimin tuaj!) Ndihma mjekësore për shokët e torturuar as që vinte në shprehje. Organeve të burgut, UDB-së dhe gjykatës ju dukej e tepërt edhe ndihma modeste e jona me faculta, peshkira ... të lagura që sado pak mundoheshim të ua lehtësonim dhembjet. Bëhej problem i madh kur na e gjenin ndonjë batanije, që batanije ju thënçin, të lagur me të cilën ua mbështillnim pjesët e poshtme të trupit shokëve të torturuar.

Dukej sheshit dhe të gjithë e vërenim se ata ndjenin kënaqësi prej sadistësh kur të shihnin të vetmuar në çeli, shtrirë barkas, duke mos pasur fuqi as edhe lugën për ushqim ta përdorësh, ta ngrehësh deri te goja!! Të gjorët, pritnin t `ju nënshtrohemi, të ju kërkonim mëshirë ! Mirëpo këto dëshira kurrë nuk arritën t `i plotësojnë. Një mbrëmje vonë pas orës 22.oo i morën në pyetje që të dy shokët : Sabriun dhe Sadrun. U trazuam të gjithë. Edhe ashtu gjendja e tyre ishte kritike. Plagët e mara nga grushtet dhe shufrat e gomës kishin filluar të ju hapen dhe të anojnë nga ngjyra e vrugët në ngjyrë të kuqërremët. E dinim se tash dhembjet mundë të ishin fatale. Leckat e lagura këto ditë e fundit kur ua vendosnim nuk mundë të i duronin, e tash kishin përballë 7-8 ujq të etur për mish njeriu, 7-8 bisha të uritur për përjetime të kënaqësive sadiste. Filloi ora e "rojeve të natës". Në qetësinë e natës filluan të dëgjohen zërat dhe rënkimet rrëqethëse. U ngritëm të gjithë dhe filluam t `u biem dyerve dhe grilave të dritares. Veprimi ynë megjithatë ishte i kotë. Torturimi vazhdonte, rënkimet dhe zërat që qitshin shokët nga torturat dëgjoheshin edhe më.

 

"Komanir" Tasiqi erdhi te dera e korridorit dhe me të qeshura histerike në ushtimën e korridorit na u drejtua : " Doci ce i na vas red, jak je Selim Brosha !!!" (Do të vij edhe në ju radha, i fort është Selim Brosha)!!! Dikur pas mesnate i kthyen njërin pas tjetrit, duke i tërhequr zvarrë. Sadriun e kishin alivanosur, po as Sabriu nuk kishte shpëtuar lehtë. Sadriu më pas fillon të këndellet. I japim pak uji; buzët i ishin bërë shkrumb. Dikur fillon të na tregoj: "Kërkojnë pesëmbëdhjetë njerëz të cilëve gjoja ua kam dhënë at 15. ekzemplar të "Zërit të Kosovës". Kërkojnë t`ua them emrat e të zotëve të familjeve ku i kam hedhur traktin, artikull politik të shumëzuar në 50 kopje ; më i kishin marrë edhe disa poezi, kërkojnë t`ua sqaroj domethënien .... edhe pseudonimin letrar "Besniku" e lidhnin me pseudonim ilegal të veprimtarisë politike .... kërkojnë emrin e organizatës ..... partisë .... kërkojnë programin dhe materiale e gjëra të tjera për çka nuk kam kurrfarë lidhje ... kërkojnë "Zërat" ... u thash se i kam djegur bashkë me artikullin e shumëzuar kur kam pasur kontroll në shtëpinë time në Kamenicë ... ato u thash se i kam djegur në banesën time në Prishtinë, pasi veç kisha mësuar për kontrollin në ... Ali Vllasi m `u drejtua : "ti secilën herë e më shumë po më nervozon, ti po mundohesh t`ua humbësh gjurmën edhe fakteve që i dimë, po tash do të këndosh si bilbili", dhe fill pas kësaj u sul me shqelma dhe grushte. Pas tij kush grushta kush shqelma e kush pendreka u vërsulën, Momqilla i Klokoqit ju printe ... pasi më rrëzuan dhe pasi veç e kisha humbur vetëdijen dhe nuk mundë të qëndroja ma hodhën një bakall uji fytyrës, ndërsa erdhi dhe më u afrua edhe më Sinan Rexhepi një vegël qorre serbe, i cili ju drejtua kolegëve të tij me një ton shpotitës : "ngadalë more se me këtë nuk shkohet edhe aq me të shpejt, ky është njeri i kulturës, hej studion Letërsinë shqiptare ". Dhe pas kësaj llomotitje filloi të i recitoj vargjet e Migjenit të parodizuara, të përshtatura ashtu si atij i nevojiteshin në këtë "pauzë" që kishte funksion të torturimit psikik : " Kafshatë që s`kapërdihet është me pas punë me ne / Kafshatë që të mbetet në fyt e të zë trishtimi / Kur ke punë me kësi burra si Ali e Daut trimi." dhe fill pas kësaj më kapi për fyti, më ngriti dhe më uli në karrige. Duart edhe ashtu të palëvizshme më i mbanin kolegët e tij Momqilla dhe Ismeti e ai me elektro shok më prekte në fytyrë, qafë, në duar, nën sqetulla, në këmbë .... Dhembjet ishin të padurueshme, më bëhej se e gjithë fuqia më u tret. Më nuk kam mundur ta kontrolloj veten .... Më falni se kam bërtitur shumë !! Nga kjo arsye ma mbushën gojën me faculeta letre, ma hodhën një batanije përsipër dhe më sillnin me kërbaç !!! Nuk e di sa ka zgjatur kështu...!!!"

 

Pastaj pasoj një "pushim" prej ca ditësh për Sadriun, për të vazhduar njësoj derisa ju ngrit aktakuza. Një ditë tjetër në vazhdim gjatë torturave dhe të rënave të Ramadan Sermaxhajt i kishte dalë nofulla nga vendi. Po sikur nuk u mjaftua me kaq, një ditë ia lënduan edhe veshin e majtë. Pas vuajtjes së burgut e takova në Prishtinë, gati nuk e njoha. Më tregoi se ka pasur probleme edhe pas vuajtjes së dënimit, e kishin marrë vazhdimisht në pyetje dhe më në fund ishte detyruar të shpërngulur me familje nga Petroci i Kamenicës në Prishtinë.

Sadri Ramabaja pas daljes nga burgu iu nënshtrua kontrolleve mjekësore nga të cilat rezulton se i ka të lënduara rëndë dy unaza të boshtit kurrizor si rezultat i dhunës po edhe i kushteve të vështira në burg. Në kontrollimet e më vonshme i është lëshuar edhe kjo diagnozë : Lumbavertebrales sindrom. E për reumën, bronhitisin ... mos të flasim ato janë sëmundje karakteristike për të burgosurit, veçmas për ata politik të cilët burgun e vuanin në tipe të mbyllura të burgjeve, "burgim i rëndë". Edhe pas vuajtjes së burgut Sadriun UDB-ja nuk e lan të qetë dhe nuk e lejuan të përfundonte studimet. Kur sheh se është duke ju kurdisur burgosja atij dhe ca shokëve të tij, pas një gjysmë paralajmërimi, merr rrugën e egzilit.

Më është e vështirë të hyjë në analizën e patologjisë së njerëzve që punonin për UDB-në (policia politike serbe). Për deformimet e tyre e kam vështirë të gjej far nocioni emërues. Nocioni sadizëm më duket nocion i ngushtë. Ky nocion më bëhet se nuk i përfshin të gjitha veprimet dhe simptomat që i paraprijnë shkatërrimit të shpirtit njerëzor, njerëzores. Deformim psikologjik i totalitarizmit obskurantist të Lidhjes së Komunistëve që është manifestuar në mënyrë më ekstreme në UDB-në si ruajtëse dhe zbatuese e politikës së saj ?

Më duhet të potencoi këtu një fiks ide, një opsesion të një viktime të UDB-së me të cilin pata rast të qëndroj në një dhomë në Burgun e Zrenjaninit. Ai vazhdimisht vetëm këtë konstatim e përsëriste : "E tërë gjithësia dhe bota janë krijuar kur në hapësirën e pafund Ujku dëshironte të shqyente Qengjin. Por Zoti nuk mundi ta duronte. Atëherë Zoti urdhëroi dhe që të dy pas pak eksploduan dhe u shpërndan në hapësirën e kozmosit - copë-copë. Nga copat e Qengjit u krijuan : planetet, bota, njerëzit, bimët, shtazët. Ndërsa nga copat e shpërndara të Ujkut u krijuan Lidhja e Komunistëve, eprorët ushtarak, eprorët e Policisë, inspektorët e UDB-së dhe shihe ende ata dëshirojnë të më shqyejnë, të më zhdukin. Më ndjekin edhe kur ëndërroj." Me dhembje shikoja dhe e dëgjoja këtë viktimë të totalitarizmit serb, por realiteti në shumë çka fiks idesë së tij i jepte të drejtë. Vërtet kishim lindur dhe gjendeshim në një hapësirë ku instinktet shtazore janë të përziera dhe të futura në trupa njerëzish. Vështirë e kam të gjej nocion adekuat për këtë tip të njerëzve. Nga e gjithë kjo, nga viktimat e tyre nuk buron ndjenjë e hakmarrjes në të njëjtën mënyrë. Është një fjalë e popullit që thotë: "Qeni kur kafshon njeriun nuk duhet të sjellë njeriun në nivelin e qenit që edhe njeriu ta kafshoj me dhëmbë qenin". Danjollët e gjallë vetëm shikoni gjatë në sy, të gjithë do ta shihni ç`ndërgjegjeje kanë. Ata vet do të fillojnë të rrëfehen, do të fillojnë të pendohen dhe ndoshta do të mundohen ta pastrojnë ndërgjegjen e tyre dhe të i shërbejnë për të mirë gjinisë njerëzore!

 

 

  Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!