HAPNI DOSJET, POROSIT DEMAÇI

 

Nga Nebih Maxhuni & Artan Behrami Gazeta “Express”

 

 

Le të hapen të gjitha dosjet, menjëherë. Atyre që sot janë në pozita vendimmarrëse, sikur të ishin patriotë të vërtetë, ndërsa dihet që kanë bashkëpunuar me okupatorin, nuk duhet t`iu lihet vend sot ku merren vendime. Jugosllavia ishte një prej regjimeve më shtypëse dhe më të egra që kanë përjetuar shqiptarët. Adem Demaçi i bashkohet debatit për komunizmin, në Express.

 

Prishtinë, 9 janar 2009

 Dosjet duhet të hapen qysh sot. Ky është qëndrimi i njeriut që ka vuajtur më së shumti dënim me burg në kohën e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, Adem Demaçit. Aktivisti 73-vjeçar, pas debatit që ka hapur gazeta Express për procesin e lustracionit të periudhës së komunizmit, thotë se mijëra shqiptarë janë vrarë, persekutuar, burgosur e dëbuar nga trojet e tyre me nënshkrimin e Ali Shukriut, Fadil Hoxhës, Kolë Shirokës, Sinan Hasanit dhe pjesës së nomenklaturës udhëheqëse të komunistëve jugosllavë nga Kosova. Për mendimin e Demaçit, Jugosllavia që nga vitet 1945 e deri më 1990, për shqiptarët ka qenë njëra ndër regjimet shtypëse dhe më të egra. Gjithë ata që kishin punuar dhe kontribuuar në mbajtjen e atij regjimi, ai pa ndonjë hezitim i quan kolaboracionistë. Ata persona që kanë qenë të përfshirë në atë regjim, e që sot punojnë në institucionet e Kosovës, thotë se duhet larguar menjëherë nga këto pozita.

Adem Demaçi flet në Express për dosjet, për zyrtarë të lartë në ish-Jugosllavi që tashmë i ka marrë vdekja, por edhe për disa që ende janë gjallë.

 

EXPRESS: A duhet të hapen dosjet e komunizmit?

 

ADEM DEMAÇI: Së pari një gjë duhet ta dini që dosjet janë në Beograd, rastësisht  mund të qëllojnë në Kroaci dhe në Slloveni, ndoshta edhe në Maqedoni. Tashti, meqë Kroacia dhe Sllovenia kanë ndryshuar shumë, mund të ndodhë që të na japin dosjet. Unë jam që të hapen të gjitha dosjet.

 

EXPRESS: Kur duhet të ndodhë kjo?

 

ADEM DEMAÇI: Menjëherë, sepse nuk ka kohë për t`i lënë. Ata njerëz ndoshta edhe kanë ndërruar mendim, mirëpo ata njerëz një dënim duhet ta marrin për atë vasalitet dhe bashkëpunim me okupatorin, e ky do të ishte dënimi më i madh i mundshëm. Dënimet e tjera të natyrave të tjera penale për këto gjëra nuk i shoh të arsyeshme, sepse do të krijohej një situatë e pamundur! Ku të gjenden sot dëshmitarët, njerëzit etj. Kurse, këta që kanë mbetur gjallë, e që sot janë në pozita vendimmarrëse dhe ende përzihen në politikë, e në gjyqësi, sikur të ishin patriotë të vërtetë, ndërsa dihet që kanë bashkëpunuar me okupatorin, këtyre njerëzve nuk duhet t`iu lihet vend ku merren vendime, sidomos aty ku është pushteti dhe ku luhet me fatin e këtij populli.

 

EXPRESS: Jugosllavia ka qenë e dëmshme apo e dobishme për shqiptarët? A ishte okupatore e Kosovës? 

 

ADEM DEMAÇI: Jugosllavia ka qenë një prej regjimeve më shtypësve dhe më të egra që kanë përjetuar shqiptarët.

 

EXPRESS: Si e shpjegoni që sot në Kosovë ka individë të asaj kohe që edhe sot janë në krye të institucioneve të rëndësishme? 

 

ADEM DEMAÇI: (Qeshet). Unë e mbaj mend edhe kohën e Jugosllavisë së kralit, i kam 73 vjet e katër muaj dhe e di çfarë të drejtash kanë pasur serbët. E di sa kanë vuajtur shqiptarët e shkretë, 90 për qind prej tyre. Kështu, prej asaj kohe ata njerëz janë bartur, disa kanë parë pak më larg, disa janë mashtruar nga komunistët, kanë hyrë në regjimin e komunizmit. Shkoi komunizmi, ata iu përshtatën situatës menjëherë. Komunistët e kanë formuar Lidhjen Demokratike të Kosovës - prej komunistëve është krijuar  - urdhri ka ardhur nga Rrahman Morina. 25 a 30 ish-komunistë të Jugosllavisë, që kanë qenë të Lidhjes Komuniste të Kosovës, e kanë formuar LDK-në, veç ia kanë hequr një germë, e nuk është rastësisht që është bërë Lidhje se edhe ajo ka qenë Lidhje, veç ia kanë hequr një germë, K-në e bënë D. Prandaj, edhe na shkoi puna mbrapsht neve. Se, krejt këta njerëz që kanë qenë me Rugovën, kanë qenë anëtarë me nga dhjetëra vjet, dikush i Komitetit, dikush i paraparë të bëhet kryetar i Komitetit, dikush në sigurime... Kështu që këtë e bëri të mundur Serbia, meqenëse u dashke bërë sistemi shumëpartiak. Nuk kishte tjetër mundësi. Këta kanë qenë prokurorë, gjykatës  - të tillët e kanë formuar  LDK-në, për këtë patëm probleme. Sot kjo jargë që po na zgjatet neve hala, ajo jargë po mundohet ta mbajë gjallë rugovizmin, manifestime për Tahir Zemën, një njeri që është marrë me drogë, njeri që ka qenë në KOS-in e Serbisë, një njeri që i ka bërë 100 të zeza, pra, të njëjtit mblidhen dhe mbajnë mbledhje në Teatrin Kombëtar. Duan ta mbajnë  vetveten, atyre s`iu kërcet as për Rugovën, as për Tahirin, po për veten e tyre.

 

EXPRESS: Shumë nga ata njerëz, sot janë pjesë e Kuvendit, Prokurorisë, Policisë, gjykatave...?!

 

ADEM DEMAÇI: Unë them se ata që kanë marrë pjesë në krime konkrete, si p.sh. Hilmi Zhitia, për ta duhet të hapen hetimet. Vetëm një rast t'ua tregoj, për Zhitinë. Ai ka marrë pjesë në përgatitjen e procesit kundër vëllezërve Lahaj nga Podujeva, vetëm që ta komprometojë atë familje patriotike. Më pas edhe e kanë vrarë Bajram Lahun, ndërsa më vonë e kanë montuar një proces se gjoja dhe kanë akuzuar familjen se e kanë vrarë Bajramin. Kanë burgosur me gra e me fëmijë  të asaj familjeje dhe me këtë rast kanë bërë një poshtërsi që nuk mbahet mend në Kosovë. Për njerëz të tillë, duhet të hapen hetimet, sa është gjallë njëri nga ata vëllezërit Lahaj, dhe ata njerëz të marrin një dënim të merituar dhe të tregojnë se kush i ka organizuar, qysh janë organizuar, si ka ndodhur kjo punë, si ka qenë e mundur të bëhet akuza monstruoze se gjoja baba vrau djalin e tyre, një akuzë komprometuese. Falë dëshmitarëve të vërtete,  falë qëndresës së dajës Ramë, ai ka kërkuar ekshumimin e kufomës që të konstatohet se si është vrarë. Kjo punë ka marrë një përfundim tjetër dhe ata janë liruar nga akuza, por kanë hequr shumë dhe njerëz të tillë kanë bërë një frikësim të madh të popullatës së Llapit. Këso rastesh mund të ketë edhe në rajone të tjera. Ata kanë marrë pjesë në gjykime, në Prokurori dhe nganjëherë kam përshtypje se nuk ka pasur mundësi që të na dënojnë kësisoj gjyqtarët tanë, nuk e kanë pasur fjalën e fundit, sepse mbi ta kanë qenë serbët, të cilët prej zyrave i kanë dirigjuar këto punë! Prandaj, sot duhet të pastrohen të gjitha institucionet e Kosovës nga këta njerëz, definitivisht prej të gjitha institucioneve që kanë rëndësi, ata duhet të largohen.

 

EXPRESS: Si duhet t'i trajtojmë këta njerëz, si kolaboracionistë apo si?

 

ADEM DEMAÇI: Po njësoj, sikur ata që kanë bashkëpunuar me Italinë e me Gjermaninë, njësoj duhet trajtuar edhe këta. Dallimi është se këtyre u ka zgjatur 50 vjet, me Turqinë 500 vjet, krejt kolaboracionistë kanë qenë, s`ki çka ju thua tjetër, s`di si ti quaj ndryshe. Vjen okupatori e të hyn në shtëpi, ta merr pushtetin e t`i bëhesh me ta, e e burgos popullin tënd, vëllezërit e tu, gra, fëmijë, s`ka këtu kurrfarë diskutimesh. Edhe pse krejt këto duhet të kuptohen në kontekstin e historisë. A ka qenë e domosdoshme që dikush nga shqiptarët të përzihet në ato punë, mendoj se ka qenë e domosdoshme, sepse është krijuar falë atyre viktimave antifashiste që i kanë dhënë shqiptarët. Nuk është e vërtetë se ne kemi qenë kolaboracionistë me italianë dhe gjermanë, jo, ne e kemi kuptuar me ardhjen e Italisë që ishte një okupim, por ishte okupim shumë më i lehtë se okupimi serb që shqiptarëve nuk u lejonte asnjë të drejtë shkollimi, e as asgjë. Okupim më i lehtë, ngase një pjesë e popullit u mashtrua, nga ajo situatë e vështirë, erdhën në një situatë pak më të mirë, menduam që u bë pavarësia, liria etj, etj. Krejt këta që kanë punuar me këto regjime, kanë qenë kolaboracionistë, prandaj edhe Enveri, me këta që kanë punuar me Rusinë, me Serbinë, me Jugosllavinë, kanë qenë kolaboracionistë. Këtu s`ka kurrfarë dyshimi se çka ishin ata, mirëpo po them në kontekstin historik.

 

EXPRESS: A duhet të dënohen ata që kanë bashkëpunuar me regjimin e Jugosllavisë?

 

ADEM DEMAÇI: Nuk jam për kurrfarë hakmarrjesh, meqë biologjikisht fajtorët kryesorë kanë vdekur, si Ali Shukriu, Kolë Shiroka, disa të tjerë si Sinan Hasani që më shumë ka qenë një qyqan pa vlerë, sesa që ka pasur ndonjë ndikim, edhe pse ishte në poste të larta.

         Ata që është dashur të marrin masa drastike kundër tyre, që të mund të kënaqen, sepse atyre u kanë humbur baba, nëna, vëllau e të tjerë, me nënshkrimin e atyre që kanë vdekur (Ali Shukriu, Fadil Hoxha, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, etj), për ta ajo kohë më nuk kthehet, ata njerëz më nuk ringjallen. Tash problemi qëndron këtu, çfarë ka qenë ky bashkëpunim, natyra e bashkëpunimit, tjetër është bashkëpunimi p.sh. që kanë marrë pjesë në luftë, ndërsa edhe pas lufte kanë pasur pushtet të bëjnë zi e terr, të tërën duhet ta shikojmë nga prizmi i mbikëqyrjes strikte që ka ekzistuar nga ana e Jugosllavisë dhe Serbisë. Krejt ato komitete, organizma që janë marrë me çështje delikate të Sigurisë, të Mbrojtjes, gjërave të tjera shoqërore dhe politike lidhur me Kosovën, janë kryesuar prej Serbisë, janë kontrolluar prej Serbisë. Këta njerëz kanë qenë të regjimit, kanë qenë më shumë njerëz vasalë, por që nuk kanë qenë njerëz që nuk kanë formuar politikën. Kanë hyrë në këtë politikë të parët, një pjesë e tyre kanë besuar në propagandën e komunistëve. Kur të inkuadrohesh, është problem të dalësh.

        

EXPRESS: Megjithëkëtë, një pjesë e kosovarëve kanë besuar në atë ideologji?

 

ADEM DEMAÇI: Janë një pjesë që kanë besuar. Pjesa që ka marrë pjesë në aksionet e luftës antifashiste, u ka besuar se pas luftës do t`i zgjedhim problemet. Po nisem prej asaj që është normale që të besohet. Në vitet 1941-1943, kur është sajuar Jugosllavia politikisht, kur janë ndarë republikat, Kosova nuk është marrë parasysh askund. E kanë kuptuar që krejt ato tregime, përralla, paskan qenë dallavere. Kështu, shqiptarët kanë filluar të vetëdijesohen dhe si reagim ndaj asaj mungese të pjesëmarrjes së Kosovës në krijimin e Jugosllavisë si një entitet në vete, siç bënë të tjerat, si Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia e të tjera, e kemi një konferencë antifashiste, të Bujanit 1943 - 1944. Aty është nxjerrë një rezolutë që e kemi pasur si bazë, ku thuhet se shqiptarët në Kosovë janë përpjekur të bashkohen me Shqipërinë dhe se kanë të drejtë në vetëvendosje. Një rezolutë që ka paralajmëruar se pas mbarimit të luftës shqiptarët do ta kenë të drejtën e vetëvendosjes,  atë që sot po e kërkon Lëvizja Vetëvendosja.

 

EXPRESS: Pse atë kohë shqiptarët nuk e realizuan të drejtën e vetëvendosjes. Ajo ishte e garantuar me Rezolutën e Bujanit?

 

ADEM DEMAÇI: Pasi që u thye Hitleri  më 1943 në Stalingrad, komunistët nuhatën se janë duke fituar luftën dhe do të marrin pushtet. Me këtë ata ndryshuan qëndrimet. Angazhuan Millovan Gjillasin, ndjesë mos pastë, se është treguar shumë i poshtër ndaj shqiptarëve dhe disa të tjerë, ishin urdhëruar që të merren me problemin e Kosovës. Ata i shkruan një letër Komitetit të Kosovës, duke e shpallur të pavlefshme Konferencën e Bujanit, me arsyetimin se ishte mbajtur në territorin e Shqipërisë.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!