Për vite me radhë, “Foleja kombëtare” heshti në dosjet e Arkivit Qendror të Shtetit. Në një fletore të vjetër, Mithat Frashëri hodhi me shkrimin e tij një dramë me fakte të mirëfillta historike. Naim e Sami Frashëri, Gjerasim e Sevasti Qiriazi, Vaso Pasha janë personazhet e tij, ata që luftojnë për gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare. Historiani Luan Malltezi dhe studiuesi Sherif Delvina e kanë nxjerrë nga fletorja dhe e kanë përgatitur për botim. Për herë të parë kjo dramë vjen për lexuesin shqiptar, botuar nga “Onufri”, me parathënie të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Drama ‘Foleja kombëtare’ gjendet në një fletore të vjetër në fondet që disponon Arkivi Qendror i Shtetit për Mithat Frashërin

 

ZBULOHET DRAMA NË DORËSHKRIM E MITHAT FRASHËRIT

 

Shkruan: OLIVERTA LILA Gazeta “SHQIP”

 

Mithat Frashëri ka ende për të thënë. Një dramë e panjohur e tij është zbuluar në dorëshkrim. Ruhej në një fletore të vjetër në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit. Shkruar nga Frashëri në vitet ’30, “Foleja kombëtare” prezantohet për herë të parë te lexuesi shqiptar. Historiani Luan Malltezi dhe studiuesi Sherif Delvina kanë punuar për përgatitjen e saj për botim. Me parathënie të Ismail Kadaresë, kjo dramë vjen për lexuesin nga shtëpia botuese “Onufri”. “Drama ‘Foleja kombëtare’ gjendet në një fletore të vjetër në fondet që disponon Arkivi Qendror i Shtetit për Mithat Frashërin; ajo është e shkruar me dorë dhe mban pseudonimin e njohur të autorit, Lumo Skëndo”, shprehen Malltezi dhe Delvina, të cilët kanë bërë të mundur që ajo të vijë si një libër. Duket se shkrimtari, pinjoll i familjes së Frashëllinjve, ka qenë në mëdyshje për botimin e saj. Ndërsa në parathënie, Kadare thekson se “më tepër se një dramë, është drafti i një drame, një synim, një skicim, një ngrehë paraprake për pjesë teatri, e lënë në kantier, siç u ndodh shpesh njerëzve të letrave. Në fund të fundit, mund të merret si një peng a qortim ndaj dramaturgjisë së kursyer shqiptare, e cila gati dy shekuj pas dramës së parë shqipe, ende s’ka qenë në gjendje të japë një pjesë të madhe teatri, nga ato që skenat e çdo vendi e presin gjithmonë me padurim”. Personazhet e Mithat Frashërit janë realë dhe pjesë e historisë shqiptare. Janë ata që gjatë gjithë këtij viti janë përfolur aq shumë për kontributin e dhënë për gjuhën shqipe. “Drama trajton veprën e madhe patriotike të Gjerasim dhe Sevasti Qiriazit për çeljen e shkollës së parë shqipe të vajzave në Korçë, më 23 tetor 1891. Në dramë marrin pjesë si personazhe edhe rilindësit tanë të mëdhenj, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Vaso Pasha, Jani Vreto”, shprehen përgatitësit për botim.

 

Drama nis në dhomën e pritjes, në shtëpinë e Naim Frashërit. Ai pret miq shqiptarë, ndërsa shërbëtori i shtëpisë, Halili, mezi pret të spiunojë diçka për t’ia thënë Sulltanit të tij. I pari që vjen në skenë është Gjerasim Qiriazi, një personazh rreth të cilit do të vërtitet historia. Autori tregon vendimin për të marrë nga sulltan Abdyl Hamidi II dekretin perandorak (iradenë) për çeljen e shkollës së vajzave, përpjekjet e Sevastisë për ta përhapur sa më shumë gjuhën shqipe, por tregon edhe kërcënimet nga regjimi i egër osman për bastisjen dhe mbylljen e shkollës. Ideali i Sevastisë nuk i shkonte për mbarë as klerit ortodoks; as despotëve grekë, të cilët lëshonin mallkime të frikshme ndaj prindërve, me qëllim që të mos i dërgonin fëmijët në këtë shkollë. Në aktin e parë, Lumo Skëndo përshkruan takimin e Naim Frashërit me Sevasti Qiriazin ditën e përfundimit të shkollës në Kolegjin Amerikan në Stamboll dhe e uron për vendimin e saj të rëndësishëm për të punuar si mësuese e shkollës së parë shqipe të vajzave.

 

Përgatitësit për botim të dramës konstatojnë nga “kujtimet” e Sevasti Qiriazit se një urim i tillë i ishte bërë vërtet asaj nga Naim Frashëri ditën e shënuar të mbarimit të shkollës. “Kjo dhe dëshmi të tjera tregojnë se autori Lumo Skëndo, ka dhënë një vepër me fakte të mirëfillta historike për përpjekjet e mëdha që bënë Gjerasimi dhe Sevasti Qiriazi për të mbajtur të çelur me çdo kusht shkollën e parë shqipe të vajzave”, shprehen ata. Pjesë e kësaj drame janë edhe përfaqësuesit e çetave patriotike të kohës, figura të shquara të historisë sonë kombëtare, si Mihal Grameno dhe Spiro Bellkameni, që gjetën strehë në këtë shkollë kur ndiqeshin nga forcat osmane. Kjo ishte edhe arsyeja, siç thotë në dramë Parashqevi Qiriazi, që shkolla e vajzave në Korçë u pagëzua nga patriotët shqiptarë me emrin “Foleja kombëtare”. Botimi i kësaj drame përkon edhe me vitin kushtuar 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Nxjerrja nga arkivat e këtij dorëshkrimi vjen në një kohë kur pikëpyetje të shumta vihen mbi mitet shqiptare, si për të kujtuar përpjekjet e mëdha të shekujve më parë. Ndoshta atëherë nuk do ishte menduar se Historia Shqiptare nuk do t’i kishte larë deri në ditët e sotme hesapet me personazhet e saj.

 

"FOLEJA KOMBËTARE", FORTESA KU PËRHAPESHIN SHKËNDIJAT KOMBËTARE

 

Shkruan: MIHAL GRAMENO Jamestown, N. Y. 1918

 

Po nuk duhen harruar kurrë shërbimet e mëdha që i ka sjellë çështjes “Foleja kombëtare”, e cila ishte një qendër dhe një fortesë, ku mblidheshin edhe ku përhapeshin ndjenjat e shkëndijat kombëtare. Kjo “fole” ishte shkolla e vajzave në Korçë, e themeluar prej Gjerasim D. Qiriazit, emrin e të cilit, historia e Shqipërisë do ta shkruajë me shkronja të arta, duke u mburrur me veprat dhe me shërbimet e tij të paçmuara që ka sjellë mbi altarin e atdheut!

 

Mjerisht, vdekja e pamëshirshme e rrëmbeu para kohe dhe kështu “Foleja kombëtare” mund të mos i sillte pemët e pastajme po të mos ish përkujdesur Gjerasim Qiriazi të përgatiste dhe të linte trashigimtarë, të cilët të gjurmonin edhe mbushnin programin e qëllimin e tij kaq të lartë dhe kaq të shenjtë!

 

Trashëgimtarët nuk ishin të tjerë, veçse dy vajza, të cilat kishin lindur vetëm për lumturinë dhe për nder të kombit shqiptar, duke u mburrur me emrat e tyre përpara botës së qytetëruar. Po; këto vajza ishin zonjëzat Sevasti Qiriazi (sot zonja Dako) dhe Parashqevi Qiriazi, motrat e të ndjerit (Gjerasim), si dhe vëllai i tij, i ndjeri Gjergj dhe Kristo Dako, të cilët vepronin në Manastir për qëllim kombëtar.

 

Shërbimet e këtyre motrave janë kaq të mëdha sa nuk jemi të zotë që t’i tregojmë, andaj ia lëmë historisë dhe ne do të tregojmë vetëm kujtimet e bukura dhe të paharruara pas lirisë të Turqisë.

 

Cili vallë nga korçarët nuk sjell ndër mend ëmbëlsirat kombëtare të asaj kohë?

 

Cili nuk psherëtit edhe sot në kujtim të atyre mbledhjeve që mbaheshin në “Folenë kombëtare”, ku shtohesh bashkimi, vëllazëria, dashuria, dhe që përhapeshin ndjenjat kombëtare?

 

Në “Folenë kombëtare” drejtuar prej motrave patriote, Sevasti e Parashqevi dhe patriotit të palodhur Grigor Cilka, mbaheshin konferenca të premteve mbrëma, në të cilat merrnin pjesë zonja, burra dhe djem, duke dëgjuar konferencierët, të cilët me oratorin’ e tyre përhapnin arsimin, atdhetarizmën, qytetërimin e forconin bashkimin, vëllazërinë dhe shtonin dashurinë e zellin për punë!

 

E premtja pritej me padurim të madh nga gjindja dhe enkas vinin nga qarqet për të marrë pjesë në mbledhjet e “Folesë kombëtare”, ku shijonin ato më të bukurat e më të ëmblat kujtime kombëtare.

 

Pas konferencave ishin këngët kombëtare, me të cilat entuziazmoheshin të gjithë, se buçiste gjithë qyteti kur përdaheshin djelmoshët e rinj duke kënduar.

 

Me të këtilla vepra, ndjenjat përhapeshin e forcoheshin në lëvizjen kombëtare, e cila dita-ditës përparonte me çape të mëdha, për hir të atdheut e për vdekje të armikut.

 

Dhe në një kohë të shkurtër kaq shpirt pllakosnin për të dëgjuar konferenca sa nuk kish vend dhe për këtë qëllim u shtrënguan që ta zmadhojnë “Folenë kombëtare”.

 

Mjerisht nga nakari, zuri qeveria turke ndjekjet kundër kombëtarëve dhe nga ana tjatër plasja e Luftës Ballkanike shtrënguan mbylljen e “Folesë kombëtare”.

 

Për lumturi të atdheut prapë jeton kjo “Fole kombëtare” në Korçë, nga e cila dolën mësonjëse që sot po përhapin arsimin në shumë vende të Shqipërisë; dhe trashëgimtarët këtu në Amerikë, po mbushin detyrën atdhesore gjer sa të kthehen prapë në Shqipëri e të vazhdojnë qëllimin e shenjtë që trashëguan brez pas brezi, se ky ishte qëllimi për të cilat u përpoq Gjerasim Qiriazi që themeloi “Folenë kombëtare”.

 

 

 

  Parathënia e dramës “Foleja Kombëtare” e Mithat Frashërit, botuar nga “Onufri”

 

 

Shkrimtari i njohur reagon ndaj polemikave të fundit për Heroin Kombëtar. Në një përsiatje të pazakontë, Kadare bën thirrje për mbrojtjen e identitetit shqiptar. I quan nostalgjikë të osmanizmit, të rrezikshëm e me paramendime antikombëtare gjithë ata që kërkojnë përbaltjen e Skënderbeut. Prirjen e “rrëzimit” të Skënderbeut e quan të pandashme nga dëshira për shkatërrim të kombit shqiptar. Zbulimi në dorëshkrim i dramës “Foleja Kombëtare” të Mithat Frashërit, një himnizim i përpjekjeve për çështjen kombëtare e gjuhën shqipe, ka qenë një nxitje e madhe që Ismail Kadare të flasë hapur e fortë.

 

“INTRIGAT QË FSHIHEN PAS SULMIT NDAJ SKËNDERBEUT”

 

“Drama e një lideri”

 

Shkruan: Ismail Kadare

 

Dramaturgjia përbën pjesën më të papërfillshme në letrat shqipe. Nga ana e saj, jeta teatrale nuk ka shkëlqyer kurrë në këtë zonë të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër. Teatri Kombëtar i sotëm, ish-Teatri Popullor i kohës së komunizmit, i cili quhej dikur Kinema Kosova, nuk ka qenë veçse një ndërtesë e përkohshme, nga ato që ushtria italiane i përdorte për zbavitjen e trupave të saj. Për një habi, që në pamje të parë ngjan e pashpjegueshme, faktorët proteatrorë në Shqipëri janë të barabartë me ata kundërteatrorë. Duket sikur nga përplasja e tyre nuk mund të kishim veçse këtë tokë të askujt.

 

Ndër rrethanat që mund t’i jepnin shtysë të ndjeshme teatrit shqiptar, dallohen tri kryesoret. E para, vendi i shqiptarëve, që prej mijëra vitesh është fqinj me atë të grekëve, trualli ku lindi teatri antik. Për nga gërmadhat e moçme teatrore, Shqipëria është ende sot një nga vendet më të pasura në kontinent. E dyta, doket shqiptare, qoftë të gëzueshmet, qoftë të përzishmet, kanë një ngjyrim të theksuar teatror. E treta, vetë tipologjia e njeriut shqiptar, gjestet, e folura, dëshira për t’u dukur, etja për lavdi, për publik e për duartrokitje e afrojnë atë më shumë nga teatri se nga realizmi.

 

Faktorët e kundërt me këto nuk kanë qenë as më të paktë e as më të dobët. Në pesë shekujt e sundimit osman, në mos ndalimi i plotë i teatrit, armiqësia e shtetit turk ndaj tij, bëri që shtetasit e perandorisë të largoheshin nga trazimet që jepte skena. Gjysmë i ndaluar, teatri pati një zhvillim fare të druajtur vetëm atëherë kur Turqia ndihej e detyruar t’i bënte lëshime Europës dhe europianizmit. Vendet nën pushtim zakonisht s’kanë teatër të zhvilluar. Mungesa e jetës shoqërore, e institucioneve dhe pasioneve partiake, e jetës parlamentare, e tribunave dhe përplasjes së ideve, e fushatave dhe proceseve të mëdha, së fundi, mungesa e shtypit të lirë, të gjitha këto kanë bërë që tundimi teatror të mos këndellej asnjëherë.

 

Koha çerekshekullore e dy mbretërive shqiptare, me një rend republikan midis, ishte e pamjaftueshme për të davaritur përgjumjen e një nate pesëshekullore. Ideja e Fan Nolit, për të përdorur drama të tilla si “Jul Cezari” i Shekspirit, ose “Armiku i popullit” i Ibsenit, si ushqim zëvendësues, në mungesë të dramaturgjisë shqiptare, ishte e fisme si ide, por iluzore në thelbin e saj.

 

Si të mos mjaftonte kjo mbrapshti, pikërisht kur po vinte koha e zgjimit të vërtetë, mbi teatrin shqiptar ra një fatkeqësi e re: faktori komunist. S’ngjante me përgjumje, përkundrazi shoqërohej me lodërti dhe zhurmë festash e olimpiadash, por, në të vërtetë, ishte më e keqe se gjumi. Ndërsa gjithë letrat shqipe i vuajtën teoritë varfëruese të realizmit socialist, heroin pozitiv zotërues, urrejtjen klasore, klimën e hareshme drejtpeshuese, e të tjera marrëzi të ngjashme, teatri ishte ai që do të rrëzohej përfundimisht prej tyre. I luajtur në skenë përpara sallave të mbushura, të cilat syrit dyshues të shtetit i ngjanin si salla të mundshme mitingjesh kundër tij, teatri iu nënshtrua një censure paranojake. Për të dhënë veç një shembull, mjafton të përmendim teorinë e mungesës së konfliktit, asaj që i hiqte teatrit edhe mundësinë e fundit të ballafaqimit, qoftë edhe në mënyrë fare të druajtur, të mendimeve disi të ndryshme. Një nga marrëzitë më të mëdha, ishte zotërimi i heroit pozitiv, i cili u bë aq i mërzitshëm e i bezdisshëm, saqë në krahasim me të, personazhet negativë, pijanecët, horrat, kumarxhinjtë, borgjezët e rrëzuar plot vese, ngjanin më tërheqës se pozitivët, duke rrezikuar të bëhen model për spektatorët. Nga frika e një gjëje të tillë, u shpik teoria e radhës, që në teatër konflikti midis “të mirit e të ligut” të zëvendësohej me një tjetër, atë të konfliktit midis “të mirit” me “më të mirin”!

 

Ishte një nga shenjat që jo vetëm të ashtuquajturit art socialist, por gjithë rendit, po i vinte fundi.

 

2.

 

Në fundajën e varfër e të pikëllueshme që u përmend më lart, nuk mund të kishim veç një prodhim të paktë e të varfër teatror. Nuk ishte e rastit që drama e parë shqipe u shkrua jashtë Perandorisë Otomane, nga arbëreshi Françesk Anton Santori, aty nga mesi i shekullit XVIII. Ashtu si nuk qe e rastit që një nga dramat e rralla të mëvonshme, “Izraelitë e filistinë” e Fan Nolit, siç e tregonte titulli, ishte tepër larg jetës shqiptare. Më pas, dy komeditë e Anton Zako Çajupit, “Pas vdekjes” dhe “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, të vetmet që vazhdojnë të luhen deri në ditët tona, arritën të sjellin në skenë diçka nga jeta shqiptare.

 

Pjesë teatrale patriotike, shpesh sentimentale, disa herë me subjekte antike, si ato të Ethem Haxhiademit, e krahas tyre drama moralizante dhe pjesë teatrale me subjekte edukuese, emancipuese e fetare, si ato të shkrimtarëve katolikë veriorë, ndër të cilat “Juda Makabe” e At Gjergj Fishtës, ishin të pamjaftueshme për të siguruar një klimë të vijueshme të jetës teatrore.

 

Në këtë tablo të paktë e manastirore, është e kuptueshme që kërkesat e ligjshme për një dramaturgji të nivelit të lartë vetvetiu do të zbeheshin. Është kjo një arsye më tepër që t’i gëzohemi ndoshta më tepër se ç’duhet zbulimit të dorëshkrimit të një drame, zbulim që në kushte të tjera të një zhvillimi normal të dramës do të kalonte ndoshta jo fort i vërejtshëm.

 

Është fjala për dramën “Foleja kombëtare” e Mithat Frashërit, personalitet i shquar i jetës kulturore dhe politike shqiptare, bir dhe nip i familjes së madhe të Frashërllinjve. Është një rast i qartë kur personazhi e kapërcen dukshëm veprën e vet, në këtë rast dramën e vetme që e ka lënë në dorëshkrim.

 

Kur një shkrimtar kthehet në lider, ose anasjelltas, lideri në shkrimtar, gjithmonë krijohen probleme. Me Mithat Frashërin, alias Lumo Skëndo, çështja është më e ndërlikuar. Prozator me talent të spikatur, shkrimtar fin, autor, ndër të tjera, i librit me tregime dhe novela “Hi dhe shpuzë”, si dhe i kujtimeve për një udhëtim të vitit 1915 në Zvicër, pamjet e së cilës i ripërtërijnë ëndrrën e vjetër të rilindësve për ta parë atë vend si model të ardhshëm të Shqipërisë europiane, Mithat Frashëri është zhvendosur disa herë nga letërsia në politikë dhe anasjelltas, derisa e ka lënë këtë botë në moshën gjashtëdhjetenëntëvjeçare. Për vdekjen e tij misterioze, në një hotel të Nju-Jorkut, më 1949-ën, gjithmonë e më tepër shtohen dyshimet se ka qenë vepër e zbulimit të fshehtë sovjetik për llogari të aleatit të tij, Shqipërisë komuniste. Në këtë rast, do të kishim të drejtë të thoshim se nga dy pasionet e tij në jetë, ishte politika ajo që ia mori jetën, në kohën që letërsia i dha një jetë të dytë.

 

Ndërsa vepra e tij letrare në prozë ka zënë vend në fondin e thesarit shqiptar të letrave, drama “Foleja kombëtare” nuk ka qenë veçse një incident, aspak me kuptimin e keq të fjalës. Ai vetë duhet ta ketë gjykuar si të tillë, përderisa nuk e ka botuar, por as asgjësuar. Më tepër se një dramë është drafti i një drame, një synim, një skicim, një ngrehë paraprake për pjesë teatri, e lënë në kantier, siç u ndodh shpesh njerëzve të letrave. Në fund të fundit, mund të merret si një peng a qortim ndaj dramaturgjisë së kursyer shqiptare, e cila gati dy shekuj pas dramës së parë shqipe, ende s’ka qenë në gjendje të japë një pjesë të madhe teatri, nga ato që skenat e çdo vendi e presin gjithmonë me padurim.

 

“Foleja kombëtare”, ndonëse e pakryer si vepër, zgjon interes për një vlerë gjithmonë të çmuar në art: synimin për përmasa të mëdha. S’është vetëm rrokja e dy trazimeve themelore të jetës shqiptare për gati një shekull, ndriçimi përmes dijes dhe arsimit të kombit në mënyrë paralele, për meshkujt dhe për femrat, as për listën tepër të lartë e të fisme të personazheve, duke nisur nga Naim Frashëri, At Gjergj Fishta, Lef Nosi, Jani Vreto, Pashko Vasa, Sami Frashëri, sulltani turk, motrat Qiriazi, ministri i Jashtëm turk etj., për të përfunduar te pjesa e pafisme, si spiuni shqiptar Halil, që spiunon Naimin te vetë ministri i Brendshëm turk etj. Është fjala për trajtimin dramatik të gjithë kësaj lënde në një horizont të gjerë, të njohur tepër rrallë, për të mos thënë të panjohur për teatrin ballkanik. Është fjala për skenat, si ajo e aktit të parë, ku autori, natyrshëm e pa asnjë kompleks, vendos përpara nesh dy personazhe, që për nga qëllimet janë më të largët se dy planetë: sulltanin turk Abdyl Hamitin dhe poetin shqiptar Naim Frashëri. Dialogu midis tyre është më se befasues e paradoksal. Sulltani e paralajmëron, më saktë, e kërcënon Naim Frashërin, se përgjegjësia për trazimet që mund të sjellë çelja e shkollave shqipe, do t’i bjerë atij si një nga zyrtarët më të lartë të censurës perandorake! (Diçka aspak e shpikur prej autorit - nip të poetit të madh.)

 

3.

 

Që Mithat Frashëri e hodhi për herë të parë e, me sa duket, të fundit, këtë dëshirë të tij teatrore, në vitet tridhjetë, dëshmonte se dy çështjet që do të përcaktonin fatin e mëtejshëm të kombit: shkollat shqipe dhe emancipimi i gruas shqiptare (të dyja të zhytura në terr prej osmanllisë) ishin ende probleme të ditës, madje do të vazhdonin të ishin të tilla në të ardhmen.

 

Mithat Frashëri, i fajësuar me gjithë koleksionin e akuzave, të cilat njeriu shqiptar, për fat të keq, i përdor aq bujarisht, i himnizuar me koleksionin tjetër, të kundërtin, si “gjeni i kombit”, që njeriu shqiptar, përsëri për fat të keq, i përdor aq koprracisht kur duhet, e aq pa vend kur nuk duhet, ka shfaqur disa herë parashikime me të vërtetë profetike. Sikur ta ndiente nga do t’i vinte jo vetëm fatkeqësia e re kombit shqiptar, por atij vetë, vdekja, ishte i pari njeri në botë që gjeti një fill bashkues midis ngjarjeve të 1917-ës në Rusi dhe rebelimit proturk të Haxhi Qamilit në Shqipëri, katër vite më parë, më 1913!

 

Si një paralajmërim ndëshkimi për atë profeci, dy vite përpara vrasjes në Nju-Jork, armiku numër një i Frashërit, shefi i komunistëve shqiptarë, shkroi të vetmen sprovë historike, kushtuar Haxhi Qamilit, ku, në kundërshtim të plotë me gjithë mendimin shqiptar, e himnizonte të çmendurin mizor nga Sharra, që nën zhurmën e daulleve dhe ulërimave “Dum Babën!” (lexo Sulltanin) kërkonte kthimin e Shqipërisë nën sundimin osman.

 

Kjo kundërvënie e dy personazheve rrotull psikopatit turkofil ishte kuptimplotë. Ajo dëshmonte se sundimi osman në Shqipëri ishte më keq se një sundim ushtarak. Ajo dëshmonte synimin osman, jo thjesht për ta mbajtur të sunduar Shqipërinë, por për ta zhbërë si të tillë. Turqizmi i popullit shqiptar ishte projekti më i lemerishëm me të cilin atij i ra fati të ndeshet. Për fat të keq, mekanizmat mbrojtës të tij nuk u treguan të aftë për të shmangur plotësisht të keqen.

 

Për vizionin otoman, ndër popujt e Ballkanit, populli shqiptar ishte ai që ndërkaq kishte vdekur. Ai përftohej si turk, trajtohej si i tillë, me fjalë të tjera favorizohej si turk, por, ndërkaq, nëse kërkonte identitetin e vet, ndëshkohej egërsisht si turk i pabesë.

 

Një pjesë e tragjedisë shqiptare ishte pikërisht interpretimi i keq i statusit të tij. Në vjershën e dëgjuar “Jam turk, elham-dulila”, poeti Esad Mekuli e shpallte me dëshpërim këtë nyjëtim dramatik ku kishte ngecur ende si në kurth njeriu shqiptar. Shumë njerëz bënin pyetjet: përse Shqipërisë i shkojnë punët mbrapsht? Përse për të tjerët po zbardhte liria, e për Shqipërinë jo?

 

Rilindja shqiptare, bashkë me pararendësit dhe pasrendësit e saj, e kapi hijen e vdekjes që po i vërtitej kombit. Robëria e gjatë po pillte filozofinë e robërisë, ngadhënjimi i së cilës do të ishte shumë herë më fatal se robëria vetë. Shkrimtarët veriorë, Budi, Bardhi, Bogdani, më pas arbëreshët me De Radën në krye, e fill pas tyre vargu i vetë rilindësve, të herët a të vonë, si Naimi, Mjeda, Çajupi, Fishta e deri te Noli, u ranë gjithë kambanave që duhej të zgjonin shqiptarët, për t’i ngritur kundër robërisë, por sidomos kundër filozofisë së saj.

 

Për aksionin e saj, dëshpërimisht solemn, Rilindja shqiptare solli në Shqipëri fantazmën e dëbuar, Gjergj Kastriotin, të cilin Europa, për fatin tonë, na e ruajti, jo vetëm në sheshet dhe rrugët e pagëzuara me emrin e tij, por edhe në kujtesën e saj.

 

Mithat Frashëri ishte njëri nga rilindësit që i jetoi të tria kohët, atë të sundimit osman, të Shqipërisë së pavarur dhe fillimin e komunizmit, asgjësuesin e tij.

 

Koha e republikës së Nolit dhe ajo e mbretërisë së Zogut, e para mjaft e shkurtër, e dyta jo aq e gjatë sa ç’do të duhej, ndonëse në kundërshtim me njëra-tjetrën në shumë gjëra, u bashkuan në një pikë themelore, njëmendësimin e ideve të Rilindjes shqiptare, dhe testamentin e Gjergj Kastriotit, thënë ndryshe, nxjerrjen e tyre nga statusi idealist e romantik dhe vënien në themel të institucioneve, të filozofisë, të politikës e të strategjisë shqiptare.

 

Për fat të keq, koha e pavarësisë ishte e shkurtër për t’ia lënë vendin periudhës groteske të varfërisë, terrorit dhe izolimit komunist. Pyetjet: përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat, përse të tjerët ecin e ajo ngec, bëheshin tani, me të njëjtin pezm fatalist, ndonëse për një tjetër fatkeqësi. Ato pyetje do të përsëriteshin më pas, atëherë ku s’do të duhej, pas rënies së komunizmit. Ato vazhdojnë të bëhen sot, jo vetëm nga mendjet elitare, por nga shumica e shqiptarëve, gjithkund ku ata ndodhen. Përgjigjet për to janë të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme. Pas dy robërive, aq pranë njëra-tjetrës, vizioni shqiptar i botës mbetet ende i turbullt e kaotik. Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënder beut për t’u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit. Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t’i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë. Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se “antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve”. Emri i këtij rimohuesi është H. Ferraj dhe sa ç’është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky, e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë! Për të mos u zgjatur me këtë barbari shembujsh, po e mbyllim me fjalët e një tjetër rimohuesi, prapë nga Kosova, që bën paralajmërimin se të kesh qëndrim mohues ndaj Perandorisë Osmane sot është njëlloj si të sulmosh miqtë tanë amerikanë, që çliruan Kosovën!

 

Ç’të thuash për këtë nostalgji të ringjallur befas një shekull pas ikjes së osmanëve? Ta quash groteske, tragjike, komike nuk mjafton.

 

Të thuash se po t’i përmbahej programit të Rilindjes, Shqipëria jo që s’do të bëhej kurrë komuniste, por do të ishte prej kohësh një shtet model në Bashkimin Europian, është prapë pak. Të thuash se i ashtuquajturi “mit” i Skënderbeut, u ngjiz shekuj më parë kur komunizmi nuk ekzi stonte askund, se u sublimua prej Rilindjes dhe pastaj prej kohës së pavarësisë, prej Nolit dhe Zogut, se komunizmi jo vetëm ishte i huaj për të, por në vitet e flirtit me jugosllavët 1946-1947, emri i heroit pothuajse u zhduk nga shtypi shqiptar. Të vazhdosh me kronikën e asaj që mund të quhet “lufta e shtatoreve”, kur më 1968, qeveria shqiptare bëri çmos që pagëzimi i sheshit “Skënderbe” në Paris, bashkë me shtatoren midis, të mos lejohej prej qeverisë franceze dhe bashkisë së Parisit? Të vazhdosh me ngritjen e shtatores së shefit të komunistëve shqiptarë, njëzet hapa pranë shtatores së heroit, paralajmërimi i hapur, se Kastrioti do të zhvendosej së shpejti dhe sheshi i parë i Shqipërisë do t’i përkiste këndej e tutje, patronit të ri komunist? (Brenda tre viteve, historia do të jepte një nga mësimet madhështore të saj, kur princi mesjetar do ta shihte rivalin jetëshkurtër të tij t’i zvarritej mu përpara syve, krejtësisht në stilin e Mesjetës.)

 

Shumëkujt mund t’i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t’i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë. Në kohën që po shkruhen këto radhë, metropoli shqiptar vlon nga polemika: ta ruajmë apo ta rrëzojmë Skënderbeun! Vetë shtrimi i çështjes është njollë e zezë për Shqipërinë. Dihet se kush do ta fitojë këtë polemikë, por vetë fakti që ajo ndodhi, që populli shqiptar, një shekull pas osmanllisë, ende guxoi ta lejojë një pyetje të tillë, është një turp për të. Nën këtë ndriçim të keq, do të zbulohet ndoshta më qartë ai cen që e ka shtyrë disa herë nga gabimi në gabim.

 

Polemika vulgare dhe imorale për rilindësit dhe Skënderbeun është shenja e një sëmundjeje më të thellë, prej së cilës kombi shqiptar, nëse kërkon një të ardhme në këtë botë, duhet të shërohet.

 

Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin “Dum Babën!”. E ndërkaq, mund të thuhet se janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më pa moral se ata.

 

Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. Të mësuar të nderojmë personazhe të shquar, artistë, politikanë e gra të bukura, në çastin kur ujërat e zeza shpërthejnë, ne kujtohemi për ata që përveshin mëngët e zbresin të punojnë mes tubave, veglave e territ, atje ku nuk guxon të zbresë kush.

 

Duke kujtuar se po ia hedhin publikut, intelektualët gjysmakë, ata që ushqehen kryesisht nga “Google”, merren me raportet mit-histori, pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se nocionet mit, histori, mitizim e çmitizim janë shumë më të ndërlikuara se ç’i di mendja e tyre e ngushtë. Me nocione të tilla zakonisht, e sidomos me raportet mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime. Përpara se të jenë kundërthënëse, ato janë plotësuese, dy vizione të botës, njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, që mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin. Seriozë nuk janë provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është, ndërkaq, problemi.

 

Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit nuk ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejtësisht të kotë.

 

A ka alibi për këtë çoroditje? A ka vërtet diçka serioze për të qortuar e ndrequr në atë që është quajtur “moti i madh” i shqiptarëve? Ajo epokë, si asnjë tjetër, është zbardhur e dëshmuar në mijëra libra e studime, nga Uashingtoni në Tokio, nga Tirana, Venediku e Roma në Londër, Stokholm e Shën Petërburg.

 

Nga kjo mizëri botimesh e faktesh del një dëshmi përgjithësisht unanime: një luftë për jetë a vdekje e shqiptarëve dhe gjithë ballkanasve kundër Perandorisë Osmane. Një thyerje me pasoja fatale: shkatërrim fizik, kulturor, moral. Për ironi të fatit, populli shqiptar, ai që besoi se po favorizohej, pësoi goditjen më të rëndë. Ajo ishte në logjikën osmane: popullit që iu vu shenjë për t’u turqizuar, pikërisht ai, në rast kundërshtimi, do të ndëshkohej më rëndë. U shestuan, kështu, dy projekte paralele: shkombëtarizimi, që do të ndodhte në truallin shqiptar, shpërngulja masive, gjenocidi i fshehtë, që do të përfundonte në rrafshinat e Anadollit. Akti i fundit i kësaj shpërnguljeje do të ndodhte në shekullin XX, si rrjedhojë e pakteve të fshehta turko-jugosllave për të zbrazur një pjesë të Kosovës.

 

Ajo që më së shumti vërteton jo favorizimin, por diskriminimin shqiptar, është ndalimi i gjuhës së shkruar shqipe dhe ndalimi i shkollave shqiptare. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkol limit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s’mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet!

 

Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar.

 

Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori. Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.

 

Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s’ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!

 

Nga ky këndvështrim, mendimi gjenial i Mithat Frashërit kur e përqasi mizorinë         haxhiqamiliste me atë bolshevike, e ruan ende të plotë vlerën e vet.

 

Rrënimi i Skënderbeut, natyrshëm shfaqet këtu si synim i përbashkët i dy armiqve kryesorë të Europës, otomanizmit dhe bolshevizmit.

 

Rrënimi i Skënderbeut është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi. Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e nga ana tjetër mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb.

 

4

 

Nostalgjia e kohëve të fundit për osmanizmin, nostalgji që vetë Turqia e sotme, moderne dhe kemaliste do ta dënonte, është më shumë se shqetësuese. Çdo vonesë në zbehjen e pastaj shuarjen e saj e bën më të zezë njollën që ajo po i vë kësaj shoqërie.

 

Raportet e një populli me lirinë janë shenja e parë identifikuese e tij. Ato janë karta e parë kredenciale, e fisme apo e pafisme, me të cilën ai shfaqet përpara familjes së popujve.

 

Flirtet e turbullta me robërinë dëshmojnë, as më pak, as më shumë, raportet e turbullta me lirinë. Një dëshmi e munguar për këtë të fundit, do ta vinte kombin shqiptar në bankën e turpit, si i vetmi popull në kontinent, që, duke shkelur më të epërmin ligj moral të njerëzimit, e modifikoi identitetin e vet, për t’ia përshtatur atë robërisë.

 

Historia e kthyer në mit (dhe jo miti në histori) e Kastriotit ka qenë dhe mbetet një histori fund e krye pozitive, shqiptare dhe europiane. Është pjella e parë e përbashkët e Shqipërisë me Europën dhe, si e tillë, përveç që na nderon, na jep shpresë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!