E MAJTA EKSTREME E KOSOVËS



Nga Shefqet CAKIQI - Llapashtica, Zvicër – botuar në vitin 2000, në “Opinioni i Tretë”, “Fjala jonë”....


      Në fjalorin publicistik dhe politik shqiptar nocionet dhe emërtimet e fenomeneve politike e shoqërore janë ende në fazën formuluese. Në fushëveprimtarinë politike ka ende dilema rreth asaj se cila është e majta e Kosovës ose e majta ekstreme e saj. E majta, e djathta apo qendra përcaktohen, në të shumtën e rasteve, jo nga realiteti objektiv, por nga dëshira e të qenit ose nga snobizmi politik. Ka të tillë që megjithëse kishin bërë doktorata mbi socializmin vetëqeverisës dhe megjithëse në periudhën kur ky sistem ishte në fuqi krenoheshin me predikimet e tyre politike, tani bëjnë rolin e të djathtëve dhe të përhapësve të "ideologjisë nacionaliste".

         Nëse në ish-shtetet socialiste (pas fitores së demokracisë), diktatura dhe bartësit e saj politikë dhe shtetërorë cilësohen saktësisht si e majtë ekstreme komuniste dhe me këtë gjë bëhet edhe demaskimi i këtij krahu politik, në Kosovë kjo nuk është bërë sa e si duhet. Këtu ngatërrohen shpesh nocionet dhe kualifikimet për të majtën ekstreme, shpeshherë deri te ndërrimi fatal i pozicioneve dhe fakteve.

         Në shtetet ku kishte sunduar e majta komuniste, pas fitores së demokracisë dhe vendosjes së pluralizmit politik, bartësve të veprimeve antinjerëzore dhe antidemokratike u është ndaluar me ligj marrja me veprimtari të ngjashme, ndërsa bartësit kryesor të diktaturës edhe kanë marrë tashmë dënimin e merituar gjyqësor.

          Në Kosovë ndërkaq, në vendin ku e majta komuniste-kolaboracionaliste sundoi në mënyrën më ekstreme, bartësit dhe zbatuesit e kësaj politike ende mendojnë të merren me veprimtari të ngjashme. Me këtë rast, pa hyrë fare në historikun e së majtës në Kosovë dhe propaganduesve të saj me veprat e Tucoviqit, Rankoviqit, Kardelit dhe Titos dhe të ashtuquajturën "shkollën politike", do të përshkruajmë vetëm periudhën e vonshme dhe karakteristikat e saj.

         Në periudhën nga 1981-1989 në Kosovë ka qenë zbatuar dy herë gjendja e jashtëzakonshme. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë 167 persona për vepra politike (të vrarët në demonstrata, në burgje dhe nën procedurat hetimore me tortura); janë plagosur e gjymtuar 470 persona; 12 mijë persona janë gjykuar penalisht për vepra politike me disa qindra vite burgim, të shqiptuara dhe të mbajtura; mbi gjysmë milioni shqiptarë janë trajtuar në organet e policisë. Përndjekja masovike dhe zbatimi ekstrem i luftës klasore, i luftës kundër kundërrevolucionarëve dhe kundër armiqve të socializmit dhe "patriotizmit socialist jugosllav" rifillon më 1981. Zbatues i kësaj politike ka qenë pikërisht e majta ekstreme e Kosovës me ngjyrime ideologjike komuniste-kolaboracioniste.
         Disa "liderë" politikë të Kosovës thirren ende në përvojën dhe stazhin politik të krijuar në sistemin komunist. Ende thirren në polici edhe oficerët e policisë të viteve të cekura më lartë, në sistemin bankar, etj. Madje me një arrogancë të pashembullt ata kërkojnë të kthehen në "vendet e punës" nëpër komitetet komunale e "krahinore".

         Demonstratat paqësore që patën përfshirë të gjitha qendrat e Kosovës me një pjesëmarrje pothuajse plebishitare të popullsisë në kërkesën për Republikën e Kosovës përbënin një shenjë të qartë alarmi për Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë. Këto ishin njëherësh dhe shenjat e para të falimentimit të politikës për realizimin e socializmit si proces botëror, të krijimit të Kombit të Ri Socialist "jugosllav". Ishte i qartë edhe dështimi i politikës asimiluese ndaj shqiptarëve dhe kombeve të tjera të vogla në ish-Jugosllavi. Kjo vinte në kohën kur kjo politikë dështonte edhe në shtetet e tjera socialiste dhe pikërisht në qendrën e aleancës ushtarake të Paktit të Varshavës. Lëvizja antisocialiste polake "Solidarnost" (1980-1981) ishte një sinjal se duhej ngritur vetëdija kombëtare duke tejkaluar kozmopolitizmin e mbështetur në internacionalizmin proletar që mëtonte një majorizim kombesh sllave: ruse, bjelloruse, serbe.

         Në Kosovë, gjatë regjistrimit të popullsisë më 1981 dështoi plani që popullsia të deklarohej me kombësi jugosllave. Mbetën të vetmuara strukturat politike të Lidhjes së Komunistëve dhe ca individë që kishin martesa të përbashkëta me sllavët nga ish-strukturat politike-propagandistike, policore-gjyqësore të Kosovës. Plani për Kombin e Ri Socialist "jugosllav" dështoi në Kosovë, ndërsa ishte në rritje në Bosnjë e Hercegovinë dhe në disa republika të tjera të ish-RSFJ-së.

         Ngritja e vetëdijes kombëtare e shqiptarëve në përmasa shtetformuese i kallte tmerrin LKJ-së që druante se e njëjta gjë do të hapej në tërë territorin e RSFJ-së, gjë që do të pasonte krijimi i shteteve të reja, çka koha e dëshmoi më vonë, katërçipërisht.

         Inkriminimin e demonstratave paqësore të shqiptarëve e bëri e para udhëheqja e lartë politike e LKJ-së me diskualifikimet ideologjike si në vijim: se në Kosovë kishte ndodhur një tentim kundërrevolucioni nga forcat nacionaliste shqiptare, se ishte cenuar integriteti territorial i RSFJ-së, se ishte rrezikuar pushteti i klasës punëtore, se kishte pasur tentime të hapura për të prishur vëllazërim-bashkimin e kombeve dhe kombësive, si dhe të bëhet minimi i pozitës kushtetuese të RSFJ-së.

         Në kuadër të kësaj platforme politike diskredituese shikohej tani çdo veprimtari politike, kulturore dhe organizative e shqiptarëve për pavarësi në ish-RSFJ.

         Kreu partiak, Komiteti Qendror i LKJ-së nxori Platformën Politike për Kosovën në të cilën jepeshin qëndrimet ideo-politike të komunistëve rreth Kosovës, në bazë të të cilave qëndrime vepronin të gjitha organet shtetërore politike, ekonomike, arsimore, në tërë territorin e ish-RSFJ-së. Në Kosovë u instalua një politikë e segregacionit dhe e ndjekjes së paparë gjer atëherë ndaj shqiptarëve. Pasuan burgosjet e demonstruesve dhe e veprimtarëve që kërkonin pavarësinë e Kosovës.

         Ndëshkimet ishin drakonike. Ishin po kaq brutale edhe ndërhyrjet policore dhe shuarja me gjak e demonstratave, burgosjet dhe torturat fizike deri në vdekje. Ndërkaq për anëtarët e familjeve të të burgosurve filloi një periudhë e rëndë e segregacionit, e diferencimit, e izolimit dhe e "lëçitjeve" me pasoja lemeritëse.


DIFERENCIMI IDEO-POLITIK


         Diferencimi ideo-politik sqarohej në dokumentin që quhej Platforma Politike për Kosovën, dokument ky i KQ të LKJ-së i cili filloi të përpunohej dhe të studiohej nga organizatat bazë të LKJ-së në nivele lagjesh, bashkësish lokale, fshatrash, qytetesh, shkollash, institucionesh, etj. Në të gjitha këto nivele organizoheshin mbledhje punuese ku aktivistët partiakë prezantonin Platformën politike për Kosovën, në të cilën, siç thuhej, zbërthehej "karakteri kundërrevolucionar i demonstratave të 1981, i kërkesave dhe synimeve të armiqve të RSFJ-së, të armiqve të klasës punëtore, të armiqve të socializmit e të vëllazërim-bashkimit të kombeve dhe kombësive të RSFJ-së etj.". Pas çdo mbledhjeje bëheshin konkluzat ku dënoheshin bartësit e veprimeve që nuk ishin në vijën politike të LKJ-së. Më pas, këto konkluza bëheshin publike në masmediat partiake dhe shtetërore.

         Nëse ndonjëri nga anëtarët e LKJ-së kishte ndonjë të afërm të burgosur për pjesëmarrje në demonstrata ose për veprimtari politike për pavarësinë e Kosovës, ai kalonte nëpër procedura të veçanta partiake ku duhej të reflektonte e të bënte autokritikë, të dënonte veprimin e të afërmit të tij dhe nëse me këto ia dilte të bindte organet udhëheqëse të Partisë, ai mund të vazhdonte veprimtarinë e tij si anëtar partie, si dhe të mbante vendin e punës. Nëse nuk ishte bindës në autokritikë dhe në gjykimin e parashtruar, pasonin sanksionet: përjashtimi nga partia që nënkuptonte edhe largimin nga puna. Kjo ishte një gjendje fatale dhe përcaktuese e fatit të individit, të familjes dhe të fëmijëve të tij. Kësaj i bashkëngjitej etiketa e "papërshtatshmërisë morale-politike" që ngrinte barrierat e pakalueshme për punësim, shkollim, studim, specializim, etj.

         Nga këndvështrimi i filozofisë socialiste kjo shpjegohej me ligjet e materializmit dialektik, gjegjësisht me ligjin e unitetit dhe luftës së të kundërtave. Lufta klasore duhej zhvilluar edhe në gjirin e organizatës, në LKJ dhe në kuadër të kësaj edhe në vetë bashkësinë shoqërore. Thuhej se lufta klasore ishte motori i zhvillimit të shoqërisë dhe njëherësh eliminues i nacionalizmit dhe shovinizmit të çdo kombi në rrugën drejt komunizmit.


IZOLIMET DHE "LËÇITJET" - GETOJA KOMUNISTE


         Njëra nga metodat më të vrazhda që aplikohej kundër familjeve të atyre që ishin burgosur për veprimtari politike për pavarësinë e Kosovës dhe për organizimin e demonstratave të vitit 1981 në qytetet e Kosovës, ishte e ashtuquajtura "lëçitja" ose "getoja" në mënyrën komuniste. Kjo ishte një masë ndëshkuese më e rëndë se diferencimi ideo-politik dhe papërshtatshmëria morale-politike e zbatuar nga LKJ.


         "Lëçitja" ishte si një masë ndëshkuese për familjet e personave të burgosur dhe të dënuar sipas ligjit penal të RSFJ-së, konkretisht nga neni 133 alineja 1 dhe 2 që cilësohej si propagandë armiqësore dhe parashihte një dënim prej 1-5 vjet burgim dhe nga neni 136 alineja 1 dhe 2, që cilësohej si bashkim për veprimtari armiqësore, i cili zakonisht lidhej me nenin 114 për tentim kundërrevolucioni dhe parashihte një dënim prej 5-15 vjet burgim ose dënimin kapital: dënimin me vdekje.


         Procedura fillonte nga lagjja ku banonte ajo familje. Organizata bazë e LKJ-së së atij rrethi mbante mbledhjen e vet ku denonconte dhe dënonte veprimtarinë e personit të burgosur dhe jepte propozimin për lëçitjen e familjes së tij. Ky propozim iu paraqitej "organizatave të masave" si fjala vjen: Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës dhe Lidhjes Socialiste të Rinisë së Jugosllavisë, të cilat po ashtu udhëhiqeshin nga anëtarë të LKJ-së. Aprovimi i kësaj mase nënkuptonte përjashtimin nga LKJ (nëse ndonjëri ishte anëtar), përjashtimin nga LSPPJ-ja dhe LRSJ-ja, ku nënkuptohej edhe përjashtimi nga puna, nga organet publike dhe zyrtare. Ndëshkimi parashihte pezullimin e menjëhershëm të kontakteve me familjet e inkriminuara. Këtu mund të përmenden pamundësitë për të bërë krushqi ose për të vënë kumbari me ato familje; mospjesëmarrja në ceremonitë mortore, mos shkuarja në ngushëllime, humbja e të drejtës së familjarëve të lëçitur për t'u zgjedhur në organizime të ndryshme shoqërore, kulturore e sportive dhe humbja e të drejtës për të votuar. Duke qenë se numri i të burgosurve për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1981, si dhe numri i veprimtarëve të angazhuar për pavarësinë e Kosovës kalonte 12.000 vetë, atëherë, duke caktuar një mesatare prej 5 anëtarësh për një familje në Kosovë, ne mund të konkludojmë se mbi 60.000 vetë kanë qenë të getoizuar në mënyrën komuniste të lëçitjeve. Për fat të mirë, kjo formë e izolimit politik nuk u pranua në tërësi nga populli, ndërkohë që shteti dhe organet politike të tij ishin tepër rigorozë në zbatimin e tij.


PËRSHTATSHMËRIA MORALO-POLITIKE E NXËNËSVE DHE STUDENTËVE PËR REGJISTRIM NË SHKOLLA


         Cili ishte kriteri për verifikimin e përshtatshmërisë moralo-politike të nxënësve dhe studentëve për regjistrimin në vitin e parë të studimeve dhe për vendosje në konvikt?


         Platforma revolucionare e LKJ-së për të luftuar kundërrevolucionin dhe armiqtë e socializmit potenconte si në vijim:

         "Verifikimi i përshtatshmërisë moralo-politike të nxënësve dhe studentëve duhet të jetë kujdes permanent i organizatave shoqërore dhe politike të LKJ-së, të LSPP-së, të LSS-së, të Shoqatës së Luftëtarëve të LNÇ-së, të LRS-së dhe të komiteteve për Mbrojtjen e Përgjithshme Popullore, etj".


         Sipas kritereve të caktuara, në fakultete dhe shkolla të larta nuk mund të regjistroheshin kandidatët që:

1. "Janë marrë me veprimtari armiqësore... ose që kanë qenë skripterë parullash dhe pamfletesh... që kanë marrë pjesë në demonstratat armiqësore...";

2. "Anëtarët e familjeve të personave që janë marrë me veprimtari armiqësore..." dhe 3. "Ata që kanë tentuar të kalojnë kufirin shqiptar...".


         Nga përgjegjësit e shkollave kërkohej në mënyrë ultimative si në vijim:

 

1. "Të gjitha shkollat e mesme të mbajnë evidencë për nxënësit, të cilët në bazë të këtyre kritereve nuk janë të përshtatshëm moralisht dhe politikisht";

2. "Organet e Mbrojtjes Popullore t'i shfrytëzojnë karakteristikat e kandidatëve që kanë kryer shërbimin ushtarak në APJ";

3. "Komiteti për MPP dhe VMSH i Universitetit ka për detyrë që me përgjegjësi të zbatojë këtë aksion me rastin e regjistrimit të studentëve në vitin e parë, si dhe të marrë masa për përjashtimin e studentëve të viteve të tjera, sjellja negative e të cilëve do të vlerësohej në bazë të këtyre kritereve";

4. "Organet e Universitetit, e fakulteteve dhe e shkollave të larta janë të obliguara të respektojnë mendimet e komiteteve të MPP dhe VMSH-së";

5. "Organet krahinore të Arsimit dhe Rektorati duhet të nxisin iniciativën për zbatimin e këtyre kritereve edhe me studentët e Kosovës që regjistrohen në fakultetet jashtë Kosovës";

6. "Organet e judikaturës obligohen që me kohë të informojnë komitetet komunale të MPP-së dhe VMSH-së për masat e marra penale dhe kundërvajtëse ndaj nxënësve dhe studentëve...".


         Spektri i së majtës ekstreme të Kosovës nuk është edhe aq i vogël. Po patëm parasysh vetëm organet partiake të LKJ-së si Komitetet Komunale, Komitetin Krahinor, Komitetin Qendror Republikan dhe Federativ, duke përfshirë këtu edhe prokuroritë dhe gjykatat e qarkut me gjyqin suprem të ish-KSAK, policinë politike (UDB-në) dhe udhëheqësit e mediave komuniste na del një korpus jo i vogël.

         Nuk dua t'i emëroj ndërkaq bartësit e funksioneve në veprimtaritë e sipërpërmendura. Ata janë gjithsesi të njohur dhe të identifikueshëm. Duke qenë se janë përherë në anën e kundërt të vijës që përcakton vullnetin politik dhe aspiratat për pavarësi të popullit shqiptar të Kosovës, ata janë patjetër më problematikët dhe më të paparashikuarit. Ata kanë qenë kundër proceseve politike më 1968, më 1978, më 1981-82, më 1989-90, dhe sidomos në vitet 1997-1999. Me asgjë nuk mund të arsyetohen sot ata që në të gjitha këto procese politike që shprehin vullnetin e popullit të Kosovës ishin në anën e frenuesve apo edhe të luftuesve të atyre proceseve. Ata thirren sot në "profesionalizëm", në "institucionalizëm", kërkojnë rikthimin e institucioneve etj. dhe janë emëruar me lloj-lloj emrash si: demokratë, socialdemokratë, demokristianë, liberalë, etj.

         Kaosin më të madh në skenën politike të Kosovës e ndjell pikërisht kjo kategori e së majtës ekstreme komuniste-kolaboracioniste. Ata që në të gjitha proceset politike për pavarësimin e Kosovës ishin në pozicione të gabuara, ose më mirë: të kundërta. Ata janë sharlatanë qesharakë që kërkojnë nga populli i Kosovës të llogarit stazhin e tyre politik në kuadër të organeve të pushtuesit serb e jugosllav, në kuadër të LKK-së e të LKJ-së. Si për të fshehur pozicionimin e tyre gjithmonë në anën e gabuar, ata krijojnë turbullira, obstruksion dhe përçarje absurde.

         Bashkëpunimi i së majtës së Kosovës me të majtën në Shqipëri nuk është i rastësishëm kur dihet se dy pinjollët e komunizmit në Kosovë dhe në Shqipëri si Enver Hoxha edhe Fadil Hoxha janë të dekoruar me medalje të artë nga organi kryesor komunist jugosllav, madje ata qenë shpallur edhe heronj të popullit jugosllav (sic!).

         Komunistët pushtetarë të dikurshëm, që kanë shkelur të drejtat kombëtare të shqiptarëve duke zbatuar një diktaturë të egër, sot nuk kanë të drejtë të pretendojnë në përsëritjen e recidivit të tyre. Partitë dhe individët që kanë nisur karrierën e tyre politike pas përmbysjeve të diktaturave, e që mund të kenë orientim të majtë të tipit të socialdemokracisë evropiane, nuk janë të identifikueshëm me të majtën ekstreme, zbatuesen e dhunës diktatoriale.

         Ndër veprimtarët politikë të angazhuar për jetësimin e pavarësisë së Kosovës nuk ka arsye të ketë konfrontime të pakapërcyeshme për bindje politike dhe ideologjike. Ata i lidh puna në vazhdimësi për pavarësinë e Kosovës. Këtu vetëm duhet treguar transparencën dhe deshifruar snobistët politikë të cilët bindjet dhe veprimtarinë politike i shohin nga interesi egoist.

         Tani ka ardhur koha që politika e shqiptarëve të Kosovës (në prag të zgjedhjeve nacionale) të lirohet nga ata që me politikën e tyre të majtë ekstreme të LKJ-së i sollën aq shumë vuajtje popullit shqiptar. Sepse edhe sot, me një snobizëm të tejdukshëm politik, ata manipulojnë me proceset politike në Kosovë. Mos, vallë, këta ish-funksionarë komunistë presin që parlamenti i ardhshëm i Kosovës t'ua ndalojë me ligj përsëritjen e recidivit të dëmshëm për shoqërinë e Kosovës?

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!