Në 10 vjetorin e rënies:  ENVER MALOKU është Dëshmor i Kosovës

 

Para 5 viteve kam pas publikuar shkrimin “ENVER MALOKUN SOT DUAN TA VRASIN PËR SË DYTI !!”  i indinjuar nga mënyra e prezantimit në Akademinë  përkujtimore kushtuar dëshmorit Enver Maloku. As atëherë e as sot mbas 10 viteve “partiakëve” nuk ua zë goja të thonë se Enver Maloku ka rënë dëshmorë!! Edhe Qendra për Informim e Kosovës kështu përshkruan sot pas 10 viteve këtë përvjetorë: “..në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Enver Maloku u vra pabesisht më 11 janar të vitit 1999 në një atentat ende të pazbardhur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.” !! Ndërsa gazeta "Bota sot" në editorialin e saj sot thekson: "vrasësit e tij janë ende pranë nesh, me maskat në fytyrën e tyre të zezë"!! Kjo arsye më shtyn që shkrimin që kish bërë e publikuar  para 5 viteve ta ri publikoj edhe sot, sepse prapë edhe sot indinjata është aktuale.

 

Enver Maloku nuk është ndarë nga jeta nga aksidenti apo nga vdekja normale, Enver Maloku ka pas edhe një atentat të cilit i ka shpëtuar. Po të kishte ndjekur praktikat e atyre që kanë ikur, ai do të i shpëtonte atentatit të dytë, po ai vet disa ditë para rënies pat potencuar :”Jemi në luftë...” ! Populli i Enver Malokut dhe Enver Maloku ishin në luftë për liri dhe rënia e tij nuk është ndërrim jete, vrasje e pabesë,  po është rënie prej Dëshmori të lirisë së Kosovës.

11 janar 2009 

 11 janar 2004

 

NË 5-VJETORIN E RËNJES SË DËSHMORIT ENVER MALOKU



PËRKUJTIM

ENVER MALOKUN SOT DUAN TA VRASIN PËR SË DYTI !!



„Enver Maloku afirmonte sistematikisht luftën çlirimtare të forcave të UÇK-së“ Xhemail Mustafa



         Enver Maloku (1954-1999) ka qenë një nga themeluesit e QIK-ut dhe prej vitit 1993 e deri në vdekje e drejtoi me shumë sukses këtë Qendër, e cila u bë halë në sy e okupatorit serb. Gjatë kohës kur në krye të QIK-ut ishte Enver Maloku, përveç në shqip, kjo Qendër emitonte lajme edhe në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht dhe ishte burimi më i shpejtë, më i saktë dhe më i besueshëm i informimit në vend dhe në botë për ngjarjet e stuhishme në Kosovë. Tërë veprimtaria gazetareske  e publicistike e Enver Malokut e viteve '90 i kushtohet lirisë e pavarësisë së Kosovës.


         Enver Maloku, pasi i shpëtoi një atentati në korrik të vitit 1998, u vra në një atentat të organizuar më 11 janar të vitit 1999. Enver Maloku ishte bërë halë në sytë e okupatorit serb, në prag të fillimit të bisedimeve në nivele ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe vrasja e tij ishte tentim për të vrarë të vërtetën për Kosovën dhe luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.


         Me Enver Malokun, unë personalisht përveç si vendas dhe lidhjet nga rrethi miqësor i imi, në vitet 90 kam pasur edhe kontakte profesioni dhe organizimi. Unë isha anëtar i Komisionit për Informim në kuadër të Kryesisë së degës së LDK-së për Zvicër. Ishin vite të sukseseve dhe dëshpërimeve tona njëkohësisht.


         Sot në përkujtimin e 5 vjetorit të rënies së tij, më së shumti më dhemb se rënien prej dëshmori të tij, qarqe të caktuara duan ta politizojnë dhe ta materializojnë për kapital partiak, për qëllime të ngushta, duke tentuar ta vrasin moralisht. Më dhemb se i bëhet një vrasje e dytë, një atentat i dytë, një njeriu të madh të Kosovës.

 

         Enver Maloku nuk u vra pse ishte me këtë apo atë lider politik, por Enver Maloku u vra se ishte personalitet me peshë në luftën informative me okupatorin serb. Nuk janë të vërteta pohimet e disave që mundohen të nxjerrin kapital nga vrasja gjoja e „dyshimtë“ dhe „në tradhti“ e Enver Malokut. Vrasësi dhe adresa e vrasësve të Enver Malokut është e kthjelltë si dita me diell, e ai është okupatori serb. Për gjykata është me rëndësi dorasi dhe ai do të gjendet, por adresa e vrasësit është e qartë, është po ajo adresë që ka vra Afrim Zhitin dhe Fahri Fazliun, ajo adresë që ka vra Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, është ajo adresë që ka vra Afrim Maliqin, Hyzri Tallën, Ilir Durmishin, Fehmi Aganin, Xhemail Mustafën dhe shumë dëshmorë të tjerë.


         Si sot kujtoj angazhimet e tij në Faqe interneti dhe në gazetat dhe revistat shqipe të kohës në depërtimin e lajmit të shpejtë dhe të saktë për gjendjen në Kosovë. Enver Maloku kishte pengesa dhe kërcënime. Disa herë Faqja e Internetit e Qendrës për Informim e Kosovës ishte sulmuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë dhe kërcënuar për likuidim dhe hedhje në erë të gjithë ndërtesës së QIK-ut, veprim të cilin e bënë realitet pak javë pas vrasjes së Enver Malokut. Vetëm disa ditë para vrasjes në një bisedë për Gazetën “Bujku” në Prishtinë i pyetur për shpërblimet që mund t'i jepeshin për punën e bërë, Enver Maloku shprehet kështu: "Ndoshta ju befasoj me përgjigjen. Shpërblim mund të jetë likuidimi politik, moral dhe fizik. Jemi në luftë dhe secili jemi kandidat potencial për t'u vrarë e likuiduar".

 

         Ditën e varrosjes së Enver Malokut, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që i organizoi varrimin dinjitoz


         Enver Maloku kishte pengesa edhe nga brenda “institucioneve” që pikërisht sot mundohen ta qesin si të vrarë në rrethana të dyshimta dhe për qëllime që vetëm ata i imagjinojnë. Gjatë atyre periudhave kemi mbledhë ndihma materiale dhe kemi ndihmuar funksionimin normal të QIK-ut, sepse pikërisht “Institucionet e Republikës së Kosovës” ia kishin ndërprerë financimin dhe ndihmën. Si rezultat i atyre ndihmave gati gjysmë private, Enver Maloku kishte nxjerrë në dritë disa libra në gjuhën angleze për Kosovën dhe historinë e çështjes së Kosovës. Pikërisht gjatë vjeshtës së vitit 1998 bëhej puna për mundësinë e daljes edhe në mal të agjencisë dhe gazetës. Në këto rrethana Enver Maloku gati ishte i izoluar nga të ashtuquajturat “Institucione të Republikës së Kosovës”. Enver Maloku nuk ka pas lidhje me komprometimet e mëvonshme të “Institucioneve të Republikës së Kosovës” , nuk ka pas lidhje me shkuarjen dhe takimet e liderit “tonë” të atëhershëm Ibrahim Rugova me Millosheviqin dhe spekulimet tjera. Ditën e varrosjes së Enver Malokut, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që i organizoi varrimin dinjitoz.


         Në fjalën e tij të përmortshme, z. Xhemail Mustafa atëherë pat thënë: ”Ata që i kanë përcjellë shkrimet e Enver Malokut, veçmas serinë e komenteve të përditshme në gazetën e mbrëmjes "Informatori", e kanë të qartë se ai idetë dhe gjithë potencialin e vet intelektual e profesional po i vinte në shërbim të përpjekjeve të popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai e afirmonte sistematikisht luftën çlirimtare të forcave të UÇK-së dhe, nëpërmjet një gazetarie kritike, angazhohej sistematikisht për krijimin e institucioneve të lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Këto dhe shumë tekste të tjera gazetareske të Enver Malokut paraqesin, pa dyshim, fondin më të mirë të gazetarisë kritike në Kosovë në këtë gjendje okupimi dhe përpjekjesh për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Në një bisedë që pata vetëm një ditë para se t'i vihej prita vdekjeprurëse, Enver Maloku po manifestonte një gatishmëri, një energji e një fond të pashoq idesh për punë e për angazhime në funksion të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri e për pavarësi “.

 

Përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, në konferencën për shtyp në Gjenevë pas vrasjes së Enver Malokut deklaroi se “pas këtij atentati të paskrupullt qëndrojnë shërbimet sekrete serbe, ndërsa i ndjeri ka qenë edhe më parë i kërcënuar”. I pyetur nga një gazetar rus a ka dëshmi për këtë, z. Mahmuti u përgjigj se "sot shërbimet sekrete serbe të dirigjuara nga Beogradi kanë në shënjestër në Kosovë, pos luftëtarëve të UÇK-së, edhe gazetarët, intelektualët dhe pasi t'i vrasin përmes njerëzve të tyre, përhapin spekulime vetëm e vetëm për të krijuar huti, në një luftë speciale për t'i përçarë shqiptarët, të cilat qëllime sot janë të kota, sepse sot shqiptarët janë të vendosur për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb...".

 

Koincidenca: Dy ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rreshtin që i bëjnë nderime dhe homazhe Enver Malokut, disa javë më vonë bien dëshmor në beteja me ushtrinë serbe dhe varrosen në po ato varreza në Bardhosh (ish-Bradash) të Besianës (ish-Podujevës).

 

A thua e meriton Enver Maloku sot të mos quhet dëshmor!!?? Nga kush po bëhet linçimi moral i Enver Malokut, për të larë komprometimet e veta gjatë luftës!!??



I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorin, mikun dhe bashkëpunëtorin Enver Maloku!

Shefqet Cakiqi-Llapashtica

 

 

Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!