STILI AFGAN

     Shkruar nga Enver Robelli e martë . 07 prill 2009

         Çdo të katërtën ditë gruaja – deshi apo s’deshi - duhet të jetë e gatshme për seks me burrin e saj. Kështu theksohet në një ligj të nënshkruar nga presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai. Në Perëndim shumë politikanë dhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë tronditur

         Kësaj radhe edhe mulla Muhamed Omari, prijësi me një sy i talibanëve, ka arsye të jetë i gëzuar. Ndonëse ai është njëri prej kundërshtarëve më të ashpër të presidentit Hamid Karzai, i cili mbështetet nga Perëndimi, Omarit me siguri i pëlqen përmbajtja e një ligji të nënshkruar nga presidenti në pallatin e tij në Kabul, një vilë madhështore me një kopsht përplot me trëndafila. Kur burri nuk gjendet në udhëtim, ai çdo të katërtën natë ka të drejtë të ketë marrëdhënie seksuale me gruan e tij – deshi apo s’deshi gruaja, kjo nuk është me rëndësi. Në një pasus tjetër thuhet se gruaja duhet t’i plotësojë ”nevojat seksuale“ të burrit, përveçse kur vuan nga një sëmundje, e cila mund të përkeqësohet nga seksi. Ky ligj nuk është shkruar në Mesjetë, por këto ditë në Afganistan, në vitin 2009. Presidenti Karzai e ka nënshkruar këtë zakon, i cili i dedikohet pakicës shiite. Tani mulla Omari, i martuar me vajzën e Osama bin Ladenit, mund të ndihet i trimëruar të luftojë që ky ligj një ditë të vlejë për të gjithë banorët e Afganistanit.

         Kur para shtatë vitesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrëzuan regjimin mesjetar të talibanëve, shumë femra në Afganistan kishin arsye të gëzoheshin dhe të shpresonin se do të fitonin disa të drejta, të cilat për shumë femra në botë janë të vetëkuptueshme. Talibanët ikën në male e shpella dhe trupa të llojllojshme ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s që nga atëherë zhvillojnë një luftë pak a shumë të pasuksesshme kundër këtyre luftëtarëve të stërvitur mirë. Me mbështetjen e amerikanëve dhe të shteteve të tjera perëndimore në Kabul u instalua një qeveri e drejtuar nga presidenti Hamid Karzai, i cili kishte bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në për rrëzimin e talibanëve. Karzai shpejt u shndërrua në një yll të mediave perëndimore, përveç të tjerash edhe nga shkaku se fliste një gjuhë të moderuar dhe recitonte përmendsh listën e „vlerave perëndimore“. Popullariteti i tij u shtua edhe falë stilit të tij të veshjes: ai nuk iu përshtat veshjes perëndimore me xhaketë e pantallona, kravatë dhe rroba të tjera, por i qëndroi besnik veshjes tradicionale, duke bartur një kapelë prej leshi të qengjit dhe mbulesa elegante dhe vezulluese. „Burri i veshur më së miri sot në planet është presidenti i Afganistanit. Veshja e tij është shumë elegante dhe shumë krenare“, kishte thënë Tom Ford, disenjator i shtëpisë së modës “Gucci”. (Paramendojeni kryeministrin Hashim Thaçi të veshur me tirq, xhurdi, gunë të leshtë dhe me plis – dhe duke biseduar me Javier Solanën apo me ndonjë lider tjetër. Ose kryetarin Fatmir Sejdiu. Ose kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, të veshur me fustanellë pala-pala. Disenjatorëve të firmave “Gucci”, “Armani”, “Prada”, “Dolce & Gabanna”, “Zegna”, “Hugo Boss” etj., me siguri do t’iu pëlqente ky stil shqiptar i veshjes). Nejse – kjo është një temë tjetër.

         Të kthehemi te Karzai. Ai tani po lufton të sigurojë sa më shumë mbështetje që në zgjedhjet e gushtit të fitojë mandatin e dytë si president i vendit. Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes dhe aferave të shumta të korrupsionit Karzai ka humbur mbështetjen e SHBA-ve dhe të disa vendeve të tjera perëndimore. Vetë Karzai akuzon trupat amerikane se gjatë aksioneve kundër talibanëve po vrasin edhe civilë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nënshkrimi i ligjit, i cili faktikisht mundëson dhunimin në bashkëshortësi, është edhe më i dëmshëm për shoqërinë afgane. Ky ligj jo vetëm se i mundëson burrit/mashkullit të jetë i plotfuqishëm dhe arbitrar ndaj trupit të femrës, por edhe kufizon shumë të drejta të femrës. Në nenin 133 thuhet se burrat kanë të drejtë t’ua ndalojnë grave çdo punësim të panevojshëm – një formulim që burri mund ta interpretojë si të dojë. Me ton pothuaj të njëjtë janë formuluar edhe nene të tjera të ligjit. Për shembull gratë e pakicës shiite në Afganistan duhet të kërkojnë leje nga burri për të dalë nga shtëpia. „Gruaja mund ta braktisë shtëpinë pa pëlqimin e burrit vetëm për arsye mjekësore apo juridike“, nënvizohet në ligj. Po ashtu ligji parasheh zbritjen e moshës së martesës prej 18 në 16 vjet. Thuhet se një ligj i njëjtë po përgatitet edhe për shumicën sunite në Afganistan.

         Nënshkrimi i ligjit që diskriminon femrat afgane ka nxitur protesta në Perëndim. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha gjatë Samitit të Aleancës në Strasburg/Kehl se është tepër vështirë që aleatët të binden të dërgojnë më shumë ushtarë në Afganistan, të cilët luftojnë për vlera, që presidenti afgan Karzai i shkel haptas. Edhe komisarja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, e kritikoi ligjin afgan. Sipas saj, fjala është për një ligj antifemëror, i cili shprehimisht lejon dhunimin në bashkëshortësi. Duke sakrifikuar të drejtat e femrave presidenti Karzai shpreson se do të gëzojë mbështetjen e ndonjë talibani në zgjedhjet e gushtit. Por çmimi për këtë përkrahje është tepër i lartë. (Lajmi i fundit: pas kritikave ndërkombëtare Qeveria afgane është duke menduar ta rishqyrtojë këtë ligj).

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!