MREKULLIA E ZENICËS

      Shkruar nga Enver Robelli e mërkurë . 08 prill 2009

         Futbolli e bën të mundshme atë që nuk e arrijnë politikanët. Pas fitoreve të kombëtares së Bosnjë-Hercegovinës kundër Belgjikës, euforia ka përfshirë jo vetëm fansat. Heroi i ri i Bosnjës quhet Miroslav Blazheviq

         “…dihet se mbi futbollin peshon një mallkim, i cili për lojtarët,  trajnerët dhe për shikuesit e dëshpëruar nga humbja njëkohësisht domethënë shpëtim. Fjala është për një veprimtari, në të cilën nuk mjafton të fitosh, por duhet të fitohet përherë, në çdo sezon, në çdo lojë kampionati, në çdo lojë”.

         Javier Marías, shkrimtar spanjoll.

         Mendimet për Miroslav “Çiro” Blazheviqin janë të ndryshme. Përkrahësit e tij e quajnë “gjeni”, “patriot” dhe nganjëherë edhe “trajneri më i mirë në botë”. Kritikët Blazheviqin e shohin vetëm si një sharlatan, i cili në çdo kohë është i gatshëm t’ua shesë shpirtin nacionalistëve. Aktualisht Çiroja i famshëm, trajneri i Prishtinës në vitet 80-të, është duke u lavdëruar prej mijëra simpatizantëve të futbollit në Bosnjë. Brenda pak ditësh kombëtarja e futbollit e Bosnjë-Hercegovinës, e cila tashmë gati një vit ushtrohet nga Blazheviqi, e ka mposhtur Belgjikën dy herë: një herë në Genk (4:2), dhe herën tjetër në Zenicë (2:1). Sidomos fitorja në Zenicë ka ngjallur në Bosnjë një eufori të madhe. Ditëve të fundit mijëra fansa kanë parakaluar nëpër qytete duke kënduar dhe duke u rënë borive, madje nëpër rrugë po valëvitet flamuri i Bosnjës, i cili është imponuar nga protektorët dhe nga vezirët perëndimorë dhe rrjedhimisht nuk ishte pritur mirë nga “popullsia lokale”.

         Fitorja futbollistike në Zenicë ka forcuar vetëbesimin e njerëzve në Bosnjë, ka nxitur një entuziazëm dhe mediat vendore i ka shtyrë të spekulojnë se tani e tutje loja në fushën e gjelbër mund të ndihmojë që myslimanët, serbët dhe kroatët e këtij vendi do të tejkalojnë hendeqet etnike dhe do të zhvillojnë një ndjenjë deri-diku të përbashkët kombëtare. Për herë të parë pas përfundimit të luftës para 13 vjetësh sukseset e ekipit kombëtar të Bosnjës po përcillen me vëmendje edhe në entitetin e kontrolluar nga serbët, siç tregoi një anketë e Radios Evropa e Lirë. Popullorësinë e futbollit në Bosnjë e ka shtuar edhe vetë “Çiro” Blazheviqi me temperamentin e tij të papërmbajtshëm dhe me prirjen për të sharë – një ves që shkakton të qeshura në mbarë Ballkanin.

         “Disa gjëra të jetës sonë në botën që shndrit kaltër duken më të bukura sesa në realitet. Në ëndërr, për shembull, burri është më i bukur se gruaja. Por në ëndrra gratë dinë më shumë se burrat, thonë gratë – dhe kanë të drejtë. Gruaja dëshiron që realiteti të jetë i tillë ku ajo mund të jetë ëndërr. Për shembull një mbrojtës zgjohet pas mesnatës, del në dhomën tjetër për të pirë diçka dhe bën shurrën i zhytur në mendime, shikon nëse është duke u terur trikoja, dhe kur kthehet, gruaja rri ulur në shtrat, me shikim fajësues, dhe me ditë të tëra është e inatosur, me të drejtë, sepse në vend që ajo të shihej në ëndërr, burri i saj mbrojtës çastet më të mira të natës i ka kaluar me gjepur”.

         Làszló Darvasi, shkrimtar hungarez.

         Kështu është puna e futbollit. Në dhjetor të vitit të kaluar Miroslav “Çiro” Blazheviqi vizitoi Banjallukën, kryeqytetin e serbëve të Bosnjës, ku u takua me kryeministrin e asaj që quhet “Republika Sërpska“, Milorad Dodik, të cilit ia dhuroi një triko me numrin 11, një top futbolli dhe iu lut që në të ardhmen të mos i përkrahte më ekipet e Serbisë, por të Bosnjë-Hercegovinës. Tani Çiroja pret dhe shpreson që në ndeshjen e ardhshme të Bosnjës kundër Turqisë politikani serb do të zërë një vend në tribunën e nderit dhe do të brohorasë për shtetin e tij, për Bosnjën. “Ky do të ishte një hap drejt pajtimit“, thotë Blazheviq, i cili në vitet 70-të dhe 80-të ka qenë trajner i disa ekipeve zvicerane. Trajneri Blazheviq po ashtu ka premtuar se së shpejti ekipi i Bosnjës do të luajë edhe në qytetet e entitetit serb.

         Pas sukseseve të fundit Blazheviq në Bosnjë gëzon statusin e një burrështetasi. Në Travnik, ku Blazheviq ka lindur para  74 vjetësh (së paku kështu mendohet, sepse ditëlindjen e saktë ai e mban të fshehur) fansat e futbollit këto ditë shpesh vizitojnë varret e prindërve të tij dhe i falënderohen “Zotit që Blazheviqin e dërgoi në Bosnjë në vjeshtën e jetës së tij“. Çiroja tashmë është duke ëndërruar pjesëmarrjen e kombëtares së Bosnjës në Kampionatin Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut vitin e ardhshëm.

         Me angazhimin e tij për paqe dhe mirëkuptim mes popujve në Bosnjë, trajneri Blazheviq ka ngjallur habi në mesin e vëzhguesve të sportit dhe politikës në rajon. Gjatë luftës në Bosnjë ai kishte thënë: “Shyqyr Zotit që gruaja ime nuk është myslimane“. Blazheviq ka qenë një adhurues i presidentit autokrat Franjo Tugjman, i cili mbahet mend për deklaratën se vlera e një kombi shihet në fushëbetejë dhe në fushën e futbollit. Përkundër deklaratave antimyslimane, Blazheviq nuk kishte ngurruar të bëhej trajner i Iranit, madje kishte shprehur dëshirë të vdiste në Teheran. Kur para një viti e kishin ftuar në Bosnjë për t’u bërë trajner i këtij vendi, gruaja e kishte paralajmëruar të mos shkonte, sepse mund të përfundonte sikur Franz Ferdinandi në vitin 1914. Pretendenti austrohungarez atëbotë ishte vrarë me një granatë nga nacionalistët serbë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!