QOFTE NGA LESKOVCI DHE HAVJAR NGA IRANI

 

Shkruar nga Enver Robelli e diel . 26 prill 2009

 

Kryekomunisti jugosllav Josip Broz Tito ka qenë një gurman i madh. Gjatë sundimit të tij ai kishte ngrënë dreka e darka me pothuaj të gjithë politikanët me ndikim në botë. Për këtë kapitull interesant të historisë së kuzhinës raporton në librin e saj kineastja Anja Druloviq

 

1. Gullash gjeorgjian

 

”Komunist me stil“ – kështu njihej në botë kryetari jugosllav Josip Broz Tito gjatë sundimit të tij nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1980, kur vdiq në Lubjanë. Pas bisedave të gjata, të shkurtra, të rënda, të lehta, serioze, joserioze, gazmore apo qesharake – Tito përherë shtronte drekë apo darkë. Ashtu vepronin edhe mikpritësit e tij. Kineastja Anja Druloviq ka zbritur thellë në arkivat e Jugosllavisë dhe ka gjetur menytë e drekave/darkave zyrtare. Libri i saj me titullin ”Titova kuharica“ mund të gjendet në çdo librari të madhe në Zagreb, Sarajevë dhe Beograd. Në fillim të karrierës politike të Titos në dyshemenë ndërkombëtare përmendet darka solemne te Stalini. Më 21 shtator 1944 Tito kishte udhëtuar me një avion sovjetik nga ishulli i Visit në Adriatik drejt Rumanisë, pastaj në Moskë. Qëllimi i vizitës kishte qenë marrëveshja me Stalinin për angazhimin e trupave të Armatës së Kuqe në luftën e partizanëve jugosllavë kundër pushtuesve nazistë. Të dy liderët mes veti përshëndeteshin me „Shoku Stalin“ dhe „Walter“, ky ishte emri konspirativ i Titos në Internacionalen Komuniste. Pas negociatave ata kishin darkuar në daçën (kasollen) e Stalinit. Thuhet se sundimtari në Kremlin e kishte dehur keq Titon me verë dhe vodkë. Në librin e Anja Druloviqit është botuar receta e darkës: havjar i kuq rus, bli (peshk i madh deti me sharrëz mbi kurriz), gullash gjeorgjian me verë, zogj nga skara, kërpudha, thrashegër (boronicë) etj.

 

2. Liker lulesh

 

Pas prishjes me Stalinin Tito vizitoi kryesisht vendet e botës lindore. Me anijen ”Galeb“ ai shkoi në Turqi në vitin 1954. Atje e priti ministri i jashtëm Mehmet Fuat Köprülü, pinjoll i familjes së Qypyrlinjve, e cila ishte me origjinë shqiptare. (Ata që e kanë lexuar Ismail Kadarenë me kujdes do t’u kujtohet kjo familje). Në darkën e shtruar nga presidenti i atëhershëm turk Mahmud Celâl Bayar presidentët kishin ngrënë sallatë me guaca, ravioli, qofte me pilaf, ëmbëlsira me molla dhe kishin pirë liker turk lulesh etj. Në takimin e ardhshëm sovjetiko-jugosllav në vitin 1956 Nikita Hrushçovi për homologun e tij nga Beogradi kishte shtruar sërish havjar, mëlçi pule me dhjamë, patate, konjak dhe verë nga Gjeorgjia.

Pas Bashkimit Sovjetik lideri jugosllav filloi të interesohej për Azinë. Në vitin 1958 një delegacion i lartë jugosllav i kryesuar nga Titoja dhe i përbërë nga Aleksandar Gërliçkov (maqedonas), Xhemal Bijediq (boshnjak), Savka Dabçeviq-Kuçar (kroate), Jozhe Smole (slloven) dhe Dobrica Qosiqi (serb) qëndroi në Indonezi. Për nder të Titos dhe të të tjerëve, presidenti indonezian Sukarno kishte shtruar drekë në ishullin përrallor Bali, ku delegacionet kishin shijuar peshq të servuar në akull, peshq të fërguar dhe peshq të pjekur para mysafirëve, pastaj, në fund, pemë tropikale dhe akullore.

 

3. Mëlçi pate

 

Në vitin 1963 Tito ishte udhëheqësi i parë socialist që vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas krizës me Kubën. Në Washington presidentin jugosllav e priti John F. Kennedy, ku Tito shijoi kërpudha të mbushura me mëlçi pate, guaca me oriz dhe mish gjahu në salcë. Pesë vite më vonë, më 1968, Tito kishte vizituar Iranin, në atë kohë të sunduar nga Shah Muhamed Reza Pahlavi. Ky i fundit e kishte njoftuar Titon për reformat ekonomike që synonin luftimin e varfërisë dhe për ndikimin e padëshirueshëm që kishin firmat e huaja të naftës në këtë vend. Po ashtu Reza Pahlavi kishte treguar me krenari se ua kishte dhënë femrave të drejtën e votës. Darkën për Titon e kishin përgatitur kuzhinierët e rezidencës perandorake: havjar iranian, pogaçe, mish i zier qengji etj. Për desert delegacionit nga Jugosllavia kamerierët i shërbyen djathë zviceran dhe ëmbëlsira orientale.

 

Në vitin 1970 Tito ishte lideri i parë socialist që vizitoi Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo vizitë për Titon ishte delikate. Si lider i lëvizjes partizane ai kishte luftuar kundër gjermanëve, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore premtonin 100 mijë marka të Reichut për kapjen e Titos.

 

Me qëndrimin e tij në Gjermani Tito dëshironte të tregonte se ky vend kishte ndryshuar falë politikës së mençur të kancelarit socialdemokrat Willy Brandt. Dreka e shtruar nga Brandt për Titon ishte tipike gjermane: ragu peshku, suxhuk me lakra, kotëletë derri të egër dhe verë. Në Damask, pas takimit me presidentin e Sirisë Hafez el-Asad në vitin 1974, Titos i kishin shërbyer, përveç tjerash, edhe speca të mbushur dhe një grumbull akulloresh të quajtura „Golan“ (sipas territorit Golan të kontrolluar nga Izraeli). Vizita në Suedi në vitin 1976 për Titon nuk kishte qenë aq domethënëse në kuptimin kulinarik. Mbreti Gustaf për mysafirët nga Ballkani kishte ofruar kunguj vegjetarianë.

 

4. ”Gjyveçi i Bagdadit“

 

Disa keqkuptime kishin ndodhur edhe me rastin e vizitës së Mbretëreshës Elisabeth në Beograd në vitin 1972. Tito i kishte servuar sundimtares britanike qofte nga Leskovci, kajmak, pogaçe, raki vendore ”Vanga“, raki të vjetër nga Leskovci etj. Në fotografinë nga dreka në tryezë shihen disa gota birre të formë të çizmes dhe Mbretëresha me një shikim përçmues drejt pjatës ende të zbrazët. Në menynë zyrtare qoftet në anglisht ishin përkthyer si ”meat fingers“ (gishtërinj mishi).

 

Një ndër banketet më të mëdha për nder të Titos ishte shtruar në vitin 1977 në Kinë, ku lideri i atëhershëm komunist i këtij vendi Deng Xiaoping kishte ftuar tre mijë mysafirë. Gostia kishte zgjatur mbi tri orë, pa llogaritur këtu dollitë. Sipas protokollit jugosllav, me atë rast ishin servuar vezë të vjetra dhjetë vjet në salcë barishtesh mali, sallatë pule në shalqi, supë peshku me algë deti etj. Gjatë këtij banketi Tito kishte refuzuar mishin e harabelit me arsyetimin se si prijës i një shteti të punëtorëve dhe bujqve nuk mund të kapërdinte mishin e kafshëve kërbishtore, të cilat në botën e shpezëve përbëjnë proletariatin.Në vitin 1979 Tito kishte zhvilluar vizitat e tij të fundit jashtë vendit. Edhe pse i prekur nga sëmundja ai qëndroi në Kuvajt, Irak, Siri dhe Jordani. Në Bagdad e kishte pritur Sadam Huseini. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të shkëlqyeshme. Firma të ndryshme nga Jugosllavia realizonin projekte të mëdha infrastrukturore, mes tjerash jugosllavët ndërtuan tri aeroporte në vlerë prej 2,1 miliardë dollarësh. Këto aeroporte më vonë u shkatërruan gjatë luftës së udhëhequr nga Amerika kundër Irakut në fillim të viteve 90. Gjatë qëndrimit në Bagdad Tito banoi në pallatin më luksoz. Për nder të Titos kuzhinierët e Sadam Huseinit përgatitën një gjellë të quajtur ”Gjyveçi i Bagdadit“. Po në vitin 1979 Tito mori pjesë në Samitin e vendeve të painkuadruara në Havanë të Kubës.  Ushqimi i servuar për drekë ishte i lehtë, me perime dhe pemë tropikale dhe quhej ”Cocktail Hemingway“. Po ashtu Titos iu servua peshk ”sipas mënyrë havaniase“.

 

Përveç takimeve me politikanë, Tito gjatë karrierës së tij si sundimtar i Jugosllavisë kishte pritur edhe shumë yje filmi dhe princesha. Në një foto në librin e Anja Druloviqit Tito shihet me një puro në dorë në anije duke shëtitur me aktoren e famshme Sophia Loren, e cila për nder të liderit jugosllav kishte përgatitur një drekë në ishullin Brioni. Në këtë ujdhesë Tito kishte pritur edhe princeshën angleze Margaret.

 

5. Gjellë peshku

 

Në vende të tjera në Jugosllavi Tito ishte takuar dhe kishte drekuar apo darkuar edhe me shkrimtarë si Miroslav Kërlezha dhe Branko Qopiq, me këngëtaren e njohur franceze Josephine Baker etj. Në vitin 1972 Tito në Brioni e kishte pritur dhe i kishte shtruar drekë (gjellë peshku sipas mënyrës së marinarëve) aktores së famshme italiane Gina Lollobrigida, ndërsa regjisorit të njohur Velko Bullajiq, i cili me filmin e tij ”Beteja në Neretvë“ kishte hyrë në historinë e socializmit jugosllav, Tito i kishte shtruar një drekë tipike nga rajoni i tij i lindjes, nga Zagorja. Gjatë xhirimit të filmit ”Sutjeska“ në vitin 1971 në Jugosllavi kishin qëndruar edhe aktori i famshëm Richard Burton, i cili luante rolin e Titos dhe në atë kohë ishte i martuar me Elisabeth Taylorin. Që të dy kishin qenë mysafirë të Titos. Në darkën e lamtumirës në Brioni për nder të tyre ishte përgatitur një biftek tartarian.

 

robelli@bluewin.ch

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!