NJË GREVË DHE NJË MIJË GËNJESHTRA

 

Shkruar nga Enver Robelli   e enjte . 12 mars 2009

 

Periskop

 

Me rastin e shënimit të 20-vjetorit të grevës së minatorëve të “Trepçës” u manipulua keq historia dhe kësaj proteste madhështore iu dhanë atribute të rrejshme

 

I. “Nuk ka jetë të vërtetë në të rrejshmen”

 

Filozofi, sociologu dhe teoricieni i muzikës Theodor W. Adorno (1903-1969) ka mbetur në kujtesën e njerëzimit edhe me këtë thënie: “Nuk ka jetë të vërtetë në të rrejshmen”. Kjo është po aq e saktë sa edhe konstatimi se një tavolinë e rrumbullakët kurrë nuk mund të jetë katërkëndëshe. Duket që shumica e pjesëmarrësve dhe folësve në tubimet, takimet, ndejat dhe ceremonitë me rastin e shënimit të 20-vjetorit të grevës së minatorëve të “Trepçës” as që kanë dëgjuar për gjermanin e famshëm Theodor W. Adorno. Rrjedhimisht, me gjasë, as që kanë lexuar diçka nga vepra e tij e madhe. Sikur të kishin lexuar e mësuar diçka nga Adorno, folësit në manifestimet e kujtimit të grevës së minatorëve të “Trepçës” nuk do ta ndryshonin historinë me një mendjelehtësi të padurueshme. Sipas raportit të televizionit publik (RTK) folësit thanë se greva e punëtorëve të “Trepçës” kishte nisur procesin e shkatërrimit të Jugosllavisë dhe shpërbërjes së komunizmit. Kështu minatorëve të “Trepçës” iu vesh roli i prijësve të të gjitha ndryshimeve në Evropën Lindore. Me një retorikë fluturuese u harrua kryengritja legjendare e Hungarisë kundër komunizmit në vitin 1956, kryengritja çekosllovake në vitin 1968, u injoruan disidentë, si Vaclav Haveli, u harrua lëvizja sindikale polake Solidarność dhe Lech Walesa. U injoruan të gjithë ata intelektualë që kritikuan regjimet komuniste në Lindje. Dhe u përmendën vetëm minatorët e “Trepçës”.

 

II. Dy flamuj të lidhur nyjë

 

Greva e minatorëve është një episod i rëndësishëm i historisë më të re të Kosovës. Ajo ka ndikuar që opinioni i atëhershëm jugosllav (sidomos në Kroaci dhe Slloveni), dhe pastaj edhe në vendet e Evropës Perëndimore dhe në Amerikë, të kuptojë më mirë gjendjen në Kosovë dhe rrezikun që i kanosej Jugosllavisë socialiste nga politika agresive e Slobodan Milosheviqit. Por greva e minatorëve të “Trepçës” nuk ka qenë lëvizje për shkatërrimin e komunizmit, as për shpërbërjen e Jugosllavisë. Të gjithë atyre që nuk u është shlyer ende mbamendja dhe dija për historinë më të re të Kosovës mund të rikujtojnë pamjet e grevës, ku shihen minatorë të molisur duke e mbajtur në dorë fotografinë e Josip Broz Titos, themeluesit të Jugosllavisë. Ata që i mbajnë mend pamjet e Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP) e dinë mirë se minatorët e “Trepçës” për të treguar se nuk kishin asgjë kundër një Jugosllavie të popujve të barabartë i kishin lidhur nyjë flamurin e kombësisë shqiptare (me shkabë dykrerëshe dhe me një yll të madh në anën e majtë) me flamurin trengjyrësh të Jugosllavisë dhe me yllin e kuq të komunizmit. Lidhja e këtyre dy flamujve simbolizonte qëndrimin politik të shqiptarëve në Jugosllavi kundër politikës së Slobodan Milosheviqit dhe kamarillës së tij. Vetëm manipuluesve të historisë nuk u kujtohen ata minatorë që publikisht deklaronin se greva kishte për qëllim të mbrojë të arriturat e kohës së Titos, pra barazinë e shqiptarëve me kombet e kombësitë e tjera, që kishte filluar të realizohej dhe që rrezikohej të shkatërrohej dhe në fund vërtet u rrënua nga pushteti i ri në Beograd. Për të gjitha këto kërkesa për barazi në kuadër të Jugosllavisë askush nga minatorët nuk duhej të turpërohej as sot, as në të ardhmen. Sot shumë patriotë me bateri mund të gërvallen sokaqeve të Prishtinës me kërkesa të ndryshme politike, të kritikojnë dhe të çirren pa fund – ndërsa në rrethanat politike kur u mbajt greva e minatorëve paraqitja e kërkesave të realizueshme, siç ishte bërë në fakt, ishte një largpamësi politike.

 

III. “Në emër të  revolucionit...”

 

Në vend që t’i jepnin grevës së minatorëve të “Trepçës” veçori të paqena, folësit në ceremonitë me rastin e 20-vjetorit të grevës është dashur t’i respektonin faktet historike, duke rikujtuar kërkesat e punëtorëve. Kanë qenë gjithsej dhjetë kërkesa. Mes tjerash kërkohej “garantimi i themeleve të Kushtetutës së vitit 1974”, “të merren në përgjegjësi ata të cilët kanë hartuar propozimin e Ligjit për pensionimin e punëtorëve të arsimit para kohe në Krahinë”, “Rrahman Morina të ndërrohet nga pozita e kryetarit të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. (...) Po ashtu të japin dorëheqje Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi”, “të ndërpritet politika e gabuar ndaj popullit shqiptar”, “menjëherë të vijnë dr. Stipe Shuvari, Slobodan Milosheviqi dhe Ali Shukriu”, “të njoftohen përfaqësuesit e krahinave dhe të republikave për gjendjen në Kosovë”, etj. Me kërkesat e drejta të minatorëve të “Trepçës” u solidarizuan edhe disa minatorë serbë e malazezë, “ndër të cilët ishin Milentije Milentijeviq dhe Dragan Jovanoviq” (sipas librit “Epopeja e minatorëve”, botuar në Prishtinë në vitin 1996). Në këtë libër vetë Burhan Kavaja, njëri nga ish-drejtorët e “Trepçës”, shkruan se me këshillën e tij minatorët kishin hequr dorë nga kërkesa që Kosova të jetë Republikë në kuadër të Jugosllavisë, sepse “tani nuk është momenti dhe situata që të dilet edhe me këtë kërkesë. (...) Kërkesa verbale ‘Kosova Republikë’ tash për tash do të mund ta zvogëlonte dukshëm përkrahjen jashtë Kosovës dhe do ta rriste represionin në Kosovë”. Për rrethanat e asokohshme kjo analizë ka qenë mjaft logjike, sepse vetëm mbrojtja e asaj që ke është parakusht për t’u angazhuar që të arrish atë që dëshiron. Prandaj, nga perspektiva e atëhershme politike nuk ka qenë e çuditshme të kërkohej që “në emër të revolucionit, për të cilin derdhëm gjak së bashku për Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse të kombeve e të kombësive të barabarta”, të shpëtohen minatorët e ngujuar në zgafelle. Por as nga perspektiva e sotme. Edhe pse ndryshe mund të mendojnë mençurakët e rinj të Kosovës, të cilët me përralla dhe me magji mendojnë t’i zgjidhin të gjitha problemet e mundshme.

 

IV. “Apeli 215” dhe harresa

 

Meqë jemi te greva e minatorëve të “Trepçës”, do të ishte e udhës që bashkë me këtë përvjetor të përkujtohej edhe “Apeli 215” i intelektualëve të Kosovës, i cili iu prezantua opinionit jugosllav më 21 shkurt 1989, pra, ditën e dytë të grevës së minatorëve. Ky apel i shkruar me gjuhën e arsyes dhe të urtësisë, është një ndër dokumentet më të fuqishme të angazhimit të intelektualëve të Kosovës në mbrojtje të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Jugosllavisë. Do të ishte po ashtu e udhës që të kujtoheshin e të falënderoheshin edhe disa avokatë sllovenë dhe kroatë, të cilët i mbrojtën minatorët në proceset e montuara politike pas përfundimit të grevës. Orga­nizatorët e ceremonive sivjet, në 20-vjetorin e grevës, është dashur të rikujtonin se greva e minatorëve pati jehonë të jashtëzakonshme larg përtej kufijve të Kosovës, sidomos falë angazhimit dhe punës profesionale të gazetarëve. Meqë jo pak njerëz në Kosovë po mendojnë se historia fillon me ta, edhe në ceremonitë për 20-vjetorin e grevës së minatorëve u harrua të përmendej se një rol të pazëvendësueshëm në popullarizimin e kërkesave të punëtorëve të “Trepçës” luajtën gazetarë dhe personalitete të tjera të rëndësishme të asaj kohe, si Zenun Çelaj, Fehim Rexhepi, Veton Surroi, pastaj kolegët e revistës së atëhershme “Zëri”, kryeredaktori i Radio-Zagrebit, Mla­den Lackoviq, dhe gazetarët Milenko Pajaliq e Dubravko Merliq, po ashtu gazetarët e Radiotelevizionit të Lubjanës, Marjan Dobresh dhe Marijan Jenbo. Të gjithë këta emra u injoruan, sepse Kosova është bërë njëfarë province e tmerrshme, ku nuk shihet asgjë përtej gardhit dhe ku gabimisht mendohet se çlirimi i saj është meritë e një tarafi të vetëm politik dhe ideologjik. Nuk u kujtua e nderua Ivan Potërç, i cili në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Sllovenisë kishte kritikuar indiferencën e pushtetarëve të atëhershëm ndaj grevës dhe kishte thënë se “Trepça” “është turpi ynë”. Nuk u ftua askush nga Shoqata e Shkrimtarëve të Sllovenisë, e cila gjatë grevës në vitin 1989 kishte apeluar që të mbrohet populli shqiptar nga “nacionalizmi serbomadh”. Nuk u përmend intelektuali kroat Slobodan Lang, i cili kishte shkruar: “Në horizontin e nëntë të gjithë kemi humbur të drejtën e heshtjes”, nuk u përmend aktori Bekim Fehmiu, i cili i mbështeste “bijtë e ‘Trepçës’ legjendare, revolucionare dhe liridashëse”, të cilët ngritën “lart revoltën kundër shpifjeve e fyerjeve që mohojnë vetëdijen kombëtare...”. Pra, në ceremoninë e 20-vjetorit të grevës në “Trepçë” u fol shumë, u manipulua jo pak – dhe u injoruan pamasë faktet historike. Keq për këtë vend!

 

robelli@bluewin.ch

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!