CULLAK NË ALPET E ZVICRËS

 

Shkruar nga Enver Robelli   e mërkurë . 11 mars 2009

 

Periskopi

 

Pas zbulimit të disa alpinistëve duke ecur maleve e kodrave në kostumin e Adamit (domethënë krejt  cullak), kantoni zviceran Appenzell Innerrhoden ka ndaluar me ligj qëndrimin lakuriq në natyrë. Disa protestojnë kundër kufizimit të lirisë, të tjerët kërkojnë edhe heqjen e këpucëve. Ndoshta edhe Kosova do të ballafaqohet me probleme të tilla - pas një shekulli.

 

Më datën 13 shtator 2008 gazeta “Schweizer Bauer“ (“Bujku zviceran“) njoftonte se në Alpstein, një zonë malore në kantonin Appenzell Innerrhoden, në rrjetin e policisë kishte përfunduar një person, i cili po shëtiste pa asnjë teshë në trup, përveç këpucëve. Zakonisht komunikatave të policisë zvicerane u mungon çdo ironi. Por në rastin konkret edhe policia ndoshta pa vullnetin e saj kishte formuluar komunikatën me ton qesëndisës. „Shpresojmë se pas kësaj ndërhyrjeje dhe pas ftohjes së paralajmëruar të motit këto ndodhi do t’i përkasin të kaluarës“, thuhej në buletinin e policisë.

 

Personi i arrestuar cullak nuk ishte i vetmi. Gjatë verës së kaluar në kantonin Appenzell Innerrhoden ishin parë nga policia disa alpinistë të zhveshur. Qytetarë të shqetësuar i kishin telefonuar ruajtësve të rendit, disa madje i kishin fotografuar delikuentët dhe pamjet e tyre i kishin dorëzuar në polici. Lajmi për arrestimin e një personi të cullakuar shpejt mori dhenë përtej kufijve të kantonit të vogël në lindje të Zvicrës. Në forumet e internetit në Gjermani u zhvilluan debate emocionale mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të alpinizmit lakuriq. Disa thoshin: të ecësh krejt zhveshur është e drejtë njerëzore dhe përjetim i afërt i natyrës. Të tjerët protestonin dhe kërkonin të ndaloheshin këto dukuri të pazakonshme. Politikanët frikësoheshin se do t’i dilte „zâni i zi“ kantonit dhe shumë turistë nuk do të vinin për të kaluar pushimet në malet dhe kodrat e bukura të Appenzell Innerrhoden. Shpejt filloi debati për ndryshimin e ligjit mbi shkeljet publike. Pothuaj të gjitha mediave zvicerane tema u dukej aq atraktive saqë raportuan gjerësisht mbi këtë „problem“ dhe „fenomen“.

 

Para pak ditësh në Appenzell u mblodh parlamenti kantonal. Salla e parlamentit është vërtet e bukur. Piktura nga shekulli i 16-të tregojnë Jezusin dhe disa shenjtorë; në sallë, e cila nuk është më e madhe se një klasë shkolle, ka edhe disa ikona mbi temën e dashurisë, besimit dhe drejtësisë. Pika e tetë e rendit të ditës ishte delikate. Fjalën e mori kryetari i komisionit për drejtësi dhe siguri. Ai tha: „Zonja kryetare, zoti kryetar i qeverisë kantonale, të nderuara zonja e zotërinj të parlamentit dhe të komisionit! Alpinizimi lakuriq ka marrë një dimension të paparë në shtyp. Futja në ligjin penal neve nga komisioni për drejtësi na duket me vend. (…) Me këtë ligj policia do të ketë një instrument efektiv, që t’i kundërvihet hedhjes së mbeturinave, zhurmës dhe sjelljes së pahijshme (p.sh. alpinizmit lakuriq, v.j.). Komisioni i drejtësisë i kërkon parlamentit që të pajtohet me ndryshimin e ligjit dhe kështu, në kuptim këshillues, t’ia parashtrojë edhe kuvendit vendor (Landsgemeinde) për miratim”.

 

Landsgemeinde është një ndër format më të vjetra dhe më të thjeshta të demokracisë zvicerane, ku qytetarët me të drejtë vote mblidhen në një ditë të caktuar nën qiellin e hapur për të zgjedhur qeverinë dhe për të miratuar ligje.

 

Landsgemeinde mund të krahasohet edhe me kuvendet shqiptare si trajta të demokracisë, ku përmes sistemit të kuvendimit shoshiten dhe zgjidhen problemet e shoqërisë. Pritet që kuvendi vendor i kantonit Appenzell Innerrhoden të miratojë sivjet ndryshimin e ligjit dhe kështu të ndalojë shëtitjen cullak nëpër male, fusha, kodra, lëndina, roga, çelëtira e lirishta. Në të ardhmen ata persona që ecin cullak në Appenzell Innerrhoden dhe zbulohen nga policia, duhet të paguajnë një gjobë prej 200 frangash zvicerane. Disa banorë të këtij kantoni zviceran tani kanë frikë se mund të vijnë edhe turistë, të cilët nga tarracat e restoranteve malore bëhen sikur shikojnë me dylbi ndonjë cjap apo ndonjë harabel në largësi. Por ndonjëri me tejqyrë mund të zbulojë edhe ndonjë person lakuriq dhe menjëherë të lajmërojë policinë.

 

Ndoshta pas një shekulli edhe Kosova do të merret me fenomene të tilla sikur këto të Zvicrës. Atëherë në faqet e para të gazetave të Prishtinës nuk do të ketë më tituj për UNMIK-un, planin gjashtëpikësh, plaçkitjet në KEK dhe gjepura të tjera. Mund ta përfytyrojmë një situatë, kur në vitin 2109 do të shkruhet ky titull: “Kantoni i Dukagjinit miraton ligjin për ndalim të ecjes lakuriq në malet e Rugovës”; “Edhe kantoni i Mitrovicës Veriore kundër alpinizmit lakuriq”; “Arrestohen dy alpinistë cullak duke u ngjitur në Luboten”; “Policia zbulon në Nerodime një grup alpinistësh në kostum të Evës” etj. Atëherë ndoshta Kosova do të ketë një revistë me emrin “Bujku kosovar”, i cili do të njoftojë se policia në Gërmi kishte arrestuar një person, i cili po shëtiste pa asnjë teshë në trup, përveç këpucëve. Atëherë komunikata e policisë e shkruar nga zëdhënësi Veton Elshani (jo ky që e njohim nga mediat) do të tingëllonte kështu: “Policia e Republikës së Kosovës shpreson se pas kësaj ndërhyrjeje dhe pas ftohjes së paralajmëruar të motit këto ndodhi do t’i përkasin të kaluarës“. Sa mirë do të ishte sikur ky vend një ditë të kishte vetëm këso shqetësimesh!

 

robelli@bluewin.ch

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!