PËRQAFIME PAS POSHTËRIMIT

 

Shkruar nga Enver Robelli   e premte . 16 janar 2009

 

Periskopi

 

Me decenie të tëra në diskursin publik, nëpër shkolla dhe në universitet pseudoelita mendore dhe politike kosovare ka ndërtuar një sistem  pikëpamjesh negative kundër Turqisë, duke e njëjtësuar këtë shtet me Perandorinë Osmane, e cila furishëm është shpallur fajtore për çdo mbrapshti dhe prapambeturi të kombit shqiptar. Në mediat e Prishtinës madje janë botuar fyerje të rënda kundër popullit turk. Tani politikanët e Kosovës po garojnë se cili po flet fjalë më të mira për Turqinë, e cila po dëshmohet si aleate e madhe e shtetit kosovar

 

1. Në krah të Amerikës

 

Në fillim të viteve 90, kur shumicës së popujve të Ballkanit u faniteshin fantazmat e luftës, presidenti i atëhershëm i Turqisë, Turgut Özal, kishte mbajtur një qëndrim të bindshëm proamerikan karshi konflikteve në botë. Özal kishte mbështetur çlirimin e Kuvajtit pas pushtimit nga trupat irakiane dhe kishte kërkuar veprime konkrete të Perëndimit kundër agresionit serb në Bosnjë-Hercegovinë. Në vitin 1993 Özal i kishte thënë presidentit të sapozgjedhur amerikan Bill Clinton se Ankaraja nuk besonte në suksesin e planit paqësor Vance-Owen në Bosnjë për shkak të obstruksioneve serbe; pas vizitës në SHBA Özal kishte organizuar në Stamboll një demonstratë në përkrahjeje të Bosnjës dhe, në shkurt 1993, kishte zhvilluar një vizitë pesëditore në vendet e Ballkanit. Politika e Özalit synonte ta etablonte Turqinë si fuqi mbrojtëse të popujve të shtypur në ish-Jugosllavi. Kësaj politike me synime të mira as që i kishte kushtuar vëmendje ndonjë politikan në Prishtinë. Sado i drejtë dhe i rëndësishëm të ketë qenë pozicionimi i Kosovës në kursin properëndimor, megjithatë injorimi i pjesës tjetër të botës nga politikanët e Prishtinës sidomos gjatë rezistencës së padhunshme në vitet 90 sot ka efekte negative: shumica e pushtetarëve dhe opozitarëve kosovarë prej politikanëve botërorë njohin Javier Solanën, një grumbull zyrtarësh amerikanë dhe ndonjë diplomat evropian. Me Azinë, Afrikën, vendet arabe, me botën lindore pothuajse nuk ekzistojnë kontakte.

 

2. ”Derr-gut“ Özali

 

Njëri ndër shtetet që jo vetëm është injoruar, por edhe është fyer rëndë dhe publikisht në Prishtinë ka qenë pikërisht Turqia. Në fillim të viteve 90 në revistën atëherë të respektuar dhe ndërkohë të varrosur, pra në të përjavshmen ”Zëri“, një shkrimtar kosovar kishte botuar një kolumnë, e cila kishte nxitur edhe reagimin e Ambasadës së Turqisë në Beograd. Autori e kishte quajtur kryetarin e Turqisë ”Derr-gut“ Özal dhe ishte tallur me kuzhinën turke, me duhmën e qofteve, duke e krahasuar atë me erën e keqe serbosllave. Kundër kësaj shfryrje raciste atëbotë kishte protestuar Ambasada e Republikës së Turqisë në Beograd. Diplomatët turq ishin shqetësuar me gjuhën raciste të përdorur në një medium kosovar. Autori i kolumnes ishte përjashtuar nga puna, por kishte vazhduar të shkruante në një gazetë të përditshme që filloi të botohej në Zürich nga mesi i viteve 90 dhe e cila brenda pak vitesh arriti të fëlliqte krejt diskursin publik, duke propaganduar një lloj revolver-gazetarie të paparë në historinë edhe ashtu jo aq të gjatë të shtypit kosovar.

 

3. Fajtorë kujdestarë

 

Shembulli i lartpërmendur i kolumnes skandaloze është ekstrem, por nuk duhet të shikohet si rast i izoluar. Me decenie të tëra në diskursin publik, nëpër shkolla dhe në universitet pseudoelita mendore dhe politike kosovare ka ndërtuar një sistem pikëpamjesh negative kundër Turqisë, duke e njëjtësuar këtë shtet me Perandorinë Osmane. Duke mos bërë asnjë dallim mes Portës së Lartë dhe Republikës së Turqisë të themeluar nga Mustafa Kemali, mësuesit kosovarë edhe filloristëve ua kanë injektuar idenë historikisht të paqëndrueshme se për çdo mbrapshti dhe çdo prapambetje të kombit shqiptar – fajtorë janë turqit, madje shpata e qortimit kundër ”anadollakëve“ është vringëlluar pandërprerë edhe pasi Perandoria Osmane braktisi Ballkanin. Turqit janë akuzuar se shqiptarëve ua kanë imponuar me armë të ftohta prej çeliku një fé tjetër, por historianët seriozë kanë theksuar se një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve në Ballkan vullnetarisht janë konvertuar në myslimanë për shkak të privilegjeve të ndryshme: lirimi nga tatimet, mundësitë gati të pakufishme të bërjes së karrierës në administratën osmane, zgjedhja në poste të larta si kryeministër, komandant, madje edhe guvernator në Bagdad, Bejrut e gjetiu, etj. Duke qenë populli ballkanik më së miri i integruar në Perandorinë Osmane, shqiptarët rrjedhimisht nuk shihnin ndonjë arsye për indipendencë, për themelimin e shtetit të tyre. Historianët romantikë shqiptarë me qejf e shajnë ”Evropën shtrigë“ dhe „kurvë“ për padrejtësi ndaj kombit shqiptar dhe me këmbëngulje e heshtin faktin se udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit kërkuan vetëm autonomi brenda Portës së Lartë, duke respektuar autoritetin e Sulltanit.

 

4. Duke marrë ngrykë  Ali Babacanin

 

Në prag të shpalljes së pavarësisë pushtetarët e Kosovës kishin premtuar njohje të menjëhershme diplomatike prej 100 shteteve. Këto ditë u lansua edhe një premtim: deri nga mesi i vitit pritet njohja prej 70 shteteve. Por me kalimin e muajve udhëheqësit e Kosovës kanë vërejtur se nuk mjafton njohja vetëm nga shtetet perëndimore dhe nga ndonjë ishull mikroskopik në Oqeanin Paqësor. Prandaj, ishte vërtet mallëngjyese të shikosh gjatë kësaj jave se si u prit në Prishtinë ministri i Jashtëm turk Ali Babacan. E pritën këtë Babaxhan të gjithë, presidenti e kryeministri, Babacan foli edhe në Kuvendin e Kosovës në një seancë solemne. Për dallim prej shumë ministrave të jashtëm që vijnë në Prishtinë vetëm sa për të tërhequr vërejtjen se situata duhet të jetë e qetë dhe për të thënë se Kosovën ”e pret një rrugë e gjatë“ drejt Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm turk solli me vete me dhjetëra biznesmenë, premtoi bashkëpunim ekonomik, njoftoi kosovarët e izoluar se Turqia do të heqë vizat dhe paralajmëroi se së shpejti disa shtete nga bota arabe do ta njohin Kosovën; pastaj Ali Babacan u zotua se Turqia edhe më tutje do të lobojë te vende të tjera në favor të Kosovës. Me këtë rast duhet rikujtuar se Kosova pas shpalljes së pavarësisë nuk u kishte kushtuar fare rëndësi marrëdhënieve me Turqinë, edhe pse ky vend ishte ndër të parët që pranoi pavarësinë. Kur presidenti dhe kryeministri kosovar pas shumë vonesave emëruan përfaqësuesit e parë diplomatik të Kosovës në botë, Turqia u injorua. Pastaj doli shefi i Zyrës së Turqisë në Prishtinë dhe tha se vendi i tij do t’i hiqte vizat për kosovarë, atëherë kur Kosova do të hapte përfaqësinë e saj diplomatike në Ankara. Pas këtij qortimi diplomatik pushtetarët e Kosovës ngutshëm vendosën të dërgojnë një reprezentant të Kosovës në kryeqytetin turk. Por dëmi tashmë ishte shkaktuar – pa asnjë nevojë, vetëm si pasojë e injorancës. Tani politikanët e Kosovës po garojnë se cili po flet fjalë më të mira për Turqinë, e cila po dëshmohet si aleate e madhe e shtetit kosovar. Madje, një vizitë krejt e zakonshme e një delegacioni të Parlamentit të Kosovës në Turqi u avancua në temë qendrore të lajmeve të televizionit publik (RTK).

 

5. Hapja e Turqisë

 

Që nga ardhja në pushtet e islamistëve të moderuar të udhëhequr nga kryeministri Rexhep Taip Erdogan shumë klishe për këtë vend kanë rënë në ujë. Turqia nuk është më vetëm vend i burrave mustaqegjatë, të cilët tërë ditën e kalojnë duke pirë çaj nën hijen e blirit. Me gjithë goditjet e shumta që ka marrë demokracia turke nga puçet e shpeshta ushtarake, megjithatë ajo ka arritur të konsolidohet. Për fat të keq, në Turqi ende ndalohen libra dhe ende vriten gazetarë, siç ishte rasti me gazetarin armenian Hrant Dink. Por fanatikët janë në defanzivë. Me gjithë mospajtimet e shumta të gjeneralëve me reformat e kryeministrit Erdogan, ata nuk kanë marrë guximin t’u kundërvihen me puç politikanëve të zgjedhur me votën e lirë. Ndërkohë, Turqia po përpiqet të krijojë një raport më të shtendosur me kurdët, duke lejuar përdorimin e gjuhës së tyre. Në këtë drejtim shteti turk duhet të ndërmarrë edhe shumë hapa, në mënyrë që shtypja e pakicës së madhe kurde të marrë fund. Të gjitha këto zhvillime pozitive i ka nxitur afrimi i Turqisë me Bashkimin Evropian, sidomos pasi ky vend u bë kandidat për anëtarësim në BE dhe pas fillimit të negociatave për anëtarësim. Pas puçit të fundit ushtarak në vitin 1980 gjeneralët përndoqën mijëra intelektualë nga vendi. Në vitin 2006, shkrimtari Orhan Pamuk u nderua me çmimin “Nobel”. Vjeshtën që shkoi Turqia ishte mysafire e Panairit të Librit në Frankfurt. Presidenti Abdullah Gül erdhi në Gjermani me 300 autorë dhe përkthyes të të gjitha ngjyrave. Gül madje publikisht lavdëroi nobelistin Pamuk, i cili është njëri ndër kritikët më të ashpër të deficiteve demokratike të Turqisë. A duhet të mësojë diçka Kosova nga këto zhvillime? Sa për fillim ndoshta duhet të mësohet se Turqia i ka 72 milionë banorë dhe është njëri ndër shtetet më të fuqishme të rajonit.

 

robelli@bluewin.ch

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!