NJË GRUA PËR KATËR BURRA

 

Shkruar nga Enver Robelli   e enjte . 22 janar 2009

 

Periskopi

 

Si u martuan katër burra nga Peja njëri pas tjetrit me një grua zvicerane – vetëm për të rregulluar lejeqëndrimin ose për të marrë pasaportën e Zvicrës. Një tragjikomedi kosovare

 

Ngjyra e pasaportës së Zvic­rës është e ku­qe. Në rastin e një kosovari m­a­­sh­trues, të ci­lin në këtë shk­rim po e q­u­aj­më me emrin fiktiv Hasan Hy­seni, tani gjyqtarët zviceranë e kanë shfrytëzuar pasaportën si karton të kuq dënimi. Gjykata Federale për çështje administrative me seli në Bernë ka konfirmuar të mërkurën vendimet e instancave paraprake që Hasan Hysenit t’i merren shtetësia zvicerane dhe pasaporta. Për ta kuptuar plotësisht ngjarjen e ndërlikuar, ku katër burra shqiptarë “për t’i marrë letrat“ në Zvicër njëri pas tjetrit, mes tyre edhe Hasan Hyseni, martohen me të njëjtën grua zvicerane, po përpiqemi ta rrëfejmë nga fillimi këtë orgji të pazakonshme. Ngjarja është e vërtetë, me gjithë hum­orin e pavullnetshëm që mund të mbizotërojë në këtë shkrim (vendimi i gjykatës zvicerane mban këtë shënim: C-1157/2006).

 

Martesa shpëtuese

 

Hasan Hyseni është lindur në një fshat të komunës së Pejës. Në vitin 1990 ai erdhi në Zvicër si punëtor sezonal. Në vitin 1995 ai u martua me një shtetase të Zvicrës, të cilën po e pagëzojmë me emrin fiktiv Sandra Kessler. Falë kurorës me gruan zvicerane Hasan Hyseni rregulloi lejeqëndrimin në kantonin e Luzernit dhe i shpëtoi dëbimit në Kosovë, sepse atëbotë ai nuk i plotësonte kushtet për të punuar dhe jetuar më tutje në Zvicër. Më 10 mars 1999 Hasan Hyseni parashtroi kërkesën për të marrë shtetësinë zvicerane dhe pasaportën e kuqe me kryq të bardhë, e cila të mundëson të udhëtosh pothuaj në çdo cep të botës, madje në shumicën e vendeve evropiane mjafton vetëm letërnjoftimi zviceran. Mbi një vit më vonë, në kuadër të procedurës për shtetësi, Hasan Hyseni dhe gruaja e tij zvicerane nënshkruan një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës konfirmonin se jetojnë në një bashkëshortësi stabile dhe se nuk kanë asnjë qëllim të divorcohen. Më 26 tetor 2000 Hasan Hyseni e mori shtetësinë zvicerane dhe të drejtat e plota si qytetar i kantonit Schwyz dhe i një komune, në të cilën ai jetonte bashkë me gruan e tij zvicerane. Pas më pak se katër muajve, më 15 shkurt 2001, Gjykata e Qarkut në Pejë, mori vendim për shkurorëzimin e Hasan Hysenit nga gruaja e tij zvicerane.

 

Një apel lexuesit/lexueses: këtu duhet të ndaleni pak dhe të merrni frymë thellë!

 

Vazhdojmë.

 

Pasi u nda nga gruaja zvicerane Hasan Hyseni më 26 prill 2001 u martua me Hanumshahe Hajrullahun. Ajo ishte gruaja e Danush Hysenit, vëllait të Hasan Hysenit. Danushi ishte ndarë nga gruaja e tij më 15 shkurt 2001 – pra, atë ditë kur edhe vëllai i tij Hasan Hyseni u divorcua nga bashkëshortja zvicerane. Sipas gjykatës Hanumshahja kishte lindur një fëmijë më 28 shtator 2001, babai i të cilit ishte – Hasan Hyseni. Gjithnjë sipas gjykatës zvicerane: Hasan Hyseni në dhjetor të vitit 2000 kishte filluar një aferë intime me kunatën e tij, në janar 2001 ishte kuptuar se ajo ishte shtatzënë dhe më 15 shkurt Hanumshahja ishte divorcuar nga Danushi, vëllai i Hasanit, në Gjykatën e Qarkut në Pejë. Hasani ka deklaruar se vëllai i tij Danushi kishte pasur një krizë bashkëshortore, prandaj nga kjo situatë ai (Hasani) ishte afruar me kunatën e tij dhe kishte filluar lidhjen intime jashtëmartesore derisa ende ishte i martuar me gruan nga Zvicra. Më 23 tetor 2003 Hanumshahja, e cila ndërkohë jetonte në Zvicër me burrin e saj të ri, pra me Hasanin, kishte parashtruar një kërkesë për procedurë të lehtësuar të marrjes së shtetësisë. Edhe Hanumshahja e donte pasaportën e kuqe të Zvicrës. Ecim më tutje.

 

Sandra dhe Ferati

 

Sandra Kessler, ish-gruaja zvicerane e Hasan Hysenit, më 19 qershor 2001, pra katër muaj pasi ishte ndarë, u martua në Kosovë me Ferat Hysenin, i cili ishte një kushëri i Hasan Hysenit. Dy muaj më parë Ferati ishte ndarë nga gruaja e tij kosovare, me të cilën kishte pesë fëmijë. Pas martesës Sandra kishte bërë një kërkesë që burri i saj i ri Ferati të merrte lejen e qëndrimit në Zvicër. Por Enti për Migracion i kantonit të Luzernit e hodhi poshtë këtë kërkesë për shkak të dyshimit se fjala ishte për një martesë me qëllim mashtrimi.

 

Këtu filloi të rrokulliset orteku i madh i borës, orteku i mashtrimit. Institucionet zvicerane filluan të hulumtojnë dhe shpejt shprehën dyshimin se Hasan Hyseni e kishte marrë shtetësinë e Zvicrës me “parakushte të rrejshme”. Të gjitha instancat zvicerane vendosën që Hasan Hysenit t’i anulohet shtetësia. Në fund ai u ankua edhe në Gjykatën Federale për çështje administrative në Bernë, por dhe këtu e humbi betejën, siç mund të lexohet në vendimin e këtij institucioni të publikuar të mërkurën për opinionin zviceran. Rrëfimi nuk përfundon këtu.

 

Hairi i katundit

 

Në kuadër të hetimeve autoritetet e kantonit të Luzernit kanë konstatuar se Sandra Kessler gjatë viteve 90 ka bërë një jetë të bujshme. Mes viteve 1990 dhe 2001 ajo është martuar katër herë me katër burra nga katundi i njëjtë i Komunës së Pejës, duke numëruar këtu edhe martesat e lartpërmendura me Hasan Hysenin dhe Ferat Hysenin. Në të gjitha këto raste autoritetet kanë ardhur në përfundim se burrat kosovarë kanë lidhur kurorë me Sandra Kesslerin vetëm sa për të siguruar qoftë lejeqëndrimin në Zvicër ose – edhe më mirë - për të marrë shtetësinë e këtij vendi, përfshirë edhe pasaportën e Zvicrës.

 

Gjykata Federale për çështje administrative ka kritikuar Hasan Hysenin për sjelljet dhe veprimet e tij. Fakti që ai ka pasur një lidhje jashtëmartesore me kunatën e tij (gruan e vëllait), sipas gjykatës, është një “shkelje e rëndë e lojaliteteve bashkëshortore dhe farefisnore”. Duke pasur parasysh sfondin prejardhës sociokulturor të Hasan Hysenit gjykata konstaton se sjellja e tij është edhe më e papranueshme nga shoqëria kosovare. Gjykata kritikon Hasan Hysenin se menjëherë pasi ka vërejtur se martesa e vëllait të tij është në krizë, ai ka shkelur mbi të gjitha normat themelore të bashkëjetesës familjare dhe farefisnore, duke filluar lidhje intime me kunatën e tij. Hasan Hyseni është detyruar nga gjykata të mbulojë shpenzimet e procedurës (gjithsej 700 franga zvicerane). Ai tani mund t’i drejtohet instancës së fundit: Gjyqit Suprem të Zvicrës me seli ne Lausanne. Duke pasur parasysh vendimet e deritanishme refuzuese, shanset e Hasan Hysenit për të mbajtur pasaportën zvicerane janë baras me zero.

 

Agjentët e ashpër

 

Martesa mes një gruaje apo burri zviceran me një të huaj konsiderohet e rrejshme dhe është e dënueshme me ligj nëse çifti i ri nuk jeton bashkë. Indikacione të një martese të rrejshme janë dallimi i madh në moshë mes partnerëve, martesa pas një njohjeje të shkurtër kohore ose pak para se shtetasi i huaj është i detyruar të braktisë Zvicrën. Kush pranon një martesë të rrejshme, kush e ndërmjetëson apo e nxit atë, mund të dënohet më së shumti me tre vjet burg apo me gjobë në të holla. Kush merr para për martesë të rrejshme mund të futet në birucë deri në pesë vjet. Nëse partneri zviceran konstaton se martesa me një të huaj është bërë vetëm me qëllim të sigurimit të lejeqëndrimit, atëherë mund ta shpallë bashkëshortësinë të pavlefshme. Në vitin 2007 në kantonin e Zürichut janë anuluar 500 martesa për shkak të dyshimit se ato janë të rrejshme. Detektivët e policisë kanë vizituar pa paralajmërim çiftet dhe kanë konstatuar se fjala është për martesa me qëllim mashtrimi. Autoritetet zvicerane llogarisin se për çdo vit në Zvicër lidhen një mijë martesa të rrejshme. Së fundi, kantoni i Baselit ka ngarkuar një firmë private për të zbuluar mashtruesit bashkëshortorë. Agjentët privatë kanë të drejtë të këqyrin në dritare të banesave, të pyesin fqinjët dhe të vijnë befasisht për vizitë për të konstatuar nëse çifti bashkëshortor vërtet jeton së bashku.

 

robelli@bluewin.ch

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!