RTK - RAFINERIA PËR TORTURIMIN E KOSOVËS

 

Shkruar nga Enver Robelli   e mërkurë . 18 shkurt 2009

 

Periskopi

 

Televizioni publik i Kosovës është shndërruar në instrument të interesave të politikanëve. Fajtorë për këtë janë pseudogazetarët dhe udhëheqja e RTK-së, që prej vitesh kanë shkelur mbi çdo parim të ndershmërisë profesionale. Këtë gjendje të rëndë e konfirmon edhe organizata zvicerane „Medienhilfe“, e cila është e angazhuar edhe në Kosovë

 

Radiotelevizionit të Kosovës i takon merita për dëfrimin e miletit. Jo vetëm në rastin e festave, siç ishte kjo e çerekpavarësisë shtetërore, por edhe ditëve të tjera programi i RTK-së mbushet me këngë e valle, të cilat përsëriten prej vitesh. Kjo është puna më e lehtë, sepse vetëm bëhet ndërrimi i së njëjtës kasetë. Lajmet e RTK-së, sidomos ato qendrore në orën 19:30, u përngjajnë gjithnjë e më shumë artikujve të gazetës sovjetike „Pravda“ në kohën e lulëzimit të komunizmit. Jo pak gazetarë dhe redaktorë të RTK-së kanë filluar t’u shëmbëllejnë kalemxhinjve të dikurshëm të „Pravdës“, të cilët vraponin pas Stalinit, duke e uruar të jetonte 100 vjet. Por diktatori nuk ishte i kënaqur dhe njëherë i kishte qortuar gazetarët me fjalët: „Pse ky kufizim?“. Stalini dëshironte të jetonte përjetësisht.

 

Gjendja e tanishme katastrofale në RTK, ndërkaq, nuk do të duhej të përjetësohej, sepse mund t’i shkaktojë dëme të pandreqshme demokracisë edhe ashtu dobët të zhvilluar në Kosovë. Ky televizion nuk e përmbush obligimin e tij për të njoftuar opinionin në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ndikimi i politikës është evident. Kështu ka qenë në të kaluarën, nën regjimin e kryeministrave të tjerë, edhe më zi është bërë muajve të fundit. Fajtorë për këtë gjendje janë pseudogazetarët dhe udhëheqja e RTK-së, që prej vitesh shkelin mbi çdo parim të ndershmërisë profesionale dhe pranojnë të bëhen tellall të secilës koniunkturë politike. Në Prishtinë është sekret publik se jo pak gazetarë të RTK-së, siç thuhet, „i kanë duart të përlyera nga korrupsioni“, i cili manifestohet në forma të ndryshme. Për shembull ka gazetarë të RTK-së, për të cilët flitet gjerë e gjatë në Prishtinë se u kërkojnë para biznesmenëve për t’i prezantuar në televizion. Ka gazetarë të RTK-së, të cilët akuzohen nga kolegët e tyre nga e njëjta shtëpi mediale se për një favor financiar apo për një kamion me material ndërtimor „bëjnë“ raporte pozitive për biznesmenë, politikanë apo firma të caktuara. Vetë fakti që ekzistojnë fajësime të tilla, të cilat mund të jenë vetëm pjesërisht të vërteta, tregon se diçka nuk është në rregull në RTK, sepse aty ku ka tym – patjetër ka edhe zjarr.

 

Ka gazetarë të RTK-së, të cilët shkojnë në udhëtime në botën e jashtme me para të politikanëve dhe rrjedhimisht nga shkretëtirat e Arabisë dërgojnë raporte, të cilat s’janë gjë tjetër përveç se lëpirje e këmbëve dhe shumë vendeve të tjera të po këtyre politikanëve. Këto janë krime! Me këto veprime të marra dhe qëllimkëqija kjo bandë e korruptuar pseudogazetarësh përdhunon profesionin e gazetarit. Ashtu siç shkelin etikën publicistike ata gazetarë të RTK-së që shtyhen me bërryla për të lozur rolin e kanakarit të qeverisë. RTK-ja, në fakt, nuk është akronim për Radiotelevizionin e Kosovës, por për një rafineri për torturimin e Kosovës.

 

Kush do duhej ta ndërpriste këtë fundosje të televizionit publik? Këtë nuk mund të bëjë drejtori i përgjithshëm dhe i diskutueshëm i RTK-së, Agim Zatriqi, sepse ai pafalshëm gjatë ua ka lyer me mjaltë mustaqet pushtetarëve. Tani është e padobishme që Zatriqi të ankohet se dikush nga qeveria po i dërgon selame jo aq të përzemërta, duke e kritikuar pse e bëri drejtor të televizionit muzikantin Antonio Gashi dhe jo kanakarin e pushtetit Mentor Shala, siç përshkruhet ky gazetar nga disa kolegë të tij brenda RTK-së. Situatën në RTK nuk mund ta përmirësojë as bordi (pa mandat) i RTK-së, i cili – me disa përjashtime – përbëhet kryesisht prej njerëzve që nuk kanë asnjë haber mbi rëndësinë e mediave. E vërteta është se bordi dominohet prej inxheve dhe tezeve të asaj që quhet shoqëri civile e Kosovës, të cilën publicisti britanik Tim Judah para disa vitesh e ka quajtur „shoqëri e poshtër e kafehaneve të Prishtinës“. Megjithatë, në bordin e tanishëm ka disa anëtarë që janë duke menduar që së paku publikisht t’i denoncojnë pseudogazetarët e korruptuar, të cilët, sikur Kosova të ishte vend normal, urgjentisht do të duhej të përjashtoheshin nga puna dhe, pastaj, t’i ktheheshin profesionit të tyre burimor: ruajtjes së deleve dhe dhive.

 

Gjendja e rëndë në RTK ka tërhequr vëmendjen edhe të organizatave profesioniste që merren me mediat në Ballkan, siç është „Medienhilfe“ e Zürichut. Në një raport të kësaj organizate kritikohet „përkeqësimi masiv i cilësisë së programit të RTK-së“ gjatë muajve të fundit dhe mosplotësimi i obligimit për të informuar në mënyrë të pavarur dhe profesionale opinionin. Për fat të keq një televizion nuk mund ta përmbushë këtë detyrë, kur punëson gazetarë, të cilët ministrat i pyesin kështu: „Jeni cilësuar si ministri më i suksesshëm i qeverisë. Çka mendoni për këtë?“ Në raportin e „Medienhilfe“ po ashtu theksohet se, përveç cilësisë së dobët të shumicës së medieve, problem tjetër është edhe varësia politike dhe „politizimi i fuqishëm i trevës mediale“ në Kosovë. Nëse e përkthejmë në gjuhë të kuptueshme kjo do të thotë: shumica e mediave në Kosovë janë vetëm dorë e zgjatur e politikës dhe jo përfaqësuese të interesave të opinionit.

 

Ka ardhur momenti që opinioni i pakorruptuar të ndikojë që të krijohet rregull në RTK – në interes të demokracisë dhe profesionalizmit medial!


robelli@bluewin.ch

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!