LEHTËSIA E SHKRIMIT

Nga Enver Robelli

1. Sindroma e përsëritjes


         Nëse dëgjoni lajmet televizive dhe lexoni gazetat çdo ditë, herët apo vonë do të ballafaqoheni me sindromën e përsëritjes. Personazhet e politikës janë, me ndonjë përjashtim, të njëjtë tashmë një decenie. Inventari rreth e rrotull po ashtu: organizata të huaja që merren me punët e vendit, grupe të ashtuquajtura joqeveritare në luftë për donacione, vokabulari po ashtu është i njëjtë - UNMIK, EULEX, ICO, filani, fisteku, ministri, qeveria, lartmadhëria, presidenca. Politika, parapolitika dhe pseudopolitika aq shumë absorbojnë potencën mendore të njerëzve, saqë opinioni i përngjan një makine që lëvizet nga një dorë e padukshme, por shumë dijekeqe. Shkrimtari Kim Mehmeti para pak kohësh e tha një fjalë të mençur, përmbajtjen e së cilës po e japim në mënyrë përshkruese. Ai nënvizoi se jeta është një tryezë e madhe, mbi të cilën Zoti ka vendosur shumë gjëra të begatshme. Por, sipas tij, njeriu duhet të ketë kujdes që të mirat t’i shijojë me masë, sepse po e teproi me gllabërim, atëherë së pari do të gromësijë, pastaj do të vjellë gjithë ato që nuk ia mban as barku. Shpeshherë shpëtimi më i lehtë dhe më i shpejtë gjendet nëpër libra, romane të shkruara mirë, të cilat kanë fuqinë të lëvizin botën nga boshti i saj. Madje nganjëherë mjafton vetëm të shfletosh ndonjë libër të lexuar para shumë vitesh dhe të ndalesh te nënvizimet që janë bërë në rrethana krejt të tjera biografike, shpirtërore, mendore, emocionale.

 

2. Gryka e jetës


         Le të marrim, për shembull, romanin “Lehtësia e papërballueshme e qenies” të autorit çek Milan Kundera. Është një roman mbi lehtësinë dhe peshën e rëndë të gjërave. Kornizën e romanit e përbëjnë historitë e dy çifteve të dashuruarish, të cilët janë thellësisht të pabarabartë. Derisa për njërin personazh seksi është vetëm lojë pa asnjë obligim emocional dhe moral, të tjerët pothuajse fundosen në hendekun mes joshjes erotike dhe ndjenjës së përgjegjësisë ndaj fjalës dhe veprës. Pra, kjo është korniza. Brenda saj gjenden ndoshta mijëra formulime, të cilat lexuesi mund t’i përdorë si citate në çdo moment jetësor. “Lehtësia e papërballueshme e qenies” është njëri prej romaneve më shakatare dhe më mendjemprehta të shkruara pas Luftës së Dytë Botërore. Kundera trajton disa dilema thelbësore të ekzistencës së njeriut modern në liri e diktaturë (shtetërore), por edhe në gryka të tjera të ngushta jetësore.

 

3. Flet Kundera


a) “Kurrë nuk mund ta dish se çka duhet të dëshirosh, sepse kemi vetëm një jetë, të cilën as nuk mund ta krahasosh me një jetë të mëhershme, as ta korrigjosh me një të mëvonshme”.

b) “Sa mund të jetë e vlefshme jeta, kur sprova e parë për jetën është vetë jeta. Për këtë shkak jeta përherë i përngjan një skice”.

c) “Një herë është asnjëherë, - thotë Tomasi. - Nëse mund të jetosh vetëm një herë, atëherë kjo është sikur të mos kishe jetuar kurrë”.

ç) “Atëherë Tomasi ende nuk e kishte të qartë se metaforat janë të rrezikshme. Me metafora nuk lozet. Dashuria mund të lindë prej një metafore të vetme”.

d) “Tomasi i tha vetvetes: Të flesh me një grua dhe të të zërë gjumi me një grua, janë dy pasione, jo vetëm të ndryshme, por edhe krejtësisht kundërshtuese”.

dh) “Kush dëshiron të braktisë vendin, në të cilin jeton, ai nuk është i lumtur”.

e) “Por njeriu ka vetëm një jetë, ai nuk ka mundësi që saktësinë e hipotezës ta dëshmojë me një provë. Prandaj ai kurrë nuk do të kuptojë, nëse ka qenë mirë apo gabim që ka dëgjuar ndjenjën e tij”.

f) “...vajza me minifunde jashtëzakonisht të shkurtra, të cilat i provokonin ushtarët e varfër dhe seksualisht të uritur rusë, duke i puthur para syve të tyre kalimtarët e panjohur. Siç thamë, invazioni rus nuk ishte vetëm një tragjedi, por edhe një kremte e urrejtjes, që mbahej nga një eufori e çuditshme (dhe prej askujt e shpjegueshme)”.

g) “Dëshira e saj për të tradhtuar babanë mbeti e papërmbushur, sepse komunizmi ishte vetëm një baba tjetër, po aq i ashpër dhe po aq i kufizuar, i cili e ndaloi dashurinë (kohërat ishin puritane), dhe Pikason. Ajo e martoi një aktor të dobët të një teatri të Pragës, vetëm pse ai ishte i përmendur si anarkist dhe ishte i papranueshëm për të dy etërit”.

gj) “Këtu, në sigurinë e mërgimit, të gjithë pa dyshim përbetoheshin se është dashur të luftohet. Sabina thoshte: “Kthehuni dhe luftoni!”

h) “Të varfrit u detyruan të qëndronin në këmbë dhe të pasurit kishin lozha. Por kishte diçka që e bashkonte bankierin me skamnorin: urrejtja ndaj bukurisë”.

i) “Vajzat me minifunde ishin shëtitur me flamuj kombëtarë në shtylla. Ishte një atentat seksual kundër ushtarëve rusë, të cilët me vite ishin mbajtur në një asketizëm poshtërues. Në Pragë atyre mund t’u jetë dukur si në një planet tjetër, të cilin e kishte shpikur një autor science-fiction në planetin e femrave shumë elegante, të cilat e shprehnin përbuzjen e tyre duke ecur me këmbë të bukura e të gjata, siç nuk i kishte parë gjithë Rusia tashmë pesë apo gjashtë shekuj”.

j) “Kur flet zemra, arsyes nuk i ka hije të jetë kundër”.

k)Po, fati është dëshira për përsëritje, i tha vetes Tomasi”.

Faleminderit, Milan Kundera!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!