KUSH FLET, NUK VDES

Shkruar nga Enver Robelli   e diel . 22 mars 2009

Mbi fuqinë dhe magjinë e gjuhës - dhe rrezikun që vjen nga heshtja

1. Veset e vjetra

         „Eja të bisedojmë. Kush flet, nuk ka vdekur“ – shkruan poeti gjerman, Gottfried Benn. Shoqëritë që heshtin kurrë nuk janë të shëndosha, as të drejta, as solidare. Atje ku nuk flitet për problemet që mundojnë vendin, dështimi është tmerrësisht i madh. Në shoqëritë që heshtin, lulëzojnë thashethemet. Vaditës të heshtjes janë kryesisht politikanët dhe sundimtarët pushtetplotë, të cilët jo rrallë vjedhin nga qypi dhe vegshi i florinjtë i shtetit. Njëkohësisht me vaditjen instalohet sistemi i frikës – kush flet, pëson. Kush nuk nënshtrohet, dënohet. Kush kritikon, shpallet armik. Kush proteston, akuzohet për tradhti. Shoqëria kosovare është shembull ekstrem i mbizotërimit të heshtjes. Pothuaj të gjithë e dinë se kush e keqpërdori pushtetin në gjithë këto vite për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme, kush ndërtoi pallate, kush marshoi furishëm me vetura të shtrenjta nëpër qytetet e varfra të Kosovës. Dihet po ashtu kush vringëlloi me armë dhe ishte (dhe është) i paprekshëm nga dora e ligjit. Të gjithë e dinë kush po vazhdon të veprojë sipas veseve të vjetra. Dhe të gjithë heshtin publikisht. Në rrethe të ngushta, ndërkaq, të gjithë flasin, jo pak edhe llomotitin: filani e manipuloi këtë tender, fisteku e punësoi krejt farefisninë në administratën shtetërore. Shumëçka mbetet në nivel thashethemesh, sepse ky vend nuk ka sistem të pavarur të drejtësisë, përveç disa faqezinjve që hiqen si prokurorë dhe gjykatës.

2. Derri dhe porcelani

         Për të gjitha këto marrëzi duhet folur publikisht, sepse është e vërtetë se kush flet, nuk vdes. „Ne jetojmë jo vetëm me gjuhën – ne jetojmë nga ajo dhe prej saj. Ajo na formëson dhe ne e përdorim atë. Pakkush ka arritur të shpikë një fjalë të re: Të gjithë ne ushqehemi nga fantazia e paraardhësve tanë; besimin e tyre dhe besëtytninë, mendimin, ndjesinë dhe dijen, frikën dhe gëzimin e tyre gjuha e ka memorizuar gjatë dhjetë mijë gjeneratave”, shkruan publicisti gjerman, Wolf Schneider, në librin “Fjalët i bëjnë njerëzit. Magjia dhe fuqia e gjuhës”. Si shembull mund të marrim shpikjen e fjalës porcelan. Dikur italianët e zvogëluan fjalën latine porcus (derr) në porcella (derrkuc). Më vonë ata kështu e quanin vagjinën. Pastaj venedikasit fjalën porcella filluan ta përdornin edhe për guacat e detit. Kur në Venedik u shkarkuan qeramikat e para kineze, tregtarët venedikas gabimisht menduan se enët janë të prodhuara nga guacat e bardha dhe të bluara të detit. Për këtë shkak ata, duke u mbështetur në guaca, vagjinë dhe derrkuc, e quajtën këtë material porcellana. Këtu e tutje porcelani pushtoi botën perëndimore, shkruan Wolf Schneider në librin e tij.

3. Gjuha dhe llafazania

         “Sa poshtë ka rënë njerëzimi! Trupi është detyruar të heshtë, vetëm goja po flet. Por çfarë mund të thotë goja?” – kështu shprehet Alexis Sorbas në romanin me të njëjtin emër të Nikos Kazantzakis. Gjuha ka një fuqi të pafundme. Mund të jetë e padrejtë, agresive, dashakeqëse. Njëkohësisht mund të jetë kryengritëse ndaj padrejtësive dhe thumbuese ndaj dukurive negative. Në shoqëritë e heshtjes, siç është Kosova, gjuha është kryesisht llafazani. Përdoret vend e pavend. Pothuaj aspak nuk është i ushtruar arti i dëgjimit. Shpesh triumfon shurdhësia. Të dëgjosh tjetrin, madje edhe kur tjetri është një zë kritik, është përherë një akt i arsyes, i urtësisë dhe i respektit. “Sa fjalë, të cilat kërkojnë dëgjuesin, jehojnë të padëgjuara? Duket se folësit shpeshherë janë më të vetmuar se ç’besojnë: Ata mendojnë se po flasin me një njeri, por partner e kanë vetëm shushurimën e të folurit të tyre. Toka më shumë është një planet i gojëve të hapura sesa i veshëve të hapur”. (Wolf Schneider: “Fjalët i bëjnë njerëzit. Magjia dhe fuqia e gjuhës”).

4. Dinakëria e propagandës

         “Kjo është fshehtësia e propagandës: atë që propaganda dëshiron ta përthekojë, atë duhet larë dhe shpëlarë tërësisht me idetë e propagandës, pa e vërejtur ai fare se po lahet e shpëlahet. Vetëkuptohet se propaganda ka një qëllim, por qëllimi duhet të jetë i mbështjellë aq mençur dhe në mënyrë virtuoze, saqë ai që duhet të gëlltitet nga ky qëllim këtë të mos e vërejë fare” – nga fjalimi i Joseph Goebbelsit para drejtorëve të radiove gjermane, më 25 mars 1933. Është në natyrën e egër të politikës të zbukurojë realitetin dhe ngjyrën e hirit ta shndërrojë në diçka shumëngjyrëshe si ylberi. Për shembull kur në vendet e Ballkanit thuhet se ekonomia po lulëzon e përparon, se shteti përkatës së shpejti do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, se qytetarët do të udhëtojnë pa viza, se nëpër Drin, Danub, Drinë dhe Savë do të rrjedhë mjaltë dhe nëpër Ibër, Moravë dhe Vardar qumësht. Është legjitime të luftohet për pushtet, por a duhet të bëhet kjo patjetër me propagandë të përhershme? Poeti rus, Osip Mandelshtam, kështu e përshkruante sundimin gjuhësor të Stalinit: “Gishtat e tij janë si krimba, fjalët e tij janë të rënda... (...) Vetëm ai flet rusisht. Fjalët e tij godasin si patkonj, ai shkel njërin pas tjetrit... Pas secilës vdekje... ai fut një manaferrë në gojë”. Kush flet kundër propagandës, ende nuk ka vdekur!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!