LIGJI I ARABISË DHE KOPSHTI I DASHURISË

 

Shkruan:  Enver Robelli

 

         Kur gjermanët nuk kuptojnë diçka, atëherë thonë: “Kjo po më duket krejt spanjisht”. Kur shqiptarët nuk marrin vesh diçka, thonë: “Kjo po më duket krejt arabisht”. Ndonëse shumica e shqiptarëve i përkasin – së paku deklarativisht – fesë islame, arabishtja vazhdon të jetë një gjuhë që përveçse nga teologët nuk flitet pothuaj nga askush tjetër në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë perëndimore. Por, edhe sikur ta dinim arabishten, vështirë se do t’i kuptonim disa fenomene të botës arabe. Prandaj, shpesh duhet të shfajësohemi me fjalinë: “Kjo po më duket krejt arabisht”.

 

I.

 

         Për shembull: Në Egjipt është zhvilluar një debat, i cili mund të përmblidhet në pyetjen lapidare: A guxojnë çiftet myslimane të bëjnë seks pa asnjë rrobë në trup, krejt lakuriq, cullak? Teologu egjiptian Rashad Kalil, ish-dekan i Fakultetit Juridik në universitetin e famshëm islamik “Azhar” në Kajro, ka një mendim të prerë: “Lakuriqësia e plotë gjatë seksit e bën çdo martesë të pavlefshme”. Kalil është pensionist, por në vend që të pushojë dhe të kalojë në qetësi ditët e pleqërisë, ai shkruan fetfa (ekspertiza juridike). Para disa vitesh ai shkroi një fefta në përgjigje të një shqetësimi të një qytetari, i cili e kishte pyetur teologun me sa vijon: A është në përputhje me rregullat islame, kur ai dhe gruaja e tij bëjnë seks me trup krejt të zhveshur? Profesori Kalil ishte menduar – ndoshta disa ditë. Dhe kishte publikuar ekspertizën e tij juridike me përfundimin se ai çift bashkëshortor që bën seks zhveshur - e prish martesën. Debati rreth temës “Seks – me apo pa rroba?” u trajtua gjerë e gjatë edhe në mediet opozitare në Egjipt, përfshirë edhe kanalet televizive private. Madje, biseda rreth “seksit arabisht” gjeti vend edhe në faqet e gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, e cila kishte marrë mundimin për të gjetur një përgjigje të thellë, duke e konsultuar dekanin e Fakultetit Teologjik të universitetit “Azhar”, Abdelmoti Bajumi. Ky teolog e kishte relativizuar fetfanë e Rashad Kalilit, duke nënvizuar: “Islami pothuaj nuk e kufizon seksin për të martuarit; i ndaluar është vetëm seksi anal. (...) E vërteta është se as në Kuran dhe as në thëniet e Profetit nuk jepet ndonjë informatë, nëse pjesët gjinore duhet të jenë të mbuluara edhe gjatë seksit”.

 

II.

         Debati i përshkruar më lart, sado absurd të duket, tregon se edhe në një shoqëri konservatore si ajo e Egjiptit flitet - për seksin! Madje, njëri ndër emisionet më të popullarizuara në këtë vend arab trajton pikërisht seksin dhe udhëhiqet nga një femër. Dr. Heba Kutb, 40-vjeçare, çdo të shtunë në orën 20:00 shfaqet në ekran dhe u përgjigjet pyetjeve të shikuesve. Shpesh toni i saj është qortues; njëherë, gjatë muajit të Ramazanit, ajo ua tërhoqi vërejtjen egjiptianëve, se menjëherë pas perëndimit të diellit i mbushin barqet me ushqim dhe pastaj përpëliten nga dhembjet, tensioni i lartë i gjakut - dhe nuk mund të bëjnë seks të mirë. “Barku i mbushur nuk dashuron mirë”, - tha Kutb. Derisa shumë egjiptianë e shikojnë me sy të zgurdulluar dhe jo pak fanatikë religjiozë mbyllin sytë nga turpi, zonja Kutb e mbuluar me shami dhe e zhveshur nga bigoteria porosit: “Në Ramazan, natën, është e lejuar gjithçka që është e ndaluar ditën”, por “gjithçka me vakt, të dashur shikues. Pra, së pari hani, pastaj lutuni, mësoni, shëtitini dhe në fund seks”. Një ndër citatet më domethënëse sa i përket seksit gjendet në KURAN, në suren Bekara, vargu 223. Për fat të keq përkthimi në shqip është tejet i dobët: “Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj, afrohuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi...”. Në përkthimet e KURANIT në gjermanisht, ndërkaq, mund të kuptohet shumë më mirë porosia e vargut 223 të sures Bekara: “Gratë tuaja janë një arë për mbjellje, afrohuni tek ara juaj dhe mbilleni atë kur dhe si të dëshironi...”. Në një interpretim të lirë të teologëve liberalë egjiptianë kjo do të thotë: Shijoni seksin, pa marrë parasysh fetfatë e fanatikëve fetarë!

 

III.

         Megjithatë, biseda për seks vazhdon të jetë delikate jo vetëm në Egjipt. Para disa kohësh në Turqi u zhvillua një proces gjyqësor, i cili vështirë të tejkalohet për nga absurditeti. Arkeologia 92-vjeçare, Muazez Ilmije Cig, eksperte e civilizimit të sumerëve (popull që para 6 mijë vjetësh ka jetuar mes lumenjve të Tigrisit dhe Eufratit në Mesopotami), në një libër të saj kishte trajtuar traditën e bartjes së shamisë. Ajo kishte shkruar se priftëreshat sumere, të cilat i mësonin të rinjtë si të bënin seks, kishin qenë të parat që kishin bartur shami. Ky konstatim i saj ngjalli mllefin e islamistëve në Turqi. Një avokat e paditi profesoreshën me akuzën se ka nxitur “urrejtje dhe armiqësi” kundër fesë islame. Pas një seance prej gjysmë ore në një gjyq të Stambollit gjykatësi mbylli çështjen dhe zonja Muazez Ilmije Cig u shpall e pafajshme. Me shami apo pa shami – çështje shijeje!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!