A DUHET TË HAPEN DOSJET?

 

 

Patjetër! A i kemi dosjet e gatshme? Të shkruara? Jo? Atëherë pse të mos mbështetemi në – mbamendjen tonë? Pse të mos e nisim hapjen e dosjeve të kujtimeve tona?


Shkruan: Hajrullah Gorani  Gazeta “EXPRESS”

 

Pejë. 17 prill, 1941. Armata gjermane hyn në qytet. Kureshtja e papërmbajtur më shtynë rrugës së Podgorsokakut, për ta parë ‘ushtrinë e Allamanit’. Në sheshin e vogël të Shushtermahallës dikush nxjerr një pëlhurë të kuqe me shqiponjë të zezë në të. Flamuri, thoshin.

         Nuk vonoi, krisi pushka. Disa fqinjë tanë, serbë e malazias, qëllojnë me pushkë mbi turmën. Vriten 13 të rinj, të gjithë të paarmatosur. Mes tyre edhe kushëriri im, Avdushi. Ishte 20-vjeç.

As atë ditë, as më vonë, askush nuk kërkoi vrasësit. Madje, as nazistët dhe Gestapoja e tyre. Ata u amnistuan, në mjegullën e frikës dhe harresës.

Në verën e po atij viti hapen kurset për nxënës të shkollës fillore, për fëmijët shqiptarë: të mësojnë se si shkruhet ‘shqipja shqip’. Meritë të madhe për këto kishte Ernest Koliqi – më vonë i përndjekur dhe i akuzuar si ministër i shkollave fashiste. Flitet se kishte deklaruar njëherë: “E kuptoj urrejtjen e komunistëve të Shqipnisë për mua, por çuditem pse këtyre në Kosovë u pengon hapja e shkollave në gjuhën shqipe.”

Tutje, nuk kam parë ndonjëherë që historianët këndej e andej kufirit t’i kenë shënuar demonstratat përkrahëse për Italinë fashiste që u organizuan në Pejë nga fqinjët serbë dhe malazias. Ende mbaj mend brohoritjet: “Rroftë Italia, Rroftë Perandori dhe Mbreti Víktor Emanuel – dhëndri ynë!”

Më 1943, mësa mbaj mend, vritet Federali i Federatës fashiste. Të nesërmen i vihet zjarri qytetit. Digjet xhamia e Shushtermahallës në mes të sheshit, me gjithë dyqanet e zanatlinjve e bakallhanet; digjet i tërë sheshi me vlerë të paçmueshme historike. U zhdukën dyqanet poshtë ‘te kujunxhitë”, te ‘potoku i Serovisë’. Zjarrvënësit, italianë, shoqëroheshin nga miqtë (duke qenë tashmë dhëndër malazias) që plaçkitnin dyqanet para se t’u futnin flakën.

Kush nuk bëzajti për këtë. Me sa mbaj mend, kjo u cilësua hakmarrje kundër shqiptarëve për vrasjen e Federalit fashist. Nuk kam parë gjëkundi që kjo tragjedi të jetë ndriçuar ndonjëherë nga historianët tanë. Madje, as komunistët shqiptarë të Kosovës nuk e përmendën ndonjëherë. Përkundrazi. Sa për ta, populli shqiptar i Kosovës në përgjithësi kishte kolaboruar me okupatorin italian e gjerman. Më vonë, e gjithë kjo do t’i shërbente akademikut serb Çubriloviq për ta hartuar elaboratin e tij më 1945 ku akuzon shqiptarët e Kosovës si aleat të okupatorit nazifashist dhe kërkon trajtim të njëjtë për ta si për folksdojçerët e Vojvodinës.



NARODNA VLAST


         Pejë. 17 nëntor, 1944. Partizanët komunistë hyjnë në qytet. Populli i mbledhur në shesh nuk e din nëse duhet të gëzohet apo të tmerrohet. Po thonë se erdhi Liria. Vërtetë, me ta janë edhe partizanët e Shqipërisë (Brigada e Tretë dhe e Pestë). Ata na thanë se s’ka kthim prapa; se liria kishte ardhur për të gjithë. Na thanë këtë dhe vajtën t’i çlirojnë “pjesët e tjera të Jugosllavisë së okupuar” – për të mos shkuar më larg se Tivari. Mbaj mend mitingjet e atyre ditëve të ‘pasçlirimit’ kundër okupatorit fashist i cili tashmë kishte braktisur Ballkanin; kundër bashkëpunëtorëve dhe hyzmeqarëve të tij. Nuk më dukej se e kuptonim krejtësisht se për çfarë bëhej fjalë. Por, nuk vonoi shumë.

Në një miting të tillë ku ishin mbledhur i madh e i vogël, te ‘Vorret e Gata’, tashmë fushë sporti socialist, flet Shoku Fadil Hoxha. Edhe sot më tingëllojnë fjalët e tij: “Do t’i biem satër në krye bashkëpunëtorëve të fashizmit!”

Fliste të vërtetën. Po atë natë i mblodhën disa tregtarë, zanatlinj e nëpunës për t’i dërguar në shtëpinë e Xhevat Begut ku ishte vendosur selia e OZNA-s (serb. Organ Zastite Naroda, pararendëse e UDB).

Me ditë të tëra, familjarët e tyre i luteshin partizanëve nëse mund të dërgojnë ushqim e veshmbathje për të burgosurit. Patjetër, u përgjigjeshin. Dhe, derisa vinin pitet dhe çorapet e leshta, baballarët dhe kushërinjt e tyre “hanin dhé mbas Tabjeve”, sintagmë pejane për pushkatimet e të burgosurve të OZNA-s gjatë viteve të ‘pasçlirimit’.

Kush ishin ata që vendosnin për pushkatime? Ishin të ashtuquajturit komunistë jugosllavë: ishin serbë e shqiptarë. A thua u dihen emrat? Me pak mundim, po. Ose, ta përdori një shprehje të politikës ditore me pedigre komuniste: me pak vullnet politik. Por, ja që ky vullnet politik mungon tash e 65 vjet – pa marrë parasysh se kush u bë pushtet, president, ministër e kryeministër në Kosovë.


KULLA E SHEREMETIT DHE MULLA SEJFA


         Më 1947, me sa më kujtohet, thyhet Kulla e Sheremetit, burgut famëkeq. Në pikë të ditës. Fqinjëve tanë serbë e malaziasë rastësisht u gjenden në dorë pushkët të cilat, rastësisht, i përdorën si ndihmë UDB-ës për t’i vrarë, rastësisht, të gjithë të burgosurit. Qoftë ata që kishin tentuar të ikin, qoftë ata që ndodheshin brenda. Masakër e vërtetë në pikë të ditës. Nga pijeteti do ta përmendi vetëm një viktimë: Xhelal Preveza, një admistrator i urtë që kishte ardhur për ta mbarështruar administatën e qytetit.

Përsëri, asgjë. Komunistët shqiptarë në Kosovë as që e zunë ngojë ndonjëherë këtë cikërrim. Tashmë ishin në vlug të luftës kundër bashkëpunëtorëve të okupatorit.

Edhe një rast nuk mund ta lë pa e përmendur, meqë e kam amanet. Në vjeshtën e vitit 1962 shkova me të shoqen në Gjilan, ku deri para një viti kisha punuar profesor në shkollën ekonomike. Shkas ishte lindja e djalit të një kolegu me të cilin u bëmë miq: Muharrem Latifit. Një profesor i aftë dhe burrë i ndershëm. Kur në bisedë na zuri mesi i natës, Muharremi më tregoi një amanet prej babait të tij, Mulla Sejfës.

Mulla Sejfa kishte qenë pjesëtar i njësiteve partizane gjatë luftës, në krye të një njësiti të vogël. Me t’u kthyer me të pas luftimeve, shkon ta përshëndet Komandantin e ushtrisë partizane në Kosovë, shokun Fadil Hoxha, në zyrën e tij në Prishtinë. Kishte shkuar për t’i raportuar për aktivitetin e njësitit. Duke dalë nga ndërtesa kishte harruar torbën ushtarake në zyrë. Kur kthehet për ta marrë, nga dera gjysëm e hapur e zyrës dëgjon bisedën e komandantit në telefon. Me shpinë kah dera, në serbishte, Fadil Hoxha jepte instruksione: “Keni kujdes, Mulla Sejfa i armatosur dhe me ushtarë po kthehet në Gjilan dhe do t’i bie kësaj rruge. I dilni në pritë”.

Mulla Sejfa, megjithatë, i kishte ra tjetërkah. Deri në braktisje të vendit. Babai im, më rrëfeu atë natë Muharremi, ma tha këtë para vdekjes. “Mua ma la amanet, e unë po ta lë ty se nuk dihet qysh do të bëhet, jemi bijtë e dekës.”

Sot Muharremi ka ndërrue jetë, e unë me këtë po e dërgoj amanetin në vend.


SHI N’KOLLOMOQ?

 

Viti 1956. Dimër i madh. Mbledhja e armëve. Kudo tmerr në Kosovë. Komunistët, në ballë të aksionit. Rrahje, vrasje, dhunime në të katër anët. Komunistët shqiptarë kishin detyrë të veçantë: gjithkush le ta pastrojë oborrin e vet. Këtë, ata e bënin me përkushtim të madh: me fshisë të hekurt. Ishte kjo koha e jetësimit të Marrëveshjes Xhentëllmene mes J.B. Titos dhe autoriteteve turke; për shpënguljen masive të shqiptarëve në Turqi.

Një dekadë më vonë, konflikti i klaneve komuniste – të gjitha pa dallim bartëse të terrorit shtetëror – shkakton Plenumin e Brioneve më 1966. Aty, për arsye pragmatike vendoset se aksioni i mbledhjes së armëve paskësh qenë një gabim. Porse, kjo nuk guxonte të nënkuptonte se “armiqëve të popullit dhe bijëve tyre do t’i bie shi në kollomoq.”

Vërtetësimi i këtij sllogani famëkeq nga arsenali i LKJ nuk vonoi shumë: u shfaq me terrorin ndaj studentëve në demonstratat e vitit 1968. Në skenë tashmë ishte një eshalon i ri i komunistëve kosovarë: bijtë e bijat, familjet e ngushta dhe të gjëra të tyre, që të gjithë të mobilizuar në luftë kundër nacionalizmit dhe irrendentizmit shqiptar. Egërsohet edhe për një hallkë terrori i denoncimeve, arrestimeve, propagandës. Komunistët shqiptarë të Kosovës dhe familjet e tyre mobilizojnë intelektualë e pseudointelektualë që të shkruajnë, të denoncojnë me emër e mbiemër njerëz që kualifikohen për armiq të Socializmit Vetëqeverisës. Nëpër shkolla, fakultete, e më vonë në Universitet e Akademi të Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Të gjithë në luftë kundër nacionalizmit e irrendentizmit shqiptar. Në skenë del një formë më e sofistikuar e denoncimit: ”E dimë ne kush je ti; e dimë ne se i biri apo e bija e kujt je!” Masivizohen burgosjet. Çmenduria shkon larg: posa të hetohet se një nxënës ka shkruar inicialet “KR” në fletore, do të denuncohet dhe burgoset. Parreshtur vazhdon rekrutimi i denuncuesve: mes nxënësve, studentëve e mësuesve. ‘Diferencimi ideo-politik’ bëhet temë kryesore për Rilindje, Radio e më vonë edhe Televizion të Prishtinës. Bartës kryesorë të këtyre diferencimeve ishin komunistët: ata me detyrë të pastrimit të oborrit të vet.



DY FJALË PËR EKONOMINË E ZHVILLUAR VETËQEVERISËSE

 

Ekonomia kosovare në Jugosllavi kurrë nuk ka qenë në këmbë të veta, por gjithnjë në kolaps. Një kohë ky kolaps nuk hetohej meqë mbulohej nga Fondi për Zhvillim të Rajoneve të Pazhvilluara i cili kurrë nuk u përdor për zhvillim por vetëm për mbulim të humbjeve të ndërmarrjeve të kota. Rritja e konsumit dhe ruajtja e standardit të jetesës bëhej me para të huaja. Komunistët kosovarë, ndonjëherë edhe udhëheqës të këtij fondi, nuk çanin kokën për zhvillim të ekonomisë; vetëm për sigurim të luksit personal dhe kontroll të qetësisë publike.

Më 1985, ekonomia e Kosovës nuk kishte asnjë dinarë në fondin neto-xhirues. E tërë ekonomia financohej nga burimet afatshkurtëra të mjeteve – me normë të lartë të kamatës dhe me afat të shkurtër të kthimit. Natyrisht nga bankat e Beogradit (për skeptikët, më gjëresisht: Dr Hajrullah Gorani, Analiza Ekonomiko-Financiare e Ndërmarrjeve në Kushtet e i Inflacionit, Prishtinë 1990, Kapitulli Analiza e Situatës Financiare, fq 98.)

Ishte kjo një ndër format brutale të eksploatimit që shkonte tutje; mjetet për zhvillimin e Kosovës që grumbulloheshin nga republikat e zhvilluara si Sllovenia, Kroacia, madje edhe krahina e Vojvodinës, përdoreshin për financim të qejfeve të oligarkisë komuniste në Kosovë. Kaq.

Në fund, nuk mund ta lë pa përmendur një anekdotë të errët pas mbledhjes famëkeqe të Kuvendit të Kosovës më 1989, kur u miratuan amandamentet për heqjen e autonomisë.

Të nesërmen e mbledhjes e takoj arkëtarin e Kuvendit të atëhershëm. E pyes nëse ka pasë ndonjë prej deputetëve shqiptarë që kishte marrë edhe mëditje për pjesëmarrje në atë turp.

“- A ka pasë, po më pyet!? - Jo që ka pasë, por kanë pritur në rresht për ta marrë. Madje, i tregonin shaka njëri-tjetrit për t’i kaluar koha deri te pagesa!”



(Autori është i ish-burgosur politik, profesor universiteti dhe ndër themeluesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës)

 

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!