SHQIPËRIA PAS PAVARËSISË SË KOSOVËS DHE NATOS

 

Shkruan : James Petiffer  Revista “MAPO” nr 115, Tiranë

 

      Faza e parë e kësaj qeverie në pushtet u dominua prej presioneve të jashtme për të avancuar programet e reformave të nevojshme për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe BE. Paçka se në fillim hyrja në këto institucione ndërkombëtare ishte parashikuar si një proces simultan, ai tashmë është kthyer në një proces të “dyzuar”, me pranimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.


      Diskutimet me BE po shkojnë drejt progresit – me një program reformash për të cilin palët kanë rënë dakort – por ende nuk ka prospekt për anëtarësim të shpejtë. Qeveria e Dr. Berishës është asociuar shumë afër iniciativave të politikës së jashtme së Shteteve të Bashkuara dhe vizita e suksesshme e Presidentit Bush gjatë turit të tij Evropian në 2007 e konsolidoi këtë marrëdhënie qendrore.


      Në radhët e Opozitës, zhvillimi më i madh që ka ndodhur është largimi i Fatos Nanos si drejtues i PS dhe zëvendësimi i tij prej Kryebashkiakut popullor Edi Rama, i cili gëzon një reputacion si modernizues pro-Evropian.


      Qeveria Berisha ka evituar stilin konfrontues të viteve 1992-97 dhe është shndërruar në një faktor të pranueshëm në skenën politike regjionale dhe ndërkombëtare – pa sulmet ndaj lirive civile, institucioneve të drejtësisë dhe mediave – që u vunë re në periudhën e hershme në qeveri. Sidoqoftë, presionet ndaj shoqërisë civile nuk janë shuar dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze. Ky i fundit, ashtu siç ka ndodhur edhe në Bullgari, nuk ka qenë i nivelit dramatik të të kaluarës, por kjo falë qendërzimit të tij dhe integrimit në shtresat ekonomike dhe shoqërore.


      Sidoqoftë, kjo mbetet një qeveri tejet personale, me vendim-marrjen më të rëndësishme të përqendruar përreth zyrës se Kryeministrit, dhe më një numër të madh këshilltarësh nga i njëjti sfond politik verior, si gjatë periudhës 1992-97. Zhvillimi i institucioneve shtetërore post-komuniste ka qenë i ngadaltë. Anëtarë të familjes së zgjeruar Berisha që nuk janë zgjedhur me votë popullore, në veçanti vajza e kryeministrit, mbajnë poste të rëndësishme influence, dhe nepotizmi mbetet problem serioz.


      Gjithashtu, ka prova në rritje të tendencës autoritare për të heshtur kritikat e brendshme gjatë periudhës para-zgjedhore, paçka se kjo është më e vështirë tani për çdo qeveri të Tiranës, falë diversitetit të mediave dhe zhvillimit të institucioneve të shoqërisë civile.


VENDIMI I KOSOVËS, ÇËSHTJET MË TË GJËRA PËR TIRANËN


      Vendimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës në pranverën e 2008 pritej gjerësisht nga elita politike e Tiranës, por në mesin e popullsisë shqiptare erdhi si një lloj surprize, nëse kemi parasysh këtu vonesat dhe zhgënjimet e shumta nga pikëpamja shqiptare për shumë vjet me radhë. Dramat e shumta të politikës në Tiranë e kanë detyruar shqiptarin e zakonshëm të ketë një pikëpamje cinike rreth drejtuesve politikë dhe shumë njerëz nuk kishin besim se objektivi i pavarësisë do të ndodhte realisht. Pra shpallja e pavarësisë dhe njohja diplomatike e shtetit të ri, përbëjnë një burim frymëzimi për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Tashmë është hequr prej politikës ndër-partiake të Tiranës “Hallka e Kosovës” që ka helmuar që prej 1997 marrëdhëniet e brendshme midis faktorëve politikë.


      Gjatë dy viteve të fundit para vendimit të pavarësisë, qeveria Berisha i qëndroi besnike linjës pro-pavarësisë duke u bazuar mbi besimin në kapacitetin e Shteteve të Bashkuara për ta realizuar premtimin e tyre dhe duke mënjanuar kështu zig-zaget politike të viteve ’90.


      Është e qartë se një pyetje e rëndësishme për zgjedhjet e 2009 do të jetë nëse qëndrimi ndaj Kosovës do të përkthehet në mbështetje politike për një term tjetër qeverisës të Z. Berisha apo do të shihet thjesht si një çështje mbarë-kombëtare që tejkalon çështjet partiake. Kjo nga ana tjetër lidhet ngushtë me rolin më të gjerë që do të luajë Kosova në rajon dhe me ndryshime rajonale të rëndësishme brenda vetë Shqipërisë.


      Këto të fundit janë të reflektuara parimisht në iniciativa si përmirësimi i marrëdhënieve me Malin e Zi pas pavarësisë së tij, njohja e Kosovës nga Malazezët ne Tetor 2008 dhe vazhdimësia e ndërtimit të rrugës së re që lidh portin e Durrësit me veriun e Shqipërisë dhe Kosovën. Gjatë 5 vjetëve të fundit, qendra e gravitetit në politikën shqiptare ka lëvizur në mënyrë të konsiderueshme drejt veriut dhe teza e hershme mbi jugun më “progresiv” në terma social-ekonomikë kundrejt një veriu më të prapambetur, të pakontrollueshëm dhe “tribal” – ka më pak peshë se më parë.


      Kjo është e lidhur ngushtë edhe me çështjen e një ndërgjegjeje mbarë-shqiptare në terma tregtarë dhe kulturorë, ku Shqiptarët etnikë që për dy breza me radhë ishin të ndarë fizikisht prej kufijve komunistë të regjimit Hoxha, tashmë mund të mbajnë lidhje normale.


Pjesa e populluar nga shumicat shqiptare të Ballkanit të jugut tashmë përbën një treg prej disa miliona njerëzish, me popullsinë më të re te rajonit dhe që në sytë e kompanive ndërkombëtare përfaqëson një treg me imazh shumë më pozitiv se më parë.


      Kjo është e vërtetë edhe me kapitalin financiar të Shqiptarëve dhe me bankat e kompanitë e sigurimeve që operojnë mbi baza trans-kufitare tashmë. Klasa e mesme shqiptare që sa vjen e rritet, po adopton një stil perëndimor jetese duke ofruar kështu një treg për mallrat e promovuar dhe të etiketuar në gjuhën shqipe. Bumi i medias i detyrohet pikërisht këtij faktori, rritjes se një industrie reklamuese që shpeshherë operon edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore.


      Mirëqenia, ose nëse mund ta quajmë fundi i periudhës pas-komuniste, po tejkalon caqet e kryeqytetit. Një shembull i mire i mini-bumit ekonomik është Shkodra që po përjeton investime ndërtimore gjigante falë prurjeve financiare të emigrantëve, rihapjen e pikës kufitare me Malin e Zi që rrinte mbyllur prej vitesh dhe një turizëm trans-kufitar që po pëson një trend rritjeje. Papunësia lokale mbetet ende e lartë, por pas shumë vitesh stanjacioni rajonal po ndihen shenjat e para të rimëkëmbjes ekonomike.


      Nga ana tjetër, marrëdhëniet me Greqinë janë ende larg të qënurit të përsosura, paçka se PBDNJ që gëzon mbështetjen greke, mban një marrëdhënie të afërt me PD-në e Berishës në shumë zona, dhe edhe pse Greqia vazhdon të jetë një prej investitorëve kryesorë në Shqipëri.


      Italia gjithashtu po luan një rol të rëndësishëm në Tiranë, por është më pak e lidhur me PD se në vitet ’90. Në kontekstin rajonal, Shqiptarët e shohin Greqinë si një aleat të afërt të Serbisë dhe vendet e tjera anëtare të BE-së, Rumaninë dhe Bullgarinë, si vende që mbajnë anën e Athinës në shumicën e çështjeve të politikës së jashtme, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe Kosova (megjithëse Bullgaria ka treguar mbështetje për njohjen e statusit këtë vit). Emigrantët shqiptarë në Greqi vuajnë prej problemeve të panumërta të të drejtave të njeriut dhe prej odisesë së pafund rreth çështjeve që kanë të bëjnë me statusin e residencës apo të nënshtetësisë.


      Rihapja e çështjes së pronave Çame që kanë të bëjnë me dëbimin e minoritetit albanofon çam në veri-perëndim të Greqisë në 1943-44, i komplikon marrëdhëniet në nivel zyrtar duke pasur parasysh këtu edhe partinë e organizuar çame në Tiranë dhe influencën e diasporës. Greqia tregoi oponencë të fortë ndaj anëtarësisë së Shqipërisë në NATO gjatë periudhës para marrjes së vendimit dhe kjo u reflektua qartë në fjalimet dhe ndërhyrjet e Ministres së Jashtme greke Dora Bokojanis. Në Maqedoni, çështja kryesore ka të bëjë me përpjekjet shqiptare për të përdorur ftohjen e marrëdhënieve midis Shkupit dhe Athinës gjatë 18 muajve të fundit, dhe tërheqjen e pjesshme të Maqedonisë nga përdorimi i portit të Solunit në Selanik. Berisha i ka ofruar qeverisë së Shkupit disa privilegje nëse tregtia e Maqedonisë kalon nga porti i Durrësit.


      Influenca imediate e “Faktorit Kosovë” do të ndjehet në këtë drejtim; ndërsa nuk influencon më marrëdhëniet e brendshme ndër-partiake, ajo ka polarizuar marrëdhëniet e jashtme me fqinjët. Rusia dhe Serbia do të kenë raste të shumta për të destabilizuar marrëdhëniet rajonale nëse do të kenë dëshirë, diçka që mund të ketë pasur influence edhe ndaj vendimit për të anëtarësuar Shqipërinë në NATO gjatë samitit të Bukureshtit. “Politika e energjisë” do të ketë efekte mbi gjithë rajonin, duke pasur parasysh këtu triumfin grek gjatë vendimit për tubacionin gaz-sjellës të Alexandropulis, por e gjithë kjo nën varësinë energjetike ndaj Rusisë. Gjithashtu ka pasur investime energjetike ruse në Maqedoni dhe duhet mbajtur mend çështja e parave që kalonin nga Moska në Mal të Zi. Në Shqipëri, Moska po e rindërton influencën e saj nga një pikë e ulët, duke shtuar stafin e Ambasadës së saj, me promovimin e Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Ruse dhe nëpërmjet rihapjes së kontakteve të vjetra intelektuale akademike. Përpjekjet e Gazpromit për të arritur një marrëveshje me qeverinë Berisha dështuan pas presionit amerikan ndaj qeverisë shqiptare në 2005-06. Brenda Rusisë, studimet shqiptare janë duke u zgjeruar në Universitetin e St Petersburgut. Mbetet për t’u parë nëse Berisha do t’i trajtojë këto çështje brenda kontekstit rajonal Amerikano-Rus apo nëse do të përpiqet t’i përdorë ato gjatë fushatës elektorale për të fituar pikë. Nga njëra anë, Partia Demokratike mbetet partia më ‘Amerikane’ në skenën politike të Tiranës, duke mbajtur një marrëdhënie të afërt me Partinë Republikane në SHBA, megjithëse disa miqësi të vjetra janë modifikuar nën presionin e ngjarjeve të kohëve të fundit. Ishte administrata e Klintonit që mori vendimet kyçe gjatë ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, dhe vlen të mbahet mend se ish komandanti i UCK Hashim Thaçi, doli si lider i pakontestueshëm pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, aleatit të Berishës, gjë që është pasuar nga dobësimi i LDK,së. Thaçi gëzon popullaritet në Shqipëri dhe vizita e parë e tij si drejtues Kosovar në Prill 2008 ishte e suksesshme.


      Qeveria Berisha mban ende lidhje të forta në Amerikë, siç u pa edhe gjatë vizitës se Presidentit Bush në Shqipëri, dhe rezultati i zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit do të ketë efekte në Shqipëri. Kjo nuk ka të bëjë me faktin se kush e kontrollon Shqipërinë, por me implikimet që do të ketë mbi stabilitetin rajonal që ndjehen në të gjithë Ballkanin. Do të kishte qenë më pak problematike për Tiranën nëse Hilari Klinton do kishte fituar nominimin demokrat kundër McCain në zgjedhjet presidenciale, por me Presidentin Obama gjërat duken më të paqarta në frontin e politikës së jashtme. Gjatë fushatës së tij elektorale, ai bëri shumë pak komente substanciale mbi Ballkanin. Gjithashtu Obama nuk duket sa ka njohuri të detajuara mbi NATON apo modus operandin e organizatës, fakt që do të jetë i rëndësishëm pas krizës së Gjeorgjisë.


      Një fitore e McCain do të kishte qenë një aset i konsiderueshëm për Berishën, sepse do i mundësonte atij të përfaqësohej si trashëgimtari i vërtetë i marrëdhënies ‘speciale’ me Amerikën dhe një mbrojtës i stabilitetit. Në shumicën e shteteve amerikane me një popullatë të konsiderueshme të diasporës shqiptare (Masacusets apo New Jersey) shteti voton kryesisht për demokratët në zgjedhjet presidenciale, por ka edhe shtete kyçe ku ka një prezencë të diasporës shqiptare apo serbe. Sidoqoftë, shumica e shqetësimeve shqiptare morën fund me emërimin e Hilari Klinton si Sekretare Shteti. Nëse kemi parasysh dedikimin e saj të madh ndaj çështjes së pavarësisë së Kosovës dhe rindërtimit të saj, ata që ushqyen shpresa në Beograd rreth rimodifikimit të politikës së jashtme Amerikane në Ballkan nën presidencën e Obamës, do të zhgënjehen. Gjithashtu, vazhdimësia e lidershipit të Pentagonit do të ndihmojë stabilitetin rajonal.


VENDIMI I NATO-s


      Vendimi gjatë samitit të Bukureshtit për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë ishte një fitore e madhe për të dy vendet, sidomos pas vështirësive të hasura në BE mbi ratifikimin e Traktatit të Lisbonës dhe mbi zgjerimin e ardhshëm të komunitetit. Anëtarësimi në NATO ka gjasa të jetë një aset i rëndësishëm për Berishën gjatë fushatës së tij elektorale, nëse kemi parasysh këtu që anëtarësimi ndodhi menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit ne 15 Mars 2008 – ngjarje që tronditi qeverinë dhe krijoi përshtypjen se kjo qeveri ishte e paaftë, sidomos në sferën ushtarake. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu që deri në atë moment gëzonte në reputacion pozitiv u detyrua të japë dorëheqjen. Për disa ditë, një atmosferë që të kujtonte ditët e 1997 pushtoi vendin dhe menjëherë pas saj pati aludime se shpërthimet ishin rezultat i aksioneve të qëllimshme për të destabilizuar qeverinë.


      Paçka se këto aludime janë të paprovuara, dhe mbeten kryesisht teori konspirative, momenti i shpërthimit ishte i pavolitshëm dhe reagimi popullor ilustroi dobësinë e klasës politike shqiptare. Vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë ishte një votë konfidence nga ana e NATOS dhe reflektoi progresin real që është bërë në vend gjatë 5 vjetëve të fundit për të avancuar reformat ushtarake. Shqipëria gjithashtu ka qenë një aleat i qëndrueshëm në kontribuimin me trupa ndaj fushatave ushtarake të drejtuara nga SHBA. Vendimi reflekton prioritete afatgjatë të NATOS në Adriatik dhe formimin e një zinxhiri anëtarësie mes vendeve ish-komuniste përgjatë bregut të detit që do të mbante larg flotën ruse nga Evropa perëndimore dhe që do të mundësonte SHBA dhe aleatët e saj të kenë një platformë fuqie detare për të shtuar influencën e tyre në Evropën lindore. Gjithashtu ai ilustron se sa e rëndësishme është konsiderata e Uashingtonit për vendet e vogla si aleatë të besueshëm dhe strategjikë mbi të ardhmen e zgjerimit të NATOS, edhe pse këto vende kane kapacitete të kufizuara ushtarake për të kontribuar ndaj aleancës.


EKONOMIA DHE ÇËSHTJET E BRENDSHME


      Si dhe gjetkë në Evropë, ka pasur shqetësime mbi efektet që do të ketë kriza ndërkombëtare në sektorin bankar. Kjo është e natyrshme për Shqipërinë duke qenë se s’ka kaluar shumë kohë nga kolapsi i firmave piramidale në 1996- 97 dhe kriza kombëtare që pasoi. Deri tani nuk duket sikur ka ndonjë arsye të fortë për t’u shqetësuar, duke qenë se edhe pse në Shqipëri në vitet e fundit janë hapur një numër mjaft i madh institucionesh financiare, shumë prej tyre janë degë të mirë menaxhuara institucionesh të mëdha me bazë në Bashkimin Evropian. Ato veprojnë vetëm në një nivel elementar bankar të nivelit dytësor dhe tregu i kredive nuk është shumë i zhvilluar. Sidoqoftë, në 2007 – 2008 ka pasur një shtrëngim të konsiderueshëm të kreditimit dhe boom- i tregut të pronave ku mbështetej një pjesë e madhe e rritjes ekonomike është duke u ngadalësuar.


      Mbetet për tu parë se cilat do të jenë pasojat e ngadalësimit të ekonomisë në Eurozonë gjatë verës 2008, si në terma të pakësimit të investimeve të huaja ashtu dhe në uljen e dërgesave të emigrantëve. Ka raporte të pakonfirmuara që sugjerojnë se të ardhurat që hyjnë në Shqipëri nga diaspora në Greqi mund të kenë rënë me 30%, kryesisht si pasojë e rënies së industrisë së ndërtimit greke. Në këtë aspekt Shqipëria është më e ekspozuar se Kosova, pasi një numër shumë më i madh shqiptarësh të Kosovës punojnë në vendet gjermanisht folëse të Evropës qendrore të cilat janë relativisht më të begata. Opozita në Tiranë ka gjasa të pretendojë se vetëm ajo mund t’i garantojë Shqipërisë një të ardhme evropiane dhe të bëjë të mundur që vendi të çlirohet nga varësi të këtij lloji për të ardhurat, një pretendim ky që mund të gjejë mbështetje në elektorat. Nuk është se rrezikohet seriozisht ndonjë kolaps i bankave i ngjashëm me atë të 1997, por bëhet fjalë për një ngadalësim të mëtejshëm të ritmeve të kursimit që janë gjithsesi të ulëta, gjë që do të do të ushtrojë edhe më shumë presion në bazat modeste të kapitalit.


      Një faktor që do ta reduktojë këtë rrezik – sado i pakëndshëm të jetë ai në sytë e ndërkombëtarëve - është roli i ekonomisë ‘gri’ dhe asaj kriminale. Këto janë të konsiderueshme, dhe disa agjenci ligjore pretendojnë se një e treta e ekonomisë shqiptare përbëhet nga fonde që burojnë nga aktivitete kriminale apo gjysmë kriminale. Këto të dhëna duhen vlerësuar me një sy mjaft kritik. Në mënyrë të veçantë, në zonat rurale në Shqipëri, ka ende rajone të mëdha ku ekzistojnë fare pak institucione bankare dhe është e pashmangshme që aktivitete ekonomike elementare krejtësisht të ligjshme të kryen me para në dorë, duke shkelur kështu legjislacionin. Në mënyrë të ngjashme, një pjesë e madhe e dërgesave të emigrantëve janë po ashtu me para në dorë. Procedurat e kontabilitetit në shumë biznese legjitime janë ende elementare. Degët e bankave me pronësi të huaj ka mundësi që të jenë të përfshira në transaksione të dyshimta që përfshijnë para nga Bashkimi Evropian, por ky është një problem i njohur anembanë Evropës Lindore dhe nuk kufizohet tek vendet që ende s’janë anëtarësuar, siç tregon dhe shembulli i Bullgarisë.


      Sidoqoftë është e pakundërshtueshme që kontrabanda dhe tregtia e narkotikëve ekzistojnë në një shkallë të madhe për një ekonomi të vogël, por këto janë biznese që nuk preken shumë nga kushtet e ekonomisë ndërkombëtare dhe sasitë e mëdha të parave që këto gjenerojnë e gjejnë rrugën për në investime në biznese legjitime, veçanërisht në tregun e pronave, makina të mëdha, metalet me vlerë dhe mallrat luksoze. Në këtë mënyrë ekonomia e zezë dhe gri, në njëfarë mënyre, mund të jenë një recetë për stabilitet, për sa kohë ekzistenca e tyre nuk çon në një inflacion të kursit të këmbimit të monedhës vendase, një faktor i rëndësishëm ky në krizën bankare të 1997. Ekziston një rrezik real që kjo të ndodhë, si pasojë e forcimit të konsiderueshëm të lekut kundrejt dollarit dhe sterlinës gjatë dy viteve të fundit, dhe forcimit kundrejt euros. Për këtë temë ka këndvështrime të ndryshme e shpesh kontradiktore. Mund të argumentohet se paratë ‘gri’ kanë efekt destabilizues, në rast se një maxhorancë e varfëruar qytetarësh shohin një minorancë mafioze që pasurohet në mënyrë të paligjshme. Kjo sigurisht ishte pjesë e arsyeve që çuan në krizën e 1997. Por, tashmë kontrabanda është integruar deri në atë pikë në shoqërinë shqiptare dhe atë ballkanike në tërësi, dhe është shpesh aq e kamufluar në biznese krejt legjitime, sa ka pak gjasa të ketë efekte të këtij lloji, në një kohë që përfitimet që burojnë nga këto para kanë për të ushtruar një influencë më të fortë në stabilitetin e sistemit bankar. Nëse paratë me origjinë nga aktivitete kriminale duket sikur po luajnë një rol pozitiv në ekonominë e përgjithshme, kjo ka gjasa që të shërbejë si një inventiv për të mos ndjekur reformat e propozuara nga BE. Paralelizmi me disa nga ekonomitë e Amerikës Latine është i qartë. Mbetet për tu parë se çfarë efektesh kanë për të pasur në praktikë iniciativat e diskutuara në takimin e fundit të G-20 për çështjet e kontrollit financiar ndërkufitar të cilat prekin si transfertat e ligjshme financiare ashtu dhe ato ilegale.


PERSPEKTIVA ELEKTORALE


      Problemet kryesore që kushtëzojnë jetën e përditshme të shqiptarit të zakonshëm nuk janë influencuar shumë nga qeveria Berisha. Bëhet fjalë për furnizimin me ujë, ndërprerjen e energjisë elektrike, banesat e problemet e transportit, dhe problemet e shumta me infrastrukturën. Arsimi publik dhe sistemi shëndetësor janë në vështirësi, gjë që ka rezultuar në krijimin e shumë institucioneve private me standarde të ndryshme. Korrupsioni është i kudogjendur dhe është e nevojshme të paguash për shumë shërbime që teknikisht supozohet të jepen falas. Ka një trend inflacionit të lartë dhe në rritje në çmimet e produkteve ushqimore dhe të naftës, ashtu si dhe gjetkë në botë. Për 50% e varfër të popullsisë jeta është e vështirë, ndërsa për 20% më të varfër jeta është një betejë e përditshme për të mbijetuar ekonomikisht.

 
      Sidoqoftë njerëzit kanë një ndjenjë reale se vendi po ecën përpara dhe po fiton më shumë respekt, ndërsa vendimet për Kosovën dhe NATO-n janë vlerësuar shumë në popull, anembanë vendit. Është provuar se sjellja e ‘mirë’ në formën e punës të kryer për të ndërtuar një ekonomi tregu dhe ndjekja e politikave të jashtme amerikane sjell shpërblime reale dhe të prekshme, ndonëse si pasojë e kësaj BE, si një objektiv i realizueshëm në planin afatshkurtër apo afatmesëm, është eklipsuar disi. Aeroporti i ri mbresëlënës ndërkombëtar i Tiranës (dhe numri në rritje i fluturimeve ndërkombëtare), si dhe rruga Durrës – Kukës në ndërtim e sipër, ndoshta e simbolizojnë këtë më tepër se çdo gjë tjetër.


      Parti Socialiste e ka parë tradicionalisht Evropën si elementin më të mirë të politikës së tyre të jashtme, por është e pasigurt nëse kjo perspektivë ngre tashmë aq shumë vota sa dikur. Në nivelin e personaliteteve Edi Rama ka shumë admirues, sidomos si pasojë e arritjeve të tij si Kryetar Bashkie në rigjenerimin urban, por strukturat e vjetra dhe të korruptuara të Fatos Nanos në Partinë Socialiste mbeten të pandryshuara në shumë vende. Në Partinë Demokratike Berisha dhe klani i tij kanë në dorë levat e pushtetit dhe patronazhit. Ka pak të ngjarë që të ketë ndonjë ndryshim të drejtpërdrejtë strategjik si pasojë e zgjedhjeve në SHBA. Siç është argumentuar më lart, fitorja e McCain do ta kishte ndihmuar shumë zotin Berisha. Në rastin e Obamës, Partisë Socialiste do i duhet të vendosë nëse do të bëjë fushatë bazuar në një politikë që propozon një distancim më të madh nga SHBA dhe një politikë të jashtme më pro-Evropiane, e duke marrë kështu parasysh pasigurinë e përfitimeve konkrete që kjo do të sillte, sidomos pas votës irlandeze për Traktatin e Lisbonës. Me pak fat dhe nëse shmang një krizë madhore ekonomike apo bankare, Partia Demokratike mund ta mbajë pushtetin por rezultati ka gjasa të jetë i ngushtë. Interesat në lojë janë shumë të mëdha dhe vëzhgimi ndërkombëtar për të kontrolluar ndershmërinë e zgjedhjeve ka për të qenë një çështje e rëndësishme. Nevojitet një vëmendje e veçantë ndërkombëtare për të mbrojtur median relativisht të lirë nga presionet, që të shërbejë si një pengesë për manipulime madhore elektorale.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!