ZBULOHEN DOKUMENTET E HAGËS: E VËRTETA E INCIDENTIT NË KANALIN E KORFUZIT

 

 

Shkruan: Artur Meçollari Gazeta “PANORAMA”


            Ka qenë data 22 tetor 1946, ku dy destrojerë britanikë ranë në mina në ujërat territoriale të Shqipërisë. Ngjarje e arkivuar   si incidenti i Kanalit të Korfuzit, e cila përfshiu për një kohë të gjatë angazhimet diplomatike të të dy vendeve dhe të disa  organizmave ndërkombëtar, përfundoi me një proces gjyqësor dhe me tre vendime të njëpasnjëshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ishte një proces maratonë që u mbyll në 15 dhjetor 1949, duke shpallur Shqipërinë përgjegjëse për incidentin detar në Korfuz. Për 60 vjet me radhë ngjarja është trajtuar gjerësisht nga dëshmitarë, historianë dhe politikanë të shumtë, kryesisht në aspektin politik dhe rrallë në optikën juridike dhe të drejtës ndërkombëtare publike të kohës. Zbulimi i dokumenteve të paraqitura nga dy qeveritë respektive në Gjykatën Ndërkombëtare   të Drejtësisë dhe ato të prodhuara gjatë procesit gjyqësor, krijon një panoramë të plotë rreth incidentit për të cilën është konsumuar një konflikt disavjeçar midis dy vendeve tona. Po cila është logjika e këtyre dokumenteve dhe si e përshkruajnë ato përplasjen e 22 tetorit 1946 në ujërat territoriale në jug të Shqipërisë...


MJEDISI NË PRAG TË INCIDENTIT TË KORFUZIT


            Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u krijua qeveria komuniste e kryesuar nga Enver Hoxha. Orientimi i saj drejt lindjes nuk ishte i papritur, por natyrisht nuk mund të kënaqte interesat britanike për shmangien nga influenca e Perëndimit. Nga mesi i vitit 1945 marrëdhëniet midis Tiranës dhe Londrës nisën të krijojnë të çara, për shkak të rritjes së ndikimit të Titos mbi qeverinë shqiptare si dhe për mbështetjen dhe inkurajimin që Britania e Madhe vazhdonte t’u jepte rrymave nacionaliste properëndimore. Gjatë periudhës 1944-1945, anijet britanike, me dijeninë e Qeverisë shqiptare lundronin pranë bregdetit jugor të vendit, madje dhe në ujërat territoriale, pa nevojën e miratimit nga autoritetet e Tiranës. Gjatë kësaj periudhe, ku ende midis dy vendeve tona kishte marrëdhënie relativisht të mira, ndodhën disa incidente ushtarake, të cilat ndikuan në acarimin e tyre. Në këtë klimë Qeveria e Tiranës mori në mesin e vitit 1946 vendimin për moslejimin e kalimit të anijeve britanike në ujërat territoriale shqiptare. Është kjo periudha kur Shqipëria kishte vendosur marrëdhënie shumë të mira me Jugosllavinë e Titos. Mbas çlirimit, të dy vendet jetuan një “love story”, e cila u celebrua me shumë marrëveshje dypalëshe. Diku nga fundi i vitit 1948 “krushqia” me Titon dhe Beogradin shkoi drejt një “divorc”-i të bujshëm, ndarje e cila po ashtu do të ndikonte në procesin gjyqësor të incidentit të Kanalit të Korfuzit të zhvilluar gjatë vitit 1948-1949.

Harta që pasqyronte momentet e incidentit në Kanalin e Korfuzit
            Në pragun e incidenteve në Kanalin e Korfuzit, dy shtetet fqinje Shqipëria dhe Greqia përjetonin krizën më të thellë të marrëdhënieve midis tyre. Ato ishin acaruar qysh para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe u përkeqësuan ndjeshëm në Luftën Italo-Greke, gjatë së cilës Italia përdori territorin e vendit tonë për pushtimin e Greqisë. Pikërisht me këtë argument, Greqia i shpalli luftë Shqipërisë me anë të një ligji të miratuar në datën 10 nëntor 1940. Në vitin 1944 ndodhi masakra ndaj popullsisë çame në Greqi. Në periudhën 1944-1946 u shtuan së tepërmi provokacionet ushtarake të Greqisë në kufirin jugor të vendit tonë. Juridikisht dy vendet ishin në gjendje lufte dhe praktikisht shumë pranë saj.


OPERACIONET E PARA ANTIMINË NË KORFUZ


            Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, në maj 1945, u pastruan vetëm një numër shumë i vogël minash detare, nga dhjetëra mijëra të vendosura në detin Mesdhe. Siguria e lundrimit në Kanalin e Korfuzit me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore u deklarua nga Komanda Aleate mbas përfundimit të pastrimit të kryer në Kanalin e Korfuzit nga Marina Mbretërore Britanike në janar-shkurt 1945.


            Në përputhje me Marrëveshjen e nëntorit 1945 midis BRSS, SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, për kryerjen e operacionit të pastrimit të minave në mënyrë të koordinuar u ngarkua Bordi Qendror i Pastrimit të Minave. Bordi i Zonës së Mesdheut kishte në përbërje përfaqësues nga rajoni si dhe përfaqësues nga katër fuqitë fituese. Shqipëria nuk u thirr të merrte pjesë në Bordin e Zonës së Mesdheut, pasi nuk kishte forca detare dhe kapacitete për pastrimin e minave detare. Gjatë përmbushjes së objektivit të tij, Bordi i Mesdheut shpërndante informacionet e nevojshme mbi minat dhe pastrimin e tyre tek të gjitha vendet e Detit Mesdhe, sipas rajoneve përkatëse, informacione të cilat i ishin dhënë edhe Shqipërisë. Pastrimi i minave në detin territorial të Shqipërisë u krye nga minaheqëset e marinës britanike.


            Deri në 15 maj 1946, trafiku detar në Kanalin e Korfuzit, duke përfshirë edhe anijet e luftës, funksiononte relativisht pa probleme dhe pa ndonjë kundërshti nga vendet bregdetare.  Shqipëria dhe Greqia nuk kishin një marrëveshje të veçantë për regjimin e lundrimit dhe sigurisë në kanal. Në atë periudhë regjimi i lundrimit në kanal mbështetej në të drejtën zakonore ndërkombëtare të detit, pasi marrëdhëniet midis dy vendeve nuk mundësonin arritjen e një marrëveshje të përbashkët. Edhe gjatë operacioneve të pastrimit të minave të kryer nga marina britanike në Kanalin e Korfuzit dhe në rrugët e afrimit për në Portin e Vlorës dhe të Durrësit në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945, Shqipëria nuk ka pasur kundërshti lidhur me hyrjen e marinës britanike në ujërat territoriale shqiptare. 


            Marina britanike, e cila u angazhua në pastrimin e Kanalit të Korfuzit në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945, besonte në rregullat e së drejtës zakonore ndërkombëtare të detit, edhe pse të pakodifikuara, por historikisht të pranuara, duke interpretuar se e drejta e kalimit paqësor përfshinte edhe operacione të pastrimit të minave në detin territorial të një vendi tjetër, qoftë edhe pa marrëveshje me këtë të fundit.


INCIDENTI I PARË: 15 MAJ 1946 


            Në 15 maj 1946, ndërsa dy kryqëzor britanikë, H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb, po kalonin nëpër Kanalin e Korfuzit në përputhje me regjimin e kalimit paqësor, sipas versionit britanik, një bateri e artilerisë bregdetare shqiptare hapi zjarr kundër tyre.  Anijet britanike nuk iu kundërpërgjigjën zjarrit të baterive bregdetare shqiptare. Britania e Madhe protestoi për incidentin duke theksuar se, “kalimi paqësor nëpër ngushtica është i njohur nga e drejta zakonore ndërkombëtare e detit”, protestë të cilës Qeveria e Shqipërisë iu përgjigj se “anijet luftarake dhe tregtare të huaja nuk mund të kalojnë nëpër detin territorial shqiptar pa autorizim paraprak”. Përgjigjes së Qeverisë së Shqipërisë, Britania e Madhe iu kundërpërgjigj se, “në të ardhmen nëse do të hapet përsëri zjarr ndaj ndonjë anije luftarake britanike, ato do të kundërpërgjigjen me zjarr”.


            Incidenti i datës 15 maj 1946 ngeli në axhendën diplomatike të dy vendeve, pasi gjatë këtij incidenti nuk pati të dëmtuar dhe disa muaj më pas do të ndodhte incidenti “i vërtetë” i Kanalit të Korfuzit. Megjithatë, ngjarja e datës 15 maj 1946 zuri një vend të rëndësishëm në procesin gjyqësor të incidentit të Kanalit të Korfuzit, i përdorur si argument nga të dyja palët. Kronologjia e incidentit të datës 15 maj 1946 për të dyja palët ishte i ndryshëm. Për palën shqiptare “në orën 08:30 dy luftanije lundronin në drejtimin nga Kepi i Qefalit drejt Gjiut të Sarandës në një distancë një kilometër nga bregu dhe kur anijet u gjendën pranë Kodrës së Limionit në distancë rreth 800 metra, kudër tyre u hap zjarr me artileri, por zjarri u ndërpre mbasi u identifikua kombësia e tyre (britanike). Më pas lundrimi i anijeve britanike vijoi duke lundruar në një distancë rreth 200 metra nga bregu pranë Manastirit të San Xhiorxhios”. Sipas palës britanike, “në orën 08:25 të datës 15 maj 1946, ndërsa po i afrohesha Korfuzit nëpër Rrugëkalimin Medri 18/34 me H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb, u goditëm me artileri pa paralajmërime nga Port Edda. Zjarri zgjati deri në orën 08:37, dhe goditjet ishin mosmbritëse dhe tejkaluese të kalibrit 4 inç”. 

 
INCIDENTI I dyte, 22 tetor 1946


            Në 22 tetor 1946, në mesditë, dy kryqëzorë dhe dy destrojerë britanikë (H.M.S. Mauritius, H.M.S. Saumarez, H.M.S. Volage dhe H.M.S. Leander), të cilët lundronin në formacion kolonë sipas drejtimit jugveri, dolën nga Kanali i Korfuzit. Anijet britanike po lundronin në pjesën lindore të hyrjes veriore të Kanalit, nëpër detin territorial të Shqipërisë, duke e konsideruar të sigurt, pasi Kanali ishte pastruar në vitin 1944 dhe 1945. Kur ndodhej përballë Sarandës, në orën 14 e 53,5 minuta, destrojeri H.M.S. Saumarez ra në mine dhe u dëmtua rëndë. Kryqëzori H.M.S. Mauritius (Vendkomande e Skuadriljes) vazhdoi lundrimin në drejtim të Kepit të Qefalit, ndërsa Kryqëzori H.M.S. Leander u urdhërua të kthehej në drejtim të jugut, sipas rrugës së kundërt me atë që kishte ndjekur.  Gjatë kësaj periudhe një mjet i vogël detar doli nga Porti i Sarandës për t’i dhënë ndihmë H.M.S. Saumarez, ndihmë e cila u refuzua. Destrojeri H.M.S. Volage u dërgua për të ndihmuar destrojerin H.M.S. Saumarez dhe të dyja anijet morën rrugën e kthimit të kundërt me atë që kishin ndjekur. Gjatë lundrimit (ndërsa H.M.S. Volage rimorkionte H.M.S. Saumarez), në orën 16:25 ra në minë edhe H.M.S. Volage. Megjithatë, H.M.S. Volage mund të lundronte me shpejtësi të kufizuar, dhe në mbrëmje të dyja anijet mbërritën në Portin e Korfuzit. Për shkak të rënies në minë të dy destrojerëve, marina britanike humbi 45 oficerë dhe detarë, si dhe 42 të tjerë u plagosën.

PAMJE E ANIJES HMS SAUMAREZ NË MOMENTIN QË RA NË MINË FOTOGRAFIA ËSHTË MARRË

NGA URA E KOMANDIMIT TË HMS VOLAGE NË ORËN 14 53 TË DATËS 22 TETOR 1946


            Ngjarja e 22 tetorit 1946, ndezi stuhinë e përballjes së ashpër midis Tiranës dhe Londrës. Reagimi i parë erdhi nga pala e dëmtuar. E revoltuar nga incidenti i Korfuzit, Britania e Madhe nga njëra anë pranonte se kishte vepruar pa pëlqimin e autoriteteve shqiptare dhe nga ana tjetër justifikohej se operacionet e saj për pastrimin e minave ishin reflektim i detyruar ndaj një situate urgjente për sigurinë e lundrimit.

 Skema e lundrimit në Korfuz mbi të cilën shqyrtoi gjykata

 

„ Në 6 korrik 1945, dy anije pa flamur, u futën në ujërat shqiptare, qëlluan me mitraloz mbi Kepin e Qefalit dhe grabitën varkën e Xhemal Sadikut bashkë me pronarin, duke e çuar në Korfuz.

„ Në 17 korrik 1945 tri anije greke qëlluan me mitraloz molin e Sarandës.

„ Në 1 shtator 1945 një anije greke  qëlloi me top fshatin Mursi, Konispol.

„ Në 2 shtator 1945 një anije hyri në ujërat shqiptare, Vivar dhe qëlloi për

15 minuta me mitraloz.

„ Më 27 tetor 1945 kaloi në ujërat shqiptare një flotilje greke

„ Më 2 mars 1946 dy anije greke u futën në zonën shqiptare dhe hapën zjarr.

 

            Në distancën kohore midis goditjes me artileri nga bateritë bregdetare shqiptare të H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb më 15 maj 1946 dhe rënies në mina të H.M.S. Saumarez dhe H.M.S. Volage më 22 tetor 1946, vendi ynë vëzhgonte me kujdes trafikun detar në Kanalin e Korfuzit. Për Britanikët ekzistonte bindja se askush nuk mund të vendoste minat pa bashkëpunimin e Qeverisë së Shqipërisë ose dijeninë e saj. Më 9 dhjetor 1946, Qeveria Britanike i dërgoi Qeverisë së Shqipërisë një notë verbale të detajuar, duke përmendur të gjitha raportet e ndërsjellta qysh prej vitit 1944, si dhe problematikën e tyre. Nota i kërkonte Qeverisë së Shqipërisë të kërkonte falje për sulmet e paprovokuara të 15 majit 1946 dhe 22 tetorit 1946, si dhe të garantonte se nuk do të kishte përsëritje të “akteve të paligjshme” dhe humbje të jetës njerëzore, plagosje ose dëmtime nga sulme të tilla. Shqipërisë iu bë e qartë, se nëse brenda 15 ditësh Qeveria e Britanisë nuk do të merrte një përgjigje të kënaqshme, çështja do të shkonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si përgjigje Qeveria e Shqipërisë më 21 dhjetor 1946 i shprehu keqardhjen e saj Qeverisë së Britanisë së Madhe mbi incidentin e ndodhur më 22 tetor 1946, por mohoi përgjegjësinë për hedhjen e minave. Qeveria e Shqipërisë në përgjigjen e saj theksonte se “minat mund e ishin vendosur nga ata të cilët nuk dëshironin të shikonin rivendosjen e marrëdhënieve të mira midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe”, duke aluduar se kjo mund të ishte një punë e grekëve, pasi shumë nga anijet tregtare të tyre kishin lundruar në Kanalin e Korfuzit, duke hyrë edhe në detin territorial shqiptar, pavarësisht nga protestat e Qeverisë se Shqipërisë.

 

DENONCIMI I LONDRËS NË OKB

 

            Ishte 10 janari i vitit 1947 kur Britania e Madhe, e pakënaqur nga përgjigja e autoriteteve shqiptare, i paraqiti çështjen  Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke i shprehur përgjegjësinë e Shqipërisë për Incidentin e Kanalit të Korfuzit. Menjëherë Këshilli i Sigurimit të OKB-së e mori denoncimin në një mbledhje të veçantë. Në këtë seancë vendi ynë u përfaqësua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Hysni Kapo, i cili mori fjalën në datën 17 shkurt 1947 dhe e konsideroi incidentin e datës 22 tetor 1946 si një “provokacion” të organizuar nga Grekët dhe Britanikët, me qëllim spostimin nga axhenda e Këshillit të Sigurimit anëtarësimin e Shqipërisë në OKB.

              Për këtë Hysni Kapo u kujtoi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se Shqipëria kishte paraqitur kërkesën për anëtarësim në datën 29 tetor 1946 dhe ende nuk ishte vënë në rendin e ditës. Ndërkaq, Hysni Kapo në fjalën e tij përmendi një numër provokacionesh detare të organizuara nga Marina Greke dhe ajo Britanike përpara datës 15 maj 1946. “Qeveria Britanike, u shpreh numri dy i diplomacisë shqiptare, ka qenë në dijeni të qëndrimit armiqësor të Qeverisë Greke karshi Shqipërisë dhe të provokacioneve të përsëritura të saj kundër vendit nga toka, deti dhe ajri. Në këto rrethana, për të evituar çdo incident të padëshiruar, anijet angleze duhet të kishin treguar flamurët e tyre dhe t’u përgjigjeshin shenjave paralajmëruese të Forcave Bregdetare shqiptare, sidomos kur anijet, siç deklaroi vetë Qeveria Britanike për rastin e 15 majit, nuk kishin qëllim armiqësor ose provokativ. Më 18 shkurt 1947, Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Alexander Cadogan prezantoi në Këshillin e Sigurimit çështjen kundër Shqipërisë lidhur me Incidentin e Kanalit të Korfuzit. Sipas Cadoganit, provat direkte tregonin se minat ishin vendosur me qëllim, kohët e fundit dhe fshehurazi, në kundërshtim me Nenin 2 dhe 3 të Konventës së Hagës VIII të Vitit 1907, e cila ndalon hedhjen e minave fshehurazi, dhe ky veprim në çdo rast përbën krim kundër njerëzimit. Po sipas Cadoganit kishte fakte indirekte për përgjegjësinë e Shqipërisë, pasi pak kohë përpara incidentit ajo kishte shpallur pretendime të tepruara për ushtrimin e kontrollit të trafikut detar në Kanalin e Korfuzit, dhe se në disa raste ka treguar  mbikëqyrje të kujdesshme mbi trafikun detar dhe ky trafik ka qenë edhe objekt i zjarrit me artileri. Britania e Madhe e karakterizonte Qeverinë e Shqipërisë si “një kërcënim serioz dhe thyerëse të sigurisë dhe paqes ndërkombëtare, duke treguar mospërfillje kriminale ndaj së drejtës së kalimit paqësor ndaj çdo kombësie gjatë përdorimit të rrugëkal imeve ndërkombëtare”. Në 24 shkurt 1947, Përfaqësuesi i Misionit të Australisë në OKB Paul Hasluck i propozoi Këshillit të Sigurimit të krijonte një nënkomitet për hetimin e incidentit, për shkak të provave të kundërshtueshme mbi origjinën e fushës me mina. Nuk ishte e sigurt nëse Këshilli i Sigurimit në seancë plenare mund të vepronte me procedurë të përshpejtuar dhe të ngrinte një nënkomitet hetimor, i cili t’i jepte mundësinë Këshillit të Sigurimit që pa sforco dhe me një procedurë normale të merrte vendimin. Bashkimi Sovjetik e kundërshtoi propozimin e Australisë, duke deklaruar se Britania e Madhe kishte bërë akuza të pabazuara dhe të padrejta, të cilat binin në kundërshtim me Nenin 35 të Kartës së OKB-së, dhe se Britania e Madhe nuk po vepronte në përputhje me këtë kartë. Më 27 shkurt 1947, pas abstenimit të Bashkimit Sovjetik, Polonisë dhe Sirisë, Këshilli i Sigurimit me tetë vota pro adaptoi propozimin e Australisë, dhe vendosi që Nënkomiteti Hetimor i ngritur për këtë qëllim, të raportonte në Këshillin e Sigurimit më 10 mars 1947. Kryesinë e Nënkomitetit e mori Kolumbia, dhe Nënkryesinë, me insis timin e Bashkimit Sovjetik e mori Polonia në vend të Sirisë. Më 11 mars 1947, Misioni i Australisë në OKB raportoi në takimin e fundit të Nënkomitetit. Delegacioni i raportoi Nënkomitetit se kishte  shpresa që ata mund të pranonin një raport të mbështetur nga Kolumbia dhe Australia, edhe nëse jo nga Polonia, me qëllim që Këshilli i Sigurimit të arrinte një vendim lidhur me pretendimet e Britanisë së Madhe, se dëmi ishte shkaktuar nga fusha me mina të padeklaruara, dhe se këto fusha ishin vendosur kohët e fundit nga Shqipëria ose me dijeninë e saj. Në përfundim, paragrafi i cili rekomandonte Këshillin e Sigurimit u formulua si me poshtë:  “Kemi qenë në kontakt të ngushtë me Delegacionin e Britanisë së Madhe, dhe ky raport lë rrugë të hapur për zgjidhje dhe mund të pranohet nga ata. Ka mundësi që Bashkimi Sovjetik të vendosë veton për rezolutën e Britanisë së Madhe, dhe propozimi i bërë nga Kolumbia është që çështja të shkojë në gjyq. Polonia e cila fillimisht ishte dakord që çështja të shkonte në gjyq, tani mbështet idenë që palët të negociojnë me njëratjetrën në përputhje me Nenin 32 të Kartës së OKB-së”. Mbretëria  e Bashkuar ishe një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe e kaloi çështjen e Incidentit të Kanalit të Korfuzit për zgjidhje në Këshillin e Sigurimit në përputhje me Nenin 34 të Kartës së OKB-së. Po në përputhje me Nenin 27(3) të Kartës së OKB-së, Britania e Madhe nuk mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të datës 9 prill 1947, kur rezoluta mbi Incidentin e Kanalit të Korfuzit u hodh për votim. Rezoluta e OKB-së e 9 prillit 1947, mbështetur mbi rekomandimet e Nënkomitetit Hetimor, në përputhje me Nenin 33 (2) të Kartës së OKB-së vendosi në Takimin e 127-të me 8 vota pro dhe 2 abstenime u formulua si vijon : “Këshilli i Sigurimit duke marrë në konsideratë deklarimet e përfaqësueseve të Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, lidhur me kundërshtinë midis tyre për incidentin e datës 22 tetor 1946 në Ngushticën e Korfuzit, në të cilin dy anije britanike u dëmtuan nga minat, dhe si rezultat pati humbje të jetëve njerëzore dhe të lënduar nga ekuipazhet, rekomandon që Qeveria e Britanisë së Madhe dhe e Shqipërisë duhet menjëherë të paraqesin kundërshtinë e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në përputhje me dispozitat e Statusit të Gjykatës”. Për sa i përket Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Sigurimit, e shqyrtoj çështjen pavarësisht se Shqipëria nuk ishte anëtare e OKB-së.  Mbi këtë çështje Presidenti i Këshillit të Sigurimit u deklarua se “përderisa Shqipëria nuk është anëtare e OKB-së ajo nuk ka detyrimin të paraqitet përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.  Megjithatë, përderisa ajo i pranon detyrimet njësoj si anëtaret e tjerë të OKB-së, ashtu siç shprehet edhe në ftesën e Këshillit të Sigurimit për të marrë pjesë në diskutimin e çështjes, Shqipëria është tashmë si çdo anëtar i OKB-së e detyruar të përmbushi dispozitat si të Kartës se OKB-së edhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

 

ANGLIA PADI NË HAGË

 

            Britania e Madhe depozitoi padinë e saj të njëanshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dokument i firmosur nga përfaqësuesi i saj Ë.E.Beckett, në datën 30 shtator 1947. Edhe pse padia u kundërshtua nga Shqipëria, u pranua për gjykim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 25 mars 1947. Shqipëria e argumentonte kundërpadinë e saj, për mos pranim padie, me argumentin se  “Britania e Madhe përpara se të paraqiste çështjen në Gjykatë, në përputhje me Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947 duhet të arrinte një marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë, për kushtet në të cilat palët të prezantonin atë në Gjykatë”. Në datën 2 gusht 1947, Ambasadori Shqiptar në Paris Behar Shtylla, i dërgoi një letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, letër të cilën e dorëzoi personalisht Përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjyq, Kahraman Ylli në datën 23 gusht 1947. Në letër thuhej se veprimi Britanisë së Madhe për të paraqitur çështjen në Gjykatë në mënyrë të njëanshme, konsiderohet “i parregullt”, dhe në “mospërputhje” me Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947. Në po të njëjtën letër, Qeveria e Shqipërisë emëronte përfaqësuesin e saj në gjyq, i cili ishte Kahraman Ylli, si adresë e të cilit do të përdorej adresa e Përfaqësisë së Republikës Federative të Jugosllavisë në Hagë. Në datën 3 korrik 1947, Presidenti i Gjykatës José Gustavo Guerrero lëshoi një urdhër në të cilin caktonte 1 tetor 1947, si datë të paraqitjes së provave të Britanisë së Madhe dhe datën 10 dhjetor 1947 për paraqitjen e kundërprovave të Qeverisë së Shqipërisë.  Britania e Madhe i dorëzoi provat në datën 1 tetor 1947, me anë të të cilave sqaronte incidentin e datës 22 tetor 1946. Në materialin me kundërprovat e saj, të cilat Qeveria e Shqipërisë i dorëzoi në datën 9 dhjetor 1947, paraqiste kundërshtitë paraprake, duke interpretuar padinë e Britanisë së Madhe “të papranueshme”. Argumentet e Qeverisë së Shqipërisë mbështeteshin kryesisht në Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947. Kundërshtitë paraprake iu dorëzuan Mbretërisë së Bashkuar në datën 10 dhjetor 1947. Nëpërmjet një urdhri të lëshuar nga Presidenti i Gjykatës José Gustavo Guerrero,  të datës 10 dhjetor 1947, iu kërkua Mbretërisë së Bashkuar që deri në datën 20 janar 1948 të paraqiste pranë kësaj Gjykate argumentet kundër kundërshtive paraprake të Qeverisë së Shqipërisë. Ky dokument u dorëzua në datën 19 janar 1947 nga pala britanike, në të cilin Britania e Madhe i kërkonte Gjykatës “të mospranonte kundërshtinë paraprake të Qeverisë së Shqipërisë”.

 

            “Minat në Kanalin e Korfuzit u vendosën nga shqiptarët. Së paku, me dijeninë e tyre”. Përkundër argumentit të britanikëve, përfaqësuesit e Shqipërisë në Gjykatën e Hagës, ndërsa hidhnin poshtë akuzën, denonconin Britaninë për shkeljen e sovranitetit kombëtar. Në proces, të dyja palët paraqitën dy pozicione katërçipërisht të kundërta. Po si vazhdoi dialogu dhe cili ishte verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë...

 TRUPI GJYKUES I GJYKATES SE HAGESQE MORI NE SHQYRTIM INCIDENTIN

E KANALIT TE KORFUZIT NE VITIN 1949

 

 

TRE MUAJ PROCES GJYQËSOR


            Procesi gjyqësor për shqyrtimin e incidentit të Kanalit të Korfuzit nisi në seancë publike, në fillim të nëntorit 1948 dhe u mbyll në 22 janar 1949. Paraprakisht, Shqipëria dhe Britania e Madhe kishin nënshkruar një marrëveshje të veçantë midis tyre. Trupi gjykues drejtohej nga president José Gustavo Guerrero. Në proces pala Britanike përfaqësohej nga W.E.Beckett, këshilltar ligjor i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hartley Shawcross, prokuror i Përgjithshëm, Frank Soskice, ekspert i të drejtës ndërkombëtare dhe dy asistent të tjerë. Ndërkaq, Shqipëria përfaqësohej nga Kahraman Ylli, Behar Shtylla, ambasador i Shqipërisë në Paris, Pierre Cot, profesor i së Drejtës në Francë, Maitre Marc Nordmann dhe Maitre Paul Villard, anëtar i Klubit të Parisit. I përballur me kundërshtitë e palëve qysh në fillim, trupi gjykues vendosi të ngrejë një grup ekspertësh për dhënien e opinioneve të pavarura në të cilin u caktuan kundëradmiral J. B. Bull i Marinës Mbretërore Norvegjeze; Kundëradmiral S. A. Forshel i Marinës Mbretërore Suedeze dhe kapiten i Rangut të Dytë S. J. W. Elfferich.


MEMORANDUMI I VEÇANTË


            Procesi gjyqësor nisi me vlerësimin e pyetjeve të parashtruara nga palët në Memorandumin e Veçantë të datës 25 mars 1948.

            Për pyetjen e parë:  A është Shqipëria përgjegjëse në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në ujërat shqiptare dhe a ka detyrimin të paguajë kompensimin për dëmet e shkaktuara?


            A) Sipas fakteve të paraqitura nga pala britanike, Kanali i Korfuzit ishte kontrolluar për prezencën e minave nga Marina e Britanisë së Madhe në Tetor 1944 dhe rikontrolluar në janar-shkurt 1945 dhe kishte rezultuar se ishte i pastër nga minat dhe i lirë për lundrim. Kjo vërtetohej edhe nga faktet e paraqitura nga pala britanike dhe të pranuara nga trupi gjykues, se lundrimi e luftanijeve britanike në datat 15 maj dhe 22 tetor 1946, ishin bërë pa masa për mbrojtje nga minat.


            Kanali i Korfuzit u kontrollua përsëri nga marina britanike në datat 12-13 nëntor 1946, mbas shpërthimeve të datës 22 tetor 1946, dhe nga kontrolli u zbuluan dhe u nxorën 22 mina gjermane të tipit GY (kontakte me spirancë). Këto fakte bënë që Britania e Madhe të pretendonte se minat, që shpërthyen dy anijet britanike në 22 tetor 1946 ishin mina gjermane të tipit GY (me spirancë), të njëjta me ato të nxjerra në datën 12 dhe 13 nëntor 1946 dhe se ishin vendosur midis datave 15 maj-22 tetor 1946.


            Pala shqiptare pretendoi se minat e zbuluara në datën 13 nëntor 1946, ishin vendosur mbas datës 22 tetor 1946 (dita e incidentit), pasi sipas saj, minat që goditën dhe shpërthyen dy luftaanijet britanike në datën 22 tetor 1946 mund të kenë qenë mina lundruese (pa spirancë), mina magnetike fundore, mina magnetike me spirancë ose mina të Tipit GR. Nga ekspertiza e formës së shpërthimit në bordin e anijeve, grupi i ekspertëve doli në konkluzionin se në datën 22 tetor 1946 shpërthimi në bordin e dy anijeve britanike ishte shkaktuar nga mina kontakte me spirancë. Mbështetur mbi argumentet dhe kundërargumentet e mësipërme, trupi gjykues doli në konkluzionin se minat që shpërthyen në bordin e dy anijeve britanike në datën 22 tetor 1946 ishin të njëjta me ato të zbuluara në datën 13 nëntor 1946.


            B) Mbështetur mbi këtë analizë pala britanike akuzoi Shqipërinë për vendosjen e minave gjermane të tipit GY, midis datave 15 maj dhe 22 tetor 1946. Në fakt, ashtu siç e pranoi edhe trupi gjykues, britanikët nuk paraqitën prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën e tyre. 

 
            Gjykata  hodhi poshtë deklarimet e palës britanike në gjyq se minat ishin vendosur nga jugosllavët dhe për këtë Shqipëria kishte dijeni, duke u deklaruar se mbetet e panjohur kush hodhi minat, të cilat shpërthyen dy luftanijet britanike në 22 tetor 1946. 


            Ndërkaq, pala britanike formulonte akuzën tjetër, sipas të cilës, Shqipëria kishte dijeni për vendosjen e minave përpara datës 22 tetor 1946. Sipas saj: “Minimi nuk mund të ishte bërë pa dijeninë e Qeverisë së Shqipërisë”.


ARGUMENTET E BRITANIKËVE


            Argumenti kryesor i britanikëve që bënte përgjegjës vendin tonë merrte për bazë sjelljen e dyshimtë të Qeverisë së Shqipërisë përpara dhe pas incidentit të datës 22 tetor 1946, dhe veçanërisht deklaratat kontradiktore në korrespondencat diplomatike. Ndërkaq, Qeveria e Shqipërisë, për nga mënyra se si e trajtoi çështjen e incidentit, duke i dhënë ngjyrime të ekzagjeruara politike, madje edhe kur çështja ishte për gjykim në  Hagë, lejoi mundësinë e interpretimit dhe paragjykimit të veprimeve të saj jo kompetente në çështjet ndërkombëtare, si mbrojtje ndaj një dijenie të mundshme të operacionit të minimit.


            Por, nuk pati asnjë fakt që të vërtetonte se Shqipëria ishte në dijeni të vendosjes se minave


            (2) Britanikët debatuan edhe për faktin se mendonin që autoritetet lokale shqiptare mund të kenë parë ose dëgjuar për operacionin e minimit. Britanikët e hodhën këtë hipotezë mbështetur në vigjilencën e lartë të treguar nga forcat bregdetare shqiptare në datën 15 maj 1948, deklarim i bërë nga përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit më 19 Shkurt 1947, si dhe deklarimet e Qeverisë së Shqipërisë lidhur me të drejtën e kalimit paqësor nëpër kanal dhe monitorimin që ajo i bënte atij. Gjatë procesit gjyqësor dolën fakte të tjera që krijonin dyshime mbi dijeninë e Shqipërisë për prezencën e minave. Qeveria e Shqipërisë mbas veprimit për pastrimin e minave nga anijet e Britanisë së Madhe në detin e saj territorial në datat 12-13 nëntor 1946, i dërgoi një telegram sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ku protestonte për dhunimin e sovranitetit të Shqipërisë, por deri në atë kohë, si dhe më pas, nuk e vuri në dijeni këtë të fundit për prezencën e minave detare në Kanalin e Korfuzit. Gjithashtu, mbas datës 22 tetor 1946 Shqipëria nuk mori asnjë masë për identifikimin e fushës me mina, ndërsa Greqia ngriti një komision të veçantë për të hetuar ngjarjen e datës 22 tetor 1946.


            Mbështetur në argumentet e mësipërme, të cilat në fakt nuk janë prova direkte, por rrethanore, Trupi Gjykues gjykoi se: “Sjellja e Qeverisë së Shqipërisë nuk është në përputhje me pretendimin e saj për mosnjohjen e prezencës së minave në detin e saj territorial.  Kjo shpjegohet me atë se Qeveria e Shqipërisë ndërsa ishte në dijeni për prezencën e minave, dëshironte që operacioni i vendosjes së tyre të mbetej sekret”.
            Fakti që rojet bregdetare shqiptare mund të kishin identifikuar vendosjen e minave nuk u provua. Gjykimi i trupit gjykues më tepër mbështetej në një arsyetim logjik, sesa në prova direkte të cilat vërtetonin njohjen e prezencës së minave nga qeveria e Shqipërisë. Dëshmitarët shqiptarë në gjyq, treguan se roja bregdetare shqiptare në rajonin e Sarandës ishte organizuar në tre posta: Kepi i Qefalit, në qytetin e Sarandës dhe në Manastirin e San Xhiorxhios. 


            Në raportin e ekspertëve të datës 8 janar 1949 deklarohej se operacioni i minimit, duke përfshirë edhe mundësinë e kryerjes së tij gjatë natës, mund të jetë vëzhguar me ndihmën e dylbive nga Pika Denta dhe Manastiri i San Xhiorxhios. Për sa i përket mundësisë së vëzhgimit të operacionit të vendosjes së minave, ekspertët deklaruan se në kushte moti të favorshme minimi mund të dëgjohej nga Kepi i Limionit (kodra e Limionit) Raporti i dytë i ekspertëve, i mbajtur në 8 shkurt 1949, pas vizitës që ata bënë në Sarandë, nuk ndryshoi asgjë nga konkluzionet e raportit të parë. Konkluzioni i ekspertëve për testin e pamshmërisë ishte si vijojnë: “Vendosja e minave duhet të jetë parë nga bregu, nëse kushtet meteorologjike kanë qenë normale (retë 3-4/10, jo mjegull ose shi i dendur, erë e lehtë toke, pamshmëria 20 milje), dhe nëse pikat e vrojtimit gjendeshin në Kepin e Qefalit dhe  Manastirin e san Xhiorxhios.    
            Për pyetjen e parë Trupi Gjykues bëri vlerësimin e mëposhtëm:  Ashtu siç edhe është deklaruar, palët bien dakord që minat janë hedhur kohët e fundit (pak përpara datës 22 tetor 1946). Por, mund të dilet në përfundimin se, pavarësisht kur ka qenë dita e saktë, minimi është kryer gjatë periudhës, që Shqipëria kishte vigjilencë dhe vrojtim të lartë në kanal. Nëse do të supozohet se minimi është bërë në momentet e fundit, p.sh., një natë përpara datës 21 dhe 22 tetor 1946, mund të dilet në konkluzionin se njoftimi i përgjithshëm për marinarët për  trafikun në kanal, përpara kohës së shpërthimit, do të ishte i vështirë, për të mos thënë e pamundur. Por kjo nuk mund të frenonte Qeverinë e Shqipërisë, siç edhe duhet të kishte bërë, të paralajmëronte të gjitha anijet që gjendeshin në zonën e rrezikshme. Kur anijet britanike, në datën 22 tetor 1946 në orën 13:00, u raportuan nga posta bregdetare shqiptare e Manastirit të San Xhiorxhios, tek komandanti i Forcave Bregdetare, ndërsa ato i afroheshin Kepit të Gjate, Autoritetet Shqiptare kishin kohën e mjaftueshme, rreth dy orë, përpara shpërthimit të parë të H.M.S. Saumerz në orën 14:53, për të njoftuar anijet që po shkonin drejt rrezikut”.


            Mbështetur në këtë gjykim, Trupi Gjykues për pyetjen e parë vendosi: “Shqipëria është përgjegjëse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin e saj territorial, si dhe për dëmet dhe humbjet e jetëve njerëzore të shkaktuara. Për këtë Shqipëria ka detyrimin t’i paguajë kompensim Mbretërisë së Bashkuar”.


            Për pyetjen e dytë: Sipas së drejtës ndërkombëtare, a ka dhunuar Mbretëria e Bashkuar sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet veprimeve të marinës se saj në ujërat e Shqipërisë, së pari në ditën e shpërthimit më 22 tetor 1946 dhe së dyti në datat 12 dhe 13 nëntor 1946 dhe a ka ndonjë detyrim për të përmbushur?


            Për datën 22 Tetor 1946. Britania e Madhe nuk pranoi se kishte dhunuar sovranitetin e shtetit shqiptar në datën 22 tetor 1946, kur katër luftanijet britanike ishin duke kryer “kalim paqësor” nëpër Kanalin e Korfuzit. Për të argumentuar pozicionin e saj, përfaqësuesi i Britanisë së Madhe fillimisht bëri një retrospektivë, duke nisur nga incidenti i datës 15 maj 1946.

 
            Në mbështetje të argumentit të saj, Britania e Madhe solli në seancë fakte mbi intensitetin e trafikut në Korfuz për periudhën 1 prill 1936 deri 31 dhjetor 1937, trafik i cili i kalonte 2884 anije kryesisht me flamujt e shteteve: Greqi, Itali, Rumani, Jugosllavi, Francë, Shqipëri dhe Britania e Madhe. Sipas Trupit Gjykues, e drejta ndërkombëtare zakonore e detit njeh të drejtën e kalimit paqësor të anijeve të luftës, në kohe paqe, nëpër ngushticat ndërkombëtare që lidhin dy dete ndërkombëtare,  pa autorizimin e vendit bregdetar. Përveç rasteve të parashikuara nga e drejta zakonore ndërkombëtare, shteti bregdetar nuk gëzon të drejtën të pezullojë kalimin paqësor nëpër ngushticat ndërkombëtare. Në këto rrethana trupi gjykues ishte i mendimit se Britania e Madhe nuk kishte dhunuar sovranitetin e Shqipërisë, duke urdhëruar kalimin nëpër kanal të anijeve të tyre, pa autorizimin paraprak të Shqipërisë.


            Përfaqësuesi i Shqipërisë argumentoi se kalimi i anijeve britanike nëpër detin territorial të Shqipërisë në Kanalin e Korfuzit në datën 22 tetor 1946 nuk ishte një lundrim i zakonshëm, por një mision politik, pasi: anijet kryenin manovra dhe lundronin në formacion luftimi në formë rombi; pozicioni i topave nuk ishte në përputhje me të drejtën e kalimit paqësor; ekuipazhet qëndronin në postet e luftimit, numri i anijeve gjatë kalimit ishte i panevojshëm dhe tregonin synimin për të krijuar frikë dhe jo thjesht një kalim; anijet kishin urdhër të vrojtonin dhe identifikonin bateritë bregdetare, detyrë të cilën po e kryenin.


            Po ashtu Përfaqësuesi i Shqipërisë solli në seancë si argument edhe telegramin e admiralit Britanik të datës 21 tetor 1946 drejtuar komandës Detare të Mesdheut, në të cilin ai i kërkonte kësaj komande të realizonte lundrimin me luftanije dhe njëkohësisht të testonte edhe sjelljen e Qeverisë së Shqipërisë. Por trupi gjykues kishte tjetër vlerësim. Më datën 15 maj 1946 Qeveria e Shqipërisë tentoi të imponojë vullnetin e saj me përdorimin e artilerisë ndaj anijeve britanike. Për shkak se korrespondenca diplomatike midis dy vendeve nuk dha rezultat për sheshimin e kundërshtive mbi të drejtën e kalimit paqësor të luftanijeve britanike nëpër kanal, trupi gjykues ishte i mendimit se “veprimi i kalimit të anijeve britanike nuk mund të kundërshtohet dhe është bërë plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Misioni ishte planizuar për të afirmuar të drejtën e kalimit paqësor, të mohuar në mënyrë të jashtëligjshme”. Po ashtu edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe tentoi të sjellë argumente kundër pozicionit të përfaqësuesit të Shqipërisë, duke deklaruar se anijet nuk ishin në formacion luftimi, në formë rombi, por në kolonë për një dhe vërtet ekuipazhet ishte në poste luftarake. Duke pasur në konsideratë situatën e datës 15 maj 1946, ekuipazhet ishin gati të vepronin nëse mbi anijet do të hapej zjarr. Anijet kaluan në kolonë për një, sipas përfaqësuesit britanik në një periudhë tensioni midis dy vendeve “jo vetëm për të testuar sjelljen e Qeverisë së Shqipërisë, por edhe për të demonstruar forcë, me qëllim që Qeveria e Shqipërisë të mësojë të përmbahet dhe mos hapi zjarr ndaj anijeve që kryejnë kalim paqësor”.


            Duke marrë në konsideratë provat e paraqitura nga pala shqiptare, trupi gjykues deklaroj se: “Nuk mund të pranojë se topat ishin në pozicion luftimi, por kanë qenë në përputhje me të drejtën e kalimit paqësor” dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e paraqitura nga pala britanike, trupi gjykues deklaroi se: “Nuk ishte i aftë të karakterizonte masat e marra nga Britania e Madhe si dhunim të sovranitetit të Shqipërisë”.


            Gjatë kalimit të anijeve britanike në datën 22 tetor 1946, një nga detyrat e tyre ishte identifikimi i baterive bregdetare në rajonin e Sarandës. Kjo vërtetohet nga harta e Admiraliatit Britanik (Aneksi 21), të prezantuar në gjykatë. Po ashtu në raportin e Komandantit të HSM Volage të bërë në datën 23 Tetor 1946 mbi kalimin e datës 22 Tetor 1946 theksohet se: “U bë e pamundura të studiohet mbrojtja bregdetare Shqiptare në distancë sa më të afërt”. Ky shënim ishte bërë me iniciale XCU. 


            Në përputhje me Nenin 49 të Statutit të Gjykatës, trupi gjykues i kërkoi Britanisë së Madhe dokumentet, që i referoheshin inicialeve XCU, për t’u përdorur nga Gjykata. Këto dokumente nuk u dorëzuan dhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe u justifikua duke deklaruar se dokumentet “përbënin sekret të Marinës Mbretërore” dhe gjatë procesit gjyqësor dëshmitarët britanikë nuk pranonin t’u përgjigjeshin pyetjeve, që lidheshin me inicialet XCU. Për Gjykatën ishte e pamundur të njihej me këto dokumente.  Por sipas mendimit të saj, ajo nuk mund të shkëpuste vëmendjen nga objekti i gjykimit dhe nga provat e demonstruara deri tani.  Përfaqësuesi britanik deklaroi se dokumentet XCU ishte një plan paraprak në rast zjarri nga bateritë bregdetare shqiptare, ashtu siç edhe deklaroi Komandanti i HSM Volage. Gjykata nuk tentoi më të kërkonte këto dokumente, duke gjykuar: “Se pavarësisht nga kjo nuk mund të rrinte indiferente që dy anije britanike ranë në minë dhe nuk reaguan paskëtaj”. Lidhur me identifikimin e baterive bregdetare shqiptare mbas shpërthimeve, sipas opinionit të Trupit Gjykues, ky veprim ishte plotësisht i justifikueshëm nga ana e anijeve britanike, pasi komandantët e tyre ende dyshonin se mund të goditeshin me artileri si në datën 15 maj 1946. Lidhur me pretendimin e Shqipërisë për dhunimin e sovranitetit të saj, sipas opinionit të Trupit Gjykues, Britania e Madhe “mbështetur në veprimet e anijeve britanike në datën 22 tetor 1946, ato nuk kishin dhunuar sovranitetin e Shqipërisë.”


            Për datat 12-13 nëntor 1946. Gjatë procesit gjyqësor përfaqësuesi i Britanisë së Madhe e pranoi që ishte dhunuar sovraniteti i Shqipërisë, por sipas tij: “Nuk mund të konsiderohet si një dhunim i paramenduar i sovranitetit dhe territorit të Shqipërisë”. Sipas përfaqësuesit britanik, ky operacion ishte një emergjencë ekstreme, dhe që u konsiderua të kryhej pa pëlqimin e ndokujt. Për këtë arsye pala britanike paraqiti një justifikim ligjor duke argumentuar si më poshtë: “Në përputhje me Marrëveshjen e 22 nëntorit 1945 midis qeverive të Britanisë së Madhe, Francës, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, autorizohet një organizëm rajonal për pastrimin e minave, siç është Zona e Mesdheut, dhe që kjo zonë ndahet midis shteteve në zona më to vogla për t’u pastruar. Për sa i përket Kanalit të Korfuzit, kjo zonë i është dhënë nën përgjegjësi Greqisë për tu pastruar nga Bordi i Zonës së Mesdheut në datën 5 nëntor 1945, përpara nënshkrimit të marrëveshjes së përmendur më lartë. Në procesin gjyqësor të incidentit të Kanalit të Korfuzit, Britania e Madhe paraqiti një leje të lëshuar nga Qeveria Greke për të rikontrolluar dhe ripastruar nga minat Kanalin e Korfuzit”.


            Argumentet e palës britanike nuk ishte bindëse për Trupin Gjykues, por ai vërejti se veprimet e Qeverisë së Shqipërisë dështuan për marrjen e përgjegjësive mbas shpërthimeve të datës 22 tetor 1946, dhe konstatoi natyrën e ngadaltë të diplomacisë shqiptare. Në respekt të së drejtës ndërkombëtare, trupi gjykues deklaroi se “veprimet e Marinës Mbretërore Britanike në datën 12-13 nëntor 1946 përbënin dhunim të sovranitetit të Shqipërisë”.   Po ashtu, sipas Vendimit të Trupit Gjykues, ky deklarim “është në përputhje me kërkesën e palës shqiptare, e shprehur edhe nga përfaqësuesit e saj, dhe është në vetvete një përmbushje e pranueshme e detyrimeve”.                                                    
  

 

Faksimile e dëshmive gjatë procesit të Gjykatës së Hagës

 

 

Ç’THANË DY DËSHMITARËT JUGOSLLAVË NË GJYQIN E HAGËS

 

            “Minat në Kanalin e Korfuzit janë vendosur nga ushtarakët jugosllavë me porosinë e autoriteteve të Tiranës!” Kur grupi i ekspertëve të pavarur provoi në proces se Shqipëria nuk kishte mundësi e mjete për të bërë minimin e kanalit detar, që solli incidentin e 22 tetorit 1946, pala britanike operoi me argumentin tjetër, sipas të cilit, minimi i Korfuzit ishte bërë me porosinë e Tiranës. Opsioni i hedhur rishtas përpara trupit gjykues fund e krye mbështetej në rrëfimet e dy ish-ushtarakëve të marinës jugosllave. prania e të cilëve në proces ishte sa befasuese aq dhe e dyshimtë. Gjithsesi, deklaratat dhe dëshmitë e tyre i dhanë ballafaqimit gjyqësor një tjetër profil, ku shquhej sidomos misteri i deponimeve, që herë-herë nuk kishin as rrjedhë logjike. Britania e Madhe që kishte futur në lojë dy ish-ushtarakë të Titos i qëndronte fort hipotezës, që penalizonte Shqipërinë për shpërthimet ndaj dy luftanijeve të saj dhe shprehej e bindur se minat ishin vendosur nga dy luftanije jugosllave me dijeninë dhe porosinë e autoriteteve të Tiranës. Pikërisht për këtë pala britanike paraqiti para Gjykatës një sërë deklaratash e dëshmish, ku ndër më kryesoret ishin ato të dy jugosllavëve Zhivan Pavllov dhe Karel Kovaçiç. E gjitha kjo situatë vinte pas konfirmimit që ishte bërë në proces se mbas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria nuk kishte rezerva të mbetura të minave detare gjermane të tipit GY, pasi ata lanë mina të këtij tipi në Greqi dhe Jugosllavi. Ndërkaq, Gjykata kishte provuar se vendi ynë jo vetëm nuk zotëronte mina të këtij tipi por nuk kishte kapacitete për vendosjen e tyre. Në vitin 1946 Shqipëria kishte vetëm disa lanxha dhe një motovedetë…


DËSHMIA E KAREL KOVAÇIÇIT


            Në dëshminë e tij të lëshuar për britanikët në 4 tetor 1948 dhe e paraqitur nga këta të fundit në gjykatë dëshmonte se: “Rreth datës 18 tetor 1946 janë nisur nga Porti i Sibenikut, dy anije (Mljet dhe Meljine) të ngarkuara me mina gjermane të tipit GY”. Karel Kovaçiç u thirr për të dëshmuar në procesin publik në datën 25 nëntor 1947, ku dëshmoi se: “Ndërsa qëndroja në tarracën e shtëpisë në Sibenik në datën 17 tetor 1946, në orën 16:20 pashë në bankinën pranë Panikovaç Cove (e cila gjendej në një distance rreth një kilometër) dy minaheqëset duke ngarkuar mina. Ky operacion zgjati rreth 1-1,5 orë dhe secila prej tyre u largua mbasi kishte marrë rreth 20 mina detare”. Po ashtu ai deklaroi se “një oficer (emrin e të cilit nuk mund ta deklaroj, por që më vonë e deklaroi si Nënlejtnant Drago Blazeviç) i kishte thënë se ato mina u vendosen në ujërat e Shqipërisë”. Ky oficer, sipas Kovaçiç, nuk kishte marrë pjesë në operacion, por i kishte thënë një oficer tjetër”.


            Në 8 nëntor 1948 Qeveria e Republikës Federative të Jugosllavisë në një Notë Verbale të dërguar nëpërmjet Ambasadës së saj në Holandë   protestonte ndaj faktit se për të vërtetuar fajësinë e Qeverisë së Shqipërisë për incidentin e Kanalit të Korfuzit, përdoreshin fakte të pavërteta, të cilat implikonin pa të drejtë edhe autoritetet e Beogradit. Në vijim të Notës Verbale, Qeveria Jugosllave theksonte se është e pakuptimtë se si Qeveria e Britanisë së Madhe përdor deklaratën e një dezertori ushtarak për të fajësuar qeverinë e një vendi tjetër, pasi “Karel Kovaçiç ka qenë një i dënuar gjatë pushtimit të Jugosllavisë në një kamp përqendrimi Italian në Chiesa Nuova në Padova në rrethana të dyshimta, ndërsa gruaja e tij e ligjshme Toncka Kovaçiç në Kozul u dënua me vdekje si agjente e Gestapos. Sapo mbërriti në Jugosllavi Kovaçiç hyri në lidhje me shërbime zbulimi të huaja, të cilat e ndihmuan për të dezertuar nga ushtria jugosllave, fakte, të cilat dolën në procesin gjyqësor të agjentes Erika Milutin”. 


            Po ashtu në Notën Verbale theksohet se: “Ndër të tjera në dëshminë e Karel Kovaçiçit përmendet Nënlejtnant Drago Blazeviç, me te cilin ka komunikuar dhe ky i fundit i ka thënë se “minaheqëset me mina u nisën nga Sibeniku për në Gjirin e Kotorrit në datën 17 ose 18 tetor 1946 për të përmbushur një mision të rëndësishëm”. Në Marinën Jugosllave nuk ekziston ndonjë person i quajtur Drago Blazeviç”.


            Dëshmia e Kovaçiçit ishte kategorike dhe përpiqej të shfaqej si e pakontestueshme. Ajo ngjalli shumë debate në proces. Gjyqtari ad hoc Dr. B. Ecer, përfaqësuesi i Shqipërisë në gjyq Pierre Cot dhe Kundëradmirali Raymond Moullec, ishin të parët që e kundërshtuan. Në këtë dëshmi të dyshimtë ata argumentuan me fakte sidomos pasaktësitë që lidheshin me mundësitë logjistike të operacionit të marrjes së minave në Panikovaç Cove si dhe pamundësisë së vrojtimit të Panikovaç Cove midis orës 16:20 dhe 17:35, pasi Panikovaç Cove gjendet në drejtimin perëndimor të shtëpisë së Kovaçiçit dhe se në datën 17 tetor 1946 dielli perëndoi në orën 17:15. Sipas dy avokatëve, periudha kohore në të cilën Kovaçiç pretendon se kishte parë minaheqëset të ngarkoheshin me mina nuk e lejonte këtë të fundit të identifikonte minat edhe pse moti ishte pa re dhe relativisht i kthjellët. Për të vërtetuar thëniet e Kovaçiçit, trupi gjykues me urdhrin e datës 17 dhjetor 1946 dërgoi për të bërë hetime në Portin Detar të Sibenikut grupin e ekspertëve detar të përbërë nga Kundëradmiral S. A. Forshel, Marina Mbretërore Suedeze dhe Kapiten i Rangut të Dytë S. J. W. Elfferich, Marina Mbretërore Norvegjeze. Qëllimi i Grupit te eksperteve ishte verifikimi i thënieve të Karel Kovaçiç mbi ngjarjen e datës 17 tetor 1946. 


            Grupi eksperteve mbërriti në Sibenik në datën 17 janar 1946. Gjatë hetimit ai u përqendrua në mundësitë logjistike, që kishte Panikovaç Cove dhe bankinat në afërsi të saj për furnizim me mina të dy minaheqëseve si dhe për të vërtetuar nëse kishte qenë e mundur në datën 17 tetor 1946 të vëzhgohej nga tarraca e shtëpisë së Kovaçiçit  operacioni i furnizimit me mina i minaheqëseve Mljet dhe Meljine. 


            Në përfundim, grupi i ekspertëve i mbështetur edhe në testin e dukshmërisë të bërë në Portin e Sibenikut, në datën 8 Shkurt 1948 depozitoi pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë raportin mbi hetimet e bëra. Lidhur me mundësinë e vëzhgimit të operacionit të furnizimit me mina Grupi i Ekspertëve raportoi se: ”Duke supozuar se anijet e Klasit ”M” ishin në Panikovaç Cove dhe u larguan prej saj mbas perëndimit të diellit, vëzhgimet e bëra në Sibenik na mundësuan konkluzionet që vijojnë:


            A. Anijet e Klasit ”M” mund të përdoren për operacione minimi.  Tunelet mund të magazinojnë mina të tipit GY.


            B.  Nuk ka rëndësi se ku dhe si ishin bregëzuar anijet e Klasit ”M” në Panikovaç Cove, por: në orën 16:15 të datës 19 tetor 1946 ka qenë e mundur nga çdo drejtim të vëzhgoheshin anijet dhe furnizimi i tyre me mina. Në orën 17:35 të se njëjtës ditë ka qenë e pamundur për dëshmitarin Kovaçiç për të vëzhguar ndonjë gjë, pavarësisht ku ishin bregëzuar anijet në Panikovaç Cove”.

 

DEKLARATA E  ZHIVAN PAVLOVIT


            Për të qenë sa më bindëse në padinë e saj ndaj Shqipërisë pala britanike nuk ishte mjaftuar vetëm me dëshminë e Kovaçiçit, i cili pretendonte se kishte parë nga shtëpia e tij fillesat e operacionit për minimin e Kanalit të Korfuzit. Zyrtarët e Londrës që merreshin me çështjen e incidentit më datën 10 dhjetor 1948, i kishin marrë në kushte të dyshimta një deklaratë ish-ushtarakut tjetër nga Jugosllavia të quajtur Zhivan Pavlov, i cili dëshmonte se në 27 Tetor 1946 kishte parë një luftanije jugosllave të Klasit ”M” në Boka Kotorska (Gjiri i Kotorrit). Në deklaratën e tij Pavlov shkruante se “Pamshmëria ishte e mirë dhe ne e dalluam anijen, ishte një minavënëse e Klasit “Meljine”. Une e njoh këtë tip anije, pasi kisha shërbyer në Marinën Mbretërore përpara luftes. Si një nxënës në një nga shkollat më të mira të oficerëve, unë kisha shërbyer në këtë tip anije dhe kisha vizituar anije të së njëjtit klas. Unë jam shumë i sigurt se anija që pashë atë ditë në Gjirin e Kotorit ishte anije e Klasit “Meljine””.


            Në fakt, edhe pse disa pjesë të dëshmisë të Kovaçiçit tingëllonin të vërteta, provat e tij se anijet jugosllave ishin furnizuar me mina ne Sibenik rreth datës 18 tetor 1946 dhe ishin kthyer disa ditë më pas për trupin gjykues “nuk ishin të mjaftueshme ligjërisht për të vërtetuar se këto dy anije kishin vendosur minat në ujërat shqiptare”. 


             Gjatë shqyrtimit të dëshmisë së Zhivan Pavlov, Trupi Gjykues konfirmoi se ishte e panevojshme dëgjimi i saj në seancë publike dhe nuk e mori atë asnjëherë në konsideratë, duke e shpërfillur si një thashethemnajë të sajuar për motive të dyshimta.

KUSH ISHIN DY DËSHMITARËT JUGOSLLAVË:


            Karel Kovaçiç. Lindi në Lubjanë më 30 korrik 1914. Hyri në Akademinë e Detarisë të Jugosllavisë në 1 tetor 1933. Gjatë Luftës, u internua në disa kampe përqendrimi në Itali. Pas çlirimit të vendit iu bashkua përsëri Marinës Mbretërore Jugosllave, e cila e dërgoi me mision në Taranto (Itali) dhe më pas në Maltë. Në 14 mars 1944 u gradua Kapiten i Rangut të Tretë. Në vijim shërbeu në Marinën Federale Jugosllave, si navigator dhe minjor në anijet minakërkuese. Në 6 tetor 1947 Kovaçiç u arratis nga Jugosllavia dhe u vendos në Angli.


            Zhivan Pavlov. Lindur më 16 mars 1916. Ish-marinar i Marinës Tregtare Mbretërore Jugosllave. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u burgos nga gjermanët në Kampin e Përqendrimit pranë Greisffald, në Poloni.  Në vitin 1945 u fut përsëri në Marinën Tregtare të Federatës Jugosllave, por u arratis nga anija në Trieste në 25 tetor 1948, pasi siç shprehet në dëshminë e tij “nuk kisha simpati për regjimin në Jugosllavi”. Autoritetet jugosllave e kanë akuzuar vazhdimisht si dezertor dhe si njeri të dyshimtë në marrëdhënie me shërbimet e huaja.


SI I SHPËRFILLI SHQIPËRIA VENDIMET E HAGËS PËR INCIDENTIN E KORFUZIT

 

            Në asnjë rrethanë Shqipëria nuk mund të penalizohet për ngjarjen e 22 tetorit ‘46 në Kanalin e Korfuzit! Kategorik në qëndrimin e vet gjatë procesit në Gjykatën e Hagës, përfaqësuesi shqiptar këmbënguli të argumentojë të kundërtën e akuzave në adresë të vendit tonë lidhur me përgjegjësitë për incidentin e rëndë me ujërat detare në afërsi të Sarandës. Pavarësisht këtij qëndrimi, trupi gjykues në përmbyllje të ballafaqimit maratonë komunikoi vendimet përkatëse në të cilat fajësohej Shqipëria, e cila ndërkaq detyrohej të dëmshpërblente Britaninë e Madhe për viktimat dhe pasojat e shpërthimit në Kanalin e Korfuzit. Por edhe kur do të binte sipari i procesit të bujshëm, vendi ynë do vazhdonte ta shpërfillte zyrtarisht verdiktin e Hagës. Kjo situatë do të vazhdonte gati 40 vjet, për të reflektuar pas viteve ‘90 me njohjen dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Hagës. Në mesin e viteve ‘90 qeveria shqiptare më në fund do të bënte dhe lëvrimin e shumës të përcaktuar për kompensimin e pasojave nga ky incident. Ndërkaq, prej vitesh do të debatohej gjatë për argumentet dhe dilemat që shoqëruan procesin gjyqësor për përcaktimin e përgjegjësive dhe fajësisë për ngjarjen e 22 tetorit ‘46...


E DREJTA E PA SANKSIONUAR


            Analiza e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Incidentin e Kanalit të Korfuzit është shfaqur gjithnjë si një proces i vështirë dhe i ndërlikuar. Sot, mbas rreth 60 vitesh, një nga vështirësitë më të mëdha qëndron në faktin se në vitin 1946 e drejta ndërkombëtare publike, veçanërisht ajo që lidhet me të drejtën e detit mbështetej kryesisht mbi të drejtën zakonore ndërkombëtare. Tentativa e parë për kodifikimin e së drejtës ndërkombëtare të detit u bë në vitin 1958, e cila rezultoi të ishte e pasuksesshme. Tentativa e dytë, e cila përfshiu rreth 13 vjet negociata, u konkludua me fillimin e firmosjes së Konventës së OKB-së për të drejtën e Detit, në Montego Bay të Xhamajkës në vitin 1982 dhe që hyri në fuqi në nëntor të vitit 1994.


            Po ashtu, e drejta ndërkombëtare mbi konfliktet e armatosura, në vitin 1946 mbështetej kryesisht mbi të drejtën zakonore. Megjithatë, përpara Luftës së Parë Botërore kishte nisur kodifikimi i pjesshëm i saj, siç ishin Konventat e Hagës të vitit 1907 etj. Kodifikimi më i plotë i së drejtës ndërkombëtare për konfliktet e armatosura u bë gjatë vitit 1949 me Konventat e Gjenevës dhe më pas me protokollet shtesë.


            Pra, në vitin 1946 e drejta ndërkombëtare e detit mbështetej kryesisht mbi të drejtën zakonore, dhe kjo është edhe arsyeja përse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë gjatë procesit gjyqësor për incidentin e Kanalit të Korfuzit në përgjithësi nuk i referohet ndonjë konvente apo protokolli, por thjesht traditës mbi regjimin ndërkombëtar detar.


DILEMAT E VENDIMIT


            Qysh nga mbyllja e procesit të gjykimit të incidentit të Korfuzit, debatet e analizat për mënyrën si u operua për të nxjerrë përgjegjësit e fajtorët e ngjarjes së rëndë janë shoqëruar me argumente e dilema, të cilat kanë qenë thelbësore për kontrollin e tërthortë të provave të prezantuara në proces. Një interpretim i kujdesshëm i tyre mund të të çojë në disa në përfundime të besueshme.



1. A është Kanali i Korfuzit ngushticë ndërkombëtare në kuptimin juridik?

 

2. A u respektua nga luftanijet britanike e drejta e kalimit paqësor gjatë lundrimit të tyre në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 tetor 1946?


3. A kishte të drejtë Shqipëria të pezullonte të drejtën e kalimit paqësor për anijet e huaja në detin e saj territorial, duke përfshirë edhe Kanalin e Korfuzit?


4. Cili ishte statusi i forcave ushtarake britanike në raport me Shqipërinë në vitin 1946?

5. A u provua fajësia e Shqipërisë për shpërthimet mbi luftanijet britanike të ndodhura në detin e saj territorial në datën 22 tetor 1946?

 

6.Cila do të ishte përgjegjësia e atij shteti që vendosi minat që shkaktuan shpërthimet mbi luftanijet britanike në datën 22 tetor 1946?


            Si përfundim, nga analiza e rrethanave që mbizotëronin statusin ligjor të Kanalit të Korfuzit, situatën midis shteteve kufitare në konflikt, rrethanat e përfshirjes së Britanisë së Madhe në rajonin e Kanalit të Korfuzit dhe raportet e saj me Shqipërinë, si dhe vlerësimit të lundrimit të kryer nga luftanijet e forcave detare britanike në datën 22 tetor 1946 mund të themi se:


            Statusi i Kanalit të Korfuzit: Kanali i Korfuzit, mbështetur në të drejtën zakonore ndërkombëtare të detit nuk plotëson kriteret gjeografike për t’u klasifikuar jurdikisht si ngushticë ndërkombëtare.  Ai nuk lidh dy dete ndërkombëtare dhe nuk përbën rrugën më të shkurtër për lundrim.


            Statusi i kalimit paqësor në Kanalin e Korfuzit: Për shkak të mosklasifikimit juridik si ngushticë ndërkombëtare, anijet e huaja nuk gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor nëpër Kanalin e Korfuzit. Kjo e drejtë ekziston vetëm për anijet, të cilat përdorin (hyjnë ose dalin) nga një nga portet që gjendet në Kanalin e Korfuzit.


            E drejta e pezullimit të kalimit paqësor në detin territorial: Për shkak të situatës së luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë të dyja vendet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare mbi konfliktet e armatosura gëzonin të drejtën e pezullimit të kalimit paqësor nëpër detin e tyre territorial në Kanalin e Korfuzit.


            Statusi i kalimit paqësor të anijeve britanike: Edhe nëse në datën 22 tetor 1946 luftanijet britanike do të gëzonin të drejtën e kalimit paqësor nëpër Kanalin e Korfuzit, përsëri ato dhunuan sovranitetin e Republikës së Shqipërisë. Lundrimi i luftanijeve britanike nuk u bë në kushtet e kalimit paqësor, pasi lundrimi nuk ishte i vijueshëm, i pandërprerë dhe kalim në rrugën më të shkurtër pa hyrë në detin e brendshëm të Shqipërisë, artileria e luftanijeve ishte e drejtuar ndaj tokës shqiptare dhe përpara shpërthimeve ata ishin të angazhuar në operacione zbulimi kundër mbrojtjes bregdetare të Shqipërisë.


            Statusi i sigurisë në rajonin e Kanalit të Korfuzit: Rajoni i Kanalit të Korfuzit në datën 22 tetor 1946 ishte një zonë luftimesh, pasi Shqipëria dhe Greqia ishin në gjendje lufte qysh nga viti 1940 dhe në terren zhvilloheshin luftime të vazhdueshme në formën e provokacioneve kufitare, si dhe forcat e armatosura të të dy vendeve ishin në gjendje gatishmërie. 


            Statusi ligjor në rajon. Rajoni i Kanalit të Korfuzit në datën 22 tetor 1946, për shkak të gjendjes së luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë, nuk qeverisej më nga e drejta zakonore ndërkombëtare e detit, e cila aplikohet në kohë paqe, por nga e drejta ndërkombëtare për konfliktet e armatosura, e cila aplikohet në një rajon të caktuar luftimesh të një konflikti ndërkombëtar, juridikisht të pranuar nga kjo e drejtë.


            Statusi i anijeve britanike. Anijet britanike në datën 22 tetor 1946 përbënin objektiva ushtarake të ligjshëm për forcat ushtarake të Shqipërisë, pasi Britania e Madhe kishte humbur statusin e neutralitetit, duke u bërë palë në konflikt në aleancë me Greqinë.  Rënia në minë e anijeve britanike nuk përbën dhunim të së drejtës ndërkombëtare mbi konfliktet e armatosura, pasi ato nuk zotëronin statusin e objektivit të mbrojtur ose të veçantë të parashikuar nga kjo e drejtë.


            Kush i vendosi minat? Për aq kohë sa nuk ka prova direkte që implikojnë një shtet në vendosjen ose në njohjen e vendosjes së minave, nuk mund të ketë fajtor dhe përgjegjës. Vendosja e minave detare në kohë lufte është operacion ushtarak i justifikuar, si i tillë ato mund të jenë vendosur nga njëra nga palët në konflikt, dhe është i justifikuar nga e drejta ndërkombëtare për konfliktet e armatosura. Shqipëria, Greqia dhe Britania e Madhe nuk mund të jenë përgjegjëse, edhe nëse njëra nga ato i kishte vendosur minat. Anijet ushtarake të vendeve jo neutrale janë objektiva ushtarake të ligjshme. 


            Statusi i njoftimit: Pavarësisht se vendosja e minave ishte e justifikuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për konfliktet e armatosura, kush i ka vendosur minat duhet të kishte njoftuar në rrugë diplomatike prezencën e rrezikut nga minat të gjitha anijet dhe shtetet.


            Mundësia e përdorimit të hilesë. Nëse një nga palët në konflikt, apo një palë tjetër jo në konflikt, ka vendosur minat duke shfrytëzuar përdorimin e objektivave me status të mbrojtur (anije tregtare), kjo përbën përdorimin e hilesë si metodë jo e ligjshme në luftë dhe dhunim të së drejtës ndërkombëtare për konfliktet e armatosura. 
            Nevoja për kompensim: Anijet britanike ishin objektiva plotësisht ushtarake dhe nuk mund të ketë kompensim, pasi goditja e tyre është e justifikueshme. Në kushtet e mungesës së njoftimit të rrezikut nga minat, si dhe përdorimit të supozuar të hilesë, në rast se në minë do të kishin rënë objektiva civile ose me status të mbrojtur, vendi që i kishte vendosur mbante përgjegjësi dhe duhet t’i kompensonte.


MJEGULLA POLITIKE


            Autoritetet shqiptare, duke nisur qysh nga data 22 tetor 1946 demonstruan inkompetencë në trajtimin e çështjes mbi incidentin e Kanalit të Korfuzit, së pari në aspektin diplomatik, pasi përfaqësuesit e saj treguan mungesë të theksuar kapacitetesh juridike lidhur me njohjen e së drejtës zakonore ndërkombëtare të detit dhe atë të konflikteve të armatosura. Kjo solli që Britania e Madhe, ekspertiza juridike e përfaqësuesve të së cilës në gjyq ishte shumë herë më e lartë, të zhvendosi vëmendjen e palës shqiptare dhe trupit gjykues, duke izoluar incidentin nga mjedisi në të cilin ai ndodhi dhe të trajtojë atë në kontekstin e së drejtës zakonore ndërkombëtare në kohë paqe.


            Nga analiza e provave dhe interpretimeve të bëra në proces, spikat dukshëm mungesa e vullnetit të trupit gjykues për verifikimin e tërthortë të fakteve e provave të paraqitura, gjë që pasoi me marrjen e vendimeve të diskutueshme e të pabalancuara, por të përshtatshme me konjukturën ndërkombëtare dhe raportet e fuqive të kohës në prag të Luftës së Ftohtë.


            Ndërkaq, reflektimi rreth përcaktimit të vendndodhjes së anijeve H.M.S. Saumarez dhe H.M.S. Volage, të cilat ranë në zonë të minuar, vërteton saktësisht se shpërthimi nuk ndodhi në rrugëkalimin ndërkombëtar të Kanalit të Korfuzit, por në afërsi të Qytetit të Sarandës (Port Edda), gjë që e bën të diskutueshëm penalitetin për palën shqiptare. Në këtë linjë është edhe përcaktimi i studiuesit ushtarak që pas kaq vitesh e vlerëson incidentin “Provokacioni i Port Edda”. Sidoqoftë, gjykimin subjektiv të Hagës e ndihmoi në një farë mënyre edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në proces, prania e së cilës ka qenë një vendim jo racional. Në atë periudhë vendi ynë nuk kishte kapacitete juridike, për shkak të mungesës së ekspertizës mbi të drejtën ndërkombëtare të detit, ca më tepër që nuk kishte detyrimin ligjor të përfaqësohej, pasi ende nuk ishte pranuar anëtare e OKB-së.


            Sot, 60 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi incidentin e Kanalit të Korfuzit, janë hedhur shumë opsione për ta rishikuar me gjakftohtësi procedurën e gjykimit i penalizoi pa prova të mjaftueshme financiarisht dhe mbi të gjitha moralisht një popull të tërë. Në institucionet e shtetit ka dokumente ende të panjohura, të cilat kanë nevojë për t’u riinterpretuar nga specialistët e historianët. Pasiviteti dhe indiferenca në trajtimin e kësaj çështje, do të vazhdojë të na mbajë të mbërthyer në bunkerin e fajësisë së paprovuar. Tashmë që mjegulla politike është davaritur, ka vend që edhe Britania e Madhe të angazhohet në ripozicionimin ndaj kësaj ngjarje. Ky reflektim i Londrës, patjetër që nuk mund të ndryshojë asgjë në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por do të jetë një akt kalorësie me vlera morale. Ndërgjegjja e një kombi nuk mund të vihet në dyshim, dhe aq më tepër të gjykohet pa prova të mjaftueshme, pavarësisht se kush e përfaqëson atë dhe cili është legjitimiteti i përfaqësimit të lidershipit të tij.


INCIDENTI: DËMSHPËRBLIM ANGLISË 843.947 STERLINA


            Në 17 nëntor 1949, Gjykata e Hagës, mbështetur në vendimin e saj të datës 9 prill 1949, mori në shqyrtim vlerësimin e masës së kompensimit që Republika e Shqipërisë i detyrohej Britanisë së Madhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara nga shpërthimet e datës 22 tetor 1946. Procesi nuk pati debat, pasi pala shqiptare nuk dërgoi përfaqësues gjatë shqyrtimit të çështjes. Fillimisht trupi gjykues shqyrtoi një letër të dërguar nga autoritetet shqiptare, e cila paraqiste opinionin e Qeverisë së Shqipërisë se përcaktimi i masës së kompensimit nuk ishte kompetencë e kësaj gjykate. Përkundër këtij pretendimi, trupi gjykues vendosi se, “përcaktimi i masës së kompensimit është kompetencë e tij dhe se vendimi është i detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë”. Në vazhdim u operua me shqyrtimin e kërkesës së palës britanike, e cila e kishte detajuar pretendimin e saj në disa zëra, ku binte në sy kërkesa e Londrës për ta penalizuar vendin tonë me shumën 50.048 sterlina, vetëm në respekt të të vdekurve dhe të plagosurve gjatë incidentit të 22 tetorit 1946 në Kanalin e Korfuzit. Në përfundim të seancës trupi gjykues vendosi që Republika e Shqipërisë i detyrohej të kompensonte Mbretërinë e Bashkuar në masën 843.947 sterlina. Ishte kjo një shumë të cilën shteti shqiptar nuk e pranoi asnjëherë, ndërkohë që në asnjë rrethanë nuk pranoi dhe përgjegjësinë e incidentit të 22 tetorit 1946.


ZYRTARËT NË PROCES


Përfaqësuesit britanikë


a. W.E.Beckett, Këshilltar Ligjor në Ministrinë e Jashtme.


b. Hartley Shawcross, Prokuror i Përgjithshëm.


c. Frank Soskice, Ekspert i të drejtës ndërkombëtare.


d. C.H.M. Waldock, Profesor në Universitetin e Oxfordit.


e. R.O. Wilberfpre


f. J. Mervyn Jones


g. M. E. Reed, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. 


Përfaqësuesit shqiptarë


a. Kahraman Ylli, Përfaqësues Zyrtar në Gjyq


b. Behar Shtylla, Ambasador i Shqipërisë në Paris


c. Pierre Cot, Profesor i së Drejtës në Francë


d. Maitre Marc Nordmann, Anëtar i Klubit të Parisit


e. Maitre Paul Villard,  Anetar i Klubit të Parisit.



DËSHMITARËT


Britanikë: 
a. Kapiteni i Rangut të II E.R.D. Sworder, Marina Mbretërore, 


b. Karel Kovacic, ish-Kapiteni i Rangut të III, Marina Jugosllave;


c. Kapiteni i Rangut të I W.H. Selby, Marina Mbretërore 


d. Kapiteni i Rangut të II R.T. Paul, Marina Mbretërore, 


e. Kapiteni i Rangut të III P.K. Lankester, Marina Mbretërore, 


f. Kapiteni i Rangut të II R. Mastre, Marina Franceze, 


g. Kapiteni i Rangut të II Q.P. Whitford Marina Mbretërore


Shqiptarë: 

h. Kapiten Ali Shtino, Forcat Tokësore 


i. Kapiten  Arqile Polena, Forcat Tokësore, 

 
j. Xhavit Muça, ish-Nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Sarandës, 

 
k. Kapiten i Rangut të I, B.I. Ormanov, Marina Bullgare, 


l. Kundëradmiral Raymond Moullec, Marina Franceze,



“T’I PAGUHEN 843.947 STËRLINA ANGLISË”


            Shqipëria është përgjegjëse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin e saj territorial, si dhe për dëmet dhe humbjet e jetëve njerëzore të shkaktuara. Për këtë Shqipëria ka detyrimin t’i paguajë kompensim Mbretërisë së Bashkuar”. “E ndërsa Gjykata e Hagës përmbyllte kështu pjesën më të rëndësishme të çështjes, më tej do të dialogohej gjatë lidhur me çështjen e kompensimit nga ana e Shqipërisë për dëmet e shkaktuara në Kanalin e Korfuzit marinës së Britanisë së Madhe.



KOMPENSIMI


            Në padinë e paraqitur nga pala britanike, i kërkohej Gjykatës Ndërkombëtare të  Drejtësisë, që për shkak të shkeljes së të Drejtës Ndërkombëtare, Shqipëria duhet të jetë përgjegjëse për pagesën në formë kompensimi në masën 875.000 sterlina, për dëmet dhe humbjet e jetëve njerëzore të shkaktuara në incidentin e 22 tetorit 1946 në Kanalin e Korfuzit.


            Pala shqiptare kundërshtoi me pretendimin se nuk ishte nën juridiksionin e këtij trupi gjykues përcaktimi i masës së kompensimit, në referencë të Marrëveshjes së Veçantë. Ndërkaq, Trupi Gjykues vlerësoi se kishte kompetencë jo vetëm përcaktimin e detyrimit për kompensim, por edhe masën e kompensimit. Ai e mbështeste këtë në Vendimin e Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë të datës 19 gusht 1929 mbi “Rastin e Zonës se Lirë”, gjatë së cilës Trupi Gjykues vlerësoi se “në rast paqartësie, klauzolat e Marrëveshjes së Veçantë mbi të cilin mbështetet procesi gjyqësor, nëse nuk përfshijnë kundërshti në argumentet e tyre, duhet të merret në konsideratë në mënyrë të tillë që efekti i klauzolave të jetë i përshtatshëm”. 

 
            Rezoluta e Këshillit të Sigurimit e 9 prillit 1947 rekomandonte që palët duhet të çojnë “kundërshtitë” e tyre menjëherë në Gjykatë dhe sipas opinionit të Trupit Gjykues, kjo rezolutë do të bënte zgjidhjen e plotë të kundërshtive.


            Pas pozicioneve katërçipërisht të kundërta të palëve, Shqipëria paraqiti kundërpadinë paraprake në proces. Mbi këtë bazë u komunikua  vendimi i gjykatës i datës 25 mars 1948. Po atë ditë përfaqësuesi i palës shqiptare njoftoi Trupin Gjykues për arritjen e Marrëveshjes së Veçantë midis palëve, duke komentuar se “në rrethanat e krijuara është thelbësore arritja e Marrëveshjes së Veçantë mbi të cilin të gjithë procedurat do të mbështeten”, duke vijuar se “ashtu siç e kam thënë në shumë raste, synimi i Qeverisë së Shqipërisë është të respektojë Rezolutën e OKB-së të datës 9 prill 1947, në kuadrin e së cilës edhe kjo Marrëveshje e Veçantë i është drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.


            Kur Qeveria e Shqipërisë dorëzoi kundërpadinë, mbi të cilin u hap procesi gjyqësor mbi ligjshmërinë e akuzës së Britanisë së Madhe, ajo nuk synonte kufizimin e padisë, apo juridiksionin e Trupit Gjykues mbi kundërshtitë, por vetëm barazinë e palëve nëpërmjet zëvendësimit të padisë së njëanshme me Marrëveshje të Veçantë dypalëshe. Gjatë shqyrtimit të akuzës së përfaqësuesit shqiptar për dhunimin e sovranitetit të Shqipërisë nga anijet britanike në datën 22 tetor 1946 dhe 12-13 nëntor 1946, trupi gjykues shtroi pyetjen: “A ka ndonjë detyrim Britania e Madhe për të përmbushur?”. Përgjigjja nga pala shqiptare ishte e natyrshme dhe pa ekuivok “përderisa nuk ka pasur dëme, Shqipëria nuk pretendon për ndonjë shumë të hollash”, duke përfunduar se “çfarë ne presim nga Trupi Gjykues është vlerësimi i tij nga pikëpamja juridike”. 


            Mbështetur mbi këto argumente Trupi Gjykues arriti në përfundimin se “ai ka kompetenca për përcaktimin e masës së kompensimit që Qeveria e Shqipërisë i detyrohet Britanisë së Madhe, por, kjo masë nuk mund të përcaktohet nga ky proces gjyqësor, pasi Qeveria e Shqipërisë ende nuk ka përcaktuar termat mbi të cilat kundërshton shumën e pretenduar nga Britania e Madhe dhe Britania e Madhe ka paraqitur shumën që pretendon, por jo provat për të vërtetuar atë”.


  VENDIMI


            Në 17 nëntor 1949, Gjykata e Hagës, mbështetur në vendimin e saj të datës 9 Prill 1949, mori në shqyrtim vlerësimin e masës së kompensimit që Republika e Shqipërisë i detyrohej Britanisë së Madhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara nga shpërthimet e datës 22 tetor 1946. Procesi nuk pati debat, pasi pala shqiptare nuk dërgoi përfaqësues gjatë shqyrtimit të çështjes. Fillimisht Trupi Gjykues shqyrtoi një letër të dërguar nga autoritetet shqiptare, e cila paraqiste opinionin e Qeverisë së Shqipërisë se përcaktimi i masës së kompensimit nuk ishte kompetencë e kësaj gjykate. Përkundër këtij pretendimi, trupi gjykues vendosi se “përcaktimi i masës së kompensimit është kompetencë e tij dhe se vendimi është i detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë”. Në vazhdim u operua me shqyrtimin e kërkesës së palës britanike, e cila e kishte detajuar pretendimin e saj në disa zëra, ku binte në sy kërkesa e Londrës për ta penalizuar vendin tonë me shumën 50.048 sterlina, vetëm në respekt të së vdekurve dhe të plagosurve gjatë incidentit të 22 tetorit 1946 në Kanalin e Korfuzit. Në përfundim të seancës trupi gjykues vendosi që Republika e Shqipërisë i detyrohej të kompensonte Mbretërinë e Bashkuar në masën 843.947 sterlina. Ishte kjo një shumë të cilën shteti shqiptar nuk e pranoi asnjëherë, ndërkohë që në asnjë rrethanë nuk pranoi dhe përgjegjësinë e incidentit të 22 tetorit 1946.


 ÇFARË SHPREHTE VENDIMI I TRUPIT GJYKUES I 9 PRILLIT 1949


            “Minat në Kanalin e Korfuzit u vendosën nga shqiptarët. Së paku, me dijeninë e tyre”. Përkundër argumentit të britanikëve, përfaqësuesit e Shqipërisë në Gjykatën e Hagës, kundërshtuan akuzën dhe denoncuan Britaninë për shkeljen e sovranitetit kombëtar. Në proces, të dyja palët paraqitën pozicione katërçipërisht të kundërta. Në përfundim të shqyrtimit të çështjeve të debatueshme midis palëve, trupi gjykues në pasditen e 9 prillit 1949 mori vendimin e parë.


 1. Me 11 vota pro dhe 4 kundër vendosi: Republika e Shqipërisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është përgjegjëse për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, si dhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara;


2. Me 10 vota pro dhe 6 kundër paraqiti rezerva për shqyrtimin e vlerësimit të masës së kompensimit dhe rregulloi procedurat për këtë çështje me një urdhër të nxjerrë po sot;


Në lidhje me pyetjen e dytë të Marrëveshjes së Veçantë të datës 25 mars 1948:


1. Me 14 vota pro dhe 2 kundër vendosi: Mbretëria e Bashkuar nuk e dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 tetor 1946;


2. Me unanimitet (16 vota pro) vendosi: Me veprimet e Marinës Britanike gjatë operacionit të datës 12-13 nëntor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, Britania e Madhe ka dhunuar sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe se ky deklarim i Trupit Gjykues përbën përmbushjen e pranueshme të detyrimeve.

 

“SHQIPËRIA PËRGJEGJËSE PËR SHPËRTHIMIN E 22 TETORIT ‘46"


            Në përfundim të shqyrtimit të çështjeve të Memorandumit të Veçantë midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, trupi gjykues në pasditen e 9 prillit 1949 mori vendimin e parë.


1. Me 11 vota pro dhe 4 kundër vendosi: Republika e Shqipërisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është përgjegjëse për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, si dhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara;


2. Me 10 vota pro dhe 6 kundër paraqiti rezerva për shqyrtimin e vlerësimit të masës së kompensimit dhe rregulloi procedurat për këtë çështje me një urdhër të nxjerrë po sot;


Në lidhje me pyetjen e dytë të Marrëveshjes së Veçantë të datës 25 mars 1948:


1. Me 14 vota pro dhe 2 kundër vendosi: Mbretëria e Bashkuar nuk e dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 tetor 1946;


2. Me unanimitet (16 vota pro) vendosi: Me veprimet e Marinës Britanike gjatë operacionit të datës 12-13 nëntor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, Britania e Madhe ka dhunuar sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe se ky deklarim i Trupit Gjykues përbën përmbushjen e pranueshme të detyrimeve.

 

TRUPI GJYKUES

 

President José Gustavo Guerrero,

Gjyqtar Jules Basdevant,

Alejandro Álvarez,

Isidiro Fabela,

Green Hackworth,

Bohdan Winiarski,

Milovan Zoricic,

 Charles de Visscher,

Sir Arnold Duncan McNair,

Helge Klaestad,

Abdul Badawi Pasha,

Sergei Krylov,

John Read,

Hsu Mo,

Philadelpho Azevedo,

Gjyqtar ad hoc Dr. B. Ecer

dhe Sekretar M. Hambro.


NGJARJA QË PENALIZOI SHQIPËRINË 60 VJET MË PARË


            Një ushtarak madhor i Flotës Luftarake Detare, sjell të plotë retrospektivën e incidentit të bujshëm të ndodhur në ujërat territoriale shqiptare në mesin e viteve ‘40. Kapiten i Rangut të Parë, Artur Meçollari, ka shfrytëzuar studimet disavjeçare në Perëndim e në SHBA për t’iu rikthyer dilemave të ngjarjes së shumëpërfolur të pas viteve të luftës. Pasioni i studiuesit dhe profili i profesionit, i kanë dhënë dorë për ta shtjelluar historinë përtej dritëhijeve të kohës. Është mjaft domethënës fakti që një detar merr përsipër të zbardhë misteret e një përplasje në ujërat territoriale shqiptare. E veçanta e sprovës të Meçollarit, lidhet me zbulimin e dokumenteve zyrtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe përshkrimin e incidentit sipas tyre dhe dëshmive të panjohura të protagonistëve të saj. Ai për herë të parë bën të ditur, ndër të tjera, rrëfimet e dyshimta të dy marinarëve të flotës jugosllave, të cilët kanë hedhur së pari variantin e minosjes së Korfuzit nga xhenierët e Beogradit. Ka qenë kjo “provë” e tyre një nga argumentet kryesorë që e ka shtyrë Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës të penalizojë 60 vjet më parë Shqipërinë.


PROTESTA E PARË E BRITANISË SË MADHE, 26 TETOR ‘46


            Në datën 26 tetor 1946, Britania e Madhe i dërgoi Qeverisë së Shqipërisë një notë proteste në të cilën theksonte se, “në kuadrin e dy incidenteve serioze të ndodhura në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit, ai do të pastrohet së shpejti nga minaheqëset britanike”. Përgjigjja e Qeverisë së Shqipërisë u kthye në datën 31 tetor 1946, në të cilën deklaronte se, “nuk kishte pretendime nëse pastrimi nga minat do të bëhej jashtë detit të saj territorial”, duke nënkuptuar se çdo veprim i kryer në këto ujëra (detin territorial) do të konsiderohej dhunim i sovranitetit të Shqipërisë. Tri ditë më vonë, në 3 tetor 1946, Qeveria e Shqipërisë protestoi tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Trygve Lie, ndaj asaj që ajo e quante “dhunim të detit të saj territorial dhe inkursion provokativ të anijeve ushtarake britanike”. Sjellja e Qeverisë së Shqipërisë ishte plotësisht e papranueshme për Qeverinë britanike, për faktin që një pjesë e Kanalit gjendej në ujërat territoriale shqiptare. Në këto rrethana Qeveria britanike interpretoi qëndrimin e Shqipërisë si refuzim ndaj një marrëveshje për të kthyer sigurinë e lundrimit në Kanalin e Korfuzit. Kështu, në 10 nëntor 1946, Qeveria britanike informoi Qeverinë e Shqipërisë se Kanali i Korfuzit do të pastrohej dy ditë më vonë, dhe se propozimi për pastrimin e tij ishte aprovuar në mënyrë të njëanshme edhe nga Bordi Qendror i Pastrimit të Minave në 1 nëntor 1946. Nota britanike përcaktonte saktësisht hapësirat ku do të kryhej operacioni i pastrimit të minave, duke theksuar se asnjë nga anijet e saj nuk do të ndalonte në detin territorial të Shqipërisë, dhe se operacioni do të kryej në të njëjtën mënyrë si ato të kryera në vitin 1944 dhe 1945, për të cilat Shqipëria nuk pati kundërshti. Në prag të fillimit të operacionit të pastrimit Qeveria e Shqipërisë i dërgoi një notë tjetër Qeverisë britanike, në të cilën theksonte se, “në parim Qeveria e Shqipërisë nuk kundërshton pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga marina britanike”, por se propozonte krijimin e një “komisioni të përbashkët nga ana OKB-së për të përcaktuar zonën e pastrimit”. 


            Ndërkaq, Qeveria shqiptare i dërgoi një letër të dytë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në të cilën ankohej me terma të fortë ndaj veprimeve të Marinës Mbretërore dhe paraqitjen e tyre si një “fakt i kryer” Tirana zyrtare bënte të qartë se “çdo operacion për pastrimin e minave në Kanal, i ndërmarrë nga anijet luftarake dhe pa miratimin e saj, do të konsiderohej dhunim i tërësisë territoriale dhe sovranitetit të saj”. Në datën 12 dhe 13 nëntor 1946, Mbretëria e Bashkuar kreu operacione të pastrimit të minave në Kanalin e Korfuzit, pa pëlqimin e Qeverisë shqiptare dhe nën drejtimin e Komandantit të Përgjithshëm të Komandës Aleate të Mesdheut. Pastrimi nga minat u krye edhe në detin territorial të Shqipërisë në kufijtë e mëparshëm, nën mbulimin nga ajri të një aeroplanmbajtëse britanike. Gjatë operacionit u nxorën 22 mina kontakte me spirancë të tipit GY.


            Minat u gjendën në pozicione që nuk linin dyshim se ishin hedhur “me qëllim”. Fusha me mina shtrihej 3 milje përgjatë Kanalit. Dy nga minat u dërguan në Maltë për ekspertizë. Nga ekzaminimi doli se minat ishin të prodhimit gjerman, kontakte me spirancë, të njohura nga britanikët si Tipi GY, dhe nuk kishin zënë as ndryshk, as myshqe. Minat ishin lyer pak kohë më parë dhe grasua gjendej ende në gadinën (zinxhirin) e spirancës.

 

VERDIKTI I GJYKATËS PAS SEANCAVE TË PARA

 

Çfarë shprehej në Vendimin e Hagës të 25 marsit 1948

 

            Trupi Gjykues në përbërje të të cilit ishin, President José Gustavo Guerrero, Gjyqtarë Alejandro Álvarez, Green Hackworth,  Bohdan Ëiniarski, Milovan Zorièiæ, Charles de Visscher, Sir Arnold Duncan McNair, Helge Klaestad, Abdul Badawi Pasha, Sergei Krylov, John Read, Hsu Mo, Philadelpho Azevedo,  Gjyqtar ad hoc Dr. Igor Daxner dhe  Sekretar M. Hambro, u mblodh në seancë publike në datat 26-28 shkurt, 1-2, dhe 5 mars 1948, me objekt padinë e Republikës së Shqipërisë për mospranimin e padisë së Britanisë së Madhe lidhur me Incidentin e Kanalit te Korfuzit.

            Pala Britanike përfaqësohej nga W.E.Beckett, Këshilltar Ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Sir Hartley Shawcross, Prokuror i Përgjithshëm, Dr. H. Lauterpacht Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Cambridge, C.H.M. Waldock  Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, R.O. Ëilberfpre, J. Mervyn Jones, dhe M. E. Reed, Zyrtar në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

            Ndërkaq, pala shqiptare për faqësohej nga Kahraman Ylli, Përfaqësues Zyrtar në Gjyq,  Ivo Lapenna Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Pragës dhe Vladimir Vochoè Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Zagrebit.

            Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dëgjoi në seancë publike të dyja palët me procedurë të rregullt dhe me 15 vota pro dhe një kundër, vendosi për të hedhur poshtë kundërpadinë paraprake të Qeverisë së  Shqipërisë të datës 9 dhjetor 1947. Ky vendim figuron i zbardhur më 25 mars 1948. Lidhur me këtë vendim pati kundërshti, kryesisht nga Gjyqtari ad hoc Dr. Igor Daxner, i cili mbështeste idenë se Rezoluta e OKB-së e datës 9 maj 1947 rekomandonte padi jo të njëanshëm nga palët në Gjykatë. Më 25 mars 1948, të dyja palët përfunduan një Marrëveshje të Veçantë, të cilën për palën shqiptare e firmosi Kahraman Ylli, Përfaqësues i Shqipërisë në Gjyq dhe i Ngarkuari me Punë në Paris dhe për palën britanike W.E. Beckett, Asistent Ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 

            Marrëveshja e Veçantë i kërkonte Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në gjykimin e saj t’i përgjigjej pyetjeve të mëposhtme:

           

1. A është Shqipëria përgjegjëse në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në ujërat shqiptare, dhe a ka detyrimin të paguaj kompensim për dëmet e shkaktuara?

 

2. Sipas së drejtës ndërkombëtare, a ka dhunuar Britania e Madhe sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet veprimeve të Marinës së saj në ujërat e Shqipërisë, së pari në datën e shpërthimit më 22 Tetor 1946 dhe së dyti në 12 dhe 13 nëntor 1946 dhe a ka ndonjë detyrim për të përmbushur?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!