SHKRIMTARI SOVJETIK

 

Nga Max Frisch

 

 

Copëza letrare dhe eseistike nga Max Frisch, simbol i intelektualit kritik në vendet gjermanofolëse


BISEDË:


Mihalkov (tirazhi i përgjithshëm 75 milionë) më shpjegoi se si paguhet shkrimtari sovjetik. Unë e kuptova: letërsia sovjetike nuk manipulohet nga mendësia përfituese kapitaliste; jo interesimi, por autoritetet e përcaktojnë tirazhin.


Në Perëndim shkrimtari është përherë i varur nga publiku, thotë ai; këtu jo. Mihalkov është një burrë dashamirës. Asnjë fëmijë sovjetik nuk rritet pa librat e tij për fëmijë. Mihalkov shkruan edhe për teatër dhe për televizion.


Pastaj të kesh një post, siç e ka ai, natyrisht që është një ngarkesë, të cilës shkrimtari sovjetik, megjithatë, i nënshtrohet; në shërbim të shoqërisë. Mihalkov flet gjermanisht.


Ende mungon letra për të shtypur secilin libër me tirazh të lartë. Shkrimtari sovjetik paguhet sipas tirazhit, të cilin, siç thamë, e përcaktojnë autoritetet, bile paraprakisht; nuk i bën dëm atij sikur publiku të parapëlqente një libër tjetër. Unë kuptoj. Mihalkov është kryetar i Shoqatës së


Shkrimtarëve të Moskës. Unë shpesh pohoj me kokë... Nuk ka kuptim të kundërshtosh. Unë jam përpjekur. Unë lavdëroj vetëm atë që duhet lavdëruar; edhe diçka e tillë ekziston. Nuk jap përgjigjje, të cilat nuk do t'i jepia edhe gjetiu.


Gënjeshtra fillon kur heshtet diçka. Natyrisht që si i huaj unë thjesht mund të them çfarë të dua; dalëngadalë heq dorë. E saktë është çka është zyrtare. Meqë kjo është e ditur, nuk ka për çka të diskutohet. Më së miri është kur në Rusi ndjeheni mirë. Unë e lavdëroj gjerësinë e Volgës; por, nuk marrë guximin të tregojë për kujtimet e mia për Misisipin; atyre nuk u pëlqejnë krahasimet.


Në tavolinën e drekës, pasi më kishin vendosur si mysafir mes funksionarëve, unë lavdëroj verën e Gruzisë, e cila është shumë e mirë; pandërprerë tregoj se ndjehem mirë. Nuk më pyesin: Si i shikoni trazirat në Berlin, gjendjen në Paris, incidentet në Romë? Nuk janë kureshtarë për informata. Unë i lavdëroj trangujt sovjetik. Mund t'i lavdërosh edhe ikonat e vjetra.


Nëse nuk paraprinë, ata vetë i lavdërojnë trangujt e tyre, e kjo është po ashtu e mërzitshme. Natyrisht që unë nuk tregoj çka më mungon ; nuk kam ardhur për t'i lënduar.


Sofija ime e gjorë: ajo i shkurton pyetjet e mia gjatë përkthimit për të zbutur ashpërsinë dhe vuan para eprorëve të saj si një nënë me një fëmijë të bezdisshëm. Se kush përgjigjet pastaj në pyetjen time, nuk është me rëndësi; ata kurrë nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin.


Ata kritikën e njohin vetëm si kritikë kundër Perëndimit, ajo është e pafrenueshme dhe e thjeshtë, e painteresuar në fakte; rrethanat sovjektike nuk guxon t'i kritikojë askush – ata nuk e ushtrojnë atë, së paku jo funksionarët.


(NGA DITARI)


PUNËTORËT E HUAJ


Një popull padronësh e sheh veten në rrezik; është ftuar fuqi punonjëse dhe po vijnë njerëz. Ata nuk po e gllabërojnë mirëqenien, përkundrazi ata janë të pashmangshëm për mirëqenie.


Por ata janë këtu. Punëtorë mysafirë (Gastarbeiter) apo punëtorë të huaj (Fremdarbeiter)? Unë jam për këtë të fundit: ata nuk janë mysafirë, të cilët ne i shërbejmë, që të fitojmë prej tyre; ata punojnë në dhé të huaj, sepse në vendin e tyre tani për tani nuk mund të sigurojnë ekzistëncën.


Për këtë ata nuk mund të qortohen. Ata flasin një gjuhë tjetër. As për këtë nuk mund të qortohen, aq më tepër që gjuha, të cilën e flasin ata, është njëra prej katër gjuhëve zyrtare të vendit. Por, ajo i vështirëson shumë gjëra. Ata ankohen për strehimore të padenja për njerëz, për qira tepër të larta, ata hiç nuk janë të entuziasmuar. Kjo është e pazakonshme.


Por ata janë të nevojshëm. Sikur populli i vogël i padronëve të mos ishte në vetvete i famshëm për humanizimin dhe tolerancën e tij dhe kështu me radhë, atëherë sjellja ndaj fuqisë së huaj punonjëse do të ishte më e lehtë; ata do të mund të strehoheshin në kampe, ku mund edhe të këndojnë, dhe kështu rrugët nuk do të ngarkoheshin prej të huajve.


Por kjo nuk është e mundshme; ata nuk janë të burgosur, as nuk janë refugjatë. Ata shkojnë në dyqane dhe blejnë, kur ju ndodhë ndonjë aksident në punë apo kur sëmuren, ata madje shtrihen në spitale. Ne ndjehemi të mbingarkuar prej të huajve.


Dalëngadalë atyre u merret inat. Skllavërimi është një fjalë e harxhuar, vetëm në qoftë se punëdhënësit ndjehen të skllavëruar. Thuhet se ata për çdo vit kursejnë një miliardë dhe i dërgojnë në shtëpi.


Ky nuk ka qenë qëllimi. Ata kursejnë. Në të vërtet ata as për këtë nuk mund të qortohen. Por ata thjeshtë janë këtu, një ngarkesë me të huaj përmes njerëzve, të cilët, siç thamë, i dëshironim vetëm fuqi punonjëse. Ata jo vetëm që janë njerëz, por janë edhe ndryshe: italianë. Qëndrojë në rend në kufi; është frikësuese.


Duhet ta kuptoni popullin e vogël të padronëve. Sikur Italia befas të mbyllte kufijtë po ashtu do të ishte frikësuese. Çfarë të bëhet? Nuk bën pa masa të rrepta, të cilat askënd nuk gëzojnë, madje as punëdhënësin përkatës. Ekonomia është në lulëzim, por gëzim nuk ka në këtë vend.


Të huajt këndojnë. Katër veta në një dhomë fjetjeje. Qeveria ndalon përzierjen e një ministri italian; fundja ne jemi të pavarur, edhe pse të varur nga pjatalarësit dhe muratorët dhe argatët dhe kamarierët e huaj, të pavarur (besoj) si nga Habsburgu ashtu dhe nga Bashkësia Ekonomike Evropiane. Shikuar krejt esëll: 500 mijë italianë, kjo është një kafshatë e madhe, aq e madhe sa kafshata e zezakëve në Shtetet e Bashkuara.


Ky është një problem. Për fat të keq problem i yni. Ata punojnë ndershëm dhe madje duket se edhe zellshëm; ndryshe as që do t'ia vlente dhe ata do të duhej të zhdukeshin dhe rreziku nga të huajt do të hiqej.


Ata duhet të sillen në mënyrë shembullore, më mirë se turistët, ndryshe vendi heq dorë nga lulëzimi ekonomik. Ky kërcënim natyrisht nuk përmendet, me përjashtim të disa kokave të nxehta, të cilat nuk marrin vesh asgjë nga ekonomia. Në përgjithësi mbretëron një nervozizëm tolerant.


Thjesht, janë tepër, jo në kantier dhe jo në fabrikë dhe jo në ahur dhe jo në kuzhinë, por në mbrëmje, pas orarit të punës, sidomos të dielën papritmas janë tepër. Ata bien në sy. Janë ndryshe.


I shikojnë vajzat dhe gratë derisa të vetat nuk guxojnë t'i marrin në dhé të huaj. Nuk jemi racistë; fundja është traditë që nuk jemi racistë, dhe tradita është dëshmuar në dënimin e sjelljeve franceze dhe amerikane dhe ruse, e mos t'i përmendim këtu gjermanët, të cilët kanë karakterizuar nocionin e popullit ndihmës. Megjithatë ata janë ndryshe.


Ata e rrezikojnë veçantinë e popullit të vogël të padronëve, e cila pavullnetshëm rishkruhet, përveçse në kuptim të vetëlavdërimit, i cili të tjerëve nuk u  intereson; por tani po na rishkruajnë të tjerët.


(FJALIME DHE TRAJTESA)


TË HUAJT


Të flas personalisht: mes njerëzve, të cilët gëzojnë simpati te unë, sepse u jam mirënjohës për sfidë dhe rrjedhimisht ide, të huajt dhe gjysmë të huaj janë në numër të madh; pa praninë e tyre në vendin tonë unë (a guxoj ta them?) do të ndjehesha më pak i adaptuar në atdhe.


Këtu mendoj në radhë të parë, por jo vetëm sidomos në Teatrin e Zyrihut gjatë luftës dhe pastaj; ky institut, që nuk mund të merret me mend pa emigrantë, dukshëm ka kontribuar për vetëdijen tonë.


Edhe në raste të tjera do të duhej të pranohej se njerëzit që jetojnë këtu pa folur dialektin tonë dhe pa i zgjedhur këshillat komunale, nuk mund të përjashtohen nga një Zvicër si atdhe yni mendor. Na duhen jozviceranë.


Dhe jo vetëm si argatë dhe partner tregtarë, por edhe intelektualisht. Në të vërtet ne mund të udhëtojmë, por kjo është diçka tjetër, kjo nuk e prek atë që është vendore; ose ne mund të emigrojmë, por edhe kjo është diçka tjetër. Unë disa vite jam përpjekur të jetoj si zviceran jashtë atdheut për të konstatuar: mua më duhen jozviceranët në Zvicër.

 


SHËNIM BIOGRAFIK


Shkrimtari zviceran Max Frisch u lind më 15 maj 1911 në Zyrih. I ati i tij ishte arkitekt, e ëma dado, e cila në rini kishte jetuar në Rusi. Gjatë gjithë jetës ishte një udhëtar i pasionuar.


Mes viteve 1924-30 ndoqi mësimet në gjimnaz. Në mars 1932 vdiq i atij i cili la pas shumë borxhe. Frisch ndërpreu studimet e gjermanistikës dhe filloi të punonte si bashkëpunëtor i Neue Zürcher Zeitung, gazetës më perstigjioze zvicerane. Në fillim të vitit 1933 qëndroi në Pragë, prej nga raportoi për kampionatin botëror të hokejit mbi akull.


Pastaj, për tetë muaj me radhë, udhëtoi në Ballkan. Për të financuar udhëtimin ai shkruante udhëpërshkrime, të cilat i botonte në shtypin e kohës. Në fillim të karrierës ishte një autor jopolitik. Ky botëkuptim i tij ndryshoi plotësisht me triumfin e nacionalsocializmit të Adolf Hitlerit në Gjermani.


Pasiguria mbi ekzistencën materiale dhe një roman i dështuar e detyruan të heqë dorë nga ambicjet letrare. Një mik i mundësoi të studionte arkitekturë në Shkollën e Lartë Federale (ETH), një institucion i famshëm, ku kishte studiuar edhe Albert Einsteini. Më 1942 fitoi konkursin për ndërtimin e një pishine në Zyrih, pastaj themeloi një zyrë arkitekture dhe u martua.


Nga mesi i viteve 50-të divorcohet, shet studion e arkitekturës dhe fillon karrierën e shkrimtarit. Jeton në Romë, në Nju Jork, Berlin, etj. Prej viteve 60-të deri në vdekje (më 1991) Frisch ishte simbol i intelektualit kritik në vendet gjermanofolëse. Kishte marrë pjesë në kongresin botëror të intelektualëve për paqe në Poloni.


Në atë kohë qarqet konservative në Zvicër e kishin akuzuar për simpati ndaj ideve majtiste. Për 40 vjet shërbimi sekret zviceran kishte shkruar dhe mbledhur dokumente e raporte për Max Frisch-in. Ndër veprat e tij më të njohura janë "Fletë nga strajca e bukës", "Homo haber", "Stiller", "Andorra".



Përktheu nga gjermanishtja: Enver Robelli

 

 

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!