SI I SHIKONIN SHQIPTARËT, AKADEMIKET SERBE

 

Kjo ese është shkruar në kujtim të Librit të Dimitrije Tucoviqit, ku i dilet në mbro­jtje dinjitetit të popullit shqiptar prej shpifjeve të akademikëve sllave të gati fil­lim shekullit të shkuar. Ajo është realizuar nga një prej ikonave të shkrimit din­jitoz sllav të shekullit të shkuar

 

Shkruan: Mirosllav Kerlezha

 

Njëmbëdhjete vjet pasi është shkruar, sot, libri i Dimitrije Tucoviqit për Shqipërinë, nuk ka humbur asnjë germë nga aktualiteti i vet. Të njëjtin qëndrim negativ, të cilin Ballhausplatz-i dhe zoterinjtë Aehrenthal dhe Berchtold kishin ndaj tërë problemit jugosllav, të njëjtin qëndrim kishte Beogradi radikal, politikan ndaj çësht­jeve shqiptare, si para dhjetë, si para dymbëdhjetë vjetëve, si edhe sot e kësaj dite. Ky është qëndrim mendjelehtë mesjetar i salloneve të rrethuara me ar të Luigjit XV dhe ceremonialit spanjoll, ky është qëndrimi "Divide et Impera", ther e skllavëro, përçaj e sundo, ky është parimi katastrofal i politikës së pa kokë dhe të verbër, që logjikisht gjithmonë përfundon me disfatën dhe shpartallimin e atyre që therin, ndajnë e sundojnë...

 

Kurse shtypi i Beogradit, si pandan i karabushëve vjeneze, opinioni publik radikal, kabi­netet e Beogradit para luftës dhe zotërinj min­istrat e punëve të jashtme i konsideronin (gjithashtu) shqiptarët raje të paemër, që banonin në vend të paemër, pa histori, pa letër­si dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. Qysh para disa vitesh, udhë­tarët në Shqipëri paskan pare njerëz me bisht, "me bisht të kalit ose të dhisë" dhe këta Bas­tarde të Tribalëve dhe Skordiskëve antike, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjike, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe thërret ndër vetë në anarki skëterrëse. Në këta shkrepa të egër, të zezë dhe të pashkelshëm, shtatëdhjetë për qind të burrave vdesin nga hakmarrja, kurse vdek­ja, prej sëmundjes në shtrat, është turp. Këta të egjër gjakpirës, këta lëkurëkuq evropiane, intolerantë fetarë deri në ekstrem, te të cilët fjala cub dhe bandit është sinonim për kalorës, këto bisha të egra me fytyre njeriu, ditëve të festave gostiten me miell misri të zier, nuk dinë çka është kripa, kurse për sheqerin mendojnë se është borë. Banojnë nëpër shpella si njerëzit e Neandertalit, jetojnë nëpër kulla të gurit pa dyer, pa dritare dhe pa oxhakë; flenë  nën dritën e pishës, të veshur, me pushkë në dorë, kurse para kasolles, kafka e kalit e ngulur në hu është trofe lufte. Për Zotin, besojnë se u ka dhënë pushkët që të vriten mes tyre, kurse ka vise në veri, në të cilat perënditë e vjetra ende u shugurohen si njerëz të gjallë. Shqiptarët e pinë gjakun e nxehtë të viktimave të veta të therura, i prejnë hardhitë, i rrënojnë kullat, zhduken me pasion ndër vete, duke vrarë gratë nga lakmia, kurse kuptimi i dashurisë nuk ekziston te ata dhe fjala dashuri nuk gjendet në gjuhen e tyre. Nuset shiten e blihen për pajë prej disa lugësh, nevojtore nuk ka në këtë vend, të gjithë janë të ndytë dhe me morra dhe këta vjedhës të kuajve, tradhtarë, banditë, rre­nacakë, e tipa të poshtër, që i lëshojnë sytë për toke si qentë para njeriut jetojnë në retë e tymit, tifos, malaries, lisë, dizenterisë dhe sëmundjeve venerike, këta janë gjakataret dhe vrasësit qindravjeçarë të elementit serb në viset jugore. Kjo masë e zjarrtë, e tërbuara, anarkike, e ngjashme me kafshët, dridhet si lava në luginat e buta të viseve jugore dhe atje vret e pret, djeg dhe shkatërron vendbanimet tona të qeta e të qytetëruara me qindra e qin­dra vjet. Kjo llavë e bastardeve shqiptarë qe jeton në provincat që në Mesjetë i takonin Perandorisë Serbe ( E drejta historike analoge me të drejtën historike hungareze për Dalmacinë, Bosnjën dhe Kroacinë), derdhet si lum - "vërshon" në viset e buta dhe të qytetëruara dhe këtë lum "vërshues" duhet kthyer në shtratin e tij të natyrshëm në malet e zeza dhe të pashkelshme.

 

* * *

 

Kështu shkruanin për shqiptaret, akademikët e paraluftës me orientime liberale-­dinastike ose revolucionare-republikane, minis­trat e majtë e të djathtë reaksionare ose racionale revolucionare, politikanët dhe i tërë shtypi i kabineteve të shumëllojshme dhe të panumërta dhe kështu zhvillohej me vetëdije propaganda mbi politiken kolonialiste, e kur ushtria ngadhënjimtare zbriti nëpër shkrepat shqiptare deri në Durrës, deri në Lezhë dhe deri në Shën Ivanin e Medovanit, opinioni publik prej graniti, i krijuar nga propaganda kolonial­iste, i përshëndeti sukseset ushtarake në diskonim ngadhënjimtar.

 

Dy vilajete turke, ai i Shkodrës dhe Janinës u pushtuan me fuqinë e armëve, kurse okupa­cioni i një regjioni, në të cilin nuk kishte asgjë pos katërqind fjalëve kelte, dukej logjik dhe i natyrshëm. Në këtë kohë kaotike, kur gati i gjithë opinioni i Beogradit kërkonte që të pushtohej Shqipëria, Dimitrije Tucoviqi parashtroi antitezat e veta të pathyeshme. Libri i tij, në atë kohë kur u shkrua, ishte një akt i guximshëm dhe i denjë për respekt... Fiset, racat, origjinat, besimet, gjuhët e dialektet aq shumë janë amal­gamuar në këto lugina, sa që është e pamundur të tërhiqet kufiri i gjendjes së sotme etno­grafike, e po të rikonstruktohej me mitraloza e varje në bazë të do fare gjendjesh fiktive të para shumë qindra vjetësh, do të ishte krim, ose marrëzi.

 

Dimitrije Tucoviqi sqaroi se gjendja anarkike, në të cilat jetojnë fiset shqiptare të veriut, rrjedh, para së gjithash, nga fakti se këto fise të izoluara në malet e larta kanë ngelur disa shekuj para shekujve, jo nga e ash­tuquajtura paaftësi raciale, por shkurt për shkak të rrethanave në të cilat jetojnë. Duke jetuar në një krahinë të pasjellshme malore sipas parimit të fiseve, shqiptaret asgjësohen për arsyen e thjeshtë, sepse fiset shtohen brez pas brezi, kurse prona e tokës mbetet gjithnjë e njëjtë dhe e pandryshuar...Kurrfarë inferior­iteti racional nuk është shkaktar i kësaj gjend­jeje të trishtueshme, sepse shqiptarët, kur në brezin e parë janë larguar nga baza e tyre fis­nore, si të shpërngulur në rrethina më të qytetëruara, po i përshtaten shkallës më të lartë të jetës mekanikisht dhe pa ndryshim nga popujt fqinjë. Por, megjithatë, veriu i egër shqiptar nuk lejoi të pushtohet kurrë dhe gjith­një ruante njëfarë pavarësie nga rendi ushtarak dhe administrativ turk, kështu që edhe kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Pavarur (Të Prizrenit) në vitin 1878 dhe 1881, janë doku­mente të bukura të vetëdijes dhe të krenarisë liridashëse shqiptare...

 

Marrë nga esetë e Mirosllav Kerlezhës, botuar te “Rilindja”. Përkthyer në vitin 1979 nga Vehap Shita

 

 

 

Mirosllav Kerlezha është autori me i njohur kroat në letërsi dhe publicistikë i shekullit XX. Në parantezë, ka qenë një shkrimtar i adhuruar shumë në të gjallë edhe nga Migjeni. Ai lindi më 7 korrik të vitit 1893 dhe vdiq me 29 dhjetor të vitit 1981. Ka një histori jetë shumë të turbullt. Ka qenë anëtar i Partisë Komuniste deri në vitin 1939, pastaj u divorcua me atë. Do ishte Tito që do e rehabilitonte dhe pastaj do drejtonte një Institut Leksikografie. Vepra e tij është e shtrirë në ese, drama, romane, poezi, etj. Në fakt nga viti 1958-1961 drejtoi Unionin e shkrimtarëve jugosllav. Në këtë ese, kushtuar Tucoviq-it tregon vlerësimin e tij për shqiptarët kundër qarqeve akademike të Beogradit.

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!