NJË MUZIKAL AMERIKAN PËR KOSOVËN

 

 

           Profesori i disa universiteteve të njohura në Amerikë dhe në Angli, Henry H. Perrit, po korr sukses me një muzikal që i kushtohet Kosovës dhe titullohet "YOU TOOK AWAY MY FLAG" (“TI MA KE RRËMBYE FLAMURIN”). Shfaqja është dhënë premierë në teatrin e Çikagos më 16 nëntor, ndërkaq që më pas u shfaq edhe në janar dhe do të jepet edhe në korrik të 2009-ës. Eksperti i shkencave të ekonomisë dhe politikës, Henry H. Perrit, pas një kohe qëndrimi në Kosovë ka shkruar një muzikal, të cilën e ka quajtur "YOU TOOK AWAY MY FLAG" (“TI MA KE RRËMBYE FLAMURIN”), shfaqje kjo që ka ardhur si frymëzim i vet pas qëndrimit të tij të shpeshtë në Kosovë. Henry H. Perrit deri tani ka shkruar dy libra për Kosovën, për të cilët thotë se i ka shkruar pasi ka intervistuar më shumë se 100 njerëz.

 

"Gjatë punës time atje kam shkruar dy libra për Kosovën. I pari titullohet “KOSOVO LIBERATION ARMY, THE INSIDE STORY OF AN INSURGENCY”, (Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Rrëfim prej brenda për një kryengritje )i cili është botuar në gusht të vitit 2008 nga Universiteti i Illinois.

 

Ndërsa libri i dytë, “THE ROAD TO INDEPENDENCE FOR KOSOVO: A CHRONICAL OF THE AHTISAARI PLAN” (RRUGA DREJT PAVARËSISË SË KOSOVËS: NJË KRONIKË E PLANIT TË AHTISAARIT), do të botohet nga Universiteti i 'Cambridge', në fund të këtij viti", thuhet në faqen zyrtare të web-it të kësaj shfaqjeje. Sipas autorit, gjatë shkrimit të këtyre dy librave, ai ka intervistuar më shumë se 100 ushtarë të UÇK-së, liderë dhe diplomatë, ekspertë ushtarakë të Amerikës dhe shqiptarë të Kosovës, të cilët i kanë kundërshtuar politikat e UÇK-së, por edhe serbët e Kosovës.


MUZIKALI


      "Tregimet që kanë dalë nga këto intervista paraqesin ëndrra, paqartësi, konflikte, shtypje dhe trimëri. Nuk i kam shkruar që të gjitha në dy librat e mi. Vajtimet i kemi në muzikal. Aty paraqiten me shprehje dramatike. Muzikali “YOU TOOK AWAY MY FLAG”  është rezultat i punës time atje", shkruan autori. Perrit e kishte vizituar Kosovën në dhjetor të vitit 1998, pak kohë pas armëpushimit në mes të Sllobodan Millosheviçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur kishin ardhur vëzhguesit e OSBE-së.

 

      "Që nga ajo kohë, rregullisht e kam vizituar Kosovën, por edhe i kam dërguar studentët atje për projekte të ndryshme, me qëllim zhvillimin e demokracisë tek institucionet politike, mësimet për rendin dhe ligjin e po ashtu edhe për ekonominë e tregut në Kosovë. Kam miqësi të mirë me ish-luftëtarët që kanë udhëhequr UÇK-në, disa prej të cilëve janë liderët kryesorë edhe të pavarësisë së Kosovës", - thotë autori. Shfaqja, "YOU TOOK AWAY MY FLAG", flet për fillimin e luftës në Kosovë, në mes të pushtetit të fuqishëm të Sllobodan Millosheviçit dhe "guerilasve" të njohur me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Një kosovar tetëmbëdhjetë vjeçar, i quajtur Arian dhe motra e tij 20-vjeçare, Vjosa, nuk mund të gjejnë të ardhme të mirë në Kosovë për shkak të pushtimit. Pavarësisht kësaj, Vjosa kundërshton traditat shqiptare të babait të saj Fatmirit, pasi ajo bie në dashuri me një djalë të ri serb, që quhet Dragan, i cili është anëtar i forcave speciale të policisë se Millosheviçit.


Një nga librat ku bazohet muzikali

 

 

 

SUBJEKTI


      I frustruar me motrën e tij por edhe me traditat kulturore të vendit, Ariani konfrontohet me motrën. Vjosa dhe Dragani vazhdojnë romancën e tyre në mënyrë sekrete. Realisht, jo vetëm shoqëria kosovare nuk do ta pranojë lidhjen e tyre, por edhe ajo serbe do të veprojë në të njëjtën mënyrë. Duke dashur t'i shmangen kësaj, ata përpiqen dhe dëshirojnë që askush mos ta dijë për dashurinë që ata ndjenjë për njëri-tjetrin. Ariani është mjaft i interesuar për sa i përket historisë kombëtare shqiptare dhe lexon shumë libra historie. Ai pajtohet me babain e tij dhe shokun e vet Fahri për rezistencë pasive, por i bashkohet ushtrisë "guerile". Ariani i bashkohet UÇK-së, e cila udhëhiqet nga komandanti i ri dhe karizmatik, me emrin Driton, i cili i premton që ta marrë atë. Babai tyre Fatmiri dhe anëtarët e tjerë të elitës politike e kundërshtojnë dhunën dhe bëjnë kërkesa tek diplomatët ndërkombëtarë që të arrihet një marrëveshje me anë të proceseve diplomatike. Pavarësisht alarmit ndërkombëtar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe spastrimit etnik kundër një popullate, diplomatët pajtohen me faktin që diktatori serb, Sllobodan Millosheviç duhet të lejohet që të shkatërrojë "terroristët" guerilë. Ariani, Dritoni dhe shokët e tyre, në anën tjetër janë të përkushtuar për të luftuar deri në vdekje nëse është nevoja, vetëm që të kundërshtojnë represionin serb.

 

      Ekstremistët islamikë, të ngazëllyer nga fitorja e tyre në Afganistan, trimërohen me përkushtimin e tyre në luftën e Bosnjës dhe tani përpiqen të infiltrohen edhe në radhët e UÇK-së. Ndërkombëtarët dhe Fatmiri duhet të zgjedhin në mes të intervenimit të NATO-s dhe bashkimin me fondamentalistët islamikë të kosovarëve. Dragani tashmë ka dyshime për detyrat e tyre brutale dhe konfrontohet me Arianin në një betejë. Vjosa dhe Dragani ende nuk kanë guxim që të shpallin hapur dashurinë dhe anën e tyre humane. Shpirti i Arianit është i injektuar me ndarje por gjithnjë paraqitet në dy kahe, është adhurues i madh i Amerikës dhe Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!