FJALIMI I PRESIDENTIT TË SHQIPERISË BAMIR TOPI, NË SAMITIN E NATO-S

 

 04.04.2009

 

           Ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar të përfaqësoj vendin tim në këtë Samit Jubilar e njëkohësisht shumë krenar që anëtarësimi i Shqipërisë kurorëzohet në këtë ditë të shënuar.


      Vij këtu për të sjellë mirënjohjen, falënderimin, miqësinë më të thellë të popullit shqiptar për Aleancën, për Ju të dashur aleatë, për Parlamentet dhe Qeveritë dhe për popujt miq të popullit shqiptar.


      Jam këtu, për t'Ju konfirmuar besnikërinë e përgjegjshme të Shqipërisë ndaj shpresave dhe besimit Tuaj në aspiratën e popullit tim për t'u integruar.


      Në përvjetorin e 20-të të shembjes së Murit të Berlinit, Shqipëria bëhet shembulli historik se si një popull, pasi përmbysi diktaturën më të ashpër dhe këputi zinxhirët e izolimit më të gjatë politik, vetëm sepse besoi në idealin e lirisë, në atë të të drejtave të njeriut dhe në kuptimin e plotë të fjalës demokraci, u bë anëtar i organizatës më të madhe, kampione të lirisë dhe të vlerave universale.


      Ne ndodhemi përkrah Jush sot sepse mbetemi, të vendosur të përballemi dhe t’i fitojmë sfidat tona të brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake, sepse, nga sot, kontributi dhe roli aktiv e moderues i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit do të kthehet në vlerë të shtuar të investimit për paqen e stabilitetin e qëndrueshëm të tij, në mbështetjen e shtetit të ri të Kosovës dhe në shëndoshjen e frymës së bashkëpunimit dhe të politikës së fqinjësisë së mirë për një të ardhme të përbashkët euroatlantike.

      Ushtarakët e Forcave tona të Armatosura do të jenë, më krenarë se më parë, atje ku NATO do të luftojë për lirinë dhe demokracinë, atje ku siguria dhe paqja do të ndihem të kërcënuara, atje ku kontributi i tyre do t'u shërbejë fitores ndaj terrorizmit global dhe pasurimit të bashkëjetesës së qytetërimeve tona.


Të dashur aleatë,


      Samiti i sotëm do të mbetet në histori edhe si dëshmia e mikpritjes dhe e miqësisë franko-gjermane e njëkohësisht si modeli se si dy kombe të mëdha gjetën forcën e madhe të mësonin nga e kaluara e tyre vetëm duke besuar në të ardhmen e tyre të përbashkët, në atë të ardhme që besojnë edhe shqiptarët sot.



Ju faleminderit!

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!