HUMORI I ZI I SALI BERISHËS

 

Shkruan: Akademik  Rexhep Qosja



         Një humor që bëri këto ditë kryeministri Sali Berisha pothuajse kaloi në heshtje megjithëse ky humor tregon si sundohet, në të vërtetë si despotohet Shqipëria sot dhe cili është qëllimi i sundimtarit. U harrua se me humor jo rrallë janë paralajmëruar tragjedi apo tragjikomedi të mëdha politike. Pikërisht në fillim të prillit të vitit 2009 e quajti të arsyeshme kryeministri Sali Berisha që shqiptarët e Shqipërisë shtetërore, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare dhe shqiptarët e diasporës t'i gëzojë me premtimin: "Siç po më thotë parandjenja ime dhe siç e thashë edhe në Parlament, le të përgatiten që Sali Berisha do të mbetet edhe për 35 vjet në politikë, nëse nuk më thërret i Gjithëfuqishmi"! Dëgjuesit që e duan dhe dëgjuesit që nuk e duan, por nuk kanë guxim bash të hapët të tregojnë për ç'arsye krejt nuk e duan, e bënë hesapin: kryeministri premton se do të mbetet në politikë deri në vitin 2044! Natyrisht, në qoftë se s'çohet kundër tij i Gjithëfuqishmi, i cili deri tani vetëm në vitin 2007 ia ka shqiptuar një dënim të vogël prej të cilit ç'është e vërteta,e ka liruar shpejt, duke i dhënë ashtu mundësi që të kthehet prapë ku ishte: në fronin nga i cili po e sundon Shqipërinë. Shumë shqiptarë u habitën si i gjithëfuqishmi e lejoi Sali Berishën të kthehet në fronin e Shqipërisë! Si fryt i zi i politikës së tij, në vitin 1997 u vranë mbi 2500 shqiptarë dhe u bënë shumë shkatërrime në Shqipëri!

 


         Nuk e di sa shqiptarët i gëzoi dhe sa shqiptarët i pikëlloi ky premtim i kryeministrit. Dhe, nuk e di cilët shqiptarë i gëzoi e cilët i dëshpëroi më shumë: ata të Shqipërisë shtetërore, apo ata të Kosovës? Sidoqoftë, e rëndësishme në këtë mes është se kjo nuk është hera e parë dhe sigurisht nuk do të jetë as hera e fundit që kryeministri i gëzon dhe i dëshpëron shqiptarët me këso premtimesh. Edhe para një kohe u premtoi shqiptarëve, pa caktuar sa vjet, se do të mbetet në politikë derisa të mos e thërrasë i Gjithëfuqishmi në detyrë tjetër! Kësaj radhe, prapë, e denjësoi të Gjithëfuqishmin, duke ia përmendur emrin, por e përkujtoi: mos nxitoi, të them unë ty, se në politikën e Shqipërisë dua të mbetem edhe rrum 35 vjet, domethënë deri në vitin 2044. I Gjithëfuqishmi u tregua i dëgjueshëm! E ka kuptuar edhe ai të vërtetën: i nënshtrohet Partia Demokratike me partitë e koalicionit! I nënshtrohet Qeveria! I nënshtrohet Kuvendi! Pse të mos i nënshtrohet, në të vërtetë, ku ta marrë guximin e të mos i nënshtrohet, edhe Ai, i Gjithëfuqishmi, pavarësisht pse ashtu, i Gjithëfuqishëm, e quajnë shumë qytetarë!

 
          premtoi se do të mbetet në politikë edhe 35 vjet, domethënë deri në vitin 2044, kryeministri sigurt mendoi se do ta drejtojë, do ta sundojë a do ta despotojë Shqipërinë herë si kryeministër, herë si kryetar, herë si kryetar i Kuvendit - se më poshtë ai nuk zbret - dhe gjithnjë si kryetar i Partisë Demokratike.


         Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, është i lindur në vitin 1945 dhe deshi s'deshi i Gjithëfuqishmi, sivjet ai i mbush 64 vjet. 64 vjet, sa do të ketë sivjet, plus 35 vjet të ardhshme, sa premton se do të mbetet në politikë, bëjnë 99 vjet. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, premton kështu se do ta drejtojë, do ta sundojë e do ta despotojë Shqipërinë deri në moshën kur të gjitha krijesat e tjera njerëzore, të cilat i Gjithëfuqishmi i ka dënuar të jetojnë aq gjatë, detyrohen ta presin urdhrin e tij, të të Gjithëfuqishmit, me mjekë, me infermiere, me aparate për zemër, për frymëmarrje, për evakuim dhe me havruz afër.


         Mund të dalë ndonjë lexues dhe të më thotë: mos nxito ti me atë ironinë tënde që të nxjerrësh përfundim të paqëndrueshëm. A nuk je në gjendje të kuptosh se kryeministri ka bërë humor? Bash humor. Kohëve të fundit kryeministri ynë është plot humor! Pse nuk do të shohësh se gëzimi dhe humori janë të pandashëm në shpirtin e tij të tejndjeshëm!


         Dakord, i përgjigjem, mund të ketë bërë humor kryeministri. Mund të ketë bërë shaka kryeministri. Humor dhe shaka me opozitën! Dhe, pse jo: humor dhe shaka me shumë votues shqiptarë! Por, të mos harrojmë se humori që përsëritet dy herë e tenaltë zakonisht mbështetet në dëshirat e humoristit të cilat ai, humoristi, do të bëjë çmos që t'i sendërtojë, kuptohet, në qoftë se e lejojnë votuesit e, sidomos i Gjithëfuqishmi. Këtë mësim na e jep edhe historia e vjetër dhe historia e re. Ta lëmë të vjetrën e ta kujtojmë të renë. Shoku Stalin, shkruajnë jetëshkruesit e tij, ishte shumë shakaxhi. Në Kremlin, në daçën e tij, në mbledhje të Politbyrosë, të Qeverisë, të Sovjetit Suprem ai dinte të bënte humor vetë, ndonjëherë duke premtuar se nuk e ka ndërmend të vdesë fare, se është i përjetshëm si Urali, por dinte të kërkonte edhe prej të tjerëve që të bënin humor. Në ndejat e gjata, në Kremlin e, sidomos në daçën e tij afër Moskës, që zgjasnin deri në mëngjes, nganjëherë, kur kishte sulme humori, si kryeministri ynë viteve të fundit, kërkonte prej disa bashkëpunëtorëve të vallëzonin gopek - se e donte gopekun. Posaçërisht shpesh, thuhet, me urdhrin e vallëzuesit e stoliste bashkëvendësin e tij, shefin e NKVD-së Berinë, që e mbante gjithë afër edhe pse e përbuzte shumë.

 
         Nuk e di a u ka premtuar shqiptarëve kryeministri se do të jetë në politikë edhe 35 vjet, deri në moshën 99 vjeçare për seriozitet apo për humor, por e di se premtimi i kryeministrit, Sali Berisha, se do të jetë në politikën shqiptare deri në moshën 99-vjeçare flet shumë, shumë dhe qartë , seriozisht dhe humorshëm për gjendjen politiko-morale të tij; për gjendjen politiko-morale të shoqërisë shqiptare; për veçoritë e pushtetit shqiptar, dhe për nivelin e demokracisë shqiptare. Ashtu siç flasin shumë, shumë dhe qartë për këtë gjendje vetjake dhe për këtë gjendje kombëtare, edhe veprimet e tij të tjera sa humoristike aq edhe tragjike si, fjala vjen, këto: premtimi se herën tjetër, deputetit të opozitës, XY - nit, do t'ia bërë fytyrën këpucë - pikturë surrealiste! Premtimi se mister Fazlliçin do ta sillte në Kuvend, që t'i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, po ta kishte takuar në Tiranë! Diagnoza që i bën kryetarit të opozitës, në një mjedis ku kishte edhe fëmijë - filloristë, se duket është i tredhur. E shaka të tjera, të zeza numri i të cilave premton të rritet edhe më shumë ditëve të ardhshme të fushatës!


         Humori është bërë shprehi dhe dhunti e vonë e kryeministrit Sali Berisha. Prej ditës së parë kur është futur në politikën shqiptare pas komuniste - se ai bënte pjesë edhe në politikën komuniste - kryeministri i sotëm, Sali Berisha, ishte shumëçka po jo humorist: i hallakatur, i vrazhdë, i egër dhe, sidomos, kërcënues. Ishte edhe shpesh puthadorës ndaj të huajve, natyrisht, po, jo humorist! Mund të shkruajmë sa të duam për të! Mund të bëjmë emisione në radio e në televizione sa të duam për të! Mund të bëjmë sa të duam hulumtime politikologjike, psikologjike dhe sociologjike për të dhe pushtetin e tij, në të vërtetë për suksesin e tij marramendës dhe maratonik në politikën shqiptare, por një pohim do të mbetet i vërtetë: suksesi i tij marramendës në politikën shqiptare u detyrohet pikërisht hallakamës, vrazhdësisë, egërsisë dhe kërcënimeve të tij. Pse jo? E njeh mirë ai mentalitetin e bashkëkombësve, "mentalitetin islamik", "mentalitetin oriental", si e quan për qejf racist Maks Velo mentalitetin e bashkëkombësve dhe e di ai, kryeministri Sali Berisha, bashkë me diagnostifikuesin e këtij mentaliteti, Maks Velo, se ky mentalitet ende mund të sundohet e të despotohet vetëm ashtu siç po e sundon ai partinë e tij dhe Shqipërinë tonë: me dhunë politike dhe pushtetore!


         Dhuna politike është e përmbajtur në gjuhën e tij politike! Dhuna politike është e përmbajtur në humorin e tij! Dhuna politike është e përmbajtur, më në fund, në vendimet dhe premtimet e tij! Tani e 18 vjet ai sillet, vepron në jetën politike kombëtare vetëm me këtë teknologji politike: me teknologjinë e dhunës politike. Si vëzhgues i sjelljeve dhe i gjykimeve të tij politike kam parë se dy tre vjetëve të fundit ai ka filluar gjithnjë e më shpesh t'i stolisë me humor gjykimet, sjelljet, vendimet e tij politike! Pse? Nga vjen ky humor. Nga vjen tani së voni humori në sjelljet dhe në gjykimet e tij politike? Kam vetëm një përgjigje: vjen prej sigurisë që ndjen ai. Vjen prej epërsisë që ndjen ai! Vjen prej megalomanisë që ka ai! Ka pasur mjaft kohë që të bindet ai se sa rrafsh janë rrafshuar bashkëpunëtorët e tij në partinë e tij! Ka pasur mjaft kohë të bindet ai se sa shumë janë përçarë dhe se sa shumë janë zvogëluar kundërshtarët e tij në opozitë. Ka pasur mjaft kohë të bindet ai se sa të heshtur janë bërë studentët! Ka pasur mjaft kohë të shohë ai se sa puthadorës janë bërë jo pak krijues artistikë e shkencorë! Ka pasur mjaft kohë të bindet ai se sa shumë janë dëshpëruar në politikën shqiptare qytetarët shqiptarët. Me të dëgjueshmit, me të përçarët, me të zvogëluarit, me puthadorësit, me të dëshpëruarit është e lehtë të bësh çka të duash! Çka të duash e si të duash! T'ju thuash se ua bën fytyrën këpucë! T'ua përgojosh e fyesh familjarët! T'i quash të tredhur! T'ua ndërrosh në Kuvend Kushtetutën e miratuar në referendum! T'ua përmbysësh kryeprokurorin! Të miratosh ligje që janë në kundërshtim me një varg paragrafësh të Kushtetutës! Të marrësh me vete në OKB ministrin që është nën hetimet e Kryeprokurorisë! Të marrësh në mbledhje të NATO-s edhe kryetaren e Kuvendit - çka nuk e parashihte protokolli! Të sundosh i paprekur edhe mbastragjedisë së Gërdecit zhduket një fshat, vriten 26 burra, gra e fëmijë dhe plagosen e sakatosen mbi 200 vetë! Të shantazhosh dhe të kërcënosh shpesh prokurorët, gjyqtarët, politikanët që s'i ke për qejfi!


         Të përndjekësh me argatët tu, që janë bërë pronarë mediash e firmash të tjera, intelektualë që nuk ngurrojnë të demaskojnë regjimin e despotit.

 
         Të prodhosh shpifje, denoncime, gënjeshtra, fyerje, më shumë se asnjë qytetar në tokat shqiptare sot dhe më shumë se asnjë njeri i politikës në historinë e popullit shqiptar! Të pengosh, suksesshëm, zbardhjen e të bërave të dyshimta, korruptive, në të cilat janë përzier besnikët tu, madje edhe në korrupsionin kolosal të rrugës Durrës-Kukës! Të thuash, prej kabinetit kryeministror, se si duhet të rishkruhet historia e popullit dhe e shtetit, si dhe historia e arteve! Të tregosh, prapë prej kabinetit kryeministror, si duhet të jetë gjuha standarde për të cilën s'ke as dije të një maturanti!


    Gjuhë, shfytyrime, sjellje, veprime tipi despotike që fyejnë demokracinë!


         Pse jo?


         Që të jetë në politikë edhe 35 vjet, deri në moshën 99 vjeçare, ai, Sali Berisha, varet vetëm prej të Gjithëfuqishmit të Qiellit po jo prej askujt tjetër, sidomos jo prej kujtdo në tokën shqiptare. Jo dhe jo! As prej Partisë së tij! As prej opozitës së Shqipërisë! As prej Kuvendit të Shqipërisë! As prej sovranit të Shqipërisë - popullit të Shqipërisë. Që të jetë edhe 35 vjet në politikë, deri në moshën 99 vjeçare ai, Sali Berisha, varet vetëm prej Atij në Qiell dhe prej Sali Berishës! Ky është humori i tij! Kjo është logjika e tij e gjithnjëshme politike! Dhe, kjo është "demokracia" e tij tribaliste!


         Humori, e kanë thënë studiuesit e tij, është brezi me të cilin notojmë nëpër detin e jetës. Nuk bën humor kryeministri Sali Berisha për këtë qëllim: për të notuar sadopak më lehtë nëpër detin e turbullt politik shqiptar! Jo. Nuk i duhet humori atij! Humori nuk është dhuntia e tij. Ai bën humor, bën shaka, për të treguar se sa të vegjël, ndoshta se sa kurrkush, janë ata që e dëgjojnë atë humor!


         Humori i tij është humor shumë i zi!


         Le të vazhdojë të bëjë kësi humori mbasi e lejojmë!


Prishtinë, 3.4.2009

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!