GENJESHTRA JUBILARE

 

Shkruan: Akademik Rexhep QOSJA



         N
ë mediat tona në Kosovë dhe në Shqipërinë shtetërore u shënua 10 - vjetori i Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe i fillimit të bombardimit nga NATO-ja të forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë e në Serbi. Në gazeta u botuan shumë artikuj, kujtime dhe sprova; në radio e në televizione u dhanë emisione të reja e të vjetra dhe biseda me njerëz të politikës, të shkencës e të arteve për ato ngjarje historike. Në të gjitha këto shkrime, kujtime, biseda dhe emisione më shumë se për fushatën e bombardimeve u fol për Konferencën e Rambujesë dhe vazhdimin e saj në Paris. E kuptueshme. Bombardimi i forcave ushtarake e policore serbe ishte fryt i Konferencës së Rambujesë. Në të gjitha këto shkrime, kujtime, biseda dhe emisione u thanë shumë të vërteta të ditura edhe më parë për Konferencën e Rambujesë dhe për bombardimet, por u thanë edhe të vërteta që nuk janë dëgjuar më parë. U tha, ndërkaq, edhe ndonjë e pavërtetë e dëgjuar a e pa dëgjuar më parë.


         Në shënimin e 10-vjetorit të Konferencës së Rambujesë dhe të fillimit të bombardimeve të forcave ushtarake dhe policore serbe nga NATO-ja mori pjesë edhe shkrimtari Ismail Kadare. Në gazetën Shqip, më 24 mars, u botua një bisedë e tij, kurse në vazhdim të kësaj bisede edhe një përzgjedhje nga ditari i tij, i botuar në vitin 1999, në të cilin më së shumti flitet për Kosovën. Kjo bisedë u botua më pas edhe në dy gazeta të Prishtinës: në Koha Ditore më 25 mars dhe në Epoka e re më 26 mars. Në këtë bisedë Ismail Kadare e quajti të nevojshme të më kujtojë edhe mua. Po, si? E përsëriti pohimin e Veton Surroit, të botuar për këtë 10- vjetor, sipas të cilit, në kohën e Konferencës së Rambujesë, shteti shqiptar "kishte lidhje vetëm me një anëtar të delegacionit" të Kosovës - me Rexhep Qosjen. Nuk më intereson se me ç'domethënie e përdor këtë pohim publicisti Veton Surroi as me ç'kuptim e përsërit cituesi i tij, Ismail Kadare. Megjithëse e di unë dhe e dinë të gjithë kosovarët që i përcjellin marrëdhëniet politike Shqipëri - Kosovë, se udhëheqja shtetërore shqiptare e asaj kohe është kujdesur fort të mbajë (dhe mbante) lidhje me të gjitha, bash me te gjitha, forcat politike shqiptare të Kosovës, me këtë rast e quaj të nevojshme të them: para Konferencës së Rambujesë, gjatë dhe pas saj ishte kënaqësi dhe nder i veçantë për mua të kisha lidhje intelektuale dhe politike me intelektualët e zyrtarët e lartë të Shqipërisë: Rexhep Meidani, Sabri Godo, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Pandeli Majko, Ilir Meta, Arta Dade, Ethem Ruka, që përbënin asokohe udhëheqjen e shtetit shqiptar. Por, gjatë Konferencës së Rambujesë unë bashkë me disa anëtarë të tjerë të dërgatës sonë, midis të cilëve edhe Veton Surroi, do të shihem e do të bisedoj vetëm me Paskal Milon e Sabri Godon dhe ambasodorin shqiptar në Francë, Luan Rama, në Rambuje dhe mandej në Ambasadën e Shqipërisë në Paris. Me kryetartin Shqipërisë, Rexhep Mejdanin, e gjithë dërgata do të shihet në Aeroportin e Rinasit, duke u kthyer nga Parisi, kurse me zyrtarët e tjerë të lartë të shtetit shqiptarë unë do të shihem në Tiranë gjatë fushatës së bombardimeve.

 
         Prej të gjitha shkrimeve dhe emisioneve për Konferencën e Rambujesë dhe fushatën e bombardimeve, biseda e Ismail Kadaresë dallon shumë jo për arsye se e quajti të arsyeshme ta citojë pohimin e pavërtetë të Veton Surroit për mua, por për një arsye tjetër shumë, shumë më të rëndësishme: në të u shqiptua një gënjeshtër e madhe për Konferencën e Rambujesë dhe vazhdimin e saj në Paris, e cila me përmbajtjen e saj, me domethënien e saj dhe me qëllimin e saj, e fyen dërgatën shqiptare në atë Konferencë dhe, në mënyrë të veçantë, grupin kryesor - Grupin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë dërgatë.

 
         Për dallim prej atyre shqiptarëve dhe të huajve që deri sot kanë shkruar a folur në radio e në televizione për paraqitjen e dërgatës shqiptare në Konferencën e Rambujesë dhe në vazhdimin e saj në Paris dhe që e kanë çmuar për punën e bërë, për sjelljen e dinjitetshme dhe për qartësinë e vendosmërinë me të cilën ka paraqitur kërkesat e veta mbi të ardhmen e Kosovës, Ismail Kadare mendon, fare seriozisht, se në atë Konferencë, në radhët e dërgatës shqiptare, ka ndodhur "pështjellim" i madh. Kështu, thotë ai, mendon sot, në dhjetëvjetorin e Konferencës dhe kështu, thotë ai, ka menduar edhe atëherë, kur e ka shkruar ditarin e tij. "Për atë pështjellim - thotë fare seriozisht - që kam përshkruar, atë mendjelehtësi shqiptare - thotë fare seriozisht - atë kapardisje dhe etje për lavdi - thotë edhe më seriozisht - nuk kam ndier asnjë pendim. Përkundrazi, më vonë, madje sot - thotë prapë seriozisht - ajo çka ndodhur (ndoshta ç'ka ndodhur - RQ) më duket edhe më fort e kritikueshme".

 
         E çka është ajo që shkrimtarit politik, Ismail Kadare, i duket sot edhe më fort e kritikueshme se dje? E çka është ajo që sipas shkrimtarit politik Ismail Kadare, qëndron në thelbin e këtij "pështjellimi" në Konferencën e Rambujesë, në thelbin e "mendjelehtësisë shqiptare", në thelbin e asaj "kapardisjeje dhe etje për lavdi" në radhët e dërgatës shqiptare?

 
         Dëgjoni si përgjigjet shkrimtari politik në këto pyetje politike që i paraqet si pohime për të të pamohueshme!


         "Për të mos e zgjatur, mendoj se faktori kryesor për turbullirën në mendjen e shqiptarëve ka qenë, me sa duket, ajo që do ta quaja: Fantazma e NATO-s"!

 
         Dhe, më tej: "Ishte droja e mjegullt ndaj saj (ndoshta prej saj -RQ), drojë e ushqyer nga 40 vjet propagandë të komunizmit shqiptar dhe atij serb"!


         Dhe, më tej: "As pjesa e delegacionit të Kosovës e ndikuar nga marksizëm - leninizmi, as qeveria e shtetit shqiptar, që kishte njëfarë lidhjeje me të, nuk shkëputeshin dot nga kjo frikë gati mistike, gati e pavetëdijshme ndaj asaj që do të ishte shpëtimtarja jonë"!

 
         Edhe, më tej: "Shqiptarët, përmes një lufte unikale (ndoshta unike - RQ), të vetmen luftë të Aleancës Atlantike, po lidheshin përfundimisht me botën perëndimore. Dhe, pikërisht kjo gjë, ky vizion i madh i trembte"!


         Dhe, më tej, si përfundim politik shkencor dhe politik pedagogjik: "Ky është ndoshta thelbi i pazbërthyer i Rambujesë. Në prag të hyrjes në NATO, është mirë, është ndoshta e detyrueshme ta kuptojmë këtë"!


         Ku s'na çojnë, çka s'na kujtojnë dhe me çka nuk na ngarkojnë pohimet e Ismail Kadaresë mbi gjithë "pështjellimin", si thotë njëherë, gjithë "turbullirën", si thotë herën tjetër, që ai, dhe vetëm ai, paska parë në radhët e dërgatës shqiptare në Rambuje! Pamëri, vërtet shumë e çuditshme e jo vetëm shumë e rrudhur! Na e trazoi shpirtin me fantazma prapë Ismail Kadare! Këto pohime së pari na e kthejnë në kujtesë gjuhën akuzuese të Stalinit. Ashtu siç i akuzonte Xhugashvilli viktimat e tij, natyrisht duke keqpërdorur gjuhën figurative të Marksit, se mendjen e tyre e ka pushtuar droja prej Fantazmës së komunizmit, ashtu, me aso gjuhe, që nuk e paska harruar as tetëmbëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit, e akuzon Ismail Kadare dërgatën tonë, në mënyrë të veçantë një pjesë të saj, se ishte e pushtuar prej drojës nga "Fantazma e NATO-s"!


         Ç'mund të thuhet për këtë akuzë aq të padrejtë dhe aq të gënjeshtërt, me të cilën Ismail Kadare e rëndon një pjesë të dërgatës së Kosovës në Rambuje dhe, pas saj, edhe qeverinë e Shqipërisë?


         A është e mjaftueshme që një gënjeshtre të tillë t'i përgjigjemi vetëm me neveri dhe përbuzje? Jo, padyshim.

 
         Isha anëtar i dërgatës së Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe në vazhdimin e saj në Paris. Kam marrë pjesë në të gjitha mbledhjet që ka mbajtur kjo dërgatë: në mbledhjet që janë mbajtur pa praninë e ndërmjetësueshme - të ambasadorit të SHBA-ve, Kristofer Hill, të ambasadorit të Bashkimit Evropian, Volfgang Petriç dhe të ambasadorit të Rusisë, Boris Majorski; në të gjitha mbledhjet që janë mbajtur me këta tre përfaqësues; dhe në të gjitha mbledhjet që janë mbajtur me ministrat e punëve të jashtme të pesë vendeve të Grupit të Kontaktit. I vetëdijshëm se kujtesa e tradhton njeriun dhe kujtimet për ngjarjet, sado të rëndësishme qofshin ato, me kohë zbehen, kam mbajtur ditarin e Konferencës, të cilin Shtëpia botuese Toena do ta botojë në fund të vitit 1999 me titullin Paqja e përgjakshme. Në të janë shënuar, po thuaj, të gjitha diskutimet e anëtarëve të dërgatës sonë, të tre ambasadorëve ndërmjetësues, të ministrave të punëve të jashtme të vendeve të Grupit të Kontaktit, të këshilltarëve tonë bashkëkombës e të huaj dhe të vetjeve politike e ushtarake, që kohë pas kohe, vinin në mbledhjet për të dhënë shpjegime në lidhje me çështjet dhe draftet që shqyrtoheshin në Konferencë.

         Për Konferencën e Rambujesë janë botuar edhe disa vepra të tjera më të rëndësishme se libri im: është botuar libri i anëtares së dërgatës sonë, Edita Tahiri, me titullin Konferenca e Rambujesë - procesi negociator dhe dokumentet, i botuar më 2001, në të cilin janë përfshirë po thuaj të gjitha dokumentet e paraqitura në Konferencë dhe dokumentet që kanë dalë prej Konferencës; libri i publicistit Blerim Shala, po ashtu, anëtar i dërgatës sonë, Vitet e Kosovës, i botuar më 2001, në të cilin pjesa e dytë në tërësi i kushtohet Konferencës së Rambujesë; dhe studimi juridik i anëtarit tjetër të dërgatës sonë, Ramë Buja, me titullin Konferenca e Rambujesë, i mbrojtur si tezë magjistrature në vitin 2003.


         Sikundër mund të shihet prej këtyre veprave, të cilat përbëhen prej dokumentesh që, me terminologjinë shkencore, quhen dokumente të dorës së parë, prej asnjë anëtari të dërgatës, në asnjë mbledhje dhe askund tjetër nuk ëshë shprehur farë droje prej NATO-s. Përkundrazi: prej të gjithë anëtarëve të dërgatës, në çdo mbledhje dhe kudo tjetër, NATO-ja është përmendur me shumë, shumë shpresë për Kosovën - për paqen dhe për ardhmërinë e Kosovës. Lexuesi i këtyre veprave me dokumente të dorës së parë do të bindet, po deshi t'i lexojë, se tri janë fjalët me ngarkesën, me peshën kuptimore dhe politike më të fuqishme në Konferencë: NATO, REFERENDUM dhe UÇK.


         Prej anëtarëve të dërgatës së Kosovës, që do të marrin pjesë në diskutimet e shumëpërsëritura për ndryshorët e drafteve të shqyrtuara, që në fillim të Konferencës do të dëgjohet: për ne është e pranueshme ajo marrëveshje me të cilën, së pari, bëhet e mundshme që paqja në Kosovë të sigurohet prej forcave të NATO-s; së dyti, me të cilën popullit të Kosovës i bëhet e mundshme që, pas fazës kalimtare, trevjeçare, të shprehë vullnetin për ardhmërinë e Kosovës dhe, e treta, në të cilën do të bëhet e mundshme ruajtja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qoftë edhe në një mënyrë të shndërruar. Po të donte të thoshte të vërtetën e jo ta shpallte një gënjeshtër jubilare në 10-vjetorin e Konferencën së Rambujesë, një gënjeshtër jubilare për servilizëm tani ndaj padronit të ri, Sali Berisha, Ismail Kadare do të tregonte sado pak nderim për Platformën e dërgatës së Kosovës, në të cilën, përpos të tjerash, shkruan se ajo: "nuk do të japë pajtimin e vet për Kornizën e Marrëveshjes, as për ndonjërin prej anekseve të saj, në qoftë se aneksi i çështjeve të sigurisë, domethënë vendosja e trupave të NATO-s në Kosovë, nuk përfshihet në Marrëveshje".


         Në kërkesat për sigurimin e paqes në Kosovës nga ana e forcave të NATO-s, për njohjen e REFERENDUMIT dhe për ruajtjen e UÇK-së, që posaçërisht shumë dhe gjatë do të kundërshtohet prej ndërmjetësuesve, në mënyrë të veçantë do të këmbëngulin pikërisht ata që Ismail Kadare quan marksistë - leninistë, të ushqyer nga propaganda komuniste dyzetvjeçare shqiptare dhe serbe, pra, jo vetëm shqiptare po edhe serbe (!): pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, kjo ishte plotësisht e kuptueshme, dhe plotësisht e natyrshme për mendjen dhe shpirtin e çdokujt që mendon e gjykon ndershëm, përpos për mendjen e Ismail Kadaresë. Ata, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në dërgatën e Kosovës në Rambuje, ata ishin çuar në luftë kundër pushtimit serb, kundër forcave ushtarake policore dhe paraushtarake serbe, ata e dinin mirë ç'është lufta, ata e kishin provuar ç'do të thotë të kalosh ditë e natë para plumbave, bombave, minahedhësve, tankeve, të armikut, ata e dinin ç'do të thotë të varrosish shokun me të cilin luftoje krah për krah, prandaj ëshë plotësisht e kuptueshme pse ata, para së gjithash ata, do ta dëshironin shumë, më shumë se të tjerët, paqen në Kosovë. Dhe, e dëshironin jo një paqe fjalësh, premtimesh, që do të varej prej shtabeve të Millosheviqit, po një paqe të sigurt, që do të sigurohej, që do të garantohej, prej një force në të cilin kishin besim dhe kjo forcë ishte NATO-ja dhe vetëm NATO-ja. Dhe, ishte NATO-ja dhe vetëm NATO-ja sepse në këtë forcë fjalën kryesore e kishte vendi që i besonin: SHBA-të.

 

         Dhe, kjo mund të thuhet edhe kur është fjala për Referendumin. Ata, pjesëtarët e UÇK-së, ata ishin çuar në luftë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ata, që kishin dalë në malet e Kosovës për të vdekur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, është e kuptueshme, është e natyrshme, nuk mund të pajtoheshin lehtë, pa kundërshtuar, me një Marrëveshje për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë, në të cilën pas fazës kalimtare, trevjeçare, nuk pranohej e drejta e popullit të Kosovës, për të shprehur vullnetin e tij për ardhmërinë e Kosovës.

 
         Dhe, kjo mund të thuhet edhe kur është fjala për fatin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata, pjesëtarët e UÇK-së, ata që ishin drejtues politikë e ushtarakë të kësaj Ushtrie, që ishin luftëtarë të saj, është e kuptueshme, është e natyrshme, nuk mund të pajtoheshin lehtë, pa i kundërshtuar, pa i kundërshtuar me fjalë e me zemër, zërat për shuarjen e saj, si të mos kishte qenë kurrë. Dhe, ata, pjesëtarët e UÇK-së, bashkë me disa anëtarë të tjerë të dërgatës së Kosovës do ta bëjnë këtë kundërshtim gjatë gjithë punimeve të Konferencës, prandaj edhe në fund të saj, në Rambuje.


         Por, sa pajtoheshin për sigurimin e paqes në Kosovë nga ana e forcave të NATO-s, po aq ndërmjetësuesit nuk pajtoheshin me kërkesat për REFERENDUM dhe për ruajtjen e UÇK-së.

 

         E kam thënë sa herë në emisione televizive dhe e kam shkruar sa herë se refuzimi i Hashim Thaçit, kryetar i Kryesisë së dërgatës së Kosovës, në fund të Konferencës në Kështjellën e Rambujesë, i dëgjuar shqetësueshëm në fillim, do të bëhet shkaku pse dërgatës sonë do t'i bëhen disa lëshime të rëndësishme, ndër të cilët më të rëndësishmit janë: e para, premtimi i Sekretares së Shtetit, zonjës Medlin Olbrajt, i paraqitur në letrën e saj në të cilën, pos të tjerash, thuhet se pas fazës kalimtare trevjeçare, do të kihet parasysh edhe vullneti i popullit për statusin e Kosovës dhe, e dyta, ruajtja e UÇK-së në mënyrë të shndërruar. Dhe, mund të besohet se prania e paraparë e forcave të NATO-s si garantuese të paqes në Kosovë, në njërën anë dhe, ruajtja e UÇK-së, në mënyrë të shndërruar, në anën tjetër, do të bëhen shkaku pse delegacioni serb nuk do ta nënshkruajë Marrëveshjen.


         Dhe tani, prej një largese 10-vjeçare e them me bindje të plotë se ky refuzim i Hashim Thaçit, me të cilin ishin pajtuar të gjithë anëtarët e Grupit të UÇK-së, me të cilin do të pajtohen anëtarët e LBD_së dhe me të cilin, në fund, do të pajtohet e gjithë dërgata jonë, iu çonte një mesazsh politikisht dhe moralisht të çmuar për ne ndërmjetësuesve dhe, më në fund, gjithë faktorëve ndërkombëtarë. Ne, kështu, tregonim një vendosmëri; ne kështu tregonim një fuqi morale; ne kështu tregonim se në Rambuje jemi përfaqësues të popullit të pjekur për të bërë sakrifica për lirinë dhe pavarësinë e vet. Dhe, kjo ishte shumë e rëndësishme për qëndrimin e ndërmjetësuesve dhe, në përgjithësi, të faktorëve ndërkombëtarë ndaj çështjes së Kosovës. E di se Sekretaren e Shtetit, Zonjën Medlin Olbrajt, e ka hidhëruar refuzimi për nënshkrimin e lehtë e të shpejtë të Marrëveshjes për Paqe e Vetëqeverisje, domethënë për autonomi të ashtuquajtur substanciale të Kosovës, por e di se edhe ajo, edhe administrate e SHBA-ve, këtë refuzim do ta çmojnë shumë. Dhe, kjo do të shihet prej sjelljeve të tyre të mëtejme ndaj dërgatës sonë dhe ndaj çështjes së Kosovës.


         Prej shtjellimit të sipërthënë, besoj, del qartë se nuk ekziston kurrfarë thelbi a skaji i pazbërthyer i Rambujesë. Jo. Kërkesat e dërgatës sonë për hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë si garantuese të paqes, për njohjen e REFERENDUMIT, si shprehje e lirë e vullnetit të popullit për ardhmërinë e Kosovës, dhe, për ruajtjen e UÇK-së, qoftë edhe në trajtën e shndërruar (të transformuar) - ky është thelbi i zbërthyer i Rambujesë.

 
         Në radhët e dërgatës sonë në Rambuje dhe, pastaj, në Paris nuk kishte kurrfarë "pështjellimi" a "turbullire", si thotë Ismail Kadare. Dhe, kësi "pështjellimi" a "turbullire", për çka i akuzon fyeshëm Ismail Kadare, nuk kishte as në radhët e shqiptarëve që prej të gjitha shteteve të Evropës në të cilat jetonin e punonin, prej SHBA-ve e prej Kanadasë kishin ardhur në Rambuje për të treguar përkushtimin e popullit shqiptar, kudo qoftë ai, ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe, ky përkushtim i tyre, po ashtu, iu çonte mesazh të rëndësishëm edhe ndërmjetësuesve, edhe gjithë faktorëve ndërkombëtarë, që merreshin me çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.

 
         Në Konferencën e Rambujesë dhe në vazhdimin e saj në Paris nuk kishte kurrfarë "mendjelehtësie shqiptare", si e fyen dërgatën tonë Ismail Kadare. Përkundrazi, dërgata shqiptare në Rambuje e në Paris do të tregohet intelektualisht dhe politikisht e pjekur, e vendosur, e dinjitetshme. Ajo donte të ishte çka edhe u tregua: subjekt historik e jo objekt për historinë.


         Në Konferencën e Rambujesë dhe në vazhdimin e saj në Paris nuk kishte kurrfarë "kapardisje dhe etje për lavdi", si thotë Ismail Kadare, po bashkëpunim, këshillime, marrëveshje midis anëtarëve të dergatës dhe punë, punë prej mëngjesit e, shpeshë, deri natën vonë. Dhe, përgjegjshmëri për çdo fjalë dhe për çdo sjellje.


         Dërgata shqiptare në Rambuje dhe në Paris ishte e vetëdijshme se ishte pasqyra e popullit të vet para syve të ndërkombëtarëve. E them me përgjegjësi mendore dhe morale se në këtë pasqyrë shqiptarët janë treguar më mirë se ndonjëherë tjetër dhe se kudo tjetër më parë.


         Në fund të kësaj që u tha shtrohet pyetja: pse Ismail Kadare tani,dhjetë vjet pas Konferencës së Rambujesë, e quan të lejueshme të shqiptojë aso mendimesh të gënjeshtërta dhe fyese për dërgatën shqiptare, në mënyrë të veçantë për pjesën më të rëndësishme, më të çmuar edhe prej ndërmjetësuesve, të kësaj dërgate - për Grupin e UÇK-së, të merituar më në fund edhe pse ishte organizuar kjo Konferencë? Pse e quan të lejueshme tani, dhjetë vjet pas Konferencës së Rambujesë, të shqiptojë mendime shpërfillëse edhe për rolin e qeverisë shqiptare në këtë Konferencë? Pse tani, dhjetë vjet pas Konferencës së Rambujesë, Ismail Kadare e trillon drojën e dërgatës sonë, posaçërisht të pjesëtarëve të UÇK-së, prej, si thotë, "Fantazmës së NATO-s"?

 
E ka seriozisht Ismail Kadare?


Për kë shkruan IsmailKadare?

 
Kujt i drejtohet, more, Ismail Kadare?


Mos po bën shaka me lexuesit shqiptarë dhe me popullin shqiptar ky Ismail Kadare?


         Mos mendon ai se ja, të gjithë lexuesit e tij dhe i gjithë populli shqiptar, është shushatur dhe i beson se çka shkruan e çka flet sot. Po, sot, në demokraci? Dhe, kanë harruar çka ka thënë, e çka ka shkruar e çka ka bërë dje, në komunizëm?

 
         Mos ky njeri mendon, vërtet, se do t'i besojë kush se Azem Syla, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Xhavit Haliti, të cilët kurrë nuk kishin qenë anëtarë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (prandaj as të Kosovës) vuajnë prej drojës nga "Fantazma e NATO-s", domethënë e urrejnë NATO-n, sepse me këtë drojë, domethënë me këtë urrejtje na qenkan" ushqyer nga 40 vjet propagandë të komunizmit shqiptar dhe atij serb"? Mos ky njeri, vërtet, mendon se do t'i besojë kush se ata, të cilët kurrë nuk kishin qenë anëtarë të Partisë së Punës së Shqipërisë a të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë nuk po mund të liroheshin prej drojës, domethënë prej urrejtjes ndaj "Fantazmës së NATO-s", por, ja prej kësaj droje, domethënë prej kësaj urrejtjeje, ishin liruar deputeti i dyfishtë i Kuvendit të Shqipërisë komuniste, nënkryetari i Frontit Popullor të Shqipërisë Komuniste, zëdhënësi intelektual më i përkushtuar i diktaturës komuniste, Ismail Kadare, dhe sekretari i organizatës bazë të Partisë së Punës në Universitetin e Tiranës, Sali Berisha?


         Mos ky njeri gënjeshtrën e madhe për drojën e djemve të UÇK-së, domethënë gënjeshtrën e madhe për urrejtjen e djemve të UÇK-s dhe të qeverisë së atëhershme shqiptare ndaj "Fantazmës së NATO-s" e shpiku për të treguar, pasi na tregoi në shkrimin për identitetin tonë, se ç'zelltar i përkushtuar është i luftës për lidhje "përfundimisht me botën perëndimore"? Është vonuar shumë, gati dyzet vjet, Ismail Kadare për këtë luftë.Ai, tani, po troket në dyer të çelura! Të çelura: të çelura prej atyre intelektualëve dhe veprimtarëve politikë që luftën për lidhje "përfundimisht me botën perëndimore" e bëjnë që prej dyzet vjetësh.

 
         Gjatë gati dyzet vjet, ka luftuar në politikë ai kundër, si shkruante, imperializmit amerikan e kjo do të thotë edhe kundër "Fantazmës së NATO-s! Gjatë, gati dyzet vjet ka luftuar në kulturë si ideolog ai kundër, si shkruante ai, dekadencës kulturore perëndimore! Si t'i besojmë sot?

 
Po, kështu, e prekim temën, që kërkon shkrim tjetër.


Prishtinë, 27.3.2009

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!