Intervistë me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme, Rrustem Mustafa


TRAJNIMET ‘SHPËTOJNË’ USHTARËT


     "Besoj se shumë prej tyre, me trajnime të veçanta për menaxhim, IT, ose ndonjë profesion tjetër, shumë lehtë mund të inkuadrohen në punë te kompanitë private të biznesit, apo edhe tek institucionet shtetërore", thotë z. Mustafa

        Në një intervistë ekskluzive për "Kosovën Sot", kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme, Rrustem Mustafa,  flet për punën e Komisionit gjatë vitit që lamë pas dhe për  rolin që ka pasur dhe ka në procesin mbikëqyrës të mekanizmave të sigurisë në vend, duke mos lënë anash as hartimin e raporteve  periodike për vetë situatën. Mustafa flet edhe për procesin e shpërbërjes së FSK-së dhe dilemat që kanë dalë së fundi rreth parregullsive në procesin e përzgjedhjes së strukturës bazë të FSK-së nga  seleksionimi i prestarëve të  TMK-së, por edhe për vonesat që po shfaqen në  krijimin e mekanizmave të sigurisë së vendit, të paraparë me Kushtetutën e shtetit të Kosovës.


"KOSOVA SOT": Sa ka  arritur për këtë vit të parë të mandatit të ri Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri që të jetë në përcjellje të afërt, apo plotësisht i informuar për zhvillimet e sigurisë në Republikën e Kosovës?


RRUSTEM MUSTAFA: Së pari, më lejoni që të gjithë lexuesve t'ua uroj një vit të mbarë dhe më të lumtur për familjet e tyre, pasi është intervista ime e parë në vitin 2009 për një medium të shkruar. Komisioni për Siguri ka një mandat përmes të cilit bën mbikëqyrjen parlamentare të sektorit të sigurisë, përkatësisht të institucioneve që janë nën autoritetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për t'u kuptuar më lehtë, duhet të them se Komisioni është një instancë parlamentare, e cila kujdeset që zbatimi i politikave qeveritare të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe programin qeveritar. Këtë mandat, ne e ushtrojmë kryesisht nëpërmjet metodës të interpelancave, ku ftojmë ministrin e Punëve të Brendshme që të na njoftojë në lidhje me situatat që konsiderohen të rëndësishme për Komisionin. Komisioni, praktikisht mban së paku 2 seanca në muaj dhe varësisht prej çështjeve mund të mblidhet edhe më shpesh. Deri më tani më duhet të them se kemi qenë mjaft të informuar për zhvillimet në sektorin e sigurisë. Ministri i Punëve të Brendshme disa herë ka qenë i ftuar për të njoftuar Komisionin në lidhje me procesin e tranzicionit të përgjegjësive nga UNMIK-u te MPB-ja dhe koordinimet me EULEX-in. Po ashtu, ne kemi mbajtur disa seanca, në të cilat po kjo Ministri ka raportuar te Komisioni për situatën e sigurisë, me theks të veçantë për pjesën veriore të saj.


"KOSOVA SOT": Raportet e deritashme dhe rekomandimet e Komisionit adresuar Kryesisë së Kuvendit nuk janë nxjerrë për debat në Parlament, a është ky një injorim i punës së Komisionit, sidomos kur ato kërkojnë qasje më serioze ndaj situatës në veri të Kosovës?


RRUSTEM MUSTAFA: Nuk duhet të mohojmë faktin se ka një diskutim të vazhdueshëm mes Parlamentit dhe Qeverisë. Parlamenti e bën këtë nëpërmjet Komisionit për Siguri, ndërsa Qeveria nëpërmjet MPB-së dhe në disa raste nëpërmjet MFSK-së. Se si zhvillohet ky diskutim dhe në çfarë forme, besoj se mund të kuptohet nga përgjigjja paraprake.

      Sidoqoftë, ka një interpretim që thotë se Kryesia e Kuvendit po e vonon diskutimin në seanca plenare. Unë e kuptoj këtë qëndrim dhe ndodh që, në disa raste, edhe unë personalisht të jem në favor të diskutimit dhe të hapjes së debatit, sepse konsideroj që nëpërmjet diskutimit mund të vijmë në zgjidhje më të mira dhe pse jo, edhe t'i dërgojmë përkrahje parlamentare Qeverisë për t'u përballur me situata të vështira. Në tërë këtë proces, nuk besoj se ka vend për injorim, por më shumë është fjala për vlerësim. Ka mendime që vlerësojnë se tani nuk është koha e duhur dhe e përshtatshme që të hapim këso temash për diskutim në seanca plenare, sepse diskutimet mund të keqkuptohen në publik dhe e gjithë kjo mund të krijojë ndonjë situatë të tendosur politike apo të sigurisë.


SHUARJA E TMK-SË


"KOSOVA SOT":
Procesi i shpërbërjes së TMK-së, si Komision keni pasur disa dëgjime me TMK-në për këtë proces, fillimisht ishte dhjetori i paraparë si afat për  shuarjen e TMK-së, ndodhi shtyrja, tash po dalin  në shesh edhe pakënaqësitë nga një numër ushtarësh të mbetur jashtë FSK-së, vlerësoni ju se këtu ka pasur ndonjë parregullsi që vërtet mund të jetë shqetësuese në ato procedura?


RRUSTEM MUSTAFA: Ne i kemi ftuar përfaqësuesit e TMK-së në Komision për t'u njoftuar nga dora e parë në lidhje me procesin e transformimit nga TMK-ja në FSK. Në fillim është thënë se ka vonesa në emërimin e Komandantit të FSK-së, por sot mund të vlerësojmë se ky proces ka përfunduar pa ndonjë vështirësi. Afatet janë fleksibile dhe ndodh që rrethanat e paplanifikuara mund të ndikojnë në afatet kohore. Kjo nuk është shumë tragjike. Unë kam një shqetësim tjetër: nëse procesi i regrutimit ka qenë i drejtë, i ndershëm dhe sipas rregullave në fuqi. Unë besoj shumë se ne kemi kryer detyrën që na takon, ajo nuk ka përfunduar ende, por i jemi përgjigjur sfidës ashtu si i kemi pasur mundësitë. Ka qenë e përcaktuar me Pakon e Ahtisarit që procesi i shpërbërjes dhe i rekrutimit të anëtarëve të FSK-së do të udhëhiqet nga trupat ndërkombëtare të KFOR-it, në bashkëpunim me TMK-në. Tashmë kemi një situatë të paqartë, nëse procesi i regrutimit është realizuar si duhet. Jam plotësisht i sigurt se vendimet e padrejta sjellin pakënaqësi. Por, besoj se do të ketë një vlerësim të situatës aktuale nga Qeveria e Kosovës. Jam në dijeni që është marrë një vendim që thotë se disa raste do të rishqyrtohen. Unë me gjithë potencialin tim do të angazhohem që kjo çështje të ketë zgjidhje të drejtë.


"KOSOVA SOT": Kur të kihet parasysh fakti që ankesat për lëshimet e bëra në procesin e përzgjedhjes u pranuan se janë bërë edhe nga vetë ministri i FSK-së, sa mund të binden tash ish-pjesëtarët e TMK-së se institucionet e Kosovës nuk do t'i zhgënjejnë ata që në asnjë mënyrë nuk mund të futen në FSK, por sa nuk do të kenë mundësi as për ta fituar të drejtën e pensionimit të parakohshëm?


RRUSTEM MUSTAFA: Së pari, besoj se na duhet një vlerësim nga Qeveria në lidhje me procesin e rekrutimit. Ky vlerësim zyrtar do të duhej të sqaronte se si ka shkuar ky proces, ku ka pasur ngecje dhe se ku qëndrojnë vështirësitë aktuale. Para disa dite kisha një komunikim me pjesëtarët të cilët nuk janë pranuar. Ata i shprehën shqetësimet e tyre legjitime, dhe unë i mora shumë seriozisht. Po ashtu, i kam kërkuar ministrit të FSK-së që ta shqyrtojë seriozisht këtë situatë. Unë besoj se ushtarët e TMK-së janë individë, të cilët i duhen këtij shteti, dhe ende janë në gjendje për të kontribuar në zhvillimin e shtetit të Kosovës. Besoj se do të gjendet një zgjidhje afatgjatë për të gjithë pjesëtarët e TMK-së. E drejta e pensionimit dhe të drejtat që burojnë nga ligji, janë të garantuara. Mund të ketë keqkuptime, por e drejta ekziston dhe atë nuk mund t'ua mohojë askush pjesëtarëve të TMK-së. 


FORMIMI I AGJENCISË SË INTELIGJENCËS


"KOSOVA SOT": Ka kohë që në nivel të krerëve të institucioneve kryesore të vendit, Qeveri dhe Presidencë, është aktualizuar nevoja e formimit të AKI-së, një institucion i rëndësishëm kushtetues edhe për sigurinë e vendit. Si e shihni ju këtë proces të zvarritjes dhe cilat janë disfavoret e një vonese të tillë?


RRUSTEM MUSTAFA: AKI është i domosdoshëm në Kosovë, sepse është një instrument i cili kujdeset që qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të shtetit të mos i paraqitet ndonjë kërcënim serioz. AKI i duhet Kosovës, sepse kështu e kërkon Kushtetuta dhe shteti modern. Sot, lufta kundër terrorizmit dhe organizatave kriminale bëhet nëpërmjet agjencive të tilla shumë të profesionalizuara. Është mirë që ne do të fillojmë me krijimin e AKI-së, por duhet të jemi realistë dhe të themi që do të marrë një kohë derisa të krijohet një agjenci e tillë plotësisht funksionale. Sa u përket emërimeve për AKI, ne si Komision kemi dhënë një mendim ku kemi kërkuar që drejtori i AKI-së të emërohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Por sa u përket disfavoreve, unë do të kisha thënë ndryshe, a ka aspekte pozitive në gjithë këtë proces, edhe pse kërkohet me ngulm që të emërohet drejtori. Besoj se janë dy çështje të rëndësishme që duhet të përmenden. E para, është se është zhvilluar një debat kryesisht me motive politike dhe partiake kur është folur për emërimin, dhe unë besoj se koha që kalon shtendos tensionet partiake dhe ofron kohë të mjaftueshme për një qasje më profesionale, me një fjalë gjetja e personit adekuat për atë pozicion. E dyta, ne jemi në krijim e sipër të politikës së jashtme, të infrastrukturës ligjore të domosdoshme për funksionimin e këtij sektori dhe po ashtu në proces të vazhdueshëm konsultimi me të gjithë aktorët që janë të rëndësishëm. Andaj, theksoj se kjo çështje është urgjente, por po ashtu shumë e ndjeshme. Ka nevojë për qetësi dhe maturi, për konsolidim dhe koordinim me aktorët e tjerë. Besoj se Kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu do të marrin vendimin e duhur dhe në përputhje me interesat e kësaj shoqërie. 


Intervistoi: Sylë AHMETI

 

Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!