GËZIMI I MËRGIMTARËVE PËR SHTETIN E TYRE

 

Shkruan: Shaip Beqiri

 

         Në vargun e gjatë të manifestimeve të shënimit të njëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, që u mbajtën këto ditë në gjithë diasporën shqiptare, kremtimi në qytetin Münsingen të rrethit të Bernit ishte ndër më të mëdhenjtë. Aty mori pjesë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, zotëri Naim Malaj, i cili para bashkatdhetarëve mbajti një fjalim që po e botojmë në tërësi me këtë rast. Me një fjalë të ngrohtë para mërgimtarëve tanë u paraqit edhe mysafiri nga Kosova, zotëri Murat Jashari.

 

         Një sallë e madhe e restaurantit Schlossgut ishte tepër e vogël për masën e madhe të njerëzve që ndoqën këtë manifestim të përvjetorit të parë të shtetit të tyre, për të cilin çdonjëri kishte një ndjenjë të veçantë gëzimi e krenarie. U dha një program i pasur me këngë e valle nga grupe të ndryshme artistike nga regjione të ndryshme të Zvicrës. Pas paraqitjes së këngëtarit nga Kosova, Hysni Klinakut, në skenë defiluan njëra pas tjetrës grupe këngëtarësh, solistë, grupe valltarësh e aktorësh: treshja e rapsodëve Bashkim Feka, Islam Beka e Gani Aliçka, pastaj Yllka Zuzaku, shkolla e vallëzimit „Shota“, grupi teatror „Aktrimi“ nga Zürichu, si dhe grupet „Ilirët“ nga Lozana dhe „Dardanët“ nga Winterthuri.

 

Fjala e Ambasadorit Naim Malaj para bashkatdhetarëve në Münsingen

 

Të nderuar bashkatdhetarë,

 

Zonja dhe Zotërinj,

 

I nderuar Murat Jashari!

 

         Kam kënaqësinë që në cilësinë e të Ngarkuarit me Punë te Republikës së Kosovës pranë ambasadës sonë në Zvicër t‘ ju uroj të gjithëve ditëlindjen e parë të Republikës së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, më 17 shkurt 2008 ishte takimi ynë me historinë, ishte dhe është datë që do të mbetet e skalitur në kujtesën tonë dhe atë të fëmijëve tanë.

 

         Rrugëtimi drejt pavarësisë së Republikës së Kosovës ishte i gjatë dhe i mundimshëm, ishte rrugë plot sakrifica e flijime për liri. Në themelet e kësaj pavarësie qëndrojnë përpjekjet shumëshekullore të popullit tonë për liri e pavarësi, qëndron epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndron qëndresa dhe heroizmi i Familjes Jashari, e cila u bë gurthemel për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.

 

         Në këtë rrugëtim sigurisht edhe diaspora kosovare ka luajtur rolin e saj historik. Ajo ka ndihmuar dhe mbajtur gjallë rezistencën dhe frymën për liri të popullit të Kosovës. Shumë nga bashkatdhetarët tanë i janë përgjigjur thirrjes së Shtabit Qendror te UÇK për t`u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare.

 

         Një pjesë e tyre ka rënë në altarin e lirisë për të mos u harruar kurrë. Ndaj, në këto momente krenarie e mburrjeje, nuk ka si të mos na shkojë mendja tek kujtimi i tyre dhe t’u falim nderimin tonë për veprën dhe heroizmin e tyre.

 

         Shteti i njomë i Republikës së Kosovës ka bërë udhën e vet, ai ka ndërtuar dhe konsoliduar institucionet e tij politike.

 

         Unë do të doja të bëja me ju një bilanc mbi të arriturat më të reja në Kosovë. Që nga shpallja e Pavarësisë, pesëdhjetë e pesë vende nga e mbarë bota iu përgjigjën pozitivisht kërkesës sonë për njohje. Vendi ynë vazhdon të ketë nevojë për njohje të tjera, në mënyrë që të mund të luajë rolin e plotë në bashkësinë botërore të kombeve.

 

         Në vazhdën e kërkesës sonë për njohje të tjera, me angazhimin tonë ne vazhdojmë të konsolidojmë pavarësinë e vendit tonë brenda dhe jashtë. Në aspektin e brendshëm, ne kemi miratuar Kushtetutën e cila përfaqëson përkushtimin tonë në respektimin e të drejtave njerëzore dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, duke ofruar mbrojtje shumë të përparuar për pakicat.

 

         Në aspektin kulturor, gjeografikisht dhe historikisht, ne besojmë se e ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane të demokracive. Prandaj, jemi të përkushtuar të ndjekim objektivat e anëtarësimit të plotë në Bashkësinë Evropiane dhe të zbatojmë reformat e kërkuara. Në mënyrë të ngjashme, ne jemi plotësisht të përkushtuar t’i bashkohemi NATO-s dhe deri në fund do të bëjmë të gjithë hapat e nevojshëm.

 

         Në nivelin ndërkombëtar, Kosova është shumë e përkushtuar për t’u bërë anëtare kontribuese e bashkësisë ndërkombëtare. Për të ndërkombëtarizuar kontributin tonë dhe përforcuar marrëdhëniet tona miqësore dhe bashkëpunimin me shtetet e tjera, kemi vendosur dhjetë ambasadat e para te Republikës së Kosovës gjatë vitit 2008. Ndërsa, në gjysmën e parë të 2009-tës, do të vendosen edhe dymbëdhjetë ambasada të tjera në botë.

 

         Në një Kosovë të pavarur ka hapësirë dhe mundësi për të gjithë. E ardhmja jonë është në vijë të drejtë në rrugën për integrime evropiane dhe ne jemi të përkushtuar të ndjekim fuqishëm këtë rrugë. Në saje të përkushtimit tonë drejt parimeve dhe vlerave te bashkësisë ndërkombëtare, Republika e Kosovës do të punojë me të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara për të promovuar qëllimin e secilit prej nesh për paqe dhe siguri botërore.

 

         Në fund do të thosha edhe dy fjalë për ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë.

 

         Ne po veprojmë dhe punojmë në krijimin e kontakteve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës si dhe me diplomatë të huaj të akredituar në Bernë. Janë bërë me dhjetëra takime me përfaqësues të autoriteteve të Zvicrës sikurse edhe me ambasadorë të vendeve të huaja në Zvicër.

 

         Me rastin e njëvjetorit te pavarësisë së Kosovës kemi organizuar pritje për trupin diplomatik dhe autoritetet zvicerane. Në këtë pritje na kanë nderuar ambasadorë nga më shumë se 50 vende, përfshirë këtu edhe shtete që ende nuk na kanë njohur.

         Ambasada jonë ka gjetur dhe do të vendoset së shpejti në lokalet e veta zyrtare ne Bernë. Ne shpresojmë që po ashtu së shpejti, do të kompletohet stafi ynë i cili për momentin përbëhet vetëm nga i Ngarkuari me Punë dhe Sekretarja e Parë. Në këto kushte, ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj, pasi vetëm dy persona nuk mund të ju përgjigjen kërkesave tuaja dhe të njëjtën kohë të sigurojnë kontaktet dhe marrëdhëniet diplomatike.

 

         Ne jemi të vetëdijshëm për kërkesat dhe nevojat e shumta të bashkatdhetarëve tanë për dokumente udhëtimi.

 

         Kërkesat tuaja për dokumente të tilla do të plotësohen vetëm kur të bëhet hapja e shërbimeve konsullore në Zvicër. Për momentin, asnjë ambasadë jona në botë nuk ka mundësi teknike dhe njerëzore që të japë pasaporta ose dokumente të regjistrit civil.

 

         Ju e dini se kryetari ynë Fatmir Sejdiu ka dekretuar hapjen e dy konsullatave në Gjenevë dhe në Zurich si dhe të një shërbimi konsullor në Bernë.

 

         Ministria e Punëve të Jashtme po punon me përkushtim që kjo çështje të realizohet sa më shpejt. Unë besoj në mirëkuptimin tuaj, do të ju duhet edhe pak kohë dhe durim.

 

         Te nderuar bashkatdhetarë,

 

         Kremtimi i ditëlindjes së pavarësisë së Kosovës është rast i mirë për tu bashkuar më shumë me njëri-tjetrin, për të përcjellë vlerat dhe kulturën tonë të mirëfilltë edhe këtu në Zvicër. Mos harroni, ju jeni ambasadorët më të mirë të Kosovës. Jeni ju ata që në rrugë, në punë e gjetiu përfaqësoni Kosovën. Le të jemi një shembull dhe një model i mirë për të gjithë.

Urime ditëlindjen e parë të shtetit të Kosovës!

 

 

MURAT JASHARI: JU BËTË SHUMË PËR KOSOVËN

 

Të dashur vëllezër dhe motra,

Të dashur fëmijë,

Zonja e zotërinj!

 

         Kam pranuar me kënaqësinë më të madhe ftesën e të ngarkuarit me punë të Republikës së Kosovës në Zvicër, zotëri Naim Malajt, që të jem i pranishëm në këto manifestime që po mbahen në këtë shtet që aq shumë bëri për vendin tonë. Me këtë rast vëllazërisht do ta falënderoj edhe Ambasadorin tonë në Zvicër. E falënderoj edhe për faktin se kaq gjatë qemë të robëruar dhe asnjëherë nuk patëm ambasadorë tanët, të cilët prezantojnë vlerat, kulturën dhe dinjitetin tonë në vende të ndryshme. Një arsye tjetër që kam ardhur këtu është sepse mërgata jonë me shekuj ka bërë aq shumë punë që shumëkush nga udhëheqësit nuk mund t`i bënte. Në qoftë se kujtojmë historinë para shpalljes së shtetit shqiptar më 1912, ishin pikërisht mërgimtarët tanë të atëhershëm që ndihmuan patriotët tanë të shpallnin Shqipërinë shtet të mëvetësishëm. Jeni pikërisht ju, bashkatdhetarët tanë, që luajtët një rol të rëndësishëm për ta bërë të njohur dhe për t`u dhënë zë para botës të drejtave dhe sfidave të popullit tonë.

         Ishin vite të mundimshme ato që kaluan shqiptarët atje, sidomos nga fundi i viteve `80 e këndej. Ishit ju që me djersën tuaj bëtë që arsimi të mos binte; ishit që ju që u dhatë mundësi të gjithë atyre liderëve tanë që morën përsipër ta shpinin çështjen e Kosovës më tej. Në fund të fundit, ishit ju ata që ndatë nga kafshata e gojës për të ndihmuar luftëtarët në frontet e luftës në Kosovë.

 

         Një arsye tjetër që kam ardhur këtu është ndjenja për t`i shprehur një falënderim popullit zviceran dhe qeverisë së Zvicrës për guximin diplomatik dhe politik që pati të përkrahte politikën dhe angazhimet e vendit tonë për të qenë shtet sovran dhe i pavarur.

 

         Mbi të gjitha, është kënaqësi të jem në njëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës bashkë me ju. Natyrisht që çdokush nga ju pret më shumë nga shteti i sapoformuar, por gjithçka e re ballafaqohet me sfida, vështirësi e pengesa nga më të ndryshmet. Kemi pritur shumë, prandaj besoj se do të kemi durim të presim edhe pak. Kosova nuk ka kthim mbrapa. Rruga jonë do të jetë e suksesshme. Fëmijët tanë të paktën nuk do ta kenë fatin tonë.

 

         Urime të gjithëve vitin e parë të Pavarësisë së Kosovës! Uroj të kaloni sa më mirë në familjet tuaja, sepse një urtar thotë: Familja është një minishtet! Prandaj, sa të kemi familje të mira, do të kemi edhe një shtet të tillë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gratis Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!