SPECIALE
 
RTK
 

NJË FJALIM I FUQISHËM I SKENDER HYSENIT NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB/së NË NJU JORK

 

 23 MARS 2009 NJU JORK

 

 Një pjesë e fjalimit të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hysnit, i cili reagoi pas akuzave të presidentit serb, Boris Tadiq:



”Unë nuk jam gjykatës dhe nuk dua ta gjykojë askënd. Duke dëgjuar zotin Tadiq dikush mund të krijojë përshtypjen se Serbia është viktima e të gjitha luftërave të tmerrshme në krejt territorin e ish-Jugosllavisë. Nëse dëgjojmë presidentin Tadiq krijojmë përshtypjet se 10 mijë kroatë nuk janë vrarë, 200 000 boshnjakë nuk janë vrarë dhe edhe rreth 15 mije shqiptare te Kosovës nuk janë vrare gati një milion të shqiptarë nga Kosova nuk janë depërtuar, në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Ai nuk tregoi se sa xhami janë shkatërruar në Kosovë, sa kisha katolike shqiptare janë shkatërruar, pra nuk përmendi sa dëme janë shkaktuar. Dua të përkujtoj disa çështje shumë të rëndësishme për ngjarje që kanë quar deri te intervenimi i NATO-së, siç janë masakra e Reqakut dhe represioni ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ne jemi të interesuar ta lëmë të kaluarën pas dhe të punojmë për të ardhmen, por nuk do ta harrojmë kurrë të kaluarën. Unë dhe familja ime sikur secila familje kosovare ka përjetuar terrorin e forcave policore serbe. Krimi është bërë nga shteti serb”.



SKENDER HYSENI KËRKON SHUARJEN E UNMIK`ut

 

 

(Fjala e ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.)


Faleminderit shumë z. President,


Shkëlqesi,

         Si gjithnjë, kam nderin të flas para Jush për të arriturat e vendit tim. Republika e Kosovës ka vazhduar progresin e qëndrueshëm në të gjitha fushat, që nga paraqitja ime e fundit para Këshillit të Sigurimit në nëntor 2008.

 
Z. President,


         Muajin e kaluar, më saktësisht më 17 shkurt, populli i Kosovës ka festuar në mënyrë paqësore dhe shumë dinjitoze përvjetorin e parë të pavarësisë së vendit tonë. Përkundër provokimeve të rënda dhe sfidave që i janë bërë gjendjes së sigurisë, të nxitura nga një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Parlamentit të Republikës së Serbisë, të cilët u bashkuan për njëfarë seance në Zveçan, situata e sigurisë ka qenë e qetë dhe paqësore gjatë festës sonë nacionale. Dita e pavarësisë ishte po ashtu një rast i mirë për të hedhur një shikim prapa dhe për të konstatuar të arriturat, përparimin, ngjarjet kryesore dhe zhvillimet në Kosovë gjatë vitit të parë të pavarësisë. Njohja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar. Që nga debati i fundit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, edhe katër vende të tjera e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Dëshiroj t’u shpreh falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë popujve dhe qeverive të Panamasë, Mikronezisë, Maldiveve dhe Palaut për përkrahjen e të drejtës së popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur.


         Sa i përket gjendjes, në Kosovë ka pasur mjaft zhvillime pozitive që nga debati i fundit në Këshillin e Sigurimit. Ka vazhduar rinkonfigurimi i UNMIK-ut dhe misioni evropian i rendit dhe ligjit EULEX është vendosur në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, më 9 dhjetor. E kemi mirëpritur shumë vendosjen e EULEX-it dhe derisa EULEX-i po fiton fuqi të plotë operacionale, për arsye shumë praktike dhe pragmatike, kërkojmë përfundimin e misionit dhe të mandatit të UNMIK-ut. Vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, në pajtim me mandatin i cili buron nga:

a. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës,

 
b. Pakoja e Ahtisarit,


c. Kushtetuta e Republikës së Kosovës,

 
d. Ligjet e Republikës së Kosovës,


e. Plani i Përbashkët i Veprimit i BE-së i 4 shkurtit 2008 dhe


f. Ftesat e 17 shkurtit e të 8 gushtit është ngjarje kyçe e periudhës në mes të dy sesioneve të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

 
         Ndërkaq, Parlamenti i Kosovës, në seancat e 15 dhe 16 dhjetorit, ka miratuar një numër të ligjeve të rëndësishme, duke përfshirë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, përkatësit Ligjin për Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor të Republikës së Kosovës. Përpos dhjetë ambasadave të para, tashmë funksionale, themelimi i dymbëdhjetë misioneve të tjera diplomatike dhe nëntë misioneve konsullore të Republikës së Kosovës është në proces. Ndërtimi i institucioneve shtetërore, që bazohen në standardet evropiane, ka vazhduar me inaugurimin në janar të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me ndihmën e NATO-s po zhvillojmë një forcë të sigurisë nën kontroll civil. Forca e Sigurisë e Kosovës është në të mirë të fqinjëve njësoj si edhe të vendit tonë. Do të jetë nën kontroll demokratik, multietnike, jopolitike, e trajnuar nga NATO, forcë e fokusuar kryesisht në reagime emergjente dhe përgjithësisht në aktivitete që promovojnë zhvillim dhe stabilitet rajonal. Në shkurt janë promovuar edhe dy institucione të tjera të rëndësishme të republikës: Këshilli i Sigurisë i Kosovës, që kryesohet nga kryeministri, dhe është bërë emërimi i drejtorit të Shërbimit Kosovar të Inteligjencës. Qeveria e Republikës së Kosovës po punon pa ndërprerë për të adresuar çështje të shumta të rëndësisë së madhe për vendin tonë, veçanërisht në fushën e ekonomisë, drejtësisë, sigurisë, si dhe në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe aktiviteteve të ndryshme kriminale ndërkufitare. Qeveria po ashtu me kujdes të madh po menaxhon asistencën financiare që shumë kombe të botës po ia japin Kosovës. Janë bërë përmirësime substanciale në infrastrukturën shkollore dhe rrugore, po ashtu përparime të mëdha janë bërë edhe në fusha të tjera. Qeveria jonë ka vazhduar të kërkojë mënyra dhe rrugë për të përmirësuar kushtet në rajonet me komunitete pakicë, sidomos në ato serbe. Më duhet të them megjithatë se Republika e Serbisë nuk ka qenë e dobishme fare në këtë drejtim, sepse ka vazhduar nxitjen dhe përkrahjen e strukturave ilegale dhe kriminale në Veri. Serbia në mënyrë aktive po punon që të ndalojë qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me institucionet të cilat duan t’i mbrojnë të drejtat e tyre, t’u ndihmojnë për t’i zgjidhur problemet dhe për të përmirësuar jetën e tyre. Qeveria serbe përkrah strukturat paralele ilegale, të cilat po i eksploatojnë qytetarët serbë të Kosovës, po u krijojnë konfuzion dhe asnjëherë nuk po u ofrojnë ndihmë ose zgjidhje për problemet e tyre. Situata në Veri mbetet çështje e brengosjes më të madhe. Paligjshmëria me përkrahjen evidente të lidershipit të Beogradit e ka shndërruar këtë pjesë të Kosovës në parajsë për të gjitha llojet e veprimeve të paligjshme ekonomike dhe kriminale. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të bashkëpunojnë ngushtë dhe me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe EULEX-in, për të rivendosur rendin dhe ligjin në Veri dhe për të përmirësuar situatën dhe kushtet e jetesës në vendbanimet me shumicë serbe.

Shkëlqesi,

         Republika e Kosovës bashkëpunimin me fqinjët e ka vënë si prioritet të lartë. Beogradi po përpiqet të pengojë bashkëpunimin tonë me fqinjët dhe me komunitetin ndërkombëtar, duke bllokuar pjesëmarrjen tonë në trupa rajonalë dhe ndërkombëtar. Beogradi po bllokon eksportet tona në Serbi. Qeveria jonë është përmbajtur nga masat reciproke, që do të dëmtonin njerëzit dhe bizneset në të dyja anët. Shpresojmë se Republika e Serbisë do ta kuptojë dhe pranojë domosdonë e bashkimit në përpjekjet e kombeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të krijuar një ambient bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në rajon, përfshirë këtu edhe normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës. Qeveria jonë është e gatshme të bisedojë me Serbinë për një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dialogu do të ndihmonte në shtendosjen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona. Në Kosovën e re nuk do të ketë vend për urrejtje dhe dhunë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të ndërtuar një demokraci multietnike, në paqe me fqinjët dhe që do t’i kontribuonte bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal e global. Jemi të përkushtuar të ndjekim objektivin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, duke zbatuar reformat e kërkuara. Konkluzioni i Komisionit Evropian i 5 nëntorit 2008 se edhe Kosova, krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ka perspektivë të qartë evropiane dhe se një studim fizibiliteti do të përgatitet për të çuar përpara perspektivën evropiane të Kosovës, është inkurajim për ne që të intensifikojmë përpjekjet për përmbushjen e kërkesave të nevojshme. E ardhmja e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor janë integrimet evropiane dhe Kosova e ka ndërmend ta ndjekë këtë qëllim me vendosmëri.


         Me qëllim arritjen e objektiva të theksuara, institucionet e Republikës së Kosovës do ta vazhdojnë bashkëpunim me SHB-të, BE-në dhe NATO-n. Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar është i pazëvendësueshëm në kohën kur po zbatojmë Planin Ahtisari dhe po punojmë për ndërtimin e një Kosove multietnike, e cila mbështetet në vlerat demokratike dhe standardet më të larta ndërkombëtare.

 
Z. President,

 
         Në përmbyllje, më lejoni të theksoj edhe një herë përkushtimin e fuqishëm të Kosovës për t’u bërë një anëtare kontribuuese e bashkësisë ndërkombëtare. Republika e Kosovës do të punojë me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit për promovimin e qëllimeve të përbashkëta, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Edhe një herë, dëshiroj t’ju falënderoj për mundësinë e dhënë për të paraqitur pikëpamjet e Republikës së Kosovës.


Faleminderit!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!