NJË VIT  SHTET

 

 

 Shkruan: Xhavit Haliti  - Prishtinë 13.02.09

 

      Më 17-shkurt Kosova feston 1-vjetorin e krijimit të shtetit. Është një ngjarje unike, që pritet të festohet siç duhet dhe siç e meriton datëlindja e shtetit më të ri në Evropë, madje edhe në Botë. 17-shkurtin do ta festojmë jo për bujë, por për të përshfaqur sakrificat tona, edhe me vlerë gjaku, jete e privacionesh nëpër burgjet serbe të tre brezave shqiptarësh në trojet e tyre etnik në Kosovë. Me synimin për të t’ia arritur kësaj dite-date luftuan dhe dhanë jetën plejada shqiptarësh të përkushtuar; Azem Galica, Isuf Gërvalla, Adem Jashari me shokë. Flijimi është akt i paharrueshëm për të gjithë ne dhe i pashmangshëm për t’u fiksuar në histori, i pashmangshëm edhe për të u përkujtuar brez pas brezi.

 

       Historia e shteti tonë një vjeçar nis me vitin 1913-të, kur u ndamë arbitrarisht nga trungu ynë:  Shqipëria. Angazhimi i ri për liri, mori jetë për mëvetësi më 1924-ën, më 1968-ën, 1981-in. Në vitin 1989-a na u dha një grusht për të penguar këto përpjekje, përmes shtetrrethimit dhe gjendjes së jashtzakonshme të aplikuar nga regjimi i Milosheviçit. Me 1989 Serbia i dha fund ekzistencës ligjore dhe vepruese “Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës” si subjekt, i ashtuquajtur, konstituiv i federatës jugosllave. Përpjekjet, sakrificat dhe përballja me sfidat e gjeneratës time, që kishim përjetuar burgjet e rezervuara posaçërisht për ne të rinjtë shqiptarë, grumbulloi në ne forcën që të fillonim veprimet çlirimtare për shkëputjen nga ish-Jugosllavia dhe në radhë të parë nga Serbia okupatore. Historinë le t’ia lëmë historisë! Le të flasim për 17-shkurtin, datëlindjen e shtetit  tonë të pavarur e konkretisht:

 

 -   Po mbushet vetëm një vit që Republika e Kosovës është shpallur, është njohur dhe është pjesëmarrëse si shtet i konfirmuar nëpër veprimtaritë e institucioneve të bashkësisë shtetërore ndërkombëtare.

 

-  Na kanë njohur si shtet më tepër se një e treta e anëtarëve të OKB-së dhe pritet që, së shpejti, të na njohin edhe shumë të tjerë.

 

 -  Gjatë këtij viti na kanë ftuar si palë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, në BE dhe në KE. Kemi qenë dhe, do të jemi ca më tepër, në vëmendje të institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare, që janë shfaqur dhe mbeten konsekuente në njohjen e Shtetit të Kosovës.

 

 -  Për një vit, që në ekzistencën e një shteti janë shumë pak, krijuam institucionet, lidhjet shtetërore e diplomatike me vendet më në zë të botës demokratike, bëmë dhe miratuam Kushtetutën, duke i vënë themelin ligjor shtetit tonë. Krijuam simbolet dhe siglat e domosdoshme për një shtet.

 

 - Për një vit jetë shtetërore, përfaqësuesit tanë janë ndjerë të barabartë dhe të pranueshëm në OKB-ë, në BE dhe, së fundmi, në “Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë”, që u mbajt në Munih.

 

      Koha rrjedh pandërprerë, por ata që e përjetojnë këtë rrjedhje janë njerëzit dhe organizmat e krijuara prej tyre, ku bën pjesë edhe shteti.

      Nga shteti 1-vjeçar i Kosovës kërkojmë të realizojë një politikë të brendshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, shëndetësore, ushtarake, agrare e të sigurisë. Kërkojmë të jetë dinjitoz dhe konkurrues në raportet ndërkombëtare. T’u kundërvihet hapur qëndrimeve zyrtare anti-Kosovë të Beogradit dhe shfaqjeve të nacionalizmit serb brenda dhe përreth kufijve shtetërorë të Kosovës. Të shfaqë botërisht pakënaqësinë e vet ndaj anëtarëve të BE-së, ndaj të cilëve u shfaq kundër para pak ditësh edhe rezoluta e PE-së.

 

      Të kërkosh më tepër është e natyrshme dhe pozitive. Kush nga ne, me njëfarë kontributi në arritjen, shpalljen dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës nuk e ka shpresuar e pritur këtë?! Kërkesa është nxitje për më shumë dhe për më mire! Por, le të mbajmë parasysh një gjë:Një vit në jetën e një shteti, që në dallim nga jeta e një njeriu, që zgjat në maksimumet e veta deri në 100-vjet, jeta e një shteti, historikisht, matet me shekuj dhe, jo rrallë, edhe mijëvjeçarë.

 

      Mbushëm një vit  shtet. Kemi arritur të realizojmë jo gjithë aspiratat e objektivat e paracaktuara. Por kemi arritur një objektiv thelbësor, prej një viti e kemi shndërruar Kosovën në shtet të pavarur, e kemi bërë vendin tone jo vetëm objekt, por edhe subjekt të bashkësisë shtetërore ndërkombëtare. Por mbi të gjitha kemi realizuar dëshirën e natyrshme të gjithsecilit për t’u ndjerë të lirë e të begat në Shtetin Demokratik të Kosovës!

 

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!