Intervistë e Zenun Pajazitit, ministër i Punëve të Brendshme


REFORMOHET POLICIA


A është i kënaqur ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, me luftimin e krimit të organizuar? Pse Kosova është vend i cili duhet të përballet me krimin? Kujt ia hedh fajin ministri për sistemin e brishtë të drejtësisë? Si do t'u qaset Ministria problemeve me krimin dhe kontrabandën në veriun e Kosovës? Çfarë ekspertësh po sjell Bashkimi Evropian në Kosovë për të ndihmuar Policinë dhe Doganat e Kosovës. Për këto dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Policinë e Kosovës, flet në një intervistë për "Kosova Sot", Zenun Pajaziti, ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës

 

 

„KOSOVA SOT“: Çfarë defektesh keni gjetur në MPB, cilat keni arritur t'i evitoni dhe çfarë të metash ka ende në këtë dikaster?


ZENUN PAJAZITI: E para dëshiroj t'ju them që kjo ministri është një ministri relativisht e re, një mekanizëm rishtazi i krijuar dhe normal që ka pasur shumë defekte në aspektin e konceptimit të kësaj ministrie, organizimit të brendshëm etj. Kjo ministri po ashtu mbulon edhe disa fusha që deri vonë nuk kanë qenë pjesë e kësaj ministrie, p.sh. Policia e Kosovës. Me themelimin e kësaj ministrie më pastaj kanë hyrë, siç thamë, Policia e Kosovës, Qendra për Edukim dhe Siguri Publike në Vushtrri si dhe Inspektorati i Policisë. Nuk dëshiroj të merrem shumë me të metat, por më lejoni t'ju them që ajo që mbetet ende sfiduese për këtë ministri është reforma në fushën civile, atë të dokumenteve, avancimi i dokumenteve, si dhe reformat në polici. Ne në të gjitha këto fusha, por vazhdojmë riparimin aty ku ka pasur defekte dhe të konceptojmë ide të reja.


„KOSOVA SOT“: A jeni krejtësisht i fuqishëm të vendosni si person në krye të kësaj ministrie për çështjet që kanë të bëjnë me këtë sektor?


ZENUN PAJAZITI: Po, ju keni pasur rastin që brenda një viti ta shihni punën tonë. Kemi pasur raste të marrjes së vendimeve të mëdha, të rëndësishme dhe të gjitha këto i kemi bërë në një kohë kur një pjesë e kompetencave kanë qenë të rezervuara. Tanimë janë të qarta pozicionet tona sa i përket ekzekutimit të vendimeve tona, sa u përket kompetencave që i kemi. Ju e dini që tani së shpejti kemi filluar të aplikojmë edhe ligjet e reja. Në ministrinë time ka ligje të rëndësishme, të cilat kërkojnë implementimin e shpejtë dhe të saktë, siç janë Ligji për Policinë, Ligji për Inspektoratin, Ligji për dokumentet civile. Unë tash marr vendime në përputhje të kompetencave të mia si ministër në kuadër të Qeverisë së Kosovës.


KRYEMINISTRI MË MBËSHTET


„KOSOVA SOT“: Çfarë raportesh keni krijuar me Policinë e Kosovës, duke pasur parasysh se si pjesë e ekzekutivit, ministria juaj ka një rëndësi të veçantë?


ZENUN PAJAZITI: Mënyra e punës të cilën e aplikoj më jep mundësinë të krijoj raporte të mira. Megjithatë, këto raporte bazohen në ligje. Thënë më thjesht, ligji është ai që krijon raportet mes nesh. Unë kam pasur parasysh rrugën nëpër të cilën ka kaluar policia. Siç e dini, menaxhmenti kryesor i policisë ka qenë i udhëhequr nga UNMIK-u. Po ashtu, edhe politika e brendshme ka qenë politikë e krijuar kryesisht nga ndërkombëtarët. Më vonë, ekspertë vendorë janë aftësuar dhe kanë qenë pjesëmarrës në këto procese. Duke qenë kjo arsye se policia ka qenë jo në kuadër të një dikasteri të Qeverisë, por e monitoruar nga UNMIK-u, ka qenë e vështirë që të bëhej ky transformim. Megjithatë, ligji i ri i precizon relacionet e policisë me ministrin dhe me mekanizmat e tjerë të brendshëm. Unë kam kompetencë të plotë në emërimet, në hartimet e politikave, në hartimin e buxhetit, në monitorimin e krejt procesit të brendshëm, të administrimit, ndërsa policia me ligj i ruan kompetencat që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme, si hetime të ndryshme, veprime operacionale etj. Ky është edhe interesi ynë, që ky proces të rrjedhë në përputhje me ligjin.


 “KOSOVA SOT“: Si një ministër i PDK-së, a jeni i kënaqur me mbështetjen që ju ka dhënë kryeministri Thaçi dhe a ju ka ndodhur të keni mosmarrëveshje me të?


ZENUN PAJAZITI: Jo, nuk kam pasur mosmarrëveshje. Unë kam pasur mbështetjen e plotë. Ato që i kemi arritur ne në MPB dhe unë personalisht si ministër i brendshëm, kanë qenë fillimi i reformave, konceptimi i ideve të reja, riorganizimi i brendshëm, brenda një viti, në afat rekord, që nuk kishte ndodhur më parë në asnjë vend. Kemi arritur t'i nxjerrim pasaportat, letërnjoftimet, patentë-shoferët. Brenda një viti kemi bërë aktivitete për ta luftuar krimin e organizuar, gjë që nuk ishte parë deri më tani.
Politika e proklamuar e kryeministrit, për tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe ndaj korrupsionit, ka qenë një shtytje e madhe për mua personalisht dhe për ministrinë që t'i zhvillojmë synimet dhe objektivat që i kemi pasur dhe që i kemi proklamuar që në fillim të vitit. Unë vazhdoj të mbetëm një ministër i mbështetur fuqishëm prej Qeverisë dhe prej vetë kryeministrit dhe do të vazhdojmë të realizojmë synimet dhe objektivat që i kemi paraparë.


KALUAM TRANZICIONIN


„KOSOVA SOT“: Nga ajo që mbahet mend në deklaratat e Kryeministrit Thaçi është se për "segmente të caktuara të drejtësisë që flenë mbi dosjet e krimit", cili do të jetë roli juaj si ministër i MPB-së në ndriçimin e këtyre rasteve?


ZENUN PAJAZITI: Ne kemi punuar shumë si Ministri e Punëve të Brendshme dhe si Polici e Kosovës. Kemi punuar për ta luftuar krimin. Kemi pasur disa raste gjatë këtij mandati prejse unë kam filluar punën që të kërkoj edhe hetime të veçanta, për raste të veçanta. Për disa raste kam kërkuar krijimin e Task Forcës për luftimin e krimit etj. Luftimi i krimit ende mbetet një sfidë. Edhe deklarata e kryeministrit, edhe vlerësimi i Komisionit Evropian tregojnë se ne ende jemi vend ku kemi probleme me krimin. Të gjitha këto mbetën çështje të cilat do të jenë në prioritet të angazhimit tim dhe të angazhimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Megjithatë, ju e dini, kryeministri shpeshherë ka adresuar këto probleme si probleme të drejtësisë. Unë dëshiroj t'ju them se kemi pasur raste kur policia shpeshherë ka zhvilluar hetime shumë profesionale në raste të caktuara dhe po ashtu ka ndërmarrë operacione shumë profesionale, por kemi pasur dështim total të drejtësisë. Kemi kërkuar dhe kemi bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë. Nuk është problemi te MD-ja. Ju e dini që segmente të drejtësisë, të sundimit të ligjit, janë disa agjenci apo mekanizma që janë shumë të pavarur në punët e tyre. Kemi edhe prokurorët dhe gjykatat dhe shpeshherë kjo pavarësi e tyre nuk ka nënkuptuar rritje të efikasitetit që do të duhej të ndodhte, por, përkundrazi, rasti i Kosovës është rast shumë interesant. Gjithkund në regjion kemi të kundërtën e saj, ndërhyrja e shtetit bën pengimin e veprimeve të drejtësisë, në vendin tonë ka një vit që kryeministri ka adresuar vërejtje serioze jo vetëm në drejtësi, por në përgjithësi në këtë sferë, në fushën e sundimit të ligjit. Ne po përpiqemi që bashkërisht të bëjmë reforma. Unë nuk dëshiroj të komentoj se në çfarë faze tani janë këto reforma të drejtësisë, por unë po ju them që në MPB brenda mandatit tonë do të ndodhë një reformim cilësor edhe i pjesës civile, por edhe i policisë.


  „KOSOVA SOT“: Të gjithë faktorët relevantë kanë rekomanduar nevojën emergjente të reformës në polici. Çfarë presim konkretisht nga kjo reformë?


ZENUN PAJAZITI: Nganjëherë, me emrin reformë nënkuptojmë ndryshimet e mëdha që duhet të bëhen. Ligji i ri për policinë është i bazuar kryesisht në një skemë aktuale që e ka policia. Ligji nuk parashikon ndërmarrjen e ndonjë reforme të madhe. Ajo që ne mund ta quajmë reformim, është procesi i marrjes së kompetencave të plota në përputhje me ligjin e ri. Kjo nënkupton një reformë dhe një nxjerrje nga një kohë në kohën tjetër. Përmbyllja e emërimeve në polici dhe fillimi i hartimit të politikave për policinë, të cilën unë tash po e bëj, nënkupton një frymë të re në polici. Faza e emërimeve do të kalojë shpejt, ndërsa ne dhe unë personalisht po përpiqemi t'i hartojmë disa politika më afatgjata. Unë i kam disa pyetje, të cilat janë esenciale për konceptin dhe për reformat e reja në polici: Sa policë duhet t'i ketë vendi ynë? Çfarë profili të policëve duhet të kemi? Çfarë segmentesh të brendshme duhet të jenë më të mira për luftimin e krimit? Çfarë shtrirje duhet të ketë policia? Cili do të jetë roli i niveleve lokale të policisë etj. Këto janë pyetjet esenciale, në mënyrë që të krijojmë politika afatgjata të policisë. Deri më tani nuk kemi qenë në kohën më të mirë që të mendojmë për reforma, për shkak se kemi kaluar kohën e tranzicionit. Ajo kohë tashmë ka kaluar. Jemi duke i përfunduar emërimet dhe është koha që të merremi ne vetë me strukturën e Policisë së Kosovës. Faza e emërimeve në Polici do të përfundojë shumë shpejt dhe kjo është çështje ditësh apo javësh.


INCIDENTET NË VERI, TË IZOLUARA PËR MPB-NË


„KOSOVA SOT“: Veriu është sfidë më vete edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kur do të ketë sundim të rendit dhe të ligjit në veri dhe në enklavat serbe gjithandej Kosovës?


ZENUN PAJAZITI: Në veri të vendit, kohëve të fundit, kemi pasur incidente. Po ashtu, atje ka njerëz dhe grupe të njerëzve, të cilët nuk janë pajtuar me realitetin ri. Disa prej tyre edhe janë të manipuluar, disa prej tyre janë të frustruar etj. Dëshiroj të ritheksoj se incidentet e fundit kanë qenë incidente të izoluara. Këto incidente kanë qenë të motivuara kryesisht për motive ekonomike etj. Tashmë jo vetëm përfaqësuesit serbë, por edhe ndërkombëtarët e kanë thënë publikisht se incidentet kryesisht vijnë si qërim hesapesh në mes të grupeve të ndryshme rivale, grupeve të ndryshme kriminale, të cilat veprojnë atje. Unë para disa ditësh e ka vizituar atë pjesë. Jam takuar me përfaqësues të banorëve të lagjeve të atjeshme Jo vetëm shqiptarët që jetojnë në lagjet e veriut të Mitrovicës, por edhe qytetarët serbë që jetojnë atje tanimë janë lodhur nga veprimet e këtyre kriminelëve.


„KOSOVA SOT“: Kur do të kemi njësitet speciale të Policisë së Kosovës edhe në cepat më të skajshëm të Mitrovicës Veriore, duke përfshirë këtu edhe pikat doganore dhe pse s'ka ndodhur një gjë e tillë deri më tani?


ZENUN PAJAZITI: Unë jam zotuar para atyre qytetarëve që do ta shtojmë praninë e policisë sonë atje dhe do ta luftojmë krimin. Mendoj se këto janë elemente kryesore, në të cilat do të bazohet vendosja e sundimit të ligjit në veri. Në dy nga këto elemente ne kemi filluar të punojmë. E para, e kemi shtuar prezencën e policisë, e kemi sensibilizuar edhe EULEX-in dhe po ashtu kemi marrë edhe mbështetjen e tyre që edhe prezenca e tyre të jetë atje. Prezenca nuk do të jetë njëetnike. Ne po përpiqemi që atje të kemi një prezencë të përbashkët. Dhe e dyta, po ashtu kemi punuar në drejtimin e luftimit të krimit, me ç'rast kemi ndërmarrë disa veprime që janë veprime të para. Dëshirojmë t'i sqarojmë spekulimet në opinion, se Policia nuk do të ndalet vetëm me arrestimin e disa njerëzve, aq më tepër ne nuk dëshirojmë t'i shohim këta njerëz vetëm si shqiptarë, apo vetëm si serbë. Ne do të veprojmë për ata që nuk e respektojnë ligjin, për ata që bëjnë krime, kushdo qofshin ata.


„KOSOVA SOT“: Kur do të bëhen emërimet e reja në Polici dhe sa jeni i kënaqur me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, z. Sheremet Ahmeti?


ZENUN PAJAZITI: Z. Ahmeti është njëri nga drejtuesit e policisë me përvojë mjaft të gjatë në polici. Për drejtor të policisë jemi përpjekur të gjithë bashkë që të kemi emra që kanë treguar përkushtim, pjekuri dhe kanë treguar vendosmëri në kryerjen e punëve të tyre. Z. Ahmeti ka qenë deri më tani zv.komisar, nuk ka qenë me kompetenca menaxhuese të plota. Me emërimin e tij si drejtor ai ka filluar të kryejë punën e tij. Ne jemi të kënaqur, mirëpo ende sfidat kryesore të policisë nuk kanë ardhur. Në të ardhmen do të shihet suksesi i z. Ahmeti.


RAPORTET ME EULEX-IN


„KOSOVA SOT“: Çfarë raportesh keni me EULEX-in?


ZENUN PAJAZITI: Unë personalisht kam raporte të mira. U bë një kohë që ata erdhën këtu. Me z. Kermabo dhe po ashtu me z. Rajner, që është drejtues i shtyllës së policisë. Përveç asaj që e kanë të përshkruar në mision, ata janë edhe njerëz të përkushtuar. Janë persona që i dedikohen mirë punës së tyre.


„KOSOVA SOT“: A ka dijeni MPB-ja se çfarë ekspertësh po sjell BE-ja në Kosovë për ta ndihmuar Policinë dhe Doganat e Kosovës?


ZENUN PAJAZITI: Ekspertët që i kanë sjellë, disa prej tyre janë edhe në ministrinë time. Janë ekspertë të cilët kanë përvojë nga vendet e tyre. Është mirë që tani kemi ekspertë me përvoja evropiane. Incidentet e fundit që kanë ndodhur kanë qenë edhe një sprovë për EULEX-in, prova e parë serioze edhe pse ata janë ende të pakonsoliduar plotësisht. Ky ka qenë një test për ta. Po kjo kohë ka qenë edhe test për ne për të pasur një bashkëpunim me ta.


TRAJTIMI FINANCIAR I POLICËVE


„KOSOVA SOT“: Si ministri keni edhe përballjen me problemet sociale? Paguhen pak njerëzit që shërbejnë në polici? Kur do të ketë paga më të larta dhe kushte më të mira pune?

ZENUN PAJAZITI: Gjatë gjithë vitit të kaluar, përveç tjerash, ne e punuam edhe një plan për sistemin e ri të pagave bashkë me menaxhmentin e Policisë. Ideja ishte që të bëheshim gati që, në përputhje me ligjin e ri, të bëjmë një rindarje të pagesës për strukturat e policisë. Ky sistem i ri pagash, sipas propozimit tonë, kërkonte më shumë mjete. Kjo tani nuk është e mundur për shkak të kufizimeve në buxhet. Sivjet kemi filluar me 10 % të ngritjes së pagave. E dimë që nuk mjaftojnë. E dimë që policët meritojnë më shumë për shkak të punës dhe misionit që kryejnë. Ne iu kemi thënë edhe përpara atyre që ne kemi për ta filluar vitin e ri 2009 me një ngritje prej 10 %. Se sa gjatë do të shkojë, a do të mund të ketë edhe rritje tjetër me rishikim e buxhetit, a do të mund të gjejmë ndonjë fond tjetër për pagesa të rrezikshmërisë, këto nuk mund t'ua them tash, por unë po u them që policia vazhdon të jetë tregim i mirë, siç është tani. Qeveria me menaxhmentin e Policisë e ka krijuar planin për sistemin e ri të pagave. As që ka qenë e përfshirë Sindikata e Policisë në këtë punë. Më vonë, sindikata ka kërkuar rritjen e pagave. Një marrëveshje që ka qenë e arritur nënkupton fillimin e zbatimit të ligjit dhe atë po e bëjmë tani. Ne po fillojmë ta zbatojmë ligjin. Nuk është në dorën time të vendos sa para do t'i qes në buxhetin e policisë.


„KOSOVA SOT“: Ministër, çfarë po ndodh me policët serbë të suspenduar me pagesë, kur do të shpallet konkursi për plotësimin e vendeve të tyre të punës?


ZENUN PAJAZITI: Ideja jonë ka qenë që ta mbajmë policinë, një polici shumetnike, ashtu siç është me ligj e përcaktuar. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka pasur tendenca nga qarqe të ndryshme që të tregojnë para botës që kosovarët dëshirojnë të mbajnë institucione vetëm për vete dhe jo për pakicat. Prandaj, ishte ideja që t'u bëhet presion atyre njerëzve që të mos angazhohen dhe që ta refuzojnë komandën e tyre në Prishtinë etj. Ne dëshiruam të jemi më tolerantë, atyre t'u lëmë derën hapur. Edhe sot ne e mbajmë atë qëndrim dhe edhe sot i ftojmë ata që të kthehen. Tani dhe ata e dinë që kjo nuk do të jetë e pafund. Kemi elemente pozitive, të cilat tregojnë që ata do të vazhdojnë të jenë pjesë e PK-së dhe do të vazhdojnë të punojnë. Kohëve të fundit, kemi disa takime të përbashkëta të policisë me policët e tjerë që janë në veri.


„KOSOVA SOT“: Të kalojmë pak te tenderët që zhvillon ministria juaj. A keni pasur raste të shkeljeve të ndryshme dhe çfarë keni bërë në ato raste?


ZENUN PAJAZITI: T'u them të drejtën, nuk kemi pasur ndonjë telashe në këtë drejtim. Aty ku kemi hasur në probleme të vogla, kemi intervenuar që të kryhen sa më mirë. Prej krejt punëve që kemi pasur, një ka mbetur pa u realizuar - një qendër për regjistrimin civil. Ajo do të vazhdohet në vitin që vjen. Këto janë çështje me të cilat do të merret auditori. Dëshiroj t'u them se që në takimin e parë me stafin tim për këtë vit kam kërkuar nga ta transparencë dhe përkushtim maksimal në punët e tyre.


Intervistoi: Sejdi GASHI

 

 Kthehu në faqen e parë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kostenlose Homepage von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!