KONFERENCA E RAMBUJESË GJASHTË VJET PAS

 

Shkruan: Mr. Jakup Krasniqi

 

      Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë për Kosovën, edhe gjashtë vjet pas vazhdon të jetë temë interesimi për qarqe të caktuara intelektuale në Kosovë. Vlerësimet janë edhe për edhe kundër saj. Nga ata që sot janë kundër, konsekuent është vetëm njëri – Adem Demaçi, të tjerët janë jo serioz dhe të pasinqert. Për hirë të vërtetës dua të them: Të gjithë shqiptarët që kanë qenë brenda Kështjellës së Rambujesë, si anëtarë të delegacionit, ekspertë a përkthyes, kanë qenë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambijesë. Vetëm Shinasi Rama, studjues i shkencave politike në SHBA (nga Shqipëria), thoshte për paragrafin e përfolur për „Referendumin“, se nuk nënkupton vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Të gjithë të tjerët thonin se nënkuptohet vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe s’mund të këtë interpretim tjetër. Tani, ndonjëri nga ata mund të flasi e shkruaj çka të doj, por e vërteta është tjetër.

       Pas dy jave edhe të gjithë komandantet e ZO të UÇK-së kanë qenë për, anipse ndonjëri as atëherë e as sot nuk e ka lexuar Dokumentin përfundimtar të Marrëveshjes së Rambujesë! Ndoshta edhe po ta lexonte nuk do ta kuptonte !  Ky ishte niveli intelektual dhe politik i disave atëherë, ndoshta kanë ndryshuar tani ?! Anipse angazhimi i tyre asnjëherë, që gjashtë vjet, nuk ka qenë për të bërë ngritje intelektuale a politike serioze. Pas lufte angazhimi i tyre, kryesisht bëhej për çështje tëpër personale, duke u shmangur kështu, shumë nga idealet e luftës çlirimtare dhe këtu vazhdojnë të jenë shumë serioz e të pa konkurencë.

       Konferenca e Rambujesë për Kosovën është një ngjarje e shënuar historike në raport me faktorin ndërkombëtar. Më gjithë kundërshtimet që mund ti këtë kjo ngjarje, rendësia e saj historike nuk mund të zbehet as sot e as mot. Ngjarja kryesisht ishte për Kosovën, por në Rambuje dhe rreth saj ishin të gjithë shqiptarët, pa dallim kufinjësh. Ishin drejtuesit e shtetit shqiptar, të politikës e të diplomacisë shqiptare, ishin edhe drejtuesit e kulturës dhe shkencës humanitare shqiptare. Ishte e gjithë diaspora. Të gjithë ishin në mbeshtetje të Delegacionit, të Marrëveshjes dhe që në asnjë mënyrë mos të humbasnim mbështetjen ndërkombëtare. Në fund të fundit edhe delegacioni i UÇK-së kishte shkuar për të fituar përkrahjen dhe mbështetjen ndërkombëtare. Dhe mbshtetja e fuqishme ndërkombëtare ndodhi. Çka tani?!

       Në mes Rambujesë dhe Parisit, kam zhvilluar biseda me shumë ushtarë dhe qytetarë dhe nuk kam pas hasur asnjë që ka kundërshtuar nënshkrimin e Marrëveshjes, bile shumë më kanë thënë pse nuk e keni nënshkruar, ke do ta pysni e të ngjajshme. Edhe komandantet që bëheshin se po kundërshtonin më kanë pas thënë: “Opinionet e ushtarëve dhe i qytetarëve është që të nënshkruhej Marrëveshja“. Kur kësaj i shtojmë edhe bllokadën që i ishte bërë UÇK-së, ushtarakisht nga Serbia e financiarisht nga Bukoshi e njerëzit e tij dhe LDK-ja në anën tjetër, nënshkrimi i Marrëveshjes ishte bërë domosdoshmëri. Të gjithë kundërshtarët e luftës çlirimtare dje, vazhdojnë të jenë të fuqishëm edhe sot gjashtë vjet pas!

     Marrëveshja e Rambujesë për Kosovën mund të këtë shumë dobësi, shumë të meta, por Marrëveshja në mënyrë të shkëlqyer ka arritur këto rezultate:

     - Ka nderprërë luftën jo pa humbje, por liri pa gjak nuk ka ! As Serbia me avokatët e saj nuk do të bëhen kurrë aq humanë sa të na dhuronin pavarësinë formale ! Kush është ai që nuk e sheh këtë edhe gjashtë vjet pas?! Cili ishte e vazhdon të jetë angazhimi i tyre sot ?!

     - NATO-ja ka bombarduar në tërë hapsirën ish RFJ-në, çka ne nuk do të mund ta bënim kurrë. Por as kjo nuk do të ndodhte kurrë pa luftën tonë çlirimtare. Çka i shtyn disa ish ushtarë të UÇK-së të kalojnë në taborin e kundërshtarëve të luftës çlirimtare?! Ku i kanë shitur dardhat?! Te Bukoshi, udbashët, në Beograd apo te të gjithë marrë se bashku!!!

      - Ka larguar të gjitha forcat ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, ndoshta këtë do ta bënim, por me humbje shumëfish më të mëdha. Kini parasysh edhe veprimet puçiste të disa të krisurëve që nuk shihnin përtej hundëve të tyre, që leht mund të shiteshin e bliheshin nga kushdo që do t’ju afronte deviza më shumë !! Ndonjëri nga ata, pas lufte i kanë „shitur danet“ te biznismenët udbashë dhe kjo nuk është diçka që nuk shihet e dihet. „Dielli nuk mbulohet me shoshë“ thotë populli ynë !

       - Ka krijuar kushte që të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike në Kosovë, tepër larg tanksave serbe, ushtrisë dhe policisë okupatore dhe dalzotësitë e Kosovës nuk fituan ?! Dhe në tërë këtë proces, sigurisht nuk na ka faj Marrëveshja e Rambujesë ! A na ka faj Marrëveshja e Rambujesë për njerëzit që i kemi zgjedhur në institucionet kryesore në Kosovë në dhjetor 2004?

      Dhe në fund të fundit, bombardimet e NATO-s do të sjellin për Kosovën dhe qytetarët e saj më shumë se sa parashihej në Dokumentin e Rambujesë. Më 21 qershoe 1999 e gjithë makineria policore, ushtarake dhe administrata e dhunshme serbe largohet nga Kosova. Çka bën shqiptarët e Kosovës që gjashtë vjet?


Kundërshtarëve të Rambujesë dua t’ju përkujtoj:


     Pas luftës
çlirimtare në Kosovë janë zhvilluar katër palë zgjedhje të lira, a i dijnë rezultatet e atyre zgjedhjeve? Po të votonin qytetarët e Kosovës, që me shumicë janë shqiptarë për çlirimtarët, cili do të ishte masazhi që do ta merrnin ndërkombëtaret? Zotërinjë, kundërshtarë të Marrëveshjes së Rambujesë, përgjigjuni vetë në këtë pytje, nuk është e vështirë !!

     Në fund mund të konstatojmë se: Konferenca Ndërkombëtare e Rambujejsë për Kosovën, ka përmbyllur me sukses shëmbullor një kaptinë të rëndësishëm të historisë sonë më të re fal organizatorëve dhe drejtuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që për ideal kishin çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Prandaj edhe gjashtë vite pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdohet lufta speciale e drejtuar nga Beogradi në bashkëpunim me qarqe ndërkombëtare avokat të serbisë, të lidhura këto me grupe e klane mafioze „kombëtare“ „të politikës“, „të informimit“ e „të sigurimit“ në Kosovë për denigrimin dhe zvetnimin e vlerës kulmore kombëtare – UÇK-së dhe drejtuesve të saj.

        Sigurisht edhe drejtuesit politikë dhe ushtarak të UÇK-së kanë bërë gabime njerëzore gjatë luftës çlirimtare, siç kanë mundur të bëjnë gabime edhe anëtarët e delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën. Sa është më së e vërtetë, se këto dy ngjarje më kulmore të historisë sonë të lavdishme, janë dy ndeshje të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me pushtuesin shekullor (Serbinë), në rrafshin politik, diplomatik dhe ushtarak dhe rezultati është 5 : 0 për Kosovën. Dhe kjo është meritë e drejtuesve politik dhe ushtarak, e jo e atyre që sabotonin, e luftonin kundër UÇK-së, që rrembenin poste dhe organizonin puçe – të tillët vazhdimisht gabojnë, si dje ashtu edhe sot !! Zotërinjë, kur në cilën kohë, Kosova ka pasur rezultat më të mirë në raport me Serbinë?!

 

Datenschutzerklärung
Eigene Webseite von Beepworld
 
Verantwortlich für den Inhalt dieser Seite ist ausschließlich der
Autor dieser Homepage, kontaktierbar über dieses Formular!